[SHKURT]
Flëro, flëro, flëro… XHAMIA! – unë e gabuar ngrija gishtin pas atij të nonës, ndërkohë që xhamia sigurisht nuk flërojte si flutra apo harabeli që kishin pasur radhën para xhamisë… se si flëroka xhamia? Ç’u bo xhamia qi t’flërojë, pullum a balon tabake? – dhe qeshte nona me lot. Aq herë gabohesha dhe nxehesha me atë lojën flëro, flëro, flëro kur isha e vogël, po insistoja të luaja prapë me nonën që s’ma prishte kurrë, sido që ankohej se m’hypshin kacabujt kot dhe isha hazër xhevap. Kur isha në Universitet e s’luanim më Flëro të dyja, ankohej edhe se do ngelesha pa martuar. Muzika që unë dëgjoja e kërceja meritonte: Qyqja, qyqja, goca! Torb i modh, mi non! Nigjo, nigjo: ty po të traklli porta, shpirt i nonës; ti po me kom tërmo! Frriti menjes se s’gje burr kshu, për Zotin!…Malli 24-vjeçar për erën e mimozave dhe malli disa-mujor për zhurmën e bubullimës, nuk përkojnë rregullisht me mallin për gjuhën e nonës së vdekur 27 vjet të shkuara. Por këtë dimër të gjatë e pa shi në Illinois, ku bora herë e bardhë e herë gri s’ka lënë tokën të shohë diell që kur s’mbahet mend, ato vijnë në grup e shkrihen natyrshëm si të ishin ujë e kripë. Nga të ftohtët apo nga sikleti e nervozizmi i ardhjes së gjatë në Shqipëri duke lënë pas familjen, tri herë brenda muajit shkurt kam pasur herpes në buzë, ose siç i referohej idiomatikisht shpërthimit të herpesit nona ime, tri herë më kanë pjerdhur ethet. Sa isha e vogël, i urreja ethet që më dilnin si përbindësha të parregullt në faqe sa herë ftohesha, e rregullisht kur shkoja ekskursion me shkollën në Dajt. Shkonim e vinim në këmbë, dhe, në mos në vajtje, në ardhje do binte shi. Unë mezi e prisja gjithë semestrin vajtjen në tufë në Dajt, por nuk qëlloi kurrë të mos ftohesha e të mos më plasnin ethet. Ethet pjerdhin rrallë tani që jam grua, dhe kryesisht në buzë. Kur këtë shkurt të plasur amerikan gjerb caffè-latten e mëngjesit, dhe gjuha më shkon mbi buzën e lënduar nga herpesi (minimal tashmë, jo masiv si ai i fëmijërisë, nga bombardimi me Acyclovir), përtyp me vete metaforën e etheve që pjerdhin materje të lëngshme që pulson nën lëkurë. Pa dyshim që metafora ka në bazë perceptimin si shpërthim ose plasje e diçkaje të paformë. Idiomatika e fjalëve “pjerdh” apo “bythë” ishin të pasura në gjuhën e nonës sime tiranase: “I sillet vërdallë si pordha nëpër brekë”, “Ulu m’byth shpirti i nonës; mos ha m’kom, se s’t’ze buka ven ashtu!”, “Vërc-vërc, s’të ze bytha ven!” “tokën ke bytha e tronafilit duhet me e punu kur del dimri, shpirti nonës”, “I shpull bythve, veç mir i bo kalamojve!” Ta analizosh si diskurs më vete inventarin e shprehjeve të nonës sime të butë dhe pa shkollë, ndoshta është mënyra më e mirë për të ndërtuar kulturën, dijen, moralin dhe eksperiencat e brezit të saj tiranas. Por në motin akëll të Illinois-it këtë dimër, analiza ideologjike është e fundit gjë që dua të bëj. Në të kundërt, më do zemra kujtime të ngrohta të largëta dhe shtyj tutje analizën. Gjuha, fjalët më vijnë me zërin e saj, me copa shikimi të saj që bien mbi fjalë prej syve larushë me pak të gjelbër; kanë edhe qime të rralla fjalët e nonës, ato që ia mbaj mend mbi buzën e sipërme, që më shponin sa herë më puthte e që nuk di si atë nuk e bezdisën kurrë; fjalë të ëmbla me mustaqe. “I kanë dalë rraqet. Do ftofet!” Rraqet janë një nga fjalët që më vjen gjithnjë me zërin e frikësuar dhe kujdesin e nonës. “Hajde te nona t’i fus rraqet se e ke barkun përjashta” Rraqet nuk ishin detyrimisht vjetërsira, por edhe mund të ishin. Të gjitha shtresave të sipërme të veshjes që duheshin futur brenda tutave, pantallonave apo fundit, nona u referohej si rraqe; gjithashtu rraqet dilnin vetëvetiu, por futeshin vetëm në mënyrë të qëllimshme; së fundmi rraqet u dilin vetëm fëmijëve. Nona s’ia thoshte kurrë tim eti e sime mëje të fusnin rraqet. E vë re sot mamin t’ia thotë mbesave disi të ndryshuar: “Pupupu, i ka dalë barku gocës!”. Mami e hoqi qafe fjalën e vjetëruar dhe pa rrangun e duhur “rraqe”. Pra si rraqet ashtu edhe barku na u dilkan kalamajve pa pyetur kënd. Rraqet si balerina moderne, energjike e zhelane, dalin në kuptimin që ikin/shpëtojnë nga brenda jashtë, ndërsa barku si masë e butë e pasive del në kuptimin që shfaqet ose lejon veten ta shohin. Rraqet kanë agjenci, por barku, jo. M’u deshën disa vjet pasi lashë Shqipërinë të bind veten se s’është shkruar gjëkundi që barku duhet mbuluar me kanotiere, nënbluza apo tesha të ngjashme mbrojtëse (rraqet) që duhen futur brenda pantallonash a tutash. Sidomos nëse ambienti është i ngrohtë dhe temperatura e pandryshueshme. Unë ende bëj të qeshin miq të mi jo-shqiptarë me sensibilitetin që kam ndaj të ftohtit. Çfarë nuk më jep ende sot ajo e shkretë ftohje… Dhe pasojat nuk janë lajthitje të miat, janë pasoja reale fizike që m’i ndryshojnë ditët… dhe të gjitha shpjegohen shkëlqyeshëm nën teoritë e nonës sime kujdestare. Në fjalor fjala “rraqe” shpjegohet si fjalë bisedore e përdorur vetëm në shumës në kuptimin orendi dhe sende të tjera të përdorimit të përditshëm në shtëpi, plaçka shtëpie, vjetërsira, rrangulla. Pra jo në kuptimin e rrobave të trupit. Si sinonim për të jepet fjala “rrangulla” që për nonën time gjithashtu ekzistonte në variantin tiranas “rronglla”. “Sa t’nrofet içik moti, duhet me ftillu aborrin se o mush me rronglla!”. Dhe kjo më sjell tek një tjetër fjalë e nonës që s’lidhej me rraqet tekstile që futeshin, si masë kundër ftohjes djallëzore, por me rraqet si rronglla. Është fjala gomrra. Këtë s’e gjej në fjalor. Me sa duket konsiderohet jo veç bisedore, por edhe krahinore me përdorim të kufizuar. Por nona ime e përdorte shpesh. Rraqet, jo në kuptimin e rrobave të trupit, mund të ishin edhe objekte pëlhure. Rrongllat dhe gomrrat nga ana tjetër ishin objekte të forta ndërtuar nga materie solide, si dru, metal, baltë a porcelan. Rraqet mund të kishin qenë dikur, në të ritë e vet, të vlerësuara, por rrongllat e gomrrat e kishin të përhershme mungesën e vlerës dhe rëndësisë. Kish vetëm një zgjidhje—dhe kjo e vonuar—për rrangullat dhe gomrrat: heqja qafe. Nëpër gomrra njeriu pastaj mund të bubërronte. Kuptimi ishte ai i të kërkuarit pa shkak ndër një tufë me objekte të parëndësishme. Bubrroj/bubërroj nuk formohej prej një emri, me sa mbaj mend. Nuk besoj që nona të ketë përdorur kurrë fjalën bubërr dhe as atë gomërroj, por “çere bubërro nër gomrra?” nuk më duket e panatyrshme. Semantikisht gomrrat dhe bubërrimi s’janë fort afër: njeriu bubërron ndër gjëra të vogla, ndërsa gomrrat mund të jenë të të gjitha përmasave, madje gomrrat shpesh nënkuptojnë objekte kabà. Gjithashtu bubërrimi mund edhe të fshihte qëllimin nga ana e bubërruesit për të zbuluar diçka jo fort të mirë, dhe as kjo s’lidhet fort me gomrrat. [MARS] Kam arritur në Tiranë. Nuk është ngrohtë as këtu. Dajti është zbardhur nga bora dhe s’shoh mimoza gjëkundi, sido që është 1 mars. Pas 24 vjetësh arrij në Tiranë në prag marsi që të mund t’u mbaj erë, por ato kanë mbaruar. Më thonë që në shkurt ishte plot. Pyes nëpër dyqane lulesh, e më përgjigjen se mimozat s’ka pse shiten se njerëzit i këpusin direkt nga pemët. Ndiej kudo vetmi në Tiranën e zhurmshme dhe plot energji që vete dëm. Mimoza do doja t’i çoja edhe nonës time tironce në varr. Dekadën e fundit para se të vdiste ajo paralajmëronte paqësisht vdekjen me “Hiku e shumta, ŋeli e pakëta.” Dhe kur dikush nga brezi i saj vdiste papritur, nona thoshte “Vjen vdeka për mo parë! Sot ina, nesër s’ina!” gjithnjë e ëmbël e jorezistente si për ligjet e natyrës, edhe të shoqërisë; e kundërta ime në këtë pikë. Unë vazhdoj të jem si dikur: e prapë po veç s’nëkohem as kur jom e ligët, pra jam e vështirë sido që s’ankohem as kur jam sëmurë. Na janë pleksur keq dimensionet e jetë-vdekjes ne të dyjave në këtë fund-dimri, dhe unë e di se kujtimi i saj i ngrohtë më ndihmon ta jetoj më mirë si acarin e Illinois-it, edhe grinë prej shiu të Tiranës. I jetoj nonës zërin përmes gjuhës apo fjalët përmes zërit? E shquaj mirë gjuhësisht sa s’di në unë jetoj atë apo ajo më jeton mua. Pa nonën ky fund-dimër që më jep vetmi dhe trishtim, do ishte edhe më i sertë. Që do më ngrohnin rraqet e gomërrat a nonës sot, s’e kisha menduar. Janë si cule që vijnë nga larg, ashtu si vinte natën ajo ngadalë të më mbulonte kur më binin nga shtrati e zbëlohesha. Pas një jave me shi, nuk mbeti mimozë pa u nxirë e fishkur në Tiranë, ndaj 7 e 8 marsi u festuan pa mimoza, sido që dielli doli rishtaz me gaz. Për 8 mars im atë më dhuroi një libër të Mustafa Greblleshit “Muhabet tirançe me Liun e Cakut” nga Shtëpia Botuese Çabej, me kopertinë punuar enkas në vitet 30 për rubrikën “Liu Cakut” të gazetarit tironc Greblleshi, nga Ibrahim Kodra vetë. Por nëse ky i fundit pati fatin të rrinte në Itali e të mos përfundonte burgjeve komuniste, Greblleshi e kaloi jetën pas-burgu në Tiranë si bojaxhi, sido që në të gjitha skicat e veta ka diskurse të qarta anti-fashiste, madje edhe komuniste. Liu Cakut ishte pseudonimi nën të cilin ai shkruante një pjesë të mirë të eseve a tregimeve satirike në vitet 30-40, të gjitha me një dialekt të fortë tiranas, satirë fshikulluese për shoqërinë e korruptuar të kohës, intelektualët e shtirur, administratën qesharake, fshikullim që vinte prej karakteresh të zgjuar e të ekuilibruar që duket se ishin të afërt realë a të shpikur të autorit: hallë Remja, hallë Bikja, Xhemol Tapalli ene Dajë Ceni, e plot katunarë e shehërli t’qerë qi, vdekshin t’gjithë jahudi ne llahinga, për at Pekamer, sa më kon gajas keq. Im atë duket kish nuhatur këtë lidhjen time disi joracionale me nonën tironce dhe gjuhën e saj këtyre ditëve. Libri më ngjiti fort se ishte gati-gati si përvojë mistike realizimi nevojash të paartikuluara në momentin ku gjendesha. Siç vërejnë redaktoret Kongo e Çabej, Tirana e përshkruar me gjuhën satirike të Liut Cakut duket sikur është ajo e vitit 2014. Por për mua gjuha e librit sjell edhe nonën time gjallë, si ta kem para syve, dhe më çliron nga një lloj makthi që më jep kësaj radhe Tirana… e ndoshta më zbut e më bën ta pranoj pa u çmendur. Fjalët e reja në fjalorin e nonës sime vinin gjithnjë të deformuara: vinçi ishte zvinç; elektriku ishte leterik. Lëre pastaj emrat e të huajve: halla e Liut Cakut dhe shqiptarët rreth saj, i thërrisnin ministrit t’filoncës Thaon De Rivel, Daut Taraveli, dhe ky i fundit, duke mos duruar deformimin, “i hypi tajares, ne hiku”. Hallat e mençme e vrojtuese të Liut nuk i jystërfikojshin “gocat qi tuneshin e shkuneshin si kalerat m’pazar” “ene martoheshin me taljona” se “kitojshin se ishin cirivilizu”; Liu simas hallës e dojte nusen palektuale (intelektuale) ene vërrsitare (universitare), e Liut gazetar halla i thoshte se “no s’kina kunrra, e ti fol për dërrvista (revista)”, se hallës “s’i pëlqejshin hiç pulamikat e gazetaxhivet.” Kishte edhe një këshillë halla Liut për artikuj-shkrues (rrtiklla-xhi) si unë dhe të tjerë, që duket sikur ma këndon në vesh vetë nona ime: “Veni menën gamorit qymyrit, a Lio, t’do halla fort; se s’vje gjo pri rrtikllash!… Qofsh lonet, a bir, po u bone rrtikllaxhi, se do t’shajsh dinjonë faj e pa faj! Jargët deri ke komët, m’u bo rrtikllaxhi!”… deri tek këmbët i kemi! Po për çfarë?