Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi

KUR NJË GRUA*…

Klimt - Bewegtes Wasser

Klimt – Bewegtes Wasser

Kur një grua është 50 vjeç, bota dhe njerëzit sigurisht janë njëlloj siç kanë qenë kurdo. Por gruaja vetë ka ndryshuar në mënyra të ngjashme e të ndryshme nga të tjera qenie 50-vjeçare , ngjashëm e ndryshëm nga burra, godina, institucione, pemë 50-vjeçare… dhe sigurisht ngjashëm, e sidomos ndryshëm nga qenie jo 50-vjeçare.

Pasuria e dhimbjes dhe vdekjes që është larg

Jeta dhe vdekja të janë shfaqur ndërkaq shumëdimensionale. Ideja se 50 vjeç do të thotë të kesh kaluar gjysmën e jetës është sa e hasur, aq dhe absurde, dhe një nga mënyrat se si sheqerosim frikën e afrimit të vdekjes. Normalisht në 50 vjeç ke kaluar më shumë ose shumë më shumë se aq. Por ndjesia e të qenit 50 dhe jo 60 apo 70 vjeç, është se trupi ende ndihet i ri, dhe mendja ndoshta edhe më e re. Ndaj ke bindjen iluzore se përpara ke jetë pa fund, madje mundet që as të mos e çosh fare nëpër mend vdekjen. Gjithsesi, ke pjekurinë njerëzore që të jep prova e vdekjes së tjetrit që në këtë moshë e kanë provuar të gjithë. Dhe ka një çast kur ke mbetur vetëm me vdekjen e tjetrit, qoftë edhe për fare pak; jo kur mendon se çfarë këpucësh të veshësh në varrim ose kur kërkon fjalët që t’i thuash një gruaje që ka humbur të birin, por një çast vetmie metafizike në të cilën ia sheh vërtet zemrën vdekjes; dhe gryka të thahet, ftohet dhe sikur çjetësohet e lë trupin; ti e ndien si vrapon turrshëm nga qendra jote e paidentifikueshme drejt ekstremitetesh të papërcaktuara; diçka e ngjashme me ç’ke ndier në momentin kur, veç për një pjesë të sekondës, shpëtove pa u shkelur nga makina, dhe më pas je ulur përdhe të mbledhësh veten, e njëkohësisht ta bindësh se jeton dhe vdekja s’të mori dot. Pastaj ky çast ikën; ti, e mësuar, i jepesh jetës dhe e harron atë frikën e vdekjes që sapo pe; ama kujtesa e kësaj eksperience të disahershme, në dukje distante, ka prani të rëndë e të thellë; shija e vdekjes që s’e çon në mend, të ka bërë ndërkaq më njeri. Në këtë pikë nuk ndihesh ndryshe nga një burrë… besoj. Por ndonëse prania e vdekjes nuk e dallon fort një mesoburrë nga një mesogrua, përjetimet e dhimbjes i dallojnë. Ka gëlltitur e absorbuar nga ajri e uji më shumë dhimbje një femër si fëmijë, si dashnore, si nënë, si grua, si bijë. Nuk i mat dot në fakt, por shoqëria njerëzore e vret gruan më fort e më shpesh, e i var në qafë gjerdanë dhimbjeje që ajo herë i fsheh para botës si të ishin bizhu vënë aty qëllimshëm, herë nuk ia del, dhe kërruset nga pesha. Por dhimbja që s’e ka kërkuar dhe as merituar, ia ka zbutur mesogruas syrin dhe vështrimin ndaj botës, ia ka ëmbëlsuar pa-dhimbjen, e ka bërë medituese, fisnike. Diku në laboratorin e vet femëror ajo ktheu dhimbjet në dashuri si molusku i butë kthen irritantin në perlë. Dashuri i buron nga e gjithë qenia tani që është në moshën e bukur kur vitet i kanë dhënë dijen bazale se jeta ikën shpejt, por kur ende s’përjeton lëngimet. Këtë njerëzillëk ushqyer jete, vdekjeje e dhimbjeje, ajo e bart tani natyrshëm ashtu si gjinjtë e vet të mbushur nga 50 vjetët.

Korniza e domosdoshme me ar e rubin

Ka një portret të Rubens-it të 1615-ës, “Kokë plake”, paraqitur publikut brenda një kornize të artë e të stërpunuar që noton në flambuajancën pariziane të 100 vjetëve pas krijimit të pikturës. Në një ekspozitë në Ottawa të Kanadasë para pak muajsh, korniza komplekse luksoze ishte mënjanuar duke lënë telajon lakuriq me portretin e plakës, që Rubenssyri i shpërqendruar njerëzor të kapte pa u hallakatur tjetërkund, Kokën e Rubens-it në gjithë thellësinë e detajit mbresëlënës karakterial të gruas. Ndoshta nga që këtë vit ideja e mesogruas më është vërtitur në kokë më shpesh, ndoshta sepse objektivisht ajo pikturë në atë kornizë kujton stigmën njerëzore ndaj pleqërisë (sidomos) femërore që pastaj kompensohet me bukurinë materiale të mbivënë të kornizës, rrobave apo makijazhit, ai dekonstruktim i Rubens-it nga kuratorët e ekspozitës m’u lidh totalisht me mesogruan. Plaka e tij mund të mos jetë më shumë se 50 vjeç. 50 vjet të 1600-ës dhe ato të vitit 2000 japin dy lexime fizike krejt të ndryshme. “Plaka” është e bukur, jo sepse e ka bërë Rubensi, por sepse është plot jetë, dhe ka sy mbushur me histori, pasione e punë që ti ia dallon kur të sheh nga portreti.  Është ende shumë e gjallë dhe e fuqishme, ndaj më bind edhe më fort se nuk është në të 60-at fjala vjen; prapëseprapë, njerëzia do ta shohë me kornizën e praruar përreth; jo se kështu është mësuar, jo se kështu e meriton mjeshtri piktor, por sepse nuk ka dëshirë e nge t’ia shohë direkt pleqërinë; sepse energjia komplekse që shpreh koka e plakës zbehet nga rrudhat në fytyrën e saj, zbërdhulet nga shformësimi i muskujvembi mollëza e faqe. Një grua reale 50-vjeçare sot është shpesh ende e re dhe e bukur; por numri 50 ende sot vret veshin shoqëror dhe krijon stigmë të pajustifikuar fizikisht; dhe besoj se kjo stigmë ndaj numrit 50 të një gruaje është shumë më e fortë se ajo ndaj 50-ës së një burri. Ndaj korniza instrumentalizohet nga gruaja vetë si patericë shoqërore e volitshme për të negociuar pozicion; ndaj heqja e kornizës është rrebelim ndaj një norme mbishtuar padrejtësisht, është kthim dinjiteti. Plaka e Rubens-it që ruan fshehur në sirtarin nën vetulla një lloj talljeje, ma qesëndis teorinë: kërcen nga pika e zhveshur e murit ku e kemi gozhduar unë dhe kuratorët e muzeut, dhe zë vend paq atje ku do, me kornizën e ornuar rreth vetes; duket aq rehat dhe e kënaqur aty, si paqeja e një 50-vjeçareje të sotme që, pasi ka bërë pagesën dhe mbaruar gotën e verës në një tavolinë në qoshen e një restoranti hip, nxjerr një të kuq me ngjyrë rubini dhe lyen për një minutë të tërë buzët pa përdorur pasqyrë.

Jo broçkulla seksiste, ju lutem!

Në moshën 50-vjeçare gruaja ka forcën dhe mençurinë që i duhet për të parë pas sa edhe përpara pa iu dridhur syri, pa nevojën të mashtrojë veten dhe botën, me një lloj ulërime të bukur që thotë “Unë qëllon që mendoj kështu, dheqëllon që jam kështu si jam; aprovimin tuaj e çmoj, por pasjen e tij nuk e kam qëllim parësor!” Është një qëndrim që reflekton në gjithë qenien thirrjen “No more bullshit!” Ajo grua s’lë asgjë pas, peshon me të mira e të këqia hapin që kryen por s’i vjen keq që e kreu, do gjithë dashuritë e veta që i vijnë nga legjendat aq sa edhe nga rrethinat kohore të ditës, me paqe dhe pa derte e pa pengje, sepse ato ia kanë ndërtuar jetën që ka dhe që do. Ka një vello të ngrohtë dashurie që ia rrethon gjithçka dhe që është e ndërgjegjshme se më parë në rininë e vet nuk e kish aq komplekse sa sot, dhe që iu deshën 50 vjet ta endte, vello që i mbështjell të gjithë ata që ajo do. Ka një lloj marrëdhënieje thellësisht poetiko-erotike me partnerin, qoftë edhe pas shumë vitesh jetese së bashku, marrëdhënie që një 50-vjeçare e di se përflitet shoqërisht si e paplotë, si mungesore për shkak të mosfunksionimit erektil mashkullor apo që s’arrin ngazëllimin maksimal për shkak të jobalancave hormonale të gruas, apo një mijë e një bishtave të tjerë kulturorë (shpesh anti-grua) që ngrihen për të mbuluar probleme që s’lidhen me moshën në vetvete. Por një 50-vjeçare di mirë që ka vulvën më të bukur në botë, sado paçin humbur simetritë lodruese rinore, dhe ka  vaginë krenare, sido qofshin muret e saj. Kështu ajo i jep edhe partnerit të vet komoditetin e kënaqësisë për organet e veta gjithashtu në moshë që ajo ia do dhe për të cilat përkujdesen së bashku. Një 50-vjeçare nuk e nëpërkëmb dashurinë që merr nga fjala dhe trupi, shikimi dhe prekja, dhe sheh çdo orgazmë të mendjes dhe kurmit si hyjnore. Diapazoni i mënyrave, mjeteve dhe kënaqësive është i hapur dhe ende i paartikuluar në mosha të mëparshme. Qesh me moralizimet militareske prej savonarolësh kulturorë që i janë forcuar në ndërgjegje nga mijëvjeçarë përçudnues, ashtu siç qesh me moshën kur i dukeshin problematikë çunakët a burrat që masturboheshin. Tani i thotë mikut, mikeshës dhe vetes: gëzohu, zemër, pa pengesa moralizuese, për aq sa s’i bën dëm kujt! Gjithçka njerëzore është e bukur dhe e pandëshkueshme! Një 50-vjeçare me të drejtë i rri simbolikisht botës, siç i rri “Origjina e botës” e Gustave Courbet-së artdashësit në Musée d’Orsay.

***

Frika e moshës mbetet. Një 50-vjeçare e di se lëngimi fizik, herët a vonë, mbërrin me mburoja që nuk ia lufton dot. Ndaj i sheh me respekt e dashuri ata që ecin shtigje të ngjashme me një a disa dhjetëvjeçarë më shumë mbi supe. Ndaj e kupton pa drojë e kundërshti zgjidhjen e filmit Amour të M. Haneke-s, sado katile në dukje. E di se përgatitja për vdekje është shpesh një marshim nga poshtërimi në çnderim, ku si në filmin e Haneke-s dinjiteti i nëpërkëmbur kthehet vetëm duke kontrolluar vdekjen për ta futur në skenë kur ajo ende s’ka vendosur të hyjë. Por kur je 50 vjeç, ajo ditë s’është ende aq afër sa të të trazojë fort. Ndaj i gëzohesh çastit me shpresën se do të jetosh pleqërinë në një shoqëri të përmirësuar ku mosha nuk shihet si barrë e sëmundje.


* Ky shkrim ka zërin tim, por merr jetë edhe nga jetët e shumë mikeshave e miqve të mi që u sillen qark të 50-ave, dhe celebron jetët tona të bukura. E shkruaj edhe në mirënjohje të thellë ndaj prindërve të mi dhe moshatarëve të tyre.

Pa Komente

  1. Portreti i Rubens “Koke plake”, me kujtoi Luise Bourgeois, artisten e famshme franko-amerikane dhe portretet e saj te famshme te realizuara nga fotografet Robert Mapplethorpe dhe Annie Leibovitz. Shkelqimi vital i syve te saj ka dicka eterne, ndersa rrudhat dhe brazdat qe i pershkojne fytyren kryq e terthor i japin nje plasticitet, nje koketeri, nje marrokeri, nje feminitet prej camarrokeje, qe s’ka si te mos jete i dashurueshem. Arti i saj arriti maturine e vet mbi moshen 50 vjecare, “long after motherhood, widowhood and menopause” sic shkruhet tek Guardian pas vdekjes se saj. “Ne kreshten e moshes se saj te vjeter, ajo shnderrohet ne nje femije perseri, e lire per te rizbuluar vetveten dhe boten e saj. Ashpersia shnderrohet ne butesi, hekuri ne qelq, e jashtmja shnderrohet ne te brendshme”, shkruhet me tej.
    Numri 50 ngjan te jete numri magjik i kalimit nga nje parajse e servirur ne nje parajse vete-transformuese.
    Nje tjeter femer tronditese, qe per nga sharmi dhe seksualiteti i saj i pa-moshe, permbysi tabute dhe mentalitetin e skalitur mbi femren, eshte Anais Nin, e dashura e Henry Miller dhe autorja avangarde e letersise erotike.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin