Deri edhe një objekt kaq universal dhe intuitiv sa trupi, gjuhët e ndryshme e “mapojnë” në mënyra të ndryshme.
Kështu, për të marrë vetëm shqipen dhe anglishten si bazë krahasimi, ndryshimet të lënë gojëhapur.
Të gjithë e dimë që shqipja quan këmbë atë që anglishtja e ndan më dysh: në foot dhe në leg.
Por ky është veç një nga dallimet e shumta midis dy gjuhëve.
Shqipja, bie fjala, kujdeset të dallojë midis qafës, zverkut dhe gushës, nëse duam; ndërsa anglishtes i mjafton një neck (zverku emërtohet në mënyrë relacionale: the back of the neck).
Po ashtu, atje ku ne kemi supe dhe shpatulla, anglisht-folësi ka veç shoulders.
Shqipja gjithashtu e ndan krahun në llërë dhe parakrah; edhe pse ndonjëherë ngatërron krahun dhe dorën – ndryshe nga anglishtja, që nuk ka ndonjë fjalë që t’i përgjigjet saktësisht shqipes llërë.
Nga ana tjetër, ndryshe nga anglishtja, shqipja nuk dallon mes knuckles, wrists dhe ankles, por i quan në mënyrë analitike kyç i dorës, kyç i gishtit, kyç i këmbës. Këtu bëjnë përjashtim kyçe më të rëndësishme, si gjuri dhe bërryli, të cilat kanë emrat e tyre. Ndërkohë, emri i një tjetër kyçi të rëndësishëm, këllk (shumës këllqe), në anglishte hip, nuk ka zënë vend mirë në leksikun shqip aktiv.
Për t’u kthyer te këmbët, shqipja ka edhe shalë edhe kofshë, ndërsa anglishtja mjaftohet me thighs.
Për shtatin, një tjetër fjalë që anglishtes praktikisht i mungon (upper body është analitike, torso librore), shqipja ka së paku katër fjalë hiponime, të ndara në grupe dyshe: gjoks e krahëror nga njëra anë, shpinë e kurriz nga tjetra. Të krahasohet kjo “pasuri” kurrizore me anglishten back, e cila me kohë ka fituar gjithfarë kuptimesh abstrakte, hapësinore dhe kohore (“prapa”), duke u larguar nga fusha leksikore e trupit, dhe pjesërisht e zëvendësuar nga shoulders.
Shqipja ka edhe sqetull, atje ku anglishtja përdor thjesht armpit – literalisht, zgavër ose vrimë e krahut.
Përkundrazi, anglishtja kujdeset të dallojë midis chin dhe beard, atje ku shqipes i mjafton një mjekër.
Në mënyrë të ngjashme, atje ku anglishtja ka fingers dhe toes, shqipja ka gishta të dorës dhe gishta të këmbës; ndërsa anglishten thumb shqipja e jep si gisht i madh (pëlqyer është vjetëruar tashmë). Përkundrazi, shqipja ka një fjalë të vetën, specifike, për thonjtë, ndërsa anglishtes ndonjëherë nuk i mjafton nails, dhe duhet ta specifikojë si fingernails, përkatësisht toenails.
Shqipes i mungon një fjalë specifike edhe për nostrils, të cilat i quan në mënyrë analitike vrimat e hundës, ose flegrat (metaforë); por ndonjë shprehje si i doli për hundësh, ku fjala hundë del papritmas në shumës, lë të kuptohet se do të ketë qenë përdorur edhe për vrimat.
Njëlloj si shqipja me gjoks, edhe anglishtja e quan breast organin përkatës të femrës (metonimi); por shqipja ka edhe cica (sisë) të krahasueshme kushedi me tits ose boobs; sikurse ka edhe gjinj, që sot tingëllon pak letrare, ose i referohet më shumë funksionit ushqyes (me foshnjen në gji).
Nga ana tjetër, shqipja nuk duket të ketë një fjalë specifike për nipples, por përdor, sipas rastit, kokrrat e cicave, thumbat, thithkat të cilat janë metafora, ose emra prejfoljorë (vepruesi) etj.
Kurioze janë edhe dallimet sa u përket flokëve: anglishtja përdor hair edhe për flokët, edhe për qimet, edhe për pushin; duke i mundësuar diferencat nëpërmjet përcaktorësh (body hair, facial hair, pubic hair, back hair, chest hair – po të shpërfillim emërtimet në slang). Në shqipe, fjala lesh, e cila zakonisht përdoret me kuptime të ngjashme me ato të anglishtes wool, është specializuar edhe për pubic hair. Nga ana tjetër, shqipja flokë nuk mund të përdoret me kafshët, ku zëvendësohet sipas rastit me qime ose push; pa folur pastaj për gëzof (angl. fur).
Edhe në gojë, shqipja është më specifike, duke dalluar gjithnjë me kujdes midis dhëmbit dhe dhëmballës, përkundrejt anglishtes tooth (përkundrazi, molar i përket sferës librore dhe është huazim dituror).[1]
Këto dallime të gjithë mund t’i vëmë re; më interes ka të pyesim nëse këto vizatime të ndryshme të hartës leksikore të trupit luajnë ndonjë rol në mënyrën si e perceptojmë dhe e mendojmë trupin apo jo.[2] Roman Jakobson-i dikur pat thënë se gjuhët dallojnë mes tyre jo nga çfarë mund të thonë, por nga çfarë janë të detyruara të thonë; dhe këtë detyrim kemi parasysh, kur flasim për idiomatikë dhe idiosinkrazi të një gjuhe, në krahasim me një tjetër.
Nga ana tjetër, disa gjuhëtarë kryesisht sociolinguistë sot mendojnë se monolinguizmi është produkt i shtetit-komb dhe standardizimit; dhe se plurilinguizmi është më i natyrshëm për shoqëritë dhe komunitetet. Kjo do të thotë, nëse përkthehet në termat e parashtrimit tonë, se çdo shqiptar në kontakt, të themi me italishten, do ta vërejë herët e vonë se nuk ka asgjë absolute në dallimin që ai bën mes supeve dhe shpatullave (italisht spalle); njëlloj sikurse italiani, pas konstatimit se shqiptari përdor të njëjtën fjalë edhe për gamba, edhe për piede, nuk do të arrijë gjë në përfundimin se imazhi i tij për trupin është më i saktë se i atij tjetrit.
Aq më e vërtetë është kjo, po të kemi parasysh se trupi komunikon me subjektin drejtpërdrejt, pa ndërmjetësinë e gjuhës; dhe se kur më dhemb këllku unë e ndiej dhimbjen edhe kur nuk e di si quhet tamam ai kyç; ose kur e quaj “gabimisht” ije.
E megjithatë, qëndrimi i linguistikës moderne, se këto dallime gjuhësore janë vetëm sipërfaqësore dhe nuk e prekin qasjen tonë konceptuale ndaj botës nuk duhet marrë si i derdhur në bronz.
Një gjuhë si shqipja, që dallon midis zverkut dhe qafës, do të ndërtojë, mbi fjalën zverk, një sistem metaforik që lidhet me shfrytëzimin duke ia mbivendosur edhe një metaforike gjeometrike vertikale; gjë që anglishtja me neck nuk mund ta bëjë. Nga ana e vet, anglishtja ka ndërtuar një sistem të pasur metaforik rreth fjalës thumb, që lidhet sa me volitshmërinë (rule of thumb) aq edhe me diktatin (under my thumb); në një kohë që gishtit të madh të shqiptarit i mungon kjo “mitologji.”
Po ashtu, një numër dallimesh, si ato midis flokëve dhe qimeve, të cilat anglishtes i mungojnë, në shpien në fushën leksikore dhe konceptuale të bashkëjetesës sonë me kafshët; ose të shkallës sa e identifikojmë veten me kafshën (dhe me këtë apo atë kafshë të caktuar; çfarë shqipja quan thonj te macja, për anglishten është zakonisht claws; çfarë ne quajmë krah të zogut ose të mizës, anglishtja e njeh detyrimisht jo si arm por si wing) dhe sa distancohemi prej saj.
Kurioz do të ishte këtu edhe dallimi unik që bën shqipja midis vdes dhe ngordh, i cili tek e fundit vjen dhe i jep konceptit të vdekjes një kuptim tjetër, në raport me çfarë ndodh në një gjuhë si anglishtja, ku ai dallim nuk ekziston.
Në veprën e tyre madhore Philosophy in the Flesh, George Lakoff dhe Mark Johnson e kanë përpunuar këtë qasje në mënyrë sistematike, për të treguar marrëdhëniet aq themelore midis perceptimit gjuhësor (mapimit) të trupit dhe konceptimit që ia bëjmë botës – marrëdhënie të cilat marrin trajtat e metaforave.
Se çfarë e detyron një gjuhë të dallojë midis leg and foot dhe një gjuhë tjetër ta shpërfillë këtë dallim, por të kujdeset të dallojë, përkundrazi, midis kofshë dhe shalë, këtë nuk e gjejmë dot. Leksiku i çdo gjuhe evoluon si sistem; dhe ndryshimi në kuptimin e një fjale sjell ndryshime edhe në kuptimin e fjalëve të përafërta, derisa vetë mapimi të ndjekë logjikën e vet formale dhe nga jashtë të duket si arbitrar.
Për të njëjtën arsye, nuk i japim dot përgjigje pyetjes pse anglishtja nuk e ka bashkëtingëlloren gj; ose pse shqipja nuk e ka i-në e shkurtër të fjalëve të tilla si pit dhe fit; ose a-në e mbyllur të fjalëve të tilla si sun ose much (e cila, incidentalisht, hispanikëve të NYC u dëgjohet si o).
[1] Për sa më lart, i jam referuar leksikut aktiv të shqipes standarde bisedore, ose fjalëve që çdo shqipfolës pret që një shqipfolës tjetër t’i dijë dhe t’i përdorë (p.sh., fjalori jep çokë dhe noçkë për anglishten knuckle; por të dyja këto fjalë nuk janë pjesë e leksikut bisedor aktiv). Kam lënë gjithashtu mënjanë krahinizmat dhe huazimet librore. Për shembujt e sjellë mund të diskutohet veç e veç – por besoj se ideja e përgjithshme e shkrimit ruhet edhe në rast se ndonjë shembull rrëzohet.
[2] Një shembull mapimi pak a shumë arbitrar do ta gjejmë në identifikimin e yllësive nga kultura të ndryshme. Në fakt, yllësitë janë thjesht konfigurime yjesh, të cilat duket sikur formojnë një imazh ose motiv të caktuar, kur shihen që nga Toka. Në fakt, pak a shumë të gjitha kulturat kanë nga një emër për Plejadën ose për Orionin; por edhe në këtë rast emërtimi ndjek rrugë të ndryshme – p.sh. grekët e vjetër shihnin tek Orioni projeksionin e gjahtarit mitologjik, ndërsa indianët Lakota projeksionin e një dore. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë arsye pse, bie fjala, një kulturë të mos e përfshijë yllësinë e Qenit të Madh dhe të Orionit në një super-yllësi, ose të mos e ndajë Orionin më dysh – tek e fundit, motivet që shohim në qiell janë arbitrare dhe varen nga kultura e pamësit po aq sa edhe nga pozicionet e yjeve (në kuptimin që Qeni i Madh dhe Orioni mund të kombinohen, meqë janë afër; por Orioni dhe Arusha e Madhe jo, sepse janë larg). Për shembull, një sistem i mapimit të qiellit që përdoret nga banorët sllavë të ishujve të Dalmacisë – i njohur edhe si qielli çakavian – i kombinon së bashku Andromedën dhe Pegasin; Qenin e Madh dhe Qenin e Vogël; Ujorin dhe Bricjapin. Mekanizmi është i njëjtë, bie fjala, me atë të shqipes që quan këmbë një kombinim ose agregat të çfarë anglishtja do ta quante foot dhe leg. Meqë ra fjala, mendohet se emrat e yjeve në çakavishte, dialekt i kroatishtes, rrjedhin nga emrat përkatës në gjuhën përndryshe të panjohur të liburnëve, një fis që disa historianë të lashtësisë e mbajnë për ilir.
Eshte interesant si behet “mapping” i njesive qe mungojne ose qe te shfaqen te shumefishuara ne nje gjuhe tjeter, dhe cilat jane me te fuqishme e me te ngulitura e cilat konsiderohen si me te parendesishme. Kur jam e lodhur a e pavemendshme, ende sot, pas shume vjetesh ne US, qellon te them “my leg” ne vend te “my foot”, por kurre e kunderta. Gjithashtu ky dallim ne leksikun e angl. ma ka perforcuar shume perdorimin ne shqip te fjales “shputa e kembes”, gje qe s’e thoja para se te vija ne US. Perceptimi i botes dhe “gjuhesimi” i objekteve ndryshojne me hyrjen e gjuheve te reja ne repertorin linguistik te individit. Kjo jo vetem per fjale e koncepte per referente konkrete ne realitet, por edhe per fjale abstrakte.
Une perkthej rralle, por kur ndodh ndiej nje peshtjellim te bukur te te gjitha lidhjeve kognitive qe kam: riorganizim, qartesim, konflikt e zgjidhje, por kryesisht lufte qe ftillon kur kryhet. Sidoqofte perkthimi sistematik te ben te ndergjegjshem jo vetem per ndryshimet mes gjuheve por edhe per menyren se si e sheh boten ti dhe tjetri.
Meqenese u fol per gishta e per floke, me duket se ne gjuhen koreane thuhet “gishtat e kokes” per floket.
Gjithashtu, kur pyeta nje amerikan nese fjala “nipple” vjen nga nje tjeter fjale ne angl. (sepse une nuk e dija por e ndieja qe vinte nga nje tjeter) me tha “nuk e di origjinen, por me siguri!… sepse tingellon si zvogeluese”. Lidhjet e njeriut me gjuhen jane aq te brendshme dhe ne te gjithe dime shume me shume se sa dime se dime.
Hipoteza e relativitetit gjuhesor eshte mjaft intriguese. Ceshtja eshte nese maping-u (prerja gjuhesore qe i bejme fluksit te realitetit) ka karakter fondamental, ne kuptimin qe percakton kategorite konceptuale permes se cilave njohim boten, apo keto kategori i shpetojne kushtezimeve gjuhesore, ndaj dhe mund te dalim, si te thuash, jashte dy gjuheve me maping te ndryshem e t’i krahasojme me njera-tjetren. Nuk e di nese nje dileme e tille mund te zgjidhet ne menyre empirike sipas nje metodologjie rreptesisht shkencore, por vete jam i prirur te besoj se relativizmi gjuhesor radikal (hipoteza Whorf Sapir) paraqet nje pamje te ekzagjeruar te rendesise mes dallimeve gjuhesore ne gjuhe te ndryshme.
Janë bërë edhe eksperimente, me gjuhë që nuk përdorin drejtime subjektive (si djathtas dhe majtas) por objektive – sipas anëve të horizontit. Folësit e këtyre gjuhëve orientohen në hapësirë ndryshe nga ne të tjerët, që orientohemi në mënyrë egocentrike.
Në fakt xha, përbën jo pak problem ky orientimi egocentrik -majatas/djathtas, para/mbrapa (që i vishet edhe objekteve, si referencë). Tingëllon jo pak çoroditëse të thuhet: përballë Bankës Qëndrore… apo mbrapa Xhamisë së re (që mori dhe “leje ndërtimi”)
Do ishte fort më thjeshtë sikur të përdorej për referencë orientimi gjeografik (relativ), por duhet që personat të orientohen vetë, para se ta shprehin; dhe kam vënë re se orientimi për anët e horizontit është i dobët, mbase edhe prej mospërdorimit. Saktësinë (madje monopolin e saktësisë) e metodës gjeografike e tregon edhe përdorimi që herët i këtij përshkrimi, për pozicionet e objekteve, trojeve, pronave, në dokumentet e regjistrimit zyrtar.
Shpjegimin me te mire deri me sot te ketyre dallimeve dhe menyres me te cilen gjuhet e ndryshme “e presin” realitetin e ka dhene Luis Hjelmslev ne “Prolegomena to a theory of language”.
Lakoff me teorine e tij te metafores dhe te mendjes se trupezuar (Metaphors we live by) e ka shpene ne nje nivel me te larte shpjegimin e Hjelmslevit, duke mbetur gjithmone ne gjuhesi. Veçse me veprat e mevonshme si “Don’t think of an elephant” e te tjera ku rreket te analizoje ligjerimin politik amerikan, del nga objektiviteti shkencor dhe behet teper spekulativ.
Xhaxhai: Të gjithë e dimë që shqipja quan këmbë atë që anglishtja e ndan më dysh: në foot dhe në leg.
Eshte hapur kjo teme dikur; ne shqip behet dallimi midis leg dhe foot, ne kembe dhe shpute.
Nje ortoped shqiptar mund te na binde( shto ndonje tekst mjekesor) me shume.
Në fakt jo: shputë është pjesa e poshtme e foot, e cila bie në kontakt me tokën (ta konfirmon edhe fjalori).
Por edhe sikur të ishte shputë fjala shqipe për këmbë, atë nuk e përdor njeri – askush nuk të pyet “sa e ke numrin e shputës?”
Po të kërkosh në ndonjë të folme, mbase edhe e gjen dallimin foot/leg të leksikalizuar. Fakt është që shqipja e zakonshme, bisedore, e përgjithshme preferon ta shpërfillë këtë dallim, kaq themelor për gjuhë të tjera.
Ortopedi nuk hyn këtu: askush nuk dyshon se ortopedi di të dallojë midis foot dhe leg; pa çka se i quan të dyja këmbë, kur flet me ty dhe mua. Gjithsesi, mapimi i trupit në shqip i paraprin në kohë ortopedisë, madje edhe Cenit të jakive.
Pa deshiruar te hyj ne nje debat, i dashur Xhaxha (aq me teper me ju, per nje ortoped, nese mendojme se ai perfaqeson epitomen e njohurive ortopedike (përdorimin e sakte te termave edhe ne shqip), shputa perfaqeson ate qe eshte “foot” ne anglisht.
Se si eshte adaptuar kjo fjale nga shqipja ne përdorim per te perfaqesuar “the foot”, mund te jete nje ceshtje tjeter e karakterit etimologjiko-historik. Per kete, mund te jepni nje kontribut me profesional ju vete XhaXha.
Shputa eshte nje term qe sot perdoret regullisht (frequently) ne fjalorin e perditshem shqip( dhe ate mjekësor), mjafton edhe nje google-im. Nese dikush qe nuk ia di kuptimin, do te hap fjalorin e shqipes edhe mund te marre nje shpjegim qe ngushton kuptimin, thjesht me tabanin; ndoshta kjo mund te kete ndodhur prej nje përqasje te ngushte nga njerëzit (grumbulluesit dhe klasifikuesit) qe e kane futur ne harten e shqipes dhe qe me vone nuk e kane rishqyrtuar, verifikuar, “update-ur” përdorimin aktual te kesaj fjale.
Per njerëzit qe nuk e njohin përdorimin dhe kuptimin e fjales eshte nje rast i mire per ta mesuar, per te bere dallimin ne shqip midis pjesëve te rendesishme te gjymtyrëve te poshtme te trupit dhe per te mos menduar se ne shqip nuk ekziston nje dallim si ne anglisht. I bejme nder edhe shqipes me kete rast. 🙂
Une po ekspozoj jo vetem opinionin, por edhe bindjen, njohurine/eksperiencen/konsultimin tim profesional, megjithëse nuk merrem ngushtësisht me anatomine e trupit te njeriut.
Kam sjell si links-e disa shembuj nga nje google-im i shpejte. E konsideroj te mbyllur kontributin/diskutimin tim rreth këtij dallimi.
🙂
http://www.slideshare.net/HNikaj/terapia-manuale-leksioni-1
http://www.proletari.com/forumi/viewtopic.php?f=33&t=1831
http://sq.wikipedia.org/wiki/Gjymtyr%C3%ABt_e_poshtme_t%C3%AB_njeriut
http://www.telegrafi.com/shendetesi/shputa-e-shtrember-51-99.html
http://www.shqiperia.com/lajme/lajm/nr/11977/Nje-femer-s%60pyetet-per-moshen-apo-numrin-e-kembes-
http://www.mjeket.al/index.php?go=article&id=41
http://www.ikub.al/SHKOLLA_CATEGORY/1111280095/Article-Shputa-e-shtrember.aspx
Debati s’ka asgjë të keqe – më thuaj, të lutem, ti vetë e përdor ndonjëherë këtë fjalë, shputë, me kuptimin foot? Unë nuk e përdor, për vete.
Ndryshe nga gjuha që flasim ne, terminologjia ndjek rregulla dhe kritere të tjera – dhe në rastin tonë, mjekëve u duhet të dallojnë, edhe në term, midis pjesëve të “këmbës” – prandaj edhe kanë përshtatur fjalën shputë.
Përndryshe, fjala shputë përdoret edhe për shputën e dorës – pra anon të shënjojë pjesën e poshtme të një ekstremiteti.
Them se nuk duhet të ngatërrojmë përdorimet e zakonshme të një fjale, me ato të terminologjisë. Terminologjia vendoset në tavolinë, nga një grup ekspertësh, të cilët kanë si kriter udhëheqës saktësinë dhe mënjanimin e ambiguitetit (ose të polisemisë).
Unë them se e di se çfarë është shputa. Megjithatë, meqë ti ndërhyre duke më korrigjuar, thashë ta verifikoj fjalën në fjalorët – nuk di si ta verifikoj ndryshe. Kam shumë fjalorë në shtëpi – përfshi edhe Fjalorin e Kostallarit dhe atë të vitit 1954 – ose dy fjalorët bazë të shqipes.
Fjalorët më konfirmojnë se fjala shputë përdoret, para së gjithash, për shollën e këmbës, tabanin, ose pjesën e poshtme (angl. sole; ka edhe kuptime të tjera që nuk vijnë në vështrim këtu). Mua më duket qesharake që ne diskutojmë për këtë gjë. Ne duhet të diskutojmë për gjëra më të mençura se kaq.
Une e perdor shpesh ne kuptimin e “foot”, por ne tog “shputa e kembes”. Pjeses poshte i them “taban”. Por nuk e di si i shpjegon fjalori. I perdor ashtu sic i kam ditur, sido qe ne Shqiperi, mbaj mend vec ta kem lexuar fjalen “shpute” por jo ta kam thene. Sic thashe perdorimi i saj me eshte shtuar ne Amerike. Arsyeja eshte se kur flas ne shqip me vajzat e mia qe kane gjuhe kryesore anglishten, do t’i ngaterroja keq po t’u thoja “vrava kemben” ose “s’e di pse po me dhemb kemba”, kur ne fakt e kam fjalen per “foot” dhe jo “leg”. Eshte interesant qe ne praktiken e tyre kuptimi i “leg” eshte themelor dhe ne momentin qe une them “kembe” nuk qellon ta lidhin me “foot”, por e lidhin rregullisht me “leg”, nderkohe qe e dine se ne shqip fjala i mbulon te dy fushat. Besoj se dominanca eshte funksionale dhe per rrjedhim lidhet me frekuencen e perdorimit te fjales ne kete kuptim.
Nga ana tjeter ne kemi dallimin “dhëmb” e “dhëmballë” atje ku anglishtja ka vetem populloren “tooth”, duke perjashtuar natyrisht termin anatomik “molar”, çka e konfirmon edhe shprehja popullore “wisdom tooth”.
Shqipja ka edhe shprehjet “dhëmbi i syrit” dhe ndonjëherë “dhëmballa e syrit” – që nuk janë kaq intuitive (mendo t’i përkthesh në një gjuhë tjetër).
tjeter dallim: shqipja ka “qafe”, “zverk” dhe “gushë”, anglishja, me sa di une, ka vetem “neck” dhe “nape”, s’ka fjale per gushe.
Fakte gjuhesore si ai qe ne anglisht “foot” dallohet nga “leg”, ndersa ne shqip themi per te dyja “kembe”
nuk me duket se kane ndonje vlere te madhe konjitive, megjithese, sigurisht, ndikojne mjaft ne perdorimin figurativ te gjuhes. Dua te them se megjithese ne shqip themi “kembe” si per gjithe gjymtyren si vetem per pjesen e poshtme te saj, kjo nuk na pengon aspak ta konceptojme secilen me vete. Do isha i interesuar per sjelljen e ndonje shembulli te nje niveli me themelor, pra qe tregon sesi leksiku apo edhe struktura gramatikore e gjuhes kushtezon pasqyrimin e realitetit, pra veshtireson apo pamundeson komunikimin ndergjuhesor.
Para se të sillen shembuj, duhet të pranojmë se “leksiku apo edhe struktura gramatikore e gjuhes kushtezon pasqyrimin e realitetit, pra veshtireson apo pamundeson komunikimin ndergjuhesor” – por unë vetë nuk e besoj këtë, të paktën brenda gjuhëve IE. Thjesht mendoj se diferencat në leksik (ose në mapim) kushtëzojnë formën që merr kultura në nivelin më elementar.
Ndryshe është puna me gjuhët për të cilat fola më lart – ku orientimi hapësinor nuk bëhet në mënyrë relative (djathtas, majtas, para, mbrapa) por absolute, sipas anëve të horizontit. Psiko-linguistët kanë vënë re se folësit e këtyre gjuhëve e kanë të vështirë të komunikojnë orientimin hapësinor kur largohen nga hapësirat e tyre të banimit – meqë nuk e gjejnë dot menjëherë se ku është Veriu, Lindja, Perëndimi dhe Jugu.
Për ta sqaruar më tej: këtu ku jam ulur tani, dritaren e kam majtas. Për disa gjuhë të aborigjenëve të Australisë, kjo “majtas” nuk ka kuptim; po të flisja gjuhën e tyre, do të duhej të specifikoja se dritaren e kam “në Jug” ose në “Verilindje.” Tani, unë s’e bëj dot këtë edhe sikur të dua, pa parë busullën; sepse unë nuk e di me saktësi se ku është Veriu, p.sh. Nuk më intereson ky lloj orientimi dhe gjuha nuk ma kërkon.
Ervini: “nuk me duket se kane ndonje vlere te madhe konjitive, megjithese, sigurisht, ndikojne mjaft ne perdorimin figurativ te gjuhes. Dua te them se megjithese ne shqip themi “kembe” si per gjithe gjymtyren si vetem per pjesen e poshtme te saj, kjo nuk na pengon aspak ta konceptojme secilen me vete.”
Imagjino dy skenare: ke nje shqetësim, dhimbje ne “foot”. Ne rastin e pare nuk ke mundesi te shihesh me doktorin, keshtu qe flet ne telefon me te. Pyetjes, cfare(ku) te dhemb? Po ja doktor, kam nje dhimbje ne këmbe. Doktori: po ku ekzaktesisht? Po ja kam nje dhembje ne pjesen “e poshtme te kembes”.
Pastaj duhet te vazhdoje sqarimi, ta zeme, lokalizimi me i ngushte i dhimbjes, midis gishtit te madh dhe kurrizit te kembes, etj. Pra perdoret nje sens orientimi “spacial orientation”, poshte, lart, djathtas, majtas, anash, ne mes, ne cep, etj, ne mungese te nje përcaktimi me te drejperdrejte, fjales “foot”. Kjo te pakten per rastin konkret, nese nuk di se ka nje term tjeter qe mund te perdoret, si ta zeme fjala “shputa e kembes”.
Ne rastin e dyte: kur je para doktorit rruga eshte me e shkurter, sepse mund ta tregosh me gisht direkt vendin ku ndjen dhimbje. Kjo eshte me efikase, duke shmangur verbalizmin dhe sqarimin e detyruar. Kjo eshte me primitive, por eshte me efikase “per shqipen qe nuk ka foot”.
“Konceptimi i secilës me vete” vjen pas nje sqarimi, te renit me te gjate, me te detajuar. Imagjino tani te duhet te kesh nje pjese “fiction” per te shkruar, per te shpjeguar ekzaktesish se ku u plagos heroi, apo ku i dhimbte ekzaktesisht këmba, apo per te pershkruar qofte edhe nje moment erotik midis dy te dashuruarve, kur dihet se “feet”(shputat e kembeve) luajne nje rol shume te rendesishem. 🙂
PS. Une e perdor fjalen “shputa e kembes” me ate kuptim qe perdoret sot ne “mjekesi” (me eshte mesuar qe i vogel qe te tregoj ekzaktesisht dhimbjet ose per ndonje gozhde te ndryshkur qe me kishte care, gjakosur kur kaloja gardheve per te shijuar ndonje frute vjedhurazi ne oborret e komshinjve).
E kam hasur edhe ne njohes te anglishtes, nje pjese përkthyes dhe metodiste te mire, “absolutisht te shkëlqyer”, sic do te shprehej Sala per te hedhur peshen absolute te gjykimit te tij, 🙂 qe e bejne kete dallim edhe ne metodat qe japin mesimin e anglishtes apo tekstet qe kane përgatitur per nxenesit e tyre, kur diskutojne dhe mesojne pjeset e trupit.
Shembulli i aborigjeneve, Xha xha, eshte shume i goditur. Mendoj qe implikimet filozofike te faktit qe mes gjuheve IE nuk ka pengesa komunikimi si ato qe ekzistojne mes gjuhes se aborigjenve dhe gjuheve si e jona jane mjaft te rendesishme. Pra i bie qe folesit e gjuheve indoeuropiane i perkthejne lirshem mendimet nga nje gjuhe ne tjetren brenda familjes, jo sepse gjuhet e tyre i mbivendosen nje rendi konjitiv me parak, por per pasoje te faktit aksidental se gjuhet e tyre kane origjine historike te perbashket. Relativizem par excellence.
Një diskutim të hollësishëm dhe kompetent të shembullit që solla me aborigjenët e gjen te ky libër i Guy Deutscher: http://goo.gl/MZR9Kk
Shqipes i mungon fjala “woman”! E tmerrshme!!!