kumt m. “lajm”, kumtár m. “lajmëtár, lajmës”, kumtój “lajmoj”. Mungon te G. Meyeri, po dëshmohet mirë me burimet letrare e dialektore. Bogdani (I 102, 23) ka të kúmëtitë “la nova, lajmi”. Këtë kumët Bashkimi e jep si kumet, në grafinë e tij kumét, të cilën Leotti me Mannin gabimisht e transkribojnë kumét. Gazulli f. 224, 492 sjell prej Malsisë së Madhe kumt “lajm çfaret do”, të ndîesha kumtin “të ndiesha lajmin e dekës, të marrtë mordja”, e muer kumtin “e muer hakun”, me ja hupë kuj kumtin “me i tretë (bojën), farën, memoriam alicuius dissipare”, mos ma lên me më hupë kumti!, me kumtue “me lajmue, me bâ me dijtë. Është një huazim, i pavënëre gjer tani, i lat. computus “llogari”, duke shkuar kështu me it. conto frgj. prov. compte span. cuento etj. që kanë pokëtë kuptim, sh. Revue de ling. VII 1 195. Kuptimi i parë i fjalës shqipe ruhet në Kurbî, për të cilin Cordignano pranë me kumtue “me dhanë nji lajm të zi; me informue, me lajmue” e kumtár “lajmëtar i një kumti të zi” dëshmon dhe kumt “conto, llogari”; në këtë drejtim na duket se dëshmon dhe e muer kumtin “e muer hakun” e Gazullit. Verbi kumtoj ndërkaq, më fort se vazhdimi i lat. computare, është një denominativ i kumt-it, formuar përbrenda shqipes, po me një domethënie si e ka span. contar “me numërue” e “me kallzue, me tregue”. Mendimi i G. Meyerit (f. 215) që prej lat. computare të ketë dalë një tjetër fjalë e shqipes, kuptoj, nuk ësht’i drejtë (sh. këtë fjalë).
Me këtë bie dhe mendimi i Puşcariut EW 444, i cili edhe ky pas hullisë së G. Meyerit afron kuptoj me rum. a se cumpăta “me u përmbajtë” cumpăt “qëndrim i matur, gjykim”, po këto bashkë me sard. (logudor.) kumpidare “me kërkue” e it. cómpito “detyrë; të qenët i matur” me anë të një vargu silogjizmash aspak bindëse i shpie te lat. compitum “udhë kryq”, me pëlqim dhe të Meyer-Lübkes REW 2099 e të Ernout-Meilletsë 763. Rum. cumpăt do bashkuar me kumët kumt-in e shqipes, e të dyja hyjnë në grupin e reflekseve të lat. computus, duke dëshmuar kështu për ekzistencën e kësaj dhe në latinishten ballkanike. Kuptimet e qëndrimit të matur e të përmbajtur që ka fjala rumune spiegohen shumë më mirë nga ai i llogarisë sesa nga udha kryq, khs. shprehje të tilla si mati fjalët, peshoje mirë atë punë, gjerm. berechnend “që i peshon mirë gjërat, i matur”. Gjithashtu it. compito, të cilën edhe atë Puşcariu e çon te lat. compitum “udhë kryq”, nuk është veçse një trajtë e computo “llogaritje” e kjo në analizë të fundit identike me conto “llogari” që vjen nga lat. computus. – Fonetikisht kumt me u-në e saj prej lat. o para dy konsonanteve do gjykuar ashtu si kurt, shpuzë, urdhër, të cilat dhe në rumanishten janë me u, sh. për këto Meyer-Lübke Gr Gr. I2 1045. Fjalët përkatëse të gr. së re që janë me -o- nuk lejojnë të mendohet për ekzistencën e u-së që në latinishten ballkanike (Şiadbei). Kjo u e rumanishtes dhe e elementit latin të shqipes duhet t’i përkasë një procesi të mëvonë të këtyre dy gjuhëve; sh. vërejtjet tona në Revue de ling. VII 1 198. – Në gjuhën moderne të shkrimit kumtoj, me neologjizmin kumtim, duke u nisur përdoruesit e saj nga ndjenja e padrejtë se rrjedhka prej lat. communicare it. comunicare, ka hyrë më fort me domethënien e kësaj fjale. Lat. communicare ka dhënë kungoj.