Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

MIQ QË KUROJNË MIQ

nga Eriola Pira

Rolin e kuratorit mund ta bëjë çdokush. Dhe ka plot shembuj kur një filozof, një arkitekt, një shkencëtar, një shkrimtar, ose kushdo tjetër ka kuruar ekspozita arti vetjake apo kolektive. Shumë prej këtyre kuratorëve kanë hedhur dritë mbi veprën e ndonjë artisti apo tematike të caktuar në mënyra idiosinkratike dhe ftuese për një debat të ndryshëm nga ç’ofron kuratori profesionist.

Mes tyre ka patur edhe shumë artistë që kanë luajtur rolin e kuratorit. Historia e artit është e pasur me shembuj artistësh që kanë organizuar, prezantuar dhe shkruar jo vetëm për miqtë e tyre artistë, por edhe më gjerë dhe në role institucionale. Disa prej këtyre ekspozitave kanë hyrë në histori për dizajnin (formën e ekspozitës), për artikulimin e një pozicioni artistik, ose për trajtimin e ekspozitës si vepër artistike me të drejta më vete.Mjafton të përmendim El Lissitzkyn, por ka edhe plot shembuj të tjerë më të rinj të artistëve kuratorë, të cilët kanë hartuar dhe hapur horizonte të reja në këtë drejtim.

Në fakt, kuratorët që kanë ndërtuar dhe përkufizuar më së miri disiplinën e kurimit kanë ardhur prej teatrit, shkencave politike, antropologjisë ose kanë qenë vetë artistë, por çka i ka dalluar nga kolegët e tyre me prejardhje nga historia e artit, apo shkencave muzeale, ka qenë qasja diskursive ndaj artit dhe rolit të tij në shoqëri. Duke mos e trajtuar artin dhe artistin në vakuum, ekspozitat e tyre kanë lejuar që artistët, veprat e tyre, dhe vetë ekspozita si formë të futen në komunikim jo vetëm me historinë e artit dhe problemet e disiplinës, por edhe me krejt shoqërinë, duke u bërë pjesë e debatit publik të kohës.

Në parim, se kush mund të jetë e kush duhet të jetë kurator, nuk është debat interesant; po aq sa nuk është edhe se kush mund e kush duhet të jetë artist — sado që shumë artistë përpiqen ta dekurajojnë idenë dhe praktikën e shumë kuratorëve që janë edhe artistë. Në Shqipëri, ky debat ka ndodhur vetvetiu me daljen në skenë të kuratorit dhe shfaqjen e artit bashkëkohor në vitet 90. Rezulton se, përjashto një a dy individë, ata pak kuratorë që kanë operuar në truallin shqiptar janë trajnuar dhe kanë qenë aktivë si artistë para se të marrin përsipër rolin dhe përgjegjësitë e kuratorit.Alexandre Sighn

Ashtu si dhe kolegët e tyre që u prinë dhe iu përgjigjën nevojave të artit bashkëkohor në fillimet e tij në vitet 60-70 në Perëndim, artistët-kuratorë në Shqipëri ishin kritikë ndaj prezantimit dhe artikulimit të një arti të sapolindur dhe të ndërlidhur me një publik po aq të brishtë sa dhe arti asokohe. Disa prej tyre tashmë kanë ndërtuar karriera ndërkombëtare si kuratorë, ndërkohë që pjesa më e madhe e kanë luajtur rolin e kuratorit ad hoc, ndërkohë që vazhdojnë të ekspozojnë edhe si artistë.

Shpesh herë dëgjojmë prej artistëve të rinj që në Shqipëri nuk ka kuratorë. Me këtë ata kanë parasysh kuratorë profesionistë, ose individë që kurojnë jo vetëm kur iu bie radha, por që vazhdimisht mendojnë dhe eksperimentojnë mbi ekspozitën si formë si dhe lëvrojnë metoda të prezantimit të artit dhe të komunikimit me publikun. Dhe, vërtet, të tillë nuk ka, por jo për faj të atyre pak individëve që kurojnë herë pas here, apo edhe rregullisht, në hapësirën shqiptare. Problemi i mungesës të kuratorëve në vend, si vokacion më vete, është sa i ndërlikuar dhe i veçantë për skenën shqiptare, dhe nuk bën të fajësojmë këtu ata që i përgjigjen thirrjes për të kuruar. Kurajoja e tyre, ashtu si dhe ajo e artistit, është një përpjekje që duhet vlerësuar për kontributin, konsolidimin dhe çuarjen përpara të çështjeve të artit në vend.

Por njëkohësisht, kjo nuk i shfajëson apo çliron ata nga përgjegjësia e të bërit mirë e me bindje punën e një kuratori. Përgjegjësia e tyre është e dyfishtë. Së pari ndaj artistit dhe veprës, dhe së dyti ndaj publikut. Një kurator i mirë gjen një ekulibër të mirë midis këtyre dy forcave, duke i kushtuar vëmendjen e duhur secilës: artistit që kërkon mbështetje, sfidë, përplasje idesh, dhe një farë përkthimi tekstual më një anë, dhe publikut që kërkon ta përballësh, shoqërosh, dhe prezantosh me artin dhe artistin më anë tjetër. Përveçse kur puna e një artisti kërkon shumë më tepër vëmendje nga qarqe apo lëvizje artistike të veçanta se sa nga publiku i gjerë, çka është rast metodologjik dhe nevojë artistike më vete, nëse balanca anon nga njëra anë më shumë se tjetra, rreziku është i madh për të dyja palët, si për artistin, dhe për publikun.

Ndër shumë probleme kuratoriale në Shqipëri, po dua të fokusohem tek ai i teksteve që shoqërojnë ekspozitat, pasi pikërisht nëpërmjet këtyre teksteve publiku, madje edhe vetë artistët, informohen mbi protokollin që duhet të adoptojnë, si dhe edukohen për qasjen që duhet të kenë ndaj artit dhe shqetësimeve artistike. Duke mos qenë e pranishme për t’i percjellë ekspozitat aty për aty, ndodh që tekstet shoqëruese të ekspozitave t’i lexoj me ëndje dhe vëmendje për të mësuar e kuptuar diçka për ekspozitën, artistin(ët), dhe veprat e ekspozuara. Për fat të mirë, kam mjaftueshëm njohuri mbi artistët shqiptarë dhe veprat e tyre (falë Internetit dhe komunikimit privat me ta), si dhe jam trajnuar të lexoj tekste komplekse e teorike mbi artin bashkëkohor. E megjithatë, kjo nuk më ndihmon kur has në tekste të shkruara nga artistë-kuratorë të ndryshëm shqiptarë.

Ndonjëherë dyshoj mbi aftësitë e mia në shqip, por kur ua kaloj shkrimet miqve të mi që i konsideroj si më të kënduar, në mos ekspertë të gjuhës shqipe, ata më konfirmojnë se tekstet nuk deshifrohen dot. Problemi nuk është vetëm tek gjuha e përdorur për artin apo për koncepte dhe vepra artistike të ndërlikuara, të tilla që nuk mund të shmanget kompleksiteti gjuhësor, por tek një gjuhë e drunjtë, kriptike, kinse filozofike, tejet abstrakte dhe poetike, pa qenë nevoja. A thua se gjithë çfarë kuratori mund të ofrojë nuk është gjë tjetër përveç fluturimeve poetike të frymëzuara nga përjetimi i punës artistike!

Kjo nuk do të thotë se gjuha e kuratorit duhet të jetë detyrimisht e thjeshtuar, apo se mund të reduktohet aq sa t’i bëjë dëm një artisti që prezanton koncepte të ndërlikuara e që kanë nevojë për kontekstualizim. Por problemi është se shpesh herë, hasim në tekste kuratoriale të cilat nuk komunikojnë gjë tjetër perveç gjendjes së dehur të autorëve të tyre, orakuj të keqkuptuar që nuk mund të komunikojnë përveçse përçart. Arti i teksteve kuratoriale ka të tjera ligje nga arti i poezisë, megjithëse poetikja nuk duhet t’i mungojë. Tekstet kuratoriale duhet mbi të gjitha të komunikojnë frytshëm me një gamë të gjerë lexuesish, që nga më profesionisti i fushës së artit e deri tek lexuesi më i rastësishëm.

Ndërkaq, ndodh që në Shqipëri, përveç artikujve të gazetave, të cilat në fund të fundit thjesht sa parafrazojnë, teksti kuratorial është e vetmja formë e komunikimit me publikun, dhe si e tillë, i ka rënë barra të jetë edhe teorik, edhe akademik, edhe kontekstualizues, dhe gjithçka tjetër. Sado që idealisht, teksti kuratorial është vendi i duhur për të shpalosur jo vetëm përshtypje personale, por edhe akademizma dhe teori, niveli me të cilën bëhet kjo në Shqipëri, o është i tepërt, o është i mangët. Pra, megjithëse në tekstet kuratoriale mund të bujnë edhe specie të tjera diskursesh përveç atij komunikativ dhe kontekstualizues, është e tepërt që po këto tekste të ngarkohen me teori dhe filozofi opake personale të kuratorëve të rastit, apo që të përdoren për të ushtruar autorët dorën në publiçistikë, po aq sa ç’është e mangët që aty të hidhet një term i pakontekstualizuar nga Bouriaud, Groys a Kant, për piperosje, a shpalosje erudicioni, kush e di.

Ndërkohë që ligjërimi në shqip ka nevojë për lëvrim dhe zhvillim, (pse jo edhe për eksperimentim, si në lëmin e teorisë dhe në atë të përshtypjeve; apo qoftë edhe në lëmin filozofik, në daç mbi artin e në daç mbi “avlli” të tjera) ajo që na ofrohet ndodh të jetë shpesh herë masturbim intelektual më një gjuhë qëllimshëm të vështirë, e cila funksionon jo vetem si maskim i të mos pasurit gjë për të thënë, por edhe si shenjë e një autoriteti të rigjetur, madje edhe si zgjatim i të qenit artist — mundësisht i pakuptuar.

Në fakt, kjo është simptomë e mënyrës dominante se si figura e artistit perceptohet në shoqerinë shqiptare. Duke marrë parasysh rreziqet e gjeneralizimit të tepërt, duhet thënë se një brez i tërë artistësh (të cilët fatkeqësisht kanë përjetuar traumën e një regjimi të rreptë dhe brutal) kanë ndërtuar si mekanizëm mbrojtjeje një imazh për veten që do t’i shkonte më mirë shekullit të artistit romantik e të keqkuptuar nga shoqëria. Imazh narcisist dhe i dhunshëm, sa ndaj publikut dhe ndaj brezit më të ri, të cilët detyrohen më pas, me dijeni të plotë për mangësitë e këtyre artistëve kuratorë, të bëhen miq, që të kurohen nga miq që kurohen nga miq. Në vend, pra, që t’i paraqesin kolegët e tyre artistë (shpesh herë më të rinj dhe po aq në nevojë për udhërrëfim sa edhe publiku i gjerë) në një dritë sa më të qartë dhe në mënyrë sa më të kapshme, ata vetëm sa e veshin artistin dhe procesin artistik (dhe rrjedhimisht vetveten) me një petk misterioz dhe të paarritshëm. Dëmi në këtë mes u bëhet sa vetë artistëve aq edhe potencialit të teksteve kuratoriale për të komunikuar dije dhe art.

Që teksti kuratorial duhet të komunikojë, kjo nuk do të thotë se duhet të jetë ilustrativ, didaktik apo propagandistik. Përkundrazi, duhet të ketë një distancë kritike që as tekste të tilla, dhe as tekstet opake, nuk mund ta perçojnë tek publiku. Është pikërisht me anë të kësaj distance kritike, që tekstet kuratoriale e bëjnë të mundur kontekstualizimin, si për publikun prezent, ashtu edhe për një publik dytësor. Pasi ndodh që publiku mund të ndodhet në një distancë gjeografike, apo kohore nga ekspozimi i një pune, por një tekst i mirë kuratorial e bën të mundur informacionin, madje edhe përçimin e përshtypjeve, edhe për një publik të tillë.

Distanca kritike, por edhe historike, që duhet të kenë tekste të tilla, është e vetmja distancë që bën të mundur të kuptojmë nga një pikëvështrim diakronik, si artin bashkëkohor, ashtu dhe shoqërinë të cilën e prodhon dhe e konsumon. Vetëm kështu, këto tekste do të mbeten si të vetmet prova e dëshmi për çfarë ka ndodhur në skenën e artit në një kohë të caktuar. Nesër pasnesër, këto tekste do të arkivohen, dhe në mungesë të platformave të tjera ku mund të informohemi mbi artin, do të përdoren nga hulumtuesit për të kuptuar dhe historicizuar artin në Shqipëri.

Duke mos pasur, pra, një kritikë të zhvilluar, publikime akademike, gazetarë që bëjnë punën e tyre, blogje të mirëmbajtura nga aktorë të ndryshëm individualë apo kolektivë në skenën e artit, apo platforma të tjera ku të mund të diskutohet për artin, barra iu bie këtyre teksteve të jenë gjithëpërfshirëse dhe të luajnë role të ndryshme, brënda një hapësire prej jo më shumë se një a dy faqe tekst. Por kur këto tekste nuk mund t’i deshifrojmë dot as sot, (madje për disa syresh jam gati të vë bast se pa mbushur mirë java as autorët e tyre nuk do jenë më në gjendje të tregojnë me sinqeritet të plotë se ç’kanë dashur të thonë) për historianët do të jenë si të shkruara me hieroglife.

Në përfundim, nuk dua të tingëlloj si ai që veç ankohet prej së jashtmi, ndërkohë pa i njohur shqetësimet e atyshme dhe pa ofruar gjë. Në 2012, pasi lexova një tekst dembel, gati abstrakt, dhe aspak bujar të një artist-kuratori në lidhje me ekspozitën e një artisti tjetër, puna e të cilit besoj se meritonte më shumë vëmendje dhe bindje, reagova shpejt e shpejt në Facebook ku dhe e lexova. Minuta pas komentit tim, marr një mesazh privat nga vetë artisti, i cili pohon që teksti i ishte dukur edhe atij po aq i dobët dhe i padeshifrueshëm, megjithëse ishte shkruar për punën e tij. Ndër të tjera, thotë: “Ndaj të njëjtin mendim edhe pse nuk më takon personalisht të komentoj publikisht, kjo ekspozitë për mua ka qenë gjithashtu një përballje edhe me ato që me pa tjetër kanë dashur të kurojnë ekspozitën, duke mos e kuptuar aspak atë.”

Po njësoj, dhe në lidhje me po të njëjtin artist-kurator, para disa javësh isha në Tiranë dhe një tjetër artist më thotë që po përgatit një ekspozitë vetjake për në pranverë. Pa e pyetur unë, më tregon, si për t’i paraprirë ndonjë vërejtjeje nga ana ime, se për kurator s’kishte si mos zgjidhte tjetër, qoftë për hatër miqësie, qoftë për fuqinë që ky artist-kurator ka në skenën lokale, ku mosthirrja e tij si kurator mund ta dëmtonte artistin në fjalë. Ashtu si dhe artisti më sipër, edhe ky artist më shprehu të njëjtën pakënaqësi: që kuratori jo vetëm që nuk ia kupton punën dhe nuk merr parasysh dëshirat e artistit për ekspozimin e punës së vet, por edhe rrezikon të stampojë vulën e vet mbi të.

Dua ta mbyll, pra, me një thirrje për artistët e sotshëm. Një ekspozitë vetjake, për çka vlejnë më tepër vërejtjet e mësipërme, nuk ka nevojë për një kurator, as për një tekst kuratorial që ta sanksionojë artistin dhe punën e tij. Por si kuratori, ashtu edhe teksti, jane të vlefshëm vetëm nëse kuratori luan rolin e një bashkëbiseduesi për artistin, teksa ky i fundit përgatitet të paraqesë procesin dhe punën e vet jashtë studios. Teksti shoqërues arrin të artikulojë kështu, pikërisht këtë marrëdhënie mes kuratorit, artistit dhe publikut, ku kuratori krijon atë distancën e duhur kritike duke funksionuar herë si mëkëmbës i njërit herë i tjetrit, por kurrsesi duke veshur petkun e figurës autoritare. Çfarëdo qofshin politikat e artit në vend, askush nuk zotëron autoritet më të madh për të kontekstualizuar punët tuaja se sa ju vetë. Tekstet për të cilat po flas këtu, e që do të ishte për turp t’i thërrisja në emër autorët e tyre, shpesh herë janë shkruar në një shqipe jo thjesht të varfër, por që nuk është as shqip fare. Është detyra juaj t’i dilni për zot mënyrës se si puna juaj duhet paraqitur. Nëse duhet patjetër të keni një tekst kuratorial, jo vetëm që ju bie barra ta korrigjoni vetë, si në nivel gjuhësor dhe në nivel idesh, por ky tekst as që mund të konsiderohet përfaqësues i punës tuaj pa vulën tuaj të miratimit. Aq më tepër duhet të bëni kujdes nëse jeni artistë të rinj e të paprezantuar mirë në skenën e artit, pasi në fund të fundit, përshtypjet e para janë gjithçka.

Pa Komente

  1. Eriola ky shkrimi me kenaqi shume per dy arsye: 1. Mesova plot per gjera qe nuk i dija absolutisht fare dhe 2. Shkrimi bie ne kategorine e narratives (me fal) qe po zhvillohet qe prej kohesh (por me shume kete javen e fundit) tek ky bllog.
    Per te paren do flas fare pak. Une jam filistin (me fal prape) kur vjen puna tek kuratori, artisti dhe merredhenia midis tyre. Megjithate, ne ato pak ekspozita (jashte Shqiperise) qe kam shkuar me eshte dukur qe roli i kuratorit gjithmone luhat midis gate-keeper, qe me ben te ndihem fare injorant persa i perket tematikes se vepres se ofruar, dhe sqaruesit te qellimit te autorit. Gjithmone ndjehem me i kenaqur kur kuratori eshte fiks ne mes te ketyre dy roleve; sa sqarues aq edhe qortues per dembelizmin tim. Megjithate ka raste kur pershkrimi i kuratorit me ben te skermis dhembet me njefare dashakeqesie qe zakonisht e kursej per insektet shtepiake. Kete tendencen per te qene teorik pertej te nevojshmes e shoh tek te gjithe ata qe jane te rinj ne zanatin e zgjedhur, biles edhe ne zanatin tim. Te rinjte gjithmone tentojne te kryejne rolin e palloit “peacocking”, kurse ata me te vjetrit gjithmone e dine qe me e rendesishme eshte ideja/intuita se sa konstrukti teorik.
    Persa i perket pikes 2, ky pasazh mu duk shume domethenes:

    “…se për kurator s’kishte si mos zgjidhte tjetër, qoftë për hatër miqësie, qoftë për fuqinë që ky artist-kurator ka në skenën lokale, ku mosthirrja e tij si kurator mund ta dëmtonte artistin në fjalë. ”

    Me duket si nje nga ato fenomenet e transplantimit te nje institucioni perendimor pa u menduar shume per adoptimin e tij ne kushtet e vendit (xhaxhai ketu do te thoshte dicka per kastravecin dhe shkretetiren). Gjithashtu me duket nje forme e drejtperdrejte e institutional capture, ku nje numer fare i vogel oligarkesh mbizoterojne ne nje aktivitet te caktuar sepse me hir apo pahir kane zaptuar kapistallet e nje kali qe pothuaj po ngordh. Per kete arsye me duket me vend keshilla jote per artistet e rinj. Megjithate do te thosha qe oligarkia artistike ne Shqiperi varet shume dhe nga mungesa e diversitetit te burimeve financiare. Kam nje pershtypje qe qendrat qe japin fonde ne Tirane jane te pakta, dhe detyrimisht numri i njerezve (vendas) qe kane ne dore dhenien e fondeve duhet te jete i paket. Ndoshta me liberalizimin e levizjes artistet Shqiptare mund te sigurojne fonde pertej kufijve te vendit. Per kete strukture nuk di pothuajse asgje. A eshte e lehte qe nje artist Shqiptar te dergoje nje dosje te punes se tij diku ne Europe (apo edhe ne Suriname ra llafi) dhe te nxjerre fonde? Nese po, a ka nje deposite informacioni (information repository) qe t’ia beje te lehte kete pune artistit Shqiptar? Nese jo, a eshte e lehte qe te krijohet dicka e tille?
    Une nuk e kam njohurine per te folur me autoritet per problemet e artistit dhe publikut, por me duket qe ndihma qe mund tu jepet atyre qe mundohen sinqerisht te krijojne dicka origjinale (dhe jo atyre qe u pelqen era e origjinalitet) eshte te clirohen nga zgjedha e rrethanave Shqiptare.

  2. Si ne te gjitha fushat e kontekstit shqiptar, majmuneria shpesh here imperat! Edhe ne lemen kuratoriale kemi personazhe qe marrin poza; sic kemi personazhe qe marrin poza artistesh; personazhe qe marrin poza aktoresh; personazhe qe marrin poza regjizoresh; personazhe qe marrin poza profesoresh; personazhe qe marrin poza drejtoresh; personazhe qe marrin poza ministrash; personazhe qe marrin poza politikanesh; personazhe qe marrin poza presidentesh; dhe jane te gjithe te ethshem per te shfryre dufet ne skenen teatrore te se perditshmes. Natyrisht qe edhe kualiteti i se perditshmes sone bie ndjeshem me personazhe te tille.
    Ka nje zgjidhje, dhe eshte e vetmja. Duhen dhene emra dhe mbiemra. Nuk eshte ceshtje politically correct, por eshte ceshtje higjene. Higjene te se perditshmes.

    1. Autorjen me duket mua e shqeteson dukuria ne pergjithesi, pavaresisht nga emrat e perveçem dhe shembujt konkrete.
      Megjithate, nese ndokujt i duhen shembuj ilustrues dhe konfirmues, mjafton te kerkoje ne internet dhe do te gjeje plot te tille. Ja p.sh. disa shembuj i keni ketu:

      http://www.gka.al/Ekspozita/te_shkuara.shtml

  3. Elton,
    Arti bashkekohor ne Shqiperi eshte vertet i importuar nga jashte. U soll dhe u adoptua in toto si arti i nje rendi te ri post-socialist, kapitalist, dhe global. Njesoj dhe roli i kuratorit. Edhe pse kemi mbi 20 vjet qe kemi e gezojme art bashkekohor ne Shqiperi, akoma nuk kemi pervetsuar gjuhen, metodologjine, dhe raison d’etre te artit ne rendin e ri, pra, vete praktiken e te berit, ekspozuar, dhe pare ate. Si cdo aspekt tjeter i shoqerise dhe sfera e artit eshte monopolizuar nga figura me emra te pervecem qe diten ta vendosin veten ne qender te saj dhe vazhdojne sot e kesaj dite te gezojne pushtet mbi skenen dhe vertet te luajne rolin e gatekeeper-it ne sensin se kush ekspozohet, del jashte, financohet dhe kush jo. Fondet shperndahen nga shteti ose nga fondacione te huaja qe operojne sa brenda sa jashte vendit. Dhe sado qe liberalizimi i vizave po ben te mundur qe te pakten artistet te dalin e te shohin artin jashte e te krijojne rrjetet e tyre personale e profesionale, perseri fondet e mundesite per me shume se aq kontrollohen nga lart. Clirimi nga zgjedha e e rrethanave ne Shqiperi vjen vetem me t’u larguar nga Shqiperia, ose te pakten keshtu mendojne pothuajse te gjithe artistet ne vend. Por mos gabohemi, shume prej problemeve qe po diskutojme ketu nuk jane te izoluara tek ne. Perendimi perjeton plot te tilla gjithashtu, pa cka se ne nivele e aspekte te tjera.

    Romeo, Sa per emrat, e kam bere mjaftueshem ne platforma te tjera, madje, u kujdesa ne kete shkrim mos perdorja emra te pervecem, pikerisht sepse te njejten kritike mbi nje tekst, ma moren si ofendim ndaj personit. Fenomeni ekziston, dhe nuk eshte fenomen i izoluar tek nje pakice personash qe edhe emrat e pervecem te jene te rendesishem.

    1. Shkruan:

      Sa per emrat, e kam bere mjaftueshem ne platforma te tjera, madje, u kujdesa ne kete shkrim mos perdorja emra te pervecem, pikerisht sepse te njejten kritike mbi nje tekst, ma moren si ofendim ndaj personit.

      Në fakt, eseja i ka emrat e përveçëm, por si gropa. Romeoja ka pa dyshim të drejtë në parim, por unë e kuptoj edhe vendimin e Eriolës për t’i lënë emrat jashtë, meqë gjithnjë ekziston rreziku që një shkrim që godiste me emra do të lexohej menjëherë si një shkrim kundër këtij apo atij personi (“Aha, me filanin e paska pasur!”); dhe jo si denoncim i një dukurie simptomatike. Kjo tingëllon si auto-censurë, por në fakt duhet pasur parasysh, nëse duam që shkrimi të mbetet problematizues, jo thjesht denoncues.

  4. Eshte mire qe te mesohemi me venien e pikave mbi ‘i’ dhe te dalim nje here e pergjithmone nga loja e “Aha, me filanin e paska pasur!”. Per te ngritur nivelin e diskutimit ndaj ketyre perthjeshtimeve qe mund te akuzojne kritiken le te themi me Umberto Eco-n qe jemi te interesuar ne ‘intentio operis’ dhe vetem pas kesaj dhe si rrjedhoje e kesaj ne ‘intentio auctoris’. Nuk eshte se do te nxirret ndonje e vertete absolute, dhe mbi te gjitha askush nuk rrezikon ‘auto da fe’ sot, por gjithsesi me ‘intentio lectoris’ – pra me venien ne diskutim/ballafaqim edhe te vete njohurive te kritikut – konteksti do te perfitonte ndjeshem. Personalisht me duket sikur kritika i jep alibi mediokritetit qe te mbijetoje ne kesi rastesh. Mbetem gjithnje i mendimit te higjenes se perditshme, sidomos kur behet fjale per gjene apo institucionet publike.
    P.S. Persa i perket ‘emrave te pervecem te thene, por si gropa’ une i shoh si prirje te nje kritike intelektuale te larte qe i perket nje konteksti perendimor teper akademik. Ketu nuk ka asgje te keqe, por e shoh si me urgjente nevojen per t’i transmetuar dicka konkrete nje publiku (mos harrojme: TAKSAPAGUES!!!) qe jo detyrimisht eshte i specializuar mjaftueshem per te kapur dhe kuptuar nje ‘omisis’ delikat te cilin njohuria akademike e ka te thjeshte per ta deshifruar. Nuk eshte ofendim te jesh materialist … apo jo?

  5. Me duket se ky shkrim i nje tematike te rralle jep mundesi qe implikimi i kuratorit te shihet edhe pertej formulimit te teksteve paraqites dhe pa dyshim teper me larg qartesise se tyre.
    Linku qe solli Relapso me rikujtoj pyetjen qe me lindi ne ate kohe, pra kur e lexova shpalljen e pare te Onufrit te fundit dhe « Elozhet e dyshimit » si nje « stermbullar » i saj : Kush e percakton tematiken e nje ekspozite te përmasave te tilla qe ne rastin konkret i ngjante nje teze qe u jepet te zhvillojne klasat e matures? Po qe se eshte kujdestari i saj, si vepron ai, i zgjedh veprat sipas idese se tij fillestare, apo kerkon ne fondin e artisteve dhe kur nuk gjen gjera qe i perputhen idese se tij, ne menyre « arbitrare » percakton paraqitjen e tyre ne nje drite te tille qe edhe artistit kurre nuk i ka shkuar ne mendje ?
    Se me duket se imponimi i nje tematike te tille ne Onufrin e fundit shkaktoi jo pak probleme ne origjine te te cilave ishte tamam nje ide « farfelu » e kujdestarit te saj.
    Pse ta bejme thjesht kur mund ta komplikojme, sikur thoshte ai.

  6. Lyss,
    Onufri i fundit, jo shume ndryshe nga Onufret e me parshme, u organizua ne kohe rrekord, dhe me vendime qe nuk di kush i mori e per interes te kujt. Tematika ishte zgjedhje e te perzgjedhurit kurator Italian te rradhes. Nje fare keqkuptimi apo ekzagjerimi i situates ku operojne artistet Shqiptare dhe ne fakt te prekaritetit (precarity) qe jo vetem artistet vuajne sot, globalisht, edhe pse termi prekariat nuk u perdor ndonjehere si politik qe eshte dhe qe ndoshta do ta kishte pasuruar konceptin e varfer. Tekstin e thirrjes per “Elozhe Dyshimi” e kam lexuar dhe ne shqip dhe ne anglisht dhe per be nuk kam kuptuar cfare ka dashur te thote autori. Ishte tekst jo vetem i shkruar keq, por i keq konceptuar dhe i pa qarte ne cfare kerkonte nga vetja, artistet cfare i ofronte publikut. Tekstet didaktike (shkrimet ne muret e galerise per secilen veper) ishin po aq shatra-patra sa aty per aty nuk i lexova dot se me pengonin te shikoja e kuptoja punet, por i fotografova dhe me vone kur i lexova me erdhi keq per ato qe i kan lexuar ne salle dhe kane humbur kohen.

    Nje tjeter keqkuptim qe ka ndodhur ne Shqiperi eshte pikerisht ky i kurimit te ekspozitave kolektive, me tematike. Ne Shqiperi, sic ndodh per Onufrin e shume ekspozita te tjera, tema zgjidhet pothuajse gjithmone para se kuratori te bej ate qe ka per detyre: te bej pune kerkimore, te shoh sec po prodhojne artistet ne forme e permbajtje. Por artistet thirren si per gosti ti pergjigjen tematikes qe kuratori (shpesh here i huaj) ka perzgjedhur dhe artistet duan s’duan jane te detyruar qe punet e tyre ti modifikojne ne ide e qellim per tiu pershtatur se perndryshe nuk do ekspozonin ndonjehere. Pak here ndodh qe nje artist te krijoj nje pune enkas per nje ekspozite me tematike te paracaktuar dhe kjo kur ndodh eshte po aq shkel e shko sa c’mund ta imagjinosh, sepse mungon ai komunikimi e bashkepunimi qe kam permendur ne shkrim. Nuk ka kuratore sot qe komisionojne pune, me kete nuk kam parasysh qe porosisin pune, por qe punojne me nje artist per nje kohe te gjate per te prodhuar nje pune specifike. Kjo dhe se nuk ka kuratore qe jane me te vertete te angazhuar ne skene dhe qe punojne pertej projektit te rradhes apo qe ndjekin punen e nje artisti per nje kohe te gjate dhe te vazhdueshme. Jo se ka artiste qe jane konsistent ne punen e tyre, po kjo teme me vete.

  7. Une mendoj qe arti vizual eshte shume i dobet che i prapambetur ne shqiperi. Dikur ka qene pak me tepr i zhvilluar erdhe pse me kontekse ballkanike. Kuratori sado perpiqet ta mbuloje me tekst vepra nuk jep shume. Gjitashtu arti vizual eshte shume i izoluar si forme che ne mardhenie me elemente brenda tij. Kuratoret ne Shqiperi ka dhe do kete dhe me shume por cilesi a evepres ka rendesine kryesore.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin