Siç e di çdo leksikolog, emrat e sëmundjeve priren të ndërrojnë shpesh me kalimin e kohës, për shkak të mekanizmit tabu – eufemizëm: sëmundja nuk quhet me emrin e vet për arsye zakonisht magjike ose supersticioze, ose edhe për të shmangur stigmën që i shoqërohet; por me një emër të ri, të përafërt, eufemistik – që të ndihmojë për ta “shëruar” sëmundjen, ose për ta marrë me të mirë dhe, në kohët moderne, për t’ia larguar stigmën.
Një shembull do të mjaftonte: sëmundja e tokës është eufemizëm për epilepsinë (ky i fundit emër teknik); emri i vjetër i epilepsisë ka humbur, ndërkohë. Megjithatë, sot njerëzit e konsiderojnë edhe epilepsinë term për t’u shmangur; dhe kështu gjuha është në kërkim të një emri të ri, më pak të vrazhdë për ndjeshmëritë publike dhe private.
Ndonjëherë eufemizmi është edhe përpjekje për ta “fisnikëruar” sëmundjen: kolit tingëllon më mirë se më heq barku, edhe pse jo çdo heqje barku është kolit; njëlloj sikurse dermatit tingëllon më mirë se ekzemë, dhe mikozë më mirë se myk. Edhe kur nuk i diagnostikojnë vetë problemet e tyre shëndetësore, shumë njerëz parapëlqejnë t’i quajnë me emra të llojit eufemistik, çka varet edhe nga efekti i synuar: kështu dhimbje koke tingëllon triviale, migrenë imponon një farë respekti, ndërsa hemikrani shkakton frikë.
Për shkak të kontakteve të shtuara me mjekët, shqiptari i sotëm, sidomos në qytetet, mëson menjëherë edhe emrat mjekësorë të sëmundjeve dhe fillon t’i përdorë në vend të atyre popullorë, të cilët janë të rënduar me konotacione negative – që këtej një arsye pse, p.sh. diabeti ka zëvendësuar sëmundjen e sheqerit; sikurse më parë morbus Hansen leprën, ose lues për sifilizin.
Kuriozisht, disa nga këta emra “teknikë” e kanë burimin në përpjekjet e mjekëve për të përdorur një zhargon profesional, mes tyre ose edhe me të sëmurin; si patericë autoriteti ose, më shpesh akoma, si përpjekje për të mos e traumatizuar pacientin duke e quajtur sëmundjen e diagnostikuar me emrin popullor tabu. Kështu, kur pagëzohet prej mjekut me një emër nga manuali diagnostik, sëmundja merr kuptim të ndryshëm, nga ç’kishte kur mbante emrin provizor, që ia kish vënë i sëmuri (“të prera barku, mbajtje fryme, të marra mendsh”).
Natyrisht, edhe emrat mjekësorë, në atë masë që përhapen në përdorim jo-specialist, i nënshtrohen të njëjtës gërryerje prej tabusë; por mjekët dhe terminologët janë ndërkaq gati me sugjerime të reja. Askush nuk të thotë më se babai i vuan nga demenca senile (dhe aq më pak se i ka rrjedhur); porse i “vuan nga Alzheimer.”
Dukuria ndeshet shpesh në psikiatri, për shkak të stigmës që shoqëron shumë çrregullime mendore, sidomos skizofreninë dhe psikozat e tjera; por edhe disa neuroza, të cilat konsiderohen si manifestime të ligështisë ose dobësisë së karakterit (p.sh. histeria, agorafobia, etj.). Sot duket sikur depresion ka marrë përsipër të mbulojë krejt sferën e emrave të këtyre sëmundjeve – çka shkon në dëm të atyre që vuajnë vërtet nga depresioni.
Emri i sëmundjes lidhet edhe me diagnozën: një gjë është të thuash ti vetë se “ke dhimbje barku” dhe një gjë tjetër të të thonë se vuan nga “koliti ulcerativ”; edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar në mënyrën si të manifestohet ty sëmundja. Emrat janë veçanërisht vrastarë në raste sëmundjesh vdekjeprurëse, si kanceri.
M’u kujtuan të gjitha këto, kur po lexoja sot për një sëmundje relativisht të re, së cilës do t’i ndërrohet emri së shpejti. E njohur deri më sot si Sindroma e Lodhjes Kronike (Chronic Fatigue Syndrome, ose CFS), sëmundja ende konsiderohet nga shumë mjekë si e kontaminuar me histeri dhe ankimet e pacientëve nuk merren sa duhet seriozisht. Disa shoqata dhe organizata të tjera të sëmurëve me CFS besojnë se një pjesë e shpërfilljes për këtë sëmundje ka të bëjë me emrin e saj – dhe pikërisht me faktin që fjala lodhje (fatigue) tingëllon triviale, sa kohë që të gjithë provojmë lodhje.
Që këtej edhe propozimi, për ta riquajtur sëmundjen encefalomielit mialgjik, emër që mendohet se nuk e sjell me vete stigmën e CFS-së; dhe që me sa duket po fiton terren në ShBA dhe së shpejti edhe në vende të tjera.
Natyrisht, nuk ka asnjë mënyrë a test për ta “gozhduar” këtë diagnozë – por vetëm një konsensus se të gjithë këta pacientë, që ankohen për një mori simptomash, vuajnë në thelb nga i njëjti çrregullim, tashmë i ripagëzuar.
E megjithatë, shoqatat dhe organizatat në fjalë kanë luftuar me ngulm për ta ndryshuar emrin; duke i kornizuar këto përpjekje të tyret si pjesë e luftës së tyre në mbështetje të të gjithë atyre të cilëve u është diagnostikuar kjo sëmundje. Emri nuk është, pra, çështje kozmetike ose privilegjesh, por pjesë e trajtimit të sëmundjes vetë, në kuptim të gjerë.
Historia përsëritet. Sot asnjë vajzë a grua e shkolluar nuk do të pranonte kollaj që ta diagnostikonin si histerike – edhe sikur t’i ketë simptomat përkatëse; histeria sot përjetohet më tepër etiketë disi poshtëruese, sesa sëmundje.
Mund të pyesim nëse, së bashku me termin e ri, kemi sjellë në jetë edhe një “sëmundje” të re – dhe nëse, me kohë, pacientët e diagnostikuar me encefalomielit mialgjik nuk do ta lidhin më çrregullimin e tyre me lodhjen ose kapitjen si të tillë (të cilën dikur shumë mjekë do ta kishin diagnostikuar si asteni ose psikasteni).
Edhe kur emri i ri nuk ndihmon për ta shëruar sëmundjen ose për të përmirësuar statusin social të pacientit, përsëri mund të ndodhë që pacientët ta kërkojnë me ngulm – siç ka ndodhur, bie fjala, me sëmundjen Morgellons, e cila ka me qindra, në mos mijëra “viktima” anembanë ShBA-ve, por nuk njihet nga establishmenti mjekësor, i cili e konsideron si një lloj çrregullimi mendor (parazitozë deluzionale).
Kanë vërejtur se sëmundja Morgellons është një nga sëmundjet e para të përhapura përmes Internetit, pse viktimat e saj të supozuara e gjejnë online informacionin që u duhet për të konfirmuar dyshimet e tyre se çrregullimi nga i cili vuajnë lidhet me një sëmundje reale, jo me një çrregullim deluzional ose somatizim.
Në raste të tilla ndoshta vetë emri, Morgellons, i jep një farë dinjiteti asaj bashkësie simptomash e cila, përndryshe, do të ishte shpërfillur si formë hipokondrie ose më keq akoma (histeri).
Ky është edhe një nga rolet primare të mjekut, në imagjinatën popullore: t’u vërë emra dhimbjeve, dobësive, sikleteve dhe shqetësimeve të tjera fizike, të cilat vijnë nga brenda dhe na alarmojnë me memecërinë e tyre. Kjo do ta shpjegojë edhe prirjen e mjekësisë së sotme masive (të nxitur edhe nga interesat farmakologjike) për të funksionuar si makinë etiketuese, brenda skemës simptomë -> diagnozë -> ilaç.
Nga ana tjetër, kërkesa për t’u trajtuar me dinjitet është pjesë e të drejtave të të sëmurit; pra lidhet me aspektet sociale dhe komunikative të raportit mjek-pacient. Edhe sikur një person i prekur nga CFS-ja (ose encefalomieliti mialgjik) të vazhdojë të marrë të njëjtin mjekim si më parë, për simptomat e tij, vetëdija e emrit të ndërruar mund të ndikojë në efektin e mjekimit.
Shihni tani edhe http://www.npr.org/blogs/health/2014/01/29/268219979/does-chronic-fatigue-syndrome-need-a-new-name