A mund ta farmakosë mendjen, ta prishë mendimin, ta gjymtojë arsyetimin, ta sakatojë gjykimin?
A mund të vrasë një tekst, thjesht duke u lexuar?
Tek Emri i trëndafilit i Eco-s, njërin prej murgjve e helmuan për vdekje, thjesht duke ia spërkatur me helm çipat e faqeve që lexonte – dhe ky e shpinte helmin në gojë, sa herë që i njomte gishtat me pështymë, për të shfletuar.
Por këtu vrasjen e bëri libri, jo teksti.
Se, përndryshe, mendja di të mbrohet nga teksti toksik – duke e çuar vëmendjen gjetiu, duke u hutuar, duke u nanuritur në ëndërrime të kota, me faqen përpara.
Tekstin toksik bëjmë sikur e lexojmë, dhe ashtu u shpëtojmë efekteve të padëshiruara në tru.
Të gjithë kështu, madje edhe studentët; të cilët gjithnjë duan të lexojnë diçka të ndryshme nga ajo që janë duke studiuar.
Të gjithë, me përjashtim të përkthyesve.
Përkthyesi i qaset tekstit toksik njëlloj si ata teknikët japonezë të reaktorit, në Fukushima: me vendosmërinë që të jep vdekja.
Nuk i shmanget dot, nuk ia gjerb dot vetëm ajkën, nuk i kapërcen dot paragrafët, nuk lexon dot vetëm dialogët.
I duhet të ndalet në çdo rresht e në çdo fjali, dhe t’ia thithë tekstit avujt e squfurt, tymrat toksikë, pluhurat prej asbesti.
Dhe nuk ka maskë erudicioni a ironie, që ta mbrojë nga e keqja. Madje edhe mjeku që ia bën autopsinë kufomës disamujore, është më i siguruar, në ballafaqimet e veta.
I mendoja të gjitha këto, teksa një natë një tekst i tillë po përpiqej të më vriste ngadalë, duke m’i shtrënguar tëmthat, si boa.
Teksti toksik nuk thotë asgjë, por këtë asgjë e thotë me ritmin e një bande që marshon në baltë.
Autorit i duket sikur të gjitha fjalët që i vijnë në gojë janë të zbrazëta nga kuptimi, prandaj edhe shpejton t’i shoqërojë me gjithfarë cilësorësh.
Kështu, një nismë nuk është thjesht e rëndësishme; por e rëndësishme në mënyrë kritike; një tregues nuk rritet, por është në rritje të vazhdueshme/të pandërprerë/të pandalshme; një përparësi është gjithnjë kryesore/e dorës së parë, përpjekjet janë të mëtejshme, sukseset të merituara.
Teksti toksik flet për probleme, çështje; sikurse flet për nisma, projekte, programe, plane dhe zgjidhje; vështirësitë aty janë gjithnjë sfida, të cilat duhen përballuar; pa çka se edhe teksti është sfidë më vete, për mendjen hulumtuese.
Terma të vakët si këta kërkojnë foljet e përshtatshme: nismat përqafohen e më tej ndërmerren, projektet implementohen, planet vihen në jetë. Paskëtaj, nismat që ndërmerren shndërrohet në ndërmarrja e nismave, projektet që implementohen në implementimi i projekteve, planet që vihen në jetë në vënia në jetë e planeve. Çdo fjali e mundshme përfundon sakaq në një togfjalësh të emërzuar, të cilit i duhet gjendur pastaj folja. Kështu, projekti implementohet, por implementimi i projekteve… [çfarë të thuash këtu?] është i rëndësishëm, ose më mirë akoma ka rëndësi kritike për… [për çfarë xhanëm?] për vënien në jetë të planeve [natyrisht].
Për shembull, xhamat e dritareve në një zyrë janë bërë pis, dhe dikush merr në sy të shkruajë një raport, për të kërkuar që t’i lajnë.
Në këtë raport, dritaret shndërrohen në burime të dritës natyrore; të cilat kanë grumbulluar ndotje/papastërti nga mjedisi dhe pengojnë kushtet e ndriçimit optimal në vendin e punës. Që këtej, vjen në vështrim edhe nevoja për të krijuar një grup pune, i cili t’i japë kësaj çështjeje përparësinë e nevojshme (kritike), dhe të kërkojë zgjidhje të efektshme, në bashkëpunim edhe me departamentet e tjera.
Raporti paraqitet në një mbledhje; mbledhja karakterizohet nga debati i shëndetshëm shumëpalësh dhe nxjerr disa përfundime (edhe këto kritike), mes të cilave nevoja për një përmirësim të mëtejshëm të mirëmbajtjes së burimeve të dritës natyrore.
Kjo best practice do të komunikohet pastaj në mbarë kompaninë – nëpërmjet një buletini të posaçëm.
Të përkthyer edhe në anglishte, sikurse e dëshmon përkthyesi i shkretë.
Në raport, ndriçimi i dhomës përshkruhet si vlerë, që ndikon në shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve, por edhe që konfirmon preokupimin e vijueshëm dhe konstant të kompanisë për burimet e veta njerëzore. Me këtë rast, kërkohet edhe krijimi i një komiteti të posaçëm, që do të kryejë inspektime të herëpashershme për t’u siguruar se rekomandimet përkatëse janë implementuar; sikurse kërkohet edhe një program trajnimi i punonjësve për t’i bërë këta më të ndjeshëm ndaj papastërtive në sipërfaqen e xhamave.
A ishte ky i pastrimit të xhamave plan, projekt apo nismë? Përkthyesi nuk di ta thotë më – mendja i është rrëgjuar tashmë në pelte. Ai vetëm di se diçka do të kërkojë implementim me përparësi, në kuadrin e përpjekjeve të gjithanshme për të përmirësuar më tej kushtet dhe mjedisin dikur diku.
Plan a projekt qoftë, ai gjithsesi ka një emër lart-tingëllues: Nisma Europiane për Mbrojtjen dhe Mirëmbajtjen e Burimeve të Dritës Natyrore (NEMMBDN). Kjo nismë nuk duhet ngatërruar me një tjetër, të mëparshme, të quajtur Nisma Emulative për Menaxhimin dhe Mbarështimin e Buxhetit për Detyrimet Normative (edhe ajo NEMMBDN, për fat të keq).
Përkthyesi e di se materiali që ai ka në dorë mund të përfundojë në një prezantim PowerPoint – në prani të menaxherëve kryesorë të kompanisë dhe të ftuarve nga qeveria, institucionet dhe pushteti lokal.
Topthat e PowerPoint-it (bullets) i duken si plumba (bullets) që po i afrohen drejt kafkës në drejtime të ndryshme: parietale, temporale, oksipitale.
Karakteristikë e toksicitetit, në këtë rast, është trajtimi fare pa respekt që u bëhet foljeve.
Kështu, nëse ideja fillestare ka qenë: të lajmë xhamat, kjo fillon të laminohet, sapo përfshihet nga cilindrat e burokratishtes; dhe kalon nëpër faza të tilla të ndërmjetme si duhen hequr papastërtitë nga sipërfaqet e jashtme të xhamave, duhet siguruar pastërtia e burimeve të dritës, duhet përmirësuar gjendja e pastërtisë e burimeve të ndriçimit natyror, duhet të arrihet përmirësimi i kushteve të pastërtisë… dhe më tej është e nevojshme (e domosdoshme) të ndërhyhet (sa më parë, në kohën e duhur) për të siguruar përmirësimin e vazhdueshëm të…
Fjalët janë gratis, nuk e prekin buxhetin e departamentit.
Nga fjalitë zbehen a zhduken fare kryefjalët (foljet shndërrohen të gjitha në pësore: të lajmë xhamat do të bëhet të lahen xhamat) dhe kallzuesit (foljet shndërrohen në emra, të shoqëruar nga folje fantazmë).
Kështu, një fjali si: Bedrija i pastroi xhamat do të jepet kështu: U krye procesi i pastrimit të xhamave (nga Bedrija).
Tek e fundit, një nga arsyet pse tekste të tilla helmojnë, ka të bëjë me kontrastin midis jetës përreth gjithnjë në lëvizje, dhe tekstit vetë, që e ngrin lëvizjen në foto të shpëlarë.
Këto tekste nuk synojnë të lexohen, të komunikojnë dhe të kuptohen nga njeri – por vetëm të përsëriten, formula në një gjuhë liturgjike të pakuptueshme nga të pranishmit, për të konfirmuar se aksi i botës së biznesit nuk ka lëvizur ende.
Përfytyroni bosët e mëdhenj të kompanisë, të ulur pranë njëri-tjetrit me ujë të gazuar përbri, teksa dëgjojnë me seriozitet prej bualli, se “janë ndërmarrë një varg nismash të njëpasnjëshme, për të siguruar përmirësimin e mëtejshëm të gatishmërisë së departamentit për t’iu përgjigjur sfidave që shtrojnë nismat e reja, në kushtet e nevojave për integrim të mëtejshëm dhe fuqizim gradual të faktorit transparencë.”
Tekstet toksike u shmangen edhe parafjalëve të thjeshta – duke i zëvendësuar raportet e qarta mes fjalëve me lidhje veshtullore, që as i mbajnë fjalët bashkë, as i lënë të lira. Kështu, unë shkruaj me stilolaps nis të shndërrohet në unë shkruaj nëpërmjet/me anë të stilolapsit dhe përfundon në të shkruarit me ndihmën e stilolapsit (ose me ndërmjetësinë e stilolapsit); nëse është kryer një anketë e cila ka treguar se punonjësit i kanë kuptuar mirë rregullat e sigurisë në punë, atëherë kjo do të formulohet kështu: analiza e hollësishme e rezultateve të arritura nga anketa vuri në dukje një realitet më se pozitiv sa u përket aspekteve organizative dhe procedurave në lidhje me çështjet e sigurisë në vendin e punës.
Përfytyroni tani sikur dikush t’ju thotë: Sa i përket përpjekjeve të mia të djeshme për të ndërmarrë hyrjen në banesën ku jetoj nëpërmjet hapjes së bravës së derës me pajisjen çelës…
Përkthyesi nuk ka nevojë të përfytyrojë: atij i dalin këto llahtari gjuhësore në ëndërr.
Rrëfejnë për një mësues pedant të letërsisë, i cili nxënësin që i thoshte se “Hamletin e ka shkruar Shekspiri” e korrigjoi kështu: “Jo, more djalë, shprehja e saktë është: tragjedinë “Hamleti” e ka shkruar një autor i quajtur Shekspir.”
Ky mësues është patriarku i heshtur i burokratishtes së sotme, dhe hyu persekutues i përkthyesve anembanë.
Tekstet gjithnjë kanë pak toksicitet, por teksti që është vërtet toksik, vret më parë gjuhën, para se të vrasë ata që e përdorin gjuhën. Fjalët në faqe vijnë e mbajnë erë kërmë, dhe përkthyesit i duhet t’i këmbejë me kërma të tjera. Kjo punë s’ka as ngushëllimin e asaj të varrëmihësit, i cili të paktën e kupton, thellë-thellë, se po ushqen dheun.
Më sillni tani atë librin që lexonte murgu i Eco-s, se plumbi nxirret veç me plumb.
Toksicitet<<=pergjithesim<<=tedenca per te kamufluar<<=rritja e diapazonit refraktar<<=shkalla e dijes<<=njohja
Sa me teper njohuri aq me teper dhimbje.
Me kujtohet nje thenie te Aleksander Xhuvanit qe gjendet ne “Antologjine e Letersise se Sotme Shqipe” te Prof. Nasho Jorgaqit ku thote: Traduttore Traditore.
Ai qe nuk di gjuhe te huaja eshte me mendje te qete. Ti vuan.