Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Totalitarizëm

QORTIMET E DHJETORIT

image004Si çdo dhjetor tjetër, eksponentët e lëvizjes politike të dhjetorit 1990 kanë mësyrë mediat me dëshmitë, artikujt, ndërhyrjet, polemikat, intervistat dhe shënimet e tyre – për të sjellë detaje, ndrequr gabimet e njëri-tjetrit, përgënjeshtruar, akuzuar dhe, veçanërisht, për të treguar të vërtetën rreth atyre ditëve.

Ka shumë prej këtyre, të cilët në një mënyrë ose në tjetrën u përfshinë ato ditë në protestat, në role të ndryshme; dhe mes këtyre shumëve, më shumë akoma kanë dalë ose kanë mbetur jashtë politikës së sotme, disa madje me një këmbë në padomethënie dhe tjetrën në kujtime.

Këtë vit, mbi ngjarjet e dhjetorit rëndon edhe teoria e komplotit e Katovicës, sipas së cilës përmbysja e komunizmit në Shqipëri ishte projektuar dhe urdhëruar nga Gorbaçovi, nëpërmjet Ramiz Alisë dhe veglave të këtij në Tiranë. Ata që i besojnë kësaj teorie, duhet të shpjegojnë nëse ngjarjet e dhjetorit ishin edhe ato pjesë e teatrit të kukullave, apo u uzurpuan prej komplotistëve.

Si edhe në dhjetorë të tjerë, praktikisht nuk dëgjohen, të paktën në mediat që konsultoj unë, zërat e palës tjetër; ose të së gjithë atyre kundër të cilëve u ngritën studentët e dhjetorit. Mungojnë edhe vlerësime për përfshirjen e agjenturave të ndryshme në këtë lëvizje – që nga Sigurimi i Shtetit, te UDB-ja dhe agjencitë perëndimore.

Çfarë nuk mungojnë, përkundrazi, janë fantazitë, përfytyrimet, thashethemet, sharjet, listat me emra të përveçëm tashmë të anonimizuar përfundimisht dhe sensi i protagonizmit të mbramë, mes atyre që kanë marrë fjalën publikisht.

Kujtimet e pjesëmarrësve në ato ngjarje, edhe të më të sinqertëve dhe vëzhguesve më të mprehtë prej tyre, vuajnë nga efekti Rashomon: gjithsekush e ka përjetuar dhjetorin në subjektivitetin e vet, dhe shuma e kujtesave individuale nuk është e bashkëmatshme me kujtesën kolektive.

Duke gjykuar nga kovat me fjalë që janë derdhur rishtas në faqet e mediave, nuk mund të nxjerrësh veçse një përfundim: nga pikëpamja historike, ngjarjet e dhjetorit 1990 ende nuk kanë ndodhur.

Çfarë po i jepet publikut, është një koleksion monologjesh individuale, me ngjyra të forta subjektive, rrëfimtare dhe imagjinare, ku logjika e realitetit shpesh në mos gjithnjë ia lëshon vendin logjikës së dëshirës. Dhjetori 1990 ishte edhe, mes të tjerash, produkt i një vizioni, dhe në shumë prej të atëhershmëve vizioni ka mbijetuar.

Pa Komente

  1. Ngjarjet e nderrimit te sistemeve duhet te jene sigurisht mjaft te rendesishme ne historine tone, megjithese po me duket ndonjehere sikur kane ndodhur perpara 23 shekujve. Por nese sot ato na paraqiten ne trajten e monologjeve ndodh besoj sepse deri ketu arrin interesi i aktoreve qe i risjellin vazhdimisht ne aktualitet. Ma merr mendja se rikujtimi i dhjetorit sherben me se shumti per te kujtuar momentet e lavdishme te PD dhe udheheqesit te saj, diktaturen komuniste, çlirimin prej kesaj te fundit, dhe per te stigmatizuar sadopak kundershtaret e kesaj partie. Perndryshe eshte e vertete qe historia pertej mbetet e pasqaruar mire dhe do te duhet mjaft kohe per tu marre vesh gjithçka

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin