Nuk di si dhe pse ia mbërritëm kësaj dite kur dashamirësia ndaj gjuhës shqipe, e përzier me dozat e zakonshme të atdhetarizmit, anti-intelektualizmit dhe paranojës kombëtariste, të shfaqet – rregullisht – si denoncim i Fjalorit të Gjuhës Shqipe.
Këtë bën edhe një B.I., të cilin përndryshe nuk e njoh, në faqet e gazetës Dita, me shkrimin alarmant Ç’ka ndodhur me fjalorin e gjuhës shqipe?, e vetmja vlerë e të cilit, për mua, është që të shërbejë si koncentrat i folklorit leksikografik që ka pushtuar mendjet e shqiptarëve.
B.I.-ja është i fundit i një radhe autorësh, profesionistë dhe amatorë, që shqetësohen nga fakti i thjeshtë që disa fjalë të cilat ata i dinë ose i kanë dëgjuar të përdoren, nuk janë përfshirë në Fjalorët e Akademisë; dhe këtë lënie jashtë e interpretojnë, pak a shumë, si një lloj përjashtimi, ngushtimi artificial të hapësirës leksikore të shqipes ose shpërfillje ndaj gurrës popullore, tabanit ose popullit vetë.
Përmend B.I.-ja këto fjalë: lënde, kalle kukreka, fërgjurë, ponicë, bidakthi, por vëren se ka edhe të tjera që mund t’i vërë në dispozicion.
Me sa duket, nuk do ta ketë parë Fjalorin e M. Elezit, që ka rreth 40,000 të tilla – fjalë shqipe të cilat kanë mbetur jashtë fjalorëve normativë të Akademisë.
Pyet B.I.-ja:
Në qoftë se një fjalë të gjuhës shqipe nuk e gjen në fjalorin e saj,në cilin fjalor duhet ta kërkojmë?
Pa e kuptuar se çdo fjalor, sado i madh dhe përfshirës, gjithnjë do të përkufizohet nëpërmjet atyre fjalëve që i ka lënë jashtë, ose gjeometrisë së vijës ndarëse.
I quajta “normativë” fjalorët e mësipërm – të Akademisë; dhe jo më kot; meqë këta fjalorë kanë synuar edhe të kristalizojnë normën leksikore, e cila si e tillë i kundërvihet doemos jonormës.
I vetëdijshëm se shqipja i ka disa probleme me leksikun e vet, B.I.-ja vendos një rregull të rëndësishëm:
Çdo fjalë të gjuhës sonë ne duhet ta vlerësojmë në të njëjtën mënyrë sikurse edhe një relike të zbuluar në një gërmim arkeologjik.
Kam folur edhe më parë për këtë lloj koncepti magjik, që e konsideron fjalën – përndryshe asgjë më tepër se kartëmonedha – me një monedhë floriri; e cila monedhë e ka vlerën edhe në marrëdhënie me vlerat e tjera në treg, edhe në vetvete, si flori.
Mirëpo fjalët nuk kanë asgjë prej floriri; çfarë i bën fjalë është përdorimi dhe kundërvënia ndaj njëra-tjetrës, jo ndonjë veti e brendshme e kombinimit të tingujve. Dhe e vërteta është që fjalë të reja krijohen orë e çast, sipas nevojës; madje në ndonjë rast kjo farë krijimtarie mbahet edhe për patriotike!
(Të krijojmë fjalë të reja, sikurse hapnim dikur toka të reja, duke iu qepur kodrave dhe maleve për t’i bërë pjellore si edhe fushat!)
Autorin e artikullit te “Dita” e shqetëson vetë akti i përjashtimit, meqë i duket si padrejtësi ndaj fjalëve të përjashtuara – edhe pse, sikurse e thashë, çdo fjalor është i detyruar të përjashtojë.
Megjithatë, ky shqetësim edhe mund të pranohej, po të mos shkallëzohej prej autorit në paranojë; dhe po të mos sulmoheshin drejtpërdrejt autorët e Fjalorit për “kriteret e turpshme” (ashtu i quan B.I.-ja), për përjashtimin e fjalëve të vjetra, krahinore e me përdorim të rrallë e të ngushtë.
Të gjykosh, publikisht, kriteret teorike të hartimit të një fjalori duhet ekspertizë, e cila B.I.-së natyrisht i mungon. Çfarë e shtyn që ta hedhë këtë hap të çuditshëm, është bindja se ka të drejtë, e cila lidhet – besoj unë – me vetëdijen se po i del gjuhës shqipe në mbrojtje kundër detraktorëve të saj: leksikografëve!
Vazhdon autori i “Ditës”:
Çuditërisht zotërinjtë në fjalë bënë të kundërtën e asaj që duhej të bënin. Në vënd që të mblidhnin e të shënonin, pikërisht këto fjalë ngaqë ishin të tilla,dhe si të tilla rrezikoheshin më shumë se të tjerat,bënë të kundërtën, i përjashtuan nga fjalori!
Mirëpo nuk ka ndodhur ndonjë katastrofë e tillë – sikurse përfshirja në fjalor e një fjale nuk garanton përdorimin e saj, ashtu edhe përjashtimi nga fjalori i një fjale nuk është se e dënon atë me harresë.
Nëse fjala është e dokumentuar, ajo do të mbetet e dokumentuar; kur redaktorët e fjalorit kanë marrë vendimin që ta lënë jashtë, për shembull, fjalën bidakthi, nuk është se me atë rast kanë vajtur dhe kanë asgjësuar skedat e kësaj fjale në kartotekën e leksikut të shqipes; as kanë spastruar gjë etnikisht fshatarët e zonës që e përdor fjalën.
Fjalët e rralla nuk janë insekte ekzotike, as flutura të qëmtuara për koleksion; nëse nuk përdoren shumë dhe gjerësisht, kjo thjesht ndodh ngaqë nevoja për to është e paktë. E dalë nga përdorimi, një fjalë vjen po aq sa ç’vlen edhe kartëmonedha pesëmijë-liretëshe, në xhepin e xhinseve të vjetra të një emigranti shqiptar në Formia të Italisë.
Studiuesit amatorë që i “bien” Fjalorit të shqipes duket sikur janë viktima të një rrejshmërie dinake: ata e lidhin përjashtimin me potencialin për subversion, dhe fjalët e lëna jashtë një fjalori çfarëdo i konsiderojnë si të vyera pikërisht për këtë arsye.
Ka edhe më tepër – sipas B.I.-së, që nuk smbrapset para sfidave të reales,
i bie që masakra që i është bërë gjuhës shqipe është e përmasave mijëra e mijra fjalë, gjë që s’dua ta besoj.
Verbicid i vërtetë!
Gjuhë martire, e quan shqipen autori, jo pa iu dridhur buza; se çdo mit i denjë për t’u quajtur kështu nuk gjëllon dot pa martirin përkatës. Dhe kështu, procedura e komplikuar teknike e përftimit të fjalësit të një fjalori fillon të marrë, në penën prej hekuri të skuqur të B.I.-së, përmasat e krimit, në mos të tradhtisë kombëtare.
Kështu edhe vetë varfëria e leksikut shqip, e përsiatur prej disave, gjen shpjegim si pasojë e sabotimit të qëllimshëm, prej leksikografëve “karagjozë” – të cilët kanë zgjedhur ta lënë gjuhën tonë të varfër, duke ia mohuar dhe tretur pasuritë; dhe duke zgjedhur “në vend të ndërgjegjes së pastër”, siç thotë B.I.-ja, “privilegje dhe rroga të majme.”
Fakti që ky shkrim, sa modest aq edhe me ton të helmuar, e gjen rrugën deri në faqen e komenteve të një gazete mjaft të lexuar, si “Dita”, e përmbyll rrethin dhe dëshmon, në mënyrën e vet, si kemi ngecur prej vitesh në baltërat vicioze të pseudo-debateve; të cilat veçse plotësojnë, në mënyrë perverse, absurditetin e vendimeve të komisioneve ndërakademike, që sanksionojnë karakterin normativ të shumësit teatra.
Gjuha shqipe paska qenë vërtet martire.
Ndoshta duhet pare edhe ne prizmin e volumit te Fjalorit. Ka fjalore me 15 000, 40 000 por edhe 200 000 fjale (Oxford 2 ed – 20 volume). Do ishte llogjike qe fjalorit te pare “ti mungojne” jo me pak se 185 000 fjale sipas ngritesit te shqetsimit. Eshe llogjike qe hartuesit e fjalorit jane mbeshtetur ne nje sere kriteresh objektive per mosperfshirjen e nje sasie fjalesh.
Nese do munginin fjale si toke, drite, bej, atehere do kishte arsye per t’u shqetsuar.
Kuturisa ta lexoj zotërinë B.I.tek”Dita” e çka më bëri përshtypje është përdorimi arbitrar i drejtshkrimit të shqipes (p.sh shpeshherë zotëria shkruan “ti” kur duhet të shkruajë “t’i” , “t’jua dërgoj” kur duhet “t’ua dërgoj”, ose inflacioni i ë-ve aty ku sipas drejtshkrimit duhet e). Po ashtu, një shkrim i një niveli të këtillë patosi krahinorist e, po t’i referohemi XhaXhait, edhe pasioni purist, nuk duhet kurrsesi të përjashtojë fjalën “i shtypur” për ta zëvendësuar me “i printuar”…
Fakti që është qartazi diletant në çështje të gjuhës shqipe nuk ja heq të drejtën të shprehet sigurisht për diçka që po aq qartazi e ka përzemër. Nga ana tjetër, trullosja shkencëtariste e autorit ka përflakur edhe redaktorët e gazetës “Dita”, të cilët bashkëpunëtorit të tyre mund t’i kishin bërë të paktën favorin e redaktimit gjuhësor një shkrimi që mëton të ngrejë një betejë në favor të gjuhës.
Duke mos e kryer këtë, si artikullshkruesi, ashtu edhe botuesi janë bashkëfajtorë, nga pakujdesia, në martirizimin e gjuhës, për të cilin faj aq shumë rreken të akuzojnë të tjerë.
Shkrimi i autorit B. I. as qe ia vlen te diskutohet a te komentohet. Ai nuk ka faj se aq ia pret e aq thote.
Problemi eshte te hapesira qe i eshte vene ne dispozicion per te bere publike budallalleqet e veta.
Pergjegjesine dhe fajin e ka gazeta qe boton shkrime te tilla. Eshte njesoj sikur une, qe nuk marr vesh nga fizika, te shkruaj nje artikull ku te hedh poshte ligjin i gravitetit dhe gazeta te ma botoje.
Pikërisht këtu është puna: hapësirat publike po u dhurohen opinioneve kryesisht personale njerëzish anonimë… e publiku mëkohet kësisoj me pallavra që shiten për të vërteta supreme…
Pershendetje.
Kam ndejkur nje kohe te gjate kete blog dhe me vjen mire se eshte i vetmi qe trajton probleme te gjuhes shqipe dhe per kete meriton respekt te veçante.
Autori B.I.,mund te jete edhe amator ne gjuhesi,por si qytetar ka te drejte ta shprehe qendrimin e tij indinjues ndaj perjashtimit te shume fjaleve nga fjaloret e gjuhes shqipe.Ne fakt,nuk mund ta dime se ç’kriter eshte ai qe e ka lene normen leksikore vetem me 40 000 fjale,kur gurra popullore e tejkalon kete numer.Pse te mos perfshihen te gjitha fjalet ekzistuese ne fjalorin normativ,te behet botimi i tyre dhe pastaj (mos)perdorimi i tyre nga publiku do ta perligjte ekzistencen e tyre.Fjalori i shqipes se sotme ka shume fjale qe jane krahinore dhe perfshirja e shume fjaleve aktuale me kete kriter do ta rriste numrin e fjaleve qe do te merrnin jete me pas.
Mendoj se ka nje moskokëçarje absurde ndaj fjalesit gege,kur dime se ne FSGJSH,ka fjale me prejardhje te dyshimte,ndersa refuzohen fjale qe jane te gjalla ne trevat shqipe dhe qe jane burimore shqipe.Per shembull, fjala “esh” jepet keshtu:
ESH m. krahin.
1. zool. Iriq. U mblodh si esh.
2. fig. mospërf. Ai që i ngjan dikujt tjetër në pamje, në punë, në veprime etj.
Mori eshin e vet. Ka gjetur eshi eshin janë të dy njësoj; ka gjetur rrasa vegshin.
(http://www.fjalori.shkenca.org)
Kjo fjale ka origjine sllave.Krahaso nga serbishtja :-jezh-iriq.Pra,kjo fjale mund te jete marre nga pakicat maqedonase ne Shqiperi dhe eshte futur si normative,meqenese gjendet ne FSSHGJ.
Perderisa,fjala “nirth-nerth” nuk figuron gjekundi ne fjalor.Besoj se ju kujtohet “incidenti i famshem diplomatik” i dy kryeministrave shqiptare:http://www.zeri.info/artikulli/24622/thaci-a-nirthte-rama
Kjo teme eshte trajtuar edhe ne kete blog:https://peizazhe.com/2014/01/13/fjale-ne-akull/
Refuzimi i vazhdueshem i gjuhetareve nga Tirana,per te prekur qofte edhe nje presje nga kodi gjuhesor i 1972,eshte absurd dhe jo unifikues,duke marre parasysh rrethanat e reja politike e kulturore te hapesires shqiptare.
Nderkaq,puna e keshillit nderakademik meriton respekt,meqenese eshte nje skuader profesionale dhe mundohet qe standardin e 1972,ta afroje sa me afer popullit,ne menyre qe ky standard te mos e kete fatin e latinishtes.
Shkruan:
“Nderkaq,puna e keshillit nderakademik meriton respekt,meqenese eshte nje skuader profesionale dhe mundohet qe standardin e 1972,ta afroje sa me afer popullit,ne menyre qe ky standard te mos e kete fatin e latinishtes.”
Dmth ‘teatra’ eshte me afer popullit?? Cilit popull,atij qe shkon ne teatro?
Formimi i shumesit te pashquar me -a,tani eshte nje tendence ne rritje e siper.Ky formant shumesi eshte me i dallueshem se p.sh:student-studentë.Pra,sot gjithandej mund te degjosh: studenta,turista,makinista,kuadra etj,perkunder formantit standard.
Perderisa,ne Tirane,kallezorja thuajse po zhduket nen ndikimin e gjuheve te huaja dhe kjo askujt nuk ia vret veshin dhe bile nuk trajtohet gjekundi,atehere pse shumesit te perdorur nga une: “teatra”,nuk i jepet shansi jetik:perdorimi i barabarte ne publik !?
Prandaj,them se keshilli nderakademik, perkunder mospajtimeve,po ben nje pune te vyer.Dhe jo vetem.
T’i shohësh gjithë këta burra të mençëm dhe të përgatitur që mblidhen të diskutojnë për variantet e një shumësi, në një kohë që gjuha shqipe ka nevojë për vëmendje institucionale urgjente, duke filluar nga zbatimi i rregullave më elementare të normës, është vërtet për t’u pikëlluar. Do të thoja që këta janë bërë si orkestra e Titanikut, por të paktën orkestra e Titanikut luante për të ngushëlluar sado pak pasagjerët e pashpresë, ndërsa këta veç duan të ngushëllojnë veten. Asnjë relevancë nuk ka puna e tyre, dhe një ditë kushedi do të gjykohen rreptë, për këmbënguljen me të cilën e vazhduan këtë muhabet, megjithëse prej tyre kërkohej shumë më tepër, duke filluar nga udhëheqësia akademike në debatet e shumta për gjuhën shqipe, ose për t’u dhënë një orientim amatorëve si ky B.I.-ja, dhe për të mos i lejuar të shkasin në pozicione folklorike fashiste kaq pafajshëm. Prandaj, nuk është se ka ndonjë gabim teknik a gjuhësor në ato që sugjerojnë ndërakademikët; por është vetë impenjimi i këtyre në këto punë pa kurrfarë rëndësie, që shqetëson; sepse gjuha shqipe nuk do t’i afrohet popullit nëpërmjet reformave drejtshkrimore; dhe se nuk ka as ndonjë nevojë për ta “afruar” gjuhën e shkruar shqipe me popullin; por përkundrazi, ka një nevojë urgjente për ta afruar popullin me gjuhën e shkruar, të cilën nevojë e përmbush para së gjithash shkolla; dhe prandaj te shkolla duhet përqendruar puna, duke filluar me përgatitjen e mësuesve edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, të cilët në masë të madhe nuk e zotërojnë standardin, dhe këtë inkompetencë po mësohen tani ta maskojnë duke tundur flamurin e diskriminimit krahinor. Edhe një hap dhe prapambetja e kombinuar me padije do të shndërrohet në forcë.
Thjesht se vulgu perdor me se shumti nje fjale nuk me duket arsye e mjaftueshme per ta sanksionuar ne bagazhin gjuhesor te nje Kombi.
Gati gati kjo me ngjan me terrorizem gjuhesor!
Nuk mund te perdoret pengmarrja ne keto ceshtje.
Shikoni se per pune Gjuhe ca Shtete po pasurojne Historine.
“Edhe një hap dhe prapambetja e kombinuar me padije do të shndërrohet në forcë”
Me hidherim konstatoj qe nuk jam plotesisht dakord me kete shprehje (qe sidoqofte do ishte padrejtesi te mos futej ne aforizmat me te fuqishme te “postdiktatures” – ose si do ishte me me historikisht korrekte- Restaurimit te Feudo-Kapitalizmit).
Kjo tashme ka ndodhur.
Xhaxhai (dhe shume te tjere) thjesht po konstatojne frutet e ketyre luleve.
E ka marre ferra uraten!
Te gjithe pajtohemi se na duhet arsimim cilesor,por gjithashtu edhe standardit i duhet bere nje “refresh” pikerisht per ta afruar sa me prane popullit,ashtu siç verente edhe Çabej i madh,kur fliste per hendekun qe mund te krijohej midis standardit dhe popullit.Te marrim fjalen “kufij”;askush sot nuk ankohet pse perdoret ne kete forme dhe asnjeri s’e mban mend se dikur eshte shkruar “kufinj”.
Une e çmoj kete blog,per arsye se kam mesuar shume prej tij dhe nga shfletimi qe kam bere, kam verejtur se ketu ka nje fryme pranimi per orientalizmat ne shqipe,te cilat kane vleren e tyre dhe ne disa raste jane te pazevendesueshme.Por te mos harrojme se keto orientalizma jane duke u shuar,meqenese edhe bartesit e tyre jane duke u pakesuar,qofte per shkak te moshes,qofte per shkak se fjale te tilla nuk po mund te gjejne vendin e tyre ne rrethanat e reja te krijuara.Nderkaq,fjalesit gege i mohohet edhe e drejta e diskutimit.
Tani me vije ndermend anekdota e Dritero Agollit,kur pasi qe martuar per se dyti, Sadija,nje shkodrane,therret prinderit e tij ne darke.Pas punes shkojne ne banesen e tyre e para deres,e shoqja e Driteroit kerkon diç ne çanten e saj.
“Ç’kerkon moj nuse?” e pyet vjehrri.
“E kam hup çilsin ! ” ia ben nusja.
” Ë ?!”
Nderkaq i ati i kthehet Driteroit : ” Po te kam thene mor bir qe te mos martohesh më me te huajat !”
Pikerisht qe per pune Gjuhe ,shtetet te mos e pasurojne Historine,duhet te shohim se çfare permiresimesh jane te nevojshme ne standard.Paramendoni,ju lutem,se si njeanshem shteti eshte futur perdorimi i fjales “Europe”, krahas normativit “Evrope” !
Mos qenka gjuha shqipe e drejte dhe privilegj vetem e shqiperitareve ?
Prandaj,e vleresoj punen e keshillit nderakademik,sepse ata po ecin mbi nje akull te holle.
Bashkim, kur shkruan:
Vallë e ke parasysh që të gjitha reformat në drejtshkrim, që janë bërë në gjuhët europiane gjatë këtyre 30-40 vjetëve të fundit, kanë dështuar?
Që nga hollandishtja, gjermanishtja e frëngjishtja, deri te rumanishtja?
Dua të them, në qoftë se nuk e njeh këtë eksperiencë, as ke dëgjuar për pështjellimin që ka shkaktuar në ato kultura përpjekja për reforma fare të vogla, ndoshta nuk duhet të ngutesh dhe të propozosh diçka si më lart?
Shkruan:
Kjo është akuzë relativisht e fortë – që nuk e kaloj dot pa një reagim. Do të doja të më sqaroje (1) Çfarë kriteri përdor për të përcaktuar nëse një fjalë është apo jo gege dhe jo e mbarë shqipes? (2) Çfarë ke parasysh me “të drejtën e diskutimit”, dhe për çfarë diskutimi ke parasysh? (3) Kush po mohon pikërisht dhe kujt po i mohohet e drejta?
Nuk dua të bëhem i mërzitshëm me pyetje, por edhe nuk dua të të sulmoj pa u sqaruar mirë se vërtet ke ndërmend të thuash atë që duket sikur po thua. Vetë Fjalori i 1980-ës nuk u konceptua gjë si parlament i shqipes, as si kuvendi i Lezhës, por vetëm u përpoq të bënte një fotografi të përdorimit të fjalës shqipe në Shqipërinë e viteve 1960-1970.
Nëse rrethanat e sotme të përdorimit të shqipes kanë ndryshuar (dhe nuk ka dyshim se kanë ndryshuar), atëherë ndoshta është koha për një fjalor të ri; i cili nuk ka kuptim të hartohet duke pështyrë të vjetrin dhe duke e djegur në shesh, por duke u mbështetur mbi të dhe duke e përmirësuar.
Shqipja standard ka një strukturë të hapur ndaj prurjeve leksikore dialektore. Por nuk mund të themi se po e përdorim një fjalë, thjesht ngaqë e kemi përfshirë në fjalor. Fjalorët janë koleksione fjalësh; në një kohë që fjala e bën jetën gjetiu.
Me lejoni te Ju shpreh edhe nje here respektin tim te thelle per punen qe beni ne fushe te gjuhes.Analizat interdisiplinare qe Ju i beni gjuhes jane mjaft me interes,te pakten per mua sepse ky tip analize ka munguar ne shkollat tona.
Une nuk akuzoj aske !
Se nje fjale eshte dialektore percaktohet nga gjeografia e perdorimit te saj,me kete rast po iu referohem fjaleve ne shkrimin Tuaj.E drejta e diskutimit eshte se fjalet dialektore te mesiperme menjehere kualifikohen si kartmonedha te vjetra qe s’i ha me tregu dhe me kete rast qysh ne start paragjykohen.Une angazhohem qe te gjitha fjaleve pavaresisht burimit t’u jepet shansi i barabarte i konkurrences.Po marr nje shembull,diku ne nje shkrim (te Pishakut me duket) teksa analizon fjalen “selfie”,njeri nga komentuesit shprehet se ai ka nje fjale shqipe per “selfie”,pra perdor fjalen “vetkë-a”,trajte dialektore korçare e peremrit “vetë”.Mua me pelqeu pa mase,po ç’e do,selfie ka marre dhene!Po pse te mos i japim edhe “vetkës” te drejten e konkurrences se lire?
Vertet,shqipja standard lejon prurje te reja leksikore,po pse kemi mbetur me nje fond kaq te vogel fjalesh,kur nga analizat e Juaja,Xha Xha,qe keni bere sa i perket raportit gjuhe shqipe-filozofi e nxirrni mjaft te pasur dhe te zonjen per te shprehur edhe nuancat dhe idete me te thella.
Me keqardhje me duhet te konstatoj se ka nje rezistence te pakuptimte ne Tirane,sa iu perket ndryshimeve ne standard,thuajse u be qameti apo trajta tjeter e shumesit qe do ta zevendesoj normativin s’qenka shqip.Prandaj,kryeministri shqiptar rrudh krahet kur i thone – a nirthte?,prandaj nje kosovar s’mund ta kuptoj se “Shkoder locja” vjen nga “loçka” dhe jo nga “lokja”,apo nje tetovar duket si jashtetokesor kur thote “ç’a vikasin (bertasin) ata/ato? “.
Sigurisht,nuk jam per permbysje,as ndryshim te bazes dialektore,se kjo gje,pavaresisht,na pelqeu a jo eshte vendosur nj here e mire dhe s’e lot topi,por ka vende ku mund te behet nje nderhyrje dhe me mire se ne leksik s’mund te gjesh.
Une e mbyll kete diskutim duke Ju shprehur konsideraten time te thelle,me shprese se nuk jam keqkuptuar !
Ju pershendes !
Prandaj edhe unë ju pyeta, për të shmangur keqkuptimet – të cilat gjithnjë i rrezikojnë këto komunikime online. Ju falënderoj me këtë rast për sqarimin.
Përndryshe, mendoj se duhet gjithnjë të bëjmë kujdes dhe të dallojmë midis fjalëve që i ka gegnishtja dhe fjalëve të gegnishtes – sepse një pjesë e madhe e fjalëve të shqipes janë të përbashkëta për dialektet, ndërsa një pjesë tjetër janë të përbashkëta për një numër të folmesh gege, përkatësisht toske, por jo për të tjerat. Gjeografia e fjalëve nuk përkon gjithnjë me gjeografinë e dialekteve.
Dhe, meqë jemi në temë, është gabim elementar, por që e bëjnë shpesh, që të merret një fjalë që ka formën fonetike të gegnishtes, si p.sh. kunorë, dhe të quhet fjalë e këtij kryedialekti – meqë fjalën e ka për bukuri edhe toskërishtja: kurorë.
Për fat të keq, mungojnë studimet e përkatësisë dialektore të fjalëve shqipe, sidomos e fjalëve të rralla që kanë dalë në dritë këtë gjysmë shekulli, ngaqë janë mbledhur në popull. Çabej bën gjithnjë kujdes që ta vërejë këtë në etimologjitë e veta, por etimologjitë e Çabejt mbulojnë vetëm një numër të kufizuar të fjalëve shqipe, për arsye që dihen.
“ESH m. krahin.
1. zool. Iriq. U mblodh si esh.
2. fig. mospërf. Ai që i ngjan dikujt tjetër në pamje, në punë, në veprime etj.
Mori eshin e vet. Ka gjetur eshi eshin janë të dy njësoj; ka gjetur rrasa vegshin.
(http://www.fjalori.shkenca.org)
Kjo fjale ka origjine sllave.Krahaso nga serbishtja :-jezh-iriq.Pra,kjo fjale mund te jete marre nga pakicat maqedonase ne Shqiperi dhe eshte futur si normative,meqenese gjendet ne FSSHGJ.” (-shkruan Bashkimi)
Në fakt nuk është një fjalë, janë dy. ESHi nr.2, aspak figurativ si sugjeron treguesi i fjalorit, vjen pandryshuar nga fondi turk i orientalizmave në shqipe dhe dëshmoj se përdoret lirshëm në shtëpinë time “100% gegë”. (Ekskluzivisht për uruar mbrothësi në lidhje çifti: “me u puq eshi me eshin”).
Njësia pikante qëmtuar në margjinat e një fjalori 34 vjet të vjetëruar nuk funksionon për tjetër gjë, pra, veç për të ilustruar si do tingëllojnë që tani edhe lokalizmat e reja që pritet të pasurojnë gjuhën “nga lart”, me vendim komisionesh normatizuese, jo me fitim gradual qytetarie prej letërsisë, publicistikës, kulturës pop, komunikimit politik etj.
Edhe insinuata çarmatosëse mbi preferencën e “sllavëve” & minoriteteve në dëm të gegëve nga establishmenti, nuk funksionoi dot në shembull, pse gjysma më e njohur e njësisë ESH me shumë gjasë është përdorur “nga Presheva në Prevezë”, si minimum deri në vitin 1980 të botimit fjalorit.
Pastaj është interesant sesi një fjalë argumentuar si e serbishtes, mëtohet se paska hyrë në shqip pikërisht “nga poshtë” Shkumbinit, përmes minoritetit maqedonas. Në dy fshatra e gjysëm pas Qafë-Thane mbeti të luhet drama e “origjinës sllave” në leksikun e shqipes?
Pershendetje ESH !
Shembullin qe ju e cekni e kam marrre vetem per te ilustruar argumentin tim se perpiluesit e fjaloreve te shqipes zyrtare teksa i kane hartuar keta fjalore kane pasur ne mendje vetem shqiptaret e Republikes se Shqiperise dhe s’i kane honepsur fare ata te Republikes se Kosoves dhe Republikes se Maqedonise.Kjo ishte poenta ime gjate gjithe ketij diskutimi.Ti do te me thuash se ne keta fjalore ka edhe shume fjale gege.Natyrisht se po.Por jo mjaftueshem dhe kryesisht jane marre brenda territorit te Shqiperise.
Une s’i kam dhene ngjyrim politik ketij diskutimi,ashtu si beni ju:minoritet vs gege.Jo.Vetem dhashe nje fjale qe sipas mendimit tim eshte e burimit sllav dhe perfshihet ne fjalor,ndersa nje tjeter burimore shqipe ka mbetur jashte.Kaq.Cilat jane arsyet e kesaj?
Ju thoni se -esh eshte orientalizem.Jam kurreshtar ta di ekuivalentin turk te kesaj fjale?
Ju pershndes perzemersisht !
Tungjatjeta Bashkim!
Në turqisht fjala është ‘eş’.
http://www.turkishdictionary.net/?word=e%FE
http://www.nisanyansozluk.com/?k=eş&x=20&y=13
Me të mira!
Esh- me kuptimin ‘iriq’ eshte huazim krahinor nga maqedonishtja.
Esh- me kuptimin ‘moshe,brez’ dhe ‘dore njerezish,rang’ (=jesh ne Elbasan) dhe me kuptimin ‘shok, i ngjashem’ (=esh ne Shkoder) jane huazime krahinore prej turqishtes.
Pra jane dy fjale me kuptime te ndryshme te huazuara nga gjuhe te ndryshme.
(ps-Ka te ngjare qe ‘jesh’ e Elbasanit vjen prej turq. ‘yas’=moshe ,ndersa ‘esh’ e shkodranishtes prej turq. ‘es’=i ngjashem.)
Keshtu thote Cabej,SE,IV.
Problemi është se fjalori kuptimin e parë e njeh për iriq, kurse të dytin duket se ia nënshkruan si figurativ (fig.) ndoshta po iriqit. Me ndërhyrjen e parë nuk desha të argumentoj vetëm se ESHI II ka origjinë tjetër, po edhe të shtoj se si orientalizëm me përhapje me gjasë më të madhe dhe urbane, ka shtuar arsyet që njësia të përfshihet në FGJSSH, 35 vjet më parë, kur ndoshta dy përdorimet ende përligjnin përfshirjen.
Hapa tani fjalorin e orientalizmave të Dizdarit, që merr si shembull përdorimi të eshit një fjalë të urtë (“Eshi eshin, luga psheshin”) nga Peja, një nga “Hylli i Dritës” (“Ka gjetë eshi eshin, si rrasa vegshin”) dhe hyrjen përkatëse në fjalorin e Hafiz Ulqinakut.
Po për komentin tim të parë nuk pata nevojë të testoj në tekste, pse m’u kujtuar në vend ta kem dëgjuar në shtëpi përherë fjalën ‘esh’ nga im atë (i cili s’ka asnjë lidhje me Shkodrën, Pejën).
Edhe në rastin e Elbasanit që keni sjellë, besoj se ende kemi të bëjmë me ‘esh’, meqë jemi në të njëjtën zonë kuptimore.
Dizdari shpjegimin e eshit e nis me: “S’jam esh’ i tij, as me moshë, as me tabiat, etj.”
Dmth edhe mosha edhe sëra a karakteri përfshihen, sipas Dizdarit, në kuptimin e përgjithshëm të eshit si “i përngjashmi”.
Me ‘jash/jesh’ nuk ka asgjë në fjalorin e orientalizmave të Dizdarit (po jo se do të thotë gjë shumë të madhe kjo), ndërkaq që dimë se variacionet nëpër të folmet heqin e vënë posaçërisht J-në nistore (javash/avash).