Sonte shkova të ndjek bisedën Polifoni (pa fustanellë) të organizuar nga Fusha Freudiane dhe Universiteti i Arteve, me pjesëmarrjen e Jolka Penotet, Romeo Kodra dhe Matilda Odobashi; dhe të drejtuar nga mysafiri italian, psikologu dhe psikanalisti prof. Sergio Caretto.
Do të shkruaj sërish për këtë ngjarje, e cila për habinë dhe kënaqësinë time u fokusua sërish e sërish në fjalët, kuptimet dhe shenjuesit, ligjërimin dhe gjuhën, dhe raportet e subjektit me të folurit.
Gjithsesi, gjuhëtari brenda meje u ngacmua jo vetëm nga tema e veprimtarisë dhe trajtesat e pjesëmarrësve, por edhe nga ndërveprimi mes tyre dhe i tyre me publikun në sallë. Në fakt, prof. Caretto foli në italishte gjithë kohën, pa përkthim, ndërsa tre bashkëbiseduesit në shqip, edhe pse R. Kodra shpjegoi se ishte mbështetur në një material në italishte, ndërsa J. Penotet (Nathanaili) i paskësh pasur shënimet në frëngjishte, edhe pse ligjëroi në shqipe; dhe më pas mësova edhe se kish komunikuar me mysafirin nga Italia në frëngjishte, madje edhe kur ia kish përkthyer disa nga ndërhyrjet në shqipe.
Më pas një nga të pranishmit në publik diskutoi shqip, dhe një tjetër (unë) në italishte – ashtu ma kërkuan.
Megjithë ndopak veprimtari përkthimi të ndërmarrë anash, biseda në përgjithësi u zhvillua pa përkthim, me kalime të rrjedhshme nga një gjuhë në tjetrën. Në vështrim të parë, të duket sikur prof. Caretto ia imponoi publikut italishten e vet, si lingua franca, të paktën kur bëhen bashkë italianë dhe shqiptarë; por pastaj fillon të dyshosh se mos në këtë raport forcash primatin e kanë të tjerët, ose ata që e kanë një gjuhë më tepër në dispozicion (shqipen), si territor gjysmë privat, ose të paktën me hyrje të përzgjedhur.
Më ngacmonte edhe ideja se ndokush në sallë mund të mos dinte italishte, pse nuk është e thënë që çdo shqiptar, e aq më tepër i interesuar pas raporteve të psikanalizës me artin dhe ligjërimit, të dijë doemos italishte, veçanërisht sot, për komunikimet ndërkombëtare përdoret me përparësi anglishtja; dhe ky person hipotetik, do të shtrëngohej ta ndiqte mbledhjen vetëm përgjysmë, ose të kuptonte shqipen dhe pastaj të mjaftohej me muzikën dhe gjestikulimet e pjesës italishte; ose duke kaluar nga një regjistër komunikimi në tjetrin, çfarë do të ishte edhe kjo një lloj polifonie, siç e paraqiste titulli i bisedës vetë.
Kjo vetëm si eksperiment mendimi; pas gjase, kush nuk dinte italisht u largua që herët, pasi roli i prof. Caretto-s ishte tepër themelor për t’u reduktuar në një lloj kolone zanore; çka do të thotë se e vetmja viktimë potenciale, e këtij shkëmbimi laraman të së njëjtit ligjërim por në gjuhë të ndryshme ishte profesori vetë, i cili përjashtohej nga shqipja jo per scelta sua, por për shkak të një mangësie objektive.
Dhe atëherë ky komunikim jo vetëm polifonik, por edhe politonal, ku të pranishmit kalonin lirisht nga shqipja në italishte dhe pastaj sërish në shqipe vjen dhe i ngjan një lloji eksperience gjuhësore më primordiale, e cila në thelb u paraprin formimit të kombeve dhe të gjuhëve e të kulturave kombëtare të homogjenizuara; dhe ku subjektet folëse ndeshen përballë njëri-tjetrit në mjedise shumë-gjuhëshe, ku kalimi nga një gjuhë në tjetrën nuk është as opsional, por shpesh i detyruar. Situata nuk rezulton aq ekzotike sa ç’mund të mendohet; mjaft të përfytyrojmë pazaret e mëdha në qytete të dikurshme brenda Perandorisë Osmane, si Manastiri, Shkupi, Janina, Voskopoja, Prizreni (pa shkuar fare te Stambolli), ku përziheshin lirisht shqipja, turqishtja, sllavishtja, greqishtja, vllahishtja; dhe ku të gjithë kalonin nga një regjistër gjuhësor në tjetrin me lehtësi të madhe, sipas nevojës; në kuptimin që zgjedhjen e gjuhës e bënte gjithnjë ai më i papërgatituri, më i padituri ose, më shpesh akoma, ai që mund t’ia lejonte vetes të mos fliste shumë gjuhë – ose personi me pushtet.
Filozofi Ivan Iliç, në një pasazh ku rrëfen për fëmijërinë e tij në qytezën e gjyshërve të vet në ishullin dalmat Brac, kujton sesi atje fliteshin rëndom gjithfarë gjuhësh, natyrisht në treg ose në situata ku nuk kërkoheshin më shumë se 200-300 fjalë dhe një gramatikë rudimentare; duke vërejtur pastaj se jo vetëm bashkëqytetarët e tij e bënin kalimin me lehtësi, por edhe – dhe këtu duhet të ndalemi pak – se këta poliglotë nga halli as që ishin të vetëdijshëm se po flisnin gjuhë të ndryshme; dhe se zgjedhja e kësaj apo asaj gjuhe përkonte me personin bashkëbisedues, pa qenë e lidhur me ndonjë operacion të tipit abstrakt, ose ndërrim moduli gjuhësor.
Iliçi e krahason pastaj këtë eksperiencë – nëse më kujtohet saktë (nuk i kam me vete në Tiranë librin Ivan Illich in Conversation, ku i kam lexuar këto gjëra; as një libër tjetër të tij, me Barry Sanders, ABC: Alphabetization of the Popular Mind, ku cek tema të ngjashme) – me çfarë ndodhte në Mesjetë edhe në nivele më të larta se këmbimet e mallit në treg; duke përshkruar raste kur dy qytetarë çfarëdo takoheshin dhe flisnin mes tyre, secili në gjuhën e vet, pa e pasur shumë të qartë, ose shumë prezente në mendje, se po flisnin secili nga një gjuhë; identiteti i gjuhës vinte e maskohej, si të thuash, pas identitetit të folësit.
[Te Shadow Work, Ilich shkon deri aty sa të vërejë se termi gjuhë amtare, në fillimet e veta, nuk shënonte gjuhën e popullit (the vernacular) por më shumë të kundërtën e saj; termi, sipas tij, është përdorur së pari prej murgjve katolikë për të shënjuar gjuhën që përdornin nga pulpiti, kur nuk flisnin që andej në latinishte; më tej akoma, termi gjuhë amtare, që nga përdorimi i vet i parë, e “instrumentalizon gjuhën e përditshme në shërbim të një kauze institucionale”; derisa të shenjonte gjuhën që përligjte ekzistencën e shteteve kombe.]
E gjithë kjo vlen, natyrisht, për nivelin e ligjërimit të folur; si për shtresat e ulëta ashtu edhe të lartat. Përkundrazi, në momentin kur dikush ulet të shkruajë, identiteti i gjuhës e humbet tejdukshmërinë, dhe gjuha vetë vjen e rëndohet, duke precipituar. Për këtë arsye edhe të shkruarit, deri vonë ose sa pa filluar fushatat e arsimit masiv dhe konsolidimeve kombëtare, mbetej një virtyt i të paktëve; dhe nuk është rastësi që ne sot e kemi të vështirë të rindërtojmë, bie fjala, shqipen që u fliste Skënderbeu ushtarëve të vet, ose të jëmës (ç’gjuhë t’i kish folur vallë nëna Vojsavë?), ose të dërguarve të Venedikut; në një kohë që gjuhën e letrave të tij dërguar fisnikëve përtej Adriatikut, dhe të hartuara në kancelarinë e tij, nuk e kemi fare të vështirë ta identifikojmë. Në fakt, nuk na duhet shumë mundim për të kuptuar se një fisnik vendës, në Arbërinë paraosmane, duhej të fliste, veç shqipes (arbërishtes) edhe ndonjë formë të sllavishtes dhe me siguri greqishte ose latinishte, sipas orientimit fetar; dhe kjo poliglosi nuk mbahej për virtyt – siç do të mbahej sot – por si produkt i natyrshëm dhe i vetvetishëm i marrëdhënieve sociale të periudhës; prandaj edhe ka qenë relativisht e zakonshme në Mesjetë.
Të bën të mendosh, për ta mbyllur, edhe fakti që prof. Caretto priste që të fliste në italishte dhe publiku të arrinte ta ndiqte; tek e fundit, në Itali prej kohësh qarkullon bindja se nuk ka shqiptar që të mos kuptojë italishten; pa çka se kjo italofili shqiptare është duke humbur terren e duke u demoduar, për shkak të ri-izolimit tonë kulturor dhe anglizicimit makaronik të rinisë urbane. U përpoqa të ndërroj mendërisht rolet me mysafirin, dhe ta përfytyroja veten duke i folur në shqip një publiku italianësh – çka do ta kish shndërruar sakaq ligjërimin tim në një varg shenjuesish të çankoruar nga kuptimet e shqipes dhe të hapur për gjithfarë ankorimesh spekulative; ose edhe thjesht si katalizator për shoqërime idesh nga më të guximshmet, në mendjet e topitura të dëgjuesve. Çuditërisht, ky farë përfytyrimi më bën të ndihem mirë, ashtu i mbështjellë me shqipen time detyrimisht sekrete, ose strehë kuptimesh që për tjetrin mbeten të mjegullta; në mos lehtësisht kërcënuese; shqipja do të ishte priceless, në këtë kontekst, ndërsa italishtja – MasterCard.
Vertet i zbutur ky Babel.
“Sonte shkova të ndjek bisedën Polifoni (pa fustanellë) të organizuar nga Fusha Freudiane dhe Universiteti i Arteve, me pjesëmarrjen e Jolka Penotet, Romeo Kodra dhe Matilda Odobashi; dhe të drejtuar nga mysafiri italian, psikologu dhe psikanalisti prof. Sergio Caretto.”
Sigisi, ai i verteti, do te ishte vertet i lumtur ne shikimin e punes se arrire qe bejne, edhe ne Shqiperine e vogel e te pambrojtur, dishepujt apo ithtaret e tij, per perhapjen e nje nder shume teorive te rrejshme e te pabaza qe ka njohur shoqeria njerzore.
Nderkohe duke pare punen e ithtareve jam kurioz te di, jo drejteperdrejte nga xhaxhai ci mancherebbe, se nga i gjejne energjite ose me sakte resurset, ngase keto jane edhe burim energjish ngadonjehere, per organizmin, ftesat etj pune hangari qe ndonjhere kerkojne edhe ndoca para…?
Apo, une, e mbase ndonej tjeter qe nuk ndihet komod nen robat e vagullta te psiko”gjese” pervecse si qytetar i botes, edhe si nenshtetas shqiptar, duhet te mendojme se jane te vet-financuara?
(Natyrisht nenkuptohet edhe qe pyetje thelpesore, edhe pse e shprehhur nen kllapa eshte: nese ka ndonjeçik financim publik, perse eshte zgjedhur te “investohet” ne kete fushe e jo ne nje tjeter, me te qarte nen shume pikepamje?)
–
Nderkohe, persiatjet e xha2 i lexova e rilexova me vemendje.
financim publik ?? s’ka financim as publik jo qe jo por as privat ne vlere monetare sic aludohet… po mbase duhet te tringellojne shenjuesit njecik me shume qe te urojme qe gropa e subjektit te hapet njecik me shume se ndryshe nuk ze rrenje i shkreti,,,e keshtu ka dhe gjasa te mos ngaterrohet gjithmone burimi me deshiren….. Ndonje argument kundra psikanalizes ju gjendet ne xhep keshtu rastesisht pa doreza teorike por drejtpersedrejti nga pervoja juaj e jetes, mundesisht jo e leximit ?
…Po nuk ma ha mendja qe te kete ngel njeri me njefare sensi kritik qe te kete nevoje per argumenta kunder psiko”gjese”. Argumentat, jo kunder, por qe demaskojne kete menyre te berit psikologji, jane dhene me kohe, e ata qe kane njefare ndershmerie intelektuale nuk e fusin ne loje Frojdin sic po behet keto kohe ne Shqiperi.
Psh, ka thene nje njeri i moçem (apo mençem), se Frojdin, apo Alderin etj mund t’i gjesh kudo ne bote, ne cdo fenomen apo sjellje, qofte kjo me perkufizim patologjike apo jo.
Frojdi apo ata qe eksitohen pas Frojdit, e perdorin kete si nje pale syze, me te cilat lexojne boten. Te kuptohhemi, nuk ka asgje te keqe. ka nga ata qe preferojne ta lexojne boten keshtu e ashtu, filtrat jene te shumellojshem.
Asnje problem… per sa kohe kjo eshte personale. Une do te shqetesohesha, por vetem pak fare, vetem ne rrobat e qytetarit qe shef njefare personi i cili mban nje “”titull” si “Psikologe klinike” dhe qe lobon, le te themi per perhapjen e Frojdizmi, i cili ne vende te tjera ka kohe qe eshte futur ne grope.
Do te shqetesohesha edhe me shume nese do te isha pacient qe drejtohet tek QSUT-ja. Kjo sepse titullin psikanalist mund ta mbaje fare mire edhe lypesi qe qendron tek porta, te cilit ne perceptimin publik i shkon me shume, nga sa mund t’ju shkoj juve, ngase ai ka edhe mjeker e keshtu ngjason me shume ne Sigmundin. po nejse 😀 Por kjo jo per tu marre me ju, por per te ilustruar shqetesimin tim ndaj trajtimit te shendetit dhe perqasjesj tone ndaj tij.
Nder te tjera, nuk erdha ketu per te diskutuar Frojdin me ju (ngaqe te tjere e kene bere me pare), por meqe u bera kurioz per kete clirim energjish psikoanalitikofile… pyeta se nga e gjenin vullnetin apo energjine disa njerez per te perhapur teorira thashethemaxhofka kur fare mire mund t’i investonin keto energji ne diçka tjeter, me konkrete e qe, padyshim do te jepte me shume rezultate praktike. andaj edhe pyetja, teresisht e dizinteresuar, si i thone fjales, pa kerkuar medoemos pergjigje. Per informim dmth. As nuk aludova asgje, thjeshte pyeta pra pretendime.
Ju, gjithsesi znj dukeni e acaruar, e une nuk mendoj se duhet te acaroheni asfare. Keni nga ana juaj nje popull qe i gelltit keto teorira pa problem, te cilat kane nga ana e tyre edhe nje simoter tjeter Marksizmin; e po ashtu, nje tradite te konsoliduar irracionalizmi paradoksal (meqe pretendohej te ishim te gjithe ateiste) te ushqyer gjate diktatures komuniste. Frojdi pra eshte vellai i Marksit, te cileve u drejtohemi, siç thone disa miq te mi me humor, edhe per te kerkuar pergjigje mbi mbarsjen e kafsheve. Pergjigjen do ta gjejme padyshim, ata kane thene gjithcka.
Pra, gjithekush ne voglen e vet, intimitetin e vet, eshte plotesisht i lire qe t’u atribuoj librave dhe leximeve funksionet taumaturgjike me te larmishme e me te pakrahasueshme. Kjo natyrisht sherben edhe si nje ushtrim per reflektim, mbi kufijte e pskologjise dhe limitet e spekulimit letrar pa verifikime praktike.
p.s: Sa paciente ka patur Frojdi gjate aktivitetit te tij?
Dashamiresisht Sigisi
Pse ri-izolim yni kulturor?
Flm
Do t’i kthehem kësaj duke e trajtuar më vete, edhe pse e kam cekur tek-tuk më parë në blog. Por e kam të pamundur këto ditë, që prezantohet libri.