nga Gjergji Shuka
Dy këngët “Kanga e Gjergj Elez Alis” dhe “Krajli i Talirit” janë mbledhur në Kosovë në vitet 30 të shekullit të kaluar. Kënga e parë i është transmetuar studiuesit Sali Vuçiterni nga një rapsod shqiptar i shpërngulur në fillimin e shekullit XX prej zonës së Prokupljes, sot në Serbi; ndërsa e dyta është rregjistruar në Vushtri nga studiuesi Hasan Reçi, gjithashtu prej një rapsodi emri i të cilit nuk dëshmohet. Të dyja janë botuar në vitin 1939, përkatësisht në revistën shkodrane Cirka dhe në veprën “Visaret e Kombit IV”.
Kanga e Gjergj Elez Alia rrëfen historinë e një dyluftimi mes Gjergjit dhe heroit sllav Marko Krajleviç; dyluftim që përfundon pa u filluar, pasi Markua frikësohet ndërsa sheh kundërshtarin që kalëron drejt tij dhe largohet fillimisht për në një vend të quajtur Kroni i Hajdutëve dhe më pas në “bjeshkën e Lybetenit“.
Të dy heronjtë, Gjergj Elez Alia dhe Marko Krajleviç, kanë jetuar në epoka të ndryshme historike, mjaft të largëta prej njëra-tjetrës, ndaj antagonizmi i tyre është ndërtuar nga rapsodët shqiptarë ose sllavë myslimanë me synimin e dhënies së një dimensioni parësor heroit të bashkësisë në raport me atë të fqinjëve ortodoksë. Janë në këtë mënyrë më tepër rapsodët që duelojnë dhe fitojnë kundër kundërshtarëve sesa vetë Gjergji me Markon.
Por megjithatë jo gjithçka është krijuar gjatë sundimit osman; kënga mbështetet në ngjarje të jetës së Gjergjit/Germanusit dhe transmeton motive të ruajtura edhe ndër këngët e mëparshme të malësorëve të Currajt të Epërm, siç elementë prej historisë së rrethimit të Gelimerit dhe të betejës së Veteres. Më tej, këtu janë ruajtur edhe të dhëna mbi një përpjekje të dytë të Stotzës kundër bizantinëve e cila përfundoi me tërheqje drejt Libisë ndërsa u përhapën lajme se Germanusi po rikthehej në Afrikë. Natyrisht toponimi “Libi” i De Bello Vandalico është korrektuar në atë më të njohur, Lyboten.
Mes vargjeve rapsodët kanë përcjellë një përshkrim të pamjes së Gjergjit, apo në të vërtetë një jehonë të paraqitjes mesjetare të bartësve të eposit. Siç dëshmohet prej teksteve historike të kohës; arbrit – dhe në përgjithësi ballkano-perëndimorët – nuk i prisnin mjekrat por qethnin krejtësisht vetëm pjesën e përparme të kokës dhe tëmthat, ndërsa i linin flokët nga pas gjithashtu të paprekura, si krifë kali, për të përdorur metaforën e Aristidh Kolisë në veprën e tij mbi arvanitasit.
Dëshmitë e Antikitetit të Vonë na mundësojnë për fat të mirë njohjen e mënyrës së veçantë të veshjes dhe paraqitjes sê mjekrës dhe flokëve të një prej personazheve të rëndësishëm të epikës sonë, Germanusit të ri, djalit të Germanus Anicit dhe Matasuntës. Dhe duket sikur koha është ndalur dhe asgjë nuk ka ndryshuar prej epokës së tij deri në atë të pasardhësve arbër në mesjetën e vonë.
Kënga e dytë e studiuar, “Krajli i Talirit“, rrëfen historinë e martesës së Halilit dhe Tanushës së Krajlit. Përveç kësaj ideje (të martesës të dy heronjve) në përgjithësi subjekti është i ndryshëm prej atij të këngës “Martesa e Halilit”, por ndërkohë mund të pohohet se burimi historik është i njëjti. Është pra sërish vepra e Prokopit dhe historia e Germanus Anicit, megjithëse një pjesë e rrëfimit fillestar paraqitet e ruajtur më mirë në malësitë e Nikaj-Mërturit, ndërsa një pjesë tjetër, në bashkësitë e Kosovës veri-lindore. Arsyeja e këtij fakti duhet të jetë evoluimi i dy varianteve veçmas për një kohë të gjatë.
Ashtu siç është përmendur më parë; në këngën « Krajli i Talirit », kuptohen disi më mirë motivet e marrjes së kalit në betejën e Scalae Veteres, emri i vendit të origjinës së Matasuntës, ngjarjet në fushën e Bullës dhe episodi i tejveshjes së Halilit. Përndryshe janë transmetuar edhe episode të tjerë të dallueshëm ndër këngët e mëparshme; siç ngjarjet e rrethimit të Gelimerit, robërimi i tre pjestareve të familjes perandorake dhe sigurisht motivi i martesës të Germanusit me princeshën Matasunta.
Për sa i përket elementëve të transmetuara veçmas në këtë këngë, ato janë; diminutivi i mbretit Gizerik, ngjarjet e martesës së djalit të tij, Hunerikut me princeshën e robëruar romane, Eudosia, dhe të dhëna mbi marrëveshjet dhe mesazhet e shkëmbyera mes sundimtarëve të Kostandinopojës dhe Ravenës përpara nisjes së luftërave gotike.
Lexoni studimin e plotë këtu.