Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

SI TË ZGJEROJMË LEKSIKUN

Në dy nga shkrimet e fundit që Mustafa Nano ka botuar në gazetën Dita, e më pas nxjerrë edhe në faqen online Respublica, ai ka hedhur në qarkullim një fjalë të re: fjalën “çiqitëmizëm”. Në ditën e parë të qarkullimit, më 11 nëntor, siç e kërkon etika, Nano njofton lexuesin për autorin e fjalës, A. P., si edhe për kuptimin e saj burimor në faqen facebook të A.P. Por Nano edhe e ripërkufizon fjalën sipas midesë së vet. Them “midesë”, sepse ai në fakt e ndryshon arbitrarisht kuptimin e parë me të cilin ajo qe përdorur, pa ndonjë justifikim gjuhësor, sipas kësaj logjike të thjeshtë prej të plotfuqishmi: a) atij fjala e re vetë (pa kuptimin) i pëlqen shumë si gjetje; b) i duhet një term i munguar për të karakterizuar një sjellje të caktuar politikanësh sharlatanë e joetikë në Shqipëri; c) duke huajtur fjalën çiqitëmizëm dhe duke e veshur atë me kuptimin e ri që i nevojitet, Nano kënaq nevojën e gjuhës dhe dëshirën e vet. Por ka dy probleme në këtë huazim që është përdorur disa herë radhazi në shkrime të tij javën e fundit. Fakti që publiku (me një diskurs tradicionalisht mashkullor) ka reaguar menjëherë online ndaj fjalës, më bën t’i analizoj publikisht dy problemet, në vend që t’ia nis si shënim personal vetëm autorit.

Problemi i parë, që në fakt nuk më shqetëson aq fort, është thjesht mosrespektim i autenticitetit kuptimor të krijimit. Nano ia ndryshon kuptimin fjalës që huazon, veç një ditë pasi e kish gjetur në Facebook. Fjalëve  me kohë u ndryshon natyrshëm kuptimi me kalimin nga përdoruesi në përdorues (kujtoni psh ndryshimet mes motër në shqip me mother/mutter/ etc në gjuhët gjermanike, ose kopil në shqip me copil në rumanisht, kopile në arbërisht,  κοπέλα në Greqisht etj). Por ndryshimet ndodhin historikisht e natyrshëm; nuk ndodh që një folës gjen një fjalë që i ngjit ,dhe vendos se, që sot e tutje, këtë kombinim tingujsh e gërmash do ta përdorë në një kuptim tjetër. Ky lloj Zoti gjuhësor në kohën e rilindasve kish një lloj justifikimi, por sot nuk e ka. M. Nano shpjegon se fjalën e kish gjetur si krijim për të karakterizuar një sjellje tipike në anët tona: fjala çiqitëmizëm kish kuptimin “shkujdesje e moskokëçarje në administrimin e punëve publike”. Fatkeqësisht kështu janë një pjesë e mirë e punonjësve publikë që kemi sot e që kishim gjatë socializmit: sekretarë, policë, roje, llogaritarë, kontrollorë, bibliotekarë… njerëz të të gjitha profesioneve e, për fat të keq, edhe mësues. Ç’e vret mendjen! Varja! A të paguajnë ty; ç’pyet pse e si! S’është puna jote! Mos e kruaj kot se është më i fuqishëm se ti! Mos i hap punë vetes! Mos e luaj qenin që fle! – të gjitha, pjella gjuhësore të kulturës së lidhur me këtë kuptim të shprehjes në fjalë.

Por Nano e përdor fjalën e re për të karakterizuar tipa politikë e publikë si Basha e Ristani. Nano më duket thuajse i dëshpëruar që të përdorë pikërisht këtë term… dhe sinqerisht nuk e di përse dhe s’dua ta paragjykoj. Thotë se Basha e Ristani, me gjithë marifetet e turpshme dje, sot kanë fytyrë të protestojnë me justifikimin “Ç’i qi t’ëmën se ç’kemi bërë ne në të shkuarën!” Por a janë Basha e Ristani tipa “të shkujdesur e moskokëçarës” ndaj punëve publike? Dhe a është kjo arsyeja që ata sot protestojnë kundër gjithçkaje që dje e kanë bërë vetë, ose madje edhe e kanë shpikur ata? Jo të dashur njerëz: ata janë paramendues, përllogaritës, të paskrupullt, dhe s’japin  asnjë shenjë lodhjeje nga sistemi apo indiferentizmi ndaj së shkuarës apo së ardhmes. Shqipëria sot po rrit e stërvit politikanë që të marrin gjak në vetull e që s’njohin as nënë e babë kur këta s’u duhen më. Nano vetë i përshkruan ata si njerëz që “i bënë të gjitha zullumet e mundshme, plaçkitjen e vendit, mbushjen e administratës me militantë e kushërinj të pushtetarëve, sjelljen arrogante me opozitën e me qytetarët, që u finalizua me ekzekutimin e katër qytetarëve në bulevard, politizimin e frikshëm të institucioneve, dhe mes të gjithave, vjedhjen “teknologjiko-institucionale” të votave, gjë që u vu re në mënyrën më ilustruese në zgjedhjet e fundit lokale të Tiranë…”. A shihni ju “shkujdesje e moskokëçarje” në këto akte? A ju duken këto si të ngjashme me sjelljet që përmenda në paragrafin më sipër? Mua, aspak! Unë e kuptoj që fjala vetë mund të jetë tërheqëse (sido që, siç them më poshtë, nuk duhet të ishte) për dikë dhe mundet të mbërthejë një sjellje tipike tek ne, që përndryshe do kish nevojë të shpjegohej nga një paragraph i tërë. Po atëherë përse t’ia ndryshosh kuptimin me “përthyerje të tjera semantike”, kur sapo e ke marrë hua? Pa dyshim që Nanos i duhej një tjetër fjalë, por i ra shkurt dhe përdori këtë.

Por problemi i dytë i këtij përdorimi është ai që vërtet më ngacmoi dhe pa të cilin nuk do ulesha të shkruaja. Sapo fjala “çiqitëmizëm” iu prezantua publikut, ajo bëri eko me lexuesin që erdhi në ndihmë me dy variante të tjera të ngjashme: “çiqimotrizëm” dhe “çiqirobizëm”. Të qirët në të gjitha rastet shpallet si akt ndëshkues e sidomos turpërues, që në rastin e kuptimit idiomatik të shprehjeve më lart, nuk ia vlen të kryhet. Shprehjet, per fat të keq, janë ende të përdorshme në Shqipëri, dhe jo vetëm në përdorime të kushtëzuara nga struktura negative si më lart (angl. negative polarity items – pra nuk ia vlen t’i qish motrën, apo nënën apo “robt e shpis”, ku para së gjithash vjen në mend gruaja e kalamajtë femra), por përdorimi themelor është në struktura aktive e pozitive, pra: “qiji nënën/motrën/robt!” Madje edhe me dëshirore urrejtëse: “të qifsha…!”. Primitiviteti, brutaliteti dhe kafshëllëku i këtyre shprehjeve janë ulëritës. Fjala “çiqitëmizëm”, si fjalë abstrakte, i largohet vetëm formalisht procesit të qirjes. Për më tepër, vetë shprehja “Ç’i qi t’ëmën” nuk përdoret në kuptimin e parë, por në kuptimin “varja” ose “mos i kushto fort vëmendje asaj pune a çështjeje” (…se s’është aq e rëndësishme sa t’ia vlejë t’i qish t’ëmën). Gjithsesi, largësia mes kuptimit të parë dhe atij në shprehjen që diskutojmë, nuk është aq e madhe.

Shprehja vazhdon të ketë tejdukshmëri kuptimore dhe figurative në shqip, dhe asociohet në mënyrë të menjëhershme me një akt fyes që kryhet veçanërisht ndaj grave (këtyre kafshëve me vrimë volitëse, në rastet kur duhet ndëshkuar një tjetër burrë). Gratë në këtë narrativë janë thjesht qenie-komoditete që pësojnë qirje të padëshiruara nëse burrat kanë inate me njëri-tjetrin. Janë aty për t’u përdorur nga palët mashkullore që e pranojnë se nesër kanë radhën e vet, po t’ua kërkojë nderi e detyra e burrit. Neve si shoqëri na janë mësuar veshët me shprehjen, dhe kjo mund të krijojë përshtypjen se shprehja është bërë tashmë e padëmshme. Në fakt, nuk është hiç kështu. Gjuha jo veç shpreh, por edhe mban gjallë të njëjtën ideologji grua-urrejtëse. Që ajo gjeneron menjëherë gjuhë të së njëjtës kulturë violente anti-grua, dëshmohet edhe nga sugjerimi i shpejtë i një lexuesi që fjala mund të zëvendësohej me “çiqimotrizëm”. Hyrja e fjalës në çfarëdolloj diskursi, sado larg atij të akteve seksuale kafshërore ndëshkuese të nënkuptuara, e bart dhe e transferon kudo që gjendet, po atë peshë kulturore të një shoqërie tmerrësisht të pagdhendur, primitive dhe abuzive ndaj gruas. Kjo është një shëmti patriarkale që shoqëria jonë ende e ruan, dhe, duke legjitimuar shprehjen qoftë edhe në një kuptim tjetër, gazetari krijon një alibi të re kulturore dhe konfirmon se shprehja (bashkë me të edhe akti) indeksohet në ligjërim si e pranueshme.

Në këtë rast do doja që të dy përdoruesit e parë të fjalës të bënin një përpjekje për ta zëvendësuar fjalën “çiqitëmizëm” me të tjera që nuk e rëndojnë edhe më shumë antifeminizmin e kulturës sonë patriarkale. Unë s’kam problem me profanitetin e shprehjeve. Nëse vërtet na duhet që kjo fjalë të jetë profane (sepse të tillë janë bartësit e kuptimit të saj?), dialogu për të shpikur fjalën e munguar është i hapur.  Çfarë do thoshit për këto variante potenciale për kuptimin e përdorur nga AP: “pirdhinteizëm”, “mosçajbythizëm”, …? Apo fjala joprofane “kushpytizëm”, “moskokëçarje publike”? Ose, nuk e shpikim hiç një fjalë, xhanëm, por e shpjegojmë dukurinë me shumë të tilla!

Sa për rastin e fjalës “çiqitëmizëm” në kuptimin e përdorur nga M. Nano, unë nuk kam fjalë që të shprehë mirë sjelljet tipike të politikanit të paskrupullt shqiptar (as Nano, duket, nuk pati). Por jam e bindur që në fondin e orientalizmave në shqip do gjenim fjalë bukur të përshtatshme… diçka midis dallkaukut, matrapazit, marifetçiut, kusarit, katilit e mynxyrës politike. Por, në mungesë të një fjale të vetme që të ngërthejë gjithë çka duam të themi për politikanët e keqij, le të mos i shtojmë edhe një tjetër term anti-grua gjuhës sonë sakaq boll të pasur me një diskurs të tillë.

Pa Komente

  1. “do doja që të dy përdoruesit e parë të fjalës të bënin një përpjekje për ta zëvendësuar fjalën “çiqitëmizëm” me të tjera që nuk e rëndojnë edhe më shumë antifeminizmin e kulturës sonë patriarkale”.
    Kërkesa juaj është thelbësore për këtë skotë analistësh gjithëfolës,që në thelb,ashtu si politikanët tanë, i drejtohen vulgut në pozitat e “TË FORTIT,popullorit”.

  2. Presje, sikurse ndodh rendom me krijime te tilla, ne fillim ato tingellojne ca si keq, por pastaj, nese kane fat, mund te specializohen semantikisht, te humbasin ngjyrimet vulgare e fyese te prejardhjes e te perdoren vetem me kuptime neutrale.

    Po te sjell nja dy shembuj qe po me vijne ndermend nga italishtja: foljet “fottere” e “strafottere”, jane tejet vulgare dhe nuk perdoren ne regjistra te larte. Kane edhe ngarkesa te forta antifeminizmi. Por prej tyre kemi vetvetoren “strafottersi” dhe sidomos mbiemrin “stafottente” qe i gjen shpesh ne shtyp dhe ne letersi pa ato konotacione vulgare qe bartin temat fjaleformuese. E njejta gje ka ndodhur me emrin abstakt “menefreghismo”, qe ka hyre edhe ne shqipe, i cili ne italishte i ka humbur prej kohesh konotacionet thjeshtligjerimore qe bart folja “fregarsene” me format “me ne frego” etj.
    Po te kete fat, neologjizmi i Aurelit mund te pesoje te njejtin zhvillim e te perdoret pikerisht me kuptimin “menefregizem”, pa ngarkesa fyese per askend.

    Kam pershtypjen se reagimi yt buron nga ndjenja e forte e tabuse gjuhesore ndaj fjaleve vulgare qe karakterizon te gjithe shqipfolesit, sidomos shqipfoleset. Nese kujtesa nuk me gabon, mbaj mend qe kam lexuar dikur, besoj te Res Publika, nje artikull interesant pikerisht kunder tabuve gjuhesore te shqiptareve nga Eda Derhemi. 🙂

    1. po presja e shpjegon se ketu behet fjale per trajtimin e gruas, ci qi temen, pra nenen, dhe eshte nje sharje nga nena per pergjegjesin… nuk eshte thjeshte profania ne loje ndryshe do te ishte p.sh. ci qi racen (apo fisin) e ndoshta do te ishte me e gjere, por sidomos “inteligjenca” duhet te jete me e perditesuar me trendet boterore te pastrimit te gjuhes nga mizogjenia gjuhesore, e jo me te na shtojne fjale te tjera.

    2. Falemnderit, Relapso. Mendoj se me ke keqkuptuar ne disa gjera, dhe t’i them me poshte.

      Mendova se e kisha theksuar aq sa duhet gjate shkrimit se ne te qiret ne vetvete nuk shoh asnje problem, as si dukuri e as si fjale. E gjen te sqaruar ne gjysmen e dyte.

      “fottere” nuk eshte rehabilituar ende ne italisht dhe ka mjaft ndryshim nga “far amore”. Por, kjo si fjale une them se mund dhe duhet te fitoje terren, sidomos duke pas zgjeruar aq shume perdorimet jashte kontekstit seksual. (Fottuta e strafottuta- une e perdor me sh qejf) Por mes rastit te “fottere”, dhe atij ne shkrim paralele mund te ndertosh vec nese me ke paragjykuar paraprakisht duke menduar se me ben pershtypje profaniteti.

      Pikerisht ndryshimi mes dy shprehjeve e ben njeren te demshme dhe tjetren jo. Tamam kjo do kerkonte kujdes nga gazetaret tane. Se cfare bejne njerezit ne faqet fb personale, eshte nje perzierje mes privates dhe publikes. Ajo do trajtim me vete. Por kur e publikon ne shtyp, duhet menduar paraprakisht nese sjell dem shoqeror.

    3. Paralelizmi me shprehjen italiane “me ne frego” eshte i goditur. Nuk ka asnje kanotacion seksual, vulgar, antifeminist, etj. E ka humbur kuptimin origjinal te fjales ashtu sic edhe veren edhe Relapso per etimologjine e fjales, qe ne thellesi te kohes, fricare ne latinisht kishte aplikime edhe te aktit seksual.

      Mendoj se eshte nje shprehje e gjetur e shqipes; nuk duhet te konsiderohet nga kuptimi i fjales “q..”, por nga perdorimi i saj ne nje kontekst dhe kuptim tjeter.

      Heronjte kane dhene jeten duke u hedhur perballe armikut, moskokecares per jeten e tyre duke thirrur: O ci qi t’emen!, po ashtu si edhe ne llojin e menefregove abuzues te “ciqitemes” te eksploruar nga Nano si pjese e “-izmave”, kur abuzohet shteti apo shoqeria.

      Shqiperia me nje trashegimi statiste, totalitariste, autoritare e ka kthyer ne moto abuzimin “ciqitemen” ne emer te filozofise statiste te permbledhur bukur nga Musolini: “Tutto nello Stato, niente al di fuori dello Stato, nulla contro lo Stato”. qe tregon edhe esencen e regjimeve fashiste(apo komuniste). Nje list interesante e permbledhur ne 14 pika e gjeta ne internet. A nuk permblidhet edhe realiteti shqiptar ne keto pika?

      1. Powerful and continuing nationalism employing constant use of patriotic slogans, symbols, songs, flags.
      2. Disdain for the recognition of human rights because security needs outweigh human rights which can be ignored.
      3. Using enemies as scapegoats for a unifying cause.
      4. Supremacy of the military.
      5. Rampant sexism including more rigid gender roles and anti-gay legislation.
      6. Controlled mass media.
      7. Obsession with national security driven by a politics of fear.
      8. Religion and Government are intertwined especially in rhetoric employed by its leaders.
      9. Corporate power is protected–industrial and business aristocracies put government leaders into power and keep them there creating a mutually beneficial business/government relationship and power elite.
      10. Labor power, which represents one of the few threats to fascism, is suppressed.
      11. Disdain for intellectuals and the arts and hostility to higher education along with censorship of arts or refusal to support the arts.
      12. Obsession with crime and punishment.
      13. Rampant cronyism and corruption.
      14. Fraudulent Elections.

  3. Shkrim bajagi i mire. I mungon mendoj une vetem marrja e argumentit se perse keto idioma jane ne perdorim masiv edhe nga femrat vete, sidomos te brezit te ri? D.m.th nese meshkujt kane themeluar keto shprehje si refleks i patriarkalitetit te shoqerise, femrat se fundmi u kane dhene te drejten e qytetarise. Ndoshta keshtu relativizohet forca ofensive e tyre, duke na deshmuar se qirja, nuk perceptohet gjithaq si nje akt qe mbetet krye fund iniciative dhe hipotetikisht deshire e mashkullit, por edhe e femres. Keshtu qe…perpara them une!

    1. ne fakt une nuk ngre ceshtjen e profaniteteve ne pergjithesi, K. Pi, por te ketij ne vecanti, duke qene se bart nje mesazh makaber e fyes, ende transparent ne gjuhe. Ne nje fare menyre, rimarrja e diskursit mashkullor ne dore, e krijon fuqine e nje barazie ne dukje grave. Sido qe perdorimi i fjaleve dhe perdorimi i diskursit si i tere ketu ka rezultate krejt te ndryshme emancipuese.

      1. Tani nuk me duket se eshte ironike po te themi dhe te pranojme se termi “ciqitemizem”, ne thelbin e vet nuk manifeston antifeminizem, por thjesht nje aspekt formal te moralit te fundit qe u ka mbetur medemek burrave te Shqiperise. Dhe kete e dine edhe femrat, ndaj edhe kur shajne njera-tjetren, kur dalin nga feminiliteti i tyre i paketuar si karamele “Zana”, si masat perdorin fjalen: Kurve, Buce etj..Tani mundet te dale dikush dhe te thote se ato e bejne kete nga zilia, jo nga inati. Ky po qe ka nuanca antifeminizmi. Duket sikur eshte e njejta gje, por jo.Dhe meqe per mendimin tim, ky term hyn ne perdorim nga premisa formale, apo edhe si variant i aktivizuar ne mungese te nje termi tjeter, ai nuk ka pse te shihet ne perspektive kaq “viktimizuese”; edhe per faktin se ky lloj puritanizmi ligjerimor, qe kerkohet apo qe edhe synohet, eshte kryekeput hipokrit. Nuk eshte mungese edukate perdorimi apo jo idiomave, profaniteteve sic i quani Ju, apo edhe shenjuesve leksikore te organeve gjenitale, por Koha dhe Vendi i perdorimit te tyre. Nga kjo pikepamje, edhe shtirja e nje sjelljeje ku nuk lejohen “fjale te pista”(shiko cfare perkufizimi), ciladoqofte kultura nga eshte imponuar, nuk eshte se na ka prodhuar nje “protokoll”, apo etike ne qasjen ndaj femres. Po aq vulgare dhe po aq agresive jemi. Ose per te qene me i sinqerte: Po aq origjinale jemi. Kjo mendoj une edhe sepse shqiptaret e kane mermeritur erosin e tyre, duke ia privuar ate publikes. Kjo vihet re edhe ne letersi, e cila nese do te kishte hapur nje udhe ne kete drejtim(hiq ata babaxhanet e letersise bektashiane), ndoshta do ta emanciponte degjimin qytetar me kete fjalor qe ndermjeteson erotiken dhe sensualen drejt seksuales, te cilen ne e kemi nxjerre mu ne mes te sheshit dhe qe cuditerisht nuk e shohim fare si problem.

        1. Kur thashe me lart “krijon fuqine e nje barazie ne dukje grave. Sido qe perdorimi i fjaleve dhe perdorimi i diskursit si i tere ketu ka rezultate krejt te ndryshme emancipuese”, kisha parasysh pikerisht qe fjala ne vetvete nese nuk huazon me te edhe diskursin mashkullor te shprehjeve, mund fare mire te perdoret. Por, po u huazua bashke me diskursin (ate qe ti e quan agresivitet, vulgare etj), perforcon te njejten ideologji. Ndiej nje lloj kundershtimi me lart, por nuk e di se cfare argumenti kundershton. E quaj profanitet se kete term kane zgjedhur te tjeret para meje. Une s’e shoh hic si dukuri negative shoqerore perdorimin e tyre. Ne fakt u perpoqa ta kuptoj, por ende nuk e di cfare do te thuash e ciles ide i referohesh me “puritanizem” apo “perspektive viktimizuese”. Sa per te folurit pa fjale te piseta ose komunikimi protokollar, kjo eshte nje hapesire qe e shton ti (e ke plot te drejte ta diskutosh, nese do), por une as e permend dhe as e mbroj.

  4. Në fakt rrallë ndodh që shprehje si këto më sipër të shihen në një kontekst të tillë, mund et thuhet se këtu Presja na ngre në sociolinguistik, gjë të lejon të arsyetosh pak më ndryshe se sa në kuadrin etik.
    Si fillim desha ta korrigjoj pak Nanon. Një fjalë e tillë, çiqitamizëm, ka qenë mjaft e përdorur në mesin e virteve shtatëdhjetë. Kur regjimi rifilloi përpjekjet për të rivënë në rresht rininë e kohës, pas një pranvere të vogël, kjo shprehje përdorej shpesh për të treguar një shpërfillje dhe neveri për të rifilluar aksionet politike etj… Po nuk ishim vetëm ne të rinjtë e kohës që e përdornim. I kam si tani në vesh fjalët e një kuadri politik të kohës, që na tha : E njohim mirë teorinë e çiqitamizmit të ju të rinjve që na vini nga Tirana…
    Në një kontekst tjetër fenomeni ndodh sepse shqipja ka edhe ajo ca natyrë « mashkullore » sikundër mjaft gjuhë të tjera. Frëngjishta ka ende vështirësi të intergrojë fjalën ministre (f.). Në shumicën e rasteve, megjithë një reformë të vogël që tentoi ta ndryshojë, vazhdon ende të degjoj shprehjen : Madame le minsitre.
    Me tej Presja ka të drejtë kur thotë : Primitiviteti, brutaliteti dhe kafshëllëku i këtyre shprehjeve janë ulëritës.
    Eshtë e vërtetë, por nga vjen kjo kur dihet se përdhunimi i një burri të shtëpisë do të qe ende më i rëndë?
    Kam përshtypje se ka rrënjë historike të vjetra fort, nuk është një shprehje e thjeshtë “rrugaçësh” a gjithfarësoj njerëzish të “ paedukuar”. Fenomeni më duhet kërkuar shumë larg në histori, madje në parahistori.
    Eshtë e njohur si e siguronin njerëzit trashëgiminë e llojit para krijimit të institucionit të martesës. Bashkë me Levi Shtraus-in dhe të tjerë po them se ata si mjet kryesor kishin përdhunimin. Të gjithë jemi pasardhës grash të përdhunuara. Në miliona vjet qusinjerezit dhe njerëzit kanë përdhunuar dhe komuniteti i vajzës (kur nuk ishte vete qe i përdhunonte) rriste kalamajtë, duke e pranuar pak a shumë një gjendje të tillë. Erdhi një kohë dhe fenomeni u bë i padurueshëm. Një kontratë martese (sikundër duket në tabulatet romake) i siguronte aleanca e benefice të mëdha komunitetit. Kjo nuk do të thotë se lo stupro mori fund menjëherë. Ai ekzistonte por tashmë opinioni për të ishte krejt i ndryshëm. Ai ishte fyes dhe poshtërues, pra falas. Të shaje e poshtëroje në mënyrë të tillë një komunitet të tërë nëpërmjet gruas, kjo shpinte të kohë të tjera dhe në statuse socialë mjaft inferiore.
    Eshtë interesante të vëresh se sharja nuk i drejtohet vetë gruas, nënës, femrës, ajo u drejtohet të tjerëve. Janë të tjerët që ndihen të poshtruar nëpërmjet një adresimi të tillë ndaj pjesës gjinore të familjes, fisit. Gruaja vetë miklohet, joshet. Kjo duhet parë në dy mënyra, njëra nga të cilat nuk është domosdoshmërish negative: gruaja shihet si thesari i paprekshëm i fisit, si një vlerë e sigurtë e tij. Tjetra është se në të njëjtën kohë ajo ishte edhe dobësia e tij, pika më e brishtë, më e ndjeshme. Vetë gruaja joshet, shpesh me me fjalë pak a shumë të bukura, me premtime, duke i dhuruar dhëmbë tigri, dhjamë foke, ipad….
    Paradoksi është se kemi të bëjmë me të njëjtin person nëpërmjet të të cilit, në rrethana të tjera, poshtërohet dhe fyhet një fis i tërë, një komunitet a familje, individi mashkullor i saj. Dhe kjo është e papërligjur dhe e papranueshme. Me këtë shkrim këtu sipër bëhet edhe një hap më tej, jepen disa alternativa si mund të veprohet, por unë jam pak optimist se mund të arrihen rezultate. Vetëm ngritja kulturore dhe shpirtërore e shoqërisë e zgjidh këtë problem.
    Sot në metropole të mëdha nuk i dëgjoj shprehje të tilla, përkundrazi, në periferitë me probleme ekonomike dhe sociale ato lulëzojnë…

  5. Interesant ai perdorimi ne vitet 70, Lyss. Nuk e kisha idene! Ndoshta AP ate ka pasur parasysh kur e nxori ne fb? Por nga referimi i Nanos nuk m’u duk te behej fjale per nje corbe shefash kuadri gatuar ne socializem :).

    Kur po shkruaja u rreka te perfshija diskutimin e qirjes se pjesetareve meshkuj te fisit, sidomos kur perfshiva shprehjen e te qirit te robve te shtepise; doja te krijoja nje fare hierarkie te demtueshmerise dhe fyerjes qe mund te arrihej nga bemat burrerore. Shkrimi nisi te dukej goxha i gjate, ndaj u kufizova vetem tejk gruaja.

    Historia e thelle e aktit, sic thua edhe ti, nuk e justifikon dot ate. As fakti qe ne nje fare menyre gruaja dhe keqtrajtimi i saj perbente hallken (e cmuar) ku nje burre mund ta vrisje me keq. E gjithe kjo e ve gruan ne nje pozite edhe me te poshteruar shoqerore. Shkurt: eshte nje muhabet qe s’ke nga ta kapesh qe t’ia besh te lehte vijueshmerine. ndaj them qe, ji profan sa do, dhe pasaportizoi te gjitha fjalete fjalorit qe kane ngelur pa te drejte ne ndonje qoshke te mykur e te erret, kur mund te ishin emamncipuese e te nevojshme. Por rasti i shprehjes ciqitemizem nuk eshte i tille. (eshte gjithashtu interesant fakti qe ti e perdor me formen “t’amen”. Po perpiqem te marr me mend origjinen e komunisteve qe e krijuan) 🙂

  6. Duket sikur ka dale jashte kontrollit ne keto komente te ndersjellta , sidomos nga autorja ne fjale, perdorimi i teperuar i foljes dhe aktit seksual ne fjale.

    Dihet qe folja nenkupton supremacine mashkullore te aktit, sepse kete e bejne meshkujt me organin e tyre ne saje te nje logjike te dizenjuar kaq mrekullisht dhe shkencerisht prej nenes natyre.

    Por duket se ne koherat qe jetojme, emancipimi gjinor, ka sjelle nje iluzion sikur edhe gjinia femrore mund ta kryeje aktin ne fjale duke perdorur foljen ne fjale “ta bej…” apo “te q…” qofte edhe si violentim, perdhunim seksual.

    Cka natyralisht njihet si akt ekskluzivisht, privilegj, krenari maskuliste.

    Eshte ironike kur shprehja e njohur interpretohet si neperkembje maskuliste e gjinise tjeter. Nderkohe, kjo shprehje, sidomos me perdor te hershem jugor ne Shqiperi, nuk neperkemb aspak gjinine femer.

    Shpresoj se kuptohem ku dua te dal… Ne anglisht ekuivalentet japin te njejten semantike e perdorim “who gives a f..ck”.

  7. Asgje s’ka dale jashte kontrollit, Read Me, nga autorja ne fjale a te tjere ketu. “Akti ne fjale” eshte i shumekuptimte dhe shumefunksionues dhe per te gjitha kuptimet mund te diskutohet pa pika-pika. Por ti mund te mos diskutosh nese nuk ke deshire.

    1. Presje, ke te drejte! Duhet diskutuar pa pika-pika, por me sa duket Read Me, sikurse une vete, ben pjese tek ata shqiptare te cileve u vjen turp nga fjalet 🙂

      Nuk ia njoh moshen Read Me-se, por une tashme nuk jam me i ri dhe nuk mund te ndryshoj dot. Shpresoj vetem qe te rinjte te çlirohen nga keto tabu gjuhesore e t’i quajne gjerat me emrin qe kane.

  8. E perseris se eshte e pavend perdorimi i drejtperdrejte dhe i shpeshte i fjales “me pika-pika” Shprehja mbi te cilen u ngrit stermullari i shkrimit nuk ia vlen te konsiderohet nga pozitat e nje feminizmi qe tingellon me shume si artificial.

    Konotacioni seksual apo denigrues nuk percohet kurrsesi nga shprehja “Ci qi t’emen”.

    Dihet shprehja: “kur nuk ke pula, pse me bo ish”. Pra perse t’i nxjerrim klecka “biografie etimologjike” nje idiome te njohur te leksikut te shqipes, kur te hereshmit tane e kane pare si pune “angarie”, qe nuk ia vlente barra qirane “t’ia berit te t’emes”, megjithese zakoni per te poshteruar kundershtarin ia kerkonte si nje detyre, hakmarrje primitive.

    Popujt e kane kaluar ate faze primitiviteti dhe shprehja ka marre teresisht nje kuptim tjeter.

    Persa i perket perdorimit, une nuk kam hasur ne asnje vend perdorimim e fjales ne shqip apo ne cfaredo gjuhe ne formen “rude”, qe tingellon vulgaritet, kur nuk je duke iu drejtuar dikujt ne intimitet per te bere apo pershkruar aktin, apo pjese e nje dialogu “in fiction”.

    Bile edhe kur mund te bastardohet biseda, gjate shpjegimit te kopulimit si proces natyral me studentet e mi, bej cmos qe te mos rreshkitet ne shprehje te tilla, qe te banalizohet erotizmi studentor edhe ku sigurisht hormonet rinore flasin me ze te larte, sa te shurdhojne; kjo te pakten per konsum publik.

  9. Presja qenka e shkollës dekonstruktiviste :).

    Ka pak ironi ky debat, ku nga njëra anë autores i kërkohet të mos jetë puritane, dhe nga ana tjetër të mos jetë e drejtpërdrejtë – për mua, presja më shumë është e dyta sesa e para.

    Nuk ka shumë vlerë, mendoj, të fshihemi pas taboo-së – kjo është ironi më vete… Premisat që analizon presja për përdorimin e shprehjes në fjalë, qëndrojnë. Po, kjo shprehje stimulon rolin e përulur dhe akoma jo të barabartë të femrës në shoqërinë shqiptare.

  10. Perserite, Read Me, nese ke deshire. Mua nuk me vjen aspak keq. Por perseritja ne vetvete dhe perdorimi i shprehjes “e perseris!” nuk te jep te drejte. Vetem thote se te pelqen pozita autoritare dhe mendon se ti e meriton ate dhe ushtrimin e saj. Qirja nuk eshte qellimi im ne jete; po ashtu nuk eshte as perdorimi i fjales. Ty te pelqen “kopulim”, perdor ate nese do, dhe mos gjyko ke perdor fjale tjeter ne vend tjeter. Une nuk jam kunder dallimeve ne regjistra e stile te ligjerimeve te ndryshme. Diskutimi ne auditor me studente ka rregullat e veta, por une nuk jam dakord qe mjeket te mos dine fjalet qe perdoren ne krahina te ndryshme per oganet seksuale apo aktet e menyrat e KOPULIMIT sipas kulturave te ndryshme, ose qe studenteve ne nje gjuhe te huaj te mos u thuhen/mesohen fjale e shprehje “banale”, sepse profesorit i vjen turp ose sepse ka frike mos studentet e rinj pellcasin ne vend nga shperthimi i hormoneve.

    Persa i perket primitivitetit te tejshkuar te popujve, dhe marrjen e nje tjeter kuptimi nga ana e shprehjes, une diskutoj ne shkrim pikerisht se ajo mbetet e tejdukshme, dhe ideologjikisht vepruese edhe kur thenesi i shprehjse “c’i qin nenen” s’ka pasur kurre ndermend t’i qije kujt t’emen. Bo apo s’bo “ish”, aty i ke pulat, ul kom kryq ne bash te venit!

    E gjithe ceshtja eshte qe ti kete diskutim e quan “bisede e bastarduar” dhe “banale”. Ndersa une them se nuk eshte e tille. Nuk eshte as “feminizem artificial”. Une nuk jam e edukuar si feministe, dhe nese e ngre kete problem nga pozitat e nje ideologjie qe mbron gruan, kete e bej thjesht si njeri, burre apo grua. Nuk jam e sigurte nese mund ta quaja idene time feministe, dhe nuk me duhet fort emri i saj. Ajo qe une mendoj eshte se tema eshte e vlershme dhe jo banale; madje eshte ne kufijte e qibares.

    1. Me duhet ta kthej kete dialog ne dicka ne kufite e autoironise. Javen qe shkoi nje kolegu im me ftoi te merrja pjese ne nje “diskutim sokratik” te nje ore te literatures amerikane. Nxenesit do te diskutonin per nje liber, qe pavarsisht sot eshte pjese e kurikules, akoma konsiderohet kontroversial. E kam fjalen per librin e J. D. Salinger “The Catcher in the Rye”.

      Presja me kujton se “… profesorit i vjen turp ose sepse ka frike mos studentet…”. Mu kujtua personazhi i librit, quhet Holden. Ky Holden-i, i quan te gjithe njerezit phony(njerez qe shtiren, dyfytyresh, me nje falsitet ne sjellje). Ky e mendon veten nga pozitat e qibarit (qibarllikut), pavaresisht se ne thelb, edhe ky eshte pjese e “phonies”.

      Per te ilustruar falsitetin e personazhit dhe menyren “qibare” se si kerkonte ta shihte boten te panjollosur nga te rriturit, qe ishin te gjithe te korruptuar ne syte e tij, nje nga studentet po analizonte edhe gjene qe kishte me per zemer ne kete liber, perdorimin ne tekstin e librit te shprejes “fuck you”, qe sipas tij, ishte rishfaqur pese here ne liber.

      Studenti komentoi se eshte e pamundur per Holden-in, te fshije te gjithe “fuck you-te” nga muret e shkolles, kopshteve, muzeumeve, etj. Eshte nje ndermarrje e pamundur, e kote, pavarsisht se ai donte te ruante puritetin e syve te pafajshem te femijeve qe po rriten.

      Nga fjalet e Presjes mu duke vetja si Holden-i dhe presja po me thoshte: “Rritu, sepse eshte e natyreshme, qe te degjosh e te lexosh fjalet “fuck you”. Prova me e dukeshme jane bankat e auditoreve ku studentet kane mesuar me zell t’i shkruajne e t’i lene mbrapa shprehjet e tilla, si deshmi kuptimplote te procesit te rritjes.

      I thashe vetes, Holden, o puritan, ReadMe, ke nevoje te rritesh!

      Presja duhet te kete kaluar fazen time “te rritjes”, prandaj edhe shkruan qe “Qirja nuk eshte qellimi im ne jete; po ashtu nuk eshte as perdorimi i fjales.”

  11. Përdorimi pa doganë i terminologjisë profane në këtë syth është i pajustifkuar, për mendimin tim, dhe madje i papranueshëm.
    Këtu nuk është fjala as për puritanizëm, dhe as për përdorim pikash. Ky blog është pasuri kulturore kombëtare, dhe xhaxhai nuk duhet ta kishte lejuar shkrimin të kalonte kaq “qesim”.
    Të gjithë shohim, lexojmë dhe vërejmë profanitete në të gjitha mediumet, të vendit dhe të huaja, mirëpo ato cilësoret dhe qytetaret, ku bën pjesë edhe PTF, nuk e ulin veten sa të lejojnë përdorimin e fjalorit të rrugaçërisë.
    Një “F…” për anglishten e shkruar, për shembull, e jep kumtin të saktë, pa e shëmtuar mjedisin përreth, dhe duke e ruajtur diskutimin dhe debatin e lirë në nivel qytetar, dhe jo në rrugaçin. Lejimi i përdorimit të palatuar të trajtave të shqipes rrugaçe nuk e nderon këtë blog.
    Autori M.N. që i dha shkas këtij diskutimi, njihet për përdorimin e shprehjeve të rrugës në shkrimet e tij, por kurrë nuk pritej të binte në nivele të rrugaçërisë gjuhësore. Ai merr shkas nga sythi i sipërm i “presjes” për ta hulumtuar edhe më tej temën tek respublica, duke shtuar kontributin e vet aspak të vlerësueshëm në pasurimin e shqipes vulgare e rrugaçe, si dhe përpjekjen e palume për ta institucionalizuar atë.
    Rregulli praktik është fare i thjeshtë: nëse një fjalë apo shprehje të rrugës nuk e përdor dot brenda familjes, atëhere mos e përdor as në kumtin publik…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin