Shkrimtari francez Georges Perec njihet, mes të tjerash, për romanin e tij La disparition (1969), në tekstin e të cilit nuk ndeshet asnjëherë shkronja e.
Këto lloj eksperimentesh letrare, njihen edhe si lipograma.
Ja një fragment nga romani i Perec-ut, sa për të krijuar një ide si duket teksti:
Son pouls battait trop fort. Il avait chaud. Il ouvrit son vasistas, scruta la nuit. Il faisait doux. Un bruit indistinct montait du faubourg. Un carillon, plus lourd qu’un glas, plus sourd qu’un tocsin, plus profond qu’un bourdon, non loin, sonna trois coups. Du canal Saint-Martin, un clapotis plaintif signalait un chaland qui passait.
Pyetja që më ka lindur sapo kam dëgjuar për këtë tour de force herkulean të Perec-ut, ka qenë nëse është e mundur që dikush ta lexojë këtë tekst dhe të mos e vërë re se i mungon shkronja e.
Ky do të përbënte eksperiment më vete, i cili të sjell në mend batutën e njohur nga një komedi e Molière-it, Borgjezi fisnik, ku personazhi kryesor, Mr. Jourdain, habitet kur merr vesh se qenë duke folur prozë gjithë jetën, pa e ditur:
Par ma foi ! il y a plus de quarante ans que je dis de la prose sans que j’en susse rien, et je vous suis le plus obligé du monde de m’avoir appris cela.
Disa retoricienë modernë e kanë kundërshtuar këtë, duke vërejtur pak a shumë se ligjërata e zakonshme nuk mund të quhet “prozë”; dhe se proza si e tillë është gjithnjë produkt i një përpjekjeje të vetëdijshme dhe të qëllimshme.
Gjithsesi, revenons à nos moutons. Për arsye të njohura teknologjike, shqipja sot po shkruhet gjerësisht me një alfabet të cungët – duke lënë jashtë ë-në dhe ç-në, meqë këto shkronja i mungojnë tastierës së anglishtes.
Dukurisë ia kemi nxjerrë ujët e zi këtu në blog, dhe nuk po i kthehem; por vetëm dua të vë në dukje se, ajo çfarë po ndodh me shqipen kësisoj të keqtrajtuar do të mund të konsiderohej si eksperiment lipogramatik në shkallë të gjerë; edhe pse i atillë ku një shkronjë zhduket duke u zëvendësuar me një tjetër.
Meqë mua më duket i palejueshëm ky gjymtim i alfabetit, bëj të pamundurën që, të paktën në publik, t’i përdor të 36 shkronjat e shqipes.
Që nga MS Word, këtë mund ta bëj pa vështirësi; por në mjedise të tjera, p.sh. kur jam duke hartuar një e-mail, më duhet të përftoj gjëkundi një ë, ta kopjoj dhe pastaj ta shkruaj si CTRL + V sa herë që më duhet.
E gjithë kjo funksionon mirë, me përjashtim të një problemi të vockël: ç-ja.
Tani, kur më duhet patjetër një ç, nuk kam rrugë tjetër veçse të shkoj atje ku kisha përftuar ë-në, të krijoj një ç dhe pastaj ta kopjoj dhe ta ngjit siç bëra më parë me ë-në.
Procedura është pak e mërzitshme; sidomos kur punoj ndonjëherë drejtpërdrejt online (p.sh. kur merrem me një përkthim ose redaktim të bazuar në server).
Zgjidhja? Ka shumë zgjidhje – por të gjitha marrin kohë. E vetmja rrugëdalje praktike që kam gjetur, është ajo e lipogramës: ose ta shkruaj shqipen duke e shmangur, brenda mundësive, shkronjën ç.
Kjo s’është dhe aq e vështirë sa ç’duket: për shembull, në vend që të shkruaj siç, shkruaj sikurse; në vend që të shkruaj veçan shkruaj më vete; në vend që të shkruaj veç shkruaj vetëm; në vend që të shkruaj çoj shkruaj shpie; në vend që të shkruaj çun shkruaj djalë; në vend që të shkruaj çupë shkruaj vajzë; në vend që të shkruaj çel shkruaj hap; në vend që të shkruaj çaj shkruaj ndaj; në vend që të shkruaj çantë shkruaj torbë, trastë ose qese; në vend që të shkruaj peliçe shkruaj gëzof; në vend që të shkruaj çuditem shkruaj habitem, e kështu me radhë.
Me kalimin e kohës, kam ngulitur në mendje një listë zëvendësimesh, të cilën e përdor sa herë që më del ç-ja përpara; listë e cila ka filluar të më japë kënaqësi intelektuale – edhe pak dhe tekstet do të marrin ngjyrë lehtësisht poetike.
Dhe kështu, shqipja ime në ueb (por jo në blog) vjen e merr natyrë lipogramatike të kulluar, meqë i është rralluar shumë njëra prej shkronjave – edhe pse pa iu zhdukur krejt. Disa fjalë, si çfarë ose çelës nuk i zëvendësoj dot (le pastaj paçe, çarçaf, viç, çekiç, çelik dhe çizme), pa e çnatyruar krejt gjuhën, sidomos në përkthime të rëndomta.
Më vjen keq që po e sakrifikoj kështu ç-në; shkronjë dinjitoze, së cilës madje edhe bishti i rri bukur; pa ia përmendur pastaj vlerën kulturore, si e vetmja zgjidhje grafike (ose mveshje grafike e një foneme) të cilën alfabeti ynë ia ka dhuruar një tjetri, atij të turqishtes.
Lipogramatik nga halli, do ta kisha titulluar shkrimin.
Në kompjuter mac ç-ja është po aq e kollajshme sa edhe CTRL + v. Është alt + c. Ë-ja është vetëm një hap më e ndërlikuar. alt + u pastaj e. alt + u bën që çfarëdo shkronje të godasësh më pas të jetë nën umlaut.
Ndërsa në Windows tashmë ka një skemë për shqipen, e bazuar mbi QWERTZ – http://en.wikipedia.org/wiki/Albanian_keyboard_layout. Në në njëjtën faqe ka informacion edhe për variante të tjera. Kurse në Linux mund lehtësisht të modifikohet xkb – kartela përgjegjëse për shenjat e çdo tasti.
Problemi është që tastierën unë e përdor, ndoshta po aq shpesh, për të shkruar anglisht – dhe gishtat e mi janë mësuar me konfigurimin e tastierës anglisht.
Në artikullin e Wiki-s varianti i dytë është një programth që ndryshon vetëm dy taste për ç/ë, përkatësisht pranë p/l. Shihet më se qartë në faqen e vet: https://vargmal.org/shqip/perdorimi.php, se skema US-International është 99% e paprekur.
Nuk jam përdorues Mac, megjithatë në kërkim i thjeshtë nxjerr diçka të tillë: http://www.dotkam.com/2011/01/04/edit-keyboard-layout-on-mac/
Cilado prej tyre, ato janë thjesht zgjidhje të ndryshme teknike, me të cilat mjaftojnë vetëm disa ditë përdorim për t’u mësuar e mandej shmangen humbjet e përsëritura të kohës për këdo që dëshiron.
Ata që përdorin kryesisht tastierën italiane e kanë më të lehtë, sepse “ç”-në e kanë diku djathtas si kokrra e mollës.