Argumentet kundër “sugjerimit” tim janë të forta, të vjetra, solide; disa kanë qenë në qarkullim që para se të dilte Manifesti i Partisë Komuniste, njëlloj sikurse të këqiat e pronësisë mbi truallin diheshin që para Marksit.
E megjithatë – ky diskutim që bëjmë nuk është teorik; problemi i pronësisë në Shqipëri është real, jo akademik dhe njerëzit po vriten, po gjakosen e po ndahen për së gjalli përnjëmend; në një kohë që parazitizmi po imponohet si model ekonomik i lakmueshëm.
Prandaj po u rikthehem nja dy temave të mia, duke marrë në sy rrezikun se mund të përsërit veten.
Së pari, pronësia mbi truallin në një vend të vogël si Shqipëria nuk mund të trajtohet me argumente të marra nga teoritë e pronësisë për një vend me sipërfaqe të mëdha (praktikisht të pafund), si ShBA; dhe aq më tepër ku pronësia mbi truallin mbështetet – le ta themi – mbi një grabitje të hapur, të bërë me forcë dhe pastaj të sheqerosur me firma dhe tymosje llullash ceremoniale.
Kjo ka lidhje me faktin që toka është ajo që është; dhe ndryshe, bie fjala, nga fabrikat e birrës, që ti mund t’i shumëfishosh e t’i fuqizosh derisa të t’i falimentojë mekanizmi i konkurrencës ose tregu, tokës – të paktën në Shqipëri – ti nuk ke ç’t’i bësh shumë.
Së dyti, Shqipëria ka provuar disa sisteme pronësie; dhe ky i tanishmi nuk është historik, ose i natyrshëm, por produkt i një orvatjeje shumë optimiste të restaurimit. Për mendimin tim, po kërkohet të restaurohet një gjendje e cila nuk ka ekzistuar kurrë; por edhe sikur të kish ekzistuar, i përgjigjej një shoqërie që nuk i ngjan fare kësaj së sotmes në Shqipëri.
Veç shikoni çfarë po ndodh, këto ditë, me SHQUP-in dhe shtëpinë e kulturës në Përmet. Tek Tema lexoj se:
Prona në të cilën gjendet Shtëpia Qendrore e Ushtrisë, i është njohur tërësisht dhe u është kthyer pjesërisht pronarëve të saj të ligjshëm të Sadete Toptanit, që jane Marion Toptani, Eduard Toptani dhe Raimond Toptani. Pronarët të cilët trashëgojnë pronën si trashëgimtarë të ligjshëm të ish-pronares Sadete Toptani, janë qytetarë amerikanë, dhe jetojnë në shtetin e Miçiganit.
Pronësia e këtyre mbi truallin rezulton e formalizuar me një dokument të vitit 1918. Krahasoni tani Tiranën e atëhershme, me këtë të sotmen – për të rënë dakord me mua se ka diçka që nuk shkon, në këtë restaurim; jo në rastin konkret, por me pronën mbi truallin si institucion (të cilën nuk është se e kanë shpikur gjë Toptanët).
Do të më thonë që absurditeti i kësaj situate i ka rrënjët te shtetëzimet e paligjshme, me dhunë, të regjimit komunist; dhe unë jam dakord. Por mua më duket se edhe ky restaurim i gjendjes së vitit 1918 është gjithashtu i dhunshëm në mënyrën e vet – ndaj Tiranës së sotme.
Së treti, pronësia mbi truallin në Shqipëri nuk mund të analizohet me instrumentet dhe modelet e ligjit dhe të ekonomisë anglo-saksone, ose Perëndimore në përgjithësi. Njerëzit edhe sot e kësaj dite të përmendin “tapitë”, të cilat i përkasin një sistemi tjetër të pronësisë.
Pa qenë fare në dijeni të hollësive të sistemit të pronësisë që trashëgoi Shqipëria londineze në 1912, ose ajo pas Kongresit të Lushnjes, megjithatë kam frikë se institucioni i pronësisë mbi tokën tek ne i përkiste tipologjikisht sistemit osman.
Për shembull: sa konsistente janë lidhjet midis pronësisë mbi tokën të përcaktuar nga sistemi i mileteve, dhe tapive që sot e kësaj dite i përdorim si bazë për njohje të pronësisë së dikurshme? A do të pranonim – flas në parim, sepse nuk kam prova në duar – që në sistemin e sotëm të pronësisë mbi truallin e Republikës së Shqipërisë të trashëgonim elemente të një sistemi që dikur përjashtonte nga pronësia mbi tokën popullsitë e krishtera?
Vërtet janë bërë reforma, edhe nga Zogu; por këto reforma nuk kanë pasur kohë të japin fryte, ose ta kristalizojnë institucionin në kohë. Para se të shkatërrohej prej komunistëve, pronësia mbi tokën ka qenë jashtëzakonisht fluide, nga pikëpamja juridike dhe sociologjike.
Tani ligjvënësit shqiptarë kanë vendosur, arbitrarisht, që të marrin një snapshot të këtij fluiditeti të djeshëm, për ta përdorur si bazë të restaurimit; që për mua, siç e thashë më lart, nuk është veçse një lloj voodoo-je për të ngritur në këmbë një kufomë.
Së katërti, eficienca e sistemit juridik dhe administrativ të restaurimit të pronave mbi tokën është pjesë e këtij restaurimi; dhe nëse ajo mungon, sikurse edhe e vunë në dukje kolegët, ose nëse vetë entet që do ta garantonin drejtësinë e procesit janë të korruptuara, atëherë nuk flasim dot më për restaurim, por për plaçkitje.
Së pesti, për faj edhe të teorisë së tokës së djegur, e cila parakupton, ndër të tjera, edhe shkuljen e shinave hekurudhore, shumë bashkatdhetarë tanët e kanë trajtuar truallin e Republikës si dikur kolonët (settlers) Perëndimin e largët (Far West); çka do të thotë se në Shqipërinë e këtyre 20 vjetëve, për fat shumë të keq, është vërtetuar më mirë se kurrë maksima e Proudhon-it, se “çdo pronë është vjedhje.” Ligji i kthimit të pronave duket sikur nuk mund të bëhet me faj për këtë katrahurë, por nuk di pse dyshoj se një pjesë e mirë e pronave që po kthehen nuk kanë qenë dhe aq legit, në kohën e tyre – si shembulli që solla me Zogun, i cili ia paska marrë tokën Qazim Mulletit. Po sa të tjerë shembuj mund të sillen?
Dua të them, nuk po flasim për Anglinë këtu, as për Land-in e Bavarisë; por për Shqipërinë – një vend ku i vetmi ligj ka qenë, historikisht, arbitrariteti i forcës.
Së gjashti, një shoqëri nuk mund të realizojë reforma të tilla kaq të thella pa pretenduar të ndryshojë, me themel, kulturën juridike të njerëzve, ose perceptimin dhe përjetimin e Ligjit në nivel individual dhe komunitar; dhe në Shqipëri institucioni i pronës private, përfshi këtu edhe pronësinë mbi tokën, nuk është asgjë më tepër sesa semantika e përemrit pronor “imja”.
Gjendja e tanishme ne te gjithe Shqiperine veçse i jep te drejte Xhaxhait. Une do te shtoja mungesen e dokumentacionit. Do te shtoja edhe (keq)administrimin e truallit-prone shteterore, ose e formave “te ndermjetme” deri dje: prone shteterore-prone ferme bujqesore-prone repart ushtarak-toke e shpronesuar “ligjerisht” per ndertim rruge ose hidrocentrali qe tani eshte thare apo eshte ende me 10 uje, toke e marre nga tharja e kenetave. Dhe nje pyetje qe me ngacmon: ne çfaredolloj kriteri po ia kthejme pronen pronarit “te ligjshem” edhe ne mes te Tiranes qe mund te ndertoje pallat, po pse atij tjetrit i themi “jo”, sepse tek toka jote kemi nje lulishte…. ose “jo fare” sepse aty eshte SHQUP-i, ose selia e partise X?
Te me falni qe nuk pata mundesi te shkruaja me pare per problemin e prones, per te cilin jam teper i interesuar.
Duhet te them se nese e kam kuptuar drejt zgjidhjen e propozuar eshte qe shteti te administroje pasurine le te themi kombetare duke hequr keshtu tere pasojat negative qe sjell posedimi i prones ne menyren e sotme ne Shqiperi. Padyshim qe ide interesante, por dyshoj se eshte zgjidhje edhe ne nivele te tjera e jo me ne Shqiperi.
Pasi kjo do te kerkonte ato qe nuk e kemi – shembullin dhe praktiken. Nese eshte bere diku, kjo mbase mund te diskutonim, por fatkeqesisht kjo nuk ekziston nese nuk gaboj. Praktika e zbatimit te ketij sistemi eshte edhe kjo teper e veshtire. Madje do te thoja se eshte ajo qe ka sjelle kete gjendje,gjendje qe xhaxhai e cileson plackitje si hipoteze, por qe une kam mendimin se eshte fakt. Dhe ketu une fus sikurse ligjin edhe zbatimin e ligjit, pasi duhen ndare qarte. Nese nuk jam i gabuar ligji mbi pronesine eshte amenduar mbi 18 here ne keto vite. Ligji eshte kaq i fragmentuar sa mund te marresh pronen ne qytet por jo ate bujqesore, mund te marresh kullotat, por ama ka kufizime per pyjet. Le te mos flasim per administrimin e kthimit e cila ne vetvehte edhe sikur te funksiononte perfekt do ti duhej te shlyente detyrimet e shtetit nese vazhdohet me ritmin aktual pas 2 shekujsh.
Fakti qe sot njerezit permendin tapite, sic theksohen me drejte ne shkrim,per mua eshte nje tregues i ketij degjenerimi te sistemit, aq me teper nese vihet ne perspektive se flasim per shekuj diference.
Bie dakord me xhaxhain kur thote se eksperienca e SHBA nuk eshte per te vene ne ekuacion, per vete specifiken e saj.
Xhaxhai shkruan “A do të pranonim – flas në parim, sepse nuk kam prova në duar – që në sistemin e sotëm të pronësisë mbi truallin e Republikës së Shqipërisë të trashëgonim elemente të një sistemi që dikur përjashtonte nga pronësia mbi tokën popullsitë e krishtera?”. Nuk besoj se eshte keshtu pa folur me siguri, por sistemi i timareve nese eshte ai qe po flasim, nuk ka qene kurdohere i vlefshem ne Perandorine Otomane dhe ne epoken e fundit lejonte edhe pronen private. Duhet te shoh per ta konfirmuar kete, por qe nnjerezot kane tapite, flet vete.
Jam po ashtu i mendimit se mendimi i xhaxhait se”një shoqëri nuk mund të realizojë reforma të tilla kaq të thella pa pretenduar të ndryshojë, me themel, kulturën juridike të njerëzve, ose perceptimin dhe përjetimin e Ligjit në nivel individual dhe komunitar” nuk reflekton realitetin e sotem ne vend. Nuk ka ndonje sondazh per te konfermuar kete qe po them me poshte, por besimi i shume njerezve qe po behet mbizoterues eshte se “Shqiperia nuk behet nese nuk kthehet prona tek i zoti’. Dhe serisht kthehemi tek fillimi – kush eshte i zoti!!!!! Mbetem ne pershtypjen se njerezit, me tere mungesat ne kuptimin juridik, kane arritur ne nje perfundim te llogjikshem – te kesh nje dokument, apo te zgjidhet ne nivel lokal. Por sikurse per gjerat e tjera vendos dikush tjeter.
Në një vështrim historik mbrapa në kohë, me marrjen e Konstantinopojës dhe vdekjen e Bizantit, perandoria osmane huazoi, adaptoi dhe vazhdoi të njëjtat praktika burokratike, kur vjen puna e funksionimit të shtetit feudal, në administrimin e tokës dhe mbledhjen e taksave.
Ideja që shteti të marrë nën kontroll administrimin e tokës, nuk ndryshon shume nga sistemi osman i administrimit të tokës. Me ndryshimin se në perandorinë osmane shteti i cili administrohej dhe mbahej në këmbë nga një rrjet kompleks ligjesh, ishte vet sulltani. Toka konsiderohej e Zotit dhe Sulltani, pra njëkohësisht shteti, ishte mëkëmbësi i Zotit në tokë. Në këtë logjike sulltani ishte administratori dhe zotëruesi i tokës së punueshme, pyjeve, kullotave dhe të gjitha burimeve të tjera natyrore si ujërat, minierat, materiali drusor, etj.
Kjo lloj prone shtetërore nëpërmjet vullnetit dhe vulës së sulltanit mund të jepej në administrim duke e kthyer në timar, që ishte njëlloj si dhënia në përdorim njerëzve që dalloheshin për shërbime ndaj sulltanit. Pjesë e të ardhurave do t’i derdheshin thesarit të Portës. Njëlloj me sistemin feudal të kohës në Evropë, toka ishte në zotërim të përkohshëm dhe nuk ishte e trashëgueshme. Pra nuk ishte pronë private, por si e tillë konsiderohej nga timarlinjtë, të cilët në forma të ndryshme abuzonin nën hijen dhe besnikërinë ndaj Portës, së bashku me shërbimet që i ofronin sulltanit.
Këtu filloi edhe përdorimi i gjerë i termit “çiflik”, që e kthente timarin në de facto, pronë private. Kjo ndodhi edhe në terma ligjore, kur një pjesë e pashallarëve që garantonin dhe shërbimin ushtarak kur e kërkonte sulltani, u bënë aq të fuqishëm sa që i detyruan sulltanët e shekullit të 18-të, t’i njihnin disa nga timaret(tokë në përdorim),zotërime jo shumë të medha si çifligje, pra pronë private dhe të trashëgueshme.
Një nga arsyet e kalbëzimit të këtij lloj sistemi feudal ishte abuzimi i timareve në kohëzgjatje brenda të njëjtave familja që zgjatnin përdorimin e tokës, duke abuzuar dhe korruptuar oborrtarët e lartë osmanë afër Sulltanit. Dëshmi e rritjes së fuqisë te disa timarlinjve si Ali Pasha apo Pasaoglu i tregoi sulltanit, duke filluar me Mahmutin II dhe me vonë me të birin, se duheshin ndërmarrë reforma te fuqishme, për të dobësuar fuqinë e këtyre zotëve lokale. Kështu kemi reformën osmane të tokës, apo Tanzimati.
Por sistemi ishte aq i korruptuar, sa që Tanzimati e thelloi me shume problemin e pronësisë, sepse zotët lokalë, pavarësisht titujve, efendi, kajmekam, kadi, hoxhë, bej, aga, pasha, pra administrata turke në përgjithësi, që kontrollonte regjistrimet e pronësive bënte abuzime për faktin se ishte e privilegjuar në lidhjet që kishte me pushtetin apo nga pagesat nën dorë të njerëzve të fuqishëm; jo vetëm sistem i kalbur por edhe tërësisht i korruptuar. Për pasojë në defterët/kadastrat e kohës, pronat tjetërsoheshin, përvesoheshin, kjo sidomos në zonat jo urbane, ku padituria dhe mosnjohja e dokumentacionit, gjuhës dhe proceseve te regjistrimeve kadastrale ishte më e theksuar.
A nuk ka ngjashmëri me shtetin shqiptar të sotëm? Imagjino nëse do të krijonim një sistem “timaresh”, pra e dhënies së tokës në përdorim, ku kryesisht do të përfitonin njerëz të fuqishëm, te korruptuar, te lidhur me mijëra fije me pushtetin politik dhe ekonomik. Por kjo nuk është vetëm imagjinatë, por realitet që jetohet përditë. A ka/do të këtë shumë ndryshim nga koha e Tanzimatit?
Të falemnderit që i solle këto sqarime, të cilat do t’i kesh pa tjetër të bazuara.
Tani, duke u menduar për çfarë ke shkruar, unë nuk kuptoj dot nëse dështimi sistemit osman të pronësisë mbi tokën i erdhi nga struktura, apo nga korrupsioni.
Dua të them, nëse ishte struktura patrimoniale që e polli korrupsionin, apo korrupsioni kishte shkaqe të tjera.
Se po të jetë fjala për korrupsion, këtë e kemi me bollëk edhe ne në Shqipëri, që nuk kemi gjë sistem patrimonial.
Dhe më tej akoma, edhe duke e pranuar që sistemi i pronësisë në PO pati të këqija pa fund, sërish duhet të provojmë se krahasimi qëndron.
Po sa mund të krahasojmë mes tyre, për nga struktura e pronësisë, një perandori tre-kontinentëshe si PO-ja, me një shtetth, si Shqipëria?
Nuk jam në gjendje t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Dhe më në fund, fryma e përgjigjes sate më sjell edhe mua në mendje një krahasim: kemi një të sëmurë që është duke vdekur, ngaqë po e mjekojmë me ilaçin A. Ngrihet një mjek dhe thotë: mos i jepni më A, se po e shpini në varr, të provojmë t’i japim B.
Tani, përgjigjja jote do të ishte: jo, nuk mund t’i japim B, se B-ja ka shkaktuar ndonjëherë vdekje.
[Meqë flasim për kthim pronash: a nuk ju bë edhe juve zemra mal, kur një person i cili, nuk kuptohet si dhe pse, e thërret veten në publik “princ Leka”, fitoi të drejtën e pronësisë mbi ca vila buzë Liqenit të Shkodrës, në Shirokë?]
Xhaxha,
Argumenti i readme mund te zgjerohet edhe me tej tek psh mbreteria angleze. Mbreti anglez, deri ne kohen e Glorious Revolution ishte pak a shume si sulltani ottoman. Me dhenien dhe heqjen e cdo titulli, ai jepte dhe hiqte toke nga titullaret. Ne kete menyre, perdorimi i tokes ishte gjithne i pasigurte sepse edhe titullari i tokes nuk mund te ishte i sigurte per titullin. Me krijimin e nje parlamenti qe deri diku mund te kufizonte fuqite e mbretit, lindi me te vertete koncepti i tokes si prone private. Dhe me te, deri diku clirimi i pronareve te tokes nga diktati i mbretit. Ketu fillon divergjenca midis europes perendimore dhe lindjes ne pergjithesi. Ky eshte ndryshimi qe disa ekonomiste quajne extractive vs inclusive institutions (http://www.amazon.com/gp/product/0307719219/ref=as_li_ss_tl?ie=UTF8&tag=whynatfai-20&linkCode=as2&camp=1789&creative=390957&creativeASIN=0307719219).
Persa i perket Shqiperise me duket se ti po shtron 2 ceshtje:
1. Toka si prone duket jo natyrale
2. Toka ne Shqiperi po ndahet ne menyre te padrejte
Pergjithesisht jam dakort me te dyja pohimet. Toka ne te vertete eshte e cuditshme te konceptohet si prone private. Megjithate une nuk mund te perfytyroj nje lloj sistemi ekonomik qe te jete efikas kur nuk ka toke private. Ketu perfshij edhe token e dhene me qera per 100 vjet sepse sic e thashe dhe me pare, ekonomikisht keto jane koncepte te njejta.
Persa i perket Shqiperise, une do te isha me te vertete i lumtur nese trupi politik ne vend do te ishte i predispozuar ta jepte token ne menyre qe te rriste mireqenien e pergjithshme. Psh une do te propozoja nje rikthim ne kohen e reformes agrare dhe jo me tutje. Deri diku kjo do tu jepte njefare perkrahje pronareve te vegjel qe jane pergjithesisht ne zoterim te asaj toke. Kjo lloj reforme psh u ndoq pak a shume ne Bullgari dhe Rumani. Kjo nuk u be. Megjithate, per mua situata ne te cilen ndodhet Shqiperia eshte tragjike sepse humbja qe po ndodh nga mospercaktimi i pronesise se tokes eshte jashtezakonisht shume e madhe. Do te isha me dakort qe ky proces te mbyllej tani padrejtesisht sesa te zgjaste me dekada te tera per tu rrekur qe te gjehet nje zgjidhje e drejte (qe nuk do te gjendet gjithsesi).
Dicka me teper; fakti qe toka eshte e fundme eshte deri diku i parendesishem per nje ekonomi moderne. Argumenti Malthuzian ketu nuk vlen sepse nje shoqeri teknollogjikisht e avancuar eshte mese e afte ta anashkaloje kete mangesi (kushdo qe ka qene ndonjehere ne Amsterdam mund ta vertetoje kete). Problemi ne Shqiperi eshte qe ekonomia eshte pak a shume rentiere sepse eshte ende e pazhvilluar. Kjo mund te shihet shume shpejt tek fakti qe industria e ndertimit ne Shqiperi si perqindje e prodhimit total eshte rreth 17% ndersa ne nje vend si SHBA kjo perqindje eshte rreth 3% (te dhenat per Shqiperine mund te gjenden tek INSTAT – http://www.instat.gov.al).
Nese ekonomia varet me shume se c’duhet nga te ardhurat parazite qe nxjerrin pronaret, ky nuk eshte faji i pronarit, eshte faji i nje ekonomie te ndryshkur qe i jep pronarit te tokes aq fuqi. Megjithate ketu ka dicka tjeter qe nuk shkon. Pronari i tokes ne Shqiperi eshte kalimtar sepse nuk ka sigurine e perdorimit sic e diskutuam me pare. Per kete arsye cmimet e tokes ne Shqiperi jane tejet te larta. Pikerisht per kete arsye pronaret e tokave po majmen parazitisht. Pasiguria rrit cmimet dhe i ben ata qe prodhojne pothuajse asgje te jene me te fuqishmit ekonomikisht. Ky lloj rrethi vicioz eshte bere tashme i padurueshem sepse krijon cmime qe jane perjashtuese per ato ndermarrje ekonomike qe mund te krijojne nje ekonomi moderne.
Dhe se fundmi, sektori ilegal eshte nje nga ato elefantet qe jane ulur mu ne mes te sofres dhe per te cilin asnje nuk flet. Por ky eshte nje subjekt per te cilin duhet folur me gjate nje dite tjeter.
Mendoj se të sëmurin, katrahurën e pronësisë, e kanë krijuar vetë shqiptarët. Fryma e shkrimit nuk kërkonte të polemizonte duke e tjetërsuar temën. Ishte një perspektive historiciste, për të dëshmuar se historia e pronës nuk fillon nga zero, qoftë në atë që është në pronësi fizike, qofte edhe kur, si retrospektivë kohore.
Bojarët lokalë shqiptarë, dikur në shërbim të mastërve sllavo-bullgarë, pas tërheqjes së perandorisë sllavo-bullgare, u gjakosën dhe u therën me njeri-tjetrin për të parcelizuar Arbërinë. Kështu u krijuan principatat arbërore, ku pronarët, zotërinjtë e rinj, pasi eliminonin njeri-tjetrin bëheshin të zotët e pronave të fqinjit, me njohjen e Bizantit dhe në fillimet e veta të perandorisë osmane.
Pastaj i erdhi radha atyre, të gjithëve, ku u zëvendësuan shumica nga gazi-të që vinin përtej Anadollit. Dhe vetëm shumë vonë, do të përsëritej historia, ku bojarët lokalë, shqiptarët, filluan të bëhen përsëri zotërinjtë e krahinave të tyre.
Me këtë desha të them se prona, sidomos ajo mbi tokën ka një histori te sajën, që nuk mund ta gjykosh me principet dhe idealet demokratike te shekullit të 21-të. Vetëm në vende si ish-republikat sovjetike, Kina, Koreja dhe së fundi Shqipëria, vazhdojnë të gjykojnë historinë e pronës dhe të drejtën mbi të, me pritshmërinë e fillimit të historisë së pronës nga viti zero, shoqëria komuniste e matriarkatit.
Në të gjitha vendet e botës, pas revolucioneve e përzënieve, vrasjeve e krimeve masive, pronat ia kthyer përsëri pronarëve historikë. Nëse do të shohim për preçedentë, ja këto shembuj shërbejnë si preçedentët.
Sipas logjikës të reformës agrare, përpara vitit zero, prona është vendosur dhe krijuar me shfrytëzim, padrejtësi, vrasje, etj. Me që kemi një histori të tillë, na duhet të vëmë drejtësinë në vend. Të fillojmë nga 1944 apo 1992!?
Kjo historia e Princit Leka, me bën vetëm të qesh, e të mjerohem në të njëjtën kohë, duke kujtuar se Zogollët ishin veçse ca çifligarë të vegjël qe janë vrarë dhe kanë hyrë në gjak me fqinjet për ledhe, përrenj, apo ngastra të vogla në Burgajet apo Lis të Matit.
Behet një zhurmë e madhe për një pronë të kthyer ligjërisht nga shteti pas një odiseje të gjatë gjyqësore, një pronë që është një llokmë e papërfillshme, krahasuar me saraje të ndërtuara mbi troje të rrëmbyera nga “pasanikët e rinj”, hajdutë me çizme e të paskrupuj, shumica të zbritur nga zona apo fshatra, ku ha pula gurë, që vjedhin e tjetërsojnë pronat në ditën për diell, tokat e pronarëve të ligjshëm(pra me një histori mbi pronën), që në rastin më të mirë i përcjellin gjyqeve me ca letra bakalli që nuk i duhen kujt.
Por ishte pikërisht gjyshi i këtij Lekës që nuk njohu latifondistët shqiptarë dhe e ktheu pronën në diçka të shenjtë, ku nuk ta vidhte apo tjetërsonte njeri në ditën për diell. Punët ishin rregulluar paq në atë kohë dhe shpirti i kombit kishte fituar qetësinë, sepse pronën e kishte njohur bazuar mbi preçedentin historik, mbi historinë kadastrale të pronës.
Sot shpirti i kombit është shthurur, nuk ka qetësi, dhe arsyeja kryesore që nuk gjen qetësi është se prona nuk ka shkuar tek i zoti. Gjysmë shekulli janë pak për të zhdukur memorien dhe memet historike të pronës private, të pronarëve të dikurshëm dhe pinjollëve të tyre.
Në Shqipëri nuk mund të ndërtohet kapitalizmi(dhe ne fakt nuk po ndertohet) pa legjitimizuar burimin e kapitalit që është prona private, në rastin tonë me specifik prona mbi tokën.
Jam dakord që kapitalizmi nuk ndërtohet pa pronë private; por unë besoj se mund të ndërtohet pa e privatizuar tokën. Nuk mund të barazojmë pronën private si të tillë, me pronën mbi tokën – e dyta është një nga nën-kategoritë e së parës.
Po ashtu, ndryshe nga shumë vende të tjera ish-socialiste ku kthimi i pronës është bazuar mbi një traditë të fortë të institucionit të pronës private (i cili gjithashtu nuk u zhduk në atë masë si tek ne; shih Hungarinë, Poloninë, Jugosllavinë), në Shqipëri kjo traditë ka qenë kaotike, për të mos thënë më shumë.
Më në fund, nuk jam i sigurt se marrëdhëniet e pronësisë me tokën, në kohën e Mbretërisë, kanë qenë aq idilike sa “shpirti i kombit kishte fituar qetësinë”, sikurse thua ti. Se përndryshe, nuk do të kishim pasur atë entuziazëm për komunizmin, vetëm pak vjet më vonë; entuziazëm i cili i pati rrënjët më të forta në premtimin e bujshëm të komunistëve për reformë agrare.
Qëlloi që diskutohej projekti rreth biznesit privat, dhe dhënësi i kredisë bankare e pyet aspirantin e biznesin se si e kishte menduar problemin e vendndodhjes të biznesit.
Do të marr një kredi për ndërtimin e godinës, – ishte përgjigja e tij. Po e ke zgjidhur vendin se ku? Po ja, – iu gjegj aspiranti – në filan vend. Bankieri vazhdoi: – Po a e dini se në atë vend toka është e shtrenjtë, kushton më shumë se ndërtimi i godinës. Ti, besoj, – iu drejtua aspirantit – nuk mendon se godina mund të ngrihet dhe të qëndrojë vete në ajër?! 🙂
Morali i fabulës është që prona private e ka bazën tek pronësia mbi tokën, sido që ta shohësh perspektivën e pronës private. Prandaj zaptohen tokat në Shqipëri, duke filluar nga bathoristët duke e kthyer tokën në de facto të tyren e me pas vjedhjet e sofistikuara de jure, ato kadastralet.
Përse fitoi komunizmi në Shqipëri? Ka shumë arsye, ndër to edhe mbështetja nga fshatarësia e varfër që mbështeti aktorët dhe aktivitetin komunist për ta transformuar luftën nacional-çlirimtare në luftë për të marrë pushtetin, duke e kthyer atë në fakt në luftë klasore.
Reforma agrare u bë me hir por edhe me pahir, sic u bene edhe shume gjera te tjera; kuptohet se kur bën qilizëm, pjesa poshtë, dheu në fund, del në majë. Kjo majë pas qilizmit, ushqeu edhe revolucionin proletar dhe vazhdon të ushqejë edhe tranzicionin “kapitalist”.
Në këtë punë Zogu duket se ishte dorëjashtë. 🙂
Por ndoshta mund të akuzohet se i hapi sytë, zgjoi vegjëlinë duke e arsimuar jashtë edhe brenda vendit me bursa shteti, duke lejuar e nxitur botime të larmishme, duke bërë reforma të ndryshme, duke elektrifikuar qendrat kryesore, duke ngritur një rrjet administrate nëpunësish të vegjël që aspironin për gjëra përtej njohjes dhe imagjinatës së tyre, qe do t’ia realizonte 1944 e afërt, veçse luga bosh, – pa pronen private – e revolucionit socialist.
Shkruan:
Shumë e vërtetë, por kjo kam frikë se konfirmon tezën time, se tek ne nuk ekziston institucioni i pronës private, prandaj është qesharake të flasësh për “rikthime”.
Tek ne tokën e zapton i forti: sepse ekziston, madje lulëzon, institucioni i zaptimit.
Madje ka edhe më keq: kush e zapton pronën, kërkon ta shfrytëzojë pastaj në mënyrë parazitare, ose duke jetuar me rentë; jo për të investuar në mënyrë prodhuese.
Prandaj unë thjesht sugjerova që mund t’ua heqim zaptuesve dëshirën për zaptim, duke ua eliminuar gjënë që mund të zaptojnë… Edhe pse synimi im nuk ishte të ofroja gjë zgjidhje praktike, por vetëm të analizoja një problem serioz dhe real, që nuk mund të zgjidhet me rrugë akademike.
“Por ishte pikërisht gjyshi i këtij Lekës që nuk njohu latifondistët shqiptarë dhe e ktheu pronën në diçka të shenjtë, ku nuk ta vidhte apo tjetërsonte njeri në ditën për diell. Punët ishin rregulluar paq në atë kohë dhe shpirti i kombit kishte fituar qetësinë, sepse pronën e kishte njohur bazuar mbi preçedentin historik, mbi historinë kadastrale të pronës.”
Nuk e di se si do t’i quante Read Me familjet Verlaci, Vrioni etj nese jo latifondiste.
Vlen te kujtojme se Zogu kishte planifikuar nje reforme agrare, qe me ne fund nuk ia mbajti ta bente . Ashtu si me pare edhe Noli, qe nuk e beri dot. E qe me ne fund e bene komunistet.
Kjo kembengulje e rregjimeve te ndryshme per nje reforme agrare nenkupton nje problem te pazgjidhur apo te zgjidhur keq ne lidhje me pronesine e tokes. Ne fund te fundit nje reforme antifeudale te gjitha shtetet moderne e kane bere e kjo do te thote se ligji mbi pronesine e tokes nuk eshte i perjetshem.
Ne kete kuptim , ne situaten dramatike, qe eshte situata e pronesise se tokes ne Shqiperi, sugjerimi i Xhaxhait mund te sherbente qofte edhe si nje shtyse per ta rikonsideruar problemin drejt nje zgjidhjeje me efektive , qe mund te sillte me teper paqe e zhvillim.
Rastet e zaptimit jane relativisht te pakta, nqs me zaptim nenkuptojme zenie me force te nje toke e cila ka nje pronar, i cili ushtron gjithe te drejtat ne çastin e zenies.
Ka ndodhur zenia e tokave qe njiheshin si pa pronar ose me pronar shtetin.
Rastet masive te zenies te tokave kane ndodhur atehere kur ish-pronaret s’kishin kerkuar ende rikthimin e tokave, pra menjehere pas renies se shtetit komunist.
Mandej ish-pronaret moren me shkresa pronesine e tokes, por ajo nderkaq ishte zene e njerezit kishin ngritur shtepi, dyqane, lokale etj.
Kjo ka krijuar rremujen e madhe neper qytete, veçanerisht ne Tirane. Rastet e zaptimit te mirefillte (kur pala zaptuese e di me saktesi se e kujt eshte toka dhe e ze gjithsesi) duhet te jene me gishta.
Zgjidhja ne bllok e ketij problemi eshte e pamundur sepse ish-pronaret as qe duan t’ia dine per te drejten e atij qe ka ngritur shtepine apo aktivitetin ekonomik, ashtu sikunder zenesi i tokes as qe do t’ia dije se e kujt eshte prona. Nga ana tjeter rendom problemi thellohet nga fakti i mungeses se kapitalit per blerjen e titullit pronesor nga zenesi apo blerjen e shtepise se ngritur nga ana e pronarit.
Mund te behet ndonje ligj, qe e detyron zenesin t’i paguaje vleres e prones, pronarit te ligjshem, e derisa te gjeje leket, t’i paguaje nje qira mujore. Nqs s’paguahet as qiraja, te mblidhet si borxh derisa te kape vleren e shtepise se ndertuar (apo aktivitetit ekonomik), e ne ate çast, zenesi te kthehet nga ka ardhur apo te zhvendoset me force ne shtepi popullore (keto duhen bere sa me pare neper periferi).
Persa i perket aspektit teorik te pronesise, i vetmi burim i tradites eshte kanuni, rregullat juridike te te cilit zbatoheshin ne gjithe Shqiperine bujqesore qe nuk kontrollohej prej bejlereve.
Besoj se interpretimi i ketyre dy neneve te meposhtme ka ndikuar jo pak.
§.217. Kujrija, mali e bjeshka jânë të perbashkta si per te ngulun të tbanave, si per landë e almiste, si edhè per drû.
§.219. Aj, qi të shkojë me ngûlë vathë a tbânë në bjeshkë, me truell, kopshtë a ndo’i copë arë, po desht me i çilë i çilë e jesin të tijat, e nuk mundet kush as me e ndalë e as me e xjerrë prej atij vendi.
Neni 217 percakton pronen e perbashket, e cila ne malesi nuk ka si te mos jete ”’kujrija, mali e bjeshka”, ndersa neni 219, legjitimon gjithkend te hape are, kopsht e beje shtepi( truell). Supozohet se ai eshte me i varferi i katundit, keshtu qe i lejohet ne pronen e perbashket te privatizoje sa i nevojitet per nevoja mbijetese ( ndo’i cope are- jo haptoke are sa te duash).
Keshtu qe pas 1991,tokat e perbashketa (qe ne qytet apo ne fushe jane tipologji te tjera nga bjeshka) ishin objekt legjitim zenieje per me te varferit, sepse konceptoheshin si prone e perbashket.
Perndryshe ne pronen private askush nuk guxon t’i fuse hundet:
§.221. Me u dyndë nji shpi e me u zhgulë fare prej katundit të vet, po s’e shiti trollin e token, ashtû do t’i rrîje e nuk kà tager kush me ngulë mbë ‘to.
KRYE I DYMBDHTËT.
PRONET.
NYE I PESËDHETEKATERT.
Caktimi i pronvet.
§.213. Shkaf â’shpi, qi qet tym, do të két pronet e veta.
§.214. Plangu i shpis kà oborr e kopshtë, kà vêshtë e arë, kà livadh e xâna, kà udhë e shteg, kà kufij si në mal, si në vrrî, si në fushë.
§.215. Të gjItha tymet kart pjesë në kujri.
§.216. Ara, vêshta, kopshti e livadhi, xâna, prozhme e zabele, jânë të dame me kufij.
§.217. Kujrija, mali e bjeshka jânë të perbashkta si per te ngulun të tbanave, si per landë e almiste, si edhè per drû.
§.218. Shpijat plangçore munden me pasë mâ se nji per tekë (thuper), qi u kan mbetë trashigim prej të dalunve faret.
§.219. Aj, qi të shkojë me ngûlë vathë a tbânë në bjeshkë, me truell, kopshtë a ndo’i copë arë, po desht me i çilë i çilë e jesin të tijat, e nuk mundet kush as me e ndalë e as me e xjerrë prej atij vendi.
§.220. Mrizat a lisat, qi lên kush per me mrizue gjân, nuk mund t’i a presë kush, pse jânë t’atij, qi nguli mâ i pari n’at vend.
§.221. Me u dyndë nji shpi e me u zhgulë fare prej katundit të vet, po s’e shiti trollin e token, ashtû do t’i rrîje e nuk kà tager kush me ngulë mbë ‘to.
§.222. Po shiti token me lang e me plang, vendi i tbânës âsht i tij, e mje qi të qindrojë shpija e tij, nuk mund t’i pushtojë kush.
§.223. Se e cilla shpi e katundit në Flamur kà tager me shtî në pûnë aq tokë në kujri sa’ të pershîje rreth e rreth me gùr të hjedhun me dorë të majtë.
§.224. Aty, kû të fillojë me mifé do Vulet kambkryq, do të mârrë nji paperdhok në dorë të majtë, edhè e hjedhë në kater ânë kryq e rreth vedi aj vend âsht i tij. Heret kan pas doke me hjedhë latushen (spaten).
§.225. Token e çilne nji herë a per kopshtë, a per arë, a per tbâanë, edhè ne e lashtë djerr i zoti per qinda vjeç, tjeterkush i katundit as i flamurit nuk mund të hîjë me e pûnue. Djalë mbas djalit jet e tija. qi e pat çilë i pari. (Malcija e Lezlies).
§.226. Aj, qi mos t’i biej mbrapa tbânës së vet per 10 vjet. mbas 10 vietësh i del dore e i jet
aij, qi t’a xâjë i pari. (Oroshi)
Keshtu sic thua AK eshte e vertete historikisht. Dhe kanuni ka qene roja e prones se perbashket per veriun.
Kjo ka qene shume e vertete edhe ne jug, ku pervec disa parcelave dhe oborreve te vogla rreth shtepive, prona e tokes ne pergjithesi ne kufijte e fshatit, mali, burimi i ujit, pylli, kullotat kane qene prona fshatce.
Po aq e vertete ka qene qe gjithe fshati(ndoshta disa fshatra) ka qene timar apo ciflik i nje beu, e keshtu pa fund.
Por te diskutosh per “padrejtesi historike” eshte njelloj si te futesh ne qerfullin e revolucioneve, permbysjeve te cilat edhe kane ndodhur, por perseri pavarsisht vendit qe merret si shembull, gjithmone historia e prones dhe pronari historik eshte marre si precedent per te zgjidhur konfliktet e pronesise
Fatkeqesia eshte se Shqiperia hyri vone ne etapen e reformave dhe kapitalizmit dhe kur hyri, u la cdo gje ne fillimet e veta dhe ne kaluam ne reformen agrare e pastaj kooperativizmin socialist, ku urbanizimi ishte kaq i ngadalte, pa taban teknologjik, sa i civilizoi shume pak shqiptaret.
Me tu hapur portat ne 90-ten, turma sidomos nga fshatrat me te verfera apo te skajshem, u kthye ne nje turme mob dhe zbriti fushave e qytetete e uritur, e reckosur e nguli flamurin e zaptuesit, kudo sidomos rreth qendrave te medha si Tirana e Durresi.
Fatma: “Nuk e di se si do t’i quante Read Me familjet Verlaci, Vrioni etj nese jo latifondiste.”
Pikerisht per keto e kam fjalen. Zogu nuk ia njohu pronesine mbi mijra hektare ne zonen e Myzeqese dhe Shqiperise se Mesme, ia reduktoi pronesine(kjo i sherbente atij personalisht edhe me uljen e influences qe kishin keto familje dhe armiqesine personale me nje pjese prej tyre). Shqiperia kishte shtate familje te medha latifondiste, midis tyre vete Toptanasit.
Edhe reforma agrare(por jo si e 1944) ishte pjese e axhendes te Zogut kur ishte President, por nuk mundi ta bente sepse i duhej te perdorte metodat e mevoneshme te komunisteve.
Megjithate familjet e medha, nder to Vrionasit, nuk do t’i konfiskohej pronesia e tokes, kerkohej t’i merrej kundrejt kundrejt nje shperblimi, pagese, kompensimi dhe kjo toke do te blihej nga shteti, te vihej ne dispozicion te shtetit, i cili do te zbuste ne nje fare menyre konfliktin dhe diferencimin ne pronesine e tokes.
Pinjollet e Vrionasve edhe sot i njihet dhe e kane fituar pronesine mbi token. Kete ta them me siguri dhe flitet per qindra hektare ose edhe me shume. Nje nder to eshte edhe nje njeri i im i afert, qe letrat i ka ne xhep te njohura edhe nga shteti shqiptar, por ai dhe te tjere nuk eshte ne gjendje te beje asgje me ato qindra hektare, se zaptonjesit nderkohe i kane vene ne jete planet e tyre ne bashkepunim me institucionet zhvatese te shtetit shqiptar. Kjo tregon se sa mjeran(i mjere) eshte te jesh pronar historik ne Shqiperi.
Ka pergjegjes per nje situate te tille te krijuar? Sigurisht.
Ceshtja e tokes eshte shume e thjeshte, por edhe njehere “te pangopurit” komuniste duajne t’a komplikojne.
Le ta zeme se xhaxhai bleu nje shtepi dhe nje toke me 200ha. Punoi gjithe jeten dhe me ne fund, ne pleqeri e pagoi. Kete shtepi dhe kete toke e trashegoi djali i xhaxhait, pastaj, djali i djalit dhe keshtu me rradhe. Nje dite te bukur ngrihet shoku Enver dhe thote: degjo xhaxha ti i kepire gjakun popullit shqiptar prandaj kete token dhe kete shtepin duhet t’ja japesh popullit mbrapa; ti merr kete leter me vlere dhe “piji lengun”. Tani komunizmi vdiq. Si te bejne keta trashegimtaret e ligjshem te xhaxhait? T’ja falin perseri popullit token, apo t’ja falin Sales me kompani, apo te mbajne tapite pa te drejten e investimit?
Sot per sot une kam fituar tokat e stergjyshit; kam dy opsione ose t’ja shes shtetit per $500.00 mije euro ose ti mbaj ne emrin tim pa investuar.