Kalimi nga një vend në tjetrin, por gjithnjë brenda rrjetit, nuk është aq traumatik për tekstin. Megjithatë, problemet lindin për faktin se teksti dixhital është pjellë e botës së multimediave. Hiperteksti që qarkullon në internet mund të pajiset me lidhje (link), në trajtë citimi ose sugjerimi për lexime të tjera, me imazhe, tinguj, skedarë, emotikone, video, reklama të lëvizshme, etj. Ndodh që shkrimi të ribotohet në një sit tjetër interneti, që ia ndryshon ta zëmë imazhet ilustruese. Nuk duhet të jesh semiolog për të kuptuar se kemi të bëjmë pothuajse me një artikull tjetër, për sa kohë imazhet ndërveprojnë aktivisht me lexuesin në interpretimin e tekstit që ka përballë syve. Kjo vlen edhe kur ndërrohen titujt, nëntitujt, ngjyrat, e çdo element tjetër të aparatit paratekstual.
Në shkrimin “Nga realizmi në porn”, duke iu referuar filmit të Viktor Gjikës “Nëntori i Dytë”, autori pyeste se me ç’të drejtë i retushojmë produktet kinematografike të së kaluarës. Pyetja është legjitime po aq sa edhe shqetësimi se mos nëpërmjet restaurimit ndërhyhet në mekanizmat semantikë të produktit artistik. Jo gjithnjë zelli i tepërt çon në rezultate pozitive. Mjaft të kujtojmë filmat e prodhuar bardhë e zi, që riprodhohen me ngjyra, praktikisht duke i hedhur publikut një vepër krejt të re. Jo vetëm regjisori Viktor Gjika mund të mos e miratonte këtë ndërhyrje “me takë të ngritur”, por edhe vetë publiku që e rishikon filmin mund të mos e pranojë, duke pasur parasysh se loja kromatike në film ka anën e vet simbolike, ndaj edhe ndezja e ngjyrave mund të ndezë kuptime të tjera. Meqë edhe filmi është një lloj teksti, është njëlloj sikur shkrimin “Nga realizmi në porn” ta ribotonim diku tjetër duke i vënë si imazh ilustrues disa kukulla të zbehta. Autori nuk do të na e dinte për nder, përderisa përzgjedhja e kukullave me ngjyra të ndezura nuk është e rastit, ndaj si e tillë duhet respektuar.
Dekontekstualizmi që pëson teksti duke kaluar nga një vend në tjetrin krijon probleme të shumëfishta. Siç dihet, autori ka strategjinë e vet tekstuale ku bëjnë pjesë edhe artifice të vogla për ta drejtuar lexuesin në labirintin kuptimor. Busulla që i ofron autori lexuesit mund të shfaqet me të famshmen “Na ishte një herë…”, por edhe me escamotage të tjera. Shembulli i sapodhënë përmendet zakonisht nga kritikët letrarë për të treguar se si autori e përgatit lexuesin duke i thënë praktikisht: “Po fillojmë të rrëfejmë një përrallë”. Lexuesi e kupton se, nga ai çast e tutje, duhet të presë diçka të ndryshme nga komedia ose romani. Në internet, ka raste që shkrimet përmbajnë togfjalësha të tilla: “Lexuesit e këtij blogu e dinë fare mirë…”, çka do të thotë se autori i drejtohet me vetëdije një lexuesi të caktuar. Kur shkrimi spostohet nga siti/blogu X tek siti/blogu Y, qoftë edhe me të njëjtin kostum grafik, kuptohet që diçka nuk shkon përderisa lexuesit e sitit/blogut Y mund mos ta dinë hiç mirë se si është puna.
Ndonjë shembull mund të na e bëjë më të qartë temën. Ka qëlluar që nga Peizazhe të fjalës të merren shkrime nga rubrika “Humorr” dhe të botohen si në gazeta ashtu edhe në faqe të tjera në rrjet. Kush e riboton artikullin, sigurisht e di që vendosja fillestare e shkrimit tek rubrika “Humorr” nuk është aspak veprim asnjanës. Deklarata që autori i bën lexuesit, para se të ulen përballë njëri tjetrit në tekst, është kjo: “Teksti që po lexon i përket humorit, mos e merr seriozisht”. Natyrisht, karakteri humoristik i shkrimit do të shtjellohet edhe nëpërmjet stilit e kuptimit, por jo gjithnjë këto janë të mjaftueshme për lexuesin. E njëjta gjë mund të thuhet për agjensinë e dikurshme Obobo News, e cila e ka të shkruar në ballë, nëpërmjet emrit, identitetin e vet komik. Si në rastin e rubrikës “Humorr” ashtu edhe në atë të Obobo News-it, kemi të bëjmë me deklarata paraprake përkatësie, që e pozicionojnë lexuesin menjëherë në këndvështrimin e duhur, sikurse paralajmërojnë kopertinat e verdha për romane policore, gjerdanët e posaçëm për letërsinë për fëmijë, imazhet bardhë e zi për filma të dikurshëm, kaubojët me kuaj për filmat western.
Disa vite më parë, kur agjensia Obobo News ishte në aktivitet të plotë, madje ende pa u shfaqur si faqe në internet, ndodhte që disa lajme të merreshin si të vërteta e të ribotoheshin nga mediat shqiptare. Ajo që më habiste më shumë ishte mosfunksionimi i kodit të përdorur, por jo për faj të autorëve se sa të lexuesve, ose më saktë të mediave, që me sa duket nuk ishin mësuar ose ishin çmësuar me kode të tilla, ose thjesht ngaqë nuk i kishin kompetencat e duhura për lexime të këtij lloji. Përndryshe, si mund të merret seriozisht një lajm (shpeshherë katërcipërisht satirik) që firmoset nga agjencia me emër Obobo News?
Ajo çka përfillet kur tekstet flaken nga cepi në cep me një klik të vetëm ka të bëjë edhe me raportet e tekstit me tekste të tjera. Në qoftë se jemi dakord se shkrimi nuk lind vetvetiu, por shpeshherë është krijesë e kontekstit, atëherë duhet të pranojmë se çrrënjosja e tij nga mjedisi fillestar do t’ia ndryshojë detyrimisht natyrën. Lidhjet intertekstuale janë shpeshherë vendimtare në kuptimin e një shkrimi. Shkrimi “Triumfi i komentit” jo vetëm u botua në rubrikën “Humorr” të Peizazhe të fjalës, por ishte edhe vijesë e artikujve të tjerë për këtë temë. Ata që e ndjekin me vëmendje këtë blog do ta kenë vënë re se tema e komenteve, ndonjëherë e induktuar nga komentuesit, ka qenë mjaft e pranishme në këtë hapësirë. Në rast se PTF-në do ta shikonim si makrotekst, shkrimet për komentet do të përbënin një kapitull të tij. Shkëputja pra, edhe pse e ligjshme dhe e kuptueshme, e një artikulli të tij dhe ribotimi në një vend tjetër së paku duhet shpjeguar, për sa kohë ai shkrim mbiu nga një humus i caktuar, brenda një diskutimi të caktuar, pa të cilin nuk mund t’i kuptohet as ekzistenca. Pra shënime të llojit “Marrë nga ….”, ose “Botuar fillimisht në…” nuk duhen parë vetëm në prizmin e të drejtave të autorit, por edhe si ndihmesë për interpretimin e drejtë të shkrimit.
Për të vazhduar me të njëjtin shembull, por të tillë ka sa të duash në internet, mund të themi se zhvendosja e tij ta zëmë në faqet e një gazete ia varfëron jo vetëm intertekstualitetin, por ia asgjëson karakteristikat hipertekstit, duke hequr ta zëmë lidhje (link) e të tjera marifete internetiane si këto. Ka shkrime, si p.sh. shkrimi i Xhaxhait “Riprodhimi i elitave” për peticionet, që janë shumë të lidhura nga një anë me mjedisin e internetit, nga tjetra me odën e posaçme, të blogut në rastin tonë. Pa përmendur karakteristikën prej tharmi të diskutimit, përndryshe krejt të dukshme. Kalimi në vend tjetër mund të bëhet, por “shtrembërimet” duhen marrë medoemos parasysh.
Jemi ende në nivelin e parë të leximit, ku lexuesi orientohet me sinjalet e para, po të huazonim ndarjen e studiuesit John Fiske, sipas të cilit leximi kalon gradualisht gjithnjë e më në thellësit të tekstit. Ndërsa po t’i referoheshim gjuhëtarit T. van Dijk, do të kuptonim se jemi ende në ndarjen fillestare midis narrativës natyrale dhe asaj artificiale (tek e para bëjnë pjesë lajmet e gazetave; tek e dyta tregimet e romanet). Në këtë kuadër, të ashtuquajturat frames mund të shihen si orvatje të autorit për ta ndihmuar lexuesin – ta zëmë nxjerrja në rubrikën “Sociologji”, “Udhëtime”, “Urbanistikë” ose futja e fjalëve etiketë (tag), që shpeshherë përbëjnë çelësa të njëmendtë interpretimi –, pra si korniza të parafabrikuara, por edhe si procese konjitive, që ndërtohen në mendjen e lexuesit me kalimin e kohës. Elemente të tilla orientuese janë të domosdoshme sidomos në hapësira të pafundme si ajo e internetit, ku ndjesia e hutimit e përshoqëron vazhdimisht lundërtarin standard, sidomos kur është në kërkim e sipër, shpeshherë duke vozitur me orë të tëra në arkipelagë të panjohur.
Është e vërtetë se rrjeti global i komunikimit informatik (cyberspace) u ofron teksteve platforma elastike, multimediale, shumëformëshe, ku mund të ndërveprojnë përtej përvojave tradicionale, ngaqë aty mbizotërojnë të tjera ligje fizike, sikurse në filmin Matrix të vëllezërve Wachowski vepronin të tjera rregulla sistemike; por kjo nuk do të thotë se mendimet e shprehura nëpërmjet tekstit duhen përdredhur nëpërmjet shformimit të tij, qoftë në mënyrë të pavetëdijshme. Toka virtuale ku rritet mendimi shqip, kryesisht në këto vite intensive, ka nevojë për plehra kimike e organike, falë të cilave të kultivohet edhe respekti ndaj tekstit, që shkon përtej dinjitetit të autorit, ose aspektit juridik të copyright-it. Këtu, kemi të bëjmë me respektin e mendimit në përgjithësi, të bashkëbiseduesit, të Tjetrit, tek e fundit të vetes; kemi të bëjmë me etikën e komunikimit, dhe si rrjedhim me bashkësinë ku mendimi lind, merr formë e hulumtohet. Madje interneti, me fuqinë e vet riprodhuese, mund të përdorohet pozitivisht në këtë drejtim. Me fjalë të tjera, mirëtrajtimi i tekstit përshenjon edhe shenjtërimin e mendimit, si një nga vlerat e pazëvendësueshme të shoqërisë.