nga Ina Arapi
Duke lexuar librin e fundit të z. A. Vehbiu me titull Kundër purizmit (Tiranë, 2012) më tërhoqi vëmendjen shkrimi Me miell hua, i cili trajton një problem të mprehtë aktual siç janë termat e programeve kompjuterike me të cilat konfrontohemi çdo ditë të gjithë. Përcaktimi përfundimtar i serisë së këtyre termave, të cilat aktualisht janë në rrugën e ngjizjes, do të jetë një proces shumë interesant për historinë dhe teorinë e terminologjisë shqipfolëse nëpërmjet të cilit do të rizbulojmë edhe njëherë atë anë të fshehtë, gati-gati mistike të gjuhës, në rastin konkret të gjuhës shqipe, që lidhet me atë çka ne e quajmë me një term jo fort të përshtatshëm pasurim i gjuhës.
Më konkretisht. Nga vëzhgimet e z. Vehbiu del se për të shprehur termat përkatëse në anglisht gjuha shqipe po përdor sidomos formimet analitike me foljen bëj + emër, si bëj save, bëj download etj. (autori sjell një listë të tërë të këtyre formimeve). Në këtë rast folja anglisht mbetet e pandryshuar, ndërsa funksionet gramatikore i merr përsipër folja shqipe bëj. Duhet të them se për mua këto ndërtime janë të panjohura. Ajo çka kam dëgjuar unë janë formime të tipit: sejvoj (sejvoje), search (nis kërkimin), downloadoj (downloadoje apo daunladoje), skanoj (skanoje), kopjoj (kopjoje) etj. në cilat foljet angleze ia janë përshtatur tërësisht sistemit foljor të shqipes. Këto dy përvoja të kundërta përbëjnë një fakt interesant, i cili dëshmon se si në fazën që unë do ta quaja fillestare gjuha provon disa alternative përpara se të fiksohet në mënyrë përfundimtare. Por kam dëgjuar të thuhet shpesh bëje Cc, një ndërtim që përkon me ato që përmend z. Vehbiu. Personalisht kam vështirësi të mëdha me termin forward, të cilin e përdor në këtë mënyrë: do të ta forward edhe ty, ma forward edhe mua.
Autori ka plotësisht të drejtë kur kërkon me këmbëngulje ndërhyrjen e specialistëve për të përcaktuar saktë e drejt terminologjinë. Kjo do të thotë se ish Sektori i Terminologjisë dhe i Kulturës së Gjuhës i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë duhet riaktivizuar patjetër dhe sa më shpejt. Veç kësaj duhet të botohet rregullisht edhe revista e këtij instituti Studime Filologjike, e cila pas viteve ’90 del në mënyrë të parregullt dhe me shumë vonesë. Kështu specialistët do të mund të ndihmonin që nga foljet angleze të integruara në sistemin foljor të shqipes të kalohej gradualisht të foljet thjesht shqipe, si p. sh. : ruaje për sejvoje, shkarkoje për downloadoje, shuaje për delete, shtoje, kopjoje etj. Për save kam dëgjuar të përdoret edhe folja memorizoj që ka në bazë emrin memorje, përgjithësisht i njohur për shtresat e shkolluara të shoqërisë shqiptare, meqenëse vjen nga gjuhët neolatine. Por nuk jam e sigurt nëse kjo është një zgjidhje e mirë, duke qenë se në shqip është fiksuar tashmë përfundimisht emri kujtesë, i cili konkurrohet ndonjëherë nga emri memorje. Duke pasur parasysh modelin sipas të cilit foljet angleze janë përshtatur në sistemin foljor të shqipes mendoj se fare mire mund të përfshihej këtu edhe folja shtoj (shtoje) për ang. paste, gjeje për find, zëvendësoje për replace, selektoje ose seleksionoje për select etj. Më e vështirë do të jetë puna e specialistëve për terma të tjera që përmend autori si reboot, refresh, scroll etj. për të cilat me sa duket do të mbeten formimet analitike me foljen bëj.
E vështirë do të jetë të gjendet një zgjidhje për anglishten mouse (prej studentëve të mi kam dëgjuar të përdorin trajtën gege mini). Por ajo çka dua të them është se me gjithë punën e specialistëve do të ketë edhe raste kur fjalën e fundit do ta thotë shqipfolësi i thjeshtë. Lidhur me këtë dua të përmend dy raste: njëri është pak më i hershëm dhe lidhet me fillimin e viteve 2000 kur unë punoja si lektore e shqipes në Universitetin e Vjenës. Atëhere shqipja kishte statusin e asaj që në gjerm. quhet Wahlfach, domethënë një lëndë që mund ta zgjidhje midis disa të tjerave. Unë u përpoqa e u përpoqa që të gjeja një përkthim adekuat për këtë fjalë, por nuk arrita në asnjë përfundim të kënaqshëm: lëndë zgjedhëse nuk shkonte, lëndë e zgjedhshme, lëndë që mund të zgjidhet?… Më së fundi e lashë fjalën në gjermanisht duke e ditur se kështu do ta kuptonin më mirë, kur ja që studentët e mi, kryesisht nga familje shqiptare jashtë Shqipërisë, pas një kohe shumë të shkurtër filluan të flisnin lirisht për një … lëndë zgjedhore. Pavarësisht se mua nuk më tingëlloi shumë bukur ky formim, ai u përhap aq shpejt sa unë s’mund të bëja më asgjë.
Një rast tjetër më bëri përshtypje para disa ditësh kur një grua në një emision televiziv përmendi fjalën ushqyes për karikuesin e celularëve. Shumë interesant ishte edhe mënyra se si e përdori ajo këtë fjalë. Gruaja, duke qenë e vetëdijshme se kjo fjalë s’ka zënë ende vend në ndërgjegjen gjuhësore të shqipfolësve, përdori në fillim termin karikues, pastaj e shpjegoi objektin me një perifrazë dhe së fundi shtoi fjalën ushqyes, “siç i themi ne” – tha ajo.
Paralelizmi që vendos A. Vehbiu me turqishten është i drejtë. Është e vërtetë se shumë fjalë turke nuk arritën të integrohen asnjëherë siç duhet në sistemin foljor ose emëror të gjuhës shqipe dhe megjithëse shprehje të tilla si bëju mukajet e marr yrysh përdoreshin dëndur dikur, fjalët mukajet e yrysh mbeten “si mish i huaj, leksikisht të izoluara” (fq. 157) në trupin e gjuhës shqipe. Mendoj se kjo është arsyesja se pse brezi i ri pothuajse nuk i përdor më këto fjalë. Kjo më bën të mendoj se ndoshta ka qenë pikërisht kjo papajtueshmëri që e lehtësoi procesin purist të iniciuar në peridhën e Rilindjes. Me sa kam kuptuar unë ka qenë i njëjti person, i famshmi Sami Frashëri, ai që përcaktoi të njëjtën rrugë edhe për gjuhën zyrtare të asaj kohe, osmanishten, e cila do të kthehej më pas në turqishte në radhë të parë nëpërmjet purizmit, domethënë mënjanimit të arabizmave e persizmave. Pra ky proces i zhvilluar në të dyja gjuhët e ka fillimin te i njëjti atë i përbashkët.
Ina ben mire qe na kujton se problemet e shqipes sot shkojne pertej zhurmes per standartin nderkohe qe institucionet e ngarkuar per tu kujdesur per te nuk ndihen askund ne hapsiren publike. Mos harrojme qe keto shkrime jane shfaqur ne kete hapsire qe ne 2008 edhe pse kam pershtypjen qe XH2 ka qene i vemendshem per keto shqetesime edhe me heret. Kane kaluar plot 5 vjete dhe asnje vemendje me shume drejt hapave te duhur, perfshi dhe shkrimin me siper qe fatkeqsisht eshte i tipit “degjomeni dhe mua”….
Ja dy shkrimet origjinale:
http://xhaxhai.wordpress.com/2008/07/05/me-miell-hua/
http://xhaxhai.wordpress.com/2008/07/05/me-miell-hua-ii/
Që në titull të bie në sy përdorimi i foljes ndihmëse bëj(me bë). Në se do të përdorej paskajorja dhe përdorimi ne alfabetin shqip, titulli do të fillonte “Me daunlod (ose daunlodoj)”.
Folja “bëj”(me bë) ashtu si edhe në anglisht “to do” mund të funksionoj si folje krejt më vete, e pavarur, kryesore, ose mund të jetë folje ndihmëse. Në anglisht edhe mund të thuhet “to (do) download(s)” – me bë shkarkim(e), por kur do të përcaktosh(përshkruash) veprimin thjesht, si folje thua, përdor “to download”(me shkarku) infinitive/paskajore.
Në anglisht folja to do përdoret si ndihmese, psh në rastin to do laundry(laj rrobat), to do exercise(me bë ushtrime të ndryshme), to do dishes(laj enët), etj.
Pyetja që mund të bëhet: Kur është e nevojshme, me korrekte, të përdoret thjesht infinitive/paskajorja duke përdorur një “me” që udhëheq(në krye) te foljes, pa nevojën e përdorimit të foljes ndihmëse , dhe kur duhet t’i bashkëngjitet folja ndihmesë bëj(me bë), si ne rastin ne fjale?
Apo të dyja mund të përdoren pa rezerva si zëvendësime korrekte të njëra-tjetrës?
Read me, problemi nuk ka të bëjë me paskajoren, aq më pak me paskajoren gege, por me integrimin e fjalëve të huazuara nga anglishtja në morfologjinë e shqipes, edhe të emrit edhe të foljes.
Kur dikush thotë sejvoj, e ka marrë anglishten to save dhe e ka futur, si ka mundur, në sistemin e foljeve shqipe me temë zanore (të zgjedhimit të parë).
Kur dikush thotë bëj save (bëj sejv) ka zgjedhur një rrugë tjetër, të cilën, deri 100 vjet më parë, shqipja e ndiqte me huazimet prej turqishtes.
Kjo rrugë është që funksionet gramatikore të foljes në fjali (shprehja e vetës, e kohës, e mënyrës, e numrit, e diatezës) t’i jepen një foljeje me kuptim leksikor të zbehur (p.sh. bëj), ndërsa kuptimin leksikor ta shprehë “rimorkioja” e foljes, e cila mbetet përndryshe mish i huaj në gjuhë.
Ti thua:
Kjo është e pasaktë, sepse folja to do, në togje të tilla si to do laundry, etj. nuk është folje ndihmëse, por folje normale e anglishtes.
Folja to do është folje ndihmëse kur përdoret për të krijuar fjali pyetëse, p.sh. Do you like tea?
Mjaft t’i hedhësh një sy faqes së Wiki-t për foljet ndihmëse (Auxiliary verbs), për t’u sqaruar.
Shkruan:
Kam frikë se kjo pyetje nuk ngre peshë për temën tonë. Paskajorja e tipit me shkarkue nuk përdoret në shqipen standard, prandaj edhe nuk ka arsye të pyesim se ku do të ishte më e përshtatshme të përdorej (më parë do të duhej të pranohej nga standardi). Po ashtu, folja bëj, në shqipen bëj like, bëj delete, nuk është folje ndihmëse; madje funksioni i saj është pikërisht t’i japë predikativitet një fjalie që, pa të, nuk arrin dot ta artikulojë foljen (askush nuk thotë dot lajkoj).
Kushedi pyetja “që mund të bëhet” është nëse në shqipe bëj punë dhe punoj janë apo jo të barasvlershme. Natyrisht mund të bëhet kjo pyetje, por jo në kontekstin e këtij diskutimi, meqë emri punë, në shqipe, është i integruar si s’ka më mirë në sistemin emëror.
Tema është vërtet teknike, por le të mos e ngatërrojmë kot lexuesin. Çështja e paskajores gege nuk ka vend këtu – flasim për të tjera gjëra.
A nuk do te qe me mire qe brenda kontekstit t’i perkthejme keshtu:
download-shkarkoj
save-ruaj
delete-shlyej(fshij)
find-gjej
select-perzgjedh
search-kerkoj
upload-ngarkoj etj.
Ndoshta s’eshte menyra me e mire,por keshtu ulim sado pak numrin e fjaleve te huaja,ndersa per rastet kur eshte e pamundur zevendesimi me fjalen shqipe,atehere te merret fjala e huaj,respektivisht te perdoret sipas shqiptimit origjinal te gjuhes perkatese.
Nje gjetje e bukur: “mini” per “mouse” !
Jeni duke folur qesim, zotërinj.
Terminologjia e Microsoft Windows tashmë është shqipëruar, dhe gjendet e gatshme dhe falas online, në shërbim të atyre që ia kanë nevojën.
http://www.microsoft.com/Language/en-US/Search.aspx
Ky shqipërim është bërë nga një grup specialistësh dhe, megjithëse unë kam rezervat e mia për ca zgjidhje, të cilat i kam shprehur në PTF prej kohësh, është miratuar tashmë zyrtarisht dhe duhet të ndiqet prej të gjithëve.
Dua të them se ju jeni kaq të painformuar për këto punë, sa nuk duket të keni gjë për t’i sjellë këtij debati, përveçse duke e lexuar.
XhaXha; “Kjo është e pasaktë, sepse folja to do, në togje të tilla si to do laundry, etj. nuk është folje ndihmëse, por folje normale e anglishtes.”
Pasaktësi është pak, por si variant diplomatik i fjalës gabim, nuk është keq. 🙂
Lajthitja ime si justifikim për sot mund të ketë edhe vapën, sepse ndryshe nuk mund të shpjegohet, përderisa si burim po përdorja about.com dhe shembujt i nxora pikërisht prej andej. Duke lëne mënjanë lapsusin “ndihmëse” dhe duke e zëvendësuar me “kryesore” fjalia ime e mëparshme do te shkruhej si më poshtë:
“Folja “bëj”(me bë) ashtu si edhe në anglisht “to do” mund të funksionoj si folje krejt më vete, e pavarur, kryesore, ose mund të jetë folje ndihmëse…
Në anglisht folja to do përdoret si kryesore, psh në rastin to do laundry(laj rrobat), to do exercise(me bë ushtrime të ndryshme), to do dishes(laj enët), etj.”
Por në retrospektive mendoj se lapsusi në përdorimin e termit “folje ndihmëse”, që në hapje e në vazhdim të komentit tim, mund të ketë një arsye fare të thjeshte: faktin që na është gdhendur në tru shumë herët që folja bëj “është një nga tre foljet ndihmëse” (auxiliary verbs: to be, to do dhe to have).
XhaXha: “…madje funksioni i saj është pikërisht t’i japë predikativitet një fjalie që, pa të, nuk arrin dot ta artikulojë foljen (askush nuk thotë dot lajkoj).”
Pikërisht shembulli që sjell “bëj like” është një nga shembujt që ka të ngjashme në anglisht “to do laundry”, “to do dishes”, dhe u soll nga unë pikërisht për të ilustruar idenë, se me një grup foljesh, nuk ka se si mund të veprohet ndryshe, pa përdorur foljen to do(e ngjashmja me “bëj” në shqip) si bartese kryesore e aksionit.
Këtë gjë ti e kapur, pavarësisht lapsusit tim. Prandaj, përse të thuhet “bëj daunlod”, kur mund të thuhet “me daunlod”(për të daunlodur, po shkoj të daunlod, etj), apo “daunlodoj” siç thuhet “skanoj”, si dy folje angleze që edhe mund të përdoren në variantin e shqipes.
Megjithatë në se dikujt i pëlqen të përdorë një formë, apo një tjetër, unë mendoj se historia nuk do ta gjykojë kaq rëndë.
Sjellja e formes te paskajores, ndoshta nuk shumë pjesë e rëndësishme e lidhur me shkrimin e IA, por përjashtimi i saj besoj së nuk është i përjetshëm(po i çelen arkapijat siç mund të shprehej Migjeni) dhe do të ndihmonte temën në fjalë.