Sipas të dhënave historike, që nuk mungojnë, në trojet e Shqipërisë së sotme, sidomos në bregdet, Krishterimi u përhap herët – që me predikimet e Shën Palit.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë, vetvetiu, se stërgyshët e shqiptarëve të sotëm u ungjillëzuan në ato kohë të hershme; meqë për këtë do të duhej të ishte provuar që këta stërgjyshë jetonin atje ku jetojnë shqiptarët sot.
Prova të drejtpërdrejta për këtë nuk ka. Ka prova të tërthorta, mes të cilave edhe ato që ofron gjuha, dhe që gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e historianëve të gjuhës dhe të historianëve vetë.
Çabej mendohet se ka folur me autoritet në këtë fushë, kur është përpjekur të provojë se emrat e vjetër të vendeve, në trojet e sotme të Shqiptarëve, kanë evoluar sipas ligjeve fonetike të shqipes – çka dëshmon autoktoninë.
Megjithatë, tezat e Çabejt, kohët e fundit, janë kritikuar, mes të tjerësh, nga Matzinger.
Shqipja dëshmon edhe se terminologjia më e vjetër e krishterë ka hyrë atje nga latinishtja – me fjalë si kishë, kryq, bekoj, kungoj, Pashkë, pagëzoj, shenjt, kreshmë, etj.
Kjo do të provonte me siguri më të madhe se ungjillëzimi i stërgjyshërve të shqiptarëve është kryer në latinishte.
Se kur ka ndodhur pikërisht ky ungjillëzim, për këtë do të ndihmonte kronologjia e përdorimit të latinishtes nga të krishterët.
Në përgjithësi, pranohet se në fillimet e veta, feja e krishterë predikohej në aramaikishte dhe në greqishte; madje edhe në Romë gjuha e të krishterëve ishte gjithnjë greqishtja.
Ka shumë të ngjarë që Shën Pali të ketë predikuar në greqishte, e cila funksiononte në atë kohë si lingua franca në krejt pellgun e Mesdheut.
Kjo do të thotë edhe se, pas gjase, ajo valë Krishterimi që mbërriti e para në trojet e sotme të shqiptarëve nuk i preku stërgjyshët e shqiptarëve – ngaqë këta jetonin në brendësi të vendit, ose kushedi ngaqë nuk ishin fare aty.
Sikurse dihet, shqiptarët si të tillë (albanoi, arbanitai) përmenden në krye në kronikat bizantine të shekujve XI-XII, të lokalizuar diku në prapatokën e Durrësit.
Shumë albanologë kanë mbrojtur tezën se atdheu i hershëm i shqiptarëve ka qenë më në veri dhe më në lindje të trojeve shqiptare të tanishme – ose në një zonë të ekspozuar ndaj ndikimit latin romanizues, por fare pak ndaj ndikimit helen.
Kjo nuk do të thotë se në brigjet e Adriatikut jetonte ndonjë popull i ndryshëm nga këta paraardhës të shqiptarëve, por vetëm që këta bregdetarë u asimiluan në rrjedhë të kohës, së bashku me dëshmitë historike që bartnin në gjuhën e tyre.
Gjithsesi, nëse Ungjilli u erdhi këtyre shqiptarëve të hershëm në latinisht – sikurse e dëshmon gjuha e tyre, që flasim ne sot – atëherë mund të përcaktojmë një datë cak të fillimit të ungjillëzimit të tyre, në bazë të datës ose të periudhës kur filloi të përdorej latinishtja nga të krishterët.
Çuditërisht, të dhënat për këtë nuk janë dhe aq univoke. Nëse përkthimi i Biblës nga Shën Jeromi (Vulgata) i përket fundit të shekullit të 4-t pas Krishtit, besohet se latinishtja filloi të përdoret në liturgjinë e krishterë në Romë dikur andej nga gjysma e dytë e shekullit të 2-të pas Krishtit.
Sipas këtyre të dhënave, latinishtja u bë lingua franca edhe për të krishterët dikur nga shekujt 4-5 të pas Krishtit, dhe në atë kohë do të ketë ndodhur edhe ungjillëzimi i shqipes – nëse mund të shprehem kështu; dhe terma të vjetër të krishterë, si Pashkë, ungjill, pagëzoj, shenjt, meshë, prift, uroj, mallkoj, djall, engjëll, etj. kanë hyrë në shqipe (në protoshqipe) relativisht vonë.
Nga ana tjetër, dihet disa nga elementet latine të shqipes kanë hyrë në gjuhë nga latinishtja e periudhës republikane, ose shumë më herët; të tillë janë emrat e ditëve të javës si e shtunë dhe e diel dhe ndonjë fjalë tjetër (Çabej i ka parë këto mirë).
Kjo provon, sikurse e kanë vënë re, se kontaktet e të parëve të shqiptarëve me latinishten kanë ndodhur gjatë një periudhe shumë-shekullore dhe nuk janë ndërprerë ndonjëherë, meqë kanë vazhduar edhe teksa latinishtja vulgare vinte e shndërrohej në format e veta romane – p.sh. gjuhët romane të Ballkanit (rumanishtja, etj.) ose gjuhët dhe dialektet e gadishullit italik.
Nga ana tjetër, mungesa e huazimeve greke të periudhës së Krishterimit të hershëm dhe e terminologjisë së lashtë të krishterë me prejardhje nga greqishtja, tregon se vala e parë ungjillëzuese në greqishte nuk do t’i ketë prekur stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm.
Marrëdhëniet e paraardhësve të shqiptarëve të sotëm me Krishterimin janë burim të dhënash me vlerë të madhe, për të gjurmuar etnogjenezën shqiptare.
Studiuesi gjerman Gottfried Schramm ka ngritur mbi këtë bazë një hipotezë të re për prejardhjen e shqiptarëve të sotëm nga fisi trak i besëve dhe të shqipes si gjuhë “kishtare” – por kjo hipotezë nuk ka gjetur shumë mbështetje.
E megjithatë, ne nuk dimë, sot e kësaj dite, se kush pikërisht i ka ungjillëzuar të parët tanë; edhe pse dimë, pothuajse me siguri, që ungjillëzuesi do të ketë folur ndonjë version të latinishtes vulgare.
Ungjillëzimi përmes latinishtes të shpie detyrimisht më në veri të Shqipërisë së sotme, edhe pse ku pikërisht është vështirë ta thuash.
Ndërkohë, në trojet e sotme të shqiptarëve Krishterimi ishte ngulitur thellë dhe mirë; çka mund të lejojë të flitet për një kontrast midis ungjillëzimit të vendit, dhe ungjillëzimit të popullit, të tillë që të ftojë për një riformulim të tezës së autoktonisë.
Gjithnjë mund të pyetet, pa çka se pyetja është spekulative, se kë ungjillëzoi pikërisht Shën Pali, kur i preku këto brigje të Ilirisë së poshtme.
Qytetet e Adriatikut tonë, në kohën e Romës, kanë pasur natyrë kozmopolite – të banuara siç ishin nga grekë, latinë dhe vendës (ilirë), për të mos përmendur hebrenjtë, trakët, fenikasit dhe të tjerë të ardhur.
Megjithatë, këtë ungjillëzim nuk e shohim të trashëguar në fenë dhe në shqipen tonë të sotme; në kuptimin që ai Krishterim, të cilin shqiptarët dhe pasardhësit e tyre e kanë trashëguar dhe ruajtur brez pas brezi nga lashtësia e vonë deri më sot, nuk ka ardhur prej Shën Palit, as ka folur në krye greqishte.
Gjasat më të mëdha janë që shqipja të rrjedhë prej një dialekti të ilirishtes jugore; por kjo nuk do të thotë se ilirët që jetonin në brigjet e Adriatikut në lashtësi duan konsideruar vetvetiu si të parët tanë – meqë këta ilirë janë asimiluar, duke u greqizuar ose romanizuar, sipas rastit.
Përkundrazi, ilirët prej të cilëve vijmë nuk do të kenë jetuar në brigjet e Adriatikut, as do të kenë qenë në kontakt të ngushtë me helenët e kolonive të bregdetit dhe kulturën e tyre. Këta ilirë ndoshta do të na duhej t’i quanim, më mirë, të parët tanë gjuhësorë, për t’i dalluar nga të parët biologjikë ose gjenetikë.
Shënim: u lutem kolegëve të përmbahen e të mos komentojnë pa pasur disa njohuri paraprake për çështjen në fjalë. Komentet pa lidhje do të hiqen menjëherë.
vetem nje pyetje per temen. ti thua se edhe ne italine e kohes per disa shekuj si gjuhe kishtare eshte perdorur greqishtja. sa jane mbetjet e fjaleve greke ne liturgjine romake, ne krahasim me fjalet greke ne liturgjine shqiptare? a egziston mundesija qe te paret tane ta ken marre ungjillin ne greqisht dhe me pas, te kene zevendesu me ate latin, dhe me kembenguljen e prifteinjeve(latin edhe keto) ta kene zevendesu te gjith terminologjine kishtare?
Tani unë nuk është se kam ndonjë përgjigje bindëse për këtë, por një mendim edhe mund ta shpreh.
Në krye, të kemi parasysh se shqipja nuk ka qenë përdorur si gjuhë liturgjike para shekullit XVI (Buzuku), të paktën nuk kemi ndonjë provë që është përdorur.
Kur flasim për leksik kishtar ose fetar në shqipe, e kemi fjalën për ata terma që kanë kaluar nga gjuha e kishës (latinisht, greqisht, sllavonisht) në gjuhën e popullit.
Kur një fjalë hyn në gjuhë, sidomos kur është fjala për fjalë teknike, do të priret të rrijë aty.
Tani mundet që të ketë pasur shqipja e vjetër (protoshqipja) edhe një leksik fetar/kishtar në greqishte që pastaj e ka zëvendësuar me atë latinen, por kjo më duket pak si e pagjasë.
Dhe ja pse – ajo greqishte një gjurmë do ta kishte lënë diku.
Si argument po sjell një krahasim: leksiku kishtar i shqipes popullore të Jugut. Për shumë kohë, ndoshta nja 7-8 shekuj, shqiptarët e krishterë të Jugut e kanë pasur ritin e tyre greqisht. E megjithatë, fjalë si prift, meshë, agjëroj, kishë, bekoj, uroj, etj. kanë mbetur ato që ishin, huazimet latine relativisht të hershme.
Fjalët greke bizantine përkatëse nuk është se nuk kanë depërtuar fare në shqipen e Mesjetës, por kanë mbetur në një regjistër më të kultivuar, më libror; ose kanë hyrë me kuptime më të specializuara, si mbivendosje. Kanë shkuar në çatinë e shqipes, jo në themelet.
Dua të them – sikur shqipja t’i kish marrë në fillim këto fjalë të thjeshta kishtare në greqishte (në kohën e Shën Palit), do t’i kish mbajtur disa prej tyre doemos.
Mirëpo nuk ka mbajtur gjë. Shto këtu edhe që shenja për dhënie-marrje të shqipes që flasim ne, me greqishten e lashtësisë, praktikisht nuk ka – nja njëzet huazime gjithsej, numër shumë, shumë i vogël, fjalë si lakër, mokër, shtambë, drapër, lëpjetë etj., që nuk ngrenë dhe aq peshë.
Dhe të mendosh edhe se shqiptarët kanë ndjekur ritin ortodoks për një kohë të gjatë, në Mesjetë; dhe jo vetëm në Jug.
Përshtypja ime, është se gjuha shqipe ka përthithur një influks të madh latin në momentin kur po përftohej si gjuhë (si fazë e re e ilirishtes, të themi); dhe kjo ka përkuar me ungjillëzimin në latinishte. Ky influks duhet kuptuar edhe si asimilim i një mase njerëzish që flisnin një version të latinishtes si gjuhë amtare (gjë që duhet të ketë ndodhur dikur midis shekujve V-IX, ose të periudhës më të errët në informacion; dhe këta do të kenë qenë më shumë ilirë të romanizuar).
Vetëm kështu mund të shpjegohet pse kemi marrë nga latinishtja jo vetëm fjalë relativisht teknike, si shenjt e kishë, por edhe fjalë të rëndomta, si këmbë dhe faqe. Në ç’rrethana të tjera, vallë, do të huazonte një gjuhë nga një gjuhë tjetër fjalën për një pjesë trupi?
Shkruan xha xhai “Sipas të dhënave historike, që nuk mungojnë, në trojet e Shqipërisë së sotme, sidomos në bregdet, Krishterimi u përhap herët – që me predikimet e Shën Palit.”
Një pohim të tillë natyrisht që xha xhai, si shumica e studiuesve shqiptarë e marrin duke u bazuar në Letrën drejtuar Romakëve 15;19 që në versionin e përkthyer në shqip shkruan “me fuqi të shenjave e të mrekullive dhe me fuqi të Shpirtit Shenjt. Kështu, që prejJerusalemit e për qark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit “ përveç problemeve që ka ky përkshkrim (nga ana historike për ndarjet administrative) shohim dhe një tjetër problem thelbësor, në gjykimin tim. Sipas versionit të CEI-Conferenza Episcopale Italiana- ë viteve 1974, 2008, por edhe mjaft të tjera në gjuhë të ndryshme, ndryshojnë nga “varianti” në versionin Italian shkruhet “con la potenza di segni e di prodigi, con la potenza dello Spirito. Così da Gerusalemme e dintorni fino all’Illiria,” (http://www.lachiesa.it/bibbia.php?ricerca=citazione&Citazione=Rm%2015&Versione_CEI74=1&Versione_CEI2008=&Versione_TILC=&VersettoOn=1) por duke iu referuar edhe versionit latinisht tëk kësaj pjese lexojmë “ita ut Hierusalem per circuitum usque ad Illyricum repleverim evangelium Christi». Ndajfolja ‘usque’, që shqipërohet ‘deri’, ka humbur diku gjatë udhëtimit nga njëra gjuhë në tjetrën. Duke u vendosur përpara emrit (në) ‘Ilirik’, përveçse përcakton një kufi (deri në), ajo lidh semantikisht ndajfoljen ‘përqark’ me Jeruzalemin dhe jo me Ilirinë.
Tek “New Jerome Biblical Commentary” lexojmë: “Nga Jeruzalemi ne Iliri: Dy limitet e aktivitetit apostolik në Lindje. Ai fillon me Jeruzalemin…dhe shtrihet gjer në (as far as) Iliri. (f. 867 Të njëjtën përkthim jep edhe “La Sacra Bibbia, Edizion Paoline, 1968 f. 1261 “fino al Ilirico”- deri ne Iliri).
Autori i shkrimit pohon se përmendja e Ilirisë është shumë ambigue dhe nuk të lejon të ndertosh teza të sakta historike në lidhje me një ungjillizim të mundshëm të Ilirisë nga Pali. Ndoshta ketu ia vlen të citojmë gjerësisht se çfare ka thëne një prej ekzegjetëve më të mëdhenj katolik, Jezuiti dhe prifti Joseph A. Fitzmyer, në komentin qe i ka bere pasazhit ne fjale.
“Iliria. Kjo zonë i korrespondon Shqiperisë se sotshme dhe Jugosllavise jugore…në vitin 9 (e.r.s.) Iliria u nda në dy provinca perandorake, të njohura si Illyricum Superius dhe Illyricum Inferius, me vonë këto u njohën si Pannonia dhe Dalmacia. Nuk është e lehtë të thuhet se në çfarë kuptimi e ka përdorur Pali emrin Illyricum. Për të, pothuajse me siguri ky term nënkuptonte zonën në veri të Maqedonisë (shih Strabo, “Geography” 7.7.4; Appian, “Roman History” 10.1.6.).
Në të vërtetë, prej letrave të Palit ne nuk njoftohemi asnjëherë për predikimin e Palit qoftë në Jeruzalem ose në Iliri. Ndonëse Luka e përshkruan ministrinë ungjillizuese të Palit në tre blloqe tekstesh (Aktet 13:3-14:28; 15:37-18:22 dhe 18:23-21:17), ai nuk e përshkruan predikimin e Palit atje, por e bën Palin të thotë se ai predikoi pendimin “në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem”. (Aktet 26:20). Pali ishte në Maqedoni gjatë gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar (54:58) dhe prej atje mund të ketë shkuar në Illyricum (ku madje mund të ketë shkruar edhe pjesë të letrës 2 Korintasve; shih PAHT, P43). Pjesë e problemit është kuptimi i shprehjes kai kyklō. Kyklō është përdorur shpesh si ndajfolje në Greqishten klasike në kuptimin e “në një rreth, përqark” (BAGD 456-57; krahaso LXX Zan. 23:17; Eksodi 19:12). Nga mënyra se si është përdorur këtu kjo fjalë zor se i referohet rrethinave të Jeruzalemit, siç e kanë kuptuar njëherë e një kohë komentatorët e vjetër. Përkundrazi, ajo përdoret në mënyrë retorike për të sugjeruar përfshirjen e ungjillizimin e Palit. Nuk ka asnjë arsye për të besuar, siç ka bërë Hahn (Mission, 96n. 8), se Pali e ka konsideruar Ilirinë si “kufiri i lashtë që ndan gjysmën lindore dhe perëndimore të Perandorisë”. Në asnjë nga letrat e Palit nuk gjenden evidenca në favor të këtij interpretimi. Përkundrazi, me një demonstrim retorik ai sheh prapa në evangjelizimin që i ka bërë Sirisë, Cicilias, Azisë së Vogël (sidomos Efesit dhe Troas), Maqedonisë dhe Akaias, duke shtuar Ilirinë sepse për të ajo përcaktonte vendin në Detin Adriatik across from Itali, tek e cila ai dëshironte të udhëtonte dhe për të cilën po shkruante.
Në shumë komentarë ose tekste biblike jepen tabela ilustrative të udhëtimeve të Palit dhe në asnjë prej tyre nuk figuron që Pali të ketë qenë në Shqipëri e nga Durrësi të ketë ikur në itali. Për këtë le të shihen tabelat illustrative të “La Sacra Bibbia, Edizione Paoline 1968, “Life Application Study Bible” 1996, “Holy Bible: Easy-to-Read Version”, 1989, “The International Bible Commentary”, 1998, “The IVP Bible Bacground Commentyary: New Testament” 1993, “New Jerome Biblical Commentary”, 1968.
Por nuk kemi të bëjmë vetëm me këtë varg të letrave apostolike (siç njihen përndryshe kjo pjesë e ungjillit) ku flitet për ilirinë.
Apollonia greke apo ajo ilire?
A është Apollonia e përmendur tek Aktet 16:12-40 ajo ilire apo është Apollonia greke? Apollonia e përmendur këtu është pjesë e udhëtimit të dytë të Palit, nga tre të tilla që ai ka bere në jetën e tij. Në një nga komentarët më të famshëm katolikë “New Jerome Biblical Commentary” në tabelën që ilustron udhëtimin e Palit, Apollonia identifikohet me atë Greke (shih tabelën ilustruese në fund të komentarit). E njëjta gjë thuhet në “The IVP Bible Bacground Commentyary: Neë Testament”, nga Craig S. Keener. Edhe këtu, në tabelën ilustruese të udhëtimit të dytë të Palit gjejmë: Neapolis→Philipi→Apolloni (greke) →Thessalonica→Berea→Athinë→Corinth.
Tek Aktet 16:12-40, ku përmendet iliria, në këtë komentar lexojmë: “Anfipoli në Strymon, Apollonia (një ditë udhëtimi përtej matanë tij dhe Selaniku 35 milje në perëndim të Apollonisë…” Pra shihet qartë se në këtë komentar Apollonia identifikohet me ate Greke dhe jo atë Ilire.
Edhe në “The International Bible Commentary”, një nga komentarët më të rëndësishëm katolikë, Apollonia identifikohet me Apollonine Greke, shih tabelen illustrative në fund të komentarit. Të njëjtin mendim duket se ka ekzegjeti i famshëm katolik Raymond Broën në veprën e tij “An Introduction to the New Testament”, f. 428.
A kaloi Pali një dimër të tërë në Nikopol?
Tek Letra e Titusitt (3:12), Pali i thotë dishepullit «eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa ta kaloj dimrin». Nga këtu, autorët e krishterë shqiptar pohojnë se gjatë këtij dimri Pali ka ungjillizuar Ilirinë. Ndër të tjera, autori i shkrimit pohon se teksti i Titusit nuk pohon qe Pali ka qenë në Nikopol, por që kishte plan të shkonte atje. A është i saktë ky pohim?
Në Ëord Biblical Commentary, vol. 46, Ëilliam D. Mounce ndër të tjera shkruan: “Duke pohuar se ai kishte vendosur të kalonte dimrin “atje” (έκει) dhe jo “këtu” (ώδε), Pali nënkupton se ai nuk ishte ende në Nikopol. Nëse Pali ishte duke bërë plane për dimër, kjo mund të nënkuptoj se ai ishte duke shkruar në mes të verës, duke i dhënë në këtë mënyrë Titusit kohë të mjaftueshme për të udhëtuar nga Kreta në Nikopol. Gjithashtu, kjo mund të nënkuptoj se aktualisht ai (Pali) ishte diku në Akaia ose Maqedoni. Por, gjithçka tjetër përveç kësaj do të ishte tepër spekulative. Nënshkrimi që gjendet në disa dorëshkrime të 1 Timoteut dhe Titusit e identifikon në mënyrë të pasaktë Nikopolisin si vendi nga ku shkruante Pali” (f. 458).
“Shënim: u lutem kolegëve të përmbahen e të mos komentojnë pa pasur disa njohuri paraprake për çështjen në fjalë. Komentet pa lidhje do të hiqen menjëherë.”
shënim shumë me vënd!!pikërisht për të mos pasur komente!!
“Komentet pa lidhje”,kush e vendos këtë LIDHJE??po dhe sikur të ishin “pa lidhje”nuk mund ti jepnit një përgjigje që dhe komentuesi të fillonte e ta “lidhte”,thjesht përtë mos vdekur injorant??sikur dikush të kishte më shumë LIDHJE,se shkrimi juaj a do të ishit në gjëndje të quanit si “Koment me Lidhje” apo dhe ky do të ishte pa lidhje???
“këmbë dhe faqe” përse duhet ta marrim apriori me drejtim latinisht shqip e jo e kundërta???
Nga përvoja që kam me blogun – u bënë gati shtatë vjet tashmë – të siguroj se tema si kjo më lart tërheqin një lloj komentuesi kokëbosh, kapadai dhe agresiv, që vjen këtu për të luftuar ose për të mbrojtur me arrogancë idetë që ia komandojnë mendjen.
Nuk kam marrë gjëkundi ndonjë zotim për t’i sqaruar këta zotërinj rregullisht për të njëjtat gjëra, as për t’u mësuar atyre njohuri elementare të fushës dhe të diskutoj me ta për premisat e shkrimit.
Se kush e vendos “lidhjen” përgjigjja është e thjeshtë: unë. Ti, anticensurë, ke krijuar një përshtypje të deformuar për mënyrën si funksionon ky blog – duke e marrë gabimisht për forum. Në fakt, blogu u përket autorëve dhe u shërben autorëve.
Kur janë tema relativisht teknike, si kjo e mësipërmja, unë si autor dhe moderator preferoj të mos kem komente, sesa të më shkruajnë gjepura dhe të ma prishin temën.
Komenti që ke shkruar ti hyn në këtë kategori. E lejova për ta përdorur si specimen të një lloj ndërhyrjeje që vetëm dëmton.
Sa për “këmbë dhe faqe”, këto janë përcaktuar si huazime latine nga autorë (etimologë) të cilëve unë u besoj dhe nuk kam arsye t’i kundërshtoj. Ka ligjësi të fonetikës historike, që e mbështetin këtë.
Nëse pastaj dikush është më në gjendje se unë të komentojë këtu bindshëm dhe me kompetencë për temën në fjalë, kjo veç do të më bënte qejfin; sepse do të më ulte në tryezë me një mësues.
Ty të hoqa javën që shkoi një shkrim pa lidhje, nga një temë tjetër; ku diskutoje për blogun e Shinasi Ramës dhe për pritjen që të kishin bërë aty. Të sugjeroj që të mos i japësh rëndësi atij incidenti, që s’kishte natyrë personale. Në PTF temat e reja i hapin autorët, jo komentuesit. Nëse dikush dëshiron të shkruajë për një temë të re, mund të lidhet me mua privatisht.
Një temë jashtëzakonisht interesante dhe jashtëzakonisht e vështirë.
Them se është në të mirë të punës të shpjegohen më parë gjërat më të qartësueshme, pra pozicioni i greqishtes në botën latine të asaj kohe. Se vërtet sh. Jeronimi e përtheu ungjillin në shek IV-të, por kjo besoj, nuk do të thotë se terminologjia kishtare u muar nga libri I tij dhe u përdor në jetë, as nuk besoj se ishte ai që i njohu latinët me Ungjijt. Ai mbase kreu një punë të plotë që pjesë-pjesë qe bërë prej shekujsh, mësimet e Krishtit dhe jeta e Krishtit janë njohur mjaft më parë. Si puna e tekstit të Buzukut. Shqiptarët nuk pritën atë për të njohur fenë e krishterë dhe preceptet e saj. Prifti në kishë nuk fliste latinisht edhe para Buzikut. Ai fliste shqip, e tregonte shqip jetën e Krishtit. Vetëm fragmentet e ungjijve i lexonte në latinisht. Priftit i thuhej prift para përkthimit të Buzukut, po ashtu edhe ujit të bekuar, madje edhe vetë aktit të pagëzimit. Logjika thotë se në tërësi terminologjia fetare ekzistonte déjà. Nga hiçi nuk lind asgjë. Ai mori atë që thuhej në shqip prej kohesh dhe me të përktheu termat latinish. Mendoj se as shën Jeronimi nuk sajoi fjalë të reja për përkthimin e tij nga greqishtja, ai përdori fjalët që tashmë ekzistoinin në ceremonialin fetar të krishterë që prej disa shekujsh.
Greqishtja nuk qe një gjuhë aq e përhapur. Jeta dhe vepra e shën Agustinit që nuk kishte haber fare nga bota greke na tregon se në atë kishte një kulturë fetare latine mjaft të përhapur.
Të krishterët e parë të katakombeve të Romës ishin shtresë modeste ekonomikisht dhe nuk dinin greqisht. Aristokracia i dërgonte në Greqi bijtë e saj, në Romë greqishtja nuk qe një gjuhë popullore.
Pastaj, me cilën gjuhë flisnin apostujt kur shkonin nëpër botë? Sipas fjalëve, kur Pjetri pa Krishtin në të dalë të Romës, te rruga Appia, ai e pyeti ne latinisht: Quo vadis, Domine? Dhe gjithnjë sipas fjalëve edhe Krishti denjoi dhe iu përgjigj po në latinisht: Eo Romma iterum crucifigi.
E kam të vështirë të besoj se lumpenproletariatit roman Shen Pjetri i fliste në greqisht.
Vërtet iliro-arbërit ishin në bregun tjetër të Adriatikut, por të mos harrojmë se edhe vete Kostandinapoli cilësohej si zgjatim i botës latine. Gjuha zyrtare edhe për shumë shekuj ishte latinishtja.
Në këto kushte, marr kurajën të mendoj se prania e sedimenteve te latinishtes në shqipe duhet të jetë vërtet e vjetër.
Por kjo nuk flet aspak për formimin e kombit në trojet ku ndodhet sot. Latinisht flitej edhe 1000 km. në lindje të troje të sotme shqiptare. Edhe 500 km në veri, të paktën.
Nuk duhet të habitemi po qe se del të jemi pasardhës të një kombi që ka vuajtur nga sindroma e zogjve të qyqes.
Xhaxhai: “Megjithatë, kjo nuk do të thotë, vetvetiu, se stërgyshët e shqiptarëve të sotëm u ungjillëzuan në ato kohë të hershme; meqë për këtë do të duhej të ishte provuar që këta stërgjyshë jetonin atje ku jetojnë shqiptarët sot.”
Kjo ngjan të jetë shumë afër të vërtetës. Evangjelizimi ishte një proces qe filloi me punën misionare të Palit. Ai kryesisht vizitoi qendrat urbane si Durrësi, Apolonia, në atë që quhet Iliria jugore (vazhdimisht nën influencën greke), që në fakt, qytete si Selaniku, Durrësi supozohet të kishin një diasporë të konsiderueshme kozmopolite hebreje, ku greqishtja ishte lingua franca për shkak të tregtisë dhe lëvizjes se mallrave.
Pali, pavarësisht se nuk e kishte gjuhën e nënës, predikimet i bënte në greqisht. Guvernatorët romakë edhe dekretet në të shumtën, i kishin në mos dygjuhëshe, latinisht-greqisht, por edhe vetëm në greqisht.
Në Durrës flitet për kongrekacionin e parë të krishterë para vdekjes së Palit, nga mesi i shekullit të parë, kurse përhapja e tyre në qendrat e tjera urbane filloi të ndjehej vetëm nga mesi i shekullit të dytë, ku latinishtja kishte filluar të konkurronte seriozisht greqishten.
Ku ishin folësit e ardhshëm të shqipes? Ishin aty rrotull mendoj, te pacivilizuar, te paromanizuar, te pahelenizuar, ndoshta fare prane, ndoshta jo shumë larg, ndoshta më ne veri, ndoshta me ne jug, ndoshta më në perëndim, por një gjë dihet, akoma per te gëzuar edhe per shume kohe paganizmin e tyre.
Iliria gjithmonë si gjeografi mbetet një term a vagullt, politikisht si province fryhej e shfryhej administrativisht, gjë që varej nga situata që krijohej midis romakëve dhe fiseve (ilire).
Por ilirët, mundesisht shqipefolesit e ardhshem, me siguri ishin atje ku përqendroheshin legjionet romake, mbi dhjetë në shumicën e rasteve; kjo zone fillonte prej pjesës verilindore të Shqipërisë drejt Dalmacisë e përtej ultësirës kosovare.
Bregdeti kontrollohej prej Romës dhe kolonive të dikurshme greke. Për Palin, një gjë me siguri dihet, se ka ecur përgjatë vijës Ignatia, vetem ku kishte shkelur me hijen e rende e po civilizonte Roma, shpesh duke bërë devijime nga rruga siç është rasti i Apolonisë.
Read me, kur thua se Pali vizitoi qendrat urbane si Durrësi dhe Apolonia mbetem pak keq.
Eshte nje teme qe po behet disa shekuj qe eshte kaluar me lupë dhe nuk del te jete e vertete, edhe pse nder shume vete merret si e vertete. Diku ne nje leter te fameshme derguar romakeve (19) ai thote se isha gjer ne Iliri per te kryer sherbimin e Krishtit. Ne fakt nuk ka qene ne Iliri,por ne periferi te saj, te maqedonasit.
Ai ka kaluar edhe neper nje Apoloni, por nuk eshte ajo per te cilen kujton ti. Eshte nje tjeter midis kufijuve tokesore te Greqise dhe Turqise, ne lindje te Selanikut.
Bej nje kerkim per harten e udhetimit te tij te trete dhe do te kuptosh se ai kurrë nuk ka vene kembet te thellesi te Ilirise. Aq me pak mund te predikonte krishterimin ne Durres dhe Apoloni ku kishte guvernatore romake, prane te cileve ishte denoncuar nga çifutet. Dhe ne fakt ai do te arrstohet prej tyre menjehere pas ketij udhetimi te trete. Dhe, kur pershkruan udhetimin e tij te fundit, kudo flet per takime me çifute.
Qe çifutet te kishin shkuar te jetonin me iliret, kjo eshte e paimagjinueshme. Lexo pershkrimin e Cezarit per takimin e pare me ta, per ndjenjen e meshires dhe te tmerrit qe te ngjallnin me izolimin dhe varferine e tyre te skajeshme.
Lyss e kuptoj shqetësimin tënd. Aktet e apostolike flasin, përqendrohen në atë pjesë të udhëtimit, ku përmenden qytetet garnizone si Filipi, apo qytete si Apolonia, Afiopolis, Selaniku, si qytete të Maqedonisë romake, qe ishin në pjesën lindore të rrugës Ignatia.
Në komentin tim i referohesha shkrimit te Xha Xhait, në lidhje me mundësinë e një lëvizje misionare të Palit ne pjesën e Ilirisë jugore. Sepse përndryshe nuk do të kishte kuptim të flasim për gjuhën kishtare të paraardhësve të supozuar të shqiptarëve, ne territorin që konsiderohet maqedonas.
Studiuesit, nuk e përjashtojnë këtë mundësi, përderisa Pali udhëtoi disa herë në pjesë të ndryshme të Balkanit.
Shprehja e Akteve, se Pali predikoi gospelin “round about onto Illyricum” (po përdor përkthimin në anglisht te cilit i referohem) e lë të papërcaktuar, ekuivok, të pashpjeguar, mundësinë që Pali të ketë shkelur në atë që konsiderohet Iliria jugore apo greke.
Por nuk e përjashton mundësinë.
Është një libër që mund të gjendet online, që unë iu referova, ndoshta një nga burimet më të mira e të mbështetura me bibliografi të pasur të udhëtimeve të Palit në Ballkan, ku përshkruhet termi Illiricum, orvatet te shpjegohet shprehja e tij mbi predikimet ne Iliri, jepet dallimi midis dy Apolonive, jepen detaje mbi udhëtimet e Palit dhe hidhet ideja e mundësisë që Pali të ketë udhëtuar përgjatë Via Ignatia në rrugëtimin e tij, të jetë hedhur ne Brindizi e pastaj në Rome nëpërmjet Durrësit, të ketë udhëtuar jug-veri, duke lëne mënjanë Via Ignatia, mundësisht nëpërmjet qytetit të Apolonisë ne Adriatik, etj.
Këto të gjitha duke u bazuar në udhëtimet e personazheve të njohur; ishin itinerare to njohur të gjithë atyre që lëviznin ne postet e avancuara të Romës.
Siç mund të arrihet në konkluzion vetvetiu, vëmendja e Palit për të predikuar, gjithmonë drejtohej karshi diasporave(sidomos asaj hebre) lëvizëse që ishin stacionet dhe marrësit e parë të predikimeve të tij. Diasporat ishin të pranishme në të gjithë qytetet sidomos bregdetare dhe që vazhdonin të ishin qendra të rëndësishme të Romës. Latinishtja ne kohën e Palit, nuk ishte gjuha e predikimeve.
Mendoj se Pali nuk merrte malet për t’i predikuar paraardhësve të shqiptarëve në një gjuhë që nuk e njihnin. Pra nuk mund te flitet, qe Pali t’i kete predikuar drejtperdrejt te pareve tane.
Lidhen me diskutimin tonë sidomos kapitujt IX and XVII, në linkun poshtë.
http://ia801700.us.archive.org/9/items/lifeepistlesofs00cony/lifeepistlesofs00cony.pdf
Read me: Siç mund të arrihet në konkluzion vetvetiu, vëmendja e Palit për të predikuar, gjithmonë drejtohej karshi diasporave(sidomos asaj hebre)…
Me kete ke prekur thelbin e problemit. Eshte nje kohe kur ende mendohej (Pali perpiqet ta thyeje kete trashegimi, nderkohe qe vete Krishti nuk e preku si teme) se per te qene i krishtere, me pare duhet te jesh çifut.
Kjo eshte arsyeja qe apostujt u drejtuan drejt qendrave te medha ku banonin ata. Ne keto kushte kuptohet pra se popullsia e eger e Ilirise (ne harta shfaqet si toke e luaneve apo toke e majmuneve, per te shprehur mosinteresimin romak per territore pa interes) nuk perben asnje objektiv konvertimi. Eshte ende nje popullsi qe i faleshin gurit, drurit, maceve etj.
Ketu e njeqind vjet me pare edhe une isha i mendimiot se emri i kishes se Shen Palit diku pas Dajtit duhet pare si pika deri ku ai depertoi ne Iliri. Ishte kot, se ai nuk kishte lujatur mendesh tu futej ferrave per te dale deri maje atij mali ku nuk banonte njeri. Kisha e atjeshme eshte shume e vone. Aty afer ka edhe nje fshat me emrin Shenmëri, por edhe kjo nuk duhet interpretuar se nena e Krishtit ka ardhur deri aty per tu fshehur nga Herodi i Madh.
Jane topônime te vona.
Citim nga libri i pambaruar i Thomas Arnold, “Historia e Romës” kur i referohet Ilirisë Romake (barbare) në linkun e sjellë me parë: “… kjo është një nga pjesët fatkeqe të Tokës, megjithëse ngjitur me civilizimin mbeti përherë barbare”.
Pastaj vazhdon: “… deri tash i mungojnë njerëzit me emër dhe lidhjet fisnike”.
Ndërkohë poeti rilindas shkruante “… një zojë e randë, burrat e dheut të thirrshin nanë”, ndoshta si kontrapunkt parodik kombëtar. 🙂
Duke iu kthyer edhe një herë temës së shkrimit, ndërkohë që ideja se Pali kaloi ne truallin e Shqipërisë së sotme, nuk i bën kurrsesi të parët e mundshëm të shqipëfolësve të sotëm, konvertët e hershëm të krishtërimit.
Mendoj se mbetjet latine të gjuhës ekleziaste shpjegohen me kohën, kur feja e Konstandinit u bë feja zyrtare e Romës dhe shqiptarët kristianë ishin nga rradhët e barbarëve te fisshëm.
Disa zera thonë që ishte gjeja më e keqe që i ndodhi krishtërimit, zyrtarizimi nën spektrin e këtij perandori.
Lidhur me punën misionare të Palit, gjuhën dhe predikimet e tij, desha të ndaj një informacion.
Qëlloi që libri qe sapo kalova në duar “Zealot -The life and time of Jesus of Nazareth” i autorit Reza Aslan, ka dy kapitujt e fundit, veçanërisht rreth rolit të Palit në përhapjen e Krishtërimit.
Ështe një libër që ka ngjallur interes sidomos pas një interviste te animuar të autorit Reza Aslan në FoxNews. Intervista shkaktoi katapultimin e librit, në Amazon dhe B&N, në vendin e parë. Libri riviziton nën një këndvështrim krejt të ndryshëm (duhet thene revizionues), bile kundërvënës ndaj asaj çka pranohet prej shumicës krishtere si histori e Jezu Krishtit; Jezusin historik, duke e ndarë prej Krishtit të krijuar si figurë e krishterimit kryesisht prej predikimeve të Palit.
Pali ishte pjesë e Diasporës hebre, që njihte shumë mirë greqishten letrare edhe koine-n. Si qytetar romak lëvizte lirshëm nëpër qendrat tregtare për të predikuar gospelin e tij, si interpretim thjesht i tij, kryesisht anëtarëve të Diasporës hebre.
Tregon edhe për konfliktin midis Palit(si një apostull deri diku i vetëshpallur) dhe apostujve të tjerë si Pietrit(Peter) dhe Jakovit(James), 12-çes origjinale apostolike, si dishepujt e vërtetë dhe bashkëkohësit e Jezuit.
Dhjata e Re apo Testamenti i Ri është e shkruar tërësisht në greqisht (nuk qëndron tradita që do Ungjillin sipas Mateut të jetë shkruar fillimish aramaikisht dhe më pas greqisht) me një nivel gjuhësor jo të barabartë. Shkrimet e Shën Palit, që është dhe autor i rreth 56% të Dhjatës së Re (28% si autor vetë i katërmbëdhjetë letrave enciklike dhe 28% si burim dhe bashkautor i Shën Llukait në Aktet dhe në Ungjillin e këtij të fundit) kanë greqishten më të pasur dhe më të bukur çka dëshmon edhe për nivelin arsimor e kulturor të këtyre autorëve dhe nga ana tjetër shkrimet e Shën Gjonit, greqishtja e të cilit ka ardhur duke u përmirësuar në rendin kohor Zbulesë (e cila përmban shumë gabime e solicizma) – Letrat – Ungjilli (të cilat përbëjne dhe 19% të Dhjatës së Re).
Nga këto fakte, ku shikojmë si njerëz të thjeshtë, peshkatarë apo nëpunës të lartë dinin greqishten, ndonjëherë pa qenë edhe nënshtetas (qytetarë) romakë, arrijmë në konkluzionin se Palestina e kohëve të Krishtit ka qenë dygjuhëse me greqishten të flitet jo vetëm si gjuhë e dytë por shumë herë si gjuhë e vetme (të kujtoj këtu se përveç gjuhës, në Palestinë ishte në një nivel të madh e përhapur edhe onomastika greke që nga elita me Herodin, Arkelaun, Antipatrin etj deri tek populli i thjeshtë, me dishepujt e Krishtit, Andrean dhe Filipin). Gjuha greke ka qenë gjuha zyrtare (de facto) e Perandorisë Romake (me një shkëputje nga viti 284 – 610). Romakët në zonat e pushtuara përdornin përgjithësisht tre gjuhë, të parën greqishten, të dytën gjuhën vendase dhe të tretën latinishten. Kjo dëshmohet në shumë raste, por meqë flasim këtu për krishterimin, ju kujtoj tabelën që iu vu kryqit të Krishtit e cila u shkruajt hebraisht greqisht dhe latinisht (Gj. 19:20).
Palestina dygjuhëse, por edhe vetë fakti që Dhjata e Vjetër në popullsinë hebraike kishte disa shekuj që lexohej edhe në greqisht (Septuaginta) tregon se helenizimi (të pajtën gjuhësisht0 i hebrejve ishte në një nivel të avancuar. Kjo dëshmohet edhe nga fakti se diaspora hebraike përdorte si gjuhë të parë greqishten. Kjo pikërisht del nga fakti se letrat e Apostujve janë në gjuhën greke. Dhe këtu i përgjigjem edhe Xhaxhait që pyeti se kujt i drejtohen këto letra, dhe i bashkohem Lyss-it se këto letra fillimisht kanë patur si marrës komunitetet hebraike të diasporës (sepse ndër to u përhapën të krishterët e parë). Pra, kur Shën Pali u drejtohet Romakëve, Korinthasve (këtu ka edhe një numër jo-hebre), Thesalonikasve, u drejtohet komuniteteve hebraike të diasporës në këto qytete.
Gradualisht, me rritjen e besimtarëve natyrisht lindi edhe nevoja për përhapjen e shkrimeve, duke arritur në një numër prej 11 gjuhësh (greqisht, latinisht, siriane, koptisht, etiopisht, persisht, iberisht (=gjeorgjiane), armenisht, gotisht, arabisht dhe sllavonisht). Lë literaturën e krishterë greke shkrimtarët janë rreth 1.000, kurse në latinishten (e cila si madhësi është trefishi i greqishtes) janë rreth 3.000. Duke hequr autorët e Dhjatës së re, literatura e krishterë e greqishtes fillon në vitin 107 me Ignatin kurse latinishtja rreth vitit 200 me Tertilianin, sirishtja rreth vitit 300 me Jakovin aka Afraatin dhe gjuhët e tjera fillojnë nga shekulli i IV deri në shekullin IX. Pse nuk përbën shqipja apo nëna e saj pjesë në listën e mësipërme? Mendimi im, që e kam shprehur edhe një herë tjetër në këtë blog, është se shqiptarët (apo paraardhësit e tyre) kur u bënë të krishterë kanë qenë subjekt të perandorisë dhe duke qenë të tillë nuk ka pasur nevojë për një përkthim në gjuhën e tyre. Popullsitë e tjera që përmanda nuk kanë qenë të nënshtruar nga roma ose kanë qenë pjesërisht ose kanë qenë në skajet e perandorisë, kështu që përhapja e krishterimit nuk mund të bëhej në gjuhë tjetër përveç se asaj vendase.
PS, Lyss, nuk ka dëshmi që Shën Pjetri të ketë qenë kurrë në Romë, nuk qe kurrë peshkop (i parë i saj) dhe pas gjasash nuk dinte latinisht.
(pa lidhje; kush na shau nivelin e blogut? 😀 )
PS, Lyss, nuk ka dëshmi që Shën Pjetri të ketë qenë kurrë në Romë, nuk qe kurrë peshkop (i parë i saj) dhe pas gjasash nuk dinte latinisht…
Tan, po ma thua me kaq siguri kete pune sikur te qe fjala se Pjetri nuk ka njohur veprat e Mao Ce Dunit. Kur ka dale kjo? Per here te fundit kam qene para tre vjetesh ne Rome, po nuk me thane gje. Zbrita edhe poshte bazilikes dhe ciceroni u shpreh optimist se po i gjejne edhe varrin aty poshte. Shame Neronin dhe ikem. Tani e paskan ndërruar hesapin.
Kam degjuar se ajo qe thua ti eshte teze e vjeter e protestanve, di qe e vetmja deshmi e pranise se tij ne Rome thote: Kisha e te zgjedhurve qe eshte ne Babilon, ju pershendet … (ketu me kusht qe si Babilon te nenkuptohet Roma e korruptuar si Babiloni i dikurshem… Ne rregull, hesapi ngaterrohet sepse Babiloni egzistonte ende ne ate kohe, por po qe se ka edhe gje tjeter veç ketyre, mos ngurro te me njoftosh.
(Ate qe ka qene peshkopi i pare, nuk e kam thëne une, mund te jete shpifje e atij qe na shan blogun!)
Edhe mua nuk më thanë gjë gjatë vizitës sime të fundit në Vatikan para gjashtë vitesh. Por nuk prisja që ciceroni të më thoshte për marifetet papike, se si përvetësoi papa titullin “pontifex maximus” apo edhe vetë titullin “papa”, si shtrëmbëruan vargjet Biblike për të nxjerrë primatin katolik midis Kishave, si ia dolën mbanë për shekuj me rrenat e pseudodonacioneve të Konstandinit, madje nuk prisja të më thoshte as për projeksionet pedofilike të “ëngjëllushëve” në artin e Rilindjes të cilat mbushin kishat e Romës (dhe jo vetëm).
Sigurisht që ka edhe diçka tjetër. Babilona e Pjetrit nuk është as Roma, as Babilona e Mesopotamisë. Është në fakt Babilona e Egjiptit (ish Memfis) ku kishin gjetur strehim shumica e krishterëve të parë gjatë trazirave në Palestinë (rebelimi i viteve 66-70). Për këtë Babilonë kemi shumë dëshmi, midis të cilave, Flav Josepin, Ptolemeun, Diodor Siqeliotin, Stefan Bizantin, Strabonin, Zosimin, Aktet e koncilit Konstandinopolian të vitit 880, Shën Athanasin, 5 papirë të Berlinit, 4 të Oksirinkut, 2 të Rylands, 2 të republikës Italiane PSI, një të Hibeh dhe një të Hamburgut hebraik. Kjo pra është e famshmja Babilonë e Pjetrit (1 Pj. 5:13). Tani, referencat ekzakte nuk i postoj enkas, pasi siç kishte thënë XhaXhai dikur, në një temë tjetër, ata që na kopjojnë të paktën të mos i gjejnë të gjitha gati. 😀
Harrova të shkruaj në komentin e parë se para Vulgatës së Jeronimit në latinisht përdorej Itala (aktualisht, emër konvencional për përkthimet para-Jeronimiane) e cila edhe pse përmban shumë greqizma, në disa raste është ku e ku më lart se Vulgata (pa gabime trashanike që bën Jeronimi).
1-Gjasat më të mëdha janë që shqipja të rrjedhë prej një dialekti të ilirishtes jugore; por kjo nuk do të thotë se ilirët që jetonin në brigjet e Adriatikut në lashtësi duan konsideruar vetvetiu si të parët tanë – meqë këta ilirë janë asimiluar, duke u greqizuar ose romanizuar, sipas rastit.
2-Përkundrazi, ilirët prej të cilëve vijmë nuk do të kenë jetuar në brigjet e Adriatikut, as do të kenë qenë në kontakt të ngushtë me helenët e kolonive të bregdetit dhe kulturën e tyre. Këta ilirë ndoshta do të na duhej t’i quanim, më mirë, të parët tanë gjuhësorë, për t’i dalluar nga të parët biologjikë ose gjenetikë.
Ne te vertete, nqs iliret e paragrafit 1 jane asimiluar dhe iliret e paragrafit 2 kane ardhur me vone e i kane asimiluar ne ilire, iliret e asimiluar ne greke e latine te paragrafit 1, atehere mund te thuhet qe edhe iliret e paragrafit 1 jane paraardhes biologjike.
Kjo eshte si me thene qe nqs shqiptarizohen malazezet e fisit te Kuçit, atehere edhe ata ish-malazeze behen paraardhes gjenetike te kuçjaneve.
Nga ana tjeter helenet e bregdetit, jane vetem te Durresit e Apolonise, meqe Vlora, Lezha, Ulqini e Budua kane qene ilire DOCG ( Denominazione di origine controllata e garantita), gjithnje duke harruar periferine ilire te atyre dy qyteteve.
Gjithsesi, nje gje eshte kur jane krishterizuar iliret e pare e tjeter gje kur kane qene shumica, e cila mundeson nderhyrjen masive ne gjuhe.
Kur Krishterimi u be feja zyrtare ne P.Romake eshte llogaritur se vetem 10% e banoreve te Perandorise ishin te krishtere. Llogjika ta do qe ne kohen e greqishtes numri i te krishtereve ishte i paperfillshem per te mundesuar nderhyrje thelbesore ne gjuhe.
Mua më intereson më shumë pasardhja kulturore (gjuhësore), se ajo biologjike. Biologjia na nxjerr gjenetikisht shumë të afërt me italianët dhe grekët, por gjuhët i kemi krejt të ndryshme mes nesh.
Sigurisht qe nuk mund te pretendohet pasardhje kulturoro-gjuhesore nga hebrejte te cileve u predikuan apostujt e pare ne Iliri, sepse sikunder dihet te krishteret e pare ishin hebrej, madje krishterimi njihej si sekt hebraik e ne diaspore te krishtereve u hapnin dyert e sinagogave.
Po ashtu perqindja shume e ulet e te krishtereve gjate 2-3 shekujve te pare te ndikimit grek, vendodhja e tyre ne periferite e qyteteve,statusi i ulet, e ben shume te veshtire nje nderhyrje te qendrueshme ne gjuhe, e me peripecite historike te mevonshme, eshte si te kerkosh gjilperen ne mullar.
Keto gjera jane thene e kunderthene shpesh ketu, por me terhoqi vemendjen pohimi se : “Biologjia na nxjerr gjenetikisht shumë të afërt me italianët dhe grekët, ”
Qe do te thote se te paret e shqiptareve kane qene prane te pareve te grekerve e italianeve, bile ne kontakt me ta.Gjenetika operon me epoka , bile as 500 vjet nuk mjaftojne, perndryshe do te ishim te afert me turqit.
Por ,meqe eshte rasti, shkurtimisht nja dy opinione:
Mungesa e terminologjise fetare prej greqishtes ne shqipen ka edhe shpjegime te tjera .
Se pari nuk provohet katerciperisht qe Pali(Sauli) te kete qene ne trojet e te pareve te shqiptareve te sotem. Illyricum ishte nje krahine e gjere. Cilen Apoloni permend ai, ne lindje apo perendim , nuk ka nje pergjigje te prere ende. Nese Pali nuk ka predikuar tek ata ilire qe do te shndrroheshin me pas ne arber e shqiptare, atehere te paret e shqiptareve nuk jane ungjillezuar qe heret . Dhe pra eshte e kote te kerkojme terminologji fetare prej greqishtes. Nese keshtu, kjo mungese nuk do te perbente argument per te perfunduar se pararendesit e shqiptareve nuk kane qene ne afersi e kontakt me helenet e latinet.
Nga ana tjeter, edhe po te kete qene ne keto ane,nuk ka arsye te mjaftueshme per te besuar se aktiviteti i Palit ka qene doemos i suksesshem, aq i suksesshem sa sot te kishim trasheguar ne mase terminologji fetare ne greqishte.
Sidomos po te kemi parasysh se Pali predikonte ne diasporen hebraike dhe atehere difuzioni terminologjise ne paraardhesit e shqiptareve , natyrshem do te kishte rrjedhje e humbje , e bile mund te mos ngjiste fare.
Sidoqofte parakushti,pra prania e nje diaspore hebraike ne trojet e te pareve tane, duket se ka egzistuar.
Ne bregdetin e Jonit toponimet Oricum( Jericho?), Palase( vjtr.Palaeste e ngjashme me Palestine), Galile(toponim ne Himare),mikrotoponimet e Fterres, Finiq(Phoenike), qe dihet se jane te lashta, besohet se shpjegohen me mire me gjuhen aramaike. Mund te permenden ketu mozaiket e Onhesmit (Sarandes) me motive te krishterimit te hershem. Apo edhe ruajtja te shqiptaret e kultit hebraik te numrit 40 (“te dyzetat” e te vdekurit, 40 ditet e lehonise,ka te ngjare edhe vete emertimi i Sarandes), ndonje deshmi tregimtare si ajo historianit romak Flavius ,pa u zgjatur ne te dhena te tjera, flet per pranine e nje diaspore te lashte hebraike ne jug te Shqiperise.
Kjo trashegimi e lashte hebraike ne shqiptaret e sotem tregon se te paret e tyre kane qene ne kontakt me ate diaspore ne rajonin e bregdetit jonian te shqiperise.
Sigurisht pritej qe te kishin trasheguar edhe terminologjine fetare ne greqisht, me kushtin qe kjo diaspore hebraike te ishte ungjillezuar qe heret.
Ne te vertete nuk eshte nje tabula rasa edhe ne kete drejtim
Se pari ne ato huazime te lashta prej greqishtes( rreth 30) vleresohet edhe :’bagëm’ (pagezim)< baptisma. (Mihaesku,Cabej)
Ky term me karakter fetar eshte huazuar direkt prej greqishtes pa ndermjetsine e latinishtes sic ndodh psh ne rastin e kuçeder<chersydrus(lat)<chersydros(gr,vj.)
Por mund te permendet edhe 'munshtir'(manastir) si e lashte per shkak te "sh" ,ose edhe 'klogjën' si e gegnishtes.
Mbase duhen pare edhe 'ikone'(='kore' me e vjeter), 'potir' per qelq te latinishtes.
Po ashtu duhet nje shpjegim per termat kishtare lindore 'Ujet e bekuar','Java e madhe' , qe perdoren edhe sot ne Veriun katolik.
Perse ka kaq pak krahasuar me latinishten, duket e arsyeshme te ndiqet po ajo logjike qe shpjegon supermacine e huazimeve latine ndaj gr, se vjeter.
Nderkohe sipas Shuflait krishterimi hyri ne Shqiperi prej Italise dhe pikerisht nepermjet Durresit.
Kurse Jireçek,( perkunder negativizmit konstant te Lyss) ka shkruar: " Karakteristike dalluese e hapesires shqiptare ne Mesjeten e hershme ka qene urbanizmi i saj mjaft i zhvilluar."
Ne kohen e predikimit te Shen Palit, nuk mund te flitet per Iliri (rajon gjeografik), por per Ilirik (rajon administrativ); dhe Iliriku fillonte ne veri aty ku mbaronte Maqedonia, dmth prane Lissit. Per kete mjafton ti referohemi ndarjeve administrative romake te shek I es, dhe ca me pas Gjeografise se Ptolemeut dhe hartave te tij te shek II es. Ne kete kuptim, fjalet “deri ne Ilirik” nenkuptojne nje predikim deri ne kufijte veriore te Maqedonise; e te pakten sa i perket Maqedonise Perendimore, ne nje truall qe perfshin Shqiperine e sotme te Mesme. Pra edhe territorin e Albaneve, diku “ne shpine te Durresit”.