Shkrimi i Paskal Stafës, për aktorët “yje” që do të luajnë rolet e Martin dhe Erika Camajt në një dokumentar për shkrimtarin, më bëri të mendoj për një dukuri në kulturën tonë, sa të kotë aq edhe të bezdisshme.
Edhe pse disa filma dokumentarë lejojnë inskenime të vogla të ngjarjeve dhe të personazheve, në mungesë të materialeve autentike, merita e këtyre filmave është mënyra si ia prezantojnë publikut materialin dokumentar, jo materialin “e sajuar.”
Filmi për Martin Camajn kushedi do të ndihmojë për ta popullarizuar figurën e këtij shkrimtari shumë të mirë; por vështirë se do të mbahet mend për lojën e aktorëve në inskenimet – e megjithatë, kush e ka shkruar artikullin, ka menduar të vërë në pah një aspekt anësor të filmit.
(Kam dëgjuar një herë dikë që të lëvdonte “formuluesen e muzikës” në një dokumentar të ngjashëm televiziv; një nga ato emra që dalin te kreditet, në fund të filmit, së bashku me teknikët e tjerë që kanë ndihmuar për realizimin dhe mesazhe të tipit “falënderojmë restorant Lurën për vënien në dispozicion të mjediseve.”)
Pak ditë më parë, në një debat të rëndomtë në një forum Interneti, u cek çështja e librave shqip para Buzukut – ku pozicioni “patriotik” de rigueur është që libra të tillë ka pasur, do të ketë pasur, duhet të ketë pasur, por i kanë zhdukur të tjerët, ose i kanë vjedhur, kanë humbur, etj.
Argumenti qëndron; meqë mbështetet në analizën e notacionit alfabetik që ka përdorur Buzuku, tepër i qëndrueshëm për të qenë i pari; pa çka se autori vetë e thotë që ishte i pari që shkroi një libër shqip.
Mirëpo, kur flasim për fillimet e shkrimit shqip, e vetmja gjë që kemi në duar është Buzuku; të tjerat janë dëshira, shpresa, ah sikur!-e, më shpesh akoma, ëndrra në diell. Mund të ketë pasur shkrime të mëhershme, por këtë s’e themi dot me siguri, as mund t’i analizojmë ato shkrime.
Për fat të keq, debati i zellshëm për çfarë është shkruar para Buzukut, errëson vlerën e “Mesharit,” librit të parë shqip. Në vend që ta bëjmë tonën këtë pasuri kulturore, e përdorim si trampolinë, për fluturime të fantazisë naive.
Në një tjetër fushë, në atë të muzikës pop, ka një traditë në Shqipëri, të Festivalit që zhvillohet çdo fund viti, sipas modelit italian të Sanremos. Si rregull, ai festival ka shërbyer si “kurorëzim” i vitit artistik, në lëmin përkatës; duke mobilizuar këngëtarë, muzikantë dhe kompozitorë, për t’i sjellë publikut diçka të vyer.
Vitet e fundit, ky festival gjithnjë e më tepër po trajtohet, nga mediat dhe kushedi edhe nga artistët vetë, si tur para-eliminator, për të caktuar këngëtarin dhe këngën që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurofestival – një manifestim pa kurrfarë roli dhe peshe në kulturën shqiptare, përveçse tani, ose a posteriori.
Ky projeksion i së tashmes drejt së ardhmes, edhe këtu, e zhvlerëson të sotmen dhe falsifikon të ardhmen – rregullisht.
Dhe meqë jemi te muzika, para pak ditësh lexoja një lajm për një “Festival të muzikës mesjetare shqiptare” në Durrës, ku muzikantë të ndryshëm kishin luajtur pjesë nga… Jan Kukuzeli dhe Gjergj Lapacaja.
Muzika shqiptare folk përmban një pasuri të hatashme formash, përftesash dhe vlerash; një pjesë e të cilave janë “atemporale”, ose vijnë relativisht të paprekura, që nga Mesjeta.
E megjithatë, të flasësh për “muzikë mesjetare shqiptare”, vetëm e vetëm sepse Jan Kukuzeli, ose Gjergj Lapacaja mund të kenë qenë me origjinë nga Durrësi, është tallje me publikun, ata dy autorë, dhe origjinat vetë.
Për Kukuzelin dihet se ka lindur në Durrës – në 1280; dhe e ka zhvilluar veprimtarinë në Kostandinopojë. Brenda popullsisë së përzier të qytetit, elementi etnik arbëror aso kohe ka qenë i pakët.
Ndonjë vepër të vetën ai ia ka kushtuar nënës së vet bullgare; disa autorë kanë zbuluar në muzikën e tij elemente të muzikës popullore sllave. Nuk di nëse ka atje edhe elemente arbërore, sikurse nuk di se si mund të identifikohen këto elemente, sa kohë që nga muzika arbërore e asaj kohe nuk kemi dëshmi të tjera.
Fare mirë, festivali në fjalë mund t’u kushtohej “kompozitorëve bizantinë nga Durrësi”; meqë në shekullin XIII dhe më vonë në Mesjetë Durrësi, ky port i rëndësishëm i Adriatikut, ka pasur shumë më tepër rëndësi dhe ekzistencë, sesa etnia arbërore (arbërore, jo shqiptare), që sapo kish filluar të shfaqej në kronikat e kohës.
Dua të them: muzikën e Kukuzelit dhe të Lapacaja-s mund ta shijojmë edhe pa u informuar për faktin, tepër të dyshimtë në mos haptazi të gënjeshtërt, se bëhet fjalë për “muzikë mesjetare shqiptare.”
Maninë për ta rindërtuar – me licenca të forta krijuese – Mesjetën arbërore para-osmane e sheh të trupëzuar, më mirë se kudo tjetër, te Muzeu i Skënderbeut në Krujë: ose në orvatjen më të shquar për një Disneyland të historisë sonë imagjinare.
Nga muzika në letërsi: këto ditë ka filluar të flitet sërish, sikurse çdo vit, për Nobelin që duhet ta marrë Kadareja.
Kemi një shkrimtar të shquar, të përkthyer anembanë botës, që i ka dhënë publikut një vepër të pasur, të shumëllojshme, si askush tjetër.
Një shkrimtar që e ka vendosur Shqipërinë bashkëkohore në hartat e letërsisë së përbotshme.
E megjithatë, gjithë ç’kujtohemi të shkruajmë për të si shkrimtar, është Nobeli i tij i munguar, ose pikërisht çfarë ai nuk e ka.
Sikur të kishim mundësi, do ta kishim dërguar Kadarenë të këndonte në Festivalin Europian!
Çfarë i bashkon të gjitha këto marifete mediatike për kulturën, është vullneti absurd për t’i përdorur veprat dhe arritjet e mëdha të kulturës sonë – me synimin për t’u larguar nga ku jemi, dhe për t’i shtrirë këmbët përtej, ose atje ku nuk jemi.
Ta quash përdhosje këtë, do të ishte pak. Vërtet nuk kemi shumë vlera të mirëfillta, në të shkuarën tonë kulturore – por ato pak që kemi, nuk mund t’i shtojmë, as t’i shumëzojmë, duke i shpërfillur.