Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

ETIMOLOGJI TË ÇABEJT: LAG, LËNG

lag, lagem; lagë f. “deti, e kundërta e terës; ana e lagët e një parje, e një cipe etj., në lodra; pikë, sasi e pakët”; lagës, stërlagës m.; i lagët; i lagësht; lagësirë lagësinë f., lagështi f., lagështirë lagështinë f.; lagúsh m. “gjethe drush që sjellin me vete ujërat”; lagësón “qan ena që ka ujë brenda”, lagësój “lag” (Kavalioti). Pas G. Me­yerit (f. 235, AS IV 30) bashkë me vlag vlagë “lagështi”, i vlagët “i lagësht”, i vlazhët “i vlagët”, vlazhëtirë “lagështi” rrjedh nga skr. sll. e vj. kishtare vlaga “lagështi”, vlažiti “me lagësue”. Mendim i pranuar te Weigandi 45 (prej bullgarishtes), Barići (I 45v.) e Seliščevi 159.

Vasmeri përkundrazi (Studien I 37v.) sheh këtu një fjalë vendi, refleks i një baze *vlog‑ ose *vleg‑ dhe e afër me ags. wloec wlacu “i vakët”, let. wẻlgs “lagështi” wảlgs “i lagësht”, sll. e vj. kishtare vlaga etj. Ta­glia­vini 166 parapëlqen mendimin e G. Meyerit. Me lag shkon laksht‑a “pikë shiu, vesë”, Weigand 45.

Fjalë e mbarë gjuhës. Bardhi Humidus Lagë­sinë, Humiditas Lagësina. Për kom­po­zitin dvandva lagaterë Jokl LKU 293. – Se ç’ka dhënë në shqipen sll. vlaga me rrje­dhesat e saj, shihet te vlag vlagë, i vlazhët vlazhëtirë, të cilat edhe Vasmeri i njeh me të drejtë si sllavizma të shqipes. Nga këto ndryshon lag me format e saj. Kjo i përket grupit të fjalëvet indo­eu­ro­pia­ne ku e vendoi ky dijetar. Në grupet nis­to­re vl‑ vr‑ të periodës indo­europiane bie v‑ja në shqipen, si e pa Vasmeri 37v., 38v., më parë Barići I 43vv, në kundër­shtim me tezën e G. Meyerit. – Sh. edhe lëng.

lëng lang m.; më lëngëzon goja; rrusht pak skaľangúr “uve semimature” te De Rada. G. Meyeri 244 kujton lanćo “brodo” në një gjuhë të fshehtë të Italisë veriore, po në AS IV 52 mendon – me dyshim – për një afrim me gr. λέμφος “qurrë, jargë”, afrim që nuk është pranuar.

Fjalë e mbarë gjuhës. Te Bardhi Iusculum, Brodetto Lang, Iurulentus, cotto con brodo Ziem ndë lang, f. 208 E dogj langu bushtërrë “Ha bruggiato il brodo la cagna”. Nga rrjedhojat emërore khs. lëngësirë lëngëshirë, lëngështirë “ujthi i drurëve, i pemëve” (Tase), geg. langsinë langcinë; lënguth m. “lëngu i drurit të njomë”, lëngësohet “ka nisur të hypë lëngu në trung të pemëve”, me langue “me qitë lang” (Gazulli), langet “lëngëzohet”, langës “i ujshëm” (dardhë langëse), langshton (plaga) “ujcon plaga”, langtyrë f. “spirilang” (me ndikim të latyrë‑s). Nga kompozitet emërore e foljore khs. langshtrydhe f. “dredhëz, luleshtrydhe”, spirilang m. “latyrë” e përllangem “ndyhem (me gjellë, me baltë etj.) në Dibër, kjo me velarizim “eks­pre­siv” të likuidës. – Eti­mo­logjikisht lang lëng mund të jetë një me foljen lag, me epentezë të vjetër të një n‑je. Shpeshherë qullet, lëngjet e kanë emrin nga të lagëtit; khs. rus. vologa “lagështirë; gjellë e lëngët, lëng” (Vasmer REW I 219), gr. ὑγρός “i lagët” e “i lëngët”. Nga shqipja vetë khs. dhe lëngatohem “ligatohem, marrin ligatë dhentë”. – Arom. lángutŭ “pikë, një pikë ujë” nuk rrjedh nga lagëtë (Capidan, RF II 106v.), po nga lëng, (i) lëngët. Kështu tani dhe Papahagi 615.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin