Bota online, veçanërisht anonimiteti, ka krijuar ekologjinë e vet tashmë, me gjithfarë speciesh në ndërveprim mes tyre.
Kemi pasur rast të flasim për troll-ët, figura të zhurmshme dhe turbulluese, të cilët haptazi duan t’i minojnë në mos shkatërrojnë debatet dhe bisedat.
Më pak njohim një specie tjetër, e cila ka arritur të shumëfishohet me sukses – dhe që, në taksonomitë e faunës online, njihet si concern troll.
Ky lloj troll-i komenton duke shprehur “shqetësimin” e vet, se mos shkrimet dhe komentet e të tjerëve, në një forum ose blog, po hyjnë në konflikt me autoritetin, të çdo forme.
Concern troll-i shkruan:
E kuptoj se çfarë kërkon të thuash, por kjo mund të interpretohet si anti-shqiptare.
Ose edhe:
Nuk di nëse është momenti i përshtatshëm/mjedisi i përshtatshëm për t’i thënë këto gjëra, të cilat me siguri do të keqkuptohen.
Dhe më në fund:
Unë të ndjek prej kohësh dhe e di se ti nuk je ashtu siç të kanë përshkruar disa, por qëndrimi yt do të merret si pro-serb.
Si rregull, një concern troll nuk bie dakord me çfarë ke thënë ti, por në vend që ta shprehë haptazi mospajtimin, ia delegon atë një pale të tretë imagjinare – duke shmangur ballafaqimin e drejtpërdrejtë me ty dhe duke i dhënë kësaj pale të tretë një konsistencë të cilën ajo kushedi nuk e ka.
Concern troll-i thotë:
Unë kam respekt të madh për ty, dhe e di që ti nuk je nga ata që do të flisnin me përbuzje për “malokët,” por kam frikë se një person me origjinë nga Muthi nuk do ta gëlltiste dot lehtë këtë që ke shkruar.
Ky “person me origjinë nga Muthi” nuk ekziston, as është prononcuar gjë për çështjen në fjalë; është një krijim, një figment i concern troll-it, personazh i freskët i një mini-farse, i cili ka për mision të flasë me gojën e krijuesit të vet, por i zhveshur nga përgjegjësia përkatëse.
Concern troll-i mbetet i tillë edhe kur nuk të flet ty drejtpërdrejt:
Unë e kuptoj që gjithkush ka të drejtën ta jetojë jetën e vet private siç dëshiron, por një njeri që ka shërbyer në Légion étrangère nuk mund të bëhet kryeministër, shqiptari nuk do ta pranonte këtë.
Vëreni dy segmentet e ndërhyrjes: në krye, ky lloj troll-i bën sikur rreshtohet me ty (ose me dikë tjetër në debat), por pastaj shpreh një pikëpamje krejt të kundërt, duke ia atribuar grupit imagjinar përballë – në rastin konkret, “shqiptarit.”
Gjatë fushatës elektorale para zgjedhjeve të fundit në Shqipëri, forumet e debateve online u mësynë nga simpatizantët e PD-së, të cilët vunë maskat e concern troll-ëve dhe i “këshilluan” socialistët për “rreziqet” e të pasurit në krye një person si Edi Rama.
Në të kundërtën, sot shumë simpatizantë të PS-së i kanë marrë të njëjtat maska dhe po u qajnë hallin atyre të PD-së për faktin që ende udhëhiqen nga një figurë si Berisha.
Ndryshe nga kundërshtari, i cili të sfidon haptazi, concern troll-i hiqet si miku yt; ose si dikush që ka interesat e tu në zemër.
Të thotë:
Rastësisht vura re se ty të lavdërojnë në disa sajte nacionaliste serbe. Më vjen keq, sepse unë e di që ti nuk i përket shqiptarëve vetë-urrejtës, si F.F., G.G. dhe H.H. Ti je ndryshe.
Natyrisht, qëllimi i troll-it, në këtë rast, është të lajmërojë publikun se ty po të përmendin për mirë “serbo-mëdhenjtë.” Një person tjetër, që ka ndërmend të të sulmojë drejtpërdrejt do të thoshte:
çfarë mund të presë njeriu nga një si ti, që citohesh mbarë e mbrapsht prej serbit!
Diferenca këtu është se concern troll-i e sjell lajmin diskreditues, duke bërë sikur distancohet prej tij; madje duke u hequr sikur po lajmëron botën pikërisht për këtë distancim, jo për lajmin vetë.
Të thotë concern troll-i:
Ka njerëz që nuk të duan. Ka njerëz që thonë njëmijë e një të zeza për ty. Unë ta them këtë si mik, të dua të mirën – prandaj ki kujdes.
Alexandra Petri, që blogon për ComPost, e përshkruan mirë personazhin këtu.
Komenton concern troll-i:
Tema jote është delikate, tepër delikate, për t’u trajtuar këtu. Çështja që ngre ti qëndron, por është e parakohshme. Lexuesi do ta marrë tjetër për tjetër.
Ose më tej:
Unë e di se ku qëndron ti, por ki parasysh se ky argument mund të përdoret edhe nga pala greke, për të përligjur përndjekjet e popullsisë çame.
Një version tjetër:
Po të isha nga Lazarati, do të isha lënduar nga ky lloj leximi që i bën ti ngjarjes.
Ose edhe më keq:
Dikur të ikte koka, po të flisje kështu.
Siç e kanë vënë re, dëmi kryesor që shkakton komenti një concern troll-i është se, duke u paraqitur si shqetësim miqësor, në fakt mund të ndryshojë rrjedhën e një debati – në bazë të një kundërvënieje ose konflikti të imagjinuar.
Në thelb, ky është edhe synimi i personazhit në fjalë; meqë edhe concern troll-i është, në vetvete, një lloj troll-i. Të turbullojë, të pështjellojë, të shmangë vëmendjen, gjithë duke luajtur teatër për të tjerët.
Ai e lexon me vëmendje postin kryesor ose debatin pasues, për të gjetur atje një pikë të dobët, edhe pse anësore; një shprehje të dykuptimshme, ose që lë shteg për më shumë se një interpretim. Një shkelje të korrektesës politike, pa çka se kjo mund të mos ketë lidhje me temën.
Vëren concern troll-i, në një shkrim ku ti ke kritikuar, bie fjala, lojën e dobët të aktores Liza Roza, në filmin Kurvllik:
Kam frikë se kjo ashpërsi, në kritikën tuaj ndaj një aktoreje, mund të interpretohet nga feministet si një formë e kamufluar e mizogjinisë.
Krejt befasisht, një debat për lojën e aktorit shndërrohet në një debat tjetër, për mizogjininë e burrit shqiptar, ose anti-feminizmin. Komentues të tjerë e kafshojnë karremin, gjakrat nxehen.
Efekti anësor: largimi i vëmendjes nga filmi ku ka luajtur aq keq Liza Roza.
Problemi i fundit me concern trolls, madje edhe kur je ti vetë që i moderon diskutimet, është se nuk mund t’i dëbosh siç do të bëje, pa t’u dridhur dora, me troll-ët klasikë; sepse concern troll-i do të hiqej menjëherë si i lënduar nga pandjeshmëria jote – si mund të sillesh kështu, me dikë që t’u prezantua si mik i mirë, dhe që kërkoi të të ndihmonte, duke të ofruar largpamësinë, në mos empatinë e vet?
(c) Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.
Dukuria nuk eshte as e re e as e shpikur nga interneti.
Prej shekujsh eshte objekt studimi i retorikes, sidomos i asaj juridike dhe perdoret shpesh si strategji retorike ne sallat e gjyqeve nga te dyja palet, prokurore dhe avokate, per te ndikuar mbi vendimin e gjyqtareve.
Keto dy-tri dekadat e fundit eshte bere objekt i logjikes informale qe synon t’i zbuloje hilet (fallacies), te cilat duken ne rregull me logjiken formale klasike.
Letersia eshte e mbushur me shembuj te tille. Kujtoj nje nga perlat klasike me brilante, fjalimin e Mark Antonit te “Jul Cezari” i Shekspirit. Nuk e kam ketu perkthimin e Nolit ne shqip, por sa per ilustrim po sjell disa pasazhe ne origjinal:
Friends, Romans, countrymen, lend me your ears;
I come to bury Caesar, not to praise him.
Here, under leave of Brutus and the rest –
For Brutus is an honourable man;
So are they all, all honourable men –
Come I to speak in Caesar’s funeral.
He was my friend, faithful and just to me:
But Brutus says he was ambitious;
And Brutus is an honourable man.
……….
……….
I speak not to disprove what Brutus spoke,
But here I am to speak what I do know.
……….
……….
“Vëren concern troll-i, në një shkrim ku ti ke kritikuar, bie fjala, lojën e dobët të aktores Liza Roza, në filmin Kurvllik:
Kam frikë se kjo ashpërsi, në kritikën tuaj ndaj një aktoreje, mund të interpretohet nga feministet si një formë e kamufluar e mizogjinisë.
Krejt befasisht, një debat për lojën e aktorit shndërrohet në një debat tjetër, për mizogjininë e burrit shqiptar, ose anti-feminizmin”
Unë them se nuk ja vlen të shqetêsohesh shumë për keqkuptime. Natyrisht je i detyruar ti sqarosh ato, por përndryshe shqetësimi i tepërt është humbje e kohës së çmuar, që mund të kalohet duke kryer vepra shumê më të rëndësishme, fundja edhe në shoqërinë e kësaj Rozës.
Po ashtu do të infektoja krejt blogun me skollamento!
Une nuk i kuptoj keto fjalet e komplikuara, por them se duhet vijuar ne punen studimore pa u shqetesuar shume, perveçse nje sqarimi neutral te detyruar. Dhe ndoshta keta concern troll-et jane nisur nga nje qellim i mire pa dashakeqesi. Pra kane qene te drejtperdrejte.Ne fund te fundit e kam verejtur shpesh ne Shqiperi se studiuesit me te vjeter kane jo rralle frike. Nje arkeolog me ka thene para jo pak kohesh se ne punen e tij te gjithe mendonin se shqiptaret kishin ardhur nga X vend ne veri ne Antikitetin e Vone por nuk duhej folur shume per kete pasi rrezikonin shume. Une iu pergjigja se ju duheshin lene keto çeshtje te rinjve te papune, dhe nuk duhej rrezikuar. Po e sjell si shembull per te shpjeguar se njerezit shpesh nuk shkojne aq larg sa per te bere concern troll-in por i mendojne gjerat vertete ne kete menyre.
http://www.slate.com/articles/health_and_science/climate_desk/2014/02/internet_troll_personality_study_machiavellianism_narcissism_psychopathy.html
Lutem mos lëshoni links në komentet pa shpjeguar se përse po i sillni dhe çfarë përmbajnë.