Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Histori / Kulturë / Shkencë

NGA PASHAI I TEPELENËS TE KOMPJUTERI

Ada(Diku nga mesi ndodhet Ada Lovelace, që Google përkujton sot)

Natyrisht, lidhja midis Pashait të Tepelenës dhe kompjuterit nuk është shumë e drejtpërdrejtë. Me gjendjen e sotme të studimeve, Ali Pashë Tepelena nuk ka dhënë ndonjë ndihmesë të njohur në fushën e informatikës. Po ama, të njëjtat fjale nuk mund të thuhen për miqtë e tij. Këtu në radhe të parë e kam fjalën për lord Bajronin. Ai po. Atij i detyrohemi diçka. Tërthorazi, kuptohet. Por le t’i marrim punët me radhë se edhe Aliu nuk është fare kot në ketë mes!

Aty nga marsi 1812 gjatë një balloje në Melburn House, në Londër, Bajroni u njoh me Ana – Isabela Milbanke, që midis të njohurish thirrej Anabela. Është fjala për një vajzë aristokrate, tepër e ditur dhe me prirje për matematike (jam i sigurt se diçka keni filluar të nuhasni, por jeni akoma një brez larg).

Bajroni, që me sa duket në atë kohê nuk dinte se çfarë mund t’i kërkohej tjetër një gruaje, veç dashurisë, do të ndeshë në refuzimin e saj të prerë. Duhet të themi se miku ynë i madh nuk gëzon emër të mirë. Aventurat e tij skandaloze me gra, nganjëherë deri me 20 vjet me të moshuara se ai vete, përfliten në të gjitha versionet e mundshme në sallonet aristokratike ku ftohen Anabela dhe familja e saj. Por, ndërkohë ka ndodhur edhe diçka tjetër, një ngjarje fort e rëndësishme për letërsinë botërore. Një botues londinez ka publikuar dy këngët e para të Childe Harold dhe kjo e ka bërë Bajronin të famshëm dhe mik me burra mitikë si Valter Skot. Ai është personazhi me i duartrokitur i studentëve të Oksfordit. Nê sallonet ku pritet dhe ku nuk pipëtin askush kur flet, të pranishmit dëgjojnë gojëhapur historitë që ai rrëfen për udhëtimet që ka bërë në vende të largëta e ekzotikë si Shqipëria. Me zemër të drithëruar auditori i tij femëror dëgjon për bisedat dhe miqësinë që ai ka lidhur edhe me një personazhi sa ekzotik aq edhe të tmerrshëm. Ai tregon mrekullisht historitë e pabesueshme të Pashait të Tepelenës. Mund të thuhet se Aliu, me historitë e tij të përgjakshme, me sa duket i ka hyrë fort në punë Bajronit. Ai e ka bërë Anabelën të harroje disi atë portretin e fshehte e fort të përfolur të lordit të ri. Kështu, një dite marsit të vitit 1814, pas një qëndrese të admirueshme, ajo do të ulë shqytin dhe diku nga shtatori i po atij viti ata martohen e vendosen në Pikadili Terrasë, në Londër.

Shtojmë një detaj, që do të marrë mjaft vlerë për ngjarjet e mëpastajme. Bashke me çiftin e ri, në të njëjtën banesë do të vendoset edhe Augusta. Është motra për babë e poetit. Ekzistencën e saj ai e ka marë  vesh kur ishte 15 vjeç. Askush nuk i kishte treguar se i ati (vdiq i mbytur ne borxhe me 1791), kishte qenë i martuar më parë dhe se kishte patur edhe një vajzë, Augustën. Ndonëse natyrë e çelur dhe tepër gazmore, kjo motër e madhe e poetit nuk do të ketë tepër fat në martesën me një kolonel dhe më 1813 vjen e vendoset në Londër pranë vëllait të rigjetur.

Për rreth dy muaj ata do të banojnë së bashku, por në opinionin ende nuk flitet shume për lidhjen e tyre. Siç del nga disa letra të bëra të njohura shumë vonë, Anabela do të fillojë të shqetësohet dhe të dyshojë kur Augusta do të vijë të banojë nën të njëjtën strehë me çiftin e ri, fill pas martesës. Augusta ka edhe një vajzë Meloren, të cilën të gjithë, përveç bashkëshortes se Bajronit, e dine se është fëmija i këtij të fundit.

Dyshimet fillojnë e i gërryejnë shpirtin Anabelës. Ajo mbushet me mllef e urrejtje kundër të shoqit, por ndërkohë ata do të kenë një fëmijë, një vajze, Adën, atë që më pas do të cilësohet figure piktoreske e informatikës. Është pikërisht ky fëmijë gjeni, të cilit do t’i detyrohen shumë ordinatorët tanë, sikundër do të shohim më poshtë. Dhe po të mos kishte qenë Augusta, ajo do të që bërë poete, duke ndenjur pranë të atit! Që prej çastit të ndarjes me Anabelën, Bajroni kurrë nuk do ta shohë më të bijën dhe do ta ruaë atë në kujtesë ashtu pak muajshe, siç e pa për herë të fundit.

Siç del nga letra të ndryshme, Ada, (deri vonë disa revista të ndryshme të informatikës emrin e saj e jepnin gabimisht, Diana) kishte prirje e pasion të veçantë për poezinë. Por siç e thamë, prania e Augustës i kishte zbuluar nënës së saj një realitet të tmerrshëm, deri në çmenduri. Ajo do të largohet nga Bajroni dhe do të ushqejë për të një urrejtje të tillë sa kurrë më nuk do ta lerë të bijën, jo thjesht të merret me poezi, por as të prekë ndonjë libër poezie me dorë, për sa kohë ishte në shtëpi pranë saj. Boshllëkun qe i krijoi vetë do të përpiqet t’ia mbushë duke e orientuar te pasioni i rinise së saj, te matematika. Ada, ndonëse e gatshme të mos ia prishë qejfin të ëmës, diku në një letër qe i dërgon kur është tashmë e rritur, i kërkon edhe një herë që meqë nuk e lejonte të merrej me poezi, të paktën ta lejojë qe të merret me “shkencën e poezisë”! Anabela këmbëngul në të vetën. Ada përfundimisht i kushtohet matematikës.

Gjithçka për Ali Pashanë Ada e ka mësuar nga poemat e të atit (dhe natyrisht prej kronikave dhe një literature të tërë që qarkullonte në Evropën e asaj kohe), që, sipas të gjitha dëshmive, u kthehej e i lexonte herë pas here deri në fund të jetës. Ndryshimi ishte se ndërsa të tjerët e merrnin atë pashin e përgjakshëm për një personazh pothuaj legjendar, ajo e dinte se ai kishte qene mik i babait të saj, madje aq mik sa një herë (siç del nga një letër), Aliu i kishte thënë se meqë gjate ditës ishte i zëne me pritjen e njerëzve, ai mund të vinte e ta takonte natën! Kjo pasi i kishte fërkuar një herë edhe veshët dhe i kishte thënë se prej tyre e kuptonte se ai ishte prej dere të fisme. (Meqë ishin të vegjël, gjë që do të thoshte se nuk ia kishte tërhequr ndokush për ndëshkim.)

Skandali në gjirin e çiftit të ri nuk ishte më sekret familjar. I ndërgjegjshëm për fjalët që tashmë qarkullonin me prurje të lartë, Bajroni do të largohet përgjithmonë nga atdheu i tij duke shqiptuar atë shprehjen e famshme: Nëse këto që thuhen për mua janë të vërteta, atëherë unë nuk jam i denje për Anglinë, por nëse këto nuk janë të vërteta, Anglia nuk është e denje për mua.

Në kohën e shkollimit tonë nuk jepej ndonjë shpjegim i veçante për ketë shprehje. Faktet e mësipërme nuk njiheshin në atë kohë. Më ka mbetur në mend vetëm shpjegimi i një mësueseje të rusishtes (një bullgare e bukur), e cila duke iu përgjigjur pyetjes sime që më gërryente natë e ditë se çfarë fshihej në ato fjalë të Bajronit, në mirëbesim më rrëfeu se Bajroni i shqiptoi ato fjalë në një çast dëshpërimi, kur e ndjeu se Anglia po hynte ne fazën e fundit të kapitalizmit, në imperializëm! Atëherë nuk i kuptoja këto terma, por m’u duk se ajo më besoi diçka të rëndësishme.

Meqë këto shënime nuk kanë për qellim jetën e poetit të madh, i cili u nis në ndihmë të popujve të revoltuar të Evropës, le të kthehemi të Ada. Në moshën e shkollës e ëma e dërgoi të mësoje pranë A. de Morgan, një nga matematikanët me të mëdhenj të kohës. Njohësit e logjikes matematike e dine se ai është krijuesi i termave të tille si “induksioni matematik” dhe autor i një teksti mbi llogaritjet integrale dhe diferenciale. Por krejt rastësisht, duke lexuar një artikull të matematikanit italian Menabreas, ajo do të mësojë për punimet analitike të bashkatdhetarit të saj Karl Babaxh. Ky prej kohësh punonte për një makinë qê mund të bënte automatikisht kalkulimin e tabelave matematike. Madje, rast i çuditshëm, qeveria angleze prej kohesh financonte punimet e tij ne ketë fushe. (Për herë të dyte kjo gjë do të bëhet 100 vjet me vonë nga qeveria amerikane, qe financoi programet e para informatike mbas L2B). Ada pati një tërheqje të veçantë ndaj punimeve të Babaxh-it. Kjo e shtyu të kërkojë të njihet me bashkatdhetarin e saj të madh. Këtu del edhe një herë roli i se ëmës. Me njohjet e saj ajo mundi të ndikojë qe Ada të ftohet ne një nga pritjet që jepte për Karl Babaxhin, Mary Sommerville, përkthyesja e punimeve të Laplasit në anglisht. Këtu është fillimi një miqësie të jashtëzakonshme midis dy shkencëtarëve.

Ndërkohë Ada është martuar me Uilliam King, kontin Lovelace dhe që prej asaj kohe ajo do të njihet si kontesha Lovelace. Ata patën tre fëmijë, por Ada u muar fare pak me ta, për shkak të kohës se madhe që u kushtonte kërkimeve të saj.

Fillimisht ajo boton një sërë tekstesh që përshkruanin funksionimin e makinës së përfytyruar nga Karli, por këto përshkrime sollën ndryshime thelbësore të ideve të para të tij. Janë të shumte ata që mendojnë se konceptet e saj për mënyrën e përpunimit të të dhënave me të cilat duhej ushqyer Makina Analitike (siç e quajtën ata) janë gjuha e parë programuese e informatikës. Lexoni citimin e mëposhtëm që ajo bën për makinën në fjalë dhe do të bindeni se është përshkrimi ekzakt i kompjuterit të ditëve tona. Eshtë i vitit 1843: « Makina Analitike nuk pretendon aspak të krijoje gjësendi nga vetvetja. Ajo vetëm se ekzekuton gjithçka që ne e urdhërojmë të bëjë. Ajo mund të ndjekë një analizë, por nuk ka aftësinë të përfytyrojë relacione analitike apo teza. Roli i saj është të na ndihmoje të zbatojmë diçka që tashme ne e zotërojmë”.

Një revistë e njohur për kompjuterët qe kam në dorë (PC team, nr. 62 nëntor 2000) thotë se Ada përfytyroi e para procesin e ekzekutimit logjik, të cilin për nder të matematikanit arab M. Al Khurisimi, ajo e quajti algoritëm. Por këtu duhet të ketë ndonjë problem interpretimi se vetë termi është krijuar nga M. Al Khurisimi (i cili nuk është arab, por persian) dhe Ada e rimori për ta përdorur në emërtimin e kalkulimeve qe kishte nisur të aplikonte për makinën e re dhe që sot është i pandashëm nga gjuha programike në informatike. Madje revista e mësipërme thotë se me ketë akt ishin hedhur bazat e informatikës moderne dhe ordinatori nuk është shume larg…

Por ndërkohë, meqë rezultatet e premtuara nuk po dukeshin, qeveria angleze i ndërpreu financimet për Karlin. Ada pati idenë të përdore për një farë kohe aftësitë e saj në matematikë dhe të krijoje një lloj makine për të shtuar mundësinë e fitimit të garave me kuaj, (sikundër i ati edhe ajo vete ishte një kalorëse e shkëlqyer), për të investuar pastaj në punimet shkencore. Pa asnjë rezultat.

Ajo u rrënua ekonomikisht dhe pak kohë më pas ndahet nga konti Lovelace. Më pas preket nga një kancer dhe në përpjekje për të mposhtur dhimbjet do të bjere preh e drogës. Vdes duke shprehur vullnetin e saj të fundit për t’u varrosur në të njëjtin vend me të atin (në kishën e Shën Madalenës në kontenë e Notingamit), që nuk e kishte njohur kurrë. Ishte vetëm 37 vjeç. Me këtë rast biografët përmendin se në këtë moshë kane vdekur edhe i ati i saj, por edhe Moxarti, Van Gogu etj. Një mënyrë për të thëne se edhe ajo ishte një gjeni që paratha epokën e informatikës e cila do të niste njëqind vjet pas vdekjes se saj.

Është interesante të përmendet ne mbyllje të këtyre shënimeve, se në shenje mirënjohje dhe nderimi ndaj saj, gjuha e famshme programatike qe u krijua me 1980 nga J. Ichbiah me porosi të DoD (Departamenti i Mbrojtjes i ShBA’së) edhe sot e kësaj dite njihet me emrin ADA. Portreti saj është i pranishëm edhe në hologramet e certifikimit të Mikrosoftit. Asaj i janë kushtuar një numër biografish dhe ajo është personazh edhe i një numri të madh librash vizatimor, romanesh, filmash për ekranin e madh dhe serialesh televizive.

(Artikulli është botuar shumë vjet më parë në shtypin e Tiranës. Po e sjellim në PTF meqë tamam sot A. Lovelace përkujtohet me një doodle nga Google)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin