Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji / Urbanistikë

TIRANA STACION I FUNDIT

Pas një batute të lëshuar – si të gjitha batutat – në media, të një personi pa virtyte politike, në lidhje me nevojën që “jabanxhinjve” t’u kërkohet vizë, për të hyrë në Tiranë, është hapur sërish debati rreth temave primordiale që shqetësojnë sot rëndshëm psiken e shqiptarit: kryeqyteti përballë provincës, veriu përballë jugut, qytetari përballë katundarit.

Çështja, sikurse e dimë të gjithë, lidhet me mbipopullimin e Tiranës, pasojë e drejtpërdrejtë e liberalizimit të lëvizjes së njerëzve – e drejtë njerëzore elementare; por jo vetëm. Ajo përmbledh në vetvete të gjitha plagët e mprehta sociale, urbane dhe të governancës, që po e shkatërrojnë Shqipërinë që prej njëzet e kusur vjetësh.

Zhvendosja e madhe e popullatës drejt Tiranës jo vetëm shkakton trauma të mëdha në indin social të qytetit-kryeqytet, por edhe është ajo vetë pasojë traumash sociale po aq të mëdha.

Ajo dëshmon për lidhje të pamjaftueshme të njerëzve me pronat e patundshme, sikurse dëshmon për zgjidhjen e munguar të problemit të këtyre pronave anembanë vendit.

Fshatari që shpërngulet, është një fshatar që nuk mbijeton dot në rolin e vet social; por shpërnguljen e tij e ushqen edhe shpresa e rreme për Tiranën si vend të premtuar të mbijetesës.

Problemet e sotme kanë edhe shkaqe të vjetra, mes të cilave spikatin politika e regjimit totalitar, për t’i mbajtur me çdo kusht të populluara ato zona të Shqipërisë ku jetesa me dinjitet dhe mirëqenie është pothuajse e pamundur; sikurse politika tjetër, për të nxitur shtimin e popullsisë me çdo kusht.

Sado e hidhur të tingëllojë kjo, Shqipëria sot ka popullsi të tepërt në raport me mundësitë konkrete që u ofrohen njerëzve për të jetuar jo thjesht mbijetuar; dhe jo vetëm për nga mënyra si është shpërndarë kjo popullsi – sa kohë që lidhjet organike midis banorëve dhe territorit, pronësisë dhe qytetarisë ose mungojnë ose janë lënë të degradohen, shpesh me qëllim.

Faktori që e precipitoi këtë krizë është, megjithatë, tërheqja e vetëdijshme, ose larja e duarve, prej administratës publike, nga punët e administrimit demografik; çka do të thotë se njerëzit, deri atëherë të mësuar me barinj dhe gardhe, u braktisën në mëshirë të fatit.

Nëse shpërndarja e popullsisë në Shqipërinë e djeshme varej në masë të madhe nga një detyrim dhe disiplinim nga lart, për ta ndërtuar jetën në një vend të caktuar, në momentin që ky detyrim dhe ky disiplinim avulluan, banorët anembanë Shqipërisë vetvetiu filluan ta shpjegojnë mjerimin e tyre të deriatëhershëm me pamundësinë – artificiale – për t’u shpërngulur.

Emigrimet e mëdha të fillimviteve 1990 drejt Europës nuk e zgjidhën dot problemin e popullsisë “së tepërt” në Shqipëri, por vetëm shërbyen si një valvul e përkohshme shkarkimi. Ndërkohë, në modelin e ri të ekonomisë shqiptare, të mbështetur jo në prodhimin dhe industrinë, por në plaçkitjen e aseteve, tregun dhe skemat piramidale, nuk kishte më vend për mirëqenien në fshat dhe në provincë.

Disa herë është tërhequr vëmendja në mediat, përfshi edhe blogun tonë, se dyndja e madhe drejt Tiranës nuk do të ndodhte, pa ekzistencën e një “mafieje” – le ta quajmë kështu për licencë poetike – të ndërtimit, e cila ka nevojë për blerës të apartamenteve dhe financues të vegjël të spekulimeve të saj; pa folur pastaj që të ardhurit do të mbushin edhe vendet e punës më të padëshiruara, më të pambrojtura dhe më keq të paguara – si ato në industrinë e ndërtimit.

Pushtetet, edhe ai qendror edhe ai lokal i Tiranës, nuk kanë bërë praktikisht asgjë për të ndalur ose rregulluar njëfarësoj prurjet e popullatës drejt kryeqytetit; duke dështuar në misionin e tyre kryesor, të governancës dhe të mbarështimit të territorit. Pa bashkëfajësinë e tyre, kryeqyteti shqiptar nuk do të mundej kurrë ta katërfishonte popullsinë e vet, brenda njëzet vjetëve.

Vetë Tirana, si konglomerat urban, ka reaguar keq ndaj kësaj rritjeje marramendëse të popullsisë së vet; meqë ndryshimet e bëra në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi, në institucione kulturore, në hapësira publike dhe parqe, stadiume, qendra sportive dhe kështu me radhë nuk i janë përgjigjur asfare boom-it të popullsisë dhe imigracionit të brendshëm masiv; njëlloj sikurse numri i vendeve të reja të punës ka mbetur shumë mbrapa shtimit masiv të krahut të ri të punës.

Të ardhurit kanë sjellë me vete mjerim, kriminalitet dhe tjetërsi; por edhe më shumë mjerim, kriminalitet dhe tjetërsi kanë gjetur dhe përftuar rishtas në mjediset e reja të banimit, ku e kanë parë veten të shkëputur nga lidhjet tradicionale komunitare, brenda të cilave kultivonin deri dje moralitetin dhe dinjitetin, madje edhe vetë individualitetin.

Më së fundi, komunitetet qytetare ekzistuese, në kryeqytet, e kanë vuajtur në mënyrë dramatike shkatërrimin e fibrës urbane dhe komunitare të mjedisit të tyre dhe janë ndier, me të drejtë, të braktisura nga pushteti lokal, për të mos folur për atë qendrorin.

Tirana sot funksionon si një kuzhinë ku gatiten e gatuhen të gjitha katastrofat sociale të Shqipërisë së nesërme –papunësia, brezat e humbur, kriminaliteti, kriza shpirtërore. Fajin për të gjitha këto do ta kërkojmë para së gjithash te dështimi, ose më mirë shpërfillja kriminale, nga ana e pushteteve, e problemeve demografike të Shqipërisë paskomuniste, që nga problemi i pronës, deri te plaçkitja e aseteve të para-1990-ës, braktisja e provincës dhe e fshatit prej investimeve dhe imponimi i modelit ekonomik ultra-liberist ndaj një popullsie të mësuar, deri atëherë, me barinj dhe gardhe.

Plagët e shkaktuara prej dyndjeve kaotike drejt kryeqytetit janë të thellë dhe potencialisht katastrofale, por të mos harrojmë se vuajtjet më të mëdha po i heqin në lëkurë të ardhurit rishtas, jo pritësit.

Prirja për t’i treguar me gisht të ardhurit, “malokët”, “katundarët”, si fajtorët kryesorë të plagëve të reja sociale në Tiranë përfaqëson, në fakt, ndarjen politike të elektoratit kryeqytetas midis dy palëve që alternohen në qeverisjen e vendit; dhe nuk është për t’u çuditur, pastaj, që këto dy palë ta themelojnë përplasjen e tyre politike mbi kundërvënien – herë reale herë të sajuar – mes vendësve dhe të ardhurve në Tiranë, e cila dashur pa dashur është shndërruar tani në element kritik të debateve politike, herë haptazi herë me nënkuptim.

Është e drejtë njerëzore elementare, e cilitdo prej qytetarëve të Republikës, që ta ndërtojë jetën e vet atje ku dëshiron: në majë të malit ose në mes të kryeqytetit, sa kohë që respekton Ligjin; jo e drejtë që u jepet a u njihet qytetarëve nga ndonjë autoritet tokësor a hyjnor, por e drejtë që këtyre qytetarëve u përket burimisht, ose që nuk mund të ndahet prej statusit të tyre prej qytetarësh.

Pushteti, edhe qendror edhe lokal, veç mund të përpiqet dhe në fakt duhet të përpiqet, që t’i harmonizojë këto të drejta elementare njerëzore të individëve dhe të familjeve, në mënyrë të tillë që ato të mos prodhojnë konflikte sociale dhe kriminalitet, por mirëqenie dhe frymë të shëndoshë komuniteti.

Kjo është rruga për t’u ndjekur. Përndryshe, të sjellësh në tryezë argumentin se “jemi të gjithë shqiptarë”, “jemi të gjithë vëllezër” ose, më keq akoma, të ngulësh këmbë se kjo frikë e qytetarëve të Tiranës ndaj të ardhurve rishtas shpreh kundërvënien e vjetër dhe primordiale të “jugut” ndaj “veriut”, do të thotë të bësh demagogji dhe t’i përgjigjesh një plage reale, potencialisht katastrofale për fatet e shoqërisë shqiptare dhe mirëqenien e qytetarëve, me vjersha patriotike bajate; të cilat në vend që të ofrojnë ndonjë rrugëdalje, thjesht pretendojnë se problemi nuk ekziston.

Pa Komente

  1. Ngelet gjithnje interesante (psiko-socilologjikisht) qasja ndaj toponimeve apo gjerave te ngjashme (pra gjerave krejt jo-personale) si diploma apo spaleta gradash me te cilat krenohesh jo vetem qe ti i ke, por qe tjetri s’i ka; si nje kufi qe jo vetem te ndan nga te tjeret, por te ben te ndihesh mire pikerisht per kete hierarki, kete gardh te cilin ti e ke ndertuar dhe e mbron me kembengulje, qofte dhe pavetedije, qofte dhe kur ai eshte gjysme i rrezuar dhe s’e ben me funksionin e gardhit.

    Kjo shkon pertej toponimeve dhe pertej shqiptareve, ne fakt gjithe historia njerezore eshte e tille, deri pak kohesh, eshte pak a shume e ngulitur ne genet soc-kulturore kjo, ndaj dhe perplaset kaq fort me kahet moderne per mosdiskriminin, si qasje, dhe globalizimin, si levizje/rrjedhoje ekonomike dhe jo vetem.

    Ne kete aspekt, globalisht ka besoj tregues stabel sa i perket korrelacionit; p.sh. niveli shkollor eshte nje prej tyre, ne kuptimin qe nje mije njerez qe kane nje diplome universiteti jane ne totl shume me pak paragjykues (ndaj malokeve, ceceneve, pederastave, e cdo kategorie ‘te ndryshme’) sesa nje mije njerez thjesht me gjimnaz ose pa te, e keshtu me radhe. Nuk e di ama nese kjo skeme qendron njesoj me ne shqipot sesa me perendimoret, dhe kjo e ben me interesante qasjen. Gjynah qe ka aq shume diploma dhe doktoratura dhe aq pak studime shqiptare per keto ceshtje sociale.

    Njeheresh, jam kurioz te di se si ndryshonte, nese, opinioni publik shqiptar per keto gjera (qytetar/tirons vs katundar/malok etj) para Luftes se Dyte Boterore. Te pakten sa i perket Tiranes ne vecanti dhe qytetit ne pergjithesi, pati nje institucionalizim te kesaj ndarje nga qeveria moniste dhe kjo padyshim ka akoma dhe sot efektet e saj sociale, dhe do ti kete te pakten derisa te jemi gjalle ne qe ishim gjalle dhe ne monizem.

    1. Ti do kesh jetuar ne ndonje univers paralel ku fshatari kishte perparesi ne komunizem ne Shqiperi dhe pashaportizimi ishte tregues evropian dhe jo vize per te ardhur ne Tirane (apo dhe qytete te tjera xhanem), e per me teper, praktikisht vize e pamundur per shumicen derrmuese te fshatareve.
      Me fal per banalitetin, po me 10ve se qeshuri, po te pakten mos e bej pis temen interesante thjesht per te mbrojtur komunizmin, se tema eshte sociologjike.

  2. Mua me vret keq kur vini re:

    Emigrimet e mëdha të fillimviteve 1990 drejt Europës nuk e zgjidhën dot problemin e popullsisë “së tepërt”

    Jo per gje, por ne fjalorin tim ‘urban’ eshte shprejhja ‘rob shtese’. Dtmth, rob sa per te arritur nje numer te caktuar, qe me gjase qenka ai 3 milionshi i politikes te PPSh. Pra i bie qe une e ata 1 milion e kusur fryme u dashka te zbytheshim qe te jetojne ata qe mbeten. Dhe tani na rezulton qe kjo qe beme qenka e pafrytshme sese kur thoni

    Pushteti, edhe qendror edhe lokal, veç mund të përpiqet dhe në fakt duhet të përpiqet, që t’i harmonizojë këto të drejta elementare njerëzore të individëve dhe të familjeve, në mënyrë të tillë që ato të mos prodhojnë konflikte sociale dhe kriminalitet, por mirëqenie dhe frymë të shëndoshë komuniteti.

    eshte pothuajse e pamundur .

    Le te kujtojme qe Kines i duhet nje rritje vjetore e ekonomise mbi 8% vetem qe te absorboje dyndjet ne qytet. Madje une them qe edhe ‘Pranvera Arabe’ eshte rezultat i drejtperdrejte i dyndjeve te masava fshatare ne qytet. Pra me duket e pashprese receta juaj. Dhe kjo me trishton shume.

    1. Mbipopullim + rini të papunë + prishje të komuniteteve + rritje galopante të pabarazisë sociale + besim të patundur se elitat në pushtet janë krejt të korruptuara: ja një recetë e sprovuar për trazira sociale dhe “revolucion.”

  3. I nderuar Xha Xha,

    Filimisht, kur pashe qe ju kishit shkruar ne reagim te asaj batute groteske, me erdhi mire pasi pavaresisht se mendoj se me fjalet e Laures nuk shkohet as te dera, e verteta eshte qe ajo shprehu publikisht nje qendrim mjaft te perhapur ne Tirane. Mirepo per te qene e sinqerte me ju, nuk jam e bindur se shkrimi i pergjigjet thelbit te asaj “batute”, apo me sakte qendrimit ne fjale. Nuk jam e bindur pasi se pari, ne kuptimin tim, bazuar nga njera ane ne pervojen 10 vjecare studentore dhe profesionale ne Tirane, dhe nga ana tjeter ne ndjekjen jo te paket te diskursit publik dhe atij me te kufizuar ne administrate dhe ne shume qarqe profesionale te sferes se madhe te shoqerise civile, qendrimi “pordhac” i “Tironsve” nuk mund te reduktohet ne nje neveritje ndaj fshatit. Se dyti, sepse nuk mendoj se disa pjese te analizes suaj jane te sakta. Apo ndoshta thjeshte kane nevoje per me shume shtjellim e argumentim per t’u kuptuar sakte sic i keni patur ndermend.

    Per t’i marre me radhe, po e nis me mungesen e qytetit ne analizen tuaj, dhe pranine e keqe te qytetit ne qendrimin e Tironsve. Konkretisht, analiza juaj perqendrohet teresisht te levizjet fshatare ne Tirane, e kryesisht gjate viteve te zvarritura te tranzicionit. Ne fakt, levizjet migratore brenda vendit nuk kane qene, aspak, vetem fshat i kudondodhur – Tirane. Trajektoret kane qene te shumta, perfshire qytete-Tirane, fshat i rrethit – qender e rrethit, fshat-qytet me gjere, dhe qytet-qytet me gjere. Per ilustrim te ketyre rasteve mund te permenden levizje mjaft domethenese nga Vlora, Berati, Fieri, Shkodra, Korca ne Tirane (etj), Malesi e Madhe – Shkoder, Vuno-Vlore, Delvine-Sarande, Progonat-Vlore, e keshtu me radhe. Me pak fjale, po ta shohim me me vemendje migracionin e brendshem verejme se: 1) ka prekur gjithe vendin, dhe 2) nuk eshte ekskluzivisht fshat-qytet. Per kete te fundit, deshmi e mire eshte zona e sotshme ne Tirane rreth rruges Komuna e Parisit / Tirane e Re – nje zone me nje numer te konsiderueshem familjesh nga qytetet e Vlores, Fierit e Beratit. Dhe per t’u komplikuar jeten atyre Tironsve qe duan ta shohim boten thjeshte e me veten ne krye, keto familje jane ne shume raste mjaft te nderuara, dhe aspak kriminale, apo te pagdhendura me menyrat e qytetit.

    Por fatkeqesisht, degjon sot ne zyra shume te rendesishme shteterore ankesa te tipit “si nuk mesun iher t’flasin tamon kta” per shkodranet dhe korcaret, etj (se nuk e di perse, NESE me “tamam” nenkuptohet shqipja letrare, Tironsve u eshte ngulitur qe e zoterojne mire shqipen). Fatkeqesisht, degjon sot shume brockulla te ketij lloji ne zyra te rendesishme shteterore e jo-shteterore ku Tirona eshte vatra e civilizimit, dhe qytete si Shkodra, Korca, Gjirokastra etj nuk jane “tamam” (pavaresisht se turistet i shetisim ne keto qytete – pra, pranojme se nja dy vlera i paskan, apo na i paskerkan patur). Degjon keshtu edhe nga shume intelektuale, te konsideruar te tille nga te tjere, apo te vetequajtur te tille. Dhe ky term eshte mjaft problematik dhe meriton trajtim me vete. Per t’ju dhene nje shembull qe per mua vete ka qene i dhimbshem – para rreth dy vitesh, u be nje proteste para Piramides per te kundershtuar planet e qeverise dhe kryetares se parlamentit te atehershem per ta shembur, ne te cilen mora pjese se bashku me mikesha nga Kavaja, Shkodra, Kukesi dhe Elbasani (vete jam nga Fieri). Njeri prej folesve qe mbajti fjalim ishte edhe i ndjeri Ardian Klosi. Ne fjalimin e tij, duke iu drejtuar kryeministrit te atehershem, i thoshte se ai nuk mund te bente c’te donte me kete qytet “ti qe je i ardhur, ti qe je i zhdrypur”. U degjuan brohoritje te medha. Mua me jane ngulitur ne mendje ato fjale nga nje dijetar per te cilin ushqeja shume respekt, dhe ato brohoritje. Nuk deshiroj qe me nje rast te tille t’i ve ndonje vule te ndjerit Klosi. Fatmiresisht vepra e tij flet per shume me shume. Por eshte domethenese qe ne momente te caktuara trazimi, edhe intelektuale te tille behen provinciale – sepse pronvincialitet eshte te mendosh ngushte, dhe te mendosh ngushte eshte te japesh origjinen si shpjegim apo argument.

    Ne teresi, keto qendrime te ilustruara me siper nuk jane vetem injorim i prurjeve mjaft cilesore profesionale (ne mjekesi, politologji e politike, gazetari, pedagogji, avokati, biznes, etj) qe i kane ardhur Tiranes gjate ketyre viteve, por kjo lloj perbuzje e qyteteve te tjera eshte injorim edhe i vete historise e stofes me te hershme qytetare e elitare te kryeqytetit. Elitat e ketij kryeqyteti (dhe ndoshta nuk bej gafe te pohoj te njejten gje per shumicen e kryeqyteteve e tjera ne Evrope) nuk kane qene ndonjehere ekskluzivisht, apo as kryesisht Tironse. Kjo eshte e vertete ne politike, sic eshte ne filozofi, letra dhe arte, drejtesi, apo ne profesione te tjere. Ashtu sic e do logjika, kryeqyteti mbledh nder vite shume nga me e mira e vendit per shkak te perqendrimit aty te pushtetit politko-administrativ, e rrjedhimisht edhe ekonomik. Kjo nuk perjashton zhvillimin e qendrave te tjera te pushtetit ekonomik, apo te llojeve te tjera te aktiviteteve, dhe kjo ka ndodhur ne disa vende (psh. Roma kryeqytet, Milano kryeqender ekonomike). Por ne Shqiperi, per shume arsye, qytetet e tjera jane varferuar jashte mase ne shume kuptime (por jo te gjitha kane shkuar rrjedhimisht ne epoken e gurit, si ekonomikisht, si kulturalisht – p.sh. Korca). Gjithsesi, ka te pakten nje qytet tjeter me fuqi te rendesishme ekonomike, qe eshte Durresi. Pra, per ta mbyllur kete pjese, nderkohe qe te analiza juaj ve re se mungon vemendja ndaj levizjeve masive nga qytetet ne Tirane, ne qendrimet e nje mase te mire Tironsish (qofshin keta te hershem, apo te “bere” te tille nga levizjet e gjysherve me heret) keto prurje jane po ashtu te perbuzura si ato fshatare.

    Ne lidhje tani me analizen tuaj per prurjet fshatare. Per shkak se u zgjata shume me siper, po mundohem te jem sa me ekonomike ketu, dhe po ndaloj vetem te disa momente te analizes suaj te cilat mendoj se do te perfitonin nga nje rishqyrtim, diku me i thelle, e diku jo. Se pari, ju shpreheni se “te ardhurit kane sjelle me vete mjerim, kriminalitet, dhe tjetersi”. Pervec analizes se mesiperme dhe vete realitetit kompleks ne Tirane qe besoj e sfidon kete pohim ne shkrimin tuaj, edhe nese do te ishte rasti vetem per prurje fshatare, perseri kjo nuk do te mund te ishte nje e vertete monolite. Nuk mohohet natyrisht qe ka patur rritje te kriminalitetit pas renies se regjimit komunist, dhe arsyet jane te shumta por te perqendruara te dobesimi (deri diku i paevitueshem) i shtetit. Nuk mohohet gjithashtu qe shume lagje me te ardhur shfaqin nivele shume shqetesuese kriminaliteti. Por kjo nuk eshte e vertete per te gjitha keto lagje/zona, dhe per me teper harron te gjithe ata te ardhur qe nuk jane te perqendruar ne lagje te caktuara, por jane te shperndare e te ngaterruar neper qytet me bashkeqytetare te qyteteve te tjera, apo nga Tirana. Nje pohim me mjerim e kriminalitet brenda une mendoj se duhet bere me shume kujdes. E perseris, jo se nuk eshte i vertet ne shume raste (ndoshta eshte), por sepse nuk eshte i vertet ne te gjitha ato raste. Gjithsesi, edhe ne ato raste kur eshte i vertet, duhet te shohim me kujdes nese keto jane tipare tipike te traumave sociale qe ju permendni, nese renia teresore ekonomike e Shqiperise ka patur nje rol madhor, nese renia e shtetit ka patur nje rol po aq madhor etj. E formuluar si ne shkrimin tuaj, ky pohim (qe duhet cilesuar, minimalisht) i ngjan nje akuze mjaft te rende per njerez gjithsesi shume te vuajtur dhe shume te paragjykuar.

    Se dyti, ju permendni nje bashkefajesi, nje komplicitet te nje “mafieje” ndertimi, nepermjet logjikes se krahut te lire te punes, per pune te pakendshme per qytetarin Tirons. Nuk jam e sigurt se e kuptoj drejte argumentin tuaj ketu. Ka nje numer shume te madh rastesh ku te ardhurit i kane ndertuar vete shtepite e tyre – dhe jo rralle ne permasa e me kushte pak a shume te mira. Ka gjithashtu shume te ardhur qe i kane blere shtrenjte banesat e reja. Ju, me duket, se po thoni se keto blerje e ndertime kane ndodhur si rrjedhoje e nje masterplani te ndertuesve, per te cilin ata jane dashur te punesojne krah punetor fshatar, cka ka sjelle me vone dyndjet. Nese eshte keshtu, nuk jam e bindur qe kjo eshte ajo qe ka ndodhur, por ndoshta nje shtjellim i metejshem i idese nga ju do me lejoje t’jua kuptoj idene me mire. Deri ketu, mua me duket se ka patur fillimisht kerkese te forte per te levizur ne Tirane, ndaj te ciles ndertuesit kane reaguar me vonese, keq dhe shtrenjte ne shumicen e rasteve. Nuk mendoj se kane filluar ndertimet perpara se te fillonin levizjet demografike, por anasjelltas. Dhe gjithsesi, sic e thashe, nje pjese e mire e te ardhurve kane ndertuar vete mbi tokat qe kane blere, ose zaptuar. Por te mos harrojme qe edhe kane blere – te mos e harrojme thjeshte per te kujtuar perseri kompleksitetin e ketyre levizjeve. Edhe ka patur abuzime, por edhe nuk ka patur ne shume raste te tjera.

    Se treti, ju i paraqisni levizjet si tregues i “lidhjes se pamjaftueshme me pronen e patundshme”, e me pas ne kete fjali permendni problemet me pronen ne Shqiperi. Me duket mua se do te ishte e sakte te flitej per lidhje te *pamundur* me token, se sa te pamjaftueshme. Kjo me duket primare, pasi realisht nuk e shoh se si mund te kete qene e mundur kjo lidhje mes problemeve me pronesine, fragmentarizimin e tokes qe iu rishpernda fshatareve e qe nuk dilte as per njesine familjare, dhe trysnise se madhe ekonomike (e shkaktuar edhe nga ceshtja e prones, por jo vetem). Por ketu ndoshta kemi te bejme vetem me nje ceshtje renditjeje te pjeseve te analizes, se nuk me duket se ju po e mohoni problematiken e madhe te prones.

    Po e le ketu se u zgjata shume dhe me shume gjera neper duar, nuk e di as sa e qarte kam qene. Dua te shtoj vetem nje gje te fundit, per nje sqarim qe me duket i rendesishem. Nuk eshte qellimi im te jap pamjen e nje zhvillimi demografik te perkryer. Ka qene e eshte larg nga te qenit i tille. Por edhe teresisht bloze nuk eshte. Pervec asaj qe kam shkruar me siper per prurjet cilesore ne Tirane nga gjithe vendi, natyrisht qe ka trauma te renda sociale qe e kane shoqeruar migrimin e brendshem qe nga pikenisja e deri te pikemberritja ne Tirane apo qytete te tjera (dhe te gjitha qytetet kane patur dhe ankohen nga dyndjet fshatare). Por eshte e rendesishme te dallojme ato vertet te rendat nga ato jo edhe aq te renda. Gjate komunizmit, dhe edhe me pas, gjyshja ime (vete me origjine fshatare) ankohej per fshataren e katit te peste qe hidhte koret e shalqirit nga ballkoni te koshi i lagjes (pa e kapur asnjehere koshin). Madje njehere me cau edhe koken me nje kavanoz me salce te prishur domateje nga kati i peste. Sot njerezit vazhdojne te ankohen per gjera te ngjashme – qesja e plehrave ne ashensor, per shembull. Por keto probleme, sado acaruese per jeten ne komunitet, nuk jane madhore. Dhe duhet te dijme t’i dallojme dhe t’u qasemi ndryshe. Keto jane pjese e pashmangshme e jetes ne komunitete ne proces shperberjeje e riberjeje – dhe ky proces u be ne vetvete i pashmangshem ne Shqiperine post-komuniste. Ajo qe mund te shmangej dhe qe mendoj se kerkon adresim urgjent eshte korruptimi i elitave. Pra, pervec politikave te pushtetit qendror e vendor per te menaxhuar levizjet demografike, ne na duhet ndertim vlerash. Nuk ecet me elita dialektore qe perbuzin dialekte te tjera, edhe te te njejtes familje. Nuk ecet me elita pa shkolle (ne sensin dinjitoz te shkolles, e jo ne sensin e Kristalit me shoke) e aspak erudite. Nuk ecet me elita meskine. Nuk ecet me elita vlerat e meritat te ciles jane lindja ne Tirane, paraja e piste, apo llustra e shkelqimi prej reviste.

    1. E dashur Adela,

      të falënderoj për këtë koment kaq të thelluar, të tillë që rrallë e ndesh në blogun tonë.

      Do të doja të përgjigjesha më gjatë në disa pika; edhe pse në përgjithësi jam dakord me ty – dhe se shkrimi im që u bë shkas për komentin nuk pretendonte për vështrim gjithëpërfshirës.

      Gjithsesi, do t’i kthehemi sërish kësaj çështjeje, e cila meriton shumë më tepër vëmendje se ç’i është kushtuar deri më sot.

      Për ta mbyllur këtu, po shtoj një vërejtje të vetme, që mendoj se duhet theksuar: lëvizjet e popullsisë i prishin komunitetet ekzistuese (p.sh. mëhallën), dhe atje ku prishen komunitetet, do të gjallërojë krimi (që i krijon shumë shpejt komunitetet e veta).

      1. Xha Xha,
        Ju falenderoj perzemersisht per pergjigjen e shpejte, dhe me kenaqesi e vijojme diskutimin ne nje moment te dyte, kur te kemi mundesi ta trajtojme edhe ne forme gjitheperfshirese. Dhe ne kete kuader, argumenti qe sinjalizoni mbi gjallerimin e krimit eshte shume interesant per t’u shtjelluar me tej.
        Deri atehere, gjithe te mirat!

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin