Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Media

TORTA E INTERNETIT

nga Read Me         

Pew Research Center (PRC) është një nga NGO-të më të njohura e të respektuara në SHBA. Kjo qendër, përfaqësuese tipike e një “think tank organization”, e bazon aktivitetin në një shumëllojshmëri sondazhesh e projektesh. Pew Internet and American Life Project (shih në linkun këtu: Pew Survey) është një nga projektet më me interes, ku nëpërmjet sondazheve hulumtohen e studiohen aspekte të sjelljes, qëndrimit dhe marrëdhënieve të njerëzve kur ndërveprohet në domenin virtual, internetin.

Dikotomia e përdoruesve të internetit në liberalë dhe konservatorë sjell fakte intriguese për sjelljet e tyre në “social networking sites” (sajtet e rrjetit shoqëror), e ndërkombëtarizuar shkurt si SNS. Secili nga ne ka një ide, apo metër personal se si mund të përkufizohet dikush liberal apo konservator. Për hir të objektivitetit në këtë prurje, po sjell një prej përkufizimeve të Oxford Dictionary për secilin rast.

Liberal është një njeri i hapur ndaj sjelljeve, qëndrimeve, mendimeve të reja, i gatshëm të heqë dorë nga tradita.

Konservator është një njeri që tërhiqet fort pas traditës, i matur para ndryshimeve dhe novacioneve.

Sipas sondazheve, 66% e vizitorëve të internetit, janë përdorues të SNS-ve (Facebook, Linkedln, Google+, etj). Prej përdoruesve të SNS-ve, shumica (82%), nuk ka marrë asnjë masë ndaj njerëzve që shfaqin pikëpamje të ndryshme. Vetëm një pakicë, kanë ndaluar, bllokuar, ose larguar nga sajtet e tilla, njerëzit që kanë pikëpamje politike të ndryshme, apo kur komentet e tyre konsiderohen si ofenduese për sensibilitetin e lexuesve të tjerë. Janë liberalët që priren më shumë për të marrë një nga hapat e mësipërme: 28% e liberalëve krahasuar me 16% të konservatorëve.

Kush janë përdoruesit ndaj të cilëve merren masa të tilla? Shumica, 67% janë njerëz që janë miq ose të njohur të largët, dhe vetëm 31% janë miq apo të njohur të afërt.

Si i përgjigjen lexuesit një shkrimi me përmbajtje politike? Rreth 47% e lexuesve shtypin butonin “pëlqej”, kurse 38% shkruajnë komente pozitive. Liberalët (48%) shkruajnë komente më shumë se konservatorët (33%).

Vetëm 16% janë njerëzit që ndjekin SNS-në e dikujt, sepse ndajnë të njëjtat pikëpamje politike. Shumica e pjesëmarrësve të SNS-ve (77%) nuk kanë ndrojtje të postojnë komente politike, ndërkohë që janë vetëm 22%, ata të cilët i shmangen komenteve, duke mos dashur të ofendojnë sensibilitetet e të tjerëve.

Përdoruesit liberalë (38%) pohojnë se miqtë, shokët e tyre liberalë, postojnë më shpesh materiale me përmbajtje politike krahasuar me miqtë e përdoruesve konservatorë (26%). Një tregues interesant është fakti se sa më partizan, militant të jesh në ekstremet e spektrin liberal apo konservator, aq më e madhe është tendenca për të rënë dakord, me çdo prurje të spektrit të cilit përdoruesi i përket. Qoftë liberal, qoftë konservator, ndeshet me të njëjtin reagim kur lexuesit, miqtë e tyre nuk bien dakord me materialet politike të postuara: 66% e lexuesve nuk reagojnë fare, 28% reagojnë me ndonjë koment. A ka reagime negative kur postojnë ndonjë material që nuk pëlqehet? Vetëm 37% dëshmojnë për reagime të forta prej lexuesve, kur kanë postuar ndonjë material që nuk pëlqehet, 66% nuk marrin asnjë sinjal nga lexuesit.

Duke kërkuar materiale për këtë shkrim, ndesha në një dialog interesant midis dy protagonistëve të medias amerikane bashkëkohore: Bill O’Reilly, drejtues i programit The O’Reilly FactorFox News i cili konsiderohet si komentator konservator (ai vetë pohon se është i regjistruar të votojë si i pavarur), dhe gazetares liberale, Kirsten Powers, kolumniste e The Daily Beast, media me prezencë në internet e që konsiderohet me prirje të majta.

O’Reilly i referohet një studimi  të George Washington University (GWU) rreth marrëdhënieve që kanë liberalët dhe konservatorët me internetin. Sipas O’Reilly-t, pak a shumë, studimi i GWU është në një linjë me sondazhet e PRC të sjella më sipër: 22% e liberalëve kanë ndërprerë marrëdhëniet digjitale, nëse dikush nuk përkon me pikëpamjet politike të tyre, krahasuar me 15% që është rasti i konservatorëve. Gjithashtu, studimi tregon se 75% e njerëzve nën moshën 25 vjeç, i besojnë më shumë informacioneve të marra nga interneti, se sa prej “mainstream” medias.

Kur kërkohet një reagim nga Kirsten Powers, e ftuar në programin e O’Reilly-t, përgjigja e saj është befasuese, jashtë të pritshmes (të paktën për mua), të dalë prej gojës të një opinionshkruese të The Daily Beast. Sipas saj, kur ajo përjetoi eksperienca jetësore jashtë flluskës (jetës të izoluar), çadrës së demokratëve, kur ishte e përfshirë në politikën e kësaj partie, mësoi se konservatorët ishin më të hapur se liberalët për të dëgjuar pikëpamjet e të tjerëve.

Sipas opinionit të saj, duke qenë se liberalët janë mësuar me faktin e njohur, të kontrollojnë “mainstream” median dhe akademinë, kur dëgjojnë gjëra që nuk përputhen me atë çka dëshirojnë ose janë mësuar të dëgjojnë, humbasin qetësinë, shqetësohen, vihen në lëvizje.  Gjithsesi, Powers nuk ndihet e befasuar nga një sjellje e tillë, ku liberalët janë pak të interesuar për opinionet e të tjerëve, e jetojnë në një botë, ku pak a shumë e gjithë media ka qenë brenda familjes liberale.

Ndërkohë, O’Reilly i kujton se konservatorët janë mësuar me një ambient jo fort mikpritës e mirëkuptues, ku atyre gjithmonë i duhet të argumentojnë e të mbrojnë mendimet dhe opinionet e tyre. Kirsten Powers, me tej shton se ndërkohë që, konservatorët presin të kundërshtohen, pra e presin kundërvënien, liberalët para një situate të tillë ndjehen si të kapur në befasi, diçka që nuk pritet prej tyre: “Çfarë je duke thënë? Gjithkush e di se çfarë unë mendoj është e drejtë (pra liberali beson se gjithmonë ka të drejtë) dhe asnjë nuk mendon ndryshe nga unë.” Sa më sipër është veçse një pjesë e bisedës së tyre të transkriptuar dhe përshtatur në shqip nga unë (shih në linkun këtu: The Factor )

Do të ishte me interes të aplikoheshin sondazhe, studime dhe diskutime të tilla në komunitetin virtual shqipfolës. Nuk e di se si do të paraqitej dikotomia liberal/konservator, përderisa demokracia shqiptare dhe marrëdhëniet që ajo ka krijuar, nuk janë ndoshta funksionale aq sa, të vendosin në një raport të drejtë, atë çfarë shihet si mendim e sjellje e re, gatishmëri për të ndryshuar, përballë asaj që konsiderohet traditë, ngurrim para ndryshimeve dhe novacioneve.

Studime të tilla, mund të përdoren si pika referimi, që të mësojnë të krijosh një perceptim më të qartë për sjelljet dhe qëndrimet e njërit krah apo të tjetrit. Është intrigues perceptimi i ndërsjelltë liberal/konservator edhe në këtë ndarje të tortës socio-politike të internetit.

Liberalët qëndrimet e tyre i motivojnë nga dëshira për të krijuar një ambient “ku të gjithë mund të merren vesh me njeri-tjetrin, duke gjetur gjuhën e përbashkët”. Për liberalët barazia krijohet nga kërkimi e gjetja e një kompromisi, konsensusi. (Vetë)censurimi nga ana e tyre, shmangja e një gjuhe të fortë, ofenduese, është pjesë e tolerancës si grup; të angazhuarit e liberalëve më shumë politikisht është shprehje e dëshirës për më shumë barazi shoqërore. Liberalët e konsiderojnë gjuhën e zhveshur, pa mbajtur rezerva, si joetike, fyese, sharëse, që abuzon me lirinë e fjalës, veçanërisht në politikë.

Kurse konservatorët i perceptojnë marrëdhëniet njerëzore më spartane, gjërat duhen thënë ashtu siç janë, pa shmangur konfliktet ideologjike. Ndërkohë që kompromisin e pranojnë, ata nuk druhen të thonë: “Të arsyetuarit dhe të pasurit të drejtë, nuk mund të zbehet prej arritjes në një zgjidhje. Duhet t’i thuash tjetrit, pa humbur respektin reciprok, kur dhe ku është gabim, e kjo nuk i ndryshon statusin kërkujt”. Konservatorë, siç është kryeministri britanik, shkojnë deri atje sa thonë që “liberalët praktikojnë shtypjen duke e quajtur atë barazi”.

Në përfundim, mendoj se përsiatje të tilla ndihmojnë sadopak të analizosh veten dhe të tjerët në domenin virtual të ndërveprimin; të ndihmojnë të gjesh më saktë vendin tënd dhe të miqve, në tortën virtuale të internetit, të lakmuar si prej liberalëve, ashtu edhe prej konservatorëve.

Pa Komente

  1. Më në fund, një zë në ambientin shqipfolës, që hedh dritë mbi një marrëdhënie krejtësisht të keqkuptuar, edhe jo vetëm në perëndim…

  2. “konservatorët i perceptojnë marrëdhëniet njerëzore më spartane, gjërat duhen thënë ashtu siç janë, pa shmangur konfliktet ideologjike”.
    Kjo na afron disi tek nje tipar i rendesishem qe dallon keto dy grupime prej njera-tjetres dhe qe perndryshe nuk permendet ne artikull: qendrimi ndaj se vertetes, apo ndaj se Vertetes. Konservatoret pergjithsisht mendojne qe egziston nje e Vertete absolute, e cila mund te arrihet e te njihet, prandaj jane me te prirur te sakrifikojne cdo gje tjeter per hir te saj, dhe nuk me duket se jane aq te gatshem per kompromis. Ndersa liberalet e shohin te verteten ne terma me relative, prandaj priren me shume nga kompromisi.

  3. Diskutimi mbi natyren e te vertetes eshte nje nga subjektet me te veshtira dhe pothuajse gjithmone jokonkluzive, sidomos kur kerkon te vihen ne kontrast mendimi liberal(?) dhe ai konservator(?). Komentet e mija me poshte nuk kane shume te bejne me temen e shkrimit me siper.

    Mbi dikotomine liberal/konservator: Si e trajtojne dhe e shohin ata te verteten?

    Jane disa filma shqiptare te socio-realizmit, ku temat mbetet edhe mbas kaq vitesh interesante(te pakten per gjykimin tim). Po zgjedh midis tyre filmat Dueli i Heshtur, Komisari i Drites dhe Prita.

    Nese do te kerkonim te ribenim keto filma cfare do te ndryshohej nga “e verteta” qe percillej prej tyre? E shkruajta “te verteten” ne thonjza, jo per t’a nenkuptuar si te kunderten, por per te nenkuptuar qe nese do te rishkruhej skenari i ketyre filmave, si mund te prezantohej e verteta sot.

    Dueli i Heshtur – Dy te deklasuar dhe nje oficer marine, te pakenaqur me pushtetin popullor, kerkojne te arratisen, per t’i shpetuar persekutimit, dores te hekurt (te diktatures te proletariatit), e njekohesisht per te deshmuar per situaten ne Shqiperi (gjera te paqena) ne Perendim, per cfare ndodh brenda perdes te hekurt te EH.

    Komisari i Drites – Nje prift, nje ish bajraktar me komitetin e maleve, bejne perpjekje te ndalojne punen ndricuese te nje ish-partizani te kthyer ne mesues, qe kerkon te shperndaje arsimin dhe dijen ne malesi. Kisha me kanunin ishin institucionet qe mbanin malsoret nen regjimin e zakoneve te egra. Femrat, edhe malsoret jetonin nen gjykimin e nje tradite qe ishte bere pengese per perparim.

    Prita – Nje fshatar, i kthyer ne partizan dhe mitralier eshte ne qender te nje luftimi ne nje prite midis pushtuesit gjerman dhe kolaboratoreve. Perfundon ne nje dyluftim jeta a vdekje midis dy njerezve qe e urrejne kaq shume njeri tjetrin. Per partizanin gjermani eshte okupatori, kurse per komandantin gjerman te kulturuar, partizani eshte nje fshatar, gjysemopinge (qe atdheu, ndoshta per te deri dje, kishin qene sinoret e fshatit), qe i ka dale diku ne nje rruge per t’i nderprere misionin e tij.

    Per dy filmat e pare, mendoj se verteta, eshte e komplikuar per t’u ripare e rishkruar. Prita si film, (ndoshta) me shume mund t’i bashkonte, se t’i largonte nga njeri-tjetrin liberalin me konservatorin, por (ndoshta) edhe jo.

    A do te ishim ne gjendje te ribenim skenaret e ketyre filmave per te treguar sot te vertetat?

    Nje nga theniet per te verteten qe do te ishte me interes per t’u trajtuar vecanerisht ne rastin e shqiptaret eshte thenia e Heidegger-it: …”e verteta eshte ajo cka e ben nje popull te sigurte, te qarte(e qarteson), dhe te forte…”

    ps. Me interes per te ritrajtuar te verteten eshte edhe filmi I Teti ne Bronx.

  4. Pse atehere ndasite me te medha brenda sojit i ka e majta, pra liberalet dhe jo e djathta? Si shpjegohet kohezioni me i madh i se djathtes? Te djathtat moderne edhe i kane traditat shume te ndryshme nga vendi ne vend dhe veshtire ti pergjithsosh. Ka te djathta pasardhese juntash, te djathta te dala nga republikanizmi, monarkite, te djathtat nacionaliste, etj.

  5. Mendoj se konservatorët janë aq të sigurt në bindjet e tyre, sa priren ta perceptojnë kundërshtimin/kundërvënien si fyerje ndaj së vërtetës, madje rendit të sendeve.

    Përkundrazi, liberalët janë më relativistë, por edhe më të shkolluar, si rregull, se konservatorët; prandaj ata e perceptojnë kundërshtimin/kundërvënien si fyerje ndaj dijes.

    I vizitoj shpesh forumet, anembanë Internetit; dhe në përgjithësi vërej se konservatorët shkruajnë budallallëqe aq të mëdha, saqë duhen larguar nga debatet vetëm e vetëm për t’ua ruajtur këtyre profilin dhe cilësinë.

    Tek e fundit, këtë kemi bërë edhe në PTF dhe pa kurrfarë pishmani. Kundërshtimi tolerohet deri në fund – budallallëku dhe keqdashja jo. Sa për atë se kush e dallon dot budallëkun dhe keqdashjen, përgjigjja vjen vetvetiu: i zoti i shtëpisë.

    1. Jam prej atyre qe mendojne se vecanerisht ne territore lufte kulturore si Amerika me gjithe sterkalat qe kjo shperndan anembane, nje nga gabimet me serioze te shume liberaleve eshte se i konsiderojne konservatoret si budallenje. Duke ju referuar perseri konservatoreve amerikane, kohezioni i grupeve me prioritete shume te ndryshme eshte mbreselenes.

      Per shembull, konservatoret ne Amerike konsiderohen aleanca (apo martesa) e neokonservatoreve me axhenden luftarake, krahu financiar qe nuk do ti rrije shteti si rregullator mbi krye dhe ‘maxhoranca morale,’ apo e djathta fetare e krishtere.

      Gjuhetari George Lakoff shkruante para ca vitesh ne ‘Don’t think of an elephant’ se konservatoret mund te pershkruajne ne nje fjali qendrimin e tyre ne nje menyre qe i apelon publikut amerikan dhe kjo ka qene rezultat i punes kerkimore te shume think tank-eve konservatore qysh nga vitet ’60 e kendej qe kane studiuar dhe me tej efektuar perceptimet publike.

      Ne te kundert liberaleve u duhet nje paragraf per te artikuluar bazen e qendrimeve te tyre. Per me teper, sipas Lakoff, pjese e problemit per liberalet vjen nga iluzioni se mendja njerzore krijon gjykimin ne baze te informacionit qe mer. Ne te kundert, thote ai, mendja njerzore analizon informacionin ne baze te kornizes se referencave qe ka ne mendje.

      Baza konservatore ne Amerike mund te duket e pa-rafinuar dhe e pa-arsimuar dhe karikatura e Glen Beck qe u meson historine njerzise ne universitetin e tij online i meshon me shume tone kesaj tablloje, por konsiderimi i konservatoreve si budallenje me duket jorealiste.

  6. Nuk e mbaj mend se çfarë më bëri të gjeja këtë sajtin para nja dy vjetësh. Nëse doni të qeshni ndopak, aty ka shumë materiale për të gjykuar rreth cilësisë mendore të konservatorëve.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin