Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

PRONAT E SHQIPES

Jetojmë në kohë privatizimi të ethshëm dhe kthimi të përgjithshëm pronash, që për nga entuziazmi të kujton kanibalët që ulen të ndajnë në thela kufomën e pjekur në hell të patriarkut të vrarë.

Privatizohen shtëpi dhe kopshte fëmijësh, pallate pionieri dhe pallate mbretërore, parkingje dhe parqe, salla pingpongu, floktore, kinema, klube shahu, biblioteka lagjesh, spitale, përmendore dhe fusha sportive.

Një sistem i tërë administrativ, i një shteti që për gjysmë shekulli komunizëm funksionoi sipas parimesh të tjera, tani kërkon të merret vesh me eshtrat e zhvarrosura të paraardhësit të tij.

Teksa shoqëria shqiptare nuk ka ndërmend ta ndalë revanin e privatizimit dhe të segmentimit, hapësira publike sa vjen e tkurret, nën sulmet e kujt e trajton si pronë jo të qytetarit, por të shtetit vetë; dhe sa kohë që prona e shtetit shihet si rezultat i këtij apo atij shpronësimi, më pak a më shumë të dhunshëm.

Procesit nuk i ka shpëtuar, dhe nuk mund t’i shpëtonte shqipja e njësuar, ose standardi, siç jemi mësuar të quajmë; ose ajo formë e shqipes që u sanksionua nga Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972 dhe nga botimet akademike normative që pasuan, përfshi këtu edhe Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1980.

Rezultat i proceseve gjuhësore konvergjente të nisura që në kohën e Rilindjes, por edhe i homogjenizimit kulturor shpesh të dhunshëm të periudhës totalitare, shqipja e njësuar është parë, nga disa qarqe, si pronë “e shtetit” ose formë e socializmit gjuhësor, së cilës i ka ardhur ora të zhbëhet.

Në rrafshin akademik, kjo zbythje mishërohet si përpjekje për “rishikimin” e drejtshkrimit dhe të standardit vetë; ose ndonjëherë edhe si dëshirë beninje për ta pasuruar shqipen e njësuar me prurje nga gegërishtja; në rrafshin pop-kulturor, ose edhe folklorik, çështja shpesh shtrohet në formën e pyetjes se të kujt janë fjalët.

Kjo pyetje mbështetet edhe ajo në mistikën e pronës, ose të trashëgimisë kulturore tashmë të segmentueshme; në kuptimin që edhe njësitë e gjuhës, përfshi këtu edhe fjalët, mund të privatizohen sipas krahinave ose fillesave kulturore, njëlloj si heronjtë, veprat dhe gjeografia.

Në rrethanat kur qendra nuk funksionon mirë dhe kur institucionet qendrore kapen nga interesat e grupeve ndonjëherë edhe thjesht krahinore, atëherë krahinizmi vjen e merr vrull, si alternativë ndaj centralizmit; dhe segmentimi kulturor kërkon të merret për decentralizim.

Të kujt janë fjalët? Në një vepër tashmë të mitizuar, për politikat gjuhësore në Shqipërinë socialiste, filologu dhe publicisti antikomunist Arshi Pipa u vu të analizonte përbërjen e fjalësit të shqipes standard sipas origjinës, duke u varur fjalëve në qafë tapitë e pronësisë: kjo fjalë gege, kjo tjetra toske, kjo arbëreshe, kjo e huazuar, kjo hibride.

Lexuesit të Pipës i krijohej kështu ideja se krijimi i fjalësit shqip të standardit ishte rezultat i një procesi shpronësimesh dialektore; dhe se shumë fjalë të gegërishtes ishin rekrutuar me zor në ushtritë toskërishte të standardit; ndërsa shumë fjalë të tjera ishin lënë qëllimisht jashtë.

Vitet 1990 ishin edhe vitet e ngjizjes së mitit kulturor për pasurinë leksikore të nëpërkëmbur të “Veriut”, siç u rrek ta konfirmonte edhe M. Elezi, me një fjalor voluminoz me materiale të lëna jashtë nga Fjalori zyrtar i Akademisë.

Këto ishin edhe vitet kur gegërishtja, ose kushedi gegnishtja, filloi të promovohej si zhargon i antikomunizmit shqip, në kundërvënie me standardin, të trajtuar tashmë si vjetërsirë kaba, me po aq shpërfillje sa edhe karkasat e fabrikave dhe kombinateve, stacioneve të ndërzimit dhe bunkerëve të viteve të socializmit.

Ky mitizim u shoqërua me mistifikime të tjera – se fjalët gege ishin “të bukura”, se fjalët gege ishin “të vjetra”, se gegnishtja i kish qëndruar më besnike “shqipes së vjetër”, ose më mirë akoma, “ilirishtes”; e kështu me radhë; në mënyrë të tillë që diskursi kulturor për gjuhën shqipe të artikulohej i tëri në trajtë miti.

Kjo rrëmbushje me ngjyra romantike, që vazhdon sot e kësaj dite, i detyrohet pjesërisht padijes, edhe pse me të është abuzuar kaq shumë nga politika, sa askush nuk mund të pretendojë se është fjala për një lloj etnografizmi krahinist të pafajshëm, ose përpjekje qëllim-mira mësuesish dhe koleksionistësh të fjalëve, për t’i dhënë vlerë katundit, shpatmalit a krahinës së tyre.

Sa kohë që pushteti i mëparshëm, ai i komunistëve, vijon të perceptohet, madje edhe në nivele akademike, si pushtet i toskëve ndaj gegëve (ose i ortodoksëve në aleancë me bektashinjtë, ndaj katolikëve dhe myslimanëve sunitë), atëherë përpjekjet për rehabilitimin e gegërishtes janë pjesë e përpjekjeve për zhvendosje të pushtetit nga një palë duar në një palë tjetër.

Duket sikur nga ky kurth gjeografik dhe përçarës nuk mund të dilet dot, dhe se Shqipëria, a shqiptaria në daçim, nuk mund të ekzistojë veçse si tension mes pjesëve të veta në kundërvënie antagoniste mes tyre, aq më tepër tani që ekuacionit kombëtar i është shtuar edhe Kosova.

Mirëpo shqipja e sjell me vete përgjigjen ndaj kësaj dileme; të fshehur prapa mistifikimit për origjinat e ndryshme të fjalëve, shpronësimeve dhe ri-pronësimeve gjuhësore dhe rileximin e qëllimshëm të marrëdhënieve kulturore ndërshqiptare si një lloj lufte klasash, me shfrytëzues dhe të shfrytëzuar.

Çdo gjuhëtar e ka të lehtë të shohë, në fakt, se pjesa më e madhe e standardit të vitit 1972, që nga sistemi fonetik dhe morfologjik, e më tej te sintaksa dhe leksiku i njësuar i shqipes, është e përbashkët për të dy dialektet; meqë jo më kot flasim për toskërishten dhe gegërishten si dialekte të një gjuhe, jo si dy gjuhë të mëvetësishme.

Prapa zhurmës që bëhet për kthimin e pronave gjuhësore dhe përjashtimin e fjalëve të gegërishtes nga tryezat e leksikut standard të shqipes, harrojmë ndonjëherë se këto elemente dalluese janë të pakta, në krahasim me çfarë i bashkon gjuhësisht shqiptarët.

Natyrisht, çdo lloj standardizimi gjuhësor është proces i përzgjedhjes mes alternativave – për të përdorur shprehjen fatlume të Janet Byron-it; por pikërisht kjo përzgjedhje e ngre shqipen e njësuar në një nivel më të lartë jo vetëm se të folmet dhe dialektet, por edhe se variantet letrare të mëparshme.

Krahasimi me hapësirën publike, ose me çfarë e quajnë ndonjëherë “the commons” vjen i vetvetishëm dhe kërkon vëmendje; sepse një shoqëri moderne, si ajo që edhe ne shqiptarët aspirojmë të jemi, nuk mund të ekzistojë, as të artikulohet si duhet, përveçse brenda hapësirave të tilla, që nuk u përkasin privatëve, por publikut, ose të gjithëve.

Në socializëm këtë e quanin shpesh “pronë shtetërore” ose “pasuri të shtetit”; dhe në fakt qytetarët nuk kishin kurrfarë të drejte ndaj çka duhej të ishte, teorikisht, e tyrja. Në këtë kontekst, të një shoqërie të organizuar sipas parimit totalitar, edhe standardizimi i shqipes, si proces i kurorëzuar në fillim të viteve 1970, nuk mund të mos merrte trajtat e një operacioni kulturor jo vetëm të homogjenizimit, por edhe të shtetëzimit të komunikimit.

Por këtu ndeshim në një rrejshmëri; sepse ai shtetëzim gjuhësor vërtet u krye nëpërmjet një shpronësimi, por ky nuk ishte gjë shpronësim i fjalëve dhe i shprehjeve nga të folmet a i traditës gjuhësore nga dialektet dhe variantet letrare; por vetëm jetërsim i pushtetit të vetë qytetarëve mbi fjalën.

Dhe nëse është kështu, atëherë padrejtësia e atëhershme mund të vihet në vend para së gjithash duke ua kthyer shqipen e njësuar qytetarëve, shoqërisë civile dhe institucioneve publike; jo dialekteve, krahinave, bajraqeve dhe fanatikëve përkatës.

Ky do të ishte, gjithsesi, një operacion qytetarie, jo doemos demokracie; sepse demokratik, sa i përket shqipes standarde, do të ishte garantimi i arsimit cilësor në gjuhën shqipe, në krejt territorin kombëtar; jo nxitja dhe ushqimi i rivendikimeve krahinore të të gjithë atyre që padijen, prapambetjen dhe mendjengushtësinë, ose gjymtimin e tyre kulturor duan ta shndërrojnë në privilegj, ose ta tundin si tapi të saponxjerrë nga sepetet e historisë.

Me fjalë të tjera, shqipja e njësuar, ajo me të cilën qytetarët shqiptarë komunikojnë mes tyre në nivelin jo vetëm institucional dhe administrativ, por edhe qytetar, nuk mund të marrë kurrë trajtat e një parlamenti të krahinave shqiptare, ku të folmet të gëzojnë barazinë e pjesëmarrjes dhe të përfaqësimit.

Çfarë harrojnë, ndonjëherë me qëllim, ithtarët e rishikimeve dhe ri-pronësimeve gjuhësore, është se standardi nuk është gjë i gdhendur në mermer; madje vetë historia e tij, tashmë gati gjysmë-shekullore, tregon se ekzistojnë mundësitë për zhvillimin dhe pasurimin e tij të gjithanshëm, përfshi këtu edhe ndihmesat që mund të vijnë nga të folmet ose në nivelin thjesht gjeografik.

Ky zhvillim i standardit, për të cilin flitet pak dhe keq, ndodh para së gjithash në rrafshin e ballafaqimit të shqipes me gjuhët e tjera: në përkthim dhe në terminologji, rrafsh i cili edhe kërkon vëmendjen përparësore të institucioneve që kujdesen për gjuhën.

Për fat të keq, deri më sot këto institucione kanë mbetur peng e temave, shqetësimeve dhe argumenteve me natyrë kryesisht mitologjike; duke e lënë shqipen pa mbrojtjen e nevojshme.

Standardit i duhet të marrë parasysh, veç aspektit të marrëdhënieve “me jashtë”, edhe fermentimin gjuhësor që po ndodh në qytetet e mëdha shqiptare të viteve 2000; dhe ta bëjë këtë jo në mënyrë folklorike, siç e ka bërë deri më sot, por në nivelin e shkollës, ose atje ku fëmija shkon për të mësuar artin e vështirë të qytetarisë, në ballafaqim me institucionet, përfshi edhe ato të shtetit.

Dhe, së treti, e çka është më e rëndësishme, por edhe më pak e kuptuar, shqipja jonë e njësuar dhe e përbashkët nuk është vetëm e thjesht fonetikë, gramatikë e leksik, por edhe e para së gjithash intertekstualitet, ose një sistem tekstesh të folura e të shkruara të lidhura mes tyre në hapësirë dhe në kohë; sistem që me kohë krijon dhe kultivon traditën e vet, rregullsitë e veta dhe avenytë e veta të përparimit.

Në këtë nivel, të cilin gjuhë të tjera më fatlume se shqipja e kanë arritur prej kohësh, dallimet e thjeshta mes të folmeve dhe pronësitë naive mbi fjalët dhe format gramatikore nuk vlejnë më, madje nuk kanë më kuptim; dhe debatet për trashëgimitë dialektore, në shqipen e djeshme dhe të sotme, vijnë e shndërrohen në patologji kulturore.

Shënim: botuar më parë në gazetën Impakt, dt. 15 gusht 2013.

Pa Komente

  1. Sa kohe te ekzistoje polarizimi veri-jug, fati i shqipes nuk do te mund te kundrohet pervecse permbrenda tij. Ky tekefundit, nuk asht nji pozicionim thjesht krahinor, grupim simbas nahijeve perkatese. Asht mbi te gjitha diferencim social, mes te privilegjuemve dhe jo te privilegjuemve. Dhe problemi i standardit nuk asht thjesht se u farkue ne periudhen socialiste, se mori bekimin e partise-shtet, por se asht diskriminues e se diskriminimin vertikal te pabarazise mes te privilegjumit dhe te paprivilegjuem e ban shi mbi baze krahinash.

    1. Shume mire: 1992-1944 = 48 vjet: te privilegjuarit,
      2013-1992=21, qe ndahen: 8 te privilegjuarit, 13 vjet te paprivilegjuemit.
      Pra te privilegjuarit 56 vjet; te paprivilegjuemit veç 13 vjet. Dmth 43 vjet te privilegjuarit duhet te hapin rruge per te paprivilegjuemit. Perspektive e shkelqueme, pas nja 43 vjetesh do te kemi barazimin e privilegjeve.
      ps me shpresen qe te mos kem ngatrru llogarite.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin