Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Media

MË GJEJ NJË FOTO TË BUKUR

“Shekulli Online”, gazeta elektronike më e dashur e shqiptarëve në mbarë botën: kështu hapej Shekulli para një jave, duke lajmëruar se faqja ka 95,000 vizitorë unikë çdo ditë, të cilët shfletojnë aty rreth 350,000 faqe. Shifra mbresëlënëse, për një media shqip, që të mbushin me ngazëllim.

Sikurse dihet, faqet online të gazetave janë multimediale – një pranëvënie tekstesh, fotosh, videosh dhe materialesh të tjera; të cilat synojnë njëkohësisht të tërheqin, të informojnë dhe të zbavitin lexuesin (vizitorin).

Për fat të keq, multimedialiteti i mediave elektronike shqip ka mbetur në nivel amatorial, madje foshnjor; duke u katandisur në një karikaturë të funksionalitetit të vet.

Për këtë mjafton të shohësh fotot që ofrohen aty përditë.

Fotoja në shtyp synon, sikurse dihet, jo vetëm të ilustrojë tekstin, por edhe t’i shtojë vërtetësi, në bazë të efektit fotografik që, së paku tradicionalisht, e përjashton dyshimin. Për këtë arsye, fotografia merr pjesë në gazetari, si medium dinjitoz dhe i pavarur, duke informuar njëlloj si teksti, ndonjëherë më mirë se teksti.

Për të gjithë ata konsumatorë të medias, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në ngjarjet e përcjella, fotoja është the next best thing, ose prova se “edhe ata mund të kishin qenë aty.”

Mirëpo asgjë e tillë nuk shohim të ndodhë me fotot e përdorura në mediat tona elektronike.

Po mjaftohem, në këto shënime të shpejta, me kronikën e zezë, e cila përcjell lajme për grabitje, vrasje, aksidente dhe arrestime gjithfarësh – të cilat dihet se një kategori lexuesish i konsumon me ëndje të madhe.

Për nga natyra e tyre, ngjarje të tilla nuk mund të lajmërohen paraprakisht (sikurse lajmërohet, bie fjala, një takim i kryeministrit me vreshtarët), prandaj fotografitë që do të shoqërojnë një vrasje, një vjedhje, një përdhunim ose një përplasje makinash në autostradë nuk mund të japin pamje të vrasjes, vjedhjes ose përplasjes vetë (me përjashtim të rastit kur këto pamje merren nga kamerat e sigurisë, p.sh. në banka).

Që këtej, autorët e lajmit duhet të vendosin se si ta përcjellin një lajm të tillë, me çfarë fotoje ose materiali tjetër vizual.

Për shembull, kur ndodh një përmbytje në Shkodër, mund të jepet një foto e Shkodrës së përmbytur; por jo një foto e një përmbytjeje të ngjashme në Sri Lanka ose Kili.

Kur ndodh një vrasje, mund të jepet një foto e viktimës; ose e konferencës për shtyp në selinë e policisë së krimeve.

Kur ndodh një përplasje e rëndë makinash, do të mjaftonte një foto e vendit të ngjarjes, me gjithë makinat e shkatërruara.

E kështu me radhë.

Të gjitha këto do të kërkonin një përpjekje ekstra, për të siguruar fotot përkatëse; përpjekje të cilat kërkojnë nga njëra anë kompetencë profesionale dhe nga ana tjetër shpenzime.

Duke gjykuar nga mënyra si e zgjidhin dilemën e fotove gazetat tona online, duket sikur mungojnë edhe fondet, edhe profesionalizmi, sa i përket fotove dhe në përgjithësi materialit vizual në faqe.

Si rregull, në mediat elektronike shqip fotot nuk përdoren për të informuar, por vetëm si klasifikatorë të lajmeve ose të teksteve në faqe; një funksion i ngjashëm me atë të çelësit të solit në një partiturë.

Lajmet për vrasje shoqërohen me foton e një thike, shpesh të përgjakur; lajmet për grabitje, me foton e një personi me maskë; lajmet për dhunë në familje, me foton e një femre gjysmë të zhveshur, mundësisht të rrëzuar përdhe; aksidentet automobilistike, me foton e një ambulance; dhe arrestimet, me foton e duarve të lidhura me pranga.

Ja një shembull tipik, i një fotoje të tillë, të nxjerrë mu në krye të gazetës elektronike më të dashur për shqiptarët në mbarë botën:

foto

Ky përdorim i mjetit fotografik është infantil, i denjë kushedi për një projekt nxënësi të tetëvjeçares ose një gazetë muri në një klub bojskautësh; por nga një media elektronike, që vizitohet tashmë prej mijëra e mijëra lexuesish, pritet shumë më tepër.

Çfarë e konfirmon përshtypjen time, është se të njëjtat foto të thikave, burrave me maskë, ambulancave dhe duarve të lidhura me pranga përcillen nga një lajm në tjetrin, nga një faqe në tjetrën dhe nga një gazetë në tjetrën; ngaqë kopjohen dorë më dorë, por edhe ngaqë vijnë nga një burim i vetëm i të ashtuquajturave stock photos, të gjetshme lehtësisht online.

Doemos, të gjesh foto të përshtatshme për çdo ngjarje nuk është kollaj; por jetojmë në një kohë kur të gjithë e kanë nga një celular me të cilin mund të shkrepin foto të çastit; dhe mediat elektronike mund të përfitojnë nga kjo kudogjendje kamerash digjitale, madje edhe pa ndonjë shpenzim marramendës.

Përndryshe, fotot stock, aq më tepër të përsëritura, e humbin funksionin e tyre si foto, madje edhe vetë natyrën e tyre si mesazhe vizuale, për t’u shndërruara në simbole ideografike, të ngjashme me hieroglifet kineze ose vizatimet në rebuse: në vend të pamjes së duarve në pranga, fare mirë mund të ishte shkruar fjala arrestim, kushedi me një font tjetër, më të spikatur, për të tërhequr vëmendjen.

Mirëpo një simbol ideografik nuk konsumohet njëlloj si fotoja; sepse këtë të fundit, ngaqë është unike me përkufizim (duke e përcjellë të përveçmen të pandërmjetësuar, d.m.th. jo tërthorazi si teksti gjuhësor) “e lexojmë” në detajet, ndërsa ideogramën në tërësinë e vet; dhe një foto stock, e zhveshur nga thelbi i saj vizual dhe e katandisur në një mveshje grafike të fjalës, është keqpërdorim ose abuzim me hapësirën e faqes – dhe me mirëbesimin e lexuesit; që kërkon të lexojë, bie fjala, për aksidentin e mbytjes së një peshkarexhe, dhe i del përpara fotoja e Titanikut, për më tepër e marrë nga filmi i Cameron-it…*

Shënim: nuk po ekzagjeroj; kohë më parë, kam ndeshur në një lajm për diçka që kish ndodhur në New York, të shoqëruar me një foto që, në fakt, ishte e kazinos New York në Las Vegas.

Pa Komente

  1. Dikur, ne kohen kur gazetat shqiptare ende ishin media me e pasur ne Shqiperi, ne nje gazete te sapo nisur me ambicje te larta, krijuam postin e dikujt qe do te merrej vetem me kete pune. Gjentjen e fotove me te mira per ilustrimin e shkrimeve dhe ndertimin e nje arkivi fotografik, te organizuar dhe funksional.
    Njeriu qe u mor me kete pune, ne ate kohe kur akrivat e fotografive ishin ende neper kuti kartoni e dosje, arkivat dixhitale te sotem dhe mundesia per kerkim ne internet do t’i ishte dukur nje mrekulli e pabesueshme.
    Ironia e fatit eshte qe kjo kohe te kesaj teknollogjie dhe mundesie vjen kur te kesh vetem nje njeri per ate pune eshte nje luks qe asnje gazete shqiptare nuk e perballon dot.
    Fotografite nganjehere u lihen ne dore faqosesve e shpesh zgjidhen ne vrap e siper, pa shume mendim nga pas. Mungon edukimi qe gazetari nderkohe qe shkruan vizualizon edhe ilustrimin e duhur. Mungon koha dhe detyra per te kerkuar me ambicjen per te gjetur kombinimin me te mire te shkrimit me pamjen. Ne fund, mungon vleresimi per rastin kur dikush e ben mundimin.
    Po kjo si shume gjera te tjera jane vetem rezultate, vetem pasoja te shkaqeve me te rendesishme qe kane mjeruar shtypin shqiptar shqiptare. Ne krye te piramides se shkaqeve qendrojne edhe pronaret e gazetave dhe politikat e tyre te vijes se gazetave kombinuar me politikat e tyre te zgjedhjes dhe vleresimit te profesionisteve qe punesojne e ngrejne ne pergjegjesi.
    Ky nuk eshte ndonje koment per Kokedhimen, por per te gjithe pronaret bashke. (E keqja e vecante per rastin e Kokedhimes eshte se kishte nje gazete me te mire se te tjeret dhe e beri si te tjeret.)

    Ne fund, nuk di c’te bej me shifren 90.000 vizitore te “Shekullit”. Eshte nga ato shifrat qe hidhen per inat te njeri-tjetrit apo per te joshur reklamuesit. 90.000 nuk do te thote asgje per ata qe dine te masin trafikun ne web. Sa nga keta 90,000 jane vizitore te perditshem? Sa minuta qendrojne aty? Sa faqe shfletojne?
    (Po te besosh nje nga sajtet qe masin trafiqet: BalkanWeb, top-channel.tv, Shqiptarja.com, noa.al dhe “Tema” jane disa nga sajtet qe vizitohen me shume se “Shekulli”, nga perdoruesit e internetit ne Shqiperi. – Jo se masiviteti perkthehet ne cilesi, ne ditet tona, po me qe u permend ketu.)

  2. dikur kishim nje blog te bukur qe lexonim dhe kontribuonim per te me lajme e foto nga shtypi elektronik shqiptar.

    c’u be me gastare-n?

    1. Do të kisha dashur ta mbaja aktive Gastaren – por nuk arrita dot, pse më merrte shumë kohë. U përpoqa edhe mos të siguroja një grant modest, sepse tek e fundit ai blog ishte edhe një shërbim për mediat (tip watchdog-u per nivelin e komunikimit me lexuesin), por nuk ia them shumë në atë zanat.

  3. S’mund të rri pa vërejtur se kritika ime ndaj Milosaos, të cilin e quajta “punë maturantësh”, u pasua nga leksione etike, kurse cilësimi i Xhaxhait për gazetat si foshnjore mbetet (gati) në heshtje. Nuk e kuptoj nëse është “si vendi edhe kuvendi”, apo lexuesit janë thjesht të pazhvilluar e të paemancipuar. Nëse qëndron kjo e dyta, atëherë shpjegimi për cilësinë e dobët të gazetave është trivial.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin