Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

KUR PAGUAN AUTORI

Para disa javësh, faqja online ResPublica botoi, pa lejen time, shkrimin Tradhtia e besnikëve, të marrë nga blogu. Shkrimi im atje u përcoll nga një numër i madh komentesh, ku kombinohej egërsia ndaj autorit me moskuptimin dhe ndonjëherë shpërfilljen e argumentit – siç ndodh rëndom në këto raste.

Nuk e kuptova mirë se kë kisha shkelur në kallo atëherë, sepse komentet pas shkrimit e kishin tejkaluar edhe normën – nëse mund ta quaj kështu – të komentimit online në faqet shqip. Një shkrim i Minella Aleksit në Tema duket se ndihmon për ta sqaruar këtë enigmë.

Ky shkrim përbën një dëshmi të gjallë si etika e pështymës e ka bërë tashmë kapërcimin nga nevojtoret e Internetit në faqet e mediave; edhe pse pështyma e tillë mbetet, edhe kur nënshkruhet.

Z. Aleksi, i cili për fat të keq nuk e ka kuptuar tekstin tim, e ka parë atë si sulm kundër Ismail Kadaresë, dhe pastaj i ka dalë në mbrojtje shkrimtarit me patetizmin karakteristik të mbrojtësit që kërkon të gjejë sulm edhe aty ku nuk ka.

Me sa duket edhe ai i përket një takëmi njerëzish për të cilët Kadarenë ose duhet ta ngrësh në qiell ose duhet ta mbulosh me baltë, sa herë që ia përmend emrin.

Në fakt, shkrimi im përmendte thjesht një shembull nga një roman i mirënjohur i këtij shkrimtari, për të ilustruar dukurinë e besnikërisë në totalitarizëm.

Që Kadareja, duke qenë edhe ai vetë anëtar i PPSh-së dhe shkrimtar nga më të ekspozuarit e regjimit komunist, i ka bërë koncesione serioze atij regjimi në veprën e vet për të mbijetuar, këtë e kanë të gjithë të qartë; dhe e ka shpjeguar edhe ai vetë, më shumë se një herë.

Besoj se pa ato koncesione – duke filluar nga vjershat për Partinë dhe duke vazhduar me faqet epike kushtuar Enver Hoxhës te Dimri dhe te Koncerti – shkrimtari ynë do ta kish pasur të vështirë t’ia përcillte veprën e vet lexuesit në ato kohë të rënda; dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm, madje unë kam shkruar disa herë për këtë, se çfarë roli ka luajtur vepra e atij autori në formimin kritik të qytetarisë shqiptare nën totalitarizëm.

Të gjitha këto duhen mbajtur parasysh, kur vihesh të analizosh esenë time modeste; përndryshe nxjerr përfundime kodra pas bregut, si Aleksi – të cilin megjithatë nuk e akuzoj pse nuk e ka kuptuar mendimin tim; meqë ky ishte shprehur në një ese të botuar në një blog, ku ndonjëherë thuhen edhe gjëra të komplikuara.

Aleksi është kaq profan në interpretimet e veta, sa edhe dallimin që bëj unë midis Kadaresë autor dhe intelektual, dhe kallëzimtarit të romanit – dallim elementar për këdo që merret me narratologji dhe analiza të teksteve letrare – ngutet ta quajë “mënyrë tepër banale të shprehuri”, madje duke parë aty edhe një lidhje halucinante me kallëzimin dhe kallëzuesin.

Është vështirë të polemizosh në këtë nivel; dhe unë nuk e bëj dot. Fajin për këtë katrahurë nuk e ka aq Aleksi, sa fakti që një shkrim imi, i menduar për një publik relativisht të zgjedhur dhe të familiarizuar me konvencionet narratologjike, ka përfunduar në dorë të profanëve, ngaqë një faqe online e kopjoi nga blogu Peizazhe të fjalës dhe ia dha publikut të vet pa më pyetur mua autorin më parë.

Aleksi nuk ndalet me kaq – por pasi ka “shkatërruar” argumentin tim, vazhdon me zell të “shkatërrojë” edhe personin tim publik, duke denigruar me këtë rast, fare falas, edhe një libër timin të botuar së fundi, dhe duke u marrë me disa gjepura të tjera krejt jashtë teme, që duket sikur i ka nxjerrë nga “dosja” ime.

Shembull i një jargavitjeje ad hominem, e cila për fat të keq sot kalon për gazetari.

Tema

Nuk jam nga ata që i qasem figurës së Kadaresë vetëm me reverencë të pakufishme; por e kujtoj veten nga lexuesit më besnikë të atij autori – meqë flasim për besnikëri. Për mua, vepra kadarejane ka luajtur rol të madh në vitet e regjimit komunist, për t’i dhënë lexuesit një alternativë ndaj trushpëlarjes propagandistike të atij regjimi dhe të shkrimtarëve militantë – dhe kjo megjithë koncesionet ndaj regjimit në atë vepër dhe faktit, të mirënjohur, që edhe Kadaresë vetë iu desh të përshkojë një trajektore të gjatë ndërgjegjësimi, para se të zhgënjehej përfundimisht nga premtimi komunist për Shqipërinë.

Sot, megjithatë, asaj vepre aq të pasur dhe shumëvjeçare mund t’i qasesh në mënyra të ndryshme; mes të cilave është edhe konsiderimi i saj si dokument i madh social i periudhës totalitare; njëlloj siç e mbajmë “Komedinë njerëzore” të Balzac-ut dokument të periudhës historike përkatëse në Francë.

Në këtë kontekst, studiuesit dhe miqtë e shkrimtarit të madh e kanë për detyrë edhe morale që ta ruajnë prej turmës së puthadorëve dhe të gjithë atyre idhujtarëve që duan ta balsamosin.

Shënim: në njëzet e kusur komente të shkrimit Tradhtia e besnikëve në blog, askush nuk e pat ngacmuar referencën te Kadareja – meqë ajo referencë në shkrim ishte incidentale dhe ilustrative, jo esenciale. Edhe te komentet e panumërta ndaj shkrimit tim të nxjerrë në ResPublica (nja 80, në mos gabohem, dhe shumica kritike ndaj meje), Kadareja përmendet vetëm një herë.

Pa Komente

  1. E cuditshme kjo puna e gjykimeve te skajshme bardhe e zi qe bejne per cfaredo e per kedo shqiptaret. Para disa viteve kur shpertheu vrullshem fushata anti-Kadare (u arrit deri aty sa ne nje nga programet me te ndjekura televizive ne “prime time”, nder te tjera, te flitej per abortin e nje femije te paligjshem te vajzes se shkrimtarit ne adoleshence) ndihej nje si gezim i lig ne popull per perdhosjen si te tille. Nga ana tjeter, per idhujtaret e mitizuesit vepra dhe figura e shkrimtarit trjajtohen si ide platonike, te persosura, te pakushtezuara nga rrethanat historike apo faktore te tjere subjektive. Shkohet deri aty sa cdo kritike, sado e balancuar qofte, merret si simptome e xhelozise se kritikut, apo, me keq akoma, si shenje se ai eshte pjese e nje komploti perfid qe nepermjet goditjes ndaj shkrimtarit synon minimin e arritjeve kulturore te kombit shqiptar. Eshte per te ardhur keq qe vete Kadareja duket se u ka dhene dore interpretimeve si ky i fundit, duke folur per “strehsa”, “mohsa”, etj, si te kishim te benim me grupe te strukturuara ideologesh e aktivistesh qe veprojne, me shumti fshehtazi se haptazi, ne perputhje me nje axhende afatgjate te miremenduar.

  2. Xha Xha, për kuriozitet numërova sa herë e ka përmendur mbiemrin tënd zotëria i shkrimit tek Tema: plot 48 herë. Do të mjaftonte kjo për ta hedhur në kosh të plehrave si sulm ad hominem, ose shprehje e asaj kulture që pasi ndez ventilatorin dhe ia drejton dikujt në fytyrë, i hedh përsipër baltë ose diçka me erë të keqe. Për fat të keq, shkrimi është gjithashtu i paargumentuar, i shkruar keq dhe konfuz.

    Në këtë pikë, nuk e di se cila është pasoja dhe cili shkaku; është kultura e baltës, e pështymës, që prodhon kësisoj njerëzish, apo injoranca që ia shton radhët dhe zellin ushtrisë së pështymtarëve. Artikulli që lexova më dha përshtypjen, madje bindjen, se autori as që e kishte kuptuar fare shkrimin “Tradhtia e besnikëve”, ndërkohë që nga pikëpamja etike është i pakualifikueshëm.

    Për fat të mirë, kjo botë as fillon, as mbaron me gjykime të tilla, por kultura shqiptare ka ende punë për ta pastruar veten nga rrodhet.

    1. Nuk di pse është munduar të shkruajë zotëria, por mund të them, pa frikë se gaboj, se ky që flet kështu, është i bindur se ka edhe njerëz që e dëgjojnë dhe që e duan t’u shkruajë kështu.

      Një leximtari e themeluar mbi ekzekutimin publik të radhës; ose ekuivalenti i turmave që mblidheshin në Mesjetë, për të parë si shqyhej më katërsh dikush.

      Duke guxuar ta quaj veten këtu “person publik” (të paktën në atë masë sa më ka lexuar M.A.), po vërej se një kategori lexuesish po mësohen t’u qasen figurave publike vetëm për t’i rrëzuar përdhe.

      Meqë unë nuk e njoh këtë njeri, as i kam bërë gjë, atëherë egërsinë e sulmit të tij mund ta shpjegoj vetëm si konformim ndaj një modeli të caktuar komunikimi, të cilin nuk e ka shpikur M.A.

      Dhe kjo më shqetëson – gratuiteti i sulmit; ose fakti që ky njeri sulmon kështu vetëm ngaqë mundet. Yes he can, vërtet!

  3. Një nga ata që kanë huazuar materiale nga blogu juaj për faqet apo revistat e tyre jam edhe unë. Faqja në të cilën i kam hedhur këto materiale është e tipit shkollor me qëllim kryekëput edukativ, kështu që përjashtohet mundësia për reagime si ato të mësipërmet prej anëtarëve të saj. Por “më dogji” ajo fjala “pa leje” që përmendni për përdorimin e materialit tuaj. Kam marrë për bazë shënimin “Për të drejtat e autorit” si CC që është në fund të blogut, prandaj nuk e kam parë të arsyeshme të kërkoja leje.
    Gjithsesi ju falenderoj për cilësinë e shkrimeve të blogut.
    Me respekt R. Naco.

    1. Natyrisht, ajo “pa leje” u drejtohej mediave – dhe këmbëngulja ime për këtë nuk është vetëm formale, por edhe synon të parandalojë keqleximet, si ky për të cilin kam folur më lart. Këto media i marrin shkrimet e mia, por nuk u dalin zot.

    2. Respublica nuk e ka respektuar licencën e blogut. Licenca (http://creativecommons.org/licenses/by/3.0/#) kërkon shprehimisht, mes të tjerash, botimin bashkë me materialin edhe të një lidhjeje për te ai në Internet:

      If supplied, you must provide the name of the creator and attribution parties, a copyright notice, a license notice, a disclaimer notice, and a link to the material.

      Te botimi i saj thuhet tekstualisht “Nga blogu Peizazhe të Fjalës” por kjo copëz teksti është e paklikueshme.
      Mund të jetë thjesht pakujdesi, mund të jetë e qëllimtë. Çfarëdo qoftë, nuk është në pajtim me http://creativecommons.org/licenses/by/3.0/

  4. kam komentuar ne ate postim tek respublica, duke e quajtur te gabuar publikimin e shkrimeve te stilit tend ne faqe si ajo. Te kerkoj ndjese se nuk e dija qe behej fjale per nje publikim pa leje.

    Sa per reagimet, i quaj plotesisht normale dhe * te merituara *. Trendi i fundit online i shqiptareve eshte nacionalizmi militant dhe islamofobia militante. Ti xhaxha ne shkrime te dikurshme ke treguar qe nuk je as nacionalist dhe as islamofob. Kjo del dhe tepron qe edhe sikur te botosh nje artikull per Pink Floyd apo per rolin e harabelave ne ekosistem, te te quajne tradhetar, te shitur tek greket, turqit, moikanet etj..

    Sa per artikullin e M. Aleksit, hesapi eshte me i thjeshte. Ja ka fut si kau peles.

    1. Tamam, Elton. Gabimi fillon që te nxjerrja e dhunshme e një shkrimi nga konteksti i vet natyral, dhe sidomos shpërfillja e vullnetit të autorit për ta botuar ose jo diku. E drejta e autorit ka edhe një aspekt etik, nuk është thjesht për punë parash. Unë kam pasë shkruar dikur te ResPublica, kur atë e drejtonte M. Nano; por bëja shkrime enkas për ResPublica-n, duke pasur parasysh natyrën e faqes dhe të lexuesit atje. Mirëpo tani kjo vjelja e shkrimeve si në kopsht të babait është bërë normë: mjaft të shohësh si shëtitin artikujt, nga një gazetë në tjetrën. Kohët e fundit është futur në valle edhe Gazeta Ekspres, edhe pse unë kisha kujtuar, me sa duket pa të drejtë, se në Kosovë i respektonin pak më shumë të drejtat e autorit dhe pronësinë intelektuale. Ja kështu: edhe një herë tjetër pandëshkueshmëria (impuniteti) bëhet shkas për sjellje prej rruge – gjë që më trishton, sepse në rrethanat ku e bën ligjin ky ves i plaçkitjes, vetëm një res publica nuk e ndërton dot.

      1. Eshte e vertete qe vjelja e shkrimeve eshte bere norme, por kjo nuk vlen si argument qe e gjithe ceshtja te thjeshtohet ne planin “kontraktual”. D.m.th une shkruaj enkas per Express, ose Republica dhe atehere, po, le ta botojne. Aq me teper qe kam garancine se iks faqe, apo iks media ka drejtues te rrepte si M. Nano. Ky eshte parim baze, jam dakord, por nuk eshte se funksionon per ta mbrojtur autorin nga sulmet e komentuesve, apo per te disiplinuar frymen e komenteve drejt argumenteve mbi temen baze te shkrimit. Ta zeme, z. Aleksi, dikur do ta “zbulonte” “Tradhtine e besnikeve” dhe do t’i perveshej punes per te shkruar ate qe ka shkruar. Nga ana tjeter, po per intervistat tuaja, te cilat doemos do te publikohen ne faqe mediash, si do te parandalohet sulmi, kur dihet mire se ai edhe njehere do te merret me personin, meqenese kjo eshte fryma sunduese aktualisht? Apo dikur mund te vendosni qe mos te jepni as intervista? Shume mire. Nje tjeter mund te shkepuse edhe fragmente nga libri juaj, p.sh per ligjerimin ne diktature dhe serish te rivendose emrin tuaj ne qender te emulacionit kibernetik. Atehere? Si mund t’ia lexojme te drejtat ketij njeriu? Ai eshte ne te drejten e tij qe te deklaroje se libri ne vetevete, sikunder artikulli eshte nje akt publik, ndonese shkelja per te cilen ankohemi ketu eshte thjesht ne ceshtje te shperndarjes se mesazhit qe ai percjell. Edhe ne blog ketu kur shkruhet i drejtohemi publikut, megjithese teknika e moderimit e kufizon, ne mos e “censuron” shumekend qe te nxjerre briret tamam. Por teksa mediat po vesifikohen edhe me vjedhjen e artikujve tuaj, sikunder edhe te te tjereve, kjo me siguri do marre si nje perpjekje sado spontane per te “flirtuar”, qyl kuptohet, me cilesine qe sjellin penat e distances nga zallamahia propagandistike e Tiranes. Pa mohuar natyrisht edhe cilesine ne vetvete qe shumekush sjell me shkrimet e veta. Perndryshe, nje kontrate e rregullt me cdo media, ne kushtet aktuale, jam i sgurt, se ne vend te etiketave aktuale online, me siguri do t’u kishte vene ne xhep nje teser qe edhe vete nuk do ta dinit se e keni. Dhe kjo e mek shume here me teper forcen e vertete te fjales. Ne fund jam i bindur se shumekush e ka degjuar ankesen tuaj dhe me siguri do te keni benefitin e “bojkotimit”, si shenje respekti, por edhe deshmie se njerzilleku ekziston ende ne mediat shqiptare, sado qe edhe harbutlleku nuk mungon.

        1. Theollogos, do t’i kesh parë komentet që ndoqën shkrimin tim në ResPublica; mbase ke pasur kohë dhe nge sot, dhe ke parë edhe komentet që ndoqën shkrimin e M. Aleksit dhe pastaj përgjigjen time tek Tema.

          Duke qenë unë personi i shënjestruar nga të gjitha ato sulme, sharje, shpifje, insinuata dhe pisllëqe të tjera, besoj se kam të drejtë t’u kërkoj mediave të më mbrojnë emrin nga baltosja, aq më tepër kur kjo baltosje vjen nga burime anonime.

          Sikur mediat në Tiranë t’i merrnin shkrimet e mia, qoftë edhe pa më pyetur, por t’u dilnin pastaj zot duke i moderuar komentet për të siguruar frymën e qytetëruar të debatit (sepse nuk është kultivim i fjalës së lirë, që ta lejosh tjetrin të quajë autorin “gomar”), atëherë unë kushedi nuk do të ankohesha shumë.

          Nuk është çështje kontrate me autorin, por targetimi të shkrimit. Nga përvoja e shumë vjetëve them se një shkrim “i marrë hua” gjithnjë rrezikon të keqkuptohet – ndërsa një shkrim i dërguar posaçërisht për mediumin funksionon më mirë. Gjithçka pra varet nga mënyra si trajtohet shkrimi: si burim për debat apo si karrem për bretkosat e moçalit?

          Ne bashkë folëm për këtë shkrim edhe në privat, dhe unë e quajta të mbyllur atë muhabet. Nëse e hapa sot sërish në privat, këtë e bëra për të treguar se shqetësimet e mia nuk ishin gjë produkt i ndonjë paranoje ose ndjeshmërie të tepruar – por sepse njëfarësoj unë e kisha parandier se do të shpërthente gjirizi.

          Për anonimët nuk kam ç’të them – mund të jetë edhe një njeri i vetëm, ndonjë mbeturinë e përzënë nga blogu, që tani rri e nxjerr inatin kundër meje: gjëra që kanë ndodhur. Mua më shqetëson modeli i gazetarisë sonë online, i cili është duke prodhuar fjalë të dhunshme.

          Si e mendon ti këtë? A ka ndonjë lidhje midis egërsisë së pashembullt në forumet online, valës së urrejtje-thartirës, dhe dhunës që po mbizotëron gjetiu, në shoqërinë shqiptare? A po tundohet të ushtrojë dhunë shqiptari i anonimizuar?

          Ose, për ta shtruar pak më ndryshe: a mund të supozojmë se dhuna verbale e anonimëve online dhe dhuna e atyre që vriten, rrihen, përgjaken, copëtohen anembanë Shqipërisë, kanë të njëjtin shkak?

          Gjergj Meta shqetësohej për këtë murtajë sot te “Panorama” dhe me shumë të drejtë. Tek e fundit, si në Internet, ashtu edhe në rrugë të madhe, dhuna është simptomë e një komunikimi që ka dështuar, pa çka se edhe ajo vetë arrin të komunikojë.

  5. Po pse shqetesohesh kaq mor burre? Kur t’i marrin shkrimet e blogut e t”i botojne gjithandej do te thote se kane vlera. Pastaj, keshtu mberrin tek nje audience pakrahasimisht me e gjere se ajo qe te ndjek ne blog. Qe teksti i dedikuar per nje blog elitar nuk i rri mire per nga stili kornizes se te perditshmeve, kjo eshte e vetekuptueshme. Megjithate, mos harro, se riprodhimi i shkrimeve te tua neper gazeta ta shton rezonancen si intelektual publik, packa se kjo ndoshta nuk perben ndonje aspirate te vecante tenden.

  6. Kam shkruar dhe here te tjera, per raste kur del ceshtja Kadare. Kadare, nuk mund te sulmohet nga gjithe lexuesit shqiptare, por nga persona te tille, qe kane aftesi reagimi, potencial dhe nuk i gelltisin sajesat e shkrimtarit. Kadare, mbas 90-tes i eshte dashur te beje vepra si vazhdimsi e zanatit, por dhe te fuse garnitura anti diktature e anti Hoxhe, sepse ka gjysmen tjeter e vepres se tij qe e denoncon. Te me thote nje person, kush nga lexuesit e tij me dieni te plote se po lexonte Kadarene “alegorik”, ka dale deri me sot qe te jete ndeshkuar, ose te kete bere nje dokument qe ja se si ka ndikuar kunder atij sistemi vepra e Kadarese! Edhe nese eshte mbajtur Ismaili ne vezhgim, pra ka pase ndonje leter ne dosjen e informatve, nuk ka qene per guximin e tij “alegorik” me dy kuptime, por per ta mbajtur ne tension te punes dhe sherbimit qe i ka bere sistemit komunist te diktatures. Pra eshte nje velrsim qe i behet per ta mbajtur ndihmes te PPSH-se per edukimin komunist. Fakti qe ai eshte patriot, nacionalist, nuk lejon dhe reagon menjehere ndaj perdhosjes se figurave kombetare ku dhe mbeshtetet vepra e tij. Une mendoj se qeveria shqiptare do te bente nje akt te lart, nese me nje vendim te vecante t’i jepte shkrimtarit shqiptare njemilion e 300 mije dollare, sepse ja kane borxh, dhe ai do te fshinte prapanicen me cmimin Nobel, do te tallej sic eshte talle dikur! Kadare, nese nuk e kupton se duhet te jete nje obelinsk me i lart ne mes te obelinskeve te tjere ne Shqiperi, ai gabon. Le ta imagjinojme se Shqiperia kishte vetem ate si shkrimtare dhe asnje tjeter dhe ky rroku ato tema qe beri, po sa kandare do te conin ne edukimin e pergjithshem te popullit shqiptare? Bota eshte shume ma e madhe se Shqiperia, por ndikimin ma te madh njeriu i madh duhet ta kete he vendin e tij te vogel. Eshte tjeter, nese vepra e tij si shume shkrimtare te tjere disident, do t’i printe ndryshimit te madh, shembjes se sitemit komunist.. Kadare eshte shume vone, vepra e tij nuk flet per kete dhe as duhet ta kerkoje nje gje te tille, perkundrazi, ai shton koriozitetin dhe vemendjen e kompetenteve per cmim dhe kjo eshte nje “klecke” ne biografine e tij dhe do ta ndjeke pas kurdehere!

  7. Burra!

    Kjo shpreje agresiviteti (absurd) perkundrejt ideve te nje njeriu, s’ka si te mos jete tjeter, pos, pasqyrim i kamzhikosjejes mendore qysh ne foshnjeri. Dhe me tej, i rremujes emocionale te nje jete jetuar nen kercenimin e vazhduar te frikes.

    Ngase kjo eshte frike qe ne te gjithe e kemi ndjere ne lekure, ne nje forme a tjeter, te vjen keq per mospersosjen e mekanizmave te adaptimit, mbas miliona vjetesh evoluim. Nje sistem qe eshte i paafte te diferencoje midis frikes se domosdoshme kur te ndjek tigri dhe frikes jo te domosdoshme qe te fanepset kur neuronet te ndizen, ndersa lexon dhe nuk kupton, ose kur lexon dhe nuk pajtohesh, eshte nje sistem ngaterrestar dhe i papersosur.

    Me thon drejten, me vjen me shume keq per dhunuesit sesa Vehbiun ne kete binom. Shume me keq me vjen! Ngaqe te shkuaren dot se c’bejme, dhe ngaqe ca e paten fatin me te madh se te tjeret, (perzgjedhje biologjike, shoqerore, rastesore, kohore) ju ftoj ta shikoni nen kete drite “se c’u tha, e se c’u be”.

    Xhaxhai do bej c’do bej dhe do ta kaperxej vilanepsjen e perkoshme duke shkruar artikullin tjeter te rradhes. Ndoshta nje frymezim me i harlisur do ta zere, si kolla. Ndoshta nje artikull me interesant do te dale ne drite. Ndoshta jo, xhanem, ku i dihet!

    Disa nga ne do te lexojne artikullin e radhes me kuriozitetin e rradhes. Do te shkartisin mendjen ne shkembimet e zakonshme varavingo, pastaj do te shkojne te marrin femijet nga shkolla.

    Disa te tjere do te pyesin veten – mor po, kam urryer sa duhet, ata qe duhen urryer sot, apo me ka ikur dita dem? – pastaj, do te shkojne te marrin femijet nga shkolla.

    E keshtu, nje dite tjeter do te rrokulliset.

    Burra.

  8. Kam vene re se sa here qe preket çeshtja e qendrimit politik te Kadarese gjate regjimit dhe sa here qe sillet ndonje shembull apo argument ne mbeshtetje te implikimit te Kadarese me diktaturen reagimet jane tejet te ashpra.
    Kohet e fundit lexova nje reagim te ngjashem ad hominem te Ndricim Kulles ndaj Sabri Hamitit qe e merrte shkasin nga nje kritike politike qe ky i fundit i bente Kadarese.
    Diskutimi, sa absurd aq edhe foshnjak, niset nga premisa e gabuar se vlera e Kadarese si shkrimtar duhet matur me meter politiko-ideologjik dhe jo letrar.

    Sa per komentet ne ResPublica ato jane te shpjegueshme. Eseja e Xha Xhait ishte nga ato lloj shkrimesh-pasqyre ku te gjithe detyrohen ta shohin veten. Dhe kujt nuk i pelqen fytyra e vet, inatoset me pasqyren.

    Xha Xha, nje pyetje: ku e ke gjetur termin “kallezimtar” per narrator?

    1. Kur më pyete për këtë term – kallëzimtar – u kujtova se nga e kam gjetur, meqë mbaj mend të kemi pasur diskutime për të.

      Dhe ja si – në fund të viteve 1980, vendosëm të botojmë një antologji të mendimit semiotik letrar perëndimor; Ardian Klosi e koordinonte projektin që nga shtëpia botuese Naim Frashëri, dhe unë, Rando Devole ndonjë tjetër merreshim me përzgjedhjen dhe përkthimin e materialeve.

      Na duheshin dy terma në shqip: njëri për narratorin e tekstit, ose personin që thotë “unë” në tekst (le sujet de l’énoncé); tjetri për subjektin e thëniezimit (le sujet de l’énonciation), ose subjektin që prodhon tekstin letrar, përfshi edhe “unin”, nëse ka të tillë.

      Vendosëm ta quanim rrëfimtar të parin, dhe kallëzimtar të dytin; duke pasur parasysh që koncepti i kallëzimtarit (sujet de l’énonciation) është më i vështiri dhe ndoshta më i rëndësishmi.

      Kështu, te “Kronikë në gur”, rrëfimtari (subjekt i thënies) është fëmija që flet në vetë të parë, ndërsa kallëzimtari (subjekt i thëniezimit) është ai që, që në fillim të romanit, e krahason qytetin me një amebë; tani, fëmija nuk ka se nga ta dijë amebën, prandaj kjo amebë vjen nga dikush tjetër; por që do të ishte gabim ta identifikonim me autorin e romanit, meqë ky është person real, i ndryshëm nga projeksioni i autorit në tekst (ose auctor in fabula).

      Kjo e jona ishte një zgjedhje pak a shumë arbitrare, pasi shqipes i mungonin këto dy terma. Që nga ajo kohë, unë ashtu i kam përdorur; madje edhe në esenë e gjatë “Për një histori formale të letërsisë shqipe,” të cilën e kam botuar, ndër të tjera, edhe te Fraktalet e shqipes.

  9. Nuk mund te merret dot e mireqene qe reagimi i M. Aleksit te jete thjesht nje keqkuptim. Ai shkrim do e kete ngacmuar ne tre pika e meqe duket se ta ka bere bene me kohe, ky ngacmim i fundit derdhi kupen e durimit te tij.
    Pika e pare natyrisht eshte Kadareja, meqe xha xhai ka aktivitet relativisht te njohur si antikadareist( apo te perceptueshem gjeresisht si i ketille). Pika e dyte eshte sulmi ndaj regjimit komunist, meqe xha xhai nuk pershtatet me masen e gjere majtiste qe s’e godet asnjehere haptazi e pa dorashka. Pika e trete, po s’jam i sigurte si per te parat, besoj se lidhet me psikanalizen.

    Ngacmimi i trefishte qe gjendej tek ai artikull e ka bere ate zoterine te mos shohe me nga syte e te beje ate shkrim aq te gjate, te lodhshem e te lodhur.

    Sa per pagesen e paguar prej autorit, ankesa me ngjan caze e tepruar, meqenese blogu eshte publik dhe nese dikush don te sulmoje, mjaft te hyje e te lexoje. Mosmarreveshja e shkrimit, ne kuptimin e mosperhapjes, mos-marrjes-vesh, nuk besoj se perben ndonje mbrojtje reale, edhepse ne periudhen afatshkurter mund te rezultoje e suksesshme. Qe te merremi vesh, e kam fjalen per pjesen qe nuk lidhet me te drejtat e autorit.
    Jo te gjithe fajin e ka parajsa, ka faj edhe Mosmarreveshja.

  10. Përftimi i K. në Shqipëri, përftimi i K. për Shqipërinë, i shqiptarëve, por edhe K-së për vetveten dhe “Mosmarrëveshja” mes këtyre këndvështrimeve e bëjnë pothuajse të pamundur, të paktën tani për tani, ligjërimin e natyrshëm, siç do të duhej e do ta dëshironte dikush që parapëlqen të jetë veç shkrimtar. Në ka faj në këtë situatë absurde – pasi absurditeti nuk para pranon fajtorë, por veçse rrethana – ai mund të gjendet fare lehtë në të gjithë aktorët e kësaj pjese.
    Mjafton të krahasohet mënyra se si përftohet një nobelist bashkëkohor në vende të tjera, ta zemë Günther Grass në Gjermani, për të vënë re jermin që shoqëron subjektin K. në fjalë. Vetë K., për fat të keq, bën gjithë ç’mundet për ta mbajtur atë gjallë, kur nuk do t’i duhej në të vërtetë të bënte thjesht asgjë.
    Nuk është nevoja të shtohet këtu se K. është shkrimtar i mirë – po ia kursejmë vetes epitetin “i madh” në rrafsh global, pasi do të dilnim kështu në një numër marramendës të mëdhenjsh për të relativizuar kështu përkundër madhësinë, por, padyshim, ai është shkrimtari më i madh shqiptar derimë tani. Ne dimë edhe shumë e shumë shkrimtarë të tjerë “të mëdhenj” si Agolli p.sh., statusi diktatorial i të cilëve për habi nuk diskutohet asfare, gjë që flet në favor të K-së, pasi është shenjë se ai – ose, më mirë vepra e tij – vazhdon të jetë ende gjallë dhe si e tillë ngjall po ashtu ndërveprim, ndonëse ky i fundit është – siç shumëgjë xhanëm në Shqipstan – i fandaksur e pothuajse delirant.
    Por edhe XhaXhai nuk ka pse të habitet a preket nga kjo: mendojmë se duhet ta kish parashikuar se reagimi do të qe ashtu e me siguri e ka parandjerë, ndërsa për lëndimin e zhgënjimin që pason të vërtetën i sugjerojmë ta shohë si klithmën e dikujt, të cilit i i është vënë gishti në plagë.
    Në na lejohet të blasfemojmë ca, do të shtonim p.sh. që “Dimri i vetmisë së madhe” është vepër, ndonëse e shkruar mirë, në thelb antihumane (nëse do të përdornim thirrjen “Enver-Hitler” të dhjetoristëve dhe zëvëndësonim mikroborgjezët me hebrenjtë, fjala vjen), por kjo do të kërkonte një shkrim më vete e nuk po duam t’i shtojmë edhe më vaj zjarrmisë të kandilit të Aleksëve, mohsave, strehësva, sigurimsave, nënkryetarëve të F.D a kushdofshin “të fortët”, qoftë mes tyre edhe Herr K. vetë.

  11. Besoj eshte a pamundur te mos prekesh kur te qepen te tjeret me gure e bajga, apo qofte dhe kritika, edhe kur je person publik. Kjo eshte e kuptueshme.

    Njesoj eshte e garantuar qe s’ka se si te mos ndodhe kjo, piqen te gjitha kushet ne kete rast; kemi nje person publik (2xha) dhe ‘kontraversal’ (ta quajme, ne lidhje me ceshtje dhe qasje te tilla, te pakten sa i takon mases) qe boton shpesh perballe nje wild west-i sic eshte arena internetore shqiptare, perfshi ketu shume gjera qe kane te bejne me ne dhe me internetin.

    Nga ana tjeter, fenomeni do ishte i ngjashem kudo ne bote, sa i perket publikimit te shkrimeve dhe kritikave dhe lavderimeve per to. Ajo qe do ishte ndryshe do ishte etika e botimit (p.sh. patjeter vendosja e nje lidhje qe referon tek artikulli origjinal, ne shume raste do kishim vetem pesazhe nga shkrimi dhe nje lidhje per tek burimi).
    Sa i perket moderimit te faqes dhe komenteve, kjo do varionte nga media dhe lexuesit. Gjithsesi, nuk ka garanci qe moderimi i komenteve tek faqja ku huazohet shkrimi do kenaqte gjithmone autorin. As nuk mundet te ndalosh dot te tjeret per ribotim te shkrimeve; mire do ishte qe te respektonin deshiren e autorit, por ja qe s’ke c’i ben.

    Ajo qe eshte e rendesishme ama, eshte qe te zbatohet nje fare rregulli dhe common sens-i. Se pari te mos shkelen rregullat minimale te copyright qe ka cdo faqe, sidomos kur vjen puna tek mediat dhe faqet fitimprurese. Dhe kuptohet gjithmone te shoqerohet huazimi (i pjesshem ose i plote) me nje link qe te con tek burimi i materialit. Kjo pothuajse s’ndodh asnjehere tek mediat shqiptare dhe eshte teper irrituese dhe joprofesionale.

  12. Shkrimi origjinal i Vehbiut, eshte e vertete, e permend vetem nje here Kadarene, por futja vazhdimisht e emrit te tij ne grupin e personaliteteve qe me vepren e tyre kane motivuar pozitivisht mendesine e “tradhtareve besnike”, eshte qendrim goxha provokues, sidomos i shtrire ne kohe. Autori i shkrimit replikues me Vehbiun dhe komentuesit pas tij mund te mos dine ta formulojne qarte, por nentekstin apo te quajturen fryme anti-Kadare (apo edhe me keq, sipas tyre), sigurisht qe e kapin. Pastaj vjen puna qe dikush e derdh gjithe c’i kishte mbajtur “kupa”, kurse shkrimi/pika e fundit e Vehbiut ishte vec sebepi. Mbeshtetja e tij nga komentues te shumte duhet te shihet qetesisht dhe seriozisht, pa inat e perkedhelje. Kur provokon vazhdimisht, nis e te konsolidohet “biografia e keqe”, per disa, dhe nis pastaj germimi edhe atje ku nuk duhet (permendja e babait te A.V.-se psh.), se kjo eshte kthyer apo ka qene stilin e luftes mediatike (s’e cilesoj si model pozitiv, por e permend si fakt), jo vetem nder ne. Dua te them se reagimi pritej, jo vetem nga ndonje “i perzene nga blogu” i xhaxha-it, por qofte edhe nga ndonje qe eshte larguar vete nga ky blog (s’ia ka mbajtur stomaku psh.). Mjafton te shohesh komentet tek TemA, per repliken e Vehbiut, sa ndryshojne nga komentet ketu, tek blogu qe e kontrollon ai vete: atje vetem kundershtime gati ekstreme, ketu vetem mbrojtje gati ekstreme, te cilave s’dua t’u ve emer tjeter. Ka dicka qe nuk shkon, apo jo? (S’di nese do ta kaloje filtrin edhe ky koment prej “vizitori te ri”…) S’ka rendesi ne cilen hapesire lundron njeri dhe tjetri, e mira (apo e keqja) e kesaj hapesire “internetike” eshte se diku do te kryqezohesh me gjithkend. Prandaj mbyllja ne blogje ne emer te nje elitizmi te pretenduar (pa te keq kjo) apo ne emer te te drejtave te cenuara te autorit, me teper se shpetimtare nga te tilla telashe tingellon si nje lloj frike a fshehje tinzare, dhe sigurisht Vehbiu s’ka arsye pse ta jape kete pershtypje. Personat qe dalin me emer real ne “rrymat” globale te komunikimit duhet ta mbajne parasysh mundesine e reagimeve te te gjitha llojeve dhe formave, prandaj eshte mire ta “rudhin” apo moderojne gjuhen, se gjithnje ka persona qe do te preken, gjithnje, dhe s’mund (te duash) te jesh i duartrokitur nga te gjithe. Autori Vehbiu ka shkruar (ne mos gaboj) diku-dikur per ndikimin demokratizues te internetit sot, si destruktues i rretheve te mbyllura te pushtetit (ne qeverisje, kulture etj etj) dhe kesaj s’ke c’i ben. Nga ana tjeter, nenvizimi nga autori i replikes dhe gjithe komentuesit ketu i “nivelit te ulet” te komentuesve tingellon si perbuzje, mgjse pa fjalor ekstra… Por as perbuzja nuk eshte mbrojtje, te nderuar! Madje, quhet mbrojtje e dobet, si ajo e elitave te mbyllura te kohes para-internetit, apo, po e krahasoj me ate te ideologeve dhe teoricieneve te kolonializmit ndaj popullsive “primitive”, dhe s’ke c’i ben as kesaj (calon edhe ky krahasim, natyrisht…). Njeriu eshte po ai, pasionat me shume se racional, per te dyja palet e kam. Mire eshte te gjeni nje te mesme, sa me afer objektivizmit, duke u perpjekur te mos ia gervishni sedren njeri-tjetrit deri aty ku nuk mban (ju, qielloret elitare dhe ata, te nivelit te baltes). Sigurisht e dini se cila pale duhet ta gjeje i pari te mesmen: ai qe eshte ose e mban veten per me te mencur.

    1. Zonjë, ju nuk jeni “vizitor i ri” në këtë blog! Ju ka lënë gjë kujtesa? Dopodihermes ka komentuar 50 e kusur herë këtu!

      Shkruani:

      futja vazhdimisht e emrit te [Kadaresë] ne grupin e personaliteteve qe me vepren e tyre kane motivuar pozitivisht mendesine e “tradhtareve besnike”, eshte qendrim goxha provokues.

      Do t’ju isha mirënjohës sikur ta shtjellonit këtë mendim, me ndonjë shembull konkret.

      Shkruani:

      Mjafton te shohesh komentet tek TemA, per repliken e Vehbiut, sa ndryshojne nga komentet ketu, tek blogu qe e kontrollon ai vete: atje vetem kundershtime gati ekstreme, ketu vetem mbrojtje gati ekstreme, te cilave s’dua t’u ve emer tjeter.

      Por në komentet tek Tema zakonisht nuk diskutohet për “temën” (pavarësisht nga emri i gazetës), por për autorin. Kjo nuk do të ndodhë kurrë në PTF.

      Pa harruar pastaj që komentet te Tema mund të shihen edhe si mbrojtje “gati ekstreme” – për ta thënë me shprehjen tuaj – për Kadarenë.

      Sepse edhe Tema ka politikën e vet të moderimit; i vetmi ndryshim me PTF, është se ne këtu e kemi shpallur hapur, ndërsa ata jo (punë e tyrja, nuk më intereson fare; për mua komentet si ato që ndoqën shkrimet e djeshme janë ekuivalenti mediatik i bombave në makina: nuk vrasin njerëz, por shkatërrojnë personalitetin e njerëzve).

      Shkruan:

      Personat qe dalin me emer real ne “rrymat” globale te komunikimit duhet ta mbajne parasysh mundesine e reagimeve te te gjitha llojeve dhe formave, prandaj eshte mire ta “rudhin” apo moderojne gjuhen […]

      Dhe kjo është ftesë për auto-censurë, e ofruar pikërisht në një koment ku stigmatizohet censura e komenteve në blogun tonë. Më vjen keq t’jua them, zonjë – sepse për mua është ngjarje e gëzuar kur një komentues kthehet në blog pas kaq kohësh – por nuk i keni organizuar mirë mendimet tuaja.

      1. E keni gjysmuar frazen time, natyrisht edhe kontekstin e argumentit, e kjo zakonisht nuk merret si aftesi e nje organizuesi te mire mendimesh. Mora mundimin te jepja nje mendim ketu, se mund ta beja edhe tek Tema, ngaqe gjithnje me habit dhe me keqardh konstatimi sa i shijon njeriut te perbaltet. Tung.

        1. Edhe po ta kem gjysmuar, unë jam gati ta ndreq edhe citimin edhe mendimin, nëse ti je gati ta vazhdosh debatin; dhe jo të hedhësh spica, siç bën më lart.

          1. Nuk di cfare keni parasysh me “ndreq”, po drejt e keni vene re se hyj shume shume rralle ketu. Cfare kisha per te thene e thashe ne fillim, mgjse e dija qe nderhyrja ime per permbajtje ishte kot, edhe pse dashamirese. Nuk e di ku i sheh spicat, po vura re nje ndryshim nga komentet e para 4-5 vjeteve ketu. Atehere kishte me shume profile origjinale.
            Sidomos kur flet shume dhe vazhdimisht, mundet ta harrosh se fjalet behen ndonjehere si ai dizajni i imagjinuar i nje stofi, por i shqepur diku ose ende i paperfunduar. Debatin e vertete per te e ben me shume me veten, se me te tjeret, por debati eshte si filli i mbetur jashte, sa me shume ta terheqesh, aq me shume zgjatet. Nuk e pelqej t’i hyj kesaj, fundja eshte ideja-endja jote. Per mua debati nuk eshte qellim ne vetvete. Se ndodh qe terhiq e terhiq dhe vec kur sheh ne fund se e ke shthurur krejt. Ne vend te stofit ke nje pirg penjsh pa koke e bisht, qe duhen hedhur. S’ka drugez (bosht) t’i ftilloje. Edhe nese ke pasur nje ide si fillim, ajo s’eshte me. Keto ia them vetes shpesh, ndonjehere edhe te tjereve.

            1. Shkruani:

              [D]rejt e keni vene re se hyj shume shume rralle ketu.

              Një arsye më tepër për të mos dhënë gjykime të përgjithshme për debatet që bëhen në PTF. Ndërkohë ju siguroj se blogu nuk ka humbur gjë nga tërheqja juaj e qëllimshme.

              Përndryshe, nëse nuk jeni e pranishme edhe kur të tjerët (unë) ju përgjigjen, atëherë as ky debat specifik nuk mund të vazhdohet më. Sepse ndërkohë unë botova “Povero Max” (që me siguri nuk e keni lexuar), i cili e rikornizon edhe ndërhyrjen tuaj fillestare.

    2. “Sigurisht e dini se cila pale duhet ta gjeje i pari te mesmen”

      Dopodihermes,

      Ne nje palo “studim” qe kam lexuar para nja dy vjetesh, te ngjashem (apo te njejte?) me ate tendin, ku krahasohen variantet e romanit “Keshtjella”, autorja e nxjerr Kadarene krejtesisht ne sherbim te regjimit, keshtjellen e lexon si metafore te Shqiperise nen bllokade, ndersa te Skenderbeu sheh “objektivisht” Enver Hoxhen!

      Meqe ra fjala, ti ne ç’perfundime dole nga krahasimi? Cila do te ishte e mesmja sipas teje?

      1. Besoj se as ti vete nuk e di se cfare studimi eshte ky qe permend. Ke degjuar ndonjehere per referenca? Kur shkruajta se “ju e dini vete se kush e gjen te mesmen”, sigurisht nuk te kisha parasysh ty.

  13. Vëreni si është paketuar artikulli tek Tema: me foton e IK, jo të autorit M. Aleksi; edhe pse as shkrimi im fillestar, as ky i Aleksit nuk kanë për objekt IK-në. Dhe vetë IK-ja, në foto, jepet me shqiponjën kombëtare në sfond, a thua se është Kryetari i Nderit i Lidhjes së Prizrenit.

  14. “The only thing worse than being talked about is not being talked about.” -Oscar Wilde
    Keshtu duke medituar ne thenien e mesiperme, mendoj qe nuk ka bad publicity, por nje gje eshte e sigurt, ka shkrime gjeniale, te mira, dhe mediokre. Ka dhe shkrime qe nuk permenden fare.
    Tani, shkrimi i M.A., do kete pak diskutim, vetem per faktin qe komentonte shkrimin e Xhxh, dhe Xhxh vete, perndryshe kush e humbet kohen te lexoje M.A.
    Dhe si cdo shkrim tjeter medioker eshte i destinuar te perfundoje ne kosh te plehrave.

  15. Nuk e di ju te tjeret, po une kam mbetur pa fjale keto kohet e fundit, kryesisht nga egersia e te krishtereve shqiptareve. Dhe nuk e di se pse, me siguri fare pa lidhje, me erdhi nder mend aktivisti atdhetar i diaspores prof. Martiko:

    http://obobonews.wordpress.com/vejusha-e-zeze/http://obobonews.wordpress.com/vejusha-e-zeze/

    Tani, cfare te besh qe dikush dikur i ka parashikuar ne detaje keto levizjet e koheve te fundit…Nuk eshte ndonje risi qe te gjithe po tundohemi nga ideja e braktisjes se profesioneve tona ne thelb te merzitshme dhe te improvizohemi eseiste, sociologe, kritike letrare, apo ku di une. Po dreqi e mori, nese gjate gjumit te nates ke zene keq qafen, apo nuk ke fjetur hic nga nje alergji e bezdisshme ndaj lajthise dhe arroreve te tjere, dreqi e mori, shkruaj nje koment diku me pseudonim apo shkruaji gjithe inat autorit, ne vend qe te lesh nam keshtu ne publik.

    Thone qe vetepermbajtja vjen me moshen, por dreqi e mori, nese ke veshtiresi reale qe te kuptosh nje tekst te shkruar, nese ke veshtiresi te gjesh ‘thema disputandum’, thote latini, ji me i kujdesshem ku jep sentenca se rrezikon te behesh komik, qesharak, i pabesueshem. C’hynte ketu Kadare europiani, c’dreqin hynte ketu vokacioni perendimor i Ismailit, po Rilindja, po c’hynte ketu babai i Fatos Lubonjes, c’hyjne ketu baballaret, o doktor?

    Nuk kam pike dyshimi qe nga ana tjeter Doktor Aleksi nuk ka qene ne keqdashje totale. Por nese jargavitja dje ndaj Rames mund te ishte rastesi, dy lloj jargavitjesh nuk jane me rastesi. Nje keshille nga nje njeri ne thelb dashamires i psikanalizes do i jepja doktorit te nderuar. Kur njeriu ia fut kot, po kot fare, nuk eshte kurre turp, as ulje hunde qe te kerkoje falje ne privat. Jo se i ndryshon jeten tjetrit, as diten, po ceku ndjehesh me mire ti qe e kerkon, keshtu ne pergjithesi.

    Zot, vertet na ruaj nga fjalet e dhunshme, por vertet, do te shtoja bashke me At Gjergjin, meqe ra fjala.

    1. “Nuk e di ju te tjeret, po une kam mbetur pa fjale keto kohet e fundit, kryesisht nga egersia e te krishtereve shqiptareve”

      Demek te krishteret qenkan egersuar ndersa muslimanet jane zbutur e embelsuar! O Korb i Zi, me mire te mbetesh pa fjale e te mos flasesh fare sesa te thuash broçkulla.

      1. Ti mysliman me duket se je, ne mos gaboj tani, se kush po i mban mend fete e te gjitheve ketu, tha.

        Do thuash ti, jo po une jam mysliman nominal apo agnosticist, ose bektashi i zbutur, ose i ujosur fare, ose ateist, jo praktikant, teper i kulturuar per te qene fetar (cfaredo lloj fetari pa dallim feje, sekti ose nensekti), you name it.

        Por perseri, per nje kaure te embel si une, p.sh., ‘turk’ in senso lato je, edhe ti. Nuk e shprehim per korrektese politike, po nuk eshte se nuk e mendojme, fjala vjen.

        Dhe sinqerisht mua goxha i bute me je dukur gjithmone, apo gabohem?

        1. Ale, une mund te quhem edhe ‘Krau Krau’ neser, por ti te jesh i sigurt se te gjithe do e mbajne mend pseudonimin e fundit qe ka pas ‘Krau Krau’. Edhe te parin.

          Me je simpatik dhe sinqerisht mendoj se ne te dy i ngjajme njeri-tjetrit me shume se c’mendon ti. Lerme te te shpjegoj se pse. Une nuk e kam problem haremin, haremet e osmanllinjve qe thua ti ishin te perbere eskluzivisht me lindore ortodokse, meqe ishte e ndaluar te fusje ne harem gra myslimane. E mirepritur ishte edhe ndonje robinje venedikase katolike, kur qellonte. Te gjitha, Ale, ishin te dashuruara me pashallaret osmanllinj, turq, te gjtha ishin gati te hanin koken e njera-tjetres si e si t’i hynin ne zemer sulltanit apo pashait ‘turk’. Sepse fundi i barkut (apo edhe fundi i kurrizit, xhanem, ne rastin tend) nuk pyesin per fe. Dhe une nuk e di ku jeton ti, po une jetoj ne mes grash dhe burrash qe sa kane pasur mundesi, me njemije veshtiresira, por e kane krijuar nga nje parcele te vogel haremi, keshtu here fshehur dhe here hapur. Prisja qe te pakten ti te me kuptoje nga kjo ane, sepse gjithmone te kam imagjinuar si antikonformist te lindur, si ai qe i sfidon rregullat ne perjetesi. Ne shoke nuk behemi dot, per pune feje, meqe feja ime fundin e barkut dhe te kurrizit ma ka taksur vetem per meshkuj, 1, 100, 10.000, sa te dua ose asnje, por jo per femra. Por kjo nuk do te thote qe te mos diskutojme duke mbajtur nje fare distance ideale.

          Sic po te thoja, Ale, ajo qe nuk duroj dot une eshte hipokrizia e disa myslimaneve qe kujtojne se 500 vjet turqini mund te hiqen me nje te rishkruar librave. Po rishkruani dhe emrat pra, meqe Ismaili Stefan nuk behet dot kurre, per ata qe te krishtere jane vertet, pavaresisht theksit te kulluar parizien te Ismailit. C’jane keto komplekse faji, Ale? Kujt po ju duhet t’i jepni llogari per historine e te pareve tuaj? Me njerez te ketille, Ale, nuk mund te ndertosh asgje. Dhe po aq te neveritshem me duken ca atdhetare shpirtkeputur te diaspores, qofshin te krishtere apo myslimane, qe tundin akoma flamurin e cjerre te kryqezatave. Ke do mashtrojne? Evropen? E pamundur, na njeh mire. Lindjen? Per mungese boshti na njeh mire edhe kjo e fundit, nuk besoj se i interesojme me shume se c’mund t’i interesojme Perendimit.

          Tash, nuk thone kot mendje femer, dhe ti e kuptove menjehere arsyen e vertete te kryqezates sime personale 🙂 Te ngelet mes nesh, vec.

        2. E ke gabim, une, edhe pse vij nga nje familje me prejardhje myslimane, nuk jam mysliman. Besimi dhe perkatesia fetare nuk tansmetohet gjenetikisht.

          Personalisht nuk e shkoj fare neper mend perkatesine fetare te atyre me te cilet hyj ne kontakt. Tani qe me shtyve ti ta mendoj, vetem ne rrethin e ngushte familjar, ate te shkalles se pare, po me dalin kater fe te ndryshme.

          Edhe mua vetja me duket i bute. “Ashpersohem” paksa vetem kur ve re lidhje te shkurtra pergjithesuese mes sjelljes se njerezve dhe perkatesise se tyre fetare, lokale, etnike etj.

          1. ‘Une nuk jam mysliman’ nuk me duket gje si veteperkufizim, ose ke zgjedhur te identifikohesh ne menyre negative, duke thene ate qe s’je.

            Tani, une nuk jam vetem dashamirese e psikanalizes, por di te pakten me shume se Saliu ne kete lem. Thote diku Frommi se ‘nese thua ate qe s’je dhe nuk i bie shkurt per ate qe je (qe do te ishte ‘ateist’ ndoshta ne rastin tend, i nderuar), je pak i kompleksuar per origjinen familjare qe ke, dhe te cilen je ne fakt duke e mohuar”.

            Frommi keshtu, une per vete nese quhesh Agron nuk me shkon mendja te te pyes per fene qe ke, por nese quhesh Hasan ose Sokrat, nuk mund te mos me shkoje mendja te origjina jote familjare. Nje vajtje mendjeje siperfaqesore kjo. Pastaj, per te zhbiriluar mire e mire fene tende te vertete ose mungesen e saj, me fal po duhet te kem nje lloj interesi relevant per personin. Por Korbi eshte qenie aseksuale, neutral nga kjo ane.

            Plus qe si e mendoj une kete pune ia kam shpjeguar Ales gjate e gjere, me duket. Dhe ndoshta dhe e kam bindur.

            1. Qofsha gabim por keto komentet e fundit me duken teresisht jashte teme. Psikoanalizen e autorit, njeri tjetrit apo te Saliut mund te na e kurseni ose zhvilloni diku tjeter.

          2. Nderhyrje me vend, Parrulla. Do jete deshira per te socializuar, deshira per t’u marre me punet e Shqiperise, nje lloj terheqje fatale ndaj psikanalizes, nje Zot e di se pse.

            Po nuk kane te bejne shume me temen ne fakt, incidentalisht ndoshta, ne nje mase te reduktuar.

  16. belaja me e madhe e ceshtjes nuk eshte denigrimi i pamerituar qe behet per disa dhe idhujtaria e pamerituar per disa te tjere.

    Ne shoqerite kapitaliste, ka pak a shume nje 50% te robve qe shohin vetem hallet e tyre dhe nuk u plas fare c’behet. Per keta politikisht vendos 50% tjeter, te cilet interesohen, lexojne, mendojne, komentojne etj.
    Nqs komentuesit i shohim si shenjester monitorimi te 50% qe mendon se mund te jape nje kontribut ne mbarevajtjen e puneve te memedheut, komentet me dhune, inxhinieri sociale, konvertime te dhunshme, heqje shtetesie, burgje, vrasje etj, jane nje alarm i forte per ata qe kane sy te shikojne dhe mend te kuptojne. E vetmja gje qe kufizon shprehjen vdeksh nga akti i vrasjes eshte dhenia e mundesise. Dhe me sa duken ujrat ne memedheun tone te dashur, fashizmi eshte gati.
    Presim vetem krizen e rradhes dhe fyhrerin

    1. Ka intolerancë të madhe nga poshtë. Kur nuk zihen me njëri-tjetrin, shumë komentues anonimë vihen dhe ia bëjnë biografinë autorit, si ndodhi në rastin e shkrimeve të fundit për mua. Duke parë se cfarë thonë, duket qartë sa të painformuar që janë – madje edhe për biografinë. Të paktën Minella Aleksi e kishte më të saktë dosjen.

      E megjithatë, liria e fjalës i uli këta njerëz në tryezat e fjalës publike, por shumë prej tyre nuk kanë asgjë për të thënë. Eksperimenti me komentet tashmë mund të konsiderohet si i përfunduar, dhe krejt i dështuar; pse ka shërbyer kryesisht për të kristalizuar mendime dhe qëndrime ekstreme.

      Dhe meqë shoqëria është e mbarsur me fashizëm – e thua edhe ti më lart – atëherë këto banda të larmishme bashibozukësh, gjithfarë mbeturinash që kushedi pse disa i mbajnë si përfaqësues të “tabanit”, janë të gatshme të mobilizohen për të goditur këdo që nuk konformohet.

      Problemi këtu është se, me përkufizim, kjo situatë e bën mendimin të padëshiruar; meqë vetëm propagandistët shkruajnë për t’u konformuar, ose për t’u kruajtur bishtin turmave. Nëse dikush synon ose shpreson të ndryshojë diçka, nëpërmjet fjalës, atëherë kjo fjalë doemos do të ketë kritikën brenda, sfidën ndaj paragjykimit dhe ideve të gatshme, ose marrjen në pyetje të statu quo-së.

      Qëndrimi ndaj Kadaresë ofron një shembull flagrant të kësaj krize: tani shkrimtari ka përfunduar në duart e atyre që nuk e lexojnë, sepse nuk lexojnë; dhe që vetëm duan ta tundin si flamur ose ta nderojnë si idhull. Sa e hidhur është kjo, sidomos po të mendosh se i njëjti Kadare, dikur, përfaqësonte për të gjithë ne anti-konformizmin, ose refuzimin për t’iu gjunjëzuar mendimit (apo duhet të them instinktit) të turmës.

      1. Xhaxha, kur thua qe ka intolerance te madhe nga poshte, do te ishte nje ide e mire t’u jepje fashisteve te blogjeve nje shembull te mire tolerance. Jo per gje, por kushedi, se mos duke i dhene njeri tjetrit shembuj te tille arrijme nje dite te merremi vesh pa u share reciprokisht. Por une nuk besoj se keta lexues do te mund te perafrohen ndonjehere me nje cilesi me te larte komunikimi nderkohe qe Ju i etiketoni ata si fashiste, bashibozuke, mbeturina a ku di une çfare. Kemi te bejme me te njejten dhune ne thelb, ndryshimi i vetem eshte burimi dhe destinacioni, dhe ndoshta diferenca ne elokuence, qe siç thote Kamyja, poshte napes se paster fshihet ekzema prej te ciles kruhemi te gjithe. Pa perjashtim.

        1. Jo. Më habit relativizmi juaj, uroj që ta provoni në lëkurë dhunën ad hominem online.

          Dhe, gjithsesi, komentet anonime agresive dhe intoleranca shfaqen në blogje dhe forume të cilat nuk i kontrolloj unë, as për mirë as për keq, prandaj këshilla juaj më tingëllon pa kuptim.

          Edhe Tema, edhe ResPublica tregojnë tolerancë të madhe me komentuesit e tyre, por kjo nuk ka ndikuar për mirë, përkundrazi.

          Dhuna verbale e kombinuar me papërgjegjshmërinë e fjalës është produkt i kontekstit social dhe politik në Shqipëri, jo i politikës dhe (in)tolerancës në mediat.

          Dhe, gjithsesi, unë s’kam ndërmend që të tregohem ndonjëherë tolerant me intolerantët dhe aq më pak kur këta paraqiten me maska. Kultivimi i trollëve nuk është pjesë e angazhimit tim publik, meqë nuk më duhet as fjala dhe as – sidomos – vota e tyre (ose e vetmja fjalë që ua duan ata që i lënë, madje i nxitin të flasin).

          1. Nuk po flas per blogun Tuaj konkretisht, por per rolin e intelektualit ne pergjithesi. Kemi boll exemplare mejtimtaresh qe krekosen si gjela sa here hasin ne kritike, kundershtim, apo qofte edhe fyrje si keto qe po flasim. Kemi nevoje per njerez qe arrijne pas gjithe reagimeve te lexuesve te shquajne mundesine e te qenit gabim, e ketu nuk e kam fjalen per debatin e kote “e shau/s’e shau filani Kadarene”. Kemi nevoje per ligjerues qe arrijne te behen pale me lexuesin, ta udheheqin ate jashte fanatizmit, verberise, neurozave kolektive. Dhe kjo nuk besoj se arrihet duke e tipizuar PFT si “Res Privata” ku veç do elitare vlejne dhe morracaket debohen aty ku e kane vendin, dmth Tema, Respublica a ku di une ç’tjeter. Momenti kur elitat nuk arrijne te komunikojne me njerezit nuk deshmon lartesine e tyre ne krahasim me turmen, por deshtimin e tyre.

            1. Shkruani:

              Kemi boll exemplare mejtimtaresh qe krekosen si gjela sa here hasin ne kritike, kundershtim, apo qofte edhe fyerje si keto qe po flasim.

              Ju kuptoj, por kur e ngrini këtë në lidhje me një problem pikërisht timin, nuk mund të mos supozoj se me këta mendimtarë që krekosen si gjela më keni parasysh pikërisht mua. Përndryshe, do t’ju kërkoj të sillni shembuj konkretë, si provë se jeni në mirëbesim.

              Shkruani:

              Dhe kjo nuk besoj se arrihet duke e tipizuar PFT si “Res Privata” ku veç do elitare vlejne

              Ndërsa unë besoj se është e drejta ime të përpiqem ta kufizoj target-in e shkrimeve të mia sa dhe si të dua. Vandalët e forumeve online dhe pisqollat anonime partiake janë produkt (epifenomen) i politikave editoriale të gabuara të mediave – jo zhvillim spontan i nevojave të masës për të komunikuar.

              Shkruani:

              Kemi nevoje per ligjerues qe arrijne te behen pale me lexuesin, ta udheheqin ate jashte fanatizmit, verberise, neurozave kolektive.

              E drejtë. Atëherë, sa kohë që jeni të vetëdijshëm për nevojat, mbështetini këta ligjërues, mos lejoni që t’i shqyejnë qentë. A ndërhyni ju në forumet, për t’u shpjeguar trollëve dhe gojëndyrëve se janë duke e vrarë ligjërimin publik?

              Shkruani:

              Dhe kjo nuk besoj se arrihet duke e tipizuar PFT si “Res Privata”.

              Për mua, sigurimi i një hapësire të fjalës sime të lirë ka përparësi ndaj ndjeshmërive të turmës.

              Shkruani:

              Momenti kur elitat nuk arrijne te komunikojne me njerezit nuk deshmon lartesine e tyre ne krahasim me turmen, por deshtimin e tyre.

              Besoj se komunikimi im me njerëzit po zhvillohet normalisht. Turma bën zhurmë, e nxitur nga segmente anti-intelektuale të politikës; por turma nuk është gjë target i fjalës sime – pse është produkt i politikës populiste dhe i shërben asaj.

            2. Ja një koment i lënë nga një anonim, te një artikull në “Dita” ku autori, Ermir Hoxha, flet për zhgënjimin e tij me Genc Rulin politikan.

              Po. Ka bere para’ ne forma nga me skandalozet. Duhet kontrolluar ky sqjap i shemtuar, duhen pare kontratat e minerave qe ka firmosur, duke anashkaluar Kuvendin e kompetencat. Po kur e bene edhe Minister Bujqesie thuthuqin…

              Si mund të angazhohesh këtu në mënyrë konstruktive? Unë këtë më sipër as ushtrim të së drejtës së fjalës nuk do ta quaja.

              Dhe të mendosh se impostimi i gabuar i komunikimit e zhvlerëson krejt përmbajtjen e komentit.

              Edhe pse unë kam rezerva me kategorinë e “popullit” si agency, do të vëreja se populli nuk flet kështu, as ka folur ndonjëherë kështu. Kjo dhunë verbale i ka rrënjët në publicistikën e keqe shqip të rrënjosur në invektivën, të cilën e kanë bërë sot të vetën politikanët e të gjitha ngjyrave në Tiranë dhe gjetiu.

              Thonë se ligjërimi publik mbështetet, si rregull, në ligjërimin juridik ose në ballafaqimin e argumentave në sallën e gjyqit. Shqipes kjo i mungon krejt; sepse kulturës shqiptare i mungon tradita e ballafaqimit publik të argumenteve – dhe këtë mungesë e sheh që nga Parlamenti e deri te kanalizimet e mediave online.

          2. Te pakten biem dakort qe agresioni i lexuesve eshte pasoje, dhe jo shkak, ndersa pohoni qe eshte produkt i publicistikes se keqe te nxitur nga nje politike qe konfliktin e konsideron si karburant. Une nuk kam ekspertizen e duhur per te gjykuar pozicionimin Tuaj a raportin me te verteten, por nje gje i’a lejoj vetes ta them: Ju si publiciste mund te thoni ndonje te vertete, ose gjysem te vertete here pas here, por duhet te kuptoni qe sa here thoni te vertetat qe i’u leverdisin t’i thoni, dhe heshtni per te vertetat qe nuk ua mban dot gjuha, Ju po kultivoni talebanizmin ne te lexuar dhe po ua sherbeni shkrimet tuaja pikerisht atyre qe si monedhe shperblimi maje gjuhes kane nje sharje a blasfemi. Pozicioni i Zaloshnjes e M.Nanos ne rolin e intelektualit qe i sherben te vertetes dhe drejtesise eshte absurd; njeri thote qe une do te bej ate qe e ndjej te nevojshme derisa te largojme Berishen nga pushteti, ndersa tjetri therriste ne kauze haptazi e pa u skuqur te gjitha funderrinat per te arritur per te njejtin qellim. Po a eshte detyra e intelektualit qe meton te verteten e drejtesine te beje te tilla llogarira? Une them me force “Jo”. Une besoj qe ai qe ka ambicje per te pasur konsensusin e pjeses me te kultivuar te shoqerise nuk ka parakushte te fundbotshme dhe nuk ka nevoje per garancira a qellime afatshkrutra per te thene ate qe ia do arsyeja . Nga ana tjeter, nje intelekt i ndryshur prej interesit personal, dallohet qe ne sentencen e pare qe belbezon, dhe kjo te lexuesit e mire shkakton nje rrudhje buzesh, braktisje e indiference, ndersa tek talebanet e internetit motivin per te shfryre testosteronin. Nuk dua te nenkuptoj asgje ne lidhje me Ju personalisht, sa me siper, ngaqe sinqerisht(pergjithesisht) Ju vleresoj; por po ofroj ketu nje kendveshtrim i cili mund te shpjegoje shume nga dhuna verbale pre’ e se ciles jemi pothuaj te gjithe.

  17. Gazeta Dita perseri merr nje shkrim nga ky blog pa leje edhe pse kete here pati miresine qe te vere burimin ne fund. Komentet natyrisht jane te nje niveli qe kryesisht merren me autorin dhe jo me qendrimin. Ma do mendja qe kushdo qe futet nga Gazeta Dita nuk eshte i interesuar te lexoje komentet dhe keshtu ky i imi ne shenje proteste nuk do te bjere ne syte e duhur. Do duhet gjetur nje menyre tjeter per t’u komunikuar qe kjo nuk eshte e pranueshme.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin