nga Ina Arapi
Para do kohe kam postuar në këtë blog disa përshtypje nga qëndrimi im në Jash të Rumanisë në kuadrin e një konference ballkanologjike. Duke parë që informacionet për aktivitetet albanologjike jashtë Shqipërisë janë të pamjaftueshme mendoj se nuk është pa interes që kjo përvojë të vazhdohet edhe më tej.
Në 6 dhe 7 maj 2013 u zhvillua në Torunj të Polonisë Konferenca Ndërkombëtare e Gjuhësisë Ballkanike (International Conference on Balkan Linguistics) që përfaqëson takimin e radhës të Komisionit Gjuhësor të Ballkanologjisë si pjesë e Komitetit Ndërkombëtar të Sllavistëve (Balkan Linguistics Commission at the International Committee of Slavicists). Polonia është prej katër vitesh anëtare e këtij komisioni.
Në Konferencë morën pjesë edhe anëtarë të Komisionit për Evropën Juglindore, Turqinë dhe Detin e Zi pranë Akademisë Austriake të Shkencave. Takimi u organizua nga Instituti i Filologjisë Sllave të Universitetit “Nikolla Koperniku”dhe Instituti i Studimeve Sllave të Akademisë Polake të Shkencave nën drejtimin e ballkanologes së njohur, prof. Irena Sawicka.
Temat kryesore ishin: marrëdhëniet e vjetra midis gjuhëve ballkanike dhe gjermanishtes, çështje teorike të gjuhësisë areale dhe trajtimi i konvergjencave të panjohura mes gjuhëve ballkanike.
Programi ishte i ngjeshur. Punimet u hapën ditën e hënë, më 6 maj, nga z. Jarosław Rosochacki, Konsull Nderi i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Poznan të Polonisë. Nëna e tij ka qenë elbasanase prej familes Dodbiba dhe ai është shumë krenar për këtë. Z. Rosochacki është historian, etnograf dhe përkthyes i gjuhës shqipe.
Pas tij në seancën e paradites u mbajtën kumtesat e mëposhtme: H. Schaller (German heritage in Balkan languages), Adrian Poruciuc (Clues to the chronology of Old germanic loans in Southeast Europen languages), S. Paliga (The origin of Slavic trъgъ, its circulation in some place-names. An analysis regarding the spread of trade across Europe), C. Leschber (Implications of macro-areal linguistics), A. N. Sobolev (Greek influence on Aromanian: new fields of convergenec) dhe M. Głuszkowski (Creolization and balkanization as a result of language (dialect) contact. Is the genesis of mixed languages universal?).
Në seancën e pasdites e morën fjalën këta pjesëmarrës: R. Ismajli (Dynamique des structures de l’albanais standard), I. Arapi (Albania at the end of the 17th century, seen through the theological and philosophical “Cuneus Prophetarum” Treaty of Pjeter Bogdani), L. Sejdiu-Rugova (The status of Albanian in the Presheve Valley), B. Rugova (The position and the status of languages in Kosova) dhe Xh. Ylli (Още веднъж за южнославянските лексикални заимствования в албанскиот яазик. (Според материалите на KBSA)). Dita e parë u mbyll me mbledhjen e Komisionit Gjuhësor të Ballkanologjisë dhe me një koktej me rastin e Pashkëve ortodokse.
Dita e dytë pati gjithashtu dy seanca. Në atë të paradites folën Dh. Qiriazi (Why Albanians don’t have their own letters? Greek attitudes toward neighbours’ languages during the 19th century), M. Morozova (Fields of convergence in a multilingual village community: a case of Zhovtneve (Karakurt), T. Klimkowski (La réduction vocalique dans les langues balkaniques) dhe A. Cychnerska (Iz problematike balkanske fonetike).
Pasdite e morën fjalë M. Makartsev (On official texts in Slavic dialects in Korcha region, Albania), A. Novik (Lexikon of mythology: areal studies in poly-lingual region of Azov sea), K. Koleva (Морфосинтаксис на един балкански тип числителни в западната периферия на българско-македонския ареал), T. Cychnerski (Dans quelle mesure la flexion roumaine et albanaise sont-elle convergentes?), A. Karasiński (Loss of infinitive in Serbian) dhe I. Sawicka (Syllabic patterns of South-Eastern Europe). Dy seanca ishin pothuajse krejtësisht për shqipen dhe kjo tregon interesin e madh që vazhdon të paraqesë kjo gjuhë për ballkalogjinë dhe sllavistikën.
Në përgjithësi takime të tilla janë të pëlqyeshme për studiuesit jo vetëm për referimet, por edhe për shkëmbimin e mendimeve dhe vendosjen e kontakteve midis tyre. Kështu gjatë ditëve të konferencës pata fatin të takohem jo vetëm me kolegët e mi të vjetër si Xhelal Ylli dhe Dhori Qiriazi, por edhe me kolegët kosovarë dhe rumunë. Gjatë pushimeve të konferencës dhe pas saj thellova njohjet e mia me kolegët gjermanë dhe ata rusë, polakë e bullgarë.
Torunji është një qytet i vogël, por shumë i bukur, i cili deri në Luftën e Parë Botërore ka qenë në Prusi. Shtrihet në breg të lumit Visla dhe ka ndërtesa historike me arkitekturë interesante si dhe shumë parqe të bukura. Torunji është një qytet universitar. Universiteti i Torunjit është ndër më të njohurit në Poloni. U habita kur mësova se në këtë Universitet ka edhe një degë të albanologjisë me një numër shumë të madh studentësh ku punojnë edhe dy lektorë shqiptarë. Në këtë degë mund të studiohet jo vetëm bakalaureat, por edhe master.
Katedrën e gjuhës shqipe këtu e ka themeluar gjuhëtari dhe albanologu i shquar polak W. Chimochowski, studimi i të cilit “Le dialecte de Dushmani” (Poznan 1951) është një vepër klasike e albanologjisë. Pas tij drejtimin e katedrës e mori prof. Irena Sawicka deri në vitin 2011 kur doli në pension dhe u angazhua me një projekt në Akademinë Polake të Shkencave. Ajo më thotë se studentët janë të kënaqur me degën e zgjedhur dhe punësohen sidomos në organizatat ndërkombëtare.
Jam e lumtur që nuk u largova me grupin e parë të mërkurën në mëngjes, por e shtyva qëndrimin tim deri në orën 14.00 pasdite, sepse kështu munda të vizitoj edhe Bibliotekën e Institutit të Filologjisë Sllave si dhe kampusin e Bibliotekën e Universitetit. Në librarinë e Universitetit kishte disa botime për historinë dhe letërsinë shqipe. Në përgjithësi më bëri përshtypje interesi që ekziston në Poloni për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Prof. Sawicka ka përgatitur tekstet bazë për mësimin e gjuhës dhe ka përkthyer pjesë nga historia e letërsisë shqipe të R. Elsie-t.
Për historinë specialisti më i njohur është Tadeusz Czekalski, i cili ka shkruar disa vepra për historinë e Shqipërisë. Njëra prej tyre merret me ndërtimin dhe funksionimin e aparatit shtetëror në një periudhë delikate, siç është ajo e viteve 1920-1924. Por ka edhe botime të tjera për ekonominë dhe kulturën shqiptare. Gjatë kësaj vizite mora vesh gjithashtu se në bibliotekën e këtij Instituti ishte ruajtur deri para pak kohësh edhe një ekzemplar i veprës së J. Varibobës “Gjella e shën Mërisë së Virgjër”. Nga ky libër nuk gjendet më asnjë kopje origjinale dhe kopja e Universitetit të Torunjit duhet të ketë qenë kopja e vetme e ruajtur deri sot, e cila për fat të keq edhe atje ka humbur.
Ditën e mërkurë qendrova në Varshavë. Kisha dëgjuar të flitej shumë për arkitekturën e periudhës komuniste, por derisa pashë Varshavën nuk kisha arritur ta kuptoj një gjë të tillë. Qyteti ka gjithashtu edhe një lagje qendrore, e cila është rindërtuar pas Luftës ashtu siç ka qenë më përpara. Varshava është një qytet shumë i madh. Këtu gjithçka të duket gjigande, ndërtesat, rrugët. Nga getoja e dikurshme, të cilën e kemi parë nëpër filma, s’ka mbetur më asgjë. Vetëm hyrja në geto shënohet nga një listelë (shirit) metali e vendosur në tokë.
Komunikimi me njerëzit është i mundimshëm, sepse vetëm brezi i ri flet anglisht. Kjo është shumë e vështirë për të huajt si unë që shkojnë për herë të parë atje. Por nuk duhen humbur shpresat. Mbasditen e së djelës, kur arrita pas një udhëtimi të lodhshëm me tren në orën 17.00 pasdite në Torunj, ishte Mateushi, një student, i cili më ndihmoi duke më falur një biletë autobusi, meqenëse unë nuk kisha zlloti me vete. Ndërsa të mërkurën pasdite kur po vërtitesha me gjithë valixhe rrugëve të Varshavës për të gjetur adresën e apartamentit ku do të banoja, i cili ishte zhdukur pothuajse fare në kantjerin e metrosë, m’u shfaq fati në figurën e një gazetari të Televizionit Polak, i cili m’u gjend pranë dhe më ndihmoi me shumë dashamirësi. Falenderoj gjithashtu edhe z. Shkëlzen Macukulli nga Ambasada jonë atje, i cili gjeti kohë të më shoqëronte gjatë darkës.
Me fal, Ina, po pata lexuar qe Dhori Qiriazi eshte ndare nga jeta ka ca kohe. Mund te jete ndonje lajm fals nga ato qe qarkullojne ne internet (kjo vetem sa ia shton ditet). Mund te jete ndonje adash, ndoshta. Per shembull Arben Dedja jane te pakten nje duzine (sipas listes te perditesuar te votuesve) dhe gjysma e tyre shkruajne vargje si puna ime (aktualisht, perveç moderatoreve s’dihet cili prej tyre po tani shkruan ketu).
Ndoshta e ke fjalën për poetin. Ky i Inës është gjuhëtar, dhe mjaft më i ri në moshë.