Nuk do të ishte keq të zbrisnim ndonjëherë nga lartësitë e retorikës kombëtariste, të strategjisë së integrimit në Europë e të zhvillimit të Ballkanit, për të parë zbatimin e fjalëve të mëdha që shprehen nëpër simpoziume ndërkombëtare, forume interneti, apo kafene shqiptare.
Pavarësisht se projekti i kombëtarizmit, që flet për bashkimin e trojeve shqiptare, ai i integrimit shqiptar në Europë, që e sheh Shqipërinë e Kosovën brenda kuadrit të BE-së, ose projekti i marrëdhënieve ndërballkanike, që synon zhvillimin e Ballkanit duke rritur komunikimet e vendeve të gadishullit, janë të ndryshme mes tyre, të gjitha duhej të priteshin e të takoheshin tek komunikimi mes kryeqyteteve Prishtinë e Tiranë. Me fjalë të tjera, cilido qoftë synimi politik, cilido qoftë aspirata përfundimtare, përforcimi i lidhjeve midis dy kryeqyteteve duhet të ishte përparësi.
Si janë të lidhura aktualisht Tirana me Prishtinën? Kryesisht nëpërmjet aksit rrugor drejt Kukësit, ose ndryshe nëpërmjet “Rrugës së Kombit”. Në mungesë të detit, tiranasit ose prishtinasit, për të kaluar nga kryeqyteti në kryeqytet, duhet t’i hipin automjeteve e të përshkojnë rrugën e njohur. Përveç automjeteve private, rruga rrihet shpesh nga autobusët e gjithfarë linjave që lidhin dy vendet e dy kryeqytetet. Me çmime biletash në përgjithësi të arsyeshme.
Meqë jemi në epokën e shpejtësisë, kur fluturimet low cost me avion po shtohen dita ditës, normalisht duhet të kishte shumë fluturime nga Rinasi në Prishtinë. Nga disa dëshmi, mësova se fluturime të tilla janë të pakta, ndonjëherë tejet të kushtueshme. Për një verifikim të shpejtë mund të shihet faqja e internetit e aeroportit Nënë Tereza (Rinas) ku mund të shihet me habi se fluturime drejt Prishtinës ka vetëm tri ditë në javë. Vetëm tre fluturime.
Nuk ka pikë dyshimi se, nga pikëpamja e transportit ajror, dy kryeqytetet tona janë më të hapura drejt botës se sa mes tyre. Në fakt, drejt Prishtinës mund të shkosh më kollaj nga një qytet europian se sa nga Tirana. Vlen natyrisht edhe e kundërta, prishtinasit e kanë më të lehtë të shkojnë jashtë shtetit se sa në Tiranë. Nga Rinasi ka më shumë fluturime drejt Lubjanës, Pizës e Firences se sa drejt Prishtinës. E njëjta gjë, pak a shumë, vihet re në aeroportin Adem Jashari, ku nisen plot fluturime drejt Gjermanisë e Zvicrës, por shumë pak drejt Tiranës. Po ta studionim rajonin ekskluzivisht nëpërmjet lëvizjeve ajrore, do të vinim re se Shqipëria e Kosova i kanë kokat e kthyera më shumë drejt vendeve të tjera, se sa mes tyre.
Fluturimet kanë të bëjnë natyrisht me tregun e transportit ajror. Është e qartë që fluturimet drejt Prishtinës nga vende si Zvicra shpjegohen me lëvizjet nga ai vend, falë emigracionit historik nga Kosova. Mund të thuhet e njëjta gjë për Shqipërinë për fluturimet drejt Italisë ose Greqisë. Çështje ekonomike, mund të thotë dikush. Kur nuk ka klientë të mjaftueshëm, nuk ka shërbime, sepse nuk është fitimprurëse. Mirëpo, fluturimet jo gjithnjë shpjegohen nëpërmjet tregut, edhe pse ky duhet ta kishte një logjikë të vetëm, për sa kohë një person do ta parapëlqente fluturimin prej gjysmë ore Tiranë/Prishtinë se sa disa orë të lodhshme me makinë, në rrugë pjesërisht jo edhe aq moderne.
Lidhjet e transportit kanë shpeshherë karakter strategjik, sikurse e ka “Rruga e Kombit”, ndaj jo gjithnjë u binden llogaritjeve të tregut, që fillimisht mund të jenë të paleverdishme. Në kësi rastesh, si edhe në vende të tjera, janë shtetet ato që e subvencionojnë transportin, për arsye nga më të ndryshmet. Ka vende që e financojnë transportin rrugor me vende të humbura malore, ku jetojnë pak veta, ose i ndihmojnë me fonde shoqëritë detare që të sigurojnë lidhjet me ishuj ku banojnë fare pak njerëz. Të tjera vende, shkojnë përtej arsyeve njerëzore, duke përdorur ato strategjike, që synojnë zhvillimin e shkëmbimit midis dy vendeve për objektiva afatgjate.
Si rrjedhim, asimetria e mospërputhja vihen re jo vetëm midis transportit rrugor e atij ajror, tërësisht në favor të të parit, por edhe midis retorikës e realitetit, dëshirës e zbatimit, fjalëve e veprave, për lidhjet midis Kosovës e Shqipërisë. Sa për zgjidhjet ose justifikimet teknike, ato nuk mungojnë asnjëherë.
Pishak, falenderoj per vemendjen ndaj temes. Me duhet te udhetoj çdo vit per Prishtine nga Tirana dhe ndiej mungesen e lidhjes me avion. Ne shkurt te ketij viti udhetova me avion, por dje pas shkrimit kontrollova dhe me duket se nuk ka snje fluturim direkt Tirane Prishtine. Nuk e kuptoj kete mungese “strategjike”. Dhe nuk kuptoj edhe justifikimin qe “tani kemi rrugen e kombit”. Tjeter eshte autobusi, tjeter avioni. Dhe le te llogarisim pasagjeret qe vijne me avion deri ne Rinas dhe aty marrin makinen, furgonin, ose autobusin per Prishtine. Para nje viti udhetova Tirane-Prishtine-Tirane: biletat te lira: 20 euro vajtje ardhje, ne mos gabohem. Tirane-Prishtine shkoi shume mire; fiks 4 ore. Kurse kthimi nje aventure/torture e paguar lire. Sapo dolem nga autostrada na zbriten nga autobusi dhe na rrasen ne nje mikrobus, dhe perfundova i pesti, ne nje ulese trivendeshe. Pa ajer te kondicionuar. Dhe pastaj per nja tri ore u verdallisem deri sa erdhem ne Tirane. Them u verdallisem se i rame verdalle nja dy here zones rreth aeroportit te Rinasit edhe pse asnje pasagjer nuk zbriti dhe nuk hipi aty.