Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

TË NGESHËM PËR KOMBIN

Lexoj sot, në revistën kulturore Kosovo 2.0, esenë e një M.J. – sërish po mjaftohem me inicialet, sepse nuk e njoh këtë autor dhe nuk di se ç’përfaqëson – rreth një fjale enigmatike të shqipes: ngé.

Si çdo shqiptari të mirë, edhe M.J.-së i intereson pasaporta e fjalës, ose etimologjia; por në vend që të shkojë dhe të këshillohet me ndonjë fjalor etimologjik, parapëlqen ta provojë vetë dorën, në këtë art të vështirë.

Në fakt, që nga Jokli e deri tek Oreli, duke kaluar përmes Çabejt, etimologët duket sikur bien dakord që ngé është fjalë indo-europiane në shqipen, me kuptimin “kohë” – sikurse edhe e ka sot e kësaj dite.

Tani, M.J.-ja ndjek një rrugë tjetër, e cila e shpie tek arbërishtja, dhe gjen një paralelizëm midis nge-së së shqipes, dhe pjesëzës mohore të arbërishtes ngë: si në ngë kam, ngë di etj. dhe menjëherë entuziazmohet.

Etimologë amatorë gjen plot mes nesh – marrja në pyetje e fjalëve është sport kombëtar, për ata që kanë ngé. Nuk do t’i kushtoja shumë vëmendje M.J.-së, po të mos gjeja, në shkrimin e tij, elemente të po asaj doktrine alarmante, që po ua paralizon mendjet disave, që prej vitesh, si të ishte fe parazitare a toksinë halucinative.

Para së gjithash, M.J.-në purist e ka shqetësuar pjesëza mohuese jo e shqipes, të cilën ai e gjen të huazuar nga turqishtja jok – një hipotezë e respektuar edhe pse jo e vetmja, për arsye që do t’i shkoqit më poshtë.

Pasi ka gjetur një jok mohor edhe në serbishten, ai thotë, jo pa hidhërim, se

të shkretit ballkanas, ndër ta edhe më të shkretit shqiptarë, është dashur të mësojnë shpejt se si mohohet në gjuhën e pushtuesit.

Kjo jo e shqipes, pra, papritur vjen e përhihet si një nga ato bombat e pashpërthyera të luftrave të vjetra, që ende shkaktojnë viktima, si rregull të pafajshme.

Përkundrazi, te nge-ja ai sheh një pjesëz mohuese të vjetër, e cila në përngjitje (ose sandhi) me foljen kam ka dhënë – nëse e kuptoj mirë pasazhin – pjesën tjetër mohuese të shqipes, nuk (si një kontraksion të ngë + kam); njëlloj sikurse paska ndodhur edhe në serbishten, ku ne +imam ka dhënë nemam.

Dy herë na del serbishtja në këtë parashtresë rreth mohimit në shqipe, çka më kujtoi, nuk di pse, një proverb që ia kam lexuar – mos qeshni – Leninit; se “për miun nuk ka shtazë më të fortë se macja.”

Po arbërishtja ku hyn këtu? Hyn, sepse arbërishtja, ndryshe nga shqipja, ka ruajtur. Ja si e formulon këtë M.J.-ja:

Bëj një bisedë të thjeshtë me arbëresh dhe në njëfarë aspekti do të jesh kthyer mbrapa në kohë e do të kesh ecur përpara drejt një gjuhe më shqipe, më të pastër dhe më romako-bizante, më ballkanase dhe më joturke.

Në tre rreshta, e gjen të përmbledhur këtu thelbin e misticizmit kombëtarist romantik: se e vjetra është më e pastër se e reja, se arbërishtja është një formë e ruajtur e shqipes dhe prandaj më shqipe se shqipja; kështu edhe ngë-ja e arbërishtes, me kuptimin “nuk”, së bashku me ngé-në e shqipes, janë “dëshmi të të folurit europian.”

Kjo hipotezë vjen edhe me pasoja, në mos detyrime praktike. Kështu, sikurse na kujton M.J.-ja:

Është e pafalshme që, nëse dikush do të bëjë skenar filmi me arbër a ilirë, ndonjë aktor të thotë jo.

E pafalshme! Meqë jo është fjalë e huazuar nga turqishtja, arbërit a ilirët nuk e përdornin, prandaj do të ishte anakronizëm t’ua vije në gojë. Kushedi, kur të bëjmë një film për Skënderbeun (siç do ta bëjmë, herët e vonë, në mos për tjetër, të paktën për inat të fqinjëve), atëherë duhet ta vëmë këtë të flasë si Buzuku, ose, të paktën, si Gavrill Dara i Riu…

Në fakt, ajo që ka ruajtur arbërishtja në këtë mes, s’është veçse një formë e pjesëzës mohuese nuk(ë), e cila në Kalabri del si nëngë, nënk; dhë në Siqeli ngë (sipas Meyer-it dhe Çabejt). Meqë tek autorët e vjetër kjo fjalë del si nukë, atëherë ka gjasë që trajtat arbëreshe të jenë më të reja; dhe të kenë pësuar ndryshime në zanore për shkak të “karakterit të patheks” (Çabej) të fjalës në pozicionin para foljes. Prandaj, paradoksalisht për M.J.-në, forma e arbërishtes duket të jetë më e re se nuk(ë) e shqipes!

Për t’u shënuar këtu se rilindësit, duke kujtuar se jo ishte fjalë e huazuar nga turqishtja, filluan ta zëvendësonin në tekstet e tyre me nukë; dhe, nga ana tjetër, kjo jo do të jetë e vjetër në shqipen, meqë del që në fjalorin e Bardhit, si e vetmja barasvlerë shqipe e pjesëzave të latinishtes nec (nè) dhe non; dhe mua më duket pak si e pamundur që, brenda një shekulli, një gjuhë jo vetëm të huazojë një pjesëz mohore nga një tjetër, por edhe ta përgjithësojë atë (Bardhi jep edhe ioch, duke shënuar se është turqishte).

Natyrisht, në esenë e vet, M.J.-ja nuk ka respektuar as rregullat më elementare, që i lyp tema – dhe pikërisht, këshillimi me burimet; çfarë më bën të mendoj se është një amator entuziast, por jo shumë më tepër. Asnjë faj i veçantë deri këtu; por tërheq vëmendjen fakti që ai, megjithatë, guxon t’i futet një teme për të cilën i mungon kompetenca e nevojshme – guxim që ia amplifikon nëmos ia jep, besoj unë, bindja se po kryen një “shërbim” kombëtarist, duke përsëritur klishetë që ia kërkon kuvendi.

Pa Komente

  1. Ardian Vehbiu, ti shkon e gjen nje viktime dhe i hidhesh pa meshire .Kjo eshte tipike per mediokrit dhe sharlatanet .Nga ana tjeter ,ky mllef prej skuthi,tradhton urrejtjen tende prej krahinori ndaj kosovareve,shqiptareve te veriut ne pergjithesi.Eshte nje fenomen ky nder shume shqiptare te jugut te Shqiperise te emigruar viteve te fundit ne Amerike,ku ndeshin jo me ata kosovaret qe jane mesuar ne Shqiperi t’i nenvleresojne,por me kosovare prej te cileve ndjehen te paperfillur.
    Se c’sharlatan dhe medioker je ,kete na e provon vete zotrote me ato tregimet qesharake te Maks Gjerazit.Edhe vete e ndjen kete.As nuk behet fjale per ndonje vlere artistike ne to.Kushdo qe i lexon te imagjinon me pantollona doku te shkalafenem,te dala boje.E ti qenef mundohesh te intimidosh shqiptaret e kosoves dhe ata te veriut ne pergjithesi me keto shkarrashkrimet e perskitme…

    1. Nuk më duket se autori i shkrimit në PTF e ka personalizuar çështjen; e ka ndarë problematikën nga personi, madje duke i vënë (me të drejtë) inicialet. Përkundrazi, ndërhyrja juaj po më duket ad hominem safi, sepse i vërsulesh personit me emër e mbiemër, dhe me akuza tejet të rënda, që mund të bëhen vetëm në Hagë. Kurse fyerjet nuk lejohen as këtu as në arenën ndërkombëtare.

      1. E shkrova me qellim komentin me fyerje.E di ti Pishak se pse?!Sepse,zotni Pishak,komentet qe jane krejt brenda etikes, porqe i duken shume te hidhura autorit te blogut,nuk publikohen;ose edhe kur publikohen,vete autori fyen komentuesin ne inteligjencen e tij.Nga ana tjeter,komentet me fyerje si ky i imi ,per cudi(ne fakt,per djallezi), publikohen nga autori;ne kete menyre,autori edhe duket si tolerant ndaj atyre qe e shajne por,ne te njejten kohe, fsheh mostolerancen e tij ndaj komenteve qe i vijne hidhur dhe, qe nuk i publikon.E shikon ,zotni Pishak,se me cfare rrufjanerie kemi te bejme.Gjithsesi,nuk eshte i vetmi Vehbiu qe e ndjek kete taktike;e kam vene re edhe ne forume dhe blogje te tjera.

        1. Timur,
          Komentin tend e kalova une. E di qe u pelqen te viktimizoheni nga Ardian Vehbiu, dora vete, por ja qe realiteti i hidhur eshte qe ky blog ka dhe dy persona te tjere qe kujdesen per te. Akuza juaj, qe nuk eshte vetem e jotja, se ketu cencurohet eshte nje gogol qe shume vetave u pelqen ta besojne sepse vetem keshtu mund te shpjegohet “pastertia” ose akoma me keq e paraqet revolten tuaj ndaj autorit si te ishte pjese e nje revolte mbare popullore dhe natyrisht keta trima te mire nuk do ja kene lene mangut Ardian Vehbiut. Do jene hedhur mbi shpate te gjithe per te miren e Shqiperise.

          Realiteti eshte krejtesisht tjeter. Kujt nuk i pelqen ky blog largohet ose shkon te bej gam gam diku tjeter. Revolta qe ju imagjinoni nuk eshte reale dhe nuk ka permasat qe ju prisni te kete. Jane te rralla komentet qe nuk publikohen dhe ne te shumten e rasteve jane identike me tonin e atij me siper. Sulme ad hominem pa asnje argument te qene. Nderkohe, ka patur plot raste ku sulmi mund te jete fshire dhe argumenti ka kaluar meqe argumentin kunder nuk eshte se e kemi perjashtuar automatikisht. Mesoni te beni diferencimin midis sulmit dhe kundershtimit te argumentuar.

          Djallezia ne publikimin e komentit tend ishte per te sinjalizuar se sa te djallezuar jeni ju zoteri! Ankoheni se AV ka vene ne shinjester dike nderkohe qe i beni biografine autorit sikur ti kishit prere kerthizen. Mjaft me keto budalliqe se ka plot viktima per vemendje, pa u hequr dhe ju si te tille.

        2. z. Timur, unë s’kam asnjë detyrim ndaj jush, as që t’jua toleroj komentet. Kam vënë një shënim, në krye të hapësirës përkatëse, ku i porosit lexuesit të mos e fillojnë karrierën e tyre si komentues në blog me komente negative – dhe kjo ka vlejtur edhe për ju. Duke parë nga ato që shkruani, kam përshtypjen se ju nuk keni se çfarë të thoni këtu, ndërsa përmendja që ia bëni Maks Gjerazit, tradhton edhe frymëzimin “ideologjik” të zellit tuaj. Kaq mjafton për t’ju bërë persona non grata në blog, nuk kuptoj se çfarë kërkoni akoma. Nëse ndieni se ju janë shkelur të drejtat, gjithnjë mund t’i drejtoheni Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës!

  2. E lexova artikullin ne fjale. Autori M. J. harron te thote se arbereshet veç pjesezes mohuese “ngë” qe perdoret per te ndertuar formen mohore te foljeve, perdorin edhe pjesezen “jo”. Keto dy pjeseza kane funksione sintaksore te ndryshme dhe nuk jane te nderkembyeshme.

    Tani pyetja ime eshte: nese pjeseza “jo” eshte huazim turk, si ka mundesi ta gjejme tek arbereshet qe mendohet se u larguan nga Ballkani para se te fillonte ndikimi i turqishtes mbi shqipen?

    Duke klikuar te linku qe na solli Xha Xhai, pata rastin t’i hedh nje sy edhe revistes “Kosovo 2.0”. Me beri pershtypje niveli mjaft i mire i shqipes aty, qe ia kalon ndjeshem nivelit gjuhesor te revistave qe botohen ne Tirane.

  3. Me beri pershtypje pozicionimi qe i behej ketij shkrimi tek faqja ne FB e Kosovo 2.0.

    “Lexoni një shkrim nga M.J. për këtë fjalë të rrallë, dhe sot, le të bëhemi të gjithë pakëz gjuhëtarë.”

    Te habit lehtesia me te cilen lexuesi ftohet te behet gjuhetar, thua se mjafton vetem deshira e mire. Ne fakt, cka reflektohet ne kete ftese eshte nje fare populizmi per drejtesi nga poshte meqe gjuhetaret jane po ata qe na lane ne balte lukthin!

  4. Në fjalorin arbërisht-italisht të Horës së Arbëreshëvet* është njëlloj në trajtën “jo”. Vendosja e arbërve në Horë është dokumentuar në vitin 1488, ndaj siç shkruhet nga Xhaxhai, është e pamundur që fjala të jetë huazuar nga gjuha osmane.
    Ka edhe diçka tjetër që të bën të mendohesh në shkrimin e revistës Kosova 2.0. Sikur arbëreshët mos të kishin emigruar dhe Frang Bardhi të mos e kishte shkruar fjalorin e tij; atëherë mundet që edhe etimologët të besonin njëlloj të njëjtën gjë siç artikullshkruesi. E mendoj këtë, pasi fjala ‘jo’ është e njëjtë me korrespondenten turke dhe nuk e hasim në këtë formë në gjuhë të tjera indo-europiane. Përderisa dikush që nuk ka dijeni për fjalorët e Bardhit dhe arbëreshëve shkruan sot se fjala është marrë nga osmanishtja, atëherë mundet që edhe gjuhëtarët të bënin të njëjtën gabim, në rrethana të tilla paditurie ose mungese të dhënash.
    Për ta zgjeruar më tej mendimin; Imagjinoni se çmund të ndodhë me fjalorët etimologjikë sikur të gjenden tekste të ilirëve ose të arbërve të mesjetës së hershme. Ndoshta fletë të tëra të tyre mund të dalin jashtë përdorimit, pasi ekziston gjithnjë mundësia që fjalë të cilat sot i mendojmë si të huazuara nga latinishtja ose sllavishtja, të vijnë prej proto-shqipes.

    *Fjalori arbërisht i krijuar prej Gaetano Gerbino, gjendet në formatin pdf në faqen Jemi.it.

  5. Etimologjia popullore ka ekzistuar e do të ekzistojë në të ardhmen. Të gjithë e kemi ushtruar në fëmijëri, na ka argëtuar, por edhe nga ka ngjallur kureshtje. Etimologjia popullore të paktën na ka mësuar përbërjen e fjalës, dhe se fjalët e kanë një prejardhje që mund të studiohet. Kur u rritëm, pasi lexuam ndonjë libër më shumë, mësuam se etimologjia është diçka serioze, që ka ligjet e veta.
    Mirëpo këtu kemi të bëjmë me një dukuri tjetër, sepse loja e etimologjisë shkon e bëhet vegël e një ideologjie të caktuar, që imponon në realitet të kundërtën e asaj që etimologjia na mëson. Etimologjia studion rrënjët dhe historinë e fjalëve, jo biografinë e tyre nga pikëpamja politike. Rreziku është që një degë e vështirë e gjuhësisë të shndërrohet në sport amatorësh për qëllime që shkojnë përtej saj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin