kërshëndella, kërshëndelle fshm. Ndërsa Miklosichi AF II 176 e G. Meyeri 189 e nxirrnin nga lat. Christi natalia, Pederseni KZ 33, 539 me më të drejtë, për punë të l-së velare, e spiegon nga lat. Christi natale. Skoku (Arhiv II 112, Revue ét. sl. VII 190, Razpr. Izd. Znanstv. Dr. za human, vede v Ljubljani 4, 9) vë në pah rolin e kishës së Docleas në përhapjen e fjalës. Khs. dhe Tagliavini 159 e 316. Për përpjekjet e K. Gurakuqit (Ora 1 Nr. 5 f. 19) të A. Fishtës (HD VIII 13vv.) e të D. P. Sulit (Leka V 52v.) ta spiegojnë këtë fjalë me mjete të shqipes, nga një kompozit *Krisht këndellë “këndellja e Krishtit” (B. Palaj HD X 284 shën. 4 nga Sh. Knella), le të shihet kritika e drejtë e Joklit (IJ XV VII 136, XVIII VII 175, XIX VII 226). Ndërkaq te krishndellet e Weigandit (f. 39) ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore nuk mohohet.
Fjalë e mbarë gjuhës. Buzuku (XIVa) djerie ṃbas Krëshëndéllsh; Budi (RR 204, 3; 1, 8; SC 34, 122) njëjës natëcë kërshëndéllesë, jashtë ditëcë kërshëndéllesë; pashkënë e kërshëndéllënë, po M pashkëshi cë mëdhā, Rshajesh, e kërshëndellesh; për toskërishten sh. Hahn I 154 e Fjalorin e tij f. 45. Si shumë emra të kremtesh, ashtu edhe ky më fort përdoret si shumës, sh. LP VII 161; prandaj -e e -a te kërshendelle kërshndella janë mbaresa plurali. Këndej spiegohet dhe metafonia, duke pasur dhënë Christi natale në shqipen *kërshëndáll, që në shumës dha pastaj kërshëndelle, LP VII 118v. Historikisht kjo fjalë është i vetmi refleks i lat. Christi natale, e cila nuk rron gjëkundi në fushë të gjuhëve romane, khs. tani Revue de ling. VII 1 168. Fjalës latine morfologjikisht i përgjigjet gr. e re κριστούγεννα, që është edhe kjo “të lemit e Krishtit”, edhe kjo një plural ashtu si shq. kërshëndella kërshëndelle. Kjo e fundit me fjalën greke piqet dhe në kuptimin: Në Jugë, pas Hahnit, kërshëndellet janë gjashtë javët e kreshmëve që para kërshëndelleve e gjer në Teofani; poashtu afërsisht dhe κριστούγεννα në gr. të re, sh. Dimitrakos IX 7910. – krish(t)lindje është neologjizëm, pas gjase një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke.
Sa gjë e bukur.
Falemnderit për këtë postim.
Duke parë interesin e madh që ka për etimologjitë e Çabejt, veçanërisht të shërbyera kështu, në doza të vogla, po shtoj disa pak shënime të lirshme, për t’ua lehtësuar leximin jospecialistëve.
Studimet etimologjike të Çabejt jo vetëm kërkojnë “origjinën” e një fjale, por edhe duan të përshkruajnë historinë e përdorimeve të saj në shekuj.
Në një gjuhë të shkruar vonë si shqipja, gjurmimi historik i fjalës kërkon punë të imtë hetimore, me etimologun në rolin e një detektivi që kombinon së bashku fije shpjegimesh dhe interpretimesh nga burime të ndryshme.
Në etimologjinë më lart, të fjalës kërshëndella, Çabej mbështetet sa në tekstet e vjetra të shqipes, aq edhe në shpjegimet që i kanë dhënë kësaj fjale etimologë të tjerë, që janë marrë me të.
Si edhe në shumë etimologji të tjera, lexuesi do ta kuptojë se dija albanologjike është gjithnjë inkrementale, dhe dijetari serioz nuk mund veçse të niset atje ku e kanë lënë të tjerët.
Prandaj edhe emra si Meyer, Jolk, Pedersen, Miklosich dhe Weigand do t’i ndeshësh shpesh në tekstet e Çabejt – sepse këta janë paraardhësit dhe mësuesit e tij. Kështu, kur Çabej nuk ka çfarë t’i shtojë një shpjegimi të dhënë nga një paraprirës, mjaftohet t’i referojë lexuesit atje – duke rimarrë vetëm minimumin e informacionit që i duhet.
Kuptimi dhe përdorimi i fjalës janë gjithashtu vendimtarë për mënyrën si i qaset etimologu. Kështu, fjala kërshëndella është emër i një të kremteje fetare, e cila me logjikë do të supozohet se ka ardhur në shqipe së bashku me fenë përkatëse, ose Krishterimin.
Çabej, në një vijë me Pedersenin, e lidh këtë me shprehjen latine Christi natale, e cila ka ardhur sot vërtet e shndërruar nga ana fonetike, por gjithnjë sipas rregullave të gjuhës.
Kjo shprehje e latinishtes duket si e vetmja që i përmbush kriteret formale, për të qenë burim i fjalës shqipe; pavarësisht se nuk ka vazhduar në ndonjë nga gjuhët romane të sotme. Që këtej, shqipja jep edhe ajo një kontribut për të kuptuar përhapjen e terminologjisë latine të krishterimit jashtë gadishullit italik.
Në disa raste, Çabej i paraprin format që sjell si shembuj me një yllth: *kërshëndall. Yllthi këtu tregon fjalë dhe forma të rindërtuara, por që nuk dëshmohen gjëkundi në dokumente ose gjetiu.
Kështu, *kërshëndall është vazhdimi i ndërmjetëm i Christi natale; para se kjo fjalë të përfundonte në kërshëndella, edhe pse fjala kërshëndall nuk ndeshet asgjëkundi në tekstet shqipe, as në shqipen e gjallë.
Kalimi nga -ndall në -ndell, që Çabej e quan metafoni (ose Umlaut në gjermanishte) është karakteristike e shumësit historik të shqipes (p.sh. plak/pleq, dash/desh, etj.), siç e ka argumentuar Çabej vetë në një studim të gjerë.
Mendohet se ajo mund të jetë shkaktuar nga ndikimi, mbi a-në e temës së fjalës, nga një prapashtesë e vjetër e shumësit, -i, e cila sot nuk përdoret më, edhe pse ka lënë gjurmë të shumta.
Një tjetër term që ndeshet në tekstin e Çabejt, dhe që shënjon një koncept me rëndësi në punën e etimologut, është ai i “etimologjisë popullore” – gjermanisht Volksetymologie.
Etimologjia popullore shënjon një proces të formimit të fjalëve, gjatë të cilit një fjalë e panjohur, zakonisht e huaj, transformohet në mënyrë të tillë, që t’i ngjajë një fjale të njohur në gjuhën pritëse.
Te shembulli ynë, Çabej sheh veprimin e etimologjisë popullore në formën krishndellet, të cilën sipas tij e ka ndikuar emri Krisht, në bazë edhe të një marrëdhënieje kuptimore midis Krishtit dhe Krishtlindjeve.
Pak vërejtje edhe për rëndësinë e ligjësive të fonetikës historike në shtjellimet etimologjike.
Në krye të tekstit, Çabej flet për një l velare në fjalën Kërshëndella – kjo nuk është veçse ll-ja e rrokjes së fundit, e cila quhet “velare” për nga mënyra si artikulohet (duke angazhuar velum-in, ose pjesën e pasme të qiellzës, të quajtur ndryshe edhe qiellza e butë).
Sikurse arsyeton autori, kjo ll dëshmon se fjala rrjedh nga latinishtja natale, duke vazhduar një l ndërzanore të thjeshtë të asaj gjuhe, si edhe shumë huazime të tjera latine të shqipes që sot dalin me ll (p.sh. engjëll, mallkoj, kaproll, qiell, shekull, famull, mrekull(i), etj.); përkundrazi, Christi natalia, ku l–ja ndiqet nga një –i, do të kishte dhënë kushedi një *Kërshndaj dhe më tej ndoshta edhe *Kërshëndeja, meqë –i-ja ndjekëse do ta kish zbutur l-në në -j.
Çfarë ka rëndësi, këtu, është të shihet si rregullsia fonetike e kalimit nga një –l ndërzanore e latinishtes në një –ll të shqipes shërben si pikënisje për hipotezën etimologjike të Çabejt; por edhe e konfirmon atë më në fund.
Komentet më lart nuk pretendojnë të jenë as rigorozisht të sakta, as shteruese; por vetëm shpjegime sporadike për ndonjë vështirësi që mund të ndeshë lexuesi i sotëm jo-ekspert. Do t’i vazhdoj këto komente kur të nxjerr etimologji të tjera, me shpresë se ashtu lexuesi do të arrijë të rrokë metodën që ndjek Çabej në këto studime; në mënyrë që pastaj t’i lexojë ato si të ishin investigime të mirëfillta – njëkohësisht duke e kuptuar se sa pak të përbashkëta ka midis etimologjisë si dije dhe asaj tjetrës, imagjinative, që sot bën ligjin në botimet me natyrë porn-albanologjike.
Ju lumtë xhaxha.
Por shteti shqiptar duhet të pasurojë me këto kryevepra albanologjike bibliotekat e të gjitha shkollave.Shkollat në të cilat kam punuar para viteve ’90 -edhe në fshat të ishin-kishin në fondin e tyre edhe “Studimet etimologjike në fushë të shqipes”;me sa mbaj mend deri tek shkronja “D”.Por më duhet të them se këto vepra mungojnë në shkollën brenda qytetit,ku sot jap mësim. Në ato kohëra i lexoja me kureshtje dhe admirim.(Mbaj mend nga ajo kohë-mbi 35 vjet më parë- bashkë me mahnitjen për punën kolosale të profesorit të nderuar,edhe mosaprovimin tim për nxjerrjen e fjalës “Suka,Sukë” nga “çuka”,”çuke” e fëmijëve.;mosaprovim që lidhej thjesht me përhapjen e gjerë në vendet sllave të këtij toponimi).
Ndoshta për shkak të profesionit tim të mësuesit të matematikës vendosja lidhje midis etimologjisë së një fjale dhe vërtetimit të një teoreme.Prandaj lexoj edhe tani me kërshëri libra që lidhen me këtë temë,deri edhe për gjuhën italiane,si tekstet “LA PAROLA , LA NORMA” të autorëve Roberto Valli e Bino Risi.
Jam në pritje për të lexuar postimet e radhës…
Eshte sa befasuese aq edhe e mrekullueshme sjellja e ketyre etimologjive te veçanta.
Nëse nuk gabohem vëllimi që përmban gërmën K është ai që nuk është botuar ende. Shumë iniciativë e mirë kjo, bravo XhaXhait e Brikenës.
Një korigjim i vogël. Dorëshkrimi ka χριστούγεννα, jo κριστούγεννα.
Po, Tannhauser, janë lema nga bleu i pestë i “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, që më në fund është THUAJSE gati për shtyp – mbeten disa pak plotësime të vogla referencash. Pra ka ende kohë për ndreqje gabimesh: kështu që të FALENDEROJ me zemër për sinjalizimin! Na paska shpëtuar të gjithëve ky gabim, me gjithë ballafaqimin disa herë! Do ta ndreq fill.
Dhe nga kjo përvoje fantastike korrigjimi online, nëse Xha Xhai do të kishte mirësinë të më jepte mundësinë e sjelljes këtu në blog të lemave ku ka ende mungesa, mbase do të më ndihnit ju të gjithë për t’i plotësuar sa më parë.