Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji / Komunikim / Sociologji

KËPUCARI IM

këpucariPërse shkon njeriu tek këpucari? E thjeshtë: për të rregulluar këpucët, sandalet, çantën, rripin, e çdo send tjetër që ka lëkurë o lëndë të ngjashme me të. Personalisht, shkoj edhe për dy arsye të tjera. Më pëlqen era e mastiçit dhe puna e dorës.

Arsyeja e parë, me siguri është e lidhur me fëmijërinë, kur shkoja tek këpucari për të ndrequr shollën ose gomën e hapur për të satën herë. Era e mastiçit të kuqërremtë, e përzierë me erën e lëkurës, e gjithfarë produktesh të tjera, përfshirë bojën e këpucëve, m’i lezetonte hundët pa e kuptuar, ndërkohë që kishte njerëz që nuk i afroheshin dot dyqanit për të njëjtat motive.

Arsyeja e dytë, ka të bëjë ndoshta me qetësinë që të japin duart e çdo zejtari. Lëvizje të qeta e qetësuese, të sigurta e siguruese, të mësuara e mësuese. Mënyra se si e marrin në dorë këpucën, gati me përkëdhelje, si e rrotullojnë për t’i bërë diagnozën, me dhimbje e dashuri njëkohësisht, si e lëmojnë me gur smeril, me vendosmëri e kujdes, si e lyejnë me mastiç duke përdorur gishtat, si bukën me gjalpë, si e vendosin ngadalë mbi banak për t’u tharë, për të pushuar, si fëmijën në djep.

Në fëmijërinë time, në këpucari punonin nga një në disa vetë. Dyqani gumëzhinte nga zërat njerëzve e nga zhurmat e punës. Kishte dy lloj myshterinjsh: ata që linin këpucët për t’i rregulluar, duke caktuar datën e tërheqes, dhe ata që prisnin që t’i rregullonin në çast. Këta të fundit, ishin nga ata të kapur gafil nga sholla rebele, ose nga ndonjë vrimë pusete, ku përfundonin fatalisht takat e grave. Rrinin buzë banakut, të ulur në një stol të gjatë, si lejleku mbi një këmbë të mbathur. Prisnin me durim veprën e zanatçiut, që ndërkohë jepte edhe muhabet, herë klientit, herë kolegut. I mbrojtur nga përpërsja prej meshini, të njollosur nga zamka e bojëra shumështresore, jepte e merrte me thumba, çekiçë, darë, forma, mastiç, pafka, lëkura, thika, lidhëse, duke shkuar nga makina qepëse tek guri smeril, nga një cep tek tjetri, pa vonuar, por edhe pa nxitim.

Zakonish këpucari ishte komshi. Në mos i tillë ishte i njohur, gjithsesi fytyrë e pame. Rrallë herë të pyeste i kujt ishe, përndryshe t’i çonte të falat me emër e mbiemër. Kur në dyqan kishte vetëm një këpucar, në mungesë të klientëve të tjerë, bashkëbisedimi bëhej edhe më intim. Çfarë shkolle mbarove? U nis vëllai ushtar? Si u bë gjyshi? Gjithnjë kam menduar se këpucarët e njohin mirë lagjen ku punojnë, kryesisht njerëzit. Tek e fundit, atje shkojnë të gjithë, të kamur e të varfër, të rinj e të vjetër, burra e gra, djem e vajza. Kush për një arsye e kush për një tjetër, çojnë tek këpucari këpucët e preferuara, çantën e dhuruar, sandalet e vetme, rripin që shkon me kostumin.

Në Shqipërinë totalitare këpucari ishte figurë qendrore, sikurse berberi, vetëm se tek ky i fundit shkonin vetëm meshkujt, meqë femrat trajtoheshin në floktore. Arsyeja përse këpucaria ishte vend strategjik i shoqërisë së atëhershme duhet kërkuar në tiparet e ekonomisë së asaj kohe. Në ekonominë e centralizuar nuk kishte vend për konsumizëm. Me këpucët që të blinin duhet të kaloje vite të tëra, derisa këmba zmadhohej e të krijoheshin kallo të padurueshme. Për shkak të rrugëve të pashtruara mirë, mes ziftit e guriçkave, baltës e zhavorrit, si dhe mungesës së automjeteve private, këpucët përdoreshin tej mase, ndaj konsumoheshin shumë, sepse njerëzit ecnin kryesisht me këmbë. Këpucari ishte pikëpjekja tradicionale për këdo shqiptar të asaj kohe. Kushedi si e klasifikonin shoqërinë në bazë të këpucëve: shtresa e lëkurës së vërtetë, klasa e inkelitit, grupi i këpucëve të konsumuara…

Banakun e kam parë nga poshtë lart, drejtpërdrejt, e nga lart poshtë. Pra në të gjitha moshat. I shikoja me kureshtje se si i vinin thumbat një nga një, herë duke i nxjerrë nga goja, ku çuditërisht i linin në pritje të nguljes. Mastiçi ishte protagonisti i përhershëm, rreth të cilit ngriheshin mite çfarëdo. Mastiç special, i ardhur nga Gjermania Lindore. Por duhet lënë disa minuta më shumë të thahet. E shikon? Duket nga ngjyra që ka ardhur nga jashtë. Nuk kanë vdekje. Falë thumbave e mastiçit, e duarve të ustait, këpucët hynin të shqyera e dilnin fringo, hynin pa shpresë e dilnin gjithë jetë. A thua këpucët e shikonin këpucarin sikurse ne doktorin? Po thumbat e mastiçin, i shikonin si ne instrumentet e kirurgut?

Gjatë minutave të pritjes mësoje shumë gjëra. Të rejat për mëhallën, lindjet, vdekjet, martesat, dashuritë, aksidentet, komente për sportin, punën, e të tjera informacione. Asnjë koment për  politikën, përveçse nga fundi i totalitarizmit. Frika ishte e madhe. Po sikur dikush nga myshterinjtë të nxirrte ndonjë fjalë? Megjithatë, jam i bindur se mes një thumbi e një tjetër, ndonjë thumb ia hidhnin edhe politikës.

Kishte diçka edukative qëndrimi tek banaku i këpucarit. Së pari ishte e qartë se atje punohej. Puna e tij ishte e prekshme, konkrete, e dobishme. Lëvizjet tregonin durim, këmbëngulje, talent, art, dituri, vullnet, origjinalitet, pragmatizëm, traditë, respekt për njeriun, respekt për sendet, respekt për natyrën. Në përgjithësi dëshirë për punë. Këpucari pasqyronte qytetin e pasqyrohej tek qyteti, bënte pjesë e bëhej pjesë e bashkësisë ku jetonte. Kjo vlen edhe sot, pavarësisht se shumë gjëra kanë ndryshuar.

Për fat të keq, tani që logjika e konsumizmit na shtyn t’i hedhim këpucët e prishura, më shumë se sa t’i ndreqim, tani që sistemi na nxit të blejmë përherë gjëra të reja, ne humbasim edhe shansin të shkëmbejmë dy fjalë me këpucarin tonë. Personalisht, parapëlqej gjithnjë t’i rregulloj sendet tek këpucari, sidomos kur i kam pikë të dobët. E në rast se këpucari është fjalëpakë ose antipatik, më mbetet gjithnjë aroma e mastiçit dhe arti i zejtarit.

Pa Komente

  1. Nuk e di se deri ku kjo lidhje e vecante me kepucarin eshte edhe lidhje me kepucen. Une nuk i vleresoj pjeset e tjera ne “apparel” ashtu dhe aq sa kepucet: harxhoj shume per to, nuk i hedh kollaj, VAZHDOJ t’i coj tek kepucari si atehere kur kisha vec nje pale, i zgjedh, i mabj e i trajtoj me dashuri. Njoh edhe plot shqiptare te tjere me nje lidhje te ngjashme. Ndoshta mungesa e dhimbshme ne nje kohe te shkuar eshte shkaku i kesaj sjelljeje. Sajoheshin pantallonat, trikoja, fustani, perparesja e shkolles, madje edhe palltoja. Por ishte shume e veshtire te sajoheshin kepucet, sido qe provat nuk mungonin edhe aty. Une madje i kushtoj vemendje te vecante perzgjedhjes se kepucarit qe sot ne fakt eshte thjesht riparues. Kepucari im eshte rus dhe krenohet qe punonte si kepucar ne teatrin Bolshoj ne Moske. Besoj qe eshte e vertete. Kepucari im eshte gjysme i cmendur, e shpjegon boten vec nepermjet teorish konspirative, ben turshite e vet me laker dhe shan gjithcka amerikane, por ende prodhon kepuce nga fillimi ne fund, sido qe une zor t’ia vishja ato, flet per shollen dhe cilesite e saj si per trupin e nje te dashure belholle e me lekure te regjur bukur nga dielli dhe kripa e detit. Mezi flet anglisht, por i bie shume bukur kitares me gishtat me thonj te zinj. Nuk i bie per kedo dhe eshte armiqesor me klientet e u shan kepucet; per mua i bie dhe kendon kenge ruse si ato qe me kendonte ime me kur isha e vogel, sepse i pelqejne kepucet e mia. Thote “keto jane kepuce qe meritojne te riparohen… jo si ato plastiket e amerikaneve”. Nganjehere coj tim shoq ose vajzat me kepucet e mia, sepse s’kam kohe te degjoj 45 minutat e domosdoshme te Mikhailit pas cdo cuarjeje e marrjeje kepucesh. Kepucarit tim, shtepia e te cilit mban ere mastic e qelbet nga ererat e lekurave ne faza te ndryshme zhvillimi, i falimentoi biznesi i vogel, iu desh te punonte nga shtepia e jo dyqani, dhe tani humbi edhe shtepine dhe jeton nen meshiren e shoqatave te ndrsyhme qe bejne sikur duan ta shpetojne nga mizerabiliteti i ekonomise dhe profesionit te tij. Tani e kane braktisur te gjithe, gruaja dhe femijet. Jeton vertet ne gjendje cmendurie. Fati i tij dhe ai i profesionit qe ka ngjajne.

  2. Ke harruar dhe kepucet me porosi, ne raste dasmash ose ne ndonje rast tjeter. Vajtja disa here per te pyetur dhe te papriturat se ja edhe pak. Pata nje porosi nga Komiteti i Partise. ti e di si jane keto pune etj. Dhe prova. Shtrengimi pak te gishtat ose vrasja te thembrat. He se kalon. Njeri i ka mbajtur ketshtu tre vjet dhe nuk e ndjeu dhimbjen.
    Ilir

    1. E kam harruar se nuk kam bërë kurrë këpucë me porosi. Faleminderit që ma kujtove. Mbaj mend që i linin disa ditë në disa forma që mundoheshin t’i hapnin pak këpucët, por prapë se prapë kallo bëheshin

      1. Nuk e kuptoj dot, as edhe sot, pse dilnin gjithnjë të ngushta këpucët me porosi: si nuk dolën një herë të gjera xhanëm?

        Kushedi këpucarët merrnin parasysh që lëkura do të “hapej” me kalimin e kohës? Apo mos i importonin gjë kallëpet nga Franca, ku burrat i kanë këmbët shumë të ngushta?

        Gjithsesi, besoj se ishte ky defekt kategorik i produktit, që i bëri njerëzit të bien në dashuri me opingat dhe këpucët “me qepje”.

        (Unë sot e kësaj dite i kam pikë të dobët këpucët me qepje! Të tjerat nuk më bindin shumë, madje edhe kur përdorin zamkë të zhvilluar nga NASA, për aplikacione të hapësirës.)

        1. As unë nuk e di. Të gjithë ankoheshin nga këpucët me porosi. T’i vrisnin këmbët keq. Edhe unë vazhdoj t’i marr këpucët me qepje, përveç atyre që duhen për raste protokollare, që me përkufizim përdoren shumë rrallë, ndaj edhe hapen shumë shpejt. Në kësi rastesh ia vë fajin zamkës “kineze”, por pa të drejtë. Puna është se shpikje si spangoja një herë bën njerëzimi.

          1. une kepucet e para me porosi i kam bere kur isha ne gjimnaz. Me rrinin fiks fare… si te bera me porosi! Akoma i kujtoj.

  3. po mendoj per hierarkite mes kepucaresh… riparuesi i kepuceve (apo thuhej “ndreqesi”?), i ziu, ishte shume me poshte sesa ai qe punonte tek “Kepuce me porosi”. Pa zene me goje pastaj fakirin qe punonte ne Fabriken e Kepuceve dhe zgjohej ne saba, fuste buken e mbeshtjelle me gazete nen sqetull dhe shkonte to robtohej… cdo dite njelloj, derisa plakej dhe kish humbur cdo lloj aftesie krijuese e njerezore.

  4. I bukur pershkrimi, edhe sepse kujtova nje pjesezes te jetes time. Nga i gjithe shkrimi me ngacmoi me shume fjala “pafke”. Besoj se pafka duhet te ishte nje shpikje shqipetare ne menyre qe te evitohej sa te ishte e mundur konsumimi i sholles apo i gomes se kepuces. Njera pafke vendosej tek maja dhe tjetra ne fund tek themra. Une ne fakt asnjehere nuk i vura pafka kepuceve, por me kujtohet qe kisha disa shoke qe i perdornin regullisht. Cfare varferie.

    1. Ka pasur pafka (pafta), por ka pasur edhe progje – që viheshin si gozhdët. Të gjitha bënin zhurmë të madhe, sidomos kur ecje mbi pllaka ose çimento.

      Por shumë prej këpucëve që vishnim dikur ishin bërë për të ecur përjashta, jo si këto të tanishmet, që janë më shumë për të ecur brenda.

  5. M’u kujtua që im gjysh, i cili punonte përndryshe në bankë, kishte edhe një “takëm” me vegla këpucari në shtëpi – dhe i rregullonte vetë këpucët. Nuk di të them nëse kish punuar ndonjëherë në atë zanat, as ku e kish mësuar – por takëmin e kujtoj mirë, sepse forma prej hekuri, ku vihej këpuca për ta rregulluar, më pëlqente shumë dhe doja që t’ia merrja për të luajtur.

    I mbante të gjitha veglat dhe aksesorët në një valixhe prej druri, plumb të rëndë. Shpesh, riparimi i këpucës konsistonte në “vëri një gozhdë”. Gozhda duhej vënë me kujdes, se përndryshe dilte tej për tej dhe mund të hapte një vrimë edhe në themër. Mastiçi zakonisht nuk mbante, edhe pse erën e kishte të mirë.

    Një kujtim tjetër: te këpucari mund të riparoje edhe çantat, të cilat, sidomos të grave, shiteshin në galanteri.

    Dhe i fundit: veç të shkuarit te këpucari, gratë kishin edhe opsionin të riparonin çorapet prej najloni te një dyqan më vete, që s’e mbaj mend si quhej. Unë e mbaj mend, sepse shkoja atje, kur ende fëmijë, me time më; dhe mahnitesha me makinën që rregullonte çorapet, një lloj merimange elektrike (për nga funksioni, jo nga pamja), e cila ishte shumë më e sofistikuar se rezultati i punës që bënte.

    P.S. Dyqani i riparimit të çorapeve najlon nuk duhet ngatërruar me dyqanin e arnimeve speciale.

    P.P.S. Shapkat e NISH Gomës mund t’i riparoje edhe në gomisteri.

    1. Në vend të asaj makinës së vogël dhe shumë të çuditëshme, por edhe mjaft të admirueshme për nga rezultati final (fija e ikur e çorapes nuk dukej, pothuajse fare), unë, sot e asaj dite, përdor gjilpëra (ose më mirë grep) të madhësive të ndryshme për çorapet, të cilave u ka ikur ndonjë fije. Më tepër se sa nevojë për të riparuar getat, ndjej një lloj kënaqësie apo relaksi teksa merrem me to, pasi nuk është edhe aq e thjeshtë të riparosh me duart e tua një fije të hollë naylon-i tek getat, që të pëlqejnë aq shumë..! 🙂
      Dikur, kur ashtu si çdo gjë edhe çorapet e mira erdhën drejt zhdukjes, bëja edhe ndere…sot i kujtoj me nostalgji ato kohë!
      Shumë prej jush, ndoshta u kujtohen këpucët çeke apo hungareze, me të cilat, rreth mesit të viteve ’60 tregu ynë pati një sukses, edhe pse duhej të mbaje një rradhë të gjatë apo, kushedi, të kishe mikeshë apo t’i gjeje të paktën një mik shitëses ( 🙂 ), eh, ato ishin këpucët, te cilat mbaj mend t’i kem përdorur, pa i çuar asnjëherë te këpucari, deri sa këmba mu rrit e me keqardhje, i futa në një qese, për të bërë nder në fis, përndryshe, këpucët inkelite të prodhuara në Korçë, ato me lëkurë si të gjarpërit (me imitacion të luspave), kujtoj që më vrisnin shumë e ashtu i kam veshur, derisa u hapën, por jo më tek këpucari.. prej tyre, sot kam si kujtim prominencat indore tek thembrat.

  6. Dyqani i corapeve quhej “Riparime corapesh najloni”. Me duket sikur e shoh tabelen edhe tani, por mund t’ia fus edhe kot.
    Edhe mua me pelqente shume forma prej hekuri ku vendosej kepuca per t’u rregulluar: ishte e rende dhe e lemuar… dhe nuk e gjeje ne shitje askund. Me duket se nuk quhej kallep, se kallepi eshte ai qe hapej e mbyllej per te zgjeruar kepucet qe binin te ngushta.
    Interesant… s’e kisha degjuar kurre fjalen ‘progje’. Paftat as une s’i kam pasur, por ua mbaj mend mire formen. Nganjehere i gjeje ne rruge duke ecur. Koncept i afert me patkonjte. Mbatheshim si te ishim kuaj.

    1. Fjalën progje unë e kisha dëgjuar si proka; ashtu ka qenë përdorur në familje te ne. Por tani e pashë në fjalor që forma standard qenka prog, shumës progje. Nëse nuk gabohem, këpucëve me proka u kanë pasë thënë edhe këpucë me gozhdë.

    2. Forma prej hekuri quhej ‘tripod’ ose dhe trekembesh dhe kishte ne secilen kembe nje thember, nje shpute te madhe dhe nje shpute te vogel. Peshonte shume, anipse kepucari e mbante mbi nje suprine kompesate te vendosur siper kofsheve…

      Paftat dhe progjet me shume i preferonin djemte e rinj pasi u krijonin dhe ritem ne te ecur, si trok kuajsh te mbathur, duke tentuar per t’u terhequr vemendjen vajzave. Ne qeshnim me kukurisje sidomos kur ndonjerit i binte ndonje pafke nga konsumi i kokave te prokave, dhe ritmi prishej, taak-puuf…Dhe para se te shihnin djemkat ndonje grup vajzash i kalonin nje te ‘llustruar’ kepuces ne pjeses e pasme te pantallonave tek pulpa ne ecje e siper.

      Nga pantallonat m’u kujtua dhe zinxhiri qe qepej ne fund te parapetit te pantallonave…

      Si kuajt mbatheshim vertet, por kuajt i mbathin per te mos u demtuar kemba, kurse neve per te mos u konsumuar kepuca, te rronte gjate madje te trashegohej dhe tek tjetri…

      C’kemi hequr…

      I

  7. Me duhet te them se nje lajm i keq per kepucet e tua te preferuara qe ju kishte ardhur fundi dhe nuk kishte me materjal nga faqa e lekures (si pasoje e riparimeve te shumta) ishte kur kepucari te thoshte qe e vetmja alternative ishte qe t’ju “HIDHJE PSIDHE”. Ne shume raste pjesa e pasme e kepuces ose perndryshe ne gjuhen e kepucareve BUJETA vazhdonte te ishte ne gjendje te mire. Une vete nuk pranova asnjehere qe te beja psidhe pasi kisha pervojen e keqe te tim ati. Ajo sajese i shperfytyronte keqazi kepucet e tua te dashurai si nga mospershtatja e lekures ashtu edhe nga kallepi qe do ti jepte formen e re majes qe pa dyshim nuk ishte ajo e atyre te meparshme.

    Diku nga vitet e gjimnazit sepse me lindi deshira per te patur nje hekur kepucari ne shtepi. Me vone merresha me riparime modeste te kepuceve te familjes per hobby.

    Ditet e fundit te punes ne socializem i mbylla ne Fabriken e Kepuceve Tirane. Si perfundim u bera nje dashurues i artit te bukur te kepucarise. Sot koleksionoj.

    P.S. Kepuceve te shtrenjta me lekure siper dhe sholle poshte kur ju hidheshin gjysma, ustallaret perdornin thumba druri qe ishin kunja shkrepse te bera me maje dhe me pas rrafshoheshin me thike. Edhe sot dyshoj se sa e efektshme ishte metoda. Kepucari thoshte qe kunjat bymehen dhe zene vend.

    1. Po si jo! Sidomos ato te grave se burrat se me llustrafino me ngjanin si pushta. Shkodranet vdisnin per “kpuct lustrafin”. Ime me’ kishte nje pale shume te bukura te zeza; gjysem llustrafino gjysem kamosh, italjane te blera shtrenjte te dyqani me komision ne Pazarin e Ri. i mbaj mend si tani pasi ato e shoqeruan per shume vite. I kishte per nga njehere. Tre here ne vit.

      1. hahahah me kujtove shkodranet. Nuk e di pse por kishin ne pergjithesi shije te ndryshme per modelin e kepuceve nga ne te themi te Tiranes, Durresit apo Shqiperise se mesme, por edhe te jugut. Pelqenin shume kepucet me bira/vrima dhe mundesisht me ngjyra te celura si bezhe, ndonjehere edhe te bardha. Gjithashtu i mbanin xixe fare, pra ja benin shume yzmetin ne pastrim dhe lyerje. Por, me te degjuar e kam, ate pasterti dhe hijeshi qe tregonin ne veshje, nuk e kishin dhe aq ne arendimin e shtepise, apo te cilesise se gatimit.

      2. ‘Dyqani me komision’ me kujton dicka, por s’e kam te qarte. Por une mbaj mend ate te ‘valutes’. Nuk kam qene, por dija rrobat e sime meje qe ishin blere aty. Mbaj mend qe kepucet, fustanet dhe palltot e blera atje jetonin me dhjetevjecare. pastaj papritur shnderroheshin tek rrobaqepesi ne fustane e xhaketa te tjera per te tjere pjesetare te familjes, se “copa e mire, s’ka vdekje”.

        1. Dyqani me komision ka qenë një dyqan privat, ku shiteshin mallra të privatëve, dhe shitësi vetë mbante një komision. Për shembull, një person që merrte pako nga jashtë, mund t’i shiste plaçkat që i vinin, nëpërmjet këtij dyqani: këpucë, stofra, triko, fustane, pallto.

  8. @ presja: Mesa mbaj mend, dyqani me komision funksiononte keshtu. Kushdo qe kishte mallra, vecanerisht ato qe vinin nga dergesat e emigranteve i conte ne kete dyqan dhe pasi vlersoheshin i nxirnin ne shitje. Nuk jam i sigurte nese te zotit te mallit i jepeshin leket ne moment apo pas shitjes. Me duket se i jepeshin pas shitjes. Ai dyqan me kujtohet fare mire sepse vazhdoi deri aty rreth viteve te para te shtatedhjetave me vjetersira te mbetura syndyqeve. Ishte afer me gjimnazin dhe ne ndonje ore pushim i binim verdalle Pazarit te Ri. Me pas u mbyll si pasoje e revolucionarizimit te metejshem te jetes dhe “rrefuzimit” te mallrave qe dergonin te afermit nga ana tjeter e kufirit.

    @ ana: Ke te drejte. Shkodranet pelqenin shume kepucet ngjyre qumshti deri te bardha e me brima. Lere pastaj kur kombinoheshin me kostume po te bardha dhe kemisha me jaka te medha si Little Tony (RIP).

    1. Burrat shkodranë dhe lezhianë, në mos gabohem, kanë pasë preferuar edhe këpucë me taka relativisht të larta (si ato që mbante Sarkozy), dhe mundësisht pa lidhëse – loafers, u thonë në anglisht, në Shqipëri u kanë pasë thënë këpucë me llapë. Këpucë me asi farë takash nuk i gjeje kurrë në treg, vetëm me porosi mund t’i bëje.

      1. Kishte edhe ne Tirane tipa me taka te larta dhe me baseda te zgjatura. Rrinin zakonisht te reklamat e kinemave dhe visheshin me te zeza. Edhe keta te Tiranes ishin me prejardhje tersisht nga rrethinat. Mirpo shkodranet, ndoshta edhe lezhianet te cilet e kishim veshtire ti ndanim nga dialekti, spikatnin per shijet e tyre perndryshe te skajshme (crude). Zbritja e Vllaznise ne kryeqytet ishte sansi i tyre i arte per “show off”.

        Pervec Sarkozy-se kemi edhe Kreshnik Spahiun qe sporton kepuce me taka te larta. Te gjitha te tjerat i ka rregulliar me pelivanlleqe. Gjatesine me taka.

  9. Shkrimi i Pishakut ngjalli nostalgjinë e një kohe që në Shqipëri dha shpirt me zor. Shqiptarët ishin ekonomiqarë nga halli, i mballosnin këpucët duke perfeksionuar artin e arnimit dhe adaptimit si rrjedhoje e nivelit teknologjik dhe ekonomik që reflektonte varfërinë e tejskajshme të atij vendi.

    Ndërkohë shkrimi të bën te meditosh për vdekjen e disa profesioneve, zejeve, ndër to edhe të këpucarit si artizan. Ndonjë ditë do ta shohim të mbijetojë këpucëtari në ndonjë panair, apo në ndonjë riprodhim modern të fshatit apo qytetit historik ku imitohet tregu i artizanëve, pazaret e vjetër që në miniature i mësojnë njerëzve historinë se si jetonin dhe prodhonin njerëzit dikur.

    Desha të shtoj se zanati i këpucarit ishte ndër zanatet e pakta ku dilte diçka – në mos rridhte do të pikonte. Pra këpucari kishte një pushtet dhe autoritet të tijin; ia kishte nevojën edhe një rrogëtar i mirë, sepse këpucët nuk hidheshin ne plehra kollaj, vetëm pas një stazhi të gjatë disa vjeçar.

    Në Tiranë ishte Ndërmarrja e Riparim-Shërbimeve, nën çadrën e te cilës punonin edhe këpucarët që deri nga fundi i viteve 60te kishin mundur të punonin si privatë.

    Për këpucët shqiptare problemi më i madh kanë qenë shirat e dimrit, sepse pavarësisht se këpucët mund t’i kishim “me qafa”, kur ktheheshim në shtëpi do t’i venim të thaheshin poshtë sobës me dru përderisa uji në shumicën e rasteve kishte depërtuar brenda, bile lëkura e këpucës lëshonte bojën (e zezë) duke shkaktuar nxirjen e këmbëve nga boja. Duhet të laheshin mire me atë rast edhe këmbët. Lagja e tharja shkaktonte edhe deformime të formës, lëkurës së këpucëve. Pastaj herët në mëngjes duhet të lyheshin këpucët përsëri dhe kështu vazhdonte rituali i ditëve me shi dhe të ftohta të dimrit.

    1. Shkruan:

      Lagja e tharja shkaktonte edhe deformime të formës, lëkurës së këpucëve.

      Pa folur pastaj për deformimet e formës dhe të lëkurës së vetë këmbëve… 🙂

  10. Nostalgji varfanjakesh Pishak! Po carcafet e grisur qe i arnonim i mbani mend, po jorganet pe atllasi qe nuk vdisnin kurre, laj thaj; po perdet tyl te mballosura, po divanet dhe bufete te gjitha njesoj te gjitha bosh. Nga e gjithe kjo bisede po me duket sikur kam filluar te mbaje ere kembesh te futura ne qese, te
    lagura, plot kallo, gishterinj te shemtuar dhe te rrudhur, themra te frikshme te papastruara, shputa te gjera me kocka te dala jashte; corape grash te grisura me gishta jashte kepuce. Rradhe e madhe sot tek kepucari tha. Po pse kishte vetem burra kepucare xhanem, po grate qe i duan kepucet kaq shume pse jo?

  11. U përmendën shkodranët apo lezhianët, pekularitetet(veçantitë e çuditshme) e tyre në të veshur (ne një farë mënyre mund te kuptohet si ekzibicionizmi, ekstravaganca, mungesa e shijes dhe e masës, (ndoshta katunarllëku apo malokëria?) në veshje e shkodraneve apo lezhianëve(pra veriorëve) me kostumet ngjyrë qumështi, jakat e mëdha mbi xhaketa, tifozllëku i tyre i zhurmshëm e fodull), takat e larta, këpucët me llapa.

    Apo duke folur në përgjithësi, flokët dhe basetat e gjata, pafkat e progjet, ekstravaganca e disave që rrinin para reklamave të kinemave, apo që ndiqnin vajzat apo gjimnazistet dhe që fshinin me të pasmet e fundeve te pantallonave(të gjithë më duket se e kemi bërë sidomos para se të takoheshim me femrat) pluhurin e rrugëve të qyteteve.

    Të kujtojmë së ishte fundi i shtatëdhjetave e fillimi i tetëdhjetave.

    Kam kuriozitet të di a i ka parë ndonjëri ne ate kohe filmat e Travoltes si Saturday Night Fever(1977)? Ishte koha kur Travolta kërcente nën muzikën e Bee Gees (You Should Be Dancing, Stayin’ Alive, More Than a Woman, etc.), dhe kur mbërthente pas vetes vajzat e reja të dashuruara pas tij. Mund të shihni se ku i kishin moduluar, huazuar shijet e tyre atë te rinj shqiptarë që vishnin kostume krem apo te bardha, këpucë me llapa dhe me taka të larta e pafka, jaka te gjëra të kamishave mbi xhaketa, qofte edhe lëkure.

    http://www.youtube.com/watch?v=Cvl0iKbdV6A

    Përsëri të kujtojmë Travoltën në filmin Grease(1978), një tjetër tashmë klasik i kinemasë amerikane të fundit të viteve 70të. Stili i flokëve, basetat e gjata, flokët me brilantinë, këpucët me taka pafka dhe llapa, jakat e gjera, xhaketat lëkure apo të ndryshme të zeza, ndjekja e gjimnazisteve, gariplliku i të riut gati për zënka, dashuria e lirë dhe ndjenjat e dëlira, më një fjalë, liria dhe revolta e moshës se rinisë.

    Ndërkohë ne, shqiptarët, ishim rinia e aksioneve, mbledhjes së misrit, hapjes se brezareve, marshimeve natën nëpër terr për t’i dalë ne mbrojtje atdheut nga armiku imagjinar, qoftë kjo edhe moda dhe muzika që përhapte Travolta.

    Duket se pararoja e modës dhe kulturës apo sjelljes te lireshme rinore ishin pikërisht garipat(qoftë tiranas, shkodranë apo lezhianë, etj), që sfidonin ngurtësinë e sistemit, duke qenë më të avancuar, më me shije e fashionabël sipas tendencës së kohës, pa frike, pse jo, edhe me kurrajo civile, kundrejt shumicës, turmës “brainwashed” nën frikën, disiplinën dhe moralin proletar.

    Shqiptarët(ata që donin dhe kishin kurrajo) ndiqnin fshehurazi nëpërmjet kanoçeve të famshme dhe antenave të fshehta televizionin italian dhe jugosllav, por shkodranët sidomos ndiqnin atë jugosllav, sepse përforcuesit televizivë në Mal të Zi ishin shumë të fuqishëm.

    Travolta ishte pjesë e repertorit të filmave që nuk vononin të shfaqeshin në televizionet jugosllave. Në këtë mënyre hynte edhe në Shqipëri edhe moda prej ku e merrnin si shembull edhe pjesa tjetër e botës, kur fatkeqësisht shqiptarët ishin forcërisht të përjashtuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin