Hapësira virtuale shqiptare po rritet gjithnjë e më shumë. Interneti në shqip, por edhe komunikimi nëpërmjet mjeteve elektronike, edhe pse jo në mënyrë organike e lineare, po i zgjeron dita ditës kufijtë e vet. Kjo rritje nuk mund të konsiderohet ende zhvillim i mirëfilltë, megjithatë duhet pranuar se tekstet në shqip janë shtuar si nga ana sasiore ashtu edhe nga ana cilësore. Mirëpo, disa fusha e lugina të hapësirës së internetit shqiptar i ngjasojnë përnjimend far west-it të dikurshëm, po të kemi parasysh trajtimin që i bëhet tekstit.
Kush e përdor rregullisht internetin e di fare mirë se teksti në këtë univers kushtëzohet nga ligje të tjera gravitacionale. Përdoruesit e uebit, gjithashtu, e kanë vënë re se tekstet emigrojnë nga një faqe në tjetrën pa u lodhur fare, në kohë reale, praktikisht me disa lëvizje të vogla të miut të kompjuterit, ose të tasteve të famshme ctrl+c e pastaj ctrl+v. Paralajmërojmë se në këtë rast na intereson ekskluzivisht çka i ndodh tekstit të zhvendosur diku tjetër e jo çështja e të drejtave të autorit, që natyrisht kërkon përqasje tjetër.
Blogu Peizazhe të fjalës konsiderohet prej kohësh si minierë në qiell të hapur, nga ku merren, pa kurrfarë gërmimi në galeri, tekste të tëra, për t’i ripërdorur në vende të tjera. Aktin e ekskavatorit po e konsiderojmë të pranueshëm, sidomos në ato raste kur leja e autorëve është implicite ose e hapur. Mirëpo kjo bartje tekstuale verifikohet pa asnjë telash, apo rrugës ngatërrohen kuptime, vlera, e copëza të tjera, sikundër ndodh rëndom kur ndërrojmë shtëpi?
Le të kujtojmë që në fillim se teksti dixhital nuk është aspak si teksti në letër. Pa përmendur studimet e shumta në këtë fushë dhe tiparet e tekstit dixhital, si p.sh. përfaqësimi numerik, formati, modulariteti, etj. mund të thuhet së pari se ai e ka humbur përfundimisht karakteristikën e vet si objekt material. Një libër i krijuar në shtypshkronjë nuk ka shumë lidhje me atë në internet, anipse ka programe e formate të tilla (si Adobe Acrobat e Pdf) që përpiqen ta riprodhojnë përafërsisht.
Nga ana tjetër, një nga tiparet më të rëndësishme të tekstit në internet është ndryshueshmëria. Ky tipar amplifikohet në disa agorà virtuale specifike (p.sh në blogje, forume) ku teksti krijohet posaçërisht për t’u pasuruar me prurje të tjera, madje shpeshherë konceptohet nga autori si tharm i diskutimit të mëpasshëm. Vetë komentet e ndryshojnë shkrimin kryesor, duke e nxitur autorin jo vetëm t’u përgjigjet, por edhe të shtojë mendime të tjera, praktikisht duke e rikonfiguruar shkrimin fillestar. Domethënëse janë rastet e rralla kur autori, për një arsye ose një tjetër, e korrigjon shkrimin me ndihmën e komentuesve, çka vërteton haptazi karakterin provizor të tekstit në rrjet. Në fakt, përditësueshmëria është një karakteristikë tjetër e tekstit dixhital. Umberto Eco na kujton se puna e filologëve të dikurshëm nuk mund të bëhet sot, kur autori i një libri e bën, zhbën dhe e ribën tekstin në kompjuter, praktikisht duke ripunuar me dhjetëra “kopje fantazma” të veprës së vet.
Më konkretisht: çfarë vërejmë kur një shkrim dalë fillimisht në internet merret e botohet në letër (gazetë, revistë, dispensa, etj.)? Në raste të skajshme e mënyrë hiperbolike mund ta quanim “dhunë tekstuale”, për sa kohë zgjedhja konsiderohet e imponuar, e pamenduar dhe problematike; kjo dhunë ushtrohet në radhë të parë kundër autorit, së dyti kundër lexuesit e së fundi kundër tekstit vetë. Çdo autor e di fare mirë se mediumi ka rëndësi parësore, aq më tepër në një shoqëri të kumtimit masiv ku vetë mediumi shndërrohet në mesazh. Kur autori ftohet të shkruajë diçka për gazetën, ai para se të marrë kartë dhe penë, ose tastierë dhe ekran, do të përfytyrojë lexuesin model të artikullit të tij. Përveç kësaj, nuk duhen harruar “rregullat” editoriale që vijnë nga lart (kryeredaktori) si gjatësia e shkrimit, stili, arsyeja e botimit, e kështu me radhë.
Është e qartë se transplantimi nga hapësira e internetit tek ajo e letrës, detyrimisht e shpërfytyron qëllimin e autorit (por edhe të tekstit), i cili e kishte konceptuar për një lexues tjetër krijesën e vet. Shembuj mund të jepen nga shumë blogje, duke filluar nga Peizazhe të fjalës, ku autori ndonjëherë “e lëshon dorën”, sepse ndihet në një mjedis intim, në bashkëbisedim të lirë, pa formalizmin e hapësirës tradicionale, e nuk e pret që teksti i tij të katapultohet në logje të tjera, ku me të drejtë kërkohen adete të ndryshme. Ndryshimet e çrrënjosjes së tekstit nga një habitat në tjetrin vihen re edhe në kah të kundërt, kur p.sh. botohen në blog shkrime që e kanë parë dritën në gazeta ose në revista të specializuara: stonimi dallohet pa vështirësi.
Në qoftë se teksti përbën fushën ku luajnë autori e lexuesi bashkë, në një lojë të ndërlikuar negocimi të kuptimit, atëherë nuk është e vështirë të kuptohet se çdo ndërrim i rregullave, përfshirë kompetencat e supozuara të lexuesit, e pështjellon disi situatën. Jo gjithnjë paraqiten raste dramatike, por shpeshherë pakti komunikues midis aktorëve që i japin kuptim tekstit, që në një farë mënyrë është vetë fushë e minuar, hidhet në erë pikërisht nga zhvendosje të pakujdesshme. Kufijtë kohorë e hapësinorë të internetit janë krejtësisht të ndryshëm me kufijtë e universit të Gutenbergut. Në qoftë se një shkrim merret disa muaj më vonë nga një blog dhe botohet në gazetë, në rastin më të mirë mund të presim të papritura, natyrisht jo gjithnjë të pakëndshme.
Sipas vendit bëhet edhe kuvendi, thotë një fjalë e urtë shqiptare. Tani, në qoftë se një shkrim kundër kombëtarizmit folkloristik botuar në një log ku kultivohen prej kohësh ide të tilla, hidhet si copë mishi në një forum superkombëtarist, ku tema përbën tabu, është afërmendsh që luanët kuqezinj do ta shqyejnë pa mëshirë, fillimisht tekstin, pastaj autorin. Ose e kundërta. Pa hyrë në detaje të tjera, mund të themi se qëllimi i autorit në këtë rast u tradhtua, meqë kur e shkroi pjesën e akuzuar ai pati në mendje tjetër lexues, përndryshe do ta kishte formuluar krejtësisht ndryshe mendimin e tij. Pra zhvendosja e pakujdesshme e tekstit krijon probleme edhe brenda hapësirës virtuale. Teksti dixhital njihet për nomadizmin e tij, që e ka të stampuar në adn-në e vet, por kjo lëvizshmëri bëhet problematike kur realizohet pa takt ose kur teksti deportohet me forcë.
Kam parë shkrime të Xha Xhait që e vazhdojnë jetën gjetiu, në site të tjera interneti, si në ato tregimet fantashkencore ku jeta vijon në përmasa të tjera hapësinore. Jo gjithnjë ndryshimi i formatit mund t’i krijojë shqetësime tekstit, por ka edhe elemente të vogla që ia prishin ekuilibrin kuptimor tekstit fillestar. Duke filluar nga përkthimi i pseudonimit në emër të përveçëm, që nuk është aq i pafajshëm kur mbetet klandestin si veprim. Ka raste që kur autori firmoset me pseudonim dhe vendoset emri i tij, nuk verifikohet asnjë ndërlikim, por ka raste të tjera kur autori, për arsye të ndryshme, dëshiron t’i mbajë të ndara gjërat. Pavarësisht nga kjo, po thoja se kam parë artikuj të Xha Xhait që komentohen egërsisht, ose për mirë, në vende ku janë syrgjynosur pa dëshirën e autorit. Ndodh në internet që jeta e re pas shpërnguljes të bëhet pa dijeninë e autorit, i cili nuk mund ta ndjekë krijesën së vet as për kureshtje. Po të krahasoheshin, edhe nga pikëpamja filologjike, jeta e shkrimit në dy forume të ndryshme do të shikohej pa vështirësi se ata janë përnjimend binjakë, por secili me veçoritë e veta. I pari mund të jetë pasuruar pak nga komentuesit e shumë nga autori, që mund ta ketë retushuar në disa pika e shtuar në të tjera; i dyti mund të ketë mbetur në fazën fillestare i bllokuar nga trysnia e komenteve të shumta pa dialog. I njëjti shkrim me dy fate të ndryshme. “Sliding doors” të tekstit.
Në fakt, vepra i ngjason disi adoleshentit, që pasi e ndjen veten të rritur, në moshë madhore, largohet nga prindi e fluturon i pavarur drejt horizonteve të reja. Edhe në epokën e letrës, “jeta private” e veprës mbetej pjesërisht ose tërësisht e panjohur nga ana e autorit. Mirëpo autori ia njihte të paktën kontekstin dhe formën, që në një farë mënyre ishin më të ngurta e të standardizuara. Porse siç e shpjeguam më lart, mjedisi ku mbijnë shkrimet e sotme është tërësisht i ndryshëm nga ai i mëparshmi. Kjo s’do të thotë se shkrimet nuk duhen marrë e ribotuar, por që gjatë transportit i duhet vënë etiketa “Fragile“. Rastet më flagrante mbeten ato kur autorët praktikisht “rrëfehen” përballë grupit të lexuesve, ose kur blogu vetë shndërrohet në një hapësirë komunikimi mes autorëve të tij. Shkrimi i ribotuar rrezikon ta humbasë përmasën e vet dialogjike, por edhe cilësi të tjera, ngaqë rimbjellja nuk i respekton kushtet stacionare të parashikuara. Nuk mohohet se ky proces mund të shihet edhe pozitivisht, për sa kohë do të ketë toka virtuale ku vepra zë mirë e vegjeton vrullshëm.
[vijon]
Shkrim shume interesant qe sipas meje meriton refleksione dhe thellime te metejshme!
Une do te thoja vetem diçka:
Mendoj se kush shkruan ne internet u del zot pohimeve dhe qendrimeve te veta pavaresisht mjediseve dhe logjeve ku mund te perfundoje shkrimi, me kusht qe ky te mos cungohet dhe te mos manipulohet.
Platforma dhe forma e tekstit vertet ka efekte ne receprimin e tij, por nuk e prek fare qellimin e autorit. Çka ndryshon ne raste te tilla eshte qellimi i lexuesit.
Perndryshe, nese nje autor shkruan sipas parimit “siç eshte vendi behet kuvendi”, atehere nuk eshte per t’i besuar shume sepse i bie te jete hipokrit.
Kujtoj se edhe shkrimet e shtypura ne leter mund te citohen, te rimerren, te botohen e te ribotohen ne kohe dhe hapesira qe autori mund te mos i kishte fare ndermend kur e shkroi shkrimin. Pasi del nga duart e autorit, teksti, qofte i shtypur ose digjital, fiton jete te pavarur.