HIPER-E TASHMJA RELATIVE

nga Orges Hato

Para pak kohësh ndesha në shtjellimin e disa teorive politike mbi ‘mocionet e mosbesimit’ ndaj ekzekutivit qendror (qeverisë). Thelbi i strategjisë së mocioneve paradoksalisht nuk kishte të bënte fare me rrëzimin e qeverive sesa me errësimin e figurës së tyre tek votuesi.

Mocionet e Mosbesimit dështojnë në 95 përqind të rasteve. Por, ndërkohë që qeveritë kërkojnë t’u mbijetojnë atyre nëpërmjet garantimit të fuqisë aritmetike të shumicës në parlament, pikërisht vetë ky proces organizativ mbijetese është shkaku i dobësimit të tyre tek votuesi. Vetëmbrojtja është veti jo domosdoshmërisht e viktimës. Rrjedhimisht, sipas teorisë, mocionet sugjerohen të aplikohen sa më shpesh në prag të zgjedhjeve ashtuqë votuesi ta lexojë vetëmbrojtjen qeveritare si mekanikë galvanizuese të fajtorit sundimtar i cili duhet ndëshkuar në rastin më të herët.

Vlen të përmendet që jo më kot strategët politikë ngjeshën rastet e mocioneve të mosbesimit kundër Berluskonit pak vite më parë në Itali e që ndikuan jashtëzakonisht shumë në formimin, rritjen dhe zbatimin e ndërgjegjies opozitare kundër qeverisë nëpërmjet votës.

Ky lloj parimi funksionon në mënyrë të lugët në Shqipëri. Bazuar në të dhëna empirike jo strukturalisht të dokumentuara, votuesi shqiptar e sheh mbijetesën e qeverive ndaj Mocioneve të Mosbesimit si pathyeshmëri makiaveliste e cila potencialisht njësohet me suksesin elektoral të së njëjtës forcë politike.

Në sistemet perëndimore, mbijetesa ndaj mocioneve e rrëzon popullaritetin qeveritar; në Shqipëri tenton ta shtojë atë. ‘Nano ësh’ mjeshtër’, ‘Berisha ësh’ i paparë’, ‘Rama ësh’ pirat’, ‘Meta ësh’ lojtar’ janë klishetë civile shqipëtare që u referohen mbijetesave ndaj sulmeve politike të subjekteve në fjalë.

Kureshtja shoqërore, sipas vëzhgimit tim, ka qenë shumë pak, për mos të thënë fare, e lidhur me të drejtën si koncept, por më shumë me rezultatin normativ.

Thënë më thjesht, për çdokënd druaj se do të ishte detyrë ta pyeste veten pas çdo ngjarjeje se cila, çfarë e kush triumfoi mbas mbijetesës, e drejta apo e gabuara? Duhet theksuar se të dyja e kanë aftësinë të mbijetojnë. E lemë këtu këtë koncept e vazhdojmë më poshtë për t’u bashkëlidhur në vijim.

Diskursi i hapur në vijim të ‘manikyrit’ dominohej nga dy tipare kryesore; ai historik, dhe hipotetik. Në njërën anë paraqiteshin diskutantë të cilët jepnin arsye historike mbi prejardhjen e tripolaritetit politik në Shqipëri – PS, PD, LSI. Në anën tjetër paraqiteshin miq të tjerë të cilët shtjellonin natyrën e partive të vogla identiteti i të cilave ose është derivat i partive të mëdha, si për shembull Fryma e Re Demokratike drejtuar nga BT, ose  si derivat i konteksteve të caktuara supra-nacional rajonale, si Aleanca KuqeZi drejtuar nga KS, i cili u angazhua politikisht edhe si një akt simetrik ndaj tendencave ultranacionaliste të derivona në rajon, për shembull pas lindjes së Agimit të Artë në Greqi, ose zhvillimeve në Preshevë pas heqjes së përmendores së ushtarëvë shqiptarë të Ushtrisë Climirimtare për Preshevë, Medvegj dhe Bujanoc (UCPMB) nga xhendarmëria serbe në Janar 2013.

Nëse do të klasifikonim gjithë spektrin e partive të vogla në Shqipëri, besoj se do të pajtoheshim për t’i ndarë ato në tre nëngrupe; 1) Parti-derivat, nënprodukte të partive të mëdha (FRD, LSI); 2) Parti të reja aktive (si psh. AK); 3) parti ekzistuese munguese (present absentee), referuar gjithë bashkësisë së partive të vogla të njohura nga legjislacioni shqiptar por të pandjera derimëtash në skenën politike. Disa i quajnë parti fantazëm ose ghost politics.

Dallimi i ekosistemit të politikës së sotme në Shqipëri me ata të 20 viteve më parë është krahasimisht si një dallim mes botëve Huxley-Orwelliane. Ndërkohë që Orwell e përfytyronte dhimbjen si shkakun e fundit të botës (ne themi këtu, Shqipëria komuniste); Huxley parashihte se ai, fundi i botës, do të vinte prej qejfit (ne themi, Shqipëria tele-informative).

Tejpërdorimi i demokracisë elektronike e ka transferuar diskursin politik në hapësirën virtuale – nga celulari, Facebook, Twitter dhe blogosfera. Në njërën anë ky lloj komunikimi i ka ndihmuar financiarisht partitë politike për shkak se kanë më pak kosto krahasuar me, të themi, mbushjen e përditshme të shesheve; por në anën tjetër e ndëshkon votuesin me një bollëk informativ ku teknologjia zbraz orteqe të dhënash pas cdo klikimi.

Kjo tejngopje informative krijon atë efekt të cilin Connerton e quan hiper-e tashmja (hyper-present) e cila më së pari dëmton aftësinë për të rikujtuar të kaluarën e afërt.  Për këtë, mjafton të hedhim vështrimin, nëse nuk jemi kontaminuar ende nga kjo sindromë, tek mënyra sesi veniten në kujtesën tonë në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër ngjarje të rëndësishme pikërisht sepse shpejtësia informative e ngjarjes së re në vijim është aq e madhe sa do të hapë me të shpejt kraterin e rradhës në ndërgjegjen kolektive.

Në këtë kontekst, unë besoj se ndërgjegja jonë e sotme politike është tërësisht produkt manipulativ i tejpërdorimit të demokracisë elektronike. Mjafton të pyesni veten se përse zhvillojmë me lehtësi brenda vetes, për shembull, një sens normalizimi dhe madje faljeje ndaj një partie politike e kaluara e afërt e së cilës bie ndesh thuajse tërësisht me ethosin shoqëror.

Çfarë roli luan tejngopja informative në këtë aspekt?!

Për t’iu rikthyer idesë, ose më saktë alegorisë, së hedhjes së votës për një nga partitë e vogla ose hipotezës së fletës bosh të votimit, leximi im në kontekstin shqiptar është ky. Shumica e partive të vogla janë të rreshtuara nën dy koalicionet garuese. Domethënë se çdo votë për partitë e vogla nën koalicionet përkatëse favorizon partitë e mëdha të këtyre koalicioneve. Dy partitë e vetme jashtë koalicioneve, janë FRD dhe AK.

Dobia më e madhe e ruajtjes së racionalitetit vetjak është ndërtimi i mekanizmave vetëmbrojtës së kujtesës. Për të arritur këtë, besoj se autoskepticizmi si një formë mocioni mosbesimi ndaj vetvetes është instrumenti bazë ndërgjegjësues ndaj zgjedhjeve që bëjmë.

Pyetja fillestare që do t’i bëja vetes më së pari do të ishte se përse unë besoj kaq lehtë se kjo është zgjedhja ime e në ç’kushte unë besoj kështu? Ne nuk e shmangim dot efektin bluajtës të kohës, rreth së cilës paradigma hegeliane thotë se njerëzit zakonisht i kuptojnë ngjarjet vetëm pasi ato kanë mbaruar.

Për këtë arsye, me gjithë sugjerimin alegorik të votës për një parti të vogël, brenga ime nuk sillet rreth votës për një parti të vogël apo një flete votimi bosh. Ajo ka të bëjë me idenë se sa të aftë jemi ne te kujtojmë kontekstin historik të partive të mëdha; sa të aftë jemi për të qenë skeptikë ndaj ofertave informative të partive politike dhe sa përputhen ato me historinë dhe kujtesën tonë; sa të pamanipulueshëm jemi ne përpara kësaj hiper-të tashmeje informative.

Kjo është hermenutika e nevojshme që besoj na ndihmon të kuptojmë se cili është ujku që ka veshur lëkurën e deles. Nëse ne e manifestojmë kuptimin tonë (kuptimin si akt e jo si mendim sipas Botticci) nëpërmjet votës për një një parti të vogël apo një flete votimi bosh, kjo për mua shumë pak rëndësi ka.

Shënim: Ky shkrim është edhe përgjigje, relativisht e gjatë, ndaj komenteve në shkrimin e mëparshëm, Manikyr në thonjtë e shtrigës.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: