Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Diaspora / Sociologji

KËPUCARI I ARDHUR

Figure di calzolai con un cliente - Giacomo Ceruti (1698-1767)Nuk e kisha menduar kurrë se tek dyqani i këpucarit të lagjes në Tiranë, ku shkova për të ndrequr diçka, do të gjeja diçka më shumë se aromë mastiçi e profesionalizëm zejtari. Tek rregullonte sendin që i kisha çuar, shpeshherë pa i ngritur sytë nga puna, më tregoi shumë gjëra interesante, që më bënë të mendohem.

Për ekonominë bindjet i kishte të themelta. Bota do të ketë gjithnjë nevojë për zejtarë, pra për artizanë si puna ime. Sado të ecë përpara teknologjia, puna e dorës nuk do të zhduket kurrë. Ka qenë, është e do të jetë. Mirëpo Shqipëria është marrosur pas diplomave. Njerëzit shkojnë nëpër universitete për t’u bërë ekonomistë, juristë, inxhinierë, etj. Pastaj, të pangopur, rifillojnë shkollë tjetër të lartë për të marrë diplomën e dytë e të tretë, masterin, doktoraturën, specializimin… Pastaj nuk dinë të ngulin një gozhdë. Rrinë pa punë. Vendi ka nevojë për shkencëtarë, dakord, por edhe arkitekti duhet ta dijë si bëhet llaçi e si vihet tulla në mur. Si do ta projektojë vallë pallatin e ri kur nuk di se me ç’materiale bëhet?

Raportet me shtetin i kishte të qarta. Shteti shqiptar e ka mendjen vetëm tek taksat. Bashkisë nuk i intereson sa xhiro ke, i interesojnë paratë që derdh në arkat e saj. Sa më i vogël të jesh aq më shumë të marrin nëpër këmbë. Burokracia është e tmerrshme. Por ligjet duhen respektuar. Në vend ta korrigjojnë gabimin që kanë bërë për përllogaritjen e tatimeve, të thonë se duhet bërë kërkesë për rishikim, që do të shqyrtohet më pas nga një komision i posaçëm, por ndërkohë tatimet duhen paguar deri më një. Me një punishte të vogël prej pak metrash katrorë nuk bëhesh kurrë i pasur, por është punë e ndershme, që të lejon ta mbash frymën e familjen gjallë. Shteti nuk duhet t’i marrë frymën punishteve të vogla.

Kthimi nga emigracioni e kishte prekur thellë. Të kthehesh pas njëzet vjet emigracion është e vështirë. Integrimi në Shqipëri, për të kthyerit, nuk është i lehtë. Po të shkosh në zyrat e punës për emigrantët e ndjen veten të poshtëruar. Nuk ta var kurrkush. Madje të pyesin përse je kthyer e ta përplasin derën në fytyrë pa të dhënë zgjidhje. Unë kam tetë muaj që jam kthyer nga Greqia, për një sërë arsyesh familjare, dhe kam hapur këtë dyqan të vogël. Po përpiqem të ecë përpara. Shumë emigrantë në Greqi duan të kthehen, se ka krizë e papunësi, por preferojnë të jetojnë të fundit atje, se sa të vijnë këtu në Shqipëri. Përse? Le të marrim shëndetësinë. Emigrantët e dinë se sado të jetojnë keq jashtë shtetit, të paktën po u sëmurën nuk përfundojnë keq. Dikush i mjekon dhe kujdeset për ta. Këtu të merr lumi. Unë të gjitha kursimet nga jashtë e çka fitoj këtu, i harxhova për shëndetin, edhe pse ende nuk kam mbaruar punë.

Për politikën nuk kishte mendim të mirë. Shqipëria ka ndryshuar? Për shumë gjëra jo për mirë. Njerëzit kanë frikë të flasin për politikë, se politika gjendet kudo. Unë jo. Bukën e fitoj me djersë, duke rregulluar këpucë e çanta. Politikën e ndjek me shumë kujdes. Në zgjedhjet e fundit njerëzit thoshin se do të votonin aksh parti e pastaj e hodhën votën për dikë tjetër. Njerëzit duhet të kenë guxim, kurse politika nuk duhet të thotë gënjeshtra e të japë premtime që nuk i mban dot.

Për mediat shqiptare kishte shumë kritika. Mediat duhet të jenë në oponencë me pushtetin, duhet ta kundërshtojnë me çdo mënyrë. Këtu mediat janë ndarë në dy palë. Ka gazeta e televizione që mbrojnë njërën palë, ka të tjera që mbrojnë palën tjetër. Gazetarët duhet t’i kontrollojnë politikanët, që të mos bëjnë si të duan, jo t’i thurin lavde siç ndodh në Shqipëri. Po kështu shoqatat e sindikatat që nuk funksionojnë siç duhet, sepse duhet ta ngrenë me forcë zërin e tyre. Politika duhet ta ndjejë kontrollin që i vjen nga të gjitha anët.

Kur ma ktheu sendin e ndrequr për mrekulli, bashkë me çmimin, më rrëfeu se ishte penduar për kthimin në vendlindje. Më erdhi shumë keq, se unë ndërkohë, në mendjen time, e kisha futur në kategorinë e kthimit të trurit, pavarësisht se nuk isha tërësisht dakord me mendimet e tij. Se Shqipërisë i lipset vërtet kthimi i shkencëtarëve nga jashtë, por ndoshta më shumë i duhet kthimi i qytetarëve.

Pa Komente

  1. Një plotësim i goditur nga Pishaku i temës së këpucarit. Dy gjëra që më tërhoqën me tepër dhe ishin nxjerrë bukur në pah janë 1. pohimi i zanatçiut se artizanati do të vazhdojë, pra nuk i ka ardhur fundi; 2. këpucari duke emigruar jashtë ishte konvertuar në një lloj qytetari të botës; kishte fituar një qytetari të vërtetë, ku syri i tij i stërvitur në një lloj tjetër demokracie dhe ekonomia, bën siç duhet kritikun e gjërave që nuk shkojnë, stonojnë në Shqipëri.

    Por a kishte përparuar në profesion këpucari(si kthim mbrapa i trurit)? Këtë se dimë. Por duhet të bëhet dallimi nga këpucari si riparues, ndreqës këpucësh, në artizanin që prodhon këpucë, këpucë-bërësin(eng. shoemaker; germ. shuhmacher, pa e ngatërruar me lojtarin gjerman).

    Këpucarët për të cilin po flasim, më shumë njihen në rolin e ndreqësit, riparuesit, meremetuesit të këpucëve apo sendeve të tjera prej lëkure apo inkeliti(mu kujtua kjo fjala e përdorur në Shqipëri dikur, që bie në kategorinë e materialeve llustrafin “man-made”).

    Mendoj se është dallim i rëndësishëm, sepse këpucarët historikisht në Shqipërinë që njohim ne, nuk kanë qenë në përgjithësi shumë të sofistikuar, në rastin më të mirë kanë prodhuar opinga apo nallane. Por ka informacion të besueshëm, se ka pasur artizanë të mirë si në ornamentistikë, të kombinuar me prodhimin e armëve, kostumeve kombëtare, etj.

    Fjala artizan është huazuar nga franko-italishtja artisan/artigiano dhe përtej në kohë nga latinishtja artes (arti duke derivuar artensis).

    I përmend gjithë këto, për të dalë tek ideja se artizanët janë një lloj kombinimi i njeriut që zanatin(craft-in) e tij e kthen në një lloj arti, i ndihmuar jo vetëm nga duart, por edhe nga teknologjia. Teknologjia ka qenë e mbetet një nga fjalët dhe aplikimet më problematike për shqiptarët, por jo për të tjerët.

    Në kohët që jetojmë, artizanati është një prodhimtari më vete shumë e lakmuar që lulëzon që nga prodhimi i jahteve luksoze, tek këpucët, atletet, raketat e tenisit, biçikletat, makinat e shtrenjta, sendet e çmuara, kristalet/qelqurinat, ornamentet, etj.

    Zakonisht atë çka quhet nga në shqiptarët “bërje me porosi”, në perëndim mbështillet nën termin “custom-made”. Rezultati, si prodhim artizan(por nëpërmjet një teknologjia shumë të avancuar ku dora e njeriut luan rol perseri primar), mund të jetë një kopje e vetme, unike,(varet nga xhepi i porositësit) apo në rastin më të zakonshëm, në disa dhjetëra apo qindra kopje as “a limited edition”(siç është ora ime e dorës qe ka dale nga perdorimi per shkak te celit). 🙂

    Pra kur flasim për zeje apo artizane, ka nga ata artizanë që prodhojnë këpucët apo bizhuteri unike për mbretëreshën e Anglisë, por ka edhe nga ata që prodhojnë opinga, mokasina apo thjesht nallane druri.

  2. Vertet: zanatciu ose shietsi i lagjes kane nje perspektive shume realiste per ngjarjet. Per mua gazetari me informativ dhe matesi me i mire i pulsit te nje qyteti qe vizitoj eshte zakonisht taksisti.

  3. Pishak, te lutem a mund te shpjegosh ç’do të thote të jesh qytetar dhe ç’do te thotë të jesh shkencëtar, (sigurisht në Shqipëri).
    Të falenderoj paraprakisht.
    Liljana

    1. Temën e qytetarit e kemi trajtuar gjatë në blog. Mund të konsultoni, midis të tjerash, këto shkrime: SHTETAS DHE QYTETARË dhe PATRIOTI SOT. Në shkrimin e mësipërm desha të them se Shqipërisë i duhen qytetarë, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, që shkon nga pjesëmarrja në jetën e bashkësisë dhe shprehja e vlerave pozitive, deri në sensin kritik dhe respektin e ligjeve. Nuk desha t’ia ul vlerën shkencëtarit (inxhinierit, arkitektit, etj.), i cili e ka monopolizuar prej kohësh vëmendjen publike, por të jesh “shkencëtar” nuk do të thotë automatikisht të jesh qytetar. Shqipëria ka nevojë edhe për qytetarë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin