Shekulli botonte sot një artikull të çuditshëm, me titullin “A duhet të krijojmë një fjalë të re për ata që pinë shumë alkool”; në fakt, artikulli ishte përkthyer nga një material i BBC-së, pa çka se ky informacion te Shekulli nuk gjendej gjëkundi, dhe pyetja nëse na duhet të krijojmë një fjalë të re u drejtohej folësve dhe përdoruesve të anglishtes, dhe jo atyre të shqipes – prandaj edhe operacioni editorial i Shekullit do të ishte i ngjashëm, të themi, me sikur BBC-ja të botonte një artikull të titulluar “Why our words for summer and wine are homonyms”, të përkthyer nga shqipja.
Po ku është problemi? Autori i artikullit vëren se, midis atij që nuk pi shumë alkool, dhe alkoolistit (ang. alcoholic) ndeshet një kategori njerëzish që pijnë me zell dhe dëshirë, por që nuk sillen si alkoolistët, pse ende nuk janë të varur nga alkooli.
Me sa duket, për disa ky ekstremizëm leksikor përbën problem, që këtej edhe nevoja e shprehur për ta mbushur zbrazëtinë… e anglishtes; duke krijuar ose adoptuar një emër “për njerëzit që gjenden në zonën gri të problemeve me pijen”.
Nëse një asimetri e tillë leksikore i shqetëson edhe lexuesit e Shekullit, unë këtë nuk e di. Di, megjithatë, që shqipja ofron një larmi zgjidhjesh për këtë, duke filluar nga pijetar – si “njeri që e ka qejf pijen, njeri që di të pijë”; dhe që u kundërvihet nga njëra anë fjalëve të tilla si pijanec, pirash, pijanik dhe sarhosh, të cilat shënjojnë persona që e kanë ves pijen; dhe nga ana tjetër fjalëve si i pirë, i pishëm, i dehur, që shënjojnë dikë i cili ka pirë shumë dhe gjendet nën efektet e alkoholit.
Përndryshe, fjala alkoolist, në shqipe, e marrë besoj nga italishtja alcolista, nuk është veçse një huazim libror i vonë, i cili thjesht shërben si kundërpeshë stilistike për pijanec.
Fjalori i shqipes që kam nuk e përfshin fjalën pijetar; por brezi im e ka përdorur me ëndje, pa shtuar pastaj që kjo fjalë përjetoi së voni një pranverë të vogël, kur e përmendi kryeministri Edi Rama, në eulogjinë e vet në Twitter për artistin Ibrahim Madhi, të cilin e quajti “violinist e pijetar virtuoz”; duke vënë në dukje, pikërisht, që për disa njerëz pija mund të jetë edhe virtyt, ose një lloj arti i admirueshëm; dhe aq më tepër i admirueshëm, kur shërben për t’i dalluar këta nga pijanecët.
Virtyti, edhe këtë herë, spikat kur i kundërvihet vesit.
Të gjitha këto tregojnë se shqetësimi i artikullit anglisht të BBC-së nuk përkthehet mirë në shqip, pa çka se artikulli mund të përkthehet; dhe se mund të qëllojë që anglishtes t’i duhet një fjalë edhe atëherë kur shqipes nuk i duhet.
Ku artikull i BBC-së do të kishte kuptim sikur t’u jepej studentëve të anglishtes, jo publikut të gjerë i cili nuk e kupton objektivin e shkrimit. Për ta thënë me shaka, duhet të gjejmë nëse këtë proçkë e bëri një pijetar, alkoolist, apo pijanec. Këtu vërtet duhet gjetur ndonjë fjalë tjetër. Se ka nga ata që dehen pa pirë.