Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Kulturë / Sociologji

NOTA MBI PËLHURË

Farkëtimi i identitetit kombëtar kalon nga një sërë punishtesh kulturore, ndër të cilat shkolla zë pa diskutim vend parësor. Ndaj edhe lajmi se himni kombëtar do të këndohet në shkolla nuk ka asgjë të habitshme. Tek e fundit, Shqipëria nuk është vendi i vetëm ku himni mësohet e këndohet në klasë.

Sipas mediave, Ministria shqiptare e Arsimit ka vendosur që çdo e hënë, pra dita e parë e javës mësimore në shkollat e sistemit parauniversitar, të fillojë me notat e Himnit të flamurit. Mediat shpjegojnë se himni nuk do të këndohet nga nxënësit në kor, por do të tingëllojë nga qendrat e zërit të shkollës. Sipas gjasës, lajmet kanë informacione më të pasura, që shkojnë përtej urdhërit nr. 343, datë 19.8.2013, “Për miratimin e dispozitave normative për sistemin arsimor parauniversitar” që u botua në Gazetën Zyrtare më 26 shtator 2013. Në fakt, në nenin 4 të këtij akti normativ lexojmë:

Himni dhe flamuri kombëtar

1. Himni kombëtar këndohet në institucionet arsimore në Republikën e Shqipërisë çdo të hënë, para fillimit të mësimit.

2. Flamuri Kombëtar i Republikës së Shqipërisë vendoset në çdo institucion arsimor.

Radhët e pakta që u janë kushtuar himnit e flamurit nuk flasin për modalitetet e këndimit ose të shpalosjes në godinat arsimore. Me siguri, këto aspekte u janë lënë me të drejtë qarkoreve të brendshme të Ministrisë përkatëse. Megjithatë, nga mediat mësojmë se nisma nuk është aspak e re, por qenka tentuar nga Ministri i mëparshëm, madje pa sukses, meqë shumë shkolla nuk e zbatojnë. Me sa duket, korridoret e shkollave shqiptare nuk jehojnë nga tingujt “Rreth flamurit të përbashkuar…” dhe fasadat nuk hijeshohen nga valëvitjet e flamurit kuqezi. Të paktën jo të gjitha.

Arsyet e dështimit mund të jenë të thella e të shumta, por të mjaftueshme për t’i detyruar institucionet të reflektojnë për kësisoj masash. Identiteti kombëtar përbën temë të gjerë e të debatueshme, por brenda kornizës arsimore disa përsiatje lindin vetvetiu.

Cilat janë mënyrat më të mira për të ushqyer identitetin kombëtar në shkollë e për t’i bërë shqiptarët atdhedashës? Mund të jenë të panumërta, sepse nxënësit kohen me libra e simbole njëkohësish. E njëjta gjë vlen për ndjenjën e përkatësisë. Diskutime për mënyrat mund të vazhdojnë pa fund, por për metodën të gjithë mund të biem dakord se identiteti dhe përkatësia nuk imponohen dot me dekrete e ligje. Receta burokratike të llojit të mësipërm vijnë e tingëllojnë si bizare, sikur dalin nga thellësitë e historisë, kur nënkuptohen si veprime të izoluara e formale. A thua shqiptarët formohen si të tillë duke i detyruar të dëgjojnë himnin në shkollë? Është e pamjaftueshme. Siç nuk mjaftoi dikur betimi i pionierit për t’i bërë komunistë të përkushtuar. Nga ana tjetër, gjithkush mund të ketë njohur shqiptarë të vërtetë, madje patriotë të nderuar, që himnin nuk e këndojnë dot deri në fund, ja se nuk ia njohin vargjet, ja se janë të stonuar.

E megjithatë shqiptarët duhet ta njohin himnin, sikurse duhet ta valëvisin flamurin e tyre. Flamuri shqiptar nuk është përkëdhelur kurrë nga era si gjatë kremtimeve të 100 vjetorit të pavarësisë. U bë pjesë e dekorit institucional e urban për muaj të tërë. Shqiptarët kudo në botë, nga sheshet reale tek ato virtuale, nuk e patën të vështirë të dallonin gjithsesi një farë mbiekspozimi, e pse jo një farë mbipërdorimi, praktikisht në kufijtë e shpërdorimit, të ngjyrave kombëtare kuqezi. Shpeshherë me qëllime të pastra partiake. Mirëpo, si qytetarët në përgjithësi ashtu edhe nxënësit në shkolla e perceptojnë qartë kur akte të tilla bëhen formalisht në rastin më të mirë, ose qëllimisht në rastin më të keq.

Identiteti shqiptar nuk kalon vetëm nga notat muzikore ose nuancat kromatike. Ato janë vetëm simbole. Të rëndësishme, të paprekshme, por simbole. Identiteti dhe përkatësia janë koncepte tejet komplekse, që kalojnë edhe nga njohja e gjuhës, e historisë, nga traditat, koncepti i qytetarisë dhe i shtetësisë, nga të drejtat e detyrat, nga vlerat njerëzore e komunitare, e kështu me radhë. Pastaj janë edhe shembujt që na jepen në hapësirën familjare e publike. E më tej ekziston përkushtimi publik. Janë të gjitha këto së bashku që i mbushin me ndjenjë dhe u japin kuptim notave të himnit e ngjyrave të flamurit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin