Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Gjuhësi

SI ERDHËM TE NGJYRA

Në vijim të një argumenti të nisur tek Eposi bardhezi, dua të çoj më tej diskutimin për evolucionin e konceptit të ngjyrës në kulturën shqiptare, duke u bazuar kryesisht në të dhënat që jep vetë gjuha.

Mënyra si përdoret ngjyra në Cikël më lejoi të arrija në një hipotezë paraprake – dhe pikërisht se bota e eposit të Veriut është kryesisht bardhezi dhe e diferencuar gjuhësisht sipas luminozitetit ose saturimit me dritë, pa çka se shqipja që e ka brumosur veprën i ka pasur tashmë emrat e ngjyrave, të huazuara nga latinishtja (i verdhë, i gjelbër, i kaltër).

Dhe nëse është kështu, atëherë varfërinë në përdorimin e drejtpërdrejtë të ngjyrës, si të tillë, në këngët do ta lidhim me varfërinë e sendeve jo të ngjyrshme, por të ngjyrosura – meqë vetëm sendet e ngjyrosura të lejojnë ta shkëputësh ngjyrën nga karakteristikat themelore të sendit vetë; dhe ta përfytyrosh si diçka të shtuar pra në procesin e prodhimit, si diçka me ekzistencë të pavarur.

Që këtej edhe spekulimi se përdorimi i drejtpërdrejtë i emrave të ngjyrave, në shqipe, lidhet me shkallën e depërtimit të tregut – ose zhvillimit së paku të artizanatit, që u ofron njerëzve sende të ngjyrosura.

Këtë hipotezë duket sikur e mbështet edhe vetë historia e fjalës shqipe për konceptin e COLOR-it – të cilën më parë e gjejmë si huazim nga osmanishtja, bojë; dhe më tej si neologjizmin ngjyrë.

Orientalizmi bojë ka qenë – dhe mbetet – gjerësisht i përdorur dhe si fjala thelbësisht popullore për COLORin; dhe njëkohësisht edhe për konceptin tjetër të PAINTit, siç duket nga derivate të tilla si bojatis, bojaxhi etj., por edhe nga numri i madh i togfjalëshave të tipit bojë rozë, bojë qielli, bojë mishi, bojë kafe, bojë vjollcë, etj. të cilat ofrojnë formulën ose modelin standard për të përftuar, pa cak, emra ngjyrash në shqipe.

Përkundrazi, ngjyrë si emër prejfoljor duhet të jetë neologjizëm (fjalë “e re”, e quan Çabej te SE VI); e rrjedhur nga folja ngjyej, të cilën shumë autorë e kanë lidhur me latinishten unguo, ungere (mes të tjerëve, edhe Oreli tani vonë), pa çka se Çabej këtë etimologji nuk e pranon, për arsye edhe formale dhe kuptimore; duke e lënë fjalën pa etimologji, dhe veç duke vërejtur se duhet të vijë nga një bazë *en-ken-iō – gjë që nuk na intereson këtu drejtpërdrejt.

Përkundrazi, drejtpërdrejt na intereson fakti që emri ngjyrë për COLOR vjen nga folja ngjyej, e cila ka kuptimin “fut gishtin e kafshatën në një lëng a në një gjë tjetër, lyej; i jap ngjyrë (petkut, leshit, flokëve)” (Çabej, po aty). Koncepti i COLOR-it mvishet kështu me material gjuhësor përmes idesë së të lyerit (PAINT, DYE); me fjalë të tjera, vetëm kur një send është i lyer, ose ka marrë një ngjyrë që nuk është e natyrshme e veta, atëherë edhe COLOR-i fillon të konceptohet si karakteristikë e shkëputshme, pra e pavarur.

Është për t’u vënë re edhe se Frang Bardhi e përkthen latinishten tingere si “me ngjyem”; në një kohë që latinishten color e përkthen si “fytyra o të paam”, duke e shmangur – besoj – fjalën shqipe për ngjyrën. Ndërkohë, ka interes të shënohet se vetë latinishtja color etimologjikisht lidhet me colos dhe idenë e mbulesës ose të mbuluarit, të fshehurit të diçkaje – pra, pak a shumë e njëjta rrënjë që shfaqet pastaj edhe te fjala cella dhe, pas shumë aventurash dhe transformimesh, te shqipja qelë dhe qilar, vende të errëta, ku ngjyrat nuk duken mirë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin