kështjéll m., kështjellë f. Merret përgjithësisht, bashkë me formën kastjél të De Radës, për një huazim nga it. castello; khs. G. Meyer 191, Meyer-Lübke Gr Gr. I2 1043, Helbig 30, 76.
Ndryshimet fonetike që ka pësuar kjo fjalë: reduktimi i a-së së pathekse në ë, diftongimi i e-së, ndrimi i s-së në sh, dëshmojnë më fort për një huazim nga lat. castellum; për të tilla kritere dallimi të latinizmave të shqipes nga italianizmat sh. vërejtjet tona në Revue de ling. VII 1 175v. Atëhere si formë primare do marrë kshtjél kështjél, Junku, Bashkimi (te G. Gurakuqi HD III 521) keshqél (me tj : q): në pajtim me rregullën e Pedersenit (KZ 33, 536) që refleksi i lat. ll (geminate) në shqipen është l. Prandaj ne me l palatale e lexojmë këtë fjalë dhe tek autorët e vjetër të Veriut, megjithëse grafia e tyre lë vend për dy lexime, me l e me ll: Buzuku (LXXI = LXXXI, Luka 9, 6) E ata por u̯injinë përqark kështjelavet “Egressi autem circumibant per castella”, Bardhi s.v. Castellum, Oppidum. Edhe arsyet e kuptimit flasin për një huazim të kohës latine; kështu Emënatë e Gjytetevet e të Kështjelet Arbënit “Hoc est proprium nomina Urbium nonnullarum, atque Castellorum, ad eam partem Macedoniae spectantium, quae Epirus, sive Albania dicitur” te Bardhi 196 shënon qytetet mesjetare zhvilluar rreth një fortese. Kështu kjo fjalë, si një huazim pas gjase prej latinitetit të vonë, shkon bashkë me gjerm. e lartë të vj. kástel, irl. e mesme castel caisel, korn. castel etj. që burojnë prej lat. castellum; khs. për këto Pedersen KG I 219, Walde-Hofmann I 180, Kluge-Goetze 289. Për reflekset sllave të fjalës latine sh. Berneker I 582, Vasmer REW I 641, për gr. καστέλλος Triandaphyllidis 92, 130. Në shqipen forma me ll- (l velare) dokumentohet vonë, e pas gjase është sajuar prej shkrimtarëve. Në qoftë se është me burim popullor, do t’i detyrohet ndikimit të it. castello. Thjesht italiane (kalabreze) është kastjél e arbërishtes së Kalabrisë. – Gjinia femërore e kështjellë-s për ne nuk ka lidhje me nominativ-akuzativin (Jokl IF 36, 98vv.) po rrjedh prej shumësit më -a, karakteristik më fort i femërores, i cili dha shkas për lindjen e një femëroreje më -ë, pas skemës së shpeshtë fusha shm. fushë njëjës; khs. edhe këshill.
Shënim: këto etimologji që po nxjerrim në blog janë pjesë e bleut të pestë të Studimeve Etimologjike të Çabejt, i cili do të botohet së shpejti. Edhe në qoftë se disa prej tyre janë botuar më parë (në Studime Gjuhësore, etj.), versioni i tanishëm është riparë, plotësuar dhe korrigjuar nga Brikena Çabej. [2Xh]
Etimologjia e mësipërme e Çabejt, që disave mund t’u jetë dukur e vetëkuptueshme (kush prej nesh nuk e ka bërë lidhjen mes shqipes kështjellë dhe italishtes castello?) në fakt ka rëndësi të madhe për kronologjinë e ndikimeve të latinishtes dhe të gjuhëve romane në shqipen.
Problemi përbën kokëçarje të madhe për etimologun – sepse ndonjëherë fjala e dyshuar për burim ka praktikisht të njëjtën formë edhe në latinishte edhe, bie fjala, në italishte.
Shto këtu edhe që ndikimi i latinishtes në shqipe ka zgjatur për shumë kohë – që nga kontaktet e para mes Romës dhe bregdetit shqiptar të Adriatikut disa shekuj p.e.s. e deri vonë në Mesjetë, pa llogaritur marrëdhëniet e shqipes me italishten (venecianishten) në bregdet, me dalmatishten (kryesisht në veri: Shkodër, Drisht, Danjë, Ulqin, e më tej) dhe me latinishten ballkanike lindore (rumanishten, arumanishten).
Etimologut i duhet të vërë pak rregull këtu – ose një farë rendi kronologjik në fjalët; dhe nuk mjafton të thotë se kjo fjalë është huazuar nga latinishtja, meqë huazimet e hershme ndryshojnë, deri edhe fonetikisht, nga huazimet e vona; sikurse ndryshojnë huazimet popullore nga huazimet librore (p.sh. disa nga termat fetarë të krishterë).
Ka edhe një aspekt tjetër: meqë marrëdhëniet e shqipes me latinishten kanë zgjatur për gati 1,500 vjet (pa llogaritur këtu marrëdhëniet më të reja me italishten), atëherë fjalët latine që kanë hyrë në shqipe gjatë këtyre shekujve ofrojnë bazën më të mirë për të kuptuar si ka evoluar shqipja vetë – në një kohë kur mungojnë krejt dëshmitë e shkruara nga ana jonë.
Prandaj edhe kronologjia është dyfish e rëndësishme. Çabej u ka kushtuar një monografi huazimeve latine në shqipen, e cila përmban një përshkrim të të gjitha aspekteve – fonetike, leksikore-kuptimore dhe gramatikore të marrëdhënieve të shqipes me latinishten.
Kjo kronologji mbështetet edhe në të dhënat historike – sepse shumë gjëra ndodhën në Ballkan, gjatë këtyre 1,500 vjetëve: pushtimi romak, sundimi romak, kolonizimi ose romanizimi i trojeve të gjera të gadishullit, përzierja e vendësve me kolonët nga Roma gjatë sundimit romak dhe më pas gjatë trazirave që shoqëruan zbritjet e barbarëve, zhvendosjet e fiseve ilire më parë për t’u shpëtuar romakëve dhe pastaj sllavëve, krishterimi i bregdetit që duhet të ketë ardhur gjithashtu prej Rome (po të gjykosh nga trajtat e terminologjisë fetare të krishterë në shqipen), marrëdhëniet e shqiptarëve me rumunët dhe me dalmatët (romanë) e kështu me radhë.
Edhe njëherë, urime për inciativën e ofrimit online të këtyre shënimeve të çmuara të prof. Çabejt. Është privilegj të jesh në gjendje të njihesh me etimologjinë e fjalëve shqip; si edhe, më gjerësisht, me vetë historinë e shpipes.
Kam kureshtje të di diçka më shumë për lidhjet e mundshme të fjalës ‘kështjellë’ me një rrënjë emërformuese në shqip, por edhe në gjuhë të tjera, e cila më duket tepër e hershme. Bëhet fjalë për rrënjën ‘kastr-‘ që e gjejmë në bazë të disa toponimeve në trojet shqiptare dhe sot e kësaj dite; p.sh. Kastrati në zonën e Malësisë së Madhe apo Kastrioti, vendlindja e Skënderbeut, në zonën e Dibrës. Po ashtu, kjo formë na shfaqet si mbaresë në emrin e qytetit Gjirokastër.
Kjo që do shkruaj më poshtë është thjesht një hamendësim i imi; pra, një lidhje që me vjen ndër mend mua e jo ndonjë pretendim për njohje të thelluar etimologjike a shkencore. Megjithatë po më bëhet mbarë ta ndjek njëçikë këtë linjë, të shoh se ku shpie.
Këto rrënjë e mbaresa toponimike të shqipes, ‘kastr-‘ dhe ‘-kastër’, më sjellin ndërmend mbaresa të toponimeve në gjuhën angleze, ‘-caster’ dhe ‘-chester’. Këto i gjejmë dhe sot në emra qytetesh si Lancaster (Angli) dhe Manchester (Angli). Fjalorët etimologjikë online japin të dhëna për origjinën e këtyre toponimeve, si më poshtë:
‘-caster’ dhe ‘-chester’ vijnë nga anglishtja e vjetër (Old English) ‘caestrum’, term që nga ana e tij ka ardhur prej fjalës latinisht ‘castrum’ që do të thotë ‘vend i fortifikuar’. Ndërkohë, fjalën në anglisht ‘castle’, që korrespondon me fjalën shqipe ‘kështjellë’, fjalorët etimologjikë e japin si të prejardhur nga fjala latine ‘castellum’ e cila është, citoj, “një formë diminutive e ‘castrum’”, term ky që ka hyrë edhe më herët në gjuhën angleze.
http://www.etymonline.com/index.php?allowed_in_frame=0&search=castle&searchmode=none
http://www.merriam-webster.com/dictionary/castle
Në këto vija flet për etimologjinë e emrit të Gjirokastrës dhe artikulli përkatës në Wikipedia.
http://en.wikipedia.org/wiki/Gjirokaster
A është bërë një hulumtim i etimologjisë së toponimeve shqiptare të sipërpërmendura dhe a rezulton prej tij një formë më e hershme e fjalës ‘kështjellë’, kësaj radhe e derivuar jo prej ‘castellum’, por prej ‘castrum’? Mua personalisht kjo do të më shuante kurreshtjen; si dhe mund të kish vlerë për të ndriçuar edhe më tepër historinë e shqipes dhe marrëdhëniet me latinishten. Këto mundet dhe të jenë gjëra të ditura e ndoshta unë nuk jam i përditësuar; por më duket se ky është rasti e vendi për t’i sqaruar. Falemnderit paraprakisht.
Magus, me shumë rezervë, meqë nuk kam ndonjë përgatitje speciale si etimolog, po lejohem të vërej se pjesa e dytë e emrave të tillë si Gjirokastër, Mallakastër etj. është vazhdim i formës greke të fjalës; meqë në shqipe, latinishtja castrum, madje edhe greqishtja mesjetare κάστρον do të kishin dhënë dicka si *kashtër (khs. edhe fjalë si kanistër, manastir, që kanë hyrë në shqipe relativisht vonë nga greqishtja e re).
Në rregull, ju falemnderit.
Ka kuptim ndikimi i greqishtes në toponimet e jugut. Ndërkohë që ato dy toponime të veriut të Shqipërisë, që përmenda më lart, mund të kenë lidhje më tepër me emra fisesh (si Kastriotët) se sa me hyrjen e një fjale latine në gjuhë. Nuk di të them nëse etimologjia e emrave do të shpinte në pasurim të kuptimit tonë për gjuhën dhe historinë e saj, në këtë rast; por ndjej se këtu po i avitem territorit të spekullimeve pa pasur ndonjë burim a studim të mirefilltë në dorë. Ndaj tërhiqem. Nga ana tjetër, mbetem kurioz të lexoj në veprën e Çabejt, kur të botohet, sqarimin për etimologjinë e fjalës shqipe ‘qytet’, nëse e përfshin.
Korrigjim: fjala në anglishten e vjetër (Old English), që referova më lart si e prejardhur prej latinishtes ‘castrum’, është ‘caester’ (dhe jo ‘caestrum’, siç kisha shkruar gabimisht).
Magus, Brikena më dërgoi etimologjinë e fjalës qytet, të nxjerrë nga botimi përkatës.
qytét, qutét m. Nga lat. civitātem. Khs. G. Meyerin 229, Puşcariun EW 349, Bartolin Dalm. I 269, Skokun Časopis Mod. Fil. 1914 f. 403. Vështirësitë që paraqet metafonia a:e te qytet, pushtet, shëndet, vullnet etj., Meyer-Lübke (Gr Gr I2 1043) përpiqet t’i kalojë me hipotezën që sufiksi -āte i latinishtes u ndërrua në shqipen me një sufiks vendi që përmbante një -et. Jokli (IF 36, 148 e 160) e pranon këtë, veçse mendon që ky lloj sufiksi i shqipes që ndikoi më lat. -āte është -esë nga një *-atia, sufiks që shfaqet krahas me -ét në fjalë si vullnesë vullnet; te forma më -e qytete, ashtu si te mende, vullnete etj., ai gjen shumëse të singularizuara. Mënëfund Ribezzo (Riv. d’Alb. II 335 v.) metafoninë te qytet pushtet e shpjegon nga një -i fundore në bazat ciu(i)tati, potestati që ai paravendon për latinishten ballkanike. Barići (Hŷmje 64) kthehet te hipoteza e burimit dalmat që pat shtruar dikur Meyer-Lübke (MRIW I 31) për metafoninë a:e të shqipes.
Historia e kësaj fjale të mbarë gjuhës duhet të rimerret. Përsa i përket pikësëpari gjinisë, si e kemi shtjelluar dhe në LP VIII 113 vv. e në Revue de ling. VII 1 190, civitātem bashkë me të tjerat emra femërore latine të lakimit të tretë, në shqipen e vjetër, e për një pjesë të mirë dhe në shqipen e sotme populloren, paraqiten rregullisht si femërore, po me hiferezë të -e-së: Buzuku (XLIV, Mateu 21, 10; XLVII, Mbretërit III 17,10) gjithë qytetja u ˚ngriti “commota est universa civitas”, e erdh ˚mbë derë të qytetsë “Cumque venisset ad portam civitatis”. Bardhi Civitas Gjytet, Civis Gjytetës, Urbes Gjytete, e Alta civitas E naltë gjytet. Bogdani (II, 4, 11; I 119, 4) Ngushëllime janë thanë për ty# o Gjytetja e Hyjit “Gloriosa dicta sunt de te Civitās Dei”, Kur Regji Senecarib rethoj Gjytetnë Jerusalemit, të Gjytétasitë drojnë ditënë “Quando Re Senecharib assediò la Città di Gierusaleme, li assediati non si assicuravano di giorno”. Këto femërore të tipit qytét qytetja, short shortja, me fundorin konsonantik të trajtës së pashquar më njerën, me fundorin -ja të së shquarës më tjetrën anë, i paraqiteshin ndjenjës gjuhësore si një anomali, gati si nomina ambigena. Prandaj kategoria e tyre me anë të një sinkretizmi u eliminua sidomos në gjuhën e re të shkrimit, duke shkuar pjesërisht me mashkulloret (qytét qyteti), pjesërisht me femëroret më -ë e më -e (qytetë qyteta, shorte shortja). Prandaj mashk. qytet-i nuk është një nominativ i ri nxjerrë nga akuzativi (fem.) qytetë, si mendon Jokli. E një fem. qytete gjytete, nga sa shihet, nuk ka; duket të jetë një konstrukcion i gramatikanëve e leksikografëve, ndërtuar logjikisht pas së shquarës qytetja; kjo vlen dhe për qyteteja e madhe që përdor Kristoforidhi te Shbulesa (Apokalipsa) 16, 19; 18, 16; 18, 18 e 18, 21. Sa për alternancën u:y, i-ja e pathekse e rrokjes së parë të lat. civitatem duhet t’u ketë reduktuar brenda shqipes në -ë-, e kjo t’u ketë zhvilluar në rrokje paratheksore në -u-, si shpeshherë. Prandaj qutet pas gjase është trajta primare, qytet një zhvillim sekundar. Budi e Bardhi e Kuvendi i Arbënit kanë qytet, Bogdani (I 101, 19), Grigori (f. 246) e Boçari (f. 83) qutet. Prandaj ђutet e Buzukut si një fjalë e gjuhës letrare transkribohet qytet, megjithëse dhe leximi qutet është i mundur. – Për sa i përket mënëfund metafonisë, trajtat Kalaja Kiudatsë e Qudát Skanderbegut me kuptimin “fortesë, kështjellë (= sll. gradъ)”, qudát “lagje” në Mat, që dëshmon Hahni (Reise Drin-Wardar 20, 21, 73, Sagwissenschftliche Studien 62 shën. 4), na shpien dhe për shqipen te një *qutát *qytát, e cila shkon me rum. cetate e vegliot. cituot si vazhdime të lat. ballkanike, me it. Civitavecchia, span. ciudad etj. Skema prandaj ka qenë *qutát *qytát: shumësi qutete qytete, e cila u uniformua në qytét, shm. qytete. Me fjalë të tjera, qytét është një shumës i singularizuar. – Në lidhje mënëfund me kuptimet e fjalës, deminutivi qytezë, i cili ruhet dhe në emra vendesh – mbledhur në Gazetteer 140 – bashkë me Qudat Skanderbegut që jep Hahni, dëshmon për këtë fjalë dhe një përdorim “fortesë, kështjellë, kala” pranë atij të qytetit, e me këtë e afron fjalën dhe semantikisht me rum. cetate “kala, kështjellë”. – Neologjizma janë qytetár-e (emër e mbiemër), qytetas m., qytetërój me emrin qytetërim m., kjo dikur qytetëri f.
(nxjerrë nga bleu VI, që përmban shkronjat O-P-Q-R-RR, botuar në vitin 2002)
Oh, surprizë e këndshme! Ju jam mirënjohës.
Si dhe të tjerat, një zbërthim shterues i kësaj fjale prej prof. Çabej. Interesi im fillestar kish të bënte me lidhjet e mundshme, në origjinë, mes ‘qytet’ dhe ‘kështjellë’. Në shënimin e tij nga fundi i skedës më lart Çabej vëren, citoj:
“Në lidhje mënëfund me kuptimet e fjalës, deminutivi qytezë, i cili ruhet dhe në emra vendesh – mbledhur në Gazetteer 140 – bashkë me Qudat Skanderbegut që jep Hahni, dëshmon për këtë fjalë dhe një përdorim “fortesë, kështjellë, kala” pranë atij të qytetit, e me këtë e afron fjalën dhe semantikisht me rum. cetate ‘kala, kështjellë'”.
Po kështu interesant është përafrimi me rumanishten.
Gjithsesi, etimologjikisht, termat ‘qytet’ dhe ‘kështjellë’ nuk janë të lidhur, ndonëse duket se kanë qenë të pranëvendosur si nocione në kohët kur dhe filluan të mbruheshin në shqip, prej latinishtes.
Cabej permend edhe nje ‘Këshqel’ , toponim, mesa duket ne veri ku sheh mbeturina(relikte) elementesh latine te shqipes.