Qarkulloi këto ditë, në mediat shqip, një material i së përditshmes londineze “Express”, botuar me rastin e 100-vjetorit të Traktatit të Londrës; me titull “10 gjëra që britanikët nuk dinë për Shqipërinë.”
Mes këtij top ten-i, lexoje disa fakte të stërnjohura për Nënë Terezën, Ferid Muradin, John Belushin dhe faktin që shqiptarët e tundin kokën nga lart poshtë për të thënë “jo”, ndryshe nga europianët e tjerë.
Tani, kushedi britanikët vërtet nuk i dinë këto gjëra dhe “Express” bën mirë që ua kujton; por lexuesit shqiptarë i dinë, madje jo vetëm i dinë, por ua kanë përsëritur mediat për vdekje; prandaj arsyet e përkthimit dhe të shpërndarjes së një materiali të tillë duhen kërkuar gjetiu.
Një kulturë si e jona, gjithnjë është interesuar të marrë vesh se ç’thonë të tjerët për ne, dhe si na sheh bota; tek e fundit, kjo është edhe një mënyrë për të ndërruar perspektivën dhe për të kuptuar disa gjëra rreth vetes që vetëm me introspeksion nuk i kap dot.
Një numër i madh historianësh, linguistësh, antropologësh, sociologësh, diplomatësh, shkrimtarësh dhe udhëtarësh të shquar që kanë pasur kontakt me shqiptarët kanë përftuar një pasuri të paçmuar tekstesh, mbi të cilat është themeluar në masë të madhe vetë albanologjia.
Nga ana tjetër, çdo tekst jo vetëm ka publikun e vet, por edhe është konceptuar për një publik të caktuar. Këtë karakteristikë të tekstit, ose faktin që ai përmban një model të lexuesit, semiologu italian Umberto Eco e ka quajtur lector in fabula.
Kjo do të thotë edhe që, kur marrim në duar tekste të shkruar për një publik të ndryshëm nga yni, dhe që përmbajnë modele lexuesish të ndryshëm nga ne, duhet ta kemi këtë gjithnjë parasysh, përndryshe rrezikojmë të mos e kuptojmë tekstin, ose ta keqkuptojmë.
Për arsye të mirënjohura, ne gjithnjë e kemi pasur të vështirë ta konsiderojmë veprën, cilëndo vepër, në kontekstin e saj të leximit; pse gjithnjë i japim përparësi kontekstit të tanishëm, ose vizionit egocentrik.
Tipik do të ishte, në këtë rast, shembulli i një numri të madh vjershash të thjeshta, që autorët tanë të Rilindjes i patën shkruar për fëmijët e shkollave ose për nevoja të ngutshme dhe praktike të arsimit shqip, por që tani i ofrohen publikut, deri edhe nga tekstet e historisë kritike së letërsisë shqipe, si të ishin kryevepra për t’u admiruar.
Kur është fjala për përkthimin, botimin dhe popullarizimin e teksteve të huaja për shqiptarët, të shkruara për një publik të huaj, dhe që i jepen lexuesit tonë pa ndonjë aparat shpjegues, efekti zakonisht nuk i përligj arsyet e botimit.
Që gazeta “Express” e gjen me vend t’u thotë, lexuesve të vet, se “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mban emrin e Nënë Terezës që prej vitit 2001,” ose që “Shqipëria nuk ka fituar kurrë një medalje në Lojërat Olimpike”, ky farë informacioni i thotë diçka lexuesit shqiptar vetëm për nivelin e lexuesit londinez të “Express”-it; por jo më tepër se kaq.
Rëndom lexon, në mediat shqip, përkthime të prezantimeve që u bëhen artistëve shqiptarë gjetiu në botë; sidomos Ismail Kadaresë, vepra e të cilit tashmë qarkullon në nivel global. Në rast botimesh të tilla, mediat do të riprodhojnë, me një besnikëri të çuditshme, parathënien e librit të përkthyer, që ia paraqet lexuesit islandez ose letonez autorin tonë; dhe që nuk përmban asnjë informacion me vlerë për ne, përtej gjërave të tilla si “Ismail Kadareja ka lindur në Gjirokastër,” “ka qenë për shumë vjet kandidat për Nobelin në letërsi,” etj.
Ndonjëherë duket sikur këtij zelli për të sjellë në shtyp, të përkthyer, çdo material ku përmenden sado pak shqiptarët, i nënvendoset një kompleks inferioriteti, ose një premisë e papranueshme, sipas së cilës shqiptarët duhet të gëzohen kur edhe thjesht përmenden, jo për keq, prej të tjerëve.
Por dukuria vjen e bëhet edhe më serioze, kur është fjala për vepra me natyrë kulturore dhe popullarizuese, si ato për historinë e shqiptarëve.
Me logjikë do të pranojmë se një histori e Skënderbeut e botuar në Spanjë, nga një historian spanjoll, për lexuesin spanjoll, nuk do të jetë e njëjtë me një histori të Skënderbeut të botuar në Turqi, nga një historian turk, për publikun turk.
Kultura jonë duhet të jetë në gjendje t’i përvetësojë këto vepra në mënyrë krahasuese, dhe ta përdorë diferencën në qasje ose këndvështrime për t’iu afruar së vërtetës.
Për fat të keq, nuk ndodh kështu. Jo rrallë, vepra të tilla, ose edhe vetëm artikuj, për tema shqiptare, përkthehen dhe i jepen publikut si të ishin vetë e vërteta; e cila për një mendësi të caktuar mes nesh, duhet importuar njëlloj si teknologjia dhe zakonet e të jetuarit bashkëkohor.
Historianit zviceran Schmitt, i mirënjohur për monografinë e tij aq kontroversiale për Skënderbeun, iu botuan tani së voni dy libra me natyrë popullarizuese – njëri për shqiptarët, tjetri për Kosovën.
Lexuesi kritik menjëherë do ta vinte re që këta libra ishin shkruar për publikun europiano-perëndimor, dhe pikërisht të vendeve të kulturës gjermane; përkthimi i tyre në shqip dhe propagandimi i tyre tek ne duhej t’i kishin mëshuar këtij aspekti, përndryshe do të ndodhnin keqkuptime të mëdha, siç edhe ndodhën.
Çdo vepër e kësaj natyre është edhe një orvatje e autorit për të komunikuar me publikun që ka zgjedhur; dhe kjo orvatje është e tillë, që lë gjurmë të theksuara në tekstin e veprës, në strukturën e saj, në mënyrën si paraqitet argumenti dhe në përfundimet që nxirren aty.
Kultura shqiptare, nga ana e vet, është e interesuar që të huajve shqiptaria t’u paraqitet në aspektet e saj pozitive, të cilat nuk mungojnë; por ky interes legjitim yni, pa çka se etnocentrik, nuk duhet të na pengojë të kuptojmë se të tjerët i qasen shqiptarisë me interesat e tyre, jo për të na bërë ne qejfin dhe për të na kruar bishtin.
Ndodh, pastaj, që ne vetë propagandojmë një imazh tonin të sunduar nga burrat mustaqellinj, kënga majekrahi, kanuni i Lekës dhe bunkerët; dhe pastaj irritohemi kur ky mesazh na kthehet si bumerang, nëpërmjet perceptimit ekzotik të së huajve.
Gjithsesi, mes atyre që shkruan e thotë bota për shqiptarinë ka edhe budallallëqe të mëdha, të diktuara nga padija e autorëve, ose nga natyra e teksteve dhe e lexuesve përkatës. Nëse gazeta londineze “Express” shkruan për 10 top-faktet shqiptare, e bën këtë për të zbavitur lexuesit e vet, dhe aty shqiptaria është veç një pretekst; njëlloj mund të kish shkruar edhe për Estoninë ose Azerbajxhanin.
Në një shkrim të botuar tani te “Dita”, Armand Plaka përmendte orientalizmin e shkrimtarit të mirënjohur gjerman Karl May në fund të shekullit XIX dhe ndikimin e veprës së May-t në perceptimin ndaj shqiptarëve në vendet e kulturës gjermanike; edhe pse Karl May i pat trilluar të gjitha ato që shkruante, çka mund të përligjet deri-diku me licencën krijuese.
Por dukuria Karl May mbetet ende e gjallë dhe aktive; pa çka se sot kushdo mund të informohet për shqiptarinë dhe shqiptarët pa vështirësi, me një vizitë të thjeshtë në librari ose me një klik të vetëm të miut.
Në fakt, kultura perëndimore, sidomos në nivelin e tabloidit, ka nevojë t’i japë lexuesit të vet jo të vërtetën kritike, por faktoide zbavitëse; dhe në këtë kontekst arsyet që i nënvendosen realitetit të sotëm shqiptar janë të mërzitshme, ndërsa bunkerët, kanuni dhe virgjineshat ngjallin gjithnjë interes.
Shkaku më i thellë i këtij moskomunikimi, në nivel elementar, është izolimi i shqiptarëve; dhe për këtë izolim Europa mban përgjegjësinë e vet historike.
Që ka orientalizëm në qasjen europiane ndaj shqiptarëve, kjo është jashtë çdo dyshimi; por çfarë shqetëson, është më tepër gatishmëria jonë për t’i bërë jehonë këtij orientalizmi, për t’u shndërruar në megafona të tij, ose për t’u jetërsuar deri në atë shkallë, sa të bëhemi orientalistë të vetes.
Shënim: botuar në revistën Impakt, dt. 6 qershor 2013.
Ku botohet kjo revista IMPAKT?
Mu kujtua sot ky shkrim kur hasa kete kryeartikull te Shekullit.
http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=28602&kat=87