Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Sociologji

KOSOVA E PËRKOHSHME

Kur flet në publik për shtetin e vet Kosovën, kosovari – i çdo ngjyrimi politik dhe kulturor – gjithnjë e më shpesh duket sikur ka parasysh një realitet të përkohshëm, një kompromis, një formë kalimtare, një koagulim që së shpejti do t’ia lërë vendin diçkaje tjetër.

Dhe kjo nuk vjen vetëm nga krahu kombëtarist, i atyre që të ardhmen e Kosovës e shohin të bashkuar me Shqipërinë, në një shtet të ri shqiptar në Ballkan.

“Ky vend ka mbaruar”, thotë Imer Mushkolaj, duke iu referuar dorëzimit të shtetit ndaj interesit privat, te kolona e vet në Express.

“Republika e Kosovës, moralisht dhe shpirtnisht e falimentuar,” shkruan Genc Kadriu, duke iu referuar incidentit të Kosovo 2.0.

Këtu s’po dua të ndalem në arsyet për pohime të tilla apokaliptike, aq më tepër të shqiptuara në prag të këtij 21 dhjetori, por në vetë formën e këtij apokalipsi minor: përkohshmërinë e shtetit të sotëm të Kosovës.

Dhe pikërisht – sa ndikon ky mem, ky vizion, ky projeksion qoftë edhe gjysmë i pavetëdijshëm, në ecurinë ose edhe mbarëvajtjen e punëve publike ndër kosovarët.

Edhe pse punët në Shqipërinë fqinje shkojnë ndonjëherë edhe më keq se në Kosovë; dhe Tirana ia kalon shpesh Prishtinës për nga cinizmi me të cilin trajtohet çështja publike, prapë se prapë shteti shqiptar këndej kufirit gjithnjë këqyret si entitet solid e konstant; si përhershmëri, ose emërues i përbashkët i çdo gjakimi politik, madje edhe i konfliktit të hapur, kacafytës, antagonist, për jetë a vdekje mes palëve.

Përkundrazi, në kafenetë e Prishtinës, dhe jo vetëm aty, ideja se kjo botë eksperimentale, e ndërtuar në trajtat e një ndërmjetësimi mes vullneteve shqiptare të çliruara dhe projektit eksperimental eurokratik, nuk e ka të gjatë, nuk mund të ngurtësohet dot  e nuk shërben për të ndërtuar asgjë mbi të e në të, mundet fare mirë ta paralizojë dëshirën.

Nuk e kam, pra, fjalën te problemet, plagët, maskarallëkun, krimin, kriminalitetin, mafian, dhunën si instrument i veprimtarisë publike; por te hija e rëndë e përkohshmërisë, që u jep natyrë tjetër të gjitha dukurive të së përditshmes, duke filluar nga më banalet.

Nga një anë, njerëzit duan të jetojnë, madje edhe ta formësojnë mjedisin rreth tyre në përputhje me vizionet e veta për të mirën e përbashkët; nga ana tjetër, po këta njerëz i mundon ideja se bota rreth tyre mund të marrë fund edhe nesër; edhe pse jo doemos me katastrofë.

Te kjo neurozë kushedi ka diçka nga katastrofizmi jugosllav i viteve 1980; e kushedi edhe nga vetë kulti serb i disfatave, që në mënyra të ndryshme e ka gjetur rrugën deri në vetëdijen publike të shoqërisë civile në Kosovë dhe vijon të qarkullojë atje, mesazh i mbetur pa adresues e pa të adresuar; sikurse ka shumëçka nga pakënaqësia e përgjithshme me një model – shteti i sotëm kosovar – të sajuar në tryeza ekspertësh dhe akademikësh.

Duket sikur shumë kosovarë po e shohin Republikën e sotme të Kosovës si asgjë me tepër se një kamp refugjatësh deluxe; ose një truall të sunduar, para së gjithash, nga përkohshmëria; të përligjur nga përkohshmëria. Shto këtu edhe retorikën kombëtariste ndonjëherë thjesht histerike, e cila e zëvendëson përditshmërinë me një të ardhme utopike të “bashkimit”, si vendin gjeometrik të zgjidhjes së problemeve.

Një atmosferë ku filozofia e “eppur si muove” nuk po mallëngjen më kënd.

Them “duket sikur”; të shkoj më tej, do të ishte e padrejtë – është një përshtypje imja jo një përfundim; do të më interesonte feedback-u prej lexuesve më të informuar.

Pa Komente

  1. Koha ka bere te veten ne zbehjen e idealit te Republikes dhe relativisht atij te Europes. Ky i dyti po zbehet edhe tek ketej Morines.

    Keqqeverisja e vendit, Eulex-i qe duket perhere e me shume si entitet i tepert, moszgjidhja e problemit serb, jane te gjithe ndikues ne kete zbehje.

    Statusi nderkombetar qe ne ketej Morines e marrim per nje gje te mireqene, jep gjithnje pasoja te renda dhe sigurisht kjo e perkohshmerise se rendit te gjerave, nuk eshte gje e paket per psikologjine kolektive.

    Statusi nderkombetar i Maqedonise psh sado qe duket i konsoliduar de jure eshte burim i perhershem shqetesimi per sllavet e atjeshem, aq sa elitat e tyre, po bejne nje maxioperacion plastik me ane te statujave dhe manipulimit te historise.

    Tek Shqiperia ata shohin e lakmojne ate qe s’kane, dmth statusin nderkombetar, i cili eshte garanci per te ndertuar gjera te qendrueshme.

    Sa me shume qe Serbia avancon me kerkesat ne drejtim te Kosoves, aq me shume shqiptaret atje do shikojne nga Shqiperia, sa me larg te duken serbet, aq me pak do shohin nga Shqiperia.

    Ne fund te fundit, kemi te bejme me rrjedhoja logjike qe nderkombetaret i dinin shume mire, o Kosova permbushet si shtet o do bashkohet me Shqiperine.

    Asnje faktor nuk duket qe te punoje ne drejtim te permbushjes se Kosoves si shtet, madje as vete Eulexi.

    Kosova nuk eshte shtet viabel, as Maqedonia, madje as vete Shqiperia pavaresisht shekullit te jetes, Keto shtete ekzistojne qe shqiptaret te mos gezojne te mirat e viabilitetit.

  2. Xhaxha, je kapur vetem ne nje aspekt te situates, qe une e cilesoj nje lloj “stagnacioni” te zhvillimit te shoqerise dhe sistemit politik ne Kosove.

    Retorika, si ilustrim i nje mentaliteti qe ju mendoni se karakterizohet nga te qenurit i perkohshem, eshte nje nder fytyrat qe shfaq stagnacioni.

    Qe prej shpalljes se pavaresise Kosova nuk ka levizuar qofte ne nivelin nderkombetar (fussnota apo njohjet nga vendet e largeta e thyejne disi kete atmosfere te qendrimit ne vend dhe deshmojne pikerisht kete), ne ate kombetar (pakenaqesia me eliten politike dhe ekonomine); apo ne ate individual (papunesia e gjate dhe mungesa e alternativave per shpalosjen e epersive dhe cilesive te individit).

    Por ka nje segmet te shoqerise ne Kosove, sic eshte Vetevendosja, qe kerkojne pikerisht progresion, zhvillim, ne kete mynxyre qe e ka pllakosur Kosoven. Elita politike eshte e kenaqur me kete batak dhe gjendjen (status quon), prandaj edhe stagnacioni i Kosoves eshte bereqet per ta. Nese do t’i vendosnim keto perpjekje ne nje bosht nje-dimensional eshte pafuqia e progresisteve dhe forca e reaksionareve qe tendos boshtin ne kete stagnacion. Kjo eshte arsyeja per kete retorike qe kerkon ndryshimin, qofte edhe te status quo-se ne rrafshin nderkombetar, dhe krijon alternativa si “bashkimi i Shqiperise”, c’ka shpreson per ndryshimin radikal te situates.

  3. Retorika kombetariste ne Kosove, eksportuar se fundmi prej andej edhe ne Shqiperi, eshte tregues i qarte i nje tharje shpirterore ne kufij alarmante. Sidoqofte, mund te justifikohet sadopak kjo dukuri ne Kosove , per arsye te inercise, por te ndizej edhe tek ne, ne Shqiperi, kjo do te thote se e keqja po troket fort. Pa dashur te beje Kasandren, me keqardhje mund te vinim ne dukje se,nese kesaj llave agresive te injorances nuk do ti vendosen bariera per ta ndalur, shpejt kemi per te qene deshmitar te shperberjes dramatike te deshirave dhe arritjeve te derisotme. Do te deshperojme miqte, do i ftohim mardheniet me ta, do ndeshemi me zhgenjimin dhe ne fund do humbasim perkrahjen e tyre. Le te kuptojme se shpetimi yne ka per te ardhur vetem atehere, kur sejcili te tregoj se eshte ne gjendje te ndjej gezim duke bere cdo dite dicka te vogel te dobishme dhe jo rend neper ekspedita donkishoteske drejt marrezive te shekujve qe lame pas.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin