Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Sociologji

NA KUJTOHET

YDRastësisht ndesha në librin Më kujtohet, të Ylli Demnerit, tek shëtisja në një librari; edhe pse kisha dëgjuar për të dhe, tani që e lexova, e mbaj për një nga librat më të mirë të zbuluar prej meje këtë vit, dhe jo vetëm në shqip.

Është një tekst kujtimesh të çlirëta, të pastrukturuara, ku autori i ofron lexuesit pamjet, zhurmat, aromat, shijet, zërat dhe personazhet e fëmijërisë dhe rinisë së tij në Tiranën e viteve 1960-1970.

Të gjitha këto marrin tingëllim magjik për mua, që i përkas të njëjtit brez me Demnerin, dhe që kam lëvizur në të njëjtat labirinte urbane dhe njerëzore, duke ndarë me të mbresa dhe reagime; aq më tepër që shtëpitë i kemi pasur relativisht afër (edhe pse kemi pasur veç një përshëndetje mes nesh).

Demneri, që nuk i fsheh modelet e veta letrare (Je me souviens, i Georges Perec) është vëzhgues i hollë dhe virtuoz i kujtesës; pakkush tjetër do të mund të shkruante një libër të tillë, ku e shkuara të sillej në tryezë si pjatë gourmet, jo në funksion të një ideje, një mburrjeje, një rehabilitimi ose një shpagimi.

Meqë edhe unë e kam zakon madje pasion të koleksionoj me kujdes në mendje kujtime në dukje të kota, udhëtova nëpër libër herë duke zbuluar me entuziazëm se disa gjëra i paskëshim përjetuar njëlloj me Demnerin; herë i zemëruar me veten se disa gjëra të tjera pothuajse i kisha arkivuar në bodrumet e pluhurta të kujtesës pasive; dhe herë i intriguar nga çfarë mua nuk më kujtohej më e që kushedi nuk e kisha ndeshur kurrë.

Autori është maestro i detajit: një autobus urban i amortizuar, i markës Saviem, që heq pantoflat zvarrë nëpër Tiranë duke ekspozuar ende shenjat e sistemit të transportit publik të Parisit, si dekorata luftërash të harruara; pllakat e gramafonit që vinin me një revistë propagandistike kineze, të cilat tiranasit praktikë i prisnin me gërshërë në formë gjysmë hëne dhe i përshtatnin për streha kapelesh verore; llambat e verdha në rrugën e Dibrës, që qëndronin të varura në qendër të rrugës; një çamçakëz i përdorur, të cilin e ruanim për ta përdorur të nesërmen, duke e zhytur në një gotë me ujë të ëmbël; fëshfëshet; flluskat e plogëta që ngriheshin në asfaltin e rrugës në mes të vapërs; një plak, kushedi veteran, që shiste privatisht portrete të udhëheqësve të vëna në xham pa guxuar kush ta pengonte në emër të ekonomisë politike të socializmit; teksti i transkriptuar kinezçe i një kënge për Mao Ce Dunin (“lindja skuq, dhe ndriçon/Mao Ce Duni në Kinë jeton”), të cilën duhej ta mësonim për ta kënduar të gjithë ne kalamajtë; dërrasa e lëmuar ku ulnin fëmijët te berberi, kur ishin tepër të vegjël për poltronën; karrocat me kuzhineta, si gjyshe neandertalase të skateboards-eve të sotme; Maria e sertë, e vetmja shofere taksie në Tiranë; një shkollë që quhej “50-vjetori i Pavarësisë”, edhe pse 50-vjetori kish kaluar me kohë, për t’u bërë 60-vjetor (e çuditshme do të ishte sikur shkollës t’i ndërrohej emri së bashku me fletët e kalendarit); zhurma e shisheve të qumështit natën që pa gdhirë në rrugën e shkretë; këpucët novelty me “gomë peshku”; topat italianë të artilerisë në oborrin e shtruar me zhavorr të Muzeut të Luftës Na-Çl te rruga e Barrikadave; zhurma e thatë e boçeve të pishës, kur binin mbi trotuarin e pasdites.

Natyrisht, libri nuk është një eksperiment banal nostalgjie – pse rresht pas rreshti e faqe pas faqeje Demneri evokon jo vetëm pamje të një të kaluare të brezit, por sjell edhe, të plotë, Tiranën e atëhershme, ose qytetin e njeriut, që i kundërvihej kryeqytetit të regjimit komunist; dhe ku çdo detaj, edhe ai më i pafajshmi, vjen e përvijohet si rezistencë ndaj gjakimit rrafshues që vinte nga lart.

Tirana e Demnerit, dhe imja, është një qytet i qetë, që përpiqet të jetojë normalisht, madje edhe në mes të pamundësisë; pse deri edhe fëmijët, nga njëra anë luajnë hapa-dollapa dhe kumançe, ose ndezin një kanoçe me karbit; por nga ana tjetër, ndonjë prej tyre, Pavlik Morozov i mbramë, do të denoncojë në polici një plakë të mjerë që ka mbetur rrugëve e dëbuar prej të vetëve, pse do t’i duket si “diversante.”

Kujtesa e palodhur dhe krejt e pafajshme e autorit lëviz nga një detaj në tjetrin, e kapur pas sendeve që formojnë, si gurëzat e mozaikut, jetët e përditshme. Në ato vite jeta nuk ishte uniformuar prej tregut; dhe sendet ende e ruanin aromën personale, të papërsëritshme, të kujt i zotëronte. Qëllonte që dikë ta njihje nga xhaketa që vishte, ose nga modeli i këpucëve. Ashtu do të kuptojmë më mirë, dhe do të shijojmë deri në fund, pse dikush filloi cigaren sapo i dhuruan një çakmak të bukur me gaz të sjellë nga jashtë; dhe pse autori vetë mban mend të ketë blerë një fjalor frëngjisht-shqip me kapak të fortë, jo pse kish interes për gjuhën, por ngaqë do ta përdorte për të vendosur pullat. Një botë të ndërtuar fund e krye mbi ripërdorimin dhe bricolage-in; dhe jo vetëm të çikërrimave, por edhe të krejt së përditshmes, përfshi këtu edhe marrëdhëniet njerëzore.

Vlera e evokimeve të imta të Demnerit lidhet edhe me atë që Tirana e tij, sikurse e imja, pothuajse nuk ekziston më; tashmë është shkatërruar, gërmuar, shfarosur, shkulur me rrënjë, riformatuar, riformuluar; toponimet e djeshme tani u referohen vendeve fantazmë; a thua se qyteti i dikurshëm është tërhequr mënjanë realitetit, për të lënë aty vetëm banorët e vjetër, të cilët fare irracionalisht i mbijetuan ndërrimit të epokave; kushedi ngaqë misioni i tyre, tashmë mistik, është të mbajnë mend çfarë ishte, por nuk është më, edhe pse mund të ishte ende.

Gjëma që i ka ndodhur Tiranës nuk është thjesht plakje; një qytet, aq më tepër kryeqytet, nuk shndërrohet kështu, me operacione plastike të njëpasnjëshme, për t’u bërë i panjohshëm prej banorëve të vet; ose më mirë nuk e ndërron kështu lëkurën, pa e pasur një hall të madh në vete, një sëmundje të ligë, një flamë, një mundim të pashembullt. Dhe të vjen keq që rezistenca jonë e atëhershme, vërtet pasive por e tillë që të na e ruante njerëzoren me të cilin kishim ardhur në botë, nuk pati aq forcë sa të mbronte edhe qytetin vetë; ne ishim, si të thuash, aktorët që mbetën në skenë edhe pasi skena vetë u shkërmoq dhe u rrëmbye tutje nga erërat e viteve.

Dhe të mendosh që, gjithsesi, kaq të lashtë nuk jemi; pa çka se në Tiranën e sotme ndihemi ndonjëherë si refugjatë nga e kaluara.

Libri i Demnerit nuk ka shtëpi botuese; do të jetë botuar privatisht nga autori, pa çka se, siç shoh aty, është tashmë në botimin e dytë. Si e lexova, më lindi edhe mua dëshira të shkruaj diçka të ngjashme, një “më kujtohet” timen personale; gati-gati si pjesë të një serie, të një gjerdani që do t’i sjellë lexuesit bukuritë dhe ndjeshmëritë e një epoke përndryshe të pabukur dhe të pandjeshme. Librat ndonjëherë janë e vetmja mënyrë për të ruajtur diçka; sepse sekreti i teksteve të tilla është që riprodhojnë, në vend që të mbyllin në muzeume.

Chapeau, Demnerit.

Pa Komente

  1. Duhet ta shkruash, sidomos duke qene qe pjese te saj ti i ke shkruar nderkaq ketu… Edhe une i them vetes qe duhet ta shkruaj ate qe kujtoj, por nuk ulem kurre se e dua gjithe kohen ta kem per ate pune te shoqeruar me vere dhe izolim. Dhe situata te tilla nuk krijohen. Ndoshta ka me shume vlere se gjithcka tjeter qe mund te shkruajme ose te shkruhet tani. Kur flas me te rinj, jo vetem me 20- por edhe me 30-vjecare, e shoh se u mungon nje cope e madhe e Tiranes se zhdukur si me magji. Eshte nje lloj detyrimi shoqeror gjithashtu qe ajo pjese te mos vdese. Bravo Demneri! Nganjehere kam frike se kujtimi do vdese edhe brenda nesh po e lame pas dore. Njerezit plaken, semuren, harrojne…

  2. Përshëndetje Adrian,
    Poeti Arb Elo, që mes së tjerave e kam “mik” dhe në Fb, kishte vënë shkrimin tënd “Na kujtohet” në faqen e tij. Aty u njoha me atë. Ishte një e papritur e bukur që më gëzojë për ç’ka kishe shkruar në lidhje me librin tim “Më kujtohet” dhe më emocionojë, pse ta fsheh. Jo vetëm për vlerësimin që i kishe bërë librit, por dhe që të kishte rënë në dorë. Tani, të shpërndarë si zogjtë e korbit, dhe pa një shtëpi botuese, siç e kishe vënë re dhe ti, kisha frikë se libri nuk do të binte në duart a atyre që do të doja të binte. Atyre që kanë ndarë pothuajse të njejtat gjëra, e që e duan shkrimin, fjalën.
    Të falenderoj e te uroj një zgjim të pasur kujtimesh për librin e ardhshëm. Në Francë ka patur disa botime “Më kujtohet” pas Georges Perec-utn mes të tjerëve dhe Gérard Genette.

    1. Ylli, falemnderit – po ta them kështu personalisht – për librin.

      Nuk janë vetëm kujtimet, një pjesë të së cilave i ndajmë bashkë, por edhe mënyra si i ke sjellë. Rrallë e gjen këtë qasje (për të mos thënë asnjëherë) në letërsinë këtu, e aq më pak në memuaristikë.

      1. Të falenderoj Adrian. Kam marrë mjaft vlerësime, po vlerësimi yt më gëzon veçanërisht.

    2. Nje pyetje praktike: ne cilat librari shitet libri apo eshte shperndare kudo?

      1. Flaka, libri shitet vetem ne Tiranë. Në librarine “Adrion” te Pallati i kultures, librarine “e Per7shme” ne rrugen Jul Variboba. Me thane qe ka filluar te shitet dhe ne aeroportin e Tiranes.

  3. Nuk e di pse me duket gati si blasfemi te shkruaj pas shkembimit prekes (te pakten per mua) midis Z. Vehbiu dhe Z. Demneri. Une (pjestar i kategorise se zogjve te korbit gjithashtu) kam patur kontaktin e pare me Librin e Z. Demneri para ca kohesh rastesisht ne Forumin “Peshku pa Uje” nese kujtesa nuk me tradheton.
    Ishte nje dashuri me shikim te pare.
    Njeriu e ndjen menjehere ne nivelet me te thella kur bie ne rezonance me nje veper te kesaj natyre. Ndjehem i zene ne faj qe megjithese i vura vehtes detyre ta gjej librin sa me pare, per nje arsye apo per nje tjeter nuk e bera kete.
    Shkrimi i Xhaxhait sot me beri te rifokusohem perseri.
    Prej kohesh mendoj se pse gjithmone e me shume kujtimet e hershme (jo vetem te feminise) na prekin me nje intensitet gjithmne e me te madh.
    A eshte kjo ceshtje moshe?
    Kur them moshe, kam me shume parasysh anen spirituale (dikush mund te jete 22 vjec dhe te kete moshe spirituale 50, 60 apo 80 vjet).
    Une i takoj nje brezi 6-10 vjet me te ri se sa Xhaxhait apo Z. Demneri, por nuk e di se pse bota e tyre me duket se ka prerje 80% me ate timen.
    Te me falni per sentimentalitetin e tepert.

  4. Me kujtohet postjeri Ilo i perkushtuar me canten e lekures te sfilitur te hedhur krahqafe dhe kapele ne koke qe shperndante posten cdo dite. Ashtu i cale dhe me nje strabizem te lehte therriste neper lagje ……Posta Posta. I afroheshim dhe pasi i thoshim mbiemrin na jepte secilit zarfet. Me vone Xhemilja ndonse jo me perkushtimin e Ilos e bente punen. Kishte nje tufe me kalamaj. Pastaj i plotfuqishmi i lagjes Shefkiu. I gjate dhe serioz. Asnje femije nuk guxonte te dilte nga shtepia perpara ores pese. Shefkiu vinte rrotull neper vape dhe sigurohej qe femijet ose flinin ose lexonin librat qe mernin te bibloteka e lagjes. Autobuzi i Laprakes dhe tek-tuk ndonje Fiat polak ose Varshave prishte qetesine marsiane te rruges “Kongresi i Permetit.”

  5. Kush ka mbajtur pulla dhe nuk ka njohur Gacin (Gasperin) te rruga e Kavajes nuk ka qene filatelist. Tjeter personazh ka qene Ceni me syze te rruga e Barrikadave qe njekohesisht shiste edhte libra te vjeter por qe fondin e pullave e kishte shume me te varfer se Gaci. Shtepine e Gacit e mbaj mend si tani. Dere pas dere perfundoje ne nje dhome te erret, me mobilje shume te vjetra dhe me ere shume shpuese te vecante por jo te keqe. Ndoshta ngaqe ajo dhome mbante thesarin qe une e enderroja. Perndryshe sot do mbyllja hundet. Kurseja cdo qindarke per te arritur te blija serine trkendeshe me gjashte pulla te Malit dhe nje te rrumbullaket te Gabonit.

    1. Recidivism: ato qe thua me bindin prape se femija nuk vdes kurre brenda nesh. Dhe shyqyr qe eshte keshtu! Ka nje ndjesi aq te shendetshme energjia qe krijojne kujtimet e kohes kur ishim ende kalamaj… ose mendonim se ishim. Besoj se potencialisht mund te krijoje hapesire per nje jete pa derte psikologjike edhe per me fatkeqin nder ne. Nderkaq ka njerez qe i kane harruar ditet e bukura kur ishin te vegjel. Nuk e di… i kane harruar thua? S’kane pasur kurre dite te bukura? Kane nje jete aq te keqe sot, sa s’duan me te kujtojne? Dicka ua ka vrare kujtimet? Nuk e di.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin