Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

MEMO NË SHISHE

memoPubliku shqiptar u njoh këto ditë me tekstin e një memoje, pas gjase të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku i shkulet veshi qeverisë shqiptare, për retorikën nacionaliste të muajve të fundit.

Tekstin e memos, të pjesshëm dhe pastaj të plotë, e bëri të njohur Sokol Balla në Top-Channel.

Deri më sot, as ambasada amerikane, as ndonjë autoritet tjetër i ShBA, nuk ka bërë komente për memon.

Kemi të bëjmë, në pamje të parë, me një leak, ose një dokument që ekziston në limbon midis konfirmimit dhe përgënjeshtrimit; të cilit nuk i njihet as burimi as destinacioni – një mesazh të zhveshur nga konteksti i menjëhershëm ose komunikativ, edhe pse të rrënjosur mirë në kontekstin politik dhe diplomatik të Ballkanit.

E megjithatë, nga një vështrim i shpejtë i dokumentit, të cilit i ka qarkulluar një faksimile në mediat, ky nuk duket autentik.

Disa komentues vunë në dukje anglishten pak shkeleshko të dokumentit; unë do të shtoja këtu edhe mungesën e kokës, ose të asaj që në anglishte quhet header.

Një dokument i DASH-it, edhe kur është për përdorim të brendshëm, nuk mund të ekzistojë pa kokë zyrtare.

Për mua, kaq mjafton për ta vënë në dyshim natyrën e dokumentit, ashtu siç është cilësuar ajo në mediat shqiptare.

Në momentin e tanishëm mund të spekulohet për disa gjasa.

(1) Ky dokument është shkruar përnjëmend nga një diplomat amerikan, veç jo për t’iu dorëzuar qeverisë shqiptare ose përfaqësuesve të saj, por më shumë si një konspekt për një bisedë të ardhshme (talking points); me një fjalë për përdorim të brendshëm të diplomatëve amerikanë që kanë kontakte me zyrtarët shqiptarë (kur të takohesh me akëcilin, thuaj kështu dhe ashtu).

(2) Ky dokument është pjesë e një kundërgoditjeje të maskuar nga amerikanët, edhe pse jo doemos nga DASH-i; pse arrin t’ia komunikojë qëndrimin kritik ndaj Berishës të administratës OBAMA publikut shqiptar, por në mënyrë të tillë që të mos rrezikojë taktin dhe drejtpeshimin diplomatik, meqë gjithnjë mund t’i mohohet autenticiteti.

(3) Dokumenti është një kopje me dorë e një memoje që është dorëzuar vërtet; pra besnik në tekst, por jo në dokumentim. Në këtë rast, përgënjeshtrimi bëhet problematik – sepse nuk është lehtë të mohosh ekzistencën e një dokumenti, kur këtij i përgjigjet fjalë për fjalë teksti i bërë publik.

Që të jetë leak, dokumenti “i pikuar” duhet edhe të duket i mirëfilltë, ose autentik; por faksimilja që është treguar në mediat nuk i përmbush këto kushte – nuk ka as kokë zyrtare, as nënshkrim; është një copë letër që kushdo mund ta kërrejë nga kompjuteri i vet.

Efekti i këtij dokumenti jetim lidhet drejtpërdrejt me faktin që ai ende nuk është përgënjeshtruar; meqë thotë disa të vërteta të cilat ShBA duan t’ia përcjellin qeverisë shqiptare, por pa e gozhduar këtë në cep të ringut.

Në këtë mes, mungesa e shenjave zyrtare është kuptimplote – meqë, në prani të atyre shenjave, DASH-i dhe ambasada amerikane nuk do ta përgënjeshtronin dot dokumentin, pa akuzuar Top-Channel-in për falsifikim dokumentesh zyrtare.

Pa Komente

    1. Po të ishte fjala për memo të vetë Reuters-it, atëherë argumenti yt mund të qëndronte.

      Tani, se ç’pamje ka një memo e Departamentit Amerikan të Shtetit, mund ta shohësh këtu: http://goo.gl/qzA0X.

      Ndërsa te kjo lidhje tjetër, mund të lexosh rregullat zyrtare për paraqitjen tipografike të memove të DASH-it: http://www.state.gov/documents/organization/89314.pdf

      Dokumenti i publikuar nga mediat mund të jetë gjithçka, përveçse memo e DASH-it.

      Supozoje se ta dhanë ty, si diplomat, në dorë atë dokument: çfarë do të mendosh? Se ta ka dërguar DASH-i? Natyrisht jo. Një dokument i shkruar në anglishte, por pa kokë (header), pa fushë të marrësit, pa fushë të dhënësit, pa datë, pa emër të kujt e dërgon, pa nënshkrim.

      Mua s’më bind fare ajo copë letër. Nuk lëshon administrata amerikane, zyrtarisht, asi farë zhgarravinash (as administrata shqiptare nuk i lëshon!).

      1. Po mire, ti xhaxhi, pse nuk ben nje verifikim vete para se te shkruash? Sikur je dhe qytetar amerikan e ke te drejte te pyesesh DASH a kedo tjeter qe ka bere kete dokument. Eshte ABC-ja ne gazetari ose per ta qe merren me shkrime publike.

        1. Sikur memot e organeve të huaja, aktet e legjislatorit tonë vizionar, aktet e administratës publike vendase, deri dhe vendimet e gjyqësorit tonë të ashtuquajtur të pavarur (pa marrë fare në konsideratë shtypin merre-me-lëng, në shumicën e rasteve), të kishin çerekun e qartësisë, argumentit dhe studimit që i bën Xha Xhai edhe nje artikulli opinion-dhënës të thjeshtë, të gjithë do ishim më të mirëinformuar, e më të mbrojtur nga një sërë shkeljesh e abuzimesh me sfond kolektiv.

          Fakti se dikush ka zgjedhur ta përcjellë mesazhin pa formë, e me çerek përmbajtje, nuk e bën më pak të saktë e të goditur analizën e Xha Xhait për formatin e atij pseudo-dokumenti.

          Mirë do ishte që dikur të fitonim edhe ekuilibrin e duhur në kërkesë llogarie, duke mësuar të ndajmë burimin që zgjedh të japë mesazhe/informacione të cunguara, nga organet e hetuesisë, nga profesionistët e gazetarisë investigative, nga pasionantët e gazetarisë, e të tjerë të llojit. Do evitohej kjo figura e hienës, falas, atypari.

      2. He xhaxhi, te gjithe flasin per memon, vetem ti, jo e jo…je bere si Fatos Lubonja me duket. Se ai ve gjithcka ne dyshim, kundershton e kritikon kedo qe ti dale para e per gjithcka. Njelloj si ajo fraza ne anglisht: “jack of all trades, master of none”.

  1. Nese USG ka njerez qe shkruajne ne ate menyre e mori lumi diplomacine dhe boten. Sado negativ ta kene qendrimin ndaj maxhorances ne Shqiperi nuk eshte e mundur te shprehen ne ate menyre. Per mua dikush eshte tallur dhe shume e kane marre per te vertete te nisur nga zelli ala-Daje perfshire opoziten. Reuters, sa per muhabet, citon nje numer gazetash …

  2. Shteti yne sa here qe afrohet dita e zgjedhjeve gjithnje e me shume nuk behet shtet kjo per faktin e thjeshte sepse pushteti urhderon shtetin te mos funksionoje. Kjo perkthehet edhe tek kjo MEMO qe me shume mundesi ka dale nga pushteti dhe jo nga ambasada. Sa e sakte eshte kjo MEMO? Hm mendoj qe eshte shume duke qene se vete Petrit Vasili (nr 2 tek LSI?) e pohoi sot nga zyra e nenkryetarit ne Bashki.

  3. Nuk e di se çfarë mendimi ka përgjithësisht për Papën (në ikje tashmë), por mua nga ai më ka ngelur një shprehje në mendje, që u drejtohej ateistëve dhe u sugjeronte: silluni sikur zoti të ekzistonte.

    Çfarë lidhje ka kjo me memo-n? Kjo fotografia që shohim në blog, e paraqitur si “memo”, normalisht nuk ka si të jetë dokument zyrtar. Që të ishte, do duhej të kishte të dhënat që Xha Xhai po shkruan më lart mbi to: koka, stema, forma zyrtare e paraqitjes së dokumentit mungojnë.

    Mirëpo, pothuajse të gjitha palët e përfshira prej memo-s në fjalë, gati të gjithë, po sillen sikur kjo të ekzistonte vërtet, dhe të ishte dokument zyrtar.

    Për shembull, në emisionin e Sokol Ballës, morën pjesë katër analistë. Që të gjithë folën mbi memo-n, secili sipas përkatësisë së vet politike, dhe duke mbrojtur qëndrime përkatëse, por asnjë nuk e vuri në dyshim ekzistencën e dokumentit.

    Deklarata e një dite më pas, e vetë kryeministrit mbi “nacionalizmin qytetar”, u perceptua si përgjigje ndaj memo-s. Dhe sot, përsëri, partia aleate e qeverisë, LSI, doli me një deklaratë ku nuk mohohej ekzistenca e dokumentit, por sugjerohej si të shihej ky dokument.

    Çfarë është atëherë kjo që po ndodh?

    Normalisht përgjigje ezauruese ndaj ekzistencës së dokumentit, mund të japë – në formë bindëse – vetëm ambasada amerikane në Shqipëri. Nëse kjo ambasadë e mohon ekzistencën e një qëndrimi të tillë, përmes memo-s, atëherë çdo gjë duket qartë. Të paqarta punët do i kishte gazetari Sokol Balla ma do mendja, të cilit do i kompromentohej jashtë mase integriteti i vet profesional.

    1. Jul, me fal por nuk besoj se Papa mund te kete thene ndonjehere “silluni sikur zoti të ekzistonte”.
      E nuk besoj as qe Papa t’u drejtohet me keshilla a sugjerime ateisteve. Nuk di vertet ku i lexon keto gjera.

    2. Papa gjate nje leksioni filozofie ne Rome ka cituar dhe ka komentuar shprehjen e Pascal-it “veluti si deus daretur”, rimarre pastaj edhe nga Kanti. Por ai pasazh nuk mund te shkeputet nga konteksti dhe t’i vishet Papes si “sugjerim drejtuar ateisteve”.

        1. Seç me kujtove ca e ca qe, duke shkeputur nga konteksti nje gjysme vargu nga poema “Metamorphosis”, thone se Fishta paskesh deklaruar se: “S’jam Shqyptar” 🙂

          1. Prapë nuk paske kërkuar, gjithsesi.

            Atëherë, Papa Benedikti i XVI, siç po duket ka qënë i interesuar për dialog me laikët dhe ateistët. Përderisa ka shkruar parathënien e librit të Marcello Pera-s (ateist ky), me titull: Why should we call ourselves christians.  Një nga kapitujt e librit madje titullohet As if God existed. 

            Në review-të e librit tek Amazon, gjendet një koment që shkruan se këtë shprehje Papa ia paskësh drejtuar Oriana Fallacit, kur kjo e pyeti se çfarë duhet të bënte si ateiste. Nuk e konfirmoj dot, se librin nuk e kam.

  4. Për memon në shishe mund të spekulohet shumë. Cilado dorë ta ketë shkruar, fakt është që i drejtohet publikut shqiptar. Ky është marrësi i njëmendtë i mesazhit. Departamenti i Shtetit ka kanale zyrtare e jozyrtare për t’i dërguar një shishe qeverisë shqiptare, duke zgjedhur edhe brendinë: raki, konjak, ujë, pusullë… Mënyra e zgjedhur flet qartë se autoritetet e supozuara amerikane në të vërtetë donin t’ia bënin të ditur shqetësimin e tyre qytetarëve shqiptarë.

    A është letër zyrtare? Absolutisht jo. Edhe personat tani përdorin letër me kokë ose me logo. Por dikush mund të thotë se kokën “ia kanë prerë” për arsye të kuptueshme, për të mos lejuar rrjedhje të tjera informacioni.

    Sidoqoftë, tani topin e ka diplomacia amerikane. Nëse e përgënjeshtron muhabeti mbyllet, çka do të thotë se shqetësimi për retorikën nacionaliste shqiptare nuk ekziston. Kjo mund të merrej edhe si dritë jeshile për politikën: “Jepini, vazhdoni, se mirë e keni”. Nëse e pohojnë, duhet të pranojnë se po mbajnë një pozicion shumë ndërhyrës, sidomos për periudhën e tanishme paraelektorale. Nëse nuk flasin e lënë mesazhin të nënkuptohet, çka do të thotë se njëra palë do ta quajë të paqenë e tjera do ta konsiderojë të vërtetë absolute.

    Mos duhet një shishe tjetër?

  5. Edhe une mendoj se pergenjeshtrimi ose jo i ketij dokumenti nga Ambasada USA do ti vente vulen vertetesise se tij. Deri tani pergenjeshtrimi mungon cka i jep me shume peshe faktit qe ky dokument mund te jete i vertete. Dyshimet qe vehen ne pah jane te drejta, por ato veniten pa mohimin zyrtar Amerikan

  6. Zor se DASH mund perdore nje gjuhe kaq te drejtperdrejte me shprehje te tipit “don’t make us condemn you…”, veç mos paste ndermend te dergoje fill me pas bombardieret.

    Mund te jete nje boce pune e “pikuar” nga ndonje kompjuter i ambasades amerikane, ose ndonje email i derguar ne menyre konfidenciale nga zyrat e ambasades amerikane ndonje “miku” a “keshilltari” diplomatik shqiptar prane qeverise apo presidences.
    Fakti qe nuk pergenjeshtrohet eshte shume domethenes.

  7. Memoja i ngjan fishkellimes se nje prindi jokonvencional ndaj femijeve te prape te ndalin menjehere harbimin. Mua ne fakt me shume se vertetesia apo jo e memos me shqeteson influenca e madhe e te huajve ne Shqiperi simbolizuar nga aksionizmi i ambasadoreve. Fundja keta nuk jane te zgjedhur dhe nuk mbajne pergjegjesi per veprimet e tyre.

    Edhe pse memoja po ka nje efekt te deshirueshem me shpesh sec duhet nderhyrjet e ambasadoreve jane te demshme. Jane te demshme mbi te gjitha pse kultivojne shmangjen e pergjegjesise se elitave (ashtu na tha Amerika). Opozita sot duket sikur eshte per ambasadoret e jo per ato njerez qe i japin voten. Nderhyrjet e shkuara te ambasadoreve per gerdec/skandali meta/21 janari/ per t’ju a lene ceshtjen gjykatave te kontrolluara dukshem nga pushteti kane akoma shije te hidhur. Dhe per kete ata nuk i japin llogari njeriu. Sot per asnje nga keto ceshtje nuk ka fajtor. Bile as sa per sy e faqe nuk ka.

    Opozita duhet te shfrytezoje pakenaqesine, mizerien ekonomike e shoqerore, qe ka kapluar te rinjte dhe internetin per te krijuar struktura decentrale, takime ne shkalle lagjeje dhe nje kulture rezistence organike qe do ti beje memot dhe vete ambasadoret te shkojne ne vendin qe ju takon (99% te kohes ne kufijte e e paperfillshmerise).

  8. Akoma nuk te mbushet mendja xhaxhi? Lexo kete lajm nga LSI (Min i Jashtem eshte i tyre). Pastaj e kane dhene te gjithe memon, pra kembet e koken. Por perderisa Amb Amerikane nuk mohon por hesht, dmth se eshte eshte PO. Keshtu funksionon diplomacia xhaxhi. Por ti si shkruan kunder pa qene i sigurte?

    LSI tani e pranon se ka një memo të DASH, mediat e huaja vazhdojnë jehonën

    http://www.gazetatema.net/web/2013/02/16/lsi-tani-e-pranon-se-ka-nje-memo-te-dash-mediat-e-huaja-vazhdojne-jehonen/

  9. Koregjim: Pastaj nuk e kane dhene te gjithe memon, pra kembet e koken.

  10. Autentik apo jo, nje gje eshte e sigurt:
    thelbi i atij teksti perkon me interesat amerikane ne rajon. Amerikaneve nuk u interesojne kokeshkrepjet nacionaliste te qeverise shqiptare, nuk i intereson destabilizimi i rajonit.

  11. Se erdhi me ‘shishe’ apo me ‘asteroid’ neve ‘memon’ e kemi hallall, pasi e meritojme.

    Nje kercitje dhembesh nga ‘kujdestaret’ nuk na bene dhe aq keq, pasi na zgjon nga enderat ‘elektorale’.

    Po te merremi me teori konspirative, do te biem dakort se ‘dikush’ (dikush me tope i thone) e ka dhene te gjymtuar kete memo per aresye te mosnderhyrjes ne punet e brendshme ne periudha elektorale dhe per te humbur ‘gjurmet’ e ‘qitjes’ direkte apo me rikoshet, si ai eksperti i ’21 Janarit’…Spiuna ka plot si ne perfaqesite diplomatike dhe ne ‘oboret’ kryeministrore te Shqiperise, Kososves a Maqedonise…

    E rendesishme eshte qe ‘memo’ doli ne drite. Qe ‘memo-n’ e lexuam ne si milet dhe prijesat e shqiptareve qe luftojne per te zene vende ne ‘piedestalet’ bosh qe po i fshijne e lajne pluhurin me shtupen e lerosur te nacionalizmit, duke i ngallosur dhe me keq, si llanxherja qe lan filxhanin me uje te rrjedhshem dhe bishtit i mbeten llucat.

    ‘Kavurdisja’ po vjen ere, mesa duket eshte djegur ‘qepa’…

    ‘Asreroidi Memo’ na ka goditur…se vjen nga qielli a provat e armeve te reja amerikane…le t’ja leme kohes.

  12. Fakti qe ambasada amerikane s’e pergejnjeshtroi menjehere le pershtypjen qe memoja eshte e vertete si tekst. Per mua s’ka endesi nese letra eshte origjinale apo jo, nese koka eshte lene pa ‘rrjedhur’ kastile, etj, ne kuptimin qe ato jane detaje.

    Bile nuk besoj as qe Top Channel do ta botonte si lajm dhe si foto te tekstit pa patur nje fare konfirmimi (qofte indirekt) nga ambasada, se ndryshe do rrezikonte kredibilitetin, ne nje skenar sikur te nesermen p.sh. te dilte Arvizu dhe te thoshte qe eshte komplet fallco, apo qofte dhe sikur te thoshte qe eshte teks i ndryshuar dhe pergjithesisht i pavertete.

    Fakti qe Berisha me te vetet s’e mohuan por ne nje menyre u justifikuan, shpjeguan retoriken nacionaliste, le te kuptoje qe memoja jo vetem ka egzistuar ne kompjuterat e Amerikes por dhe eshte derguar si mesazh tek qeveria shqiptare.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin