Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

KËTA TË SOTMIT

2202Këta politikanë, aktivistë, militantë, ish-kryetarë, ish-kandidatë për kryetarë, kandidatë për ish-kryetarë, të përjashtuar, gati të përjashtuar, të ripërjashtuar e të ripranuar; këta themelues e rithemelues, themeltarë e themelvënës, të gënjyer e të zhgënjyer, njerëz që kanë parë të vërtetën në sy, njerëz që kanë parë të vërtetën me sy, njerëz që kanë hequr të zitë e ullirit; ish-të mërguar, të degdisur, të dëbuar, të shkelmuar, të syrgjynosur, të ikur nga sytë këmbët; fëmijë dje haram e plangprishës, sot të falur e të rifalur; të gatshëm për të rifilluar, për të marrë e rimarrë hak e shpagë; njerëz të kthyer, të rikthyer e të riatdhesuar; të lindur sërish, born again homunculi, që kanë gjetur e rigjetur aspiratën, shpresën, dritën në fund të tunelit, busullën në këtë kohë stuhish; personazhe këmbëngulëse të një telenovele që rrotullohet ngadalë, ferris wheel në horizontin e ndryshkur të politikës në Tiranë…E pra, nuk më kujtojnë veçse një takëm lojëtarësh profesionistë futbolli, të cilëve deri edhe kombësia e skuadra amtare u është harruar; që kalohen dorë më dorë mes klubeve, si letrat e bixhozit në lojën e “derrit”; që riciklohen pa prerë, pse të zotët në çfarë bëjnë, me kofshë të plota si zinxhirët e tankut; njerëz që ndajnë tryezat e gostive me arbitrat dhe gazetarët e mikrofonit dhe presidentët e klubeve; që dinë të llapin e të flasin rrjedhshëm para kamerës, me theksin folklorik të ruajtur për batutat me kripë; besnikë ndaj rrogës që marrin, por edhe më besnikë ndaj rrogës që do të marrin, si kompromis midis planifikimit për të ardhmen dhe tradhtisë epike; mercenarë të kulluar, në kuptimin më të mirë të fjalës, qenie që e kanë kuptuar se çfarë i kërkohet mallit në treg, është të rrijë ekspozuar me durim në raft si nusja, deri sa ta blejnë… Kështu edhe këta silura të harruar në ujë nga kushedi ç’betejë detare e lënë përgjysmë, piranha dhëmbëkrimbur të politikës, sot me PS-në nesër me PD-në pasnesër kushedi të kthyer përsëri 180 gradë, 360 gradë, të kthyer mbrapsht si xhaketa në dimensionin e katërt, madje të gatshëm për të nisur diçka të re, virgjine dhe të paparë; nga internacionalizmi në nacionalizëm; dje me dylbi, sot me sy të lidhur; një ditë duke hedhur valle, të nesërmen në karrige me rrota; herë me zë të hollë e herë me zë të trashë; pragmatikë në principialitetin e tyre, parimorë në pragmatizmin e tyre; ekspertë për ta shndërruar fjalën e fundit në të parën; me gjunjët të bërë kallo, nga dyshemetë e ashpra të pallateve të pushtetit… Më kujtojnë vërtet futbollistët profesionistë, ata që i shënojnë gol pa entuziazëm klubit të tyre të djeshëm dhe që ngrihen pastaj në qiell prej të gjithëve; e bëri si burrat, atij i lumtë, të kisha qenë unë në vend të tij, sa merr ai në një ditë, mos ia qaj hallin kalorësit; sepse ditën ta vënë kacidhen para zemrës – qoftë edhe me kusht që të nxirrnin fitime dhe nga vetë falja, si kapital mallëngjimi, sikur kjo të ishte e mundur; futbollistë yje shtegtarë që kalojnë nga një yllësi tek tjetra kur ndërron stina, me emra ndonjëherë të pashqiptueshëm, por nofka të shkurtra, infantile, Niki, Fiki, Liki, si prostitutat e lagjes… Por të paktën këta futbollistë një gol edhe e shënojnë ndonjëherë, nga distanca, më shumë për të treguar se mund të shënojnë akoma sesa nga etja për golin vetë; shembëllzim të teknikës së përkryer, syrit të pagabueshëm, sensit taktik dhe gjakftohtësisë prej ujku që qimen e ndërron; e shënojnë, qoftë edhe vetëm si kapar për shitblerjen e ardhshme në fund të stinës, ose për t’i lënë shteg arsyetimit për talentin e pashoq të lënë qëllimisht të vyshket, për atë nuk e do ai… E shënojnë pra golin e duhur, në momentin e duhur të stinës; ndryshe nga profesionistët tanë të politikës, që shkëlqejnë e shquhen vetëm për aftësinë e ndërrimit të fanelave, të sponsorëve, të modelit të flokëve e të ngjyrës primare të kravatës; dhe golin e tyre të stinës e shënojnë pikërisht duke ndërruar “teserimin”; ose duke u riaktivizuar si forcë e freskët, ideatore, rigjallëruese, në palestrat e plogëta të politikës partiake, atje ku s’thahet kurrë djersa, pa çka se trajnerët e masazhatorët e heqimët e na, pije këtë i kanë lënë pa paguar prej vitesh… Këta politikanë të zanatit, virtuozë të kamatës politike, aristokratë të leshit të deles, miq të miqve, njerëz me dy e ndonjëherë tri palë dosje, viktima dhe autorë shantazhesh të vjetra e të reja, bartës dy-tre pseudonimesh për dje, për sot dhe për nesër; që dalin në krye të turmave duke tundur shtizat e tyre pa flamuj, kur nuk dalin të veshur e pispillosur me flamujt e tyre pa shtiza; veteranë tuhafë betejash që nuk i luftuan kurrë, të gjithë aq miq me njëri-tjetrin, sa të mos e lënë kurrë miqësinë t’u prishet nga përkatësia, e dikurshme, e tanishme, e mëvonshme, në kampe të kundërta; njerëz që e kapërcejnë ditën duke ecur pezull mbi harkun e një shkeljeje syri; ekipi i madh i pathyer i futbollistikës sonë politike, ku të gjithë fitojnë, me përjashtim të publikut.

Pa Komente

  1. E vetmja gje qe ka mbetur per t’u bere eshte te prodhohet prej Sony nje loje tip Fantasy Politics, ku sipas sezonit kryetaret virtuale te partive te kryejne shitblerjet e politikaneve, njesoj si futbollistet qe levizin nga nje skuader ne tjetren. Nuk kisha dyshim qe nuk isha i vetmi qe kjo puna e listave po me tingellonte si sezon shitblerjesh, ku edhe pse Bayerni me Borusian mund te nderrojne krejt lojtaret me njeri tjetrin e lojtaret e ekipeve perspektive te nderrojne fanellat, pritshmeria eshte qe tifozet te mos nderrojne ekip. Me vjen mire qe u tha me ze te larte ky krahasim. E ke qare kete shkrim, Xhaxha!

  2. Shkrimi me i mire qe kam lexuar keto kohet e fundit

  3. publiku fiton delirin dhe dëshpërimin, spektaklin e madh që mbahet në praninë e tij elektrizuese; fiton një fanellë të djersitur, një copë shtesë të legalizuar; një skedinë modeste nga shitja e ndeshjeve, drogës apo mallrave kontrabandë;
    një biletë në tribunë për ndeshjen e ardhshme, një vend pune për tifozllëkun e zjarrtë. duhet të ketë më, ndjesë nëse këto ju duken pak.

  4. Shtysa e pare me ben te them se Shqiperia ka mbetur nje vend thelbesisht anadollak e nuk eshte civilizuar kurre, por pastaj kujtohem se po i bie ne qafe pa te drejte Anadollit, sepse Turqia anadollake nuk ka rene kurre kaq poshte sa ne.

    E kishte mire ai Fishta qe ne vitin 1908 thoshte se “Shqypnia asht matë me dredhen e djallit,… se ‘i punë per s’mbarit / Aty mâ s’mundet me ngjatë”.

    E pastaj nuk me mbetet veçse te ngushellohem me mendimin se ndoshta kam bere mire qe kam merguar. Se paku kam shpetuar te ardhmen e femijeve. Ngushellim egoist, e di, por ç’mund te thuhet tjeter?

  5. Kujtoja se problemi ishte pjekuria, jo prekshmëria… (më mirë të kishte mbetur në ditar kjo faqja)

    1. unai, nuk të kuptoj – mund të ma shkoqitësh pak çfarë thua, të lutem?

      1. Kam dyshim se ankime të këtij niveli bëjnë pjesë pa dashje në të njëjtën shfaqje. Konkretisht, që Rilindja, rritja ekonomike në nivelet e Gjermanisë, dhe ankesa për mungesën e demokracisë, kontribuojnë së bashku për të zhvendosur vëmendjen nga objektiva më të arritshëm. E kuptoj shumë mirë shfryrjen e mllefit, dhe është i artikular, por po diskutoj efikasitetin e veprimit. Në këtë pikë mund të përgjigjeni se në Shqipëri mungon ndërgjegjja e demokracisë, ama duhet të jetë e mundur të nënvizohen rregullat duke u refuzuar njerëzve vetëkënaqësinë.

        1. Falemnderit. Në fakt, i vetmi efekt që kisha në mendje, ishte ai i katarsis-it (në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, jo atë që ia ka dhënë Fatos Nanoja).

  6. Lulian dhe Genti, ju falemnderit për fjalën e mirë dhe vlerësimin (që e çmoj shumë).

    1. Ju lutem, vleresimi eshte i merituar, me kujton disa tregime te Kafkes te cilat i pelqej shume.

  7. Nuk kisha lexuar nje sprove te tille publicistike me nuancat e perroit te ndergjegjes.

    Pamfletist i mrekullueshem !

    Sa per komente s’kam c’te shtoj dhe pse e lexova tre here , ndoshta dhe me nje fryme e kuturisa veten qe dhe autori keshtu e ka shkruar.

  8. do qeshnim nese shkrimi ishte shkruar nga maks gjerazi, por realiteti eshte po aq grotesk dhe i trishtueshem sic pershkruhet me lart. xhaxhai ketu eshte treguar pa meshire, sic kishte shkruar njehere, si nje onkolog qe pershkruan nje tumor agresiv qe e ka sulmuar vete.

  9. Bera vrap, dhe s’u kenaqa. Piva vere, dhe s’u kenaqa. Ripashe “My fair lady” dhe s’u kenaqa. Lexova kete gjesendin ketu siper, dhe jam aq mire. Gati-gati sikur te gjitha sa pershkruhen ketu te jene kthyer se prapthi si me magji.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin