kuptój “marr vesh, rrok me mend, ma merr mendja”; kuptim m.; i kuptuar, “i mençëm, me mend”; i kuptueshëm “i kuptuar; që kuptohet”; në Itali kupëtorë “i kuptuar”. G. Meyeri f. 215, AS IV 38 e spiegon, bashkë me rum. a se cumpăta “me u përmbajtë” nga lat. (o it.) computare “me llogaritë, me numërue”. Meyer-Lübke më parë (Gr Gr I2 1048) i mbahej këtij spiegimi, po në REW 2099 – mbi hullinë e Puşcariut EW 444 – fjalën e rumanishtes e të shqipes, bashkë me disa të tjera të gjuhëve romane, i shpie te lat. compitum “udhëkryq”. Weigandi 41 e spiegon kuptoj nga it. capito “kuptuar”, duke hedhur poshtë çdo afrim me rum. computa, që largohet krejt nga kuptimi, e me këtë dhe spiegimin nga lat. computare. E pranon Jokli IAnz 35, 35.
Fjala rumune hyn aty ku e pat venduar G. Meyeri, po prej shqipes mʼatë vend do shtuar jo kuptoj, po kumt, sh. Revue de ling. VII 1 195. Sa për kuptoj (më e vjetër dhe popullore kupëtoj), kjo s’është gjë tjetër veçse kaptoj, një zgjerim faktitiv-intensiv më -(ë)toj i foljes kap, ashtu si madhëtoj, shtekëtoj, zitoj që trajton Jokli MRIW I 302, LKU 13, Zbornik Belić 42, RIEB II 64, Arch. Rom. XXIV 16, e si argtoj, copëtoj, dëmtoj, fajtoj, pretoj etj. që japim ne në BSS 1 (1956) 134 shën. 1, Revue de ling. VII 1 194.
Dhe me të vërtetë, te Logoreci gjejmë me kaptue “me kapë, me rrokë me anën e shisevet vrragat e sendevet të jashtme e nëpër të cillat mbasandej përftohen në mende idét qi tue i rrahun e kujtue kuptohen, d.m.th. se ma parë i kaptojmë idétë, e mandej i kuptojmë”. Pra kaptoj “rrok me mend, kuptoj”. Dhe me të vërtetë, në Shqipëri të mesme (Shpat, Elbasan, pas M. Çelikut në Peqin) ndihet kaptoj për “kuptoj”. Në të tjera vise të Toskërisë (pas M. Totonit Rëzoma e Delvinës) thonë këptoj. Pra shkalla e zhvillimit fonetik është kaptoj : këptoj : kuptoj, me reduktim të a-së së pathekse në ë e labializim të kësaj në u në afërsi të konsonantit labial, labializim i shpeshtë nëpër dialektet e shqipes: baltë : mbëltoj Beltojë : Bulticë (sh. baltë), daltë : deltinë : dultinë, zambak : zëmbak : zumbak. Për semantikën do shënuar se kuptimi i të marrurit vesh, i të rrokurit me mend del shpeshherë nga konkreti “marr, kap, rrok”. Khs. it. capire nga lat. capere, frgj. comprendre nga comprehendere, saisir, lat. percipere : capere, gr. καταλαμβάνω : λαμβάνω, gjerm. begreifen : greifen, got. ganiman “me marrë”, ndërtuar me at përdorur për “me xanë, me mësue” (W. Schulze KZ 55, 113vv.), rus. ponimatь ponjatь “me kuptue, me marrë vesht” në thelb “me marrë” (Vasmer REW III 500). Prej shqipes vetë khs. marr “kuptoj” shpeshherë te Buzuku; p.sh. (XLI, Luka 18, 34) E ata nukë muorë asṇdonjë ṇ këso fjalësh “Et ipsi nihil horum intellexerunt”, te Grigori E ata nukë kupëtuanë fare gjë nga këto; edhe te Fjala e t’in Zoti prej Siqelie (I Nr. 7 f. 3) E drita shkëlqen në t’errët e t’ertit ngë e muar atë “et lux in tenebris lucet, et tenebrae eam non comprehenderunt”. Khs. dhe marr vesh, marr me mend. Në shqipen e Greqisë rrëmbenj do të thotë edhe “kuptoj” (G. Meyer 374, Jokl Slavia XIII 316), edhe në Gjirokastër, në Elbasan e gjetkë e rrëmben “e kupton menjëherë”, geg. s’ma rrok mendja “s’ma merr mendja, s’arrij ta kuptoj”. Edhe vetë kap, primitivi i kuptoj, gegërisht përdoret dhe me domethënien e kësaj, e kapi “e kuptoi menjëherë”, s’(m)und e kapi. Ndërkaq nuk ësht’e sigurtë që kaptoj këptoj kuptoj të jetë një me kaptoj “kapërcej”; kjo mundet të ketë dalë pikësëpari nga kaptë (sh. kaptoj).