Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë / Media

PARATHËNIA PËRTHYESE

Meritat e përkthimit

Dy janë meritat kryesore të botimit në italisht të librit “Rrno vetëm me tregue” të At Zef Pllumit. E para lidhet me veprën e mirënjohur të fratit françeskan, që mund të konsiderohet si vepër monumentale në kuadrin e publicistikës, për mesazhin dhe kontributin që i ka dhënë kulturës shqiptare, por me vlera universale të pamohueshme. Merita e dytë del në pah me mungesën e njohjes së Shqipërisë në Itali. Megjithëse sistemi demokratik çoi në hapjen e Shqipërisë ndaj botës, kjo hapje fizike nuk solli automatikisht – gjithsesi jo në përpjesëtimet e duhura – në njohjen autentike të kulturës dhe të realitet shqiptar. Me pak fjalë, mund të thuhet se Shqipëria është më shumë e (për)folur, se sa e njohur.

Il-sangue-di-abele-ballinaMjaftojnë këto dy merita kryesore për ta përshëndetur pozitivisht botimin e librit me titull “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” të At Zef Pllumit, nga shtëpia botuese italiane “Diana” me përkthim të Keda Kacelit. Publikut italian i ofrohet një vepër me vlera të jashtëzakonshme në kuadrin e memorialistikës, por edhe të historisë dhe kulturës në kuptimin më të gjerë të fjalës, pa lënë mënjanë vlerat e thella njerëzore që shpreh libri i françeskanit shqiptar. Përkthimi dhe botimi i librit “Rrno vetëm me tregue” duhet parë si një operacion kulturor i shumëanshëm, për potencialitetin poliedrik të veprës së religjiozit të përvuajtur shqiptar, që shkon përtej peripecive dramatike personale, madje përtej mekanizmave djallëzorë të totalitarizmit shqiptar, duke e përshkuar përmasën historike për të hyrë në atë filozofike, ku preken telat dhe misteret e shpirtit njerëzor.

Një vepër e tillë, me mesazhe të gjithanshme e meriton pa dyshim përhapjen sa më të gjerë, sikurse meriton shpjegimin e kumteve të saj, meqë Shqipëria ishte vërtet laboratori i çmendurisë totalitare, por mësimet e eksperimenteve që u bënë në atë kohë i përkasin të gjithë botës e nuk është e thënë t’i takojnë definitivisht historisë. Objektivin për arritjen e publikut sa më të gjerë e kanë të gjitha librat, por në veçanti e ka libri “Rrno vetëm me tregue”, sidomos kur bëhet fjalë për lexuesit italianë, të cilët janë natyrisht të interesuar edhe për historinë e tyre të vonë, përveçse për arsye të afërsisë gjeografike. Në këtë këndvështrim, merr kuptim edhe zgjedhja për t’ia besuar Silvio Berluskonit, liderit politik italian, parathënien e librit të At Zef Pllumit botuar së fundi në vendin fqinjë.

Akrepi i busullës mediatike

Si e pritën mediat italiane prezantimin e librit “Il sangue di Abele – Vivi per testimoniare” të At Zef Pllumit? Nuk është e thjeshtë t’i përgjigjesh pa cituar disa burime. Pjesa më e madhe e mediave të shkruara dhe elektronike folën për eventin ditën e mëpasshme (7 mars 2014), por në mënyrë krejt të veçantë. “Corriere della sera” e titulloi kështu artikullin për eventin: “Berlusconi: una mafia di giudici decide su di me” (Berluskoni: një mafie gjykatësish vendos për personin tim), e me nëntitullin e gjatë “Il ritorno al Senato per presentare un libro. ‘Il matrimonio? Troppo vecchio’. L’invito alla modella. Il Cavalliere invita ad Arcore una modelua con il fidanzato: ti faccio fare un provino” (Kthimi në Senat për të prezantuar një libër. ‘Martesa? Shumë plak’. Ftesa modeles. Kavalieri fton në Arkore një modele me të fejuarin: do t’u them të të bëjnë një provë”. Gazeta “La Repubblica” e përmendi librin e At Zef Pllumit në shkrimin me titull: “Berlusconi attacca i giudici: ‘Mafia che decide su di me’” (Berluskoni sulmon gjykatësit: “Mafie që vendos për mua’”).

Gazetat e krahut të djathtë e paraqitën kështu ngjarjen e prezantimit të librit. “Il Giornale”: “Il Cavaliere torna al Senato: anche con Renzi attenti al PD” (Kavalieri kthehet në Senat: edhe me Renzin kujdes me PD”, kurse e përditshmja “Il Messaggero” e titullonte artikullin në këtë mënyrë: “Il Cavaliere: non mi sposo, sono vecchio. Ma poi invita ad Arcore la bella Susanna” (Kavalieri: non martohem, jam plak. Por pastaj fton në Arkore bukuroshen Suzana). Gazetat “Nazione, Carlino, Giorno”, që dalin së bashku e paraqisnin ngjarjen brenda një shkrimi me këtë titull: “Il Cavaliere: Non mi sposo, troppo vecchio…” (Kavalieri: Nuk martohem, jam shumë plak”). Gazeta “il Tempo”: “Napolitano e pm rossi. Berlusconi all’attacco” (Napolitano e prokurorët e kuq. Berluskoni në sulm), ndërsa e përditshmja “Libero” shkruante: “Silvio non si sposa più: sono vecchio” (Silvio nuk martohet më: jam plak).

Nga ana tjetër ishin gazetat kundërshtare të Berluskonit. “L’Unità” titullonte: “Il Cav reparte dal libro nero del comunismo albanese” (Kavalieri riniset nga libri i zi i komunizmit shqiptar), ndërsa “il Fatto Quotidiano”, që shquhet për sulmet e saj ndaj liderit të Forza Italia-s nënvizonte: “I Giudici sono una mafia e non mi risposerò” (Gjykatësit janë mafie e nuk do të martohem”, kurse nëntitulli sqaronte më tej: “Silvio Berlusconi prima si sfoga in un video esclusivo del fattoquotidiano.it. Poi ritorno al Senato per il libro di una pupilla. Nuovi gossip su liti con Francesca” (Silvio Berluskoni në fillim shfryhet në një video ekskluzive të fattoquotidiano.it. pastaj kthehet në Senat për një libër të beniamines së vet. Thashetheme të reja për zënka me Franceskën”.

Gazeta “Il Tempo” online titullonte “Cav-show tra elezioni, pm e comunisti”, por në tekst citonte deklaratat e Berluskonit për librin e botuar dhe komunizmin shqiptar. Edhe gazeta tjetër me bindje të djathta i kushtonte vëmendje mendimeve të shprehuar nga politikani italian. “Il Giornale” online titullonte: “Berlusconi: “Il comunismo non è un’ideologia ma una malattia” (Berluskoni: “Komunizmi nuk është ideologji por sëmundje”). Në shkrim lexohej: “Berluskoni u kthye në Senat për prezantimin e librit ‘Gjaku i Abeles, jeto për të dëshmuar’, të at Zef Pllumit. Në tekst autori e thyen heshtjen për gjenocidin e bërë nga regjimi komunist shqiptar kundër urdhrave religjioze dhe kundërshtarëve politiko-intelektualë. […] Duke e marrë fjalën Kavalieri tha se e njihte mirë Shqipërinë: ‘E kam ndriçuar për 30 vjet me televizionet e mia, të gjithë flasin italisht e ka një ferment të pabesueshëm nga pikëpamja industriale e kulturore që më ka befasuar’. Pastaj foli në mënyrë specifike duke përdorur fjalë të ndezura kundër atij që mund të konsiderohet kundërshtari i tij më i madh: “Komunizmi nuk është vetëm ideologji por sëmundje, një çmenduri e vërtetë aq është i pezmatuar realizimi i tij. Ideologjia komuniste është ideologjia më kriminale e më çnjerëzore në historinë e njeriut, që ka shkaktuar mbi njëqind milionë të vdekur”.

Edhe mediat elektronike, pak e shumë ndoqën të njëjtën skemë. Projektorët e mediave u drejtuan kryesisht nga figura e Berluskonit, duke nënvizuar deklaratat e tij me karakter politik  e personal. Me ndonjë përjashtim të vogël, titujt e artikujve treguan se interesi i mediave ishte i tëri ndaj Berluskonit dhe mendimeve të tij në lidhje me aktualitetin e politikës italiane. Madje në disa raste vëmendja shkau drejt thashethemeve personale. Nga shembujt e mësipërm, nuk është e vështirë të vihet re se botimi i librit dhe kuptimi i tij kulturor kaloi në plan të dytë, kur nuk përfundoi thjesht si citim i rregullit të famshëm “where” të gazetarisë, pra thjesht si vendi e rasti ku u bënë deklaratat. I vetmi titull që prekte qartë temën e librit të rëndësishëm – zgjedhje paradoksale vetëm në pamje të parë – ishte ai i gazetës “l’Unità”, organ i Partisë Demokratike, pra i majtë, i themeluar shumë vite më parë nga Antonio Gramsci.

Për ta kuptuar vëmendjen morboze ndaj Berluskonit duhet kuptuar konteksti politik italian. Kthimi në një nga selitë e Senatit italian ishte i pari pas dëbimit të tij si i dënuar nga gjykata për evazion fiskal. Pritshmëria ishte e madhe edhe për shkak të dinamikave të fundit politike, para së gjithash marrëveshja për ligjin elektoral që Berluskoni bëri personalisht me kryetarin e PD, Matteo Renzi. Ky ligj ishte në atë moment në shqyrtim e sipër në Dhomën e Deputetëve. Nga ana tjetër, sapo ishte bërë e njohur një deklaratë e Berluskonit kundër gjykatësve, të cilët do të vendosin në prill masën e dënimit (arrest në shtëpi ose shërbim social) ndaj liderit italian. Së fundi, busulla anonte nga poli berluskonian edhe për arsye thashethemesh, meqë prej disa kohësh ishin hapur fjalë se do të martohej me të fejuarën e vet Francesca Pascale. Ky magnetizëm i përftuar nga një përzierje origjinale me karakter politik, gjyqësor e personal, bëri që vëmendja e mediave të devijohej nga objekti i prezantimit për t’iu dedikuar kryesisht autorit të parathënies.

Implikimet e parathënies

Parathënia e një libri ka rëndësi parësore, e jo vetëm nga ana e vendosjes tipografike, meqë hap vallen e faqeve të veprës. Autori i parathënies, kur nuk përputhet me autorin e librit, mund të shpjegojë shkurtimisht thelbin e librit, qëllimin, përmbajtjen, metodën e zbatuar, etj. duke pasur si synim t’i shpjegojë lexuesit përse ia vlen të zërë vend në raftet e bibliotekës. Shpeshherë parathëniet nënvleftësohen, sidomos kur shkruhen nga vetë autori ose nga personazhe të kalibrit të vogël. Megjithatë, parathënia është ndër pjesët më të rëndësishme të librit, sepse e ndihmon lexuesin në rrugën që po ndërmerr nëpër tekst, e orienton atë në labirintin kuptimor, i jep çelësat e leximit të duhur.

Jo vetëm çka thotë parathënia ka rëndësi, por edhe autorësia ka peshën e vet. Fakti që parathënia e versionit italisht të “Rrno vetëm me tregue” të At Zef Pllumit iu dha Berluskonit nuk mund të mos ndikojë në leximin e veprës. Parathënia nuk ka veprim neutral ndaj veprës. Tek e fundit, nuk është rastësi që autori i parathënies njoftohet zakonisht me shkronja të mëdha në ballinë. Në rastin tonë, vlerësimet që i bën librit Berluskoni kanë rëndësinë e vet për lexuesin. “At Zefi thyen vite heshtjeje e vdekjeje – shkruan Berluskoni – në gulagun shqiptar me kurajën e njeriut që e do lirinë e lufton në emër të saj. Ai e hap zemrën tonë, e mbush me ngashërim e me indinjatë, për të na shtyrë më pas të ndërtojmë diçka që i ngjason të mirës dhe të drejtës. E vërteta, si gjithnjë, është se dashuria është më e fortë se urrejtja. Sa varre duhet të gërmojmë ende në kujtesën e popujve për të gjetur të gjitha viktimat e komunizmit?”. Janë fjalë që e vlerësojnë figurën dhe veprën e At Zef Pllumit, duke dhënë gjykime të përgjithshme me të cilat çdokush prej nesh është dakord, sikurse të gjithë e pranojmë se si komunizmi në Shqipëri “reduktoi një tokë të pasur me fisnikëri në laborator të inxhinierisë sociale” dhe se si ekzistonin kampe përqendrimi ku njerëzit “trajtoheshin si kafshë”.

Parathënia e Berluskonit ka nevojë për një studim shumëpërmasor, sepse nuk mjaftohet vetëm me konsideratat ndaj librit. Në tekst ai i referohet miqësisë së komunistëve italianë dhe atyre shqiptarë, përmend njëherësh Stalinin, Titon e Togliattin, dhe shpreh nevojën që ky libër të shpërndahet jo vetëm në të gjitha bibliotekat e të ripërshtatet për film, por të lexohet posaçërisht në shkolla, me qëllim që të njihet “se si e mori pushtetin komunizmi dhe si e administroi mizorisht”. Kjo parathënie ka nevojë të shqyrtohet edhe brenda narrativës berluskoniane, tashmë të konsoliduar që nga viti 1994, në kuadrin e së cilës lufta ndaj komunizmit zë një vend të posaçëm. Forca politike e drejtuar nga lideri italian është përftuar e profilizuar edhe në sajë të kundërshtimit frontal të forcave të majta italiane, të cilat janë akuzuar vazhdimisht si komunistë të ricikluar.

Pavarësisht nga fjalët e Berluskonit në parathënien e librit, me të cilat mund të jemi ose jo dakord, pjesërisht ose tërësisht, problemi është se personaliteti politik i Berluskonit, gjithnjë pa pasur parasysh e duke lënë mënjanë bindjet tona politike, është tejet i fortë dhe imponues për të mos e ndikuar lexuesin italian. Kush e njeh politikën italiane e di fare mirë se lideri karizmatik i Forza Italia-s e ka aftësinë ta polarizojë përplasjen politike, madje duke i kthyer ngjyrat dhe nuancat kromatike në bardhë e zi. Me fjalë të tjera, Berluskoni është nga ata liderë që në vartësi të bindjeve politike ose adhurohen, ose nuk durohen nga zgjedhësit. Ndonëse jo të gjithë qytetarët kanë ndjenja kaq të skajshme, duhet pranuar se edhe kategoria e moderuar që nuk ka luhatje të forta ndjenjash politike, kushtëzohet gjithsesi nga fjala e Berluskonit. Personaliteti i tij, në kuptimin e mirë të fjalës, është kabà, i madh, i prekshëm, çka do të thotë se zë vend shumë, nuk mund të mospërfillet, pavarësisht se si gjykohet si prezencë.

Rreze të përthyera

Megjithëse nuk mund ta marrim si vërtetim përfundimtar, mund të themi se paraqitja e mediave shqiptare dëshmoi në mënyrë indirekte se versioni italisht i librit “Rrno vetëm me tregue” kaloi detyrimisht nga prizmi personal i Berluskonit, meqë pjesa më e madhe e gazetave shqiptare e dha lajmin duke përmendur emrin e tij, madje duke e personalizuar nismën editoriale në event të filtruar nga personazhi politik. Pati edhe përjashtime si ndonjë kronikë televizive (Irida Cami, Top Channel) ku iu kujtua publikut se përse ishte dëbuar Berluskoni nga Senati, sikurse pati ndonjë reagim të ashpër, të mëvonshëm e jashtë korit natyrisht, si ai i Orgest Azizit në gazetën Mapo. Por nuk është nevoja ta kalojmë detin për ta kuptuar se parathënia e Berluskonit e kushtëzon fort lexuesin, sikurse bën me elektoratin, i cili pjesërisht sillet ndaj tij si lulja e diellit kah diellit, pjesërisht sikur gjendet afër hithrave ose ferrave.

Qëndrimi paragjykues ndaj Berluskonit, si rrjedhim edhe i sugjerimeve të tij për lexime të mundshme, amplifikohet kur perceptohet një farë përvetësimi i veprës së prezantuar. Në këtë drejtim, deklarata e tij se do ta shndërronte librin e At Zef Pllumit në “ungjillin e kaltër”, pra të partisë së vet, duke e shpërndarë nëpër seksionet e Forza Italia-s, ka efekt më ndarës se vetë parathënia, sepse “ungjilli” është term fetar thelbësor, kurse “e kaltra” është ngjyra e partisë berluskoniane. Është afërmendsh se deklarata të tilla të forta e ndajnë publikun në dy fusha kundërshtare, duke e parë kumtin e autorit në dritën e farit berluskonian. Megjithatë, kishte nga ata që nyjën e parathënies e kishin pikasur që më parë. Vetëm në këtë mënyrë shpjegohet moscitimi i parathënies, heshtja e plotë, në recensionin e bukur të gazetës Avvenire që iu bë librit disa ditë para se të prezantohej.

Për ta kuptuar mirë figurën e at Zef Pllumit mund të lexohen një sërë botimesh si numri Hylli i Dritës (1/2008) “In memoriam At Zef Pllumi”, ku kanë shkruar një sërë personalitetesh të kulturës shqiptare, duke ofruar analiza e vështrime personale të veprës së françeskanit shkodran. Një nga ata që e kanë njohur personalisht, si Ardian Ndreca, ka shkruar: “Vetë jeta për të qe nji shkëndi e mundimshme, e cila veç, përflaku gjithshka, kudo që ai lëvizte, tue ndjellë ndër njerz mallin, që ata mshehin me ngulmim mbrenda vetes, për dashuri, paqë dhe mirësi të pasosun”.

Në hyrjen e akteve të konferencës shkencore të organizuar nga instituti i kërkimeve politike “Alcide De Gasperi” me titull “At Zef Pllumi mes shkrimit dhe historisë” lexohet: “I konsideruar si ndërgjegjja e një treve dhe historie të tërë, Ai, pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por besnik ndaj fjalës së zotit dhe bindjeve të tij diti t’i mbijetojë për rreth tre dekadave burgjeve komuniste. I burgosur për herë të parë në moshën 22 vjeçare, At Zefi dëshmoi fitoren morale dhe njerëzore kundër një prej regjimeve më totalitare në Europën Lindore. Si i tillë, ai përfaqësoi disidentin politik, luftëtarin antikomunist dhe simbolin e qytetarit të lirë, vizioni i të cilit frymëzohet nga vlerat evropiane”.

Ka studiues që e kanë parë figurën e at Zef Pllumit në kornizën shumëformëshe të disidencës. Kështu studiuesi Edmond Çali e konsideron si një figurë të rëndësishme, duke e marrë në shqyrtim veprën e tij brenda treshes Kasëm Trebeshina, Ismail Kadare e at Zef Pllumi, si tre disidentë të realizimit socialist si rrymë letrare, ndonëse me karakteristika të veçanta. Vetë shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është shprehur kështu për At Zef Pllumin: “Gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë vepër. Kanë nevojë për të ata që e kanë jetuar atë kohë, e po aq, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar. Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët. Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”.

Jo vetëm studiuesit e at Zef Pllumit, por edhe lexuesit e thjeshtë e kuptojnë se mesazhi tij është universal, pra si i tillë është përbashkues jo ndarës, është paqësor jo konfliktual, i flet të ardhmes jo të kaluarës. Në fund të fundit, libri flet për totalitarizmat e të gjitha ngjyrave, për ata të së djeshmes e të nesërmes, për totalitarizmin shqiptar e për atë me qindra kilometra larg, deri nga ana tjetër e globit; vepra dhe jeta e At Zef Pllumit rrëfen ultësinë dhe njëkohësisht ngadhënjimin e shpirtit njerëzor; e përdor rrëfimin si formulë për ta larguar djallin me yshtje, duke e shkatërruar ferrin nëpërmjet tregimit të procesit të ndërtimit dhe rezistencës së martirëve që u flijuan nën këmbët e tij. Por edhe duke e kultivuar kujtesën kolektive shqiptare e njerëzore, çka do të thotë se hedh farën për një të ardhme më të mirë. Siç e thekson edhe në një intervistë, ai u sugjeron brezave të ardhshëm: besim, shpresë, dashuri.

Në këtë kuadër, përkthimi i “Rrno vetëm me tregue”, në italisht e në gjuhë të tjera, është detyrimisht nismë e vlefshme. Mirëpo, karakteri universal i mesazhit të librit shkon e komprometohet nga një parathënie që ia kufizon frymëmarrjen, që ia ngushton diapazonin, që ia redukton domethënien. Ka parathënie që perceptohen si etiketë, duke i dhënë veprës konotacione që nuk i kishte në origjinë, ose duke ia devijuar trajektoren fillestare. Ky operacion ndoshta shkon përtej vullnetit të autorëve të saj, që mund ta kenë menduar thjesht si operacion editorial. Prezantimi i librit të At Zef Pllumit nga Berluskoni mund të çojë pa dyshim në shitje marramendëse e në shpërndarje të pashoqe të vëllimit, por suksesi editorial nuk do të përkthehet automatikisht në sukses kulturor, për sa kohë libri i françeskanit do të shikohet si ungjilli i kaltër, pra si vepër e njëanshme, pothuajse e partishme, duke prekur praktikisht thelbin e tij. Ky rezultat i kimisë editoriale nuk do të shmangej edhe sikur autorësia e parathënies të ishte kërkuar nga vetë autori. Siç dihet, kur libri sheh dritën e botimit, bëhet gjithnjë e më pak i autorit dhe gjithnjë e më shumë i lexuesve.

Kjo përndrydhje kuptimore do të ndodhte edhe sikur ta kishin përgatitur personazhe të tjera të politikës italiane, qoftë edhe nga e majta, personaliteti i të cilëve do të ishte shumë i theksuar nga ana partiake. Nga kahu tjetër, përfshirë të djathtën, libri do të shikohej si i damkosur përfundimisht e do të perceptohej si i përdorur për qëllime jashtë veprës e autorit. Pikërisht për këtë arsye nuk kuptohet përse parathënia nuk iu dha ndonjë autoriteti tjetër që të ishte jashtë politikës. Nuk guxojmë ta përfytyrojmë librin me parathënien e Papës Françesco, sepse do të ishte diçka fantastike, ndoshta e paarritshme nga shumë pikëpamje, edhe pse jo e pamundur përderisa me françeskanët si At Zef Pllumi, Papa aktual ndan shumë gjëra të përbashkëta. Në rast të tillë, mesazhi i librit do t’i shkonte krejt ndryshe lexuesit italian, sikurse do ta përcillte ndryshe parathënia e përgatitur nga vetë Urdhri i Françeskanëve, ose nga intelektualë të tjerë që kanë shkruar për të si p.sh. Ardian Ndreca, ose vetë Ismail Kadare.

Ky i fundit, pasi tregon se andej nga mbarimi i vitit 2005, gjatë nismës kulturore për Dante Alighierin në Tiranë, frati vjetër u ngrit e tha me zë tingëllues: “Dante Alighieri e ka shkruar poemën e tij jo për ju, po për ne”, e shpjegon kështu kuptimin e librit “Rrno vetëm me tregue”: “Ky libër është njëherësh një përshpirtje e një akt i madh moral. Duke qenë thellësisht shqiptar, ai është po aq universal, sa që s’do të ishte çudi që në ndonjë tubim të ardhshëm në trevat e ish-perandorisë komuniste të shqiptoheshin fjalë të ngjashme me ato që At Zef Pllumi u tha italianëve më 2005: ky libër, aq sa për ju, shqiptarët, është shkruar për ne, sllovakët, hungarezët, rusët…”.

E pra, tek ato tre pika vijuese gjenden pa dyshim edhe italianët, që rrezikojnë të mos e kuptojnë deri në fund librin e jashtëzakonshëm të fratit shqiptar.

Bibliografi

At Zef Pllumi mes shkrimit dhe historisë, aktet e konferencës shkencore të organizuar nga Instituti i kërkimeve politike “Alcide De Gasperi”, Tiranë 2008, f. 12.

Ardian Ndreca, At Zef Pllumi: Ai që dinte me bashkue në emën të shpirtitIn memoriam At Zef Pllumi, “Hylli i Dritës” (1/2008), Shkodër, f. 13.

Edmond Çali, Il dissenso nella letteratura del realismo socialista albanese. Kasëm Trebeshina, Zef Pllumi e Ismail Kadare, temë doktorature, Napoli 2009.

Ismail Kadare, Një vepër për ndërgjegjen tonë, “Hylli i Dritës” (1/2008), Shkodër, f. 33.

Shtypi italian e shqiptar.

Pa Komente

  1. Per vleren e padiskutushme te librit, nuk besoj se ka njeri qe nuk bindet. Shpesh te huajve, apo dhe te rijve, pershkrimet tona per komunizmin u duken te pabesueshme. Dhe ko eshte e llogjikeshme, sepse nje sistem i tille eshte mbi absurden.Aq sa dhe brezi yne qe e kemi perjetuar, shpesh na duket si ne enderr, dhe se me te vertete ne jemi qe e kemi perjetuar. Flasim ne qe nuk i kemi perjetuar burgimet e internimet. Po ata qe i kane ndjere ne kurriz. Megithate Shqiperia ishte nje burg i tere.
    Persa i perket parathenies.I kam ndjekur disa nga opinionet. Berluskoni, eshte nje politikan i vjeter, me te mirat dhe te metat e tij. Por nuk besoj se ndokush mendon se nuk eshte karizmatik edhe atehere kur dhuron skandale. Fakti qe nje nga lideret me shume peshe ne politoken italiane, shkruan parathenien ia rrit shume vleren librit. Fakti qe parathenien e ka bere Berluskoni, i cili e quan ne manifest te partise se tij, i ben ketij i ben nje marketim te jashzakonshem. Ne kushte te tjera, pavaresisht vlerave te padiskutueshme te librit, interesimi per lexim nuk do te ishte i madh. Fakti i parathenies se bere nga Berluskoni, do nxise per te lexuar jo vetem ata qe e kane idhull kete politikan, por dhe kundershtaret, edhe indiferentette cilet te pakten nga kurioziteti, do e lexojne.
    I dashur Pishak, tema qe ke trajtuar eshte me te vertete interesante.Eshte me te vertete

    1. Nuk jam i mendimit se parathënia e Berluskonit “ia rrit shumë vlerën librit”. Siç e shpjegova më lart, operacioni i parathënies ia cungon vlerën librit se ia ngushton kuptimin e veprimin.
      Vërtet që parathënia e Berluskonit i bën reklamë të jashtëzakonshme, por atëherë kemi të bëjmë me një projekt editorial me karakter ekonomiko-politik, jo kulturor. Nuk besoj se ky ka qenë qëllimi i padër Zefit kur ka tregue jetën e vet.
      Së fundi, kam bindjen se qoftë ithtarët e Berluskonit, qoftë kundërshtarët e tij, do ta lexojnë librin si të rekomanduar nga Berluskoni, pra me ngjyra në thelb politike. Shkurt, parathënia e tij ia ka kushtëzuar mesazhin librit të njohur të at Zef Pllumit.

    2. Nga të gjithë ato pak gjëra në shqip që lexova mbi këtë ndodhi, kjo e shkruar nga autori Pishak Zhgaba është më e balancuara, në terma relative. Megjithatë edhe autorit, i shpëtojnë ose më mirë kalon pa dashur disa gjykime subjektive sikur këto të ishin objektive apo të gjithëpranuara.

      Thotë Autori.:

      Me fjalë të tjera, Berluskoni është nga ata liderë që në vartësi të bindjeve politike ose adhurohen, ose nuk durohen nga zgjedhësit.

      Mua, si student në Romë e mëpastaj nënpunës i thjeshtë, e në të ardhmen qytetar italian mbase, nuk më rezulton kështu; jetoj prej kohësh dhe natyrisht që përtej fashave të zgjedhësve që rrallë ndryshojnë qëndrim, ka edhe një pjesë të mirë të elektoratit, e cila nuk është as pro Berluksonit (për liri sipërmarrje, avantazhim të kësaj, reduktim të burrokracive, dhe të mbifryrjes administrative shtetërore) dhe nuk është aq kundër këtij (me inate të pashpjeguara personale apo morale ndaj një perandorie mediatike të ndërtuar nga B. vite përpara se të futej në politikë, për statalizmin etj. – Fatkqeësisht akuzat ndaj B. kështu siç i kam parë unë në këto 9 vitet e fundit, që jetoj në Itali, kanë qenë gjithnjë të një natyre jo politike, pra jo përmbajtësore.)… gjithsesi, ekziston pra, edhe ajo pjesë elektorati që kërkon, në varësi të rrethanave zgjidhje për problemet e veta, e që fatkeqësisht propozime zgjidhje për problemet e Italisë vijnë nga radhët e të djathtës italiane, apo më mirë të them të moderuarëve, apo jo të majtës. Aq sa, këtë e ka kuptuar edhe neolideri i së majtës italiane Renci, gjarësisht i mbështetur, i cili duhet medoemos që të bëjë disa reforma duke bashkëpunuar me Berluskonin (reforma elektorale) apo më tej duke dalë disi jashtë boshtit ideologjik të PD italiane(e majtë).

      Në këtë kuadër, përkthimi i “Rrno vetëm me tregue”, në italisht e në gjuhë të tjera, është detyrimisht nismë e vlefshme. Mirëpo, karakteri universal i mesazhit të librit shkon e komprometohet nga një parathënie që ia kufizon frymëmarrjen, që ia ngushton diapazonin, që ia redukton domethënien. Ka parathënie që perceptohen si etiketë, duke i dhënë veprës konotacione që nuk i kishte në origjinë, ose duke ia devijuar trajektoren fillestare.

      Gjykoj se nëse njëmendohemi se, vepra e Atit Pllumi ka një domethënie universale, një mesazh universal, e kështu të patjetërsueshëm, e të papërthyeshëm…ajo do të mbetet e tillë, pamvartësiht se kush ia shkruan parathënien, kush e përkthen, kush e lexon e kush e shpërndan në terren. Të thuash se mesazhi kufizohet nga parathënia, do të thotë se lexuesi që ke ndër mend është një automat, ose më keq një gomar ideologjik, mllef-grumbulles, një qenie që ushqehet si me qenë në stallë politike-ideologjike, që i gjykon librat dhe ndërton prekoncepte mbi përmbajtjen e tyre, jo vetëm nga parathënia, por kushedi edhe nga kopertina, apo edhe lloji i kartonit që zgjidhet për kopertinën, pse jo edhe nga fonti i tekstit të zgjedhur.
      Pra, në vend që direkt ose indirekt të themi “që ia redukton domethënien”, nuk do të na kushtonte asgjë që të thuhej e vërteta lakuriqe, e që është e tillë: që veprës në fjalë domethënia nuk ka për t’iu reduktuar kurrë; liria do të jetë përherë aspiratë e njeriut, në daç në respekt të politikave të majta stataliste, në daç në respekt të shtypjesë e cilësdo anë qoftë. E vërteta lakuriqe se, parathënia nuk i redukton gjë domethënien librit sepse libri, mesazhi nuk është parathënia, por veçse mund të shërbejë e madje po shërben si një alibi për të sulmuar tjetërgjë. Madje mund të themi fare mirë se mund të shërbejë, në Itali, si një filtër ndaj një fashe të caktuar lexuesi që një x libër mund ta braktisi së lexuari menjëherë sapo aty përmendet fjala komunizëm, apo kur flitet për këtë nën një optikë negative; e kjo nuk na intereson fare, sikundër nuk na intereson që libri të lexohet nga kahu diametralisht i kundër i këtij soj lexuesi…

      Prezantimi i librit të At Zef Pllumit nga Berluskoni mund të çojë pa dyshim në shitje marramendëse e në shpërndarje të pashoqe të vëllimit, por suksesi editorial nuk do të përkthehet automatikisht në sukses kulturor.

      Kjo duhet parë. Kultura qoftë kjo letrare abstrakte apo shkencore abstrakte dhe jo abstrakte, ka gjithnjë një target të caktuar; (këtë e them edhe nën rrobat e një pothuaj gazetari që mëton të specializohet në raportimin e arritjeve të fushave shkencore, të cilat në botën perëndimore kanë kohë që futen me dinjitet tek termi kulturë.). Kërkesa apo pretendimi për të uniformuar, ndikuar, apo kulturuar pjesë më të gjera nga sa “fiziologikisht” është e mundur, mendoj, është shenjë e keq, sepse shenjë e një shkëputje nga realiteti, është kërkesë për uniformin, imponim, mendim totalitar… njëjtësim tek e fundit.

      Siç e shpjegova më lart, operacioni i parathënies ia cungon vlerën librit se ia ngushton kuptimin e veprimin.

      Pa koment; si më sipër.

      Megjithatë autori ka të drejtë, edhe pse e lë të nënkuptohet. Libri i At Zefit, me parathënie të Berluskonit, liderit karizmatik dhe pothuaj të pamposhtur politikisht të qendrës së djathtë italiane (të quajtur ndryshe të moderuarit), do të ketë një jehonë shumë më të madhe. Ky është thelbi.

      1. Shkrimi im nuk merr përsipër të shpjegojë politikën e ndërlikuar italiane, as të analizojë lëvizjet elektorale të vendit fqinjë, megjithatë kur them se Berluskoni është nga ata liderë që në vartësi të bindjeve politike ose adhurohen, ose nuk durohen nga zgjedhësit, nuk jam larg vërtetës; anipse mund të ketë zgjedhës që nuk janë kundër tij e nuk e adhurojnë, sikurse ka nga ata italianë që nuk e ndjekin fare politikën.

        Kush e njeh sadopak historinë e politikës italiane e di se Berluskoni hyri në skenë duke përdorur sloganin “scelta di campo”, çka popullorçe do të thotë ose me mua, ose kundër meje. Këtu nuk duhet harruar roli i komunistëve si armik në narrativën berluskoniane që kur iu fut politikës në vitin e largët 1994. Nuk duhet harruar kurrsesi përplasja që Berluskoni ka pasur me pushtetin gjyqësor, çka e polarizoi më shumë elektoratin dhe luftën politike, duke e shndërruar në ring të vërtetë. Akuzat kundër Berluskonit kanë qenë edhe me natyrë politike, sepse beteja në Parlament atë karakter ka, njëlloj si një pjesë e temave që janë trajtuar atje.

        Berluskoni nuk është figurë që të ngjall indiferencë. E këtu unë flas përtej bindjeve politike të gjithsecilit.

        Shkruan:

        Të thuash se mesazhi kufizohet nga parathënia, do të thotë se lexuesi që ke ndër mend është një automat, ose më keq një gomar ideologjik, mllef-grumbulles, një qenie që ushqehet si me qenë në stallë politike-ideologjike, që i gjykon librat dhe ndërton prekoncepte mbi përmbajtjen e tyre, jo vetëm nga parathënia, por kushedi edhe nga kopertina, apo edhe lloji i kartonit që zgjidhet për kopertinën, pse jo edhe nga fonti i tekstit të zgjedhur.

        Jo. Kush e njeh kritikën letrare dhe publicistikën e pranon lehtë se parathënia e kushtëzon leximin e librit, sepse i jep “la”-në si në muzikë tekstit, gjithsesi përshoqëron dy emrat e autorëve. Kjo nuk do të thotë se lexuesi është idiot, por pikërisht se është inteligjent ia lexon që në fillim nëntekstin, kur sheh me shkronja të mëdha emrin e autorit të parathënies. Mos dëshiron të thuash se nuk do të ishe ndikuar sikur libri ta kishte emrin e Papës Françesko në kopertinë si autor i parathënies? Nuk po dua të jap shembuj të tjerë politikanësh se do të ishte fare e rëndomtë.

        Thua:

        Libri i At Zefit, me parathënie të Berluskonit, liderit karizmatik dhe pothuaj të pamposhtur politikisht të qendrës së djathtë italiane (të quajtur ndryshe të moderuarit), do të ketë një jehonë shumë më të madhe. Ky është thelbi.

        Mendova se po flisnim larg tifozërisë politike.

        1. Pikërisht larg tifozerisë politike po flisja. Çka është e vërtetë, sepse shumicën për mos të thënë pjesën më të madhe të përballjeve elektorale Berluskoni (i pamoralshëm) i ka fituar; mirë, keq, shumë apo pak, individët italianë e kanë votuar, madje edhe kur e hiqnin si të vdekur, politikisht.

          Po ajo që të bën përshtypje, në gjithë këtë mesele, është se këta që kanë folur e shkruar për përkthimin e librit në italisht, kinse të indinjuar, nuk di të kenë thënë ndonjë gjë të mirë apo të jenë munduar të përhapin mesazhin e At Zef Pllumit, madje thonë se nuk e kanë lexuar… (por që parathënia e Berluskonit do t’i shtyjë ta blejnë librin. Gjë e mirë!)

      2. 1.Berluskoni nuk eshte akuzuar per çeshtje jo permbajtesore: shiko çfare shkruan ketu Xhaxhai, pa u zgjatur qe t’i hedhesh nje sy ndonje libri te Marco Travaglio-s;
        2.parathenia ka rendesine e vet per librin; ka male me teori per kete teme;
        3.Berluskoni mund “t’ia rrite” vleren librit vetem duke porositur per blerje me para te tij mijera apo milione kopje te librit;
        4.do te kete jehone libri? çfare jehone? [une uroj dhe deshiroj qe mesazhi i tekstit te arrije tek lexuesi per kete veper te Z. Pllumit] Pishaku te jep shembujt se nje pjese e madhe e gazetave italiane edhe pjesemarrjen e Berluskonit ne prezantimin e librit nuk e dhane si prezantim libri, ose as e permenden prezantimin.

  2. Po te bashkohet Berluskoni me nje liber, per shtypin italian eshte normale qe lajmi te jete Berluskoni dhe jo libri. Gjynah qe perkthimi i ketij libri ne Itali mban parathenien e Berluskonit.

    Libri i Zef Pllumit u shkrua dhe u botua pas 1990. Per kete arsye nuk ka sesi te quhet letersi disidente. Autori pa dyshim ishte disident. Libri jo.

    1. Mendoj se ka shume tipologji te disidences. Njera prej tyre perfaqesohet nga vepra e At Zef Pllumit. Disidenca shqiptare ka veçorite e veta. Njera prej tyre eshte se disidentet u perjashtuan shpesh nga jeta letrare e vendit si edhe nga jeta normale e vendit. Vete At Zef Pllumi ne shkrimet e tij tregon per pamundesine e shkrimit ne kohen e persekutimit te tij. Nqs regjimi duke e persekutuar i hoqi edhe te drejten e te qenit disident politik, kjo gje sot na garanton mundesine qe ta konsiderojme vepren e tij si vepren e nje disidenti letrar. Brendia fetare e vepres se tij, vleresimet kritike mbi veprat e realizmit socialist, vleresimet mbi letersine shqipe duke mos u mbeshtetur ne normat e realizmit socialist e plotesojne me tej disidencen ne kete rast. Pra kemi disidence ndaj realizmit socialist. Kemi nje autor, mungesen e te cilit gjate realizmit socialist e kemi te provuar tani jo vetem nga kjo veper ne fushen e memorialistikes, ku del lidhja e autobiografise me letersine por edhe ne lidhjet histori-letersi ne veprat e tjera te tij (si psh Frati i… ),

  3. Kam përshtypjen se shoqërimi i emrit të Berlusconi-t më librin e padër Zefit veç dëm i sjell emrit, reputacionit dhe veprës së autorit shqiptar.

    Berlusconi është një figurë tashmë e mbi-ekspozuar në mediat italiane dhe në vetë publikun, për shkak të sjelljeve të tij prej klouni.

    Jam kurioz të di se si ka ardhur puna që ia kanë kërkuar Berlusconi-t këtë gjë; sepse me logjikë duhej ta kish shkruar një prift, ose një personalitet kulturor i afërt me kishën katolike.

    Natyrisht, ky operacion marketing-u ka edhe anën thjesht komerciale; sepse Berlusconi-t thjesht ia kanë vënë përpara një parathënie që kushedi kush e ka shkruar.

    Po pse vallë pikërisht këtij magnati televiziv, që – le ta themi – luajti rol të dorës së parë në zhbërjen e etikës publike katolike, në Itali?

    Që nuk la pisllëk dhe ndyrësi pa sjellë në qendër të vëmendjes së publikut të vet?

    Që është edhe i dënuar penalisht, nga një gjykatë e shtetit italian, për krime ordinere; ndërsa për një numër krimesh të tjera, sërish ordinere, nuk është dënuar thjesht ngaqë shumica parlamentare e kontrolluar prej tij ka ndryshuar ligjet?

    Ja një listë e shkurtër e akuzave për të cilat është gjykuar Berlusconi: abuzim me postin zyrtar, shpifje, marrëdhënie me mafian, mashtrime financiare, përvetësim fondesh publike, larje parash, mashtrime me taksat, korrupsion, shantazh, abuzim seksual me të mitur, rryshfet.

    Aq shumë u përzie krimi me politikën, gjatë mbretërimit të Berlusconi-t në Itali, sa panorama e sotme politike italiane mund edhe të përshkruhet si projeksioni legjislativ i gjyqeve të njëpasnjëshme kundër tij: meqë shumë prej gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës të tij i gjen të zgjedhur në Parlament!

    Berlusconi merr poza të fuqishme anti-komuniste, por e vërteta është se kontributi i tij në luftën kundër “komunizmit” është thjesht zero. Ishin demokristianët ata që nuk lejuan Partinë Komuniste Italiane të vinte në pushtet – dhe këtë e them thjesht si konstatim, pa mbajtur anë.

    Edhe kur flet për televizionet e tij që ndikuan në rënien e komunizmit në Shqipëri Berlusconi sërish gënjen, duke ua marrë meritat të tjerëve. Mendësinë pro-perëndimore mes shqiptarëve e përpunoi RAI, për disa dekada; ndërsa kanalet private të Berlusconi-t, të cilat filluan të shihen shumë vonë, në fund të viteve 1980, vetëm sa kultivuan materializmin e shfrenuar, mizogjininë dhe makutërinë.

    Prandaj i bënë padrejtësi të madhe padër Zefit, kur ia shoqëruan emrin me një njeri, karikaturë të magnatit kapitalist, i cili sot, me thjesht ekzistencën dhe veprën e tij kriminale, po ndihmon ta rikthejë komunizmin në Itali madje edhe në Shqipëri.

    1. “Jam kurioz të di se si ka ardhur puna që ia kanë kërkuar Berlusconi-t këtë gjë; sepse me logjikë duhej ta kish shkruar një prift, ose një personalitet kulturor i afërt me kishën katolike”

      Perkthyesja e librit eshte Keda Kaceli qe ne Itali eshte bere e njohur si nje nga frekuentueset e rretheve politike te partise se Berliskonit dhe si “beniaminia shqiptare e Berluskonit” qysh perpara perkthimit te librit.

      Kur Berluskoni u godit ne 2009 nga nje i semure mendor gjate nje mitingu ne Piazza del Duomo ne Milano, nder shoqeruesit e tij ne podium ishte edhe Keda Kaceli.

      Kuptohet qe perkthimi i librit dhe parathenia e nenshkruar nga Berluskoni eshte nje operacion me synime mirefilli politiko-elektorale. Me fjale te tjera libri dhe emri i pater Zefit eshte perdorur ne menyren me te ndyre.

  4. me pelqeu paraqitja e ngjarjes dhe reagimeve ..

    si cdo here ne shqiperi tani ka filluar nje diskutim jo mbi vlerat e librit, sesa mbi vlerat e atyre qe mendojne se kane merita ngase mbrojne njeren apo tjetren figure a front.. patjeter qe diskutimi do te degjeneroje ne diskutimin e identitetit te shqiptareve dhe luften hipotetike te kulturave (orientale vs. oksidentale) pse disa syresh mendojne se jane ne gjendje te trondisin apo te mbrojne shqiptarizmen e brishte apo te gjithe kulturen evropiane nga hordhite barbare “xhihadiste”

    .. Plasari ja nisi me nje sulm personal ndaj azizit perse ky i fundit e kishte permendur ne rradhen e gjate te atyre qe pleqerojne ne insititucionet e kultures dhe shkences ne shqiperi… e si per te rene canges se kushtrimit mbi mbrotjen e “identitetit” shqiptar e quan azizin “xhihadist”, se ky i fundit i permend shkrimet e Fallacit te perkthyera bujshem ne shqip si anti-islamike, apo pse ndoshta, per argumente qe vetem plasari i di, inteligjenca e tiranes cileson xhihadist cdo mendimtar tjeter qe perben kercenim per plejaden e mbetur te intelektualeve pas largimeve te medha ne vitet 90 e 97, ose qe kundershton cfare ata cilesojne si kanon apo tradite te mendimit shqiptar .. e quan azizin edhe kurbetci, perse atje per se largu, emigrantet, sipas tij, nuk jane ne gjendje te shohen e vleresojne kontributet e inteligjences shqiptare, e nuk denjojne te respektojne institucionet e personalizuara nen emrat e euriditeve tane .. dikush misheron biblioteken kombetare prej 15 vitesh, te tjere akademine e shkencave, lidhje e zgjidhje shoqatash e grupesh lloj-lloj qe i kane gdhendur emrat e tyre ne borderote e ministrise se kultures e fondet e qeverise sikur ti kene tapi tokash ..

    nuk jam kurioz per vijim e diskutimit

    1. Shkrimi i këtij Azizit ishte bajat; e kot të them, pa argument. Në raport me z Plasari, e akuzon këtë dy herë, njëherë indirekt, dhe herën tjetër duke ia shkruar emrin me të vogla. Pjesa tjetër e shkrimi të Azizit në të njëjtat nivele pezullon…
      Dhe në replikën e vet z Plasari kur e quan kurbetçi mirë bën, meqë kundërsthin e prodhon Azizi i pari, me nivelin e dobët dhe ma akuzat e gjithëanshme ndaj “të mbeturve pas”. Edhe unë kurbetçi jam, por nuk ndihem i ofenduar. I ofenduar do të isha sikur ndonjë të më lakonte emrin duke e shkruar jo “Robert Fistëku” por “robert fistëkat”… Nivel i lartë argumentimi është.

  5. Desha te shpreh disa konsiderata per shkrimin e Pishakut, por edhe disa pikpamje rreth botimit ne italisht te librti te At Zef Pllumit.

    1. Sa i takon parathenieve ne pergjithesi ajo qe shkruan Pishaku une besoj se nuk eshte universale. Mbase nje pjese e lexuesve i japin rendesi parathenies dhe i qasen librit duke kaluar nga parathenia. Nuk eshte e thene qe te gjithe lexuesit ta bejne kete. Une per vehte e konsideroj qe Parathenia dhe Libri, megjithese jane bashke, jane dy entitete me vehte dhe kurre nuk i kam lexuar paratheniet para librit duke preferuar ti qasesha librit i pakondicionuar nga pikeveshtrimi i dikujt tjeter cilido te kete qene ai. Shpesh me ka ndodhur ta lexoj parathenien pas librit, dhe akoma me shpesh jo menjehere pasi kisha lexuar librin, me qellimin per te krahasuar se ku qendronte ajo qe kisha kuptuar dhe interpretuar une me ate te parathenieshkruesit. Nuk mund te them qe gjithnje ka pasur perputhje, ndonje here madje kam qene pothuaj ne kundershtim te plote me parathenieshkruesin, gjithesesi ka ndodhur edhe te rikonsideroj pozicionet e mia, ndonese pa i ndryshuar shume ato.

    2. Megjithese nuk e kam lexuar, une nuk besoj se parathenia e Berlusconit “ia rrit vleren librit”, por nuk besoj as se i ben ndonje dem atij. Ai liber eshte aq i qarte, i thjeshte dhe i drejtperdrejte saqe asgje nuk mund t’i shtohet a t’i perngjitet atij, pra te behet pjese e tij.

    3. Une jam totalisht neutral dhe i painteresuar per fatin politik apo veprimtarite e tjera publike, a private te Berlusconit, por nuk jam qorr sa te mos shoh se ai eshte nje nga personat a personazhet me me influence, per mire a per keq ne jeten italiane. Ne kete kuptim, edhe sikur te pranohet per e vertete e gjithe balta me te cilen e kane lyer, apo eshte lyer vete ai, mua me duket se ky eshte nje nga ato rastet kur ne si shqiptare duhet te pranojme edhe te keqen bashke me te miren. E mira eshte qe nje liber nga me te rrallet dhe objektivet ne pershkrimin e burgjeve te diktatures komuniste shqiptare u jepet nje numri te rendesishem lexuesish te huaj. Ne kete hulli pyetja qe do te shtroja une eshte: Si do te ishte me mire qe ky liber te mos botohej ne Itali, apo te botohej me nje parathenie te Berlusconit dhe me nje promovim te tij ne Senatin Italian?” Kete pyetje nuk u drejtoj atyre shqiptareve, qe sidoqofte ose degjuan per librin e At Zefit me kete rast, aq me pak atyre qe e thone hapur ose mendojne se At Zefi nuk gje gje tjeter vecse nje prift i poshter qe i meritonte gjithe sa hoqi. (Kam pershtypjen se ka shume nga kjo kategori qe bertasin per poshtersite e Berlusconit, me shpresen qe cirkat e beshtymes te arrijne gjer te At Zefi).

    4. Zoti Azizi ka treguar pamjaftueshmerine e tij njerezore kur i ka hyre nje rruge pa krye pa e pasur lexuar librin, per te cilin ai ngref sherrin. Nuk kuptohet mire me cilin e ka sherrin, me At Zefin qe shkroi librin, me kandidatin e perjetshem te cmimit Nobel, me drejtorin e perjetshem te Bibliotekes Kombetare, apo me botuesin qe qe aq i paftyre sa i vuri librit nje cmim qe Azizi nuk e perballonte, apo me nipat e At Zefit qe po shfrytezonin librin per te nxjerre fitime. Per secilin nga keta objekte te sherrit te Azizit mund te shtjellohen motive e lidhje me At Zefin, por ketu nuk eshte vendi. E vetmja gje qe mund te thuhet ketu eshte qe per mendimin tim ata kane evoluar ne objekte sherri, mbasi kane gjalluar per nje kohe te gjate si objekte zilie.

    5. Nuk e kuptoj perse titulli i librit ne versionin italisht eshte nderruar ne “Gjaku i Abelit” (by the way Pishak, ne shqip i themi Abel, Abeli, Abelit, jo Abele, Abeles) kurse titulli i perkthyer ( edhe ky jo sakte, sipas meje, do te duhej te ishte Vivi soltanto per raccontare) eshte perdorur si nentitull. At Zefi nuk po deshmonte (testimoniare), ai po tregonte (raccontare).

    6. E gjithe kjo histori, si nje njeri qe e ka njohur personaisht se cfare zemre dhe mendje kishte At Zefi, se sa i preokupuar ishte ai per te ardhmen e paqte te Shqiperise dhe si nje nga lexuesit e pare te atij libri, me le me nje shije te embel-hidhur. Te embel, sepse tani edhe lexues te huaj kane mundesi te njihen me nje pjesez te historise moderne te Shqiperise, qofte edhe me nje parathenie te Berlusconit, po aq te hidhur sepse edhe ne kete rast qe eshte nga te paktit qe ne ditet e sotme mund te na beje ne nje mendje sa me shume shqiptare, perkundrazi shton nje gjemb me shume ne kembet e zbathura te endacakeve qe vertiten pa qellime e synime te qarta pervec per te gjetur sa me shume subjekte qe do tua benin grindjet sa me te shijeshme.

    1. 1. Nuk mund të mohohet ndikimi që ka parathënia për leximin e librit. Për ta vërtetuar këtë në mënyrë praktike mjafton ta zëvendësojmë emrin e autorit të parathënies me emra të tjerë. Ndryshimi dallohet lehtë. Pastaj, përse emri i autorit të parathënies vihet shpeshherë me shkronja të mëdha? Sepse nuk ka rëndësi për lexuesin? Për të kundërtën dhe botuesit e dinë shumë mirë këtë gjë.
      2. Parathënie të tilla “me peshë të rëndë” nuk kanë veprim neutral.
      3. Për Berluskonin mund të flasim herë tjetër. Nuk ishte tema ime. Në vend të tij mund të ishte një politikan tjetër me bindje të përkundërta por me të njëjtat karakteristika. Libri i At Zef Pllumit mund të prezantohej, ta zëmë, nga personalitete të Urdhrit françeskan, nga intelektualë t ënjohur shqiptarë e të huaj, ose nga vetë Papa Françesko. Libri meriton nderin më të madh.
      4. Nuk mora në shqyrtim shkrimin e Ajazit, e citova thjesht si reagim të ashpër ndaj zgjedhjes editoriale italiane.
      5. Për ndërrimin e titullit dhe përkthimin duhet pyetur shtëpia botuese dhe përkthyesja zyrtare e librit (Keda Kaceli), por sa për nëntitullin edhe unë do të kisha përdorur “testimoniare” në vend të “raccontare”.
      6. Personalisht ia vlerësoj shumë veprën At Zef Pllumit, prandaj edhe mora penën dhe shkrova këto radhë. Besoj se në shkrim kjo del qartë.

  6. Sipas Gazetës 55 [theksimi im, 2Xh]:

    Në parathënien e tij librin e At Zef Pllumit, Berluskoni shkruan se, “Ai hap zemrën tonë, zbrazëtinë tashmë të njohur, e rimbush me mallëngjim dhe zemërim – por pastaj – si të gjitha gjërat e vërteta – na prin drejt ndërtimit të diçkaje, udhëheq për të ndërtuar mirësinë dhe të drejtën. E vërteta është se dashuria është shumë më e fortë se urrejtja. Ky libër jo vetëm që duhet të jetë në të gjitha bibliotekat dhe të bëhet film, por duhet madje të rekomandohet për t’u lexuar në të gjitha shkollat italiane, në mënyrë që të rinjtë të arrijnë të kuptojnë disa të vërteta historike: së pari çfarë është komunizmi që shihet në këtë vepër, si e merr pushtetin dhe si e administron në mënyrë të tmerrshme; së dyti çfarë vuajtjesh ka hequr populli shqiptar, në çfarë humnere gënjeshtrash dhe dhune ka qenë i zhytur; por edhe sa të fortë kanë qenë gratë dhe burrat që nuk e kanë ulur kurrë kokën, pavarësisht nga torturat që duruan mbi kurriz. Është e mundur të rezistohet. Sa është e nevojshme një aleancë me këtë komb që po ngrihet me guxim falë edhe një lideri demokratik e liberal autentik, si miku im Sali Berisha”.

    Kjo duhet kuptuar, besoj, se Berishës mund t’i kërkojnë, së shpejti, t’ia shkruajë parathënien librit të ardhshëm të Berlusconi-t: Rrno vetëm për me kurvnue.

    1. Xhaxha: dy rreshtat e fundit me perkufizuan nje pjese te mire te asaj qe mendoj. Parathenia e Berlusconi-t e demton librin. Ati françeskan demtohet si autor dhe si figure ne teresi. Futja e emrit te S. B. eshte ndoshta “la ciliegina sulla torta” ne kete gabim e perdhunim editorial. Ne nje kohe kur mesazhi i tij duhet lexuar si mesazh pajtimi, faljeje te krishtere, ruajtjeje te kujteses, si mesazh i afrimit te njerezve pas pothuajse 25 vitesh nga renia e murit edhe ne Tirane, emrat e politikaneve te sotem bien ndesh me emrin e tij dhe me shpirtin e vete jeteshkrimit. E them kete jo vetem si lexues, por edhe studiues e dashamires i gjithe vepres te At Zef Pllumit.

  7. M’u desh të bëja pak higjienë në këtë faqe. Për fat të keq, edhe eksperimentin e moderimit të hapur po e pezulloj përkohësisht. Ju kërkoj të falur kolegëve, të cilëve ua kam hequr komentet që kishin bërë në përgjigje të trollit; si dhe të gjithë lexuesve, ngaqë nuk i kushtova vëmendjen e duhur trollit që në krye.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin