HESHTJA E PYJEVE

pylliDeri verën e kaluar, pyjet shqiptare ishin rrethuar nga një heshtje që të shurdhonte veshët. Pastaj heshtja u thye për shkak të zjarreve që ranë deri në afërsi të kryeqytetit. Mirëpo, pasi përfundoi emergjenca, mbi pyjet shqiptare ra përsëri heshtja e indiferencës. Për një sërë arsyesh, pyjet nuk kanë qenë ndonjëherë në qendër të opinionit publik shqiptar. Por e meritojnë vallë këtë trajtim?

Po ta linim mënjanë vizionin romantik të pyjeve, atë që vjen edhe nëpërmjet poezisë, do të vërenim se pyjet kanë karakter shumëfunksional, çka nuk e justifikon pozicionin e tyre në skaj të vëmendjes kolektive. Qytetarit të sotëm, për fat të mirë mjaft të ndjeshëm ndaj çështjeve të mjedisit, i shkon menjëherë ndër mend funksioni ambiental i pyllit. Mirëpo prodhimi i oksigjenit, ose ajri i pastër, është vetëm një nga të mirat që na sjellin drurët sot. Banorët e qyteteve të ndotura e vendosin këtë funksion në vend të parë, edhe për faktin se e ndjejnë mbi mushkëritë e tyre ajrin e rënduar, duke harruar ndoshta disa veçori të tjera po aq të rëndësishme.

Pa hyrë në çështje teknike, që vetëm inxhinierët e pyjeve ose specialistët e shkencave pyjore mund t’i përgjigjen, mund të thuhet se funksioni ambiental realizohet edhe nëpërmjet mbrojtjes së tokës e të rrjedhjeve ujore. Kjo shkon paralelisht me mirëmbajtjen e territorit, çka përfshin natyrën si peizazh, por edhe biodiversitetit (flora dhe fauna). Në parantezë desha të shtoj se, kur kam marrë vesh se ekonomistët mund ta përcaktojnë me saktësi (me anë të formulave të posaçme) vlerën ekonomike të një peizazhi çfarëdo, jam habitur shumë; pavarësisht se edhe logjika ta do që një peizazh alpesh, nga ato që fotografohen për kartolinë, ka vlerë ndryshe nga ajo e fushës së thjeshtë; kodra e gjelbëruar ka vlerë tjetër nga ajo me gurë. Gjithsesi, fjala mjedis (ambient) përmban shumë aspekte që e pasurojnë vlerën e pyjeve.

Që situata e pyjeve shqiptare nuk është “e lumtur” dihet nga të gjithë. Përveç problemeve të tranzicionit, janë shtuar edhe ato që lidhen me migrimin e popullsisë. Një pjesë e madhe e atyre që jetonin në fshatra e male, atje ku pyjet gjenden me shumicë, janë zhvendosur drejt qytetit duke larguar edhe njohjet për pyllin. Emigrimi drejt qendrave qytetare ishte i pashmangshëm, madje edhe i domosdoshëm nga disa pikëpamje, por tani rrezikojmë të shkojmë drejt shpopullimit, ose gjithsesi drejt mungesës së njerëzve që jetojnë pranë pyllit e kujdesen për të.

Mësoj se më 7 maj 2013, në Hotel Tirana, zhvillohet një konferencë ndërkombëtare me titull “Të kultivojmë të bukurën, të mirën, shëndetin, zhvillimin. E ardhmja e pylltarisë prodhuese”. Pjesa e parë e titullit është vërtet tërheqëse, që mund të analizohet pa vështirësi në mënyrë intuitive nga të gjithë. Tek e fundit, pyjet janë të lidhura edhe me estetikën, siç na kanë mësuar me të drejtë vjershat e shumta, që kemi mësuar në vegjëli. Ajo që duket më pak e kapërdishme është pjesa e dytë, ose më mirë koncepti i pylltarisë prodhuese, që duket qartë se i përket sektorit ekonomik.

Kush është rritur me sobat me dru e njeh mirë funksionin energjetik të drurëve. Na kanë ngrohur me vite edhe në qytet, kurse në fshat vazhdojnë të ngrohin edhe sot. Por sot do të ishte çmenduri të përdorej druri për djegie siç bëhej një herë e një kohë. Është lëndë përnjimend e kushtueshme. Megjithatë, siç pohojnë specialistët, pyjet duhen mirëmbajtur, çka do të thotë se duhen mbjellë, por edhe prerë, se duhen kultivuar, seleksionuar, shëruar, mbrojtur… Pra duhet dora e njeriut, por jo ajo që ngre vetëm sëpatën për t’i shkatërruar. Përdorimi i drurit nuk kufizohet vetëm me prodhimin e biomasës, ose të mobilieve, por shtrihet deri tek e ashtuquajtura bioarkitekturë.

Nga ana tjetër, pylli ka potencialitete të jashtëzakonshme edhe në lëmin e industrisë ushqimore. Mjafton të kujtojmë të famshmet fruta të pyllit që i hamë edhe në mëngjes në forma të ndryshme; ose kërpudhat e kushtueshme që kërkohen nga e gjithë bota. Turizmi është një sektor tjetër që nuk mund të konceptohet pa pyllin, edhe pse në kulturën shqiptare, kohët e fundit, i është dhënë përparësi kryesisht turizmit detar, duke e penalizuar turizmin malor, që me drurët është i lidhur pazgjidhshmërish. Diversifikimi ka rëndësi edhe brenda turizmit, meqë Shqipëria e ka afër si detin ashtu edhe malin. Pyjet kanë shumë funksione, që mund të shtjellohen më qartë edhe gjetiu.

Çështja është para së gjithash kulturore. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se pyjet përbëjnë pasuri të pallogaritshme, në kuptimin që vlejnë ekonomikisht, pra në mënyrë konkrete, reale, të prekshme. Pyjet nuk prodhojnë vetëm poezi e pasion gjelbërist; janë në gjendje të prodhojnë pasuri e zhvillim për të gjithë territorin, duke filluar nga mali deri tek deti, pa përmendur se ka plot pyje me pisha që bashkëjetojnë shkëlqyer me bregun e detit, madje ndihmohen reciprokisht. Problemi tjetër kulturor është së duhet të bindemi se pyjet, pa veprimtarinë e njeriut, kanë kuptim deri në një farë pike. Me veprimtari duhet nënkuptuar në radhë të parë respekti ndaj vlerave të pyjeve, por edhe vlerësimi i tyre. Puna duhet filluar nga sensibilizimi i politikës, mediave dhe i tërë shoqërisë, në mënyrë që pyjet të zënë vendin e duhur në vetëdijen kolektive si pasuri e jashtëzakonshme kombëtare. Në të kundërt, zjarret e verës do të na duken thjesht si dëme simbolike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin