Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Totalitarizëm / Urbanistikë

PALLTO TË GABIT, ZHGUAJ, KRIPTA

Javën që shkoi, një vilë qeveritare në zonën e “bllokut” në Tiranë, e njohur ndryshe edhe si “vila e Enverit” ngaqë aty ka banuar ish-diktatori komunist, u rikthye qoftë edhe fare kalimthi në qendër të vëmendjes në mediat sociale, për shkak të një takimi informal të zhvilluar aty, me nismën e arkitektit Andreas Ruby.

Me sa marr vesh, në takim u pleqërua edhe se ç’do të bëhet me këtë ndërtesë, e cila tash për tash ka mbetur underused, me gjithë se në qendër të një prej lagjeve më të lulëzuara të kryeqytetit.

Dilema e përshtatjes (repurposing) së objekteve arkitektonike të lëna trashëgim nga totalitarizmi rishfaqet, duke sjellë me vete edhe një debat – për mua shumë produktiv – që lidhet me ripërdorimin.

Dhe pikërisht – një ndërtesë me një bagazh të tillë historik dhe njerëzor, e sfidon arkitektin me inercinë e vet, e cila shkon përtej arkitekturës dhe funksionit të saj themelor, në rastin tonë si shtëpi banimi, ose një hapësirë me të cilën diktatori dhe familja e tij hynin në marrëdhënie si qenie njerëzore të zakonshme.

Vetëm disa qindra metra më tutje vilës në fjalë ngrihet, pa çka se me pantallona të zbërthyer, “Piramida” – një tjetër gërdallë simbolike e periudhës dekadente të totalitarizmit shqiptar; e copëtuar, e braktisur, e dënuar me vdekje, e megjithatë njëfarësoj e mbijetuar.

Më kujtohet si, në prag të përmbysjes së fundviteve 1980, një shoku im tepër i eksituar nga mundësia e shpërbërjes së regjimit – e cila në mendjen e tij përvijohej si një heqje e kufijve dhe pengesave gjithfarësh, përfshi gardhin me roje që rrethonte bllokun dhe objektet e tjera “të rëndësisë së veçantë”, por edhe gardhin tjetër me piramida, roje dhe qen kufiri që rrethonte Shqipërinë mbarë – ky shok imi, pra, më pat thënë se së shpejti “Piramida” do të shndërrohej në diskotekë, dhe se ai vetë mezi ç’priste sa të vinte dita kur të kërcente në foyer, ose mu aty ku ato ditë ende ngrihej, hijerëndë, statuja e madhe e Enver Hoxhës (të cilën tani nuk di pse po e përfytyroj si motor rakete).

Edhe ky do të kish qenë një lloj ripërdorimi drastik; pa çka se nuk sintonizohej mirë me planet dhe ambicjet e klasës së re politike, që do të dilte prej dhjetorit 1990.

Si çdo kryeqytet që ka pasur kohë të përpunojë historinë e vet, ose të ekzistojë edhe në kohë përveçse në hapësirë, edhe Tirana – sado e re në moshë – ka hisen e vet të ndërtesave madhore të ripërdorura, duke filluar nga ish-pallati mbretëror, i shndërruar, gjatë viteve të komunizmit, në Pallat të Pionierëve; ose nga ndërtesa e Luogotenenza-s italiane, në fund të bulevardit të madh, e shndërruar në Rektorat të Universitetit të Tiranës.

Përshtatja përtëritëse e një ndërtese të vjetër për funksione të reja – p.sh. e një kishe në teatër ose e një ambasade në ministri – më ka kujtuar gjithnjë një gaforre të vogël, të njohur si hermit crab (fjalori këtë ma jep si ballore), e cila zgjedh të jetojë e strehuar në guaskën e zbrazët të një molusku ose të një kërmilli deti.

Çfarë ndodh, tek e fundit, edhe me ndërtesat “historike”, të cilave u jepet mundësia të shërbejnë sërish, por me funksione të reja, shpesh pa lidhje me ato për të cilat ishin destinuar prej arkitektëve.

Sfida është e shumanshme – për arkitektët, disenjatorët, inxhinierët, planëzuesit urbanë; por edhe për semiologët që mund të kenë interes “teorik” ndaj procesit.

Të pranosh që një objekt historik çfarëdo mund të ripërshtatet e të reformohet në funksione të reja ose të ri-kontekstualizohet, do të thotë të pranosh, sado me nënkuptim, se lidhja midis destinimit fillestar të objektit dhe pamjes së tij, fasadës ose formës, nuk paska qenë aq organike sa ç’do ta donte krijuesi vetë – bie fjala, arkitekti.

Kështu, “Piramida” ishte menduar si muze dhe cenotaf i diktatorit Enver Hoxha; dhe forma e saj, e jashtme dhe e brendshme, i përshtatej dhe i nënshtrohej këtij funksioni praktik kulturor.

Po sa e kufizon ky funksion ose destinim origjinal dëshirën a nevojën për ripërdorim ose përshtatje?

Natyrisht, dukuria nuk kufizohet vetëm me arkitekturën. Bie fjala, kultura totalitare, gjithë duke ushtruar kontroll të imtë ndaj komunikimit kulturor masiv, lejonte, megjithatë, ripërshtatjen e disa këngëve popullore, nëpërmjet rishkrimit të tekstit; dhe ashtu një këngë dikur dashurie përfundonte në himn për ndërtuesit e digave, ose elegji për një traktorist të rënë në krye të detyrës.

Shndërrime të tilla i paraprinte dhe i përligjte bindja metodologjike se melodia e këngës mund të ndahej nga teksti përkatës dhe të ripërdorej.

Pak javë më parë, sërish ndoqëm, madje morëm pjesë me zell e kërshëri, në një debat ku përgjithësisht palët pajtoheshin që zëri i Vaçe Zelës mund të abstragohej nga këngët që ajo këndonte dhe funksioni ose synimi ideologjik i atyre këngëve – në kuptimin që ajo artiste mbetet e madhe, pavarësisht se ka kënduar: “S’ka forcë në botë/ta ndali vrullin tonë/revolucioni marshon” ose “Kënga jonë e re/çan shkëmb e gur/ngrihet gjer në re/si një flamur.”

Në rastin e “vilës së Enverit”, e cila edhe u bë shkas për këto shënime tani, funksioni themelor i saj, i menduar prej arkitektëve, do të ketë qenë të shërbente si shtëpi banimi, me mjedise për shplodhje, ngrënie, fjetje, pësh-pëshe, pritje mysafirësh; me kuzhina dhe banja me vaska dhe bidé, shkallë, ashensorë senilë dhe të plogët, korridore intrigash, piktura betejash të papara, ballkone me pamje nga Dajti, kopshte të selitura dhe veranda për çaj; por edhe me karakteristika sigurie të nevojshme për një diktator të ashpër, si Enver Hoxha; edhe pse jo aq sa t’i bënte ballë sulmit të parashikuar, prej parashutistëve të Traktatit të Varshavës.

Për ta thënë me Le Corbusier-in, edhe kjo ndërtesë ka qenë menduar si një makinë për të jetuar në të.

Në librin Eat the Rich, gazetari amerikan P.J. O’Rourke, që e vizitoi Shqipërinë dikur në vitet 1990, shkruan se vila e Hoxhës i kujtonte “shtëpinë e një dentisti vërtet të suksesshëm, në Chicago”; dhe opinioni i këtij vëzhguesi të pafajshëm më duket me vlerë, sa kohë që vjen i pamolepsur me fantazmat e djeshme dhe të sotme të simbologjisë të qytetit dhe kryeqytetit shqiptar.

Tek e fundit, Enver Hoxha mund të ketë qenë një nga tiranozaurët e fundit stalinistë në botën mbarë, por për të jetuar megjithatë kish zgjedhur modelin e butë dhe mikroborgjez të një profesionisti në suburbs të Chicago-s kapitaliste.

Çfarë të bësh me një vilë dentisti, pra? Kjo do të ketë qenë sfida që i ka lëshuar vetes Andreas Ruby dhe bashkëbiseduesit e vet, kur janë rrekur t’i japin një formë më konkrete dëshirës për ta ri-përdorur këtë monument të fundit, relativisht të paprekur, të totalitarizmit në Tiranë – pa çka se vila në fjalë ende shënjon anën më banale, nëse duam ta quajmë kështu, të jetës së atëhershme; ose faktin që edhe diktatori, ose njeriu-pushtet hante, pinte, jashtëqiste, priste mysafirë dhe flinte me gërhimë në krevat të gjerë; lexonte gazetën, jepte këshilla, pinte kafenë, dëgjonte muzikë të lehtë përparimtare në magnetofon, shkruante kujtime, ushqente pëllumbat dhe krasitte hardhinë; pa çka se i bënte të gjitha këto, pasi e kish kaluar zakonisht ditën e Perëndisë duke kruar e pastruar intensivisht me frezë dhëmbët pambarimisht të krimbur në gojë të Partisë.

Në një botë ideale, unë vilën e Enverit do t’ia lija zërit të Vaçes që ta këndonte.

Por meqë nuk jetojmë në një botë ideale dhe, përkundrazi, meqë kjo vilë-kriptë po rrezikon të shndërrohet në pikën fokale të një kthimi sa të palavdishëm, aq edhe absurd të kultit të Enverit vetë, mes një turme rinore plot gaz që mendon se diktatori shqiptar mund edhe të trajtohet si të ishte një arush gëzofi, ose një teddy bear, në mos si Babbo Natale për brezin radical chic të bllokut, atëherë ky zhguall kërmilli ante-deluvian ndoshta duhet populluar urgjentisht me histori; pikërisht me atë histori që nuk e ka pasur dot sa e meritonte, ose që edhe kur e pati, u kujdes ta mbante të fshehur prej vdekëtarëve.

Pa Komente

  1. Ngado qe ta rrotullojne nuk kane per t’a ripershtatur mire sepse nuk ke c’ti besh shume nje vile dentisti. Mendoj se ajo duhet te luaje te njejtin funksion qe ka luajtur vitet e fundit, ate te nje vile pritese per disa funksione qeveritare. Perndryshe kjo e ashtuquajtura nisme, qe behet me shume per show sesa per funksionalitet, duhet te filloje para se gjithash nga Piramida. Ajo po qe eshte sfide qe ia vlen. Ne cdo rrafsh. Edhe ne ate simbolik qe e ka aq shume qejf kryeministri aktual.

  2. Pershendetje,

    Shkrimi eshte mjaft terheqes dhe i miremenduar ndaj nuk ka si mos me beje pershtypje paragrafi i fundit, qe ngjan sadopak me nje tentative per ti dhene nje tjeter “spin” paragrafeve paraardhes. Ne reference edhe te “Dentistit pa pune”, Andreas Ruby leksionin e pare te tij mbi riperdorimin e ndertesave te lena ne harrese e mbajti pikerisht tek Piramida. Ne te dyja eventet nuk kishe hapesira per show duke qene se media nuk qe e ftuar dhe qellimi nuk qe pushtimi publik me kamera televizive i ketyre hapesirave te harruara ne mes te Tiranes.

    Qellimi qe – dhe mbetet – pushtimi i ketyre hapesirave me perdorim medioker nga te rinj me ide dhe frymezimi i tyre per te gjeneruar funksione qe mund ti pershtatet kontekstit te sotem te kryeqytetit. Turma rinore plot gaz ka ne fakt te drejte te pyes veten se c’fsheh kjo Vile mistike e ruajtur me ushtare dhe e vene ne rrethim nga nje batalion bar/pubesh e kazinoshe.

    Nga ana tjeter nuk kuptoj pse kurioziteti i turmes rinore plot gaz banalizohet ne arush gezofi apo babbo natale. Edhe termin e mirenjohur te Tom Wolfe (autor i nje libri shume te mire mbi arkitekturen moderne meqe ra fjala, ku preket perciptazi edhe problemi i absurditetit te ndertesave moderniste ne kontekstin e pas viteve ’70) ‘radical chic’ e kam te veshtire ta lidh qofte me vijen e argumentimit te artikullit, qofte me te ftuarit ne ngjarjen e lartpermendur.

    Debati ne fakt qe interesant. Nuk pretendonte as te vendoste e as te shkaterronte, por kryesisht te pleqeronte mundesite dhe te mesonte nga shembuj te ngjashem nga rajoni e me tej. Takimi ama, porsi ai i piramides ne dhjetor, me shume se kaq kishte per qellim demistifikimin e ketyre hapesirave, qe ne izolimin e tyre e populojne akoma me shume me mistike dhe habi kete zhguall kermilli sic e quani ju. Zhguall qe nuk eshte asgje me teper ne fakt se nje seri me dhoma te arreduara me shume pak gusto, e banja ngjyra, ngjyra.

    Aktiviteti tek Piramida po jep rezultate. Individe nga turma rinore plot gaz e aktivitetit te dhjetorit po organizojne nje superkoncert ne muajt ne vijim pikerisht te Piramida. Une shpresoj qe kjo te ndodhe edhe me Vilen e Enverit. Fundja edhe ajo ka nevoje te krijoje historine e vete, jo te lengoje ironikisht si viktima e fundit e diktatures pikerisht ne mes te bllokut.

  3. d baboci,

    problemi qendron pikerisht tek kjo turma rinore buzagaz, te ciles ti personalisht i perket. hapesira e piramides dhe e viles se enverit eshte kthyer ne, sic thuhet ne anglisht, “space for elite consumption.”

    qe te kuptohemi, jo cdokush i ri buzagaz mund te hynte aty, por njerez te caktuar, te lidhur ngushte me qeverine. per me teper, duhej iniciativa dhe alianca e nje gjermani qe te vinte per t’ua hapur deren e viles (dhe te piramides e pare).

    c’fare quan ti “ide kreative” per piramiden? ne superkoncert, si puna e atyre festivaleve kokeboshe qe po sponsorizon ministria e kultures? kjo i mungon hapesires shqiptare? nje koncert tek piramida??

    jo i dashur, problemi qendron pikerisht qe njerez si puna jote dhe ca te tjere qe vuajne nga mangesia e vizioneve, zaptojne keta hapesira publike dhe as qe i behet vone psh. te pyesin publikun/te rinjte shqiptare se cfare i mungon atyre (te cileve jam e bindur qe nuk i mungojne as koncertet-tallavate, se me ato jane te mbushur deri ne fyt).

  4. Pershendetje supernova,

    Shume shkurt pasi forma e komentit tend nuk te frymezon per te harxhuar shume kohe.

    1. Cdo i ri buzagaz mund te hynte tek piramida ne leksionin qe u be, tek Vila aq vend ka, une shpresoj dhe besoj qe ai ambjent duhet hapur per publiken te pakten perkohesisht.

    2. Mbase aleanca e nje gjermani duhet per aq kohe qe cinizmi qe na karakterizon si popull na ben ta nisim e ta mbarojme cdo muhabet me sa shume probleme kemi, e jo me si ti japim zgjidhje (s’te ve faj nese identifikohesh.)

    3. Koncert i Elina Dunit. Ose e ke fjalen per Tallava qe has went supernova, ose shijet e tua muzikore lene per te deshiruar.

    Ne qofte se po pret qe une te zaptoj piramiden me mungesen time te vizionit perpara se te shprehesh cfare te mungon ty apo rinise qe pretendon se perfaqeson kam frike se nuk ka per te ndodhur ndonjehere keshtu qe te inkurajoj qe keto kerkesa nese ekzitojne te dish ti rreshtosh dhe ti propozosh aty ku dikush mund ti degjoje. Veshe ka plote.

    Nese mundem dhe une nje propozim: hap nje tumblr me foto “pse s’behet ky vend” – besoj tek suksesi yt :P.

  5. Kjo qenka arsyeja e mos hapjes ndaj publikut, mungesa e hapësirës ? versioni juaj ky apo ai zyrtar? come on guys…. të gjithë e kuptuan farsën që po luhet,,,ecjet nëpër vezë s’dukeshin fort mirë se si duket se paskeni menduar mirë distancën nga kangjellat tek ekrani për ato të rinj të tjerë që ishin aty,,, ishte një ofendim vendosja e atij ekrani kur nga kangjellat e pothuajse një kopsht zoologjik s’shquhej dot,, më mirë pranonit pa sëkëlldi që ‘të përzgjedhurit’ ishin të vetmit publik që deshët e mos na thoni që mungesa e hapësirës është problemi …. ka metoda të tjera (të paktën ai ariktekti gjerman do t’ju kish sygjestjonuar mirë ju që s’paskeni gjetur dot) por vizionarët e frymëzuar e paskan patur të ngushtë imagjinatën kësaj here si dhe publikun…

  6. Pershendetje nyjekalim,

    Nuk e di pse po i referohesh pergjigjes time te mese 1 muaji kaluar. Une nuk isha i ftuar tek performanca artistike e djeshme. Nga ana tjeter mire/keq me vjen mire qe per te dyten here (pas piramides), keto hapesira po perdoren edhe per dicka me shume se dreka e darka zyrtaresh. Ne disa raste do jene evente shume te suksesshme dhe perfekte per sa i perket organizimit (Elina Duni tek Piramida), ne disa raste jo. Ky ama eshte nje risk qe duhet marre medoemos nese duam ti japim fryme ketij qyteti.

    Per eventin ne fjale ndaj te njejtin mendim me ty se ekrani jashte qe tregonte cbenin njerezit brenda eshte teresisht pa shije. Persa i perket nevojes per ftesa kjo eshte dicka qe ne nje ambjent te atille eshte e detyruar pasi eshte kusht i gardes (por perseri me duket pashije berja publike e fteses se nje eventi te mbyllur). Nuk e di nese per llojin e performances ishte ambjenti i duhur – personalisht besoj se ishte i gabuari sidoqofte deri ketu mund te shkoje gjykimi im.

    Nga ana tjeter deshiren per te kategorizuar dhe etiketuar cdo gje qe ndodh ne Tirane: nga njerez te ndryshem, per arsye te ndryshme, ne kohe e vende te ndryshme nuk e kuptoj. Do ishte si te te thoja une ty, turp qe e kishe vene dje ate ekranin aty – pa lidhje domethene. Me duket forme shume siperfaqesore e te lexuarit te asaj qe ndodh ne qytet ky grupimi ne organizues pa shije dhe publik i pakenaqur. Jane dy evente te ndryshme ne pikepamjen time, dhe secili gjykohet per vlerat e gabimet respektive.

    E meqe ra llafi, pergjigja zyrtare kur ne kerkuam mundesine per te organizuar nje takim me artiste e arkitekte e per te diskutuar mbi mundesite e Viles se Enverit, qe se nuk mund te ftonim me shume se 50 veta. Mundesite ishin ose mos ta benim, ose te ftonim 50 veta qe mendonim se mund te kontribuonin ne diskutim. Sidoqofte eventi i ardhshem nga Atelier Albania (http://atelieralbania.planifikimi.gov.al) do te mbahet per rreth dy jave ne amfiteatrin e liqenit dhe do jete teresisht i hapur perpublikun, do jete dhe kritiku gjerman qe citon me lart, dhe besoj te gjithe mirepresim cdo pyetje, kritike apo sugjerim per me tej – gjithmone mbi ate cka ka ne dore secili prej nesh…

    1. Mire eshte te qarkulloje nje newsletter qe ngjarjet te ndiqen paraprakisht dhe njerezit ta planifikojne kohen.. gjithsesi shpesh informacioni qarkullon ne forme thashethemi sidomos ne ditet e parafundit thuajse organizuesit jane me dy mendje apo e ndajne mendjen ne momentin e fundit per ta bere publike ngjarjen etj…uroj qe te ndryshoje kjo menyre komunikimi…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin