Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Kulturë

DASMA PA NUSE

Të krijosh kulturë sot në Shqipëri është katandisur në hobby – me pak përjashtime (p.sh. drejtuesit e emisioneve televizive më dëfryese) asnjë shkrimtar dhe artist nuk jeton dot vetëm duke krijuar.

Le t’i kthehemi Panairit të Librit nëntorin që shkoi në Tiranë: sipas të dhënave të ofruara nga botuesit vetë, mendohet se atje shkelën rreth 90 000 vizitorë, të cilët blenë rreth 600 000 libra.

Kjo më kujton edhe se sot në kryeqytet ka një numër të madh gazetash, revistash, radiosh dhe televizionesh – titullarët e të cilave jetojnë me “djersën e ballit”; por nuk gjen zakonisht autorë që të mund të nxjerrin bukën si autorë: shkrimtarë, publicistë, kompozitorë, regjisorë, baletmaestro.

Vetëm 30 vjet më parë, shteti shqiptar ishte në gjendje të mbante me rrogë një armatë shkrimtarësh dhe artistësh – prej të cilëve, natyrisht, priteshin vepra që të propagandonin ideologjinë komuniste.

E megjithatë, ishte ajo formulë që lejoi krijimin e disa vlerave – sado të mangëta dhe manipuluese – me të cilat u konsolidua kultura kombëtare: në letërsi, në film, në teatër, në muzikë (për artet vizuale, më thonë se shumë prej artistëve jetojnë me punët që shesin jashtë Shqipërisë).

Formula e djeshme sot nuk mund të zbatohet më; çka nuk do të thotë, gjithsesi, që produktet kulturore të trajtohen sikur të ishin qofte dhe të lihen në mëshirën e tregut.

Kulturat e vogla, si jona, me publik të kufizuar në numër dhe ku nuk veprojnë të ashtuquajturat ekonomi shkalle (scale economies) kanë nevojë të madhe të subvencionohen – nga shteti, nga shoqëria civile, nga fondacionet kulturore private. Ideja se krijuesi ose artisti duhet të përballet vetë me tregun dhe t’ia dalë mbanë çon në mënyrë të pashmangshme në zhdukjen e kulturës, duke e reduktuar atë në dëfrim; dhe është njëlloj absurde, sa shpresat e cave, që për kulturën tonë duhet të paguajnë të tjerët: të huajt.

Kush mendon se kultura në Shqipëri mund të vetë-rregullohet, në ndonjë farë mënyre, nga ekonomia e tregut, është duke kontribuar drejtpërdrejt në shkatërrimin e kësaj kulture.

Nga të dhënat që gjej në shtyp, më rezulton edhe se në Panair morën pjesë rreth 90 ente botuese nga hapësira shqiptare; dhe një pjesë e këtyre botuesve janë, natyrisht, profesionistë të fushës – dhe merren me këtë punë jo si hobby, por si business; duke nxjerrë prej saj aq fitime, sa t’i lejojnë të rrojnë normalisht.

Pra, televizionet, radiot, shtëpitë botuese, gazetat dhe kushedi ç’tjetër janë në duar të profesionistëve, në një kohë që autorët dënohen ta trajtojnë krijimtarinë si hobby.

Këtu ka diçka që seriozisht nuk shkon: një vend që organizon çdo vit Panair Libri me mijëra dhe mijëra dhe mijëra tituj dhe vizitorë, me flamuj dhe ngjyra dhe stenda, me vëmendje nga politika dhe opinioni publik – dhe që, megjithatë, nuk është në gjendje të mbajë me të ardhura krijuesin.

Pa Komente

  1. Dihet qe botuesit mbijetojne fale veprave te huaja. Gjithcka qe u citua mbijeton ne treg fale importit kulturor. Prandaj s’ duket gjekundi ndonje anomali. Tregu eshte i vogel dhe teper heterogjen, nqs jane 8 milion shqiptare/konsumatore, te tjera jane interesat paresore ne Shqiperi, te tjera ne Kosove, Maqedoni e me radhe, e te tjera te 2 milion emigranteve neper bote. Pra s’ mjafton vetem qe jemi pak, por jemi edhe te haperdare pa llogaritur edhe gjysmen ne fshat. Tregu ku do caje autori i RSh-se do jete pak a shume 1, 5 milion banues ne qytete ku nje pjese e madhe jane pleq e nen 18 vjec. Po te kete ndonje lloj takse per vepren e huaj mbase del ndonje lek per vendasit, po nuk me duket se eshte rasti. Urime per dy milionshin!

    1. Ke harruar edhe ca gjëra të tjera që “dihen” – dhe pikërisht rolin që duhet të luajë (1) shteti dhe (2) shoqëria civile në proces. Botuesit bëjnë biznes, dhe po nuk patën incentiva për t’i shërbyer kulturës kombëtare, do të botojnë dhe sidomos reklamojnë ata libra që besojnë se do t’u shiten më shumë. Prandaj unë nuk është se u vë faj botuesve: ata bëjnë punën e tyre. Përkundrazi, mekanizma të tjerë nuk funksionojnë: p.sh. subvencionimi nga shteti dhe nga fondacionet private, kritika letrare dhe shkolla.

      1. Dakort, ne vija shume te trasha, por ka dicka qe nuk shkon tek proteksionizmi kulturor vetem per hir te profesionizmit te autoreve, se kete po kerkon. Incentivim nepermjet subvencioneve duhet te kene vetem ata qe tregojne se jane cilesore e njekohesisht te shitshem ne cdo cep me shqiptare. Nuk eshte se taksapaguesit duhet te ngarkohen me barren e cdokujt qe ka kompjuter.

        1. Prandaj përmenda edhe kritikën letrare – e cila idealisht duhet t’i dallojë vlerat dhe t’i promovojë. Dhe, meqë ra fjala, edhe vetë shtëpitë botuese luajnë rol këtu, duke i pikasur veprat me potencial dhe duke i promovuar me forcë.

          Përndryshe, në qoftë se shtëpitë botuese mjaftohen të shesin vepra të përkthyera, të cilat janë seleksionuar gjetiu, atëherë kthehemi te muhabeti i free riders; meqë ashtu shtëpitë botuese heqin dorë nga roli i tyre kulturor, duke u mjaftuar me shitjen e qofteve.

          Ka shumë mënyra për t’i mbështetur autorët: edhe nga shteti, edhe nga fondacionet private. Edhe në ShBA, ku ndërhyrja e autoritetit publik është minimale, nuk ka krijues që të mos përfitojë nga ky apo ai fondacion, ky apo ai grant. Kjo do të thotë se, edhe në rrethanat e kapitalizmit më të pakompensuar, kultura do të mund të marrë frymë vetëm me kusht që të ketë rishpërndarje të pasurisë.

        2. kush e “vendos”, apo kush “duhet ta vendose” se si eshte cilesia e librit?
          une nuk shoh rrugedalje nqs nuk futen para nga shteti ose nga ente private qe duan “te hedhin leke” per librin. nje zgjidhje mund te jene botimet elektronike, ku harxhimi per “botim” eshte minimal dhe mundesia e fitimit shtohet.

  2. Ne Shqiperi shteti mund te nderhyje fare mire duke ulur taksat per shtepite botuese dhe rrjetin e shperndarjes, si edhe duke ulur detyrimet doganore per lenden e pare, si letren, lastrat etj.

    Sa per mundesine e subvencionimit te autoreve duke u bazuar ne vleresimet e kritikes, duke lene menjane faktin qe ne nuk kemi thuajse fare kritike, ne kushtet e nje shtyse te tille kritika do te vleresonte ato vepra dhe autore qe do ta paguanin me shume. Do te krijohej keshtu nje rreth vicioz botues-kritik-autor qe do te funksiononte vetem sipas logjikes se fitimit.
    Nje mundesi eshte qe shteti te subvencionoje botimet sipas numrit te kopjeve te shitura, duke i paguar autorit nje perqindje te çmimit per çdo liber te shitur.

    Sidoqofte, duhet thene se edhe ne vende te tjera jane te rralle shkrimtaret qe jetojne vetem me fitimet e librave te shitur. Ne Itali, p.sh., shtepite botuese i paguajne autorit nga 3% deri ne 12% te çmimit te librit per çdo liber te shitur. E mbi fitimin autori duhet te paguaje pastaj taksat. Kuptohet, qe te marresh 12% duhet te jesh emer i madh. Kjo do te thote se, per te nxjerre buken e gojes me punen si shkrimtar ne Itali, duhet te shesesh se paku 50 mije kopje ne vit.

    E megjithate, edhe shkrimtaret me te mire italiane, se paku ata qe me vijne ne mendje tani, nuk jetojne vetem me punen si shkrimtare, por zakonisht bejne nje pune per te cilen marrin nje rroge, si profesore, mesues, gazetare etj.

    1. Relapso shkruan:
      “duke lene menjane faktin qe ne nuk kemi thuajse fare kritike”.
      jo se nuk ka kritike, jo se nuk kemi kritike, por ndoshta kritika nuk ka “pushtet”.
      se si eshte niveli i kritikes, eshte pune tjeter dhe duhen pare:
      kritika neper gazetat e perditshme,neper periodiket, neper organet e specializuara, librat e veçanta, monografite, botimet per nivelet e ndryshme te shkollave, botimet e akteve te kuvendeve, seminareve, etj, etj.

      1. Nipi, qe ta sqaroj me mire idene time, ne nuk kemi kritikë (emër mashkullor shumës qe shenon profesionistet qe merren me studime e vleresime kritike), e per pasoje nuk mund te kemi as kritikë (emer femeror njejes, qe shenon ate leme te studimeve qe analizon krijimet artistike dhe letrare). Ndjese per kete loje fjalesh 🙂

        Ate qe ti e quan kritike, te ne nuk e bejne kritiket profesioniste, sepse pikerisht keta na mungojne, por e bejne kryesisht disa lexues dashamires, miq te autoreve e te botuesve, apo gazetaret te cilet kryeredaktori i ka ngarkuar te mbushin faqet e kultures te gazetave tona.

        Nje kritike e denje per kete emer nuk mund te katandiset ne ca pershtypje leximesh te shpelara e lepirese qe shohim shpesh neper gazetat tona, por duhet te jete nje sistem funksional vleresimi dhe gjykimi sipas metodash dhe parametrash shkencore, qe behet nga profesioniste te fushes.

        Mos i ngaterro historianet e letersise me kritiket.

        Me thuaj p.sh. sa libra te veçante, monografi, akte kuvendesh a seminaresh ke lexuar ti me objekt botimet e ketyre dy-tre viteve te fundit? Apo edhe te ketyre 10 a 15 viteve te fundit? Me permend nja dy-tre libra te mire te ketyre viteve te fundit dhe me thuaj sa shkrime kritike te mirefillta jane botuar per to. Apo ç’qendrim ka mbajtur kritika per kete apo ate autor te sotem.

        Kritika, ndryshe nga historia e letersise, behet ne kohe reale, nuk pret qe te vdesin autoret para se te merret me ta!

        1. Dakord, edhe une keshtu e mendoj. Por, po te citoj permendesh: per monografi, qe me vijne ne mend: dy per E. Koliqin (autore njera Laura Smaqi, tjetra Dhurata Shehri); permbledhje Trebeshiniana, me shkrime per Trebeshinen (si edhe N. Dragoj, Trebeshina nje jete para gjyqit); dhe kunder Trebeshines (S. Bejko, Disidentet e rreme). Pa llogaritur botimet mbi Kadarene, te fundit fare, me autore: Anila Mullahi, Ag Apolloni, Viola Isufaj (pa llogaritur disa vellime te Shaban Sinanit) . Vete une kam shkruar per Kadarene, Visar Zhitin, V. Isufajn, Trebeshinen. Per te ndjerin At Zef Pllumin u botua nje numer monografik i Hyllit te drites.
          Ne seminarin e prishtines, ne degen e letersise te seksionit shkencor, ka kumtesa per F. Kongolin, Visar Zhitin, S. Hamitin, Trebeshinen, I. Rugoven. Kujtoj edhe konferencen e pervitshme qe organizon departamenti i letersise ne Universitetin e Tiranes dhe botimet e akteve, psh tek “Studime albanologjike”. sa per ngaterrimin, ngaterresen kritike/histori letersie, s’podua te ngateroj me gje tjeter.

  3. Po botuesit vetë nuk kanë interes të mbështesin pjesëmarrjen në këtë panair?

    Vetë botuesit nuk kanë ndonjë interes të investojnë për Panairin e Lajpcigut, i cili për nga natyra që ka ky aktivitet, ka në qendër të vëmendjes autorin, që bëhet pjesë e diskutimeve apo takimeve gjatë ditëve të aktivitetit. Pra ky Panair i Librit është veçanërisht i dobishëm për autorët që mund të kontaktojnë agjentë letrarë, institucione dhe shtëpi botuese për kontakte profesionale bashkëpunimi. Media është vazhdimisht e pranishme në veprimtaritë e shumta ku marrin pjesë autorët e ftuar.

    Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri
    http://mapo.al/2013/12/07/te-jete-shqiperia-ne-panairin-e-librit-te-leipzigut/

  4. Ne Shqiperi, botimi i librave dhe fitimi e cvlerson cdo lloj logjike ekonomike. Ne boten perendimore, vetem autoret e stabilizuar, iu ofrohet kontrata dhe nje paradhenie.

    Sic thote Xha Xhai shtepite botuese, pra pronaret shqiptare nxjerri nje fitim qe mesatarisht leviz nga 10(low end) deri 50(high end) mije dollare ne vit. Nje rroge jo e keqe per Shqiperine.

    Ne industrine e librave, cdo gje tjeter varet nga numri i librave qe shiten. Botuesi vete fiton 30-50% te cmimit te shitjes(i cili nuk qendron njelloj), kurse autori merr “royalty” 10-15% te perqindjes se fitimit te botuesit. Best sellers jo gjithmone sjellin fitime te medha per autoret, sepse trendi eshte qe libri te shitet deri edhe nen gjysmen e cmimit pas nje periudhe kohe.

    Ne Shqiperi sapo ka filluar te ndihet trendi i “long goodbye” te boom-it te librave ne leter. Ne Islande nje ne dhjete veta eshte autor sagash islandike, ne Shqiperi nje ne 100(ndoshta 50) eshte autor ose perkthyes. Jo dhe aq keq. 🙂

    1. Shkruan:

      Sic thote Xha Xhai shtepite botuese, pra pronaret shqiptare nxjerri nje fitim qe mesatarisht leviz nga 10(low end) deri 50(high end) mije dollare ne vit. Nje rroge jo e keqe per Shqiperine.

      Nuk më rezulton ta kem shkruar këtë… në fakt, nuk e kam idenë se sa fitojnë pronarët e shtëpive botuese në Shqipëri.

      1. Ndjese Xhaxha, lashe jashte citimin.

        Korigjim:

        Sic thote Xha Xhai shtepite botuese, : “… merren me këtë punë jo si hobby, por si business; duke nxjerrë prej saj aq fitime, sa t’i lejojnë të rrojnë normalisht.”

        Pra, pronaret shqiptare nxjerri nje fitim qe mesatarisht leviz nga 10(low end) deri 50(high end) mije dollare ne vit. Nje rroge jo e keqe per Shqiperine.

  5. Thote xha2:
    “Kush mendon se kultura në Shqipëri mund të vetë-rregullohet, në ndonjë farë mënyre, nga ekonomia e tregut, është duke kontribuar drejtpërdrejt në shkatërrimin e kësaj kulture.”

    Bej apel publik qe te mos e leme librin e xhaxhait te biere nen forcat e pameshirshme te tregut te eger kapitalist…
    Libri i nxjerre nga deti, meriton te jete ne librat me te mire albanez te mijevjecarit te fundit…

    Dashamiresisht nje lexuese e vjeter librash P Taku

    1. 2Xha ka të drejtë PTaku: libri nuk është vetëm mall. (Jo vetëm libri, por edhe morali, etika e një sërë vlerash, shuma e të cilave nuk matet doemos me llogari).
      Kultura dhe tregu i qëndrojnë njëri-tjetrit si uji dhe vaji.
      Nëse tregun e lirë e sundon vullneti i individit, kultura, për nga përcaktimi, ka përmasa shoqërore, që nuk mund të maten kurrsesi me kutin e shkurtër – të gjatë për ty, me sa duket – të shitblerjes.

      1. Shkruan:

        Nëse tregun e lirë e sundon vullneti i individit, kultura, për nga përcaktimi, ka përmasa shoqërore, që nuk mund të maten kurrsesi me kutin e shkurtër – të gjatë për ty, me sa duket – të shitblerjes.

        Nuk ta kuptoj mirë metaforën. Kur kuti është i shkurtër, vlera del numerikisht e madhe; dhe anasjelltas. Mendon se do të ishte më mirë për kulturën sikur librat të ofroheshin gratis, apo të shtypeshin vetëm në një kopje, për bibliotekën e Mbretit (pa llogaritur opsionin e sirtarit)?

        1. Është keqkuptim xha2: nuk po të drejtohesha ty, por Ptakut. gabimi im ishte se nuk e zgjedhova 2Xha në 2Xhai…
          ndjesë…

          1. Pa problem – por shumë i bukur (elegant), keqkuptimi, nga ana gramatikore 🙂

            1. Të njëjtën gjë mendova edhe vetë: ka shumë përkthyes që i lenë emrat e huaj në shqip të palakuar. Në një koment kaq të shkurtër dhe keqkuptohesh menjëherë: përfytyro një roman me 700 faqe, ku në çdo dy-tre pasazhe Ben, ta zemë, i thotë vetes, apo një Beni tjetër: Xhorxh ka të drejtë Ben… 🙂

      2. Edhe une ate thash, o KomitetiQendror 😛

        Qe libri i xhaxhait, edhe pse i shkruar ne nje gjuhe te drunjte, qe e tjeterson dhe e ben te ftohte “kujtimin personal”, ka nje vlere te madhe, dhe keshtu, pa hiperbolizime fare i propozoj KMinistrit te ri, Edi Rama te hapi e japi nje fond special i cile te tjete nen administrimin e ndonje “kolegu” tjeter qe ka dhene kontribute dhe vlera te rendesishme per kulturen shqiptare… Sepse e perseris se libra te tille duhet jo vetem te subvencionohen por edhe te krijohen kopje digjitale, e pse jo edhe ndonje kopje ne hieroglif-ishte…

        1. Zonjë, ju lutem konsiderojeni komentin më sipër si orvatjen tuaj të fundit të këtij viti, për të sjellë pak humor në blog. Sa për kryeministrin Rama, atë mund ta kontaktoni nëpërmjet kanaleve publike (p.sh. në FB), meqë nuk besoj se i lexon komentet e këtushme.

  6. “…pa llogaritur ata qe jetojne ne fshat”.

    Pranimi pa rezerva nga shumica shqiptare i aksiomes “Katundari shqiptar si pengese e kultures”eshte nje nga tokat e reja qe nje ismail kadare i ri do ta kerkonte me qiri per ta pluguar.

    1. Jo pengese por i pallogaritshem, neutral, as pozitiv, as negativ, asnjanes, pehashi 7. Ne pergjithesi eshte shtresa e mesme kulturalisht dhe ekonomikisht qe ka pergjegjesine. Ne Shqiperi ka nje raport shume te keq mes perkatesise shtresore kulturore dhe ekonomike dmth eshte e rendomte te jesh kulturalisht shtrese e mesme dhe ekonomikisht shtrese e ulet. Kjo pastaj sjell qe fondet te jene te uleta dhe te insistohet tek cilesia duke mos eksperimentuar tek risia dhe autoret vendas. Besoj se ky raport kaq i keq eshte produkt i tranzicionit qe do rregullohet tek brezi tjeter, meqenese historikisht ai qe ka ndonje lek do te hiqet edhe si i kulturuar qe te shaje pastaj injorantet, me pak fjale pune statusi publik.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin