Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media / Totalitarizëm

NUK PATI KAFSHIME

KimUa hodhën apo nuk ua hodhën qenve?

Javën që shkoi, një gazetë kineze e Hong-Kongut njoftoi se xhaxhain e udhëheqësit koreano-verior Kim JongUn, të dënuar me vdekje për tradhti të lartë, e kishin hedhur, për ndëshkim suprem, në një kafaz me dhjetëra qen (langonj) të vdekur urie – të cilët e kishin bërë pastaj plakun copë-copë, para se ta hanin për darkë.

Një histori që e përcollëm edhe ne në Peizazhe të Fjalës, meqë këto kohë të turbullta na ka interesuar gjithçka që u referohet marrëdhënieve mes qenit dhe homo sapiens-it, siç edhe mund ta keni vënë re.

Lajmi i ekzekutimit me kafaz qensh të Jang SongThaek-ut ishte i llojit dog bites man; që, siç na e kujtoi këtu edhe Pishaku para pak ditësh (Lajmi i kafshimit), zakonisht nuk është nga ata që tërheqin vëmendjen.

Nga ana tjetër, në disa restorante të gadishullit korean, edhe man bites dog nuk do të përbënte ndonjë lajm, sidomos kur qeni në fjalë serviret në pjatancë.

Gjithsesi, tani rezulton se asnjë qen nuk është përzier në këtë larje hesapesh brenda familjes; dhe se lajmi në fjalë, për ekzekutimin me qen të uritur, e paskësh pasur prejardhjen nga një blog satirik kinez.

Na gënjyen, pra – dhe ne e besuam, meqë ekzekutori Kim JongUn e kish quajtur në publik xhaxhain e vet “qen bir qeni”, ose diçka të ngjashme, në gjuhën e vet; çka jo vetëm provonte, për ne, se edhe në atë kulturë të largët qeni është problematik, sidomos në metaforat; por edhe i jepte një farë logjike perverse teknikës që paskësh qenë zgjedhur për ekzekutimin.

Tani, i vetmi që përfiton nga përgënjeshtrimi i lajmit është vetë regjimi koreano-verior; meqë publiku, i lehtësuar, do të thotë: nuk paska qenë pra e vërtetë, kot u ranë në qafë të shkretëve.

Nipi thjesht e paska pushkatuar xhaxhanë, si burri burrin. Ajo e qenve të uritur paska qenë shpifje.

Pra lajmi është për t’u rikategorizuar si i llojit man bites man, me nota të lehta kanibalizmi brenda familjes.

Pa Komente

  1. Qe kur u perhap rrufeshem neper media, lajmi mbi ekzekutimin makaber te pucistit koreano- verior te linte disi mosbesues, packa se ne disa media shqiptare te lajmit te fundit u raportua shabllon si nje e vertete e mbaruar. Kishte dicka teper groteske ky lajm; thuhej per shembull se ekzekutimi kish marre formen e nje spektaktli nje ore te gjate me audience diktatorin dhe shpurren e tij (nje lloj auto-da-fe-je e stilit torture porn). Shqyerja nje-oreshe behej e ngjashme me nje film horror, por ku nuk ka renie te ritmit, ku tmerri ngelet cdo moment i perqendruar ne maksimum.
    Reflektim: me ben pershtypje kjo ngarendje pas ekstremeve, ky obsesion morbid ndaj gjithckaje te tepruar deri ne skaj. Per te sjelle vetem nje shembull: edhe nje “zbulim” i pop-it si Miley Cyrus nxjerr gjuhen e vetelepihet ne stil hard core per te terhequr interesin e publikut. Pa diskutim qe e tmerrshmja, e pergjakshmja, e neveritshmja gjithmone kane pasur aneksin e tyre ne kulture, por tanime, ne nje variant teper kitsch, jane kthyer ne mainstream-in kulturor te koheve pasmoderne. C’ dekadence!

  2. Ekzekutimi me qen m’u duk një lloj metafore, meqë qentë endacakë hanë zakonisht klosharët, ose njerëz të braktisur e në vështirësi mbijetese. Ungji i Kim JongUn-it ishte tashmë emblema e braktisjes. U harrua edhe nga fotografitë zyrtare, jo më nga njerëzit e regjimit. Tani versioni ndryshoi. Eshtë pak çliruese për opinionin publik ndërkombëtar. Kjo është aq e vërtetë saqë dëgjova deklaratën e një politikani ekstremist italian që nuk e justifikonte drejtpërdrejt ekzekutimin, por thoshte se “kështu janë ligjet e atij vendi”. Po të kishte qenë konfirmuar ekzekutimi me “qen” ndoshta nuk do ta kishte thënë, sepse nuk ka (besoj) ligje që e mbështesin këtë lloj dënimi.

  3. Koment i pavend. 🙂 Xhaxha, nuk dua ta prish as muhabetin, as seriozitetin e muhabetit, por fotogradia që ke vënë, më përçon mendime të çuditshme. Garipat e dikurshëm të lagjes sime, një tip si ky, kishin për ta kapur për faqe me dy gishtat e dorës (me dy variante: gishti tregues + gishti i mesit, ose gishti i madh + gishti tregues) dhe kishin për t’ia shtrënguar fort duke nxjerrë llapën përjashta. Pa fjalë fare. Ose vetëm: “Nga të kemi more buçko!”.

    E di që kjo fytyrë u kall tmerrin miliona njerëzve, e nuk ka asgjë për të qeshur. Por ndonjëherë e qeshura mbetet i vetmi shpëtim…

  4. Pishak, mua tamam ne kete fotografi me duket tmerresisht i frikshem e ia shoh shume qarte dellin e keq, inatin, ligesine, mizorine, psikopatine. Une per faqeje mund te kapja Willem Dafoe, por ketij te fotos do i rrija nje oqean larg (ose dy). 🙂

    1. Presje, të duket ashtu për dy arsye: 1) Ti e di se cili është; po mos ta njihje, do të dukej topolak i qetë e djalë pëllumb, pak leshko por i mirë. Tek e fundit, diktatorët, nuk janë dukur të tillë nga fytyra. Zakonisht duken edhe të bukur… Historia jonë na ndihmon. 2) Ti nuk je nga lagjja ime 🙂

    1. aman, Pishak, vec mos i thuaj atyre cunave te lagjes sate qe e mendoja ndryshe prej tyre 😉 … megjithese sot eshte lagje si gjithe te tjerat besoj.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin