Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Komunikim / Sociologji

NAIM ÇMITIZUESI

Julius

Në vazhdën e diskutimeve që ndoqën nusen greke, një nga krushqit e temës (nëse më lejohet t’i quaj kështu me dashamirësi komentuesit), Spiritus, sjell një vjershë nga Naim Frashëri – “Dëshira e vërtetë e Shqiptarëve“. Origjinalin, Naimi e ka botuar në greqisht, me titull: Ο αληθής πόθος των Αλβανών. Pjesa e parë e vjershës së Naimit, mund të shihet si mitizim i shqiptarit, apo ndryshe, meqë po flasim për vitin 1886, një draft ideologjik i strukturës që adoptoi lëvizja e Rilindjes Kombëtare. Aty Naimi flet për pellazgë, flet për Aleksandrin, Pirron, Skënderbeun, romakët, ilirët etj. Pas mitizimit të shqiptarit, duket se Naimi hyn në të tjera çështje të cilat kanë të bëjnë me aktualitetin e gjendjes së atëhershme të shqiptarëve. Pika e kthesës në vjershë, mund të konsiderohen këto vargjet këtu:

O sa vepra madhështore kanë bërë shqipëtarët,
Por më kot, se të dobishme qenë vetëm për të tjerë!

Pas këtyre vargjeve, Naimi, përshkruan një gjendje të shqiptarëve sipas tij fatkeqe në të cilat ndodhen emra njerëzish dhe personalitetesh të kohës së atëhershme që ishin vënë në shërbim të fqinjëve nëse mund të themi, apo siç e thotë Naimi:

 Të kesh kaq burra në zë dhe të jesh akoma skllave!
Ti të kesh Mehmet Alinë dhe Ibrahimin me shokë,
Ata të shpëtojn’ Egjiptin dhe ti të tiranizohesh!
Ç’fat i mjer’, i mallëkuar, oh çfarë mynxyr’ e zezë!
Të kesh Boçarin, Xhavellën, Miaulin, Bubulinën,
E shumë heronj të tjerë, dhe ata të mos përpiqen
Për ty, Shqipëria ime, po për grekët e Greqinë!

Duket se marrëdhëniet shqiptaro-greke të atëhershme, Naimin e shqetësojnë mjaftueshëm sa t’i kushtojë këtij preokupimi, një numër të madh vargjesh… Pasi artikulon mjaft bukur konceptin e Heroit dhe Tradhtarit me shembuj dhe erudicion mahnitës mbi historinë e lashtësisë greke, ai hyn në një marrëdhënie dialoguese me grekët imagjinarë, e pikërisht këtu, Naimi bëhet mjaft interesant. Në këtë dialogim imagjinar, duket se kërkon t’i gjejë përgjigje propagandës greke në lidhje me shqiptarët.

Edhe thotë:

Nëse thoni që edhe ju jeni, gjithashtu, pellazgë,
Dihetë se pellazgjikë janë kaq e kaq kombe:
Italianët e francezët dhe spanjollët e të tjerë.
Pra, ju jeni italianë? Mos ju quajtën francezë?

Dhe ndërsa më lart shkruante se shqiptarët janë bijtë e pellazgëve, këtu më poshtë po del se nuk kanë qënë bijtë e vetëm. Interesant Naimi është gjithashtu kur i jep përgjigje gjenezës së botës:

Po, të gjithë jemi pjellë të Adamit e të Evës.

E megjithatë, më lart tha se:

Ne pellazgë kemi lerë para se të lindte hëna,
Kur Adami nuk ka qenë veçse ujë edhe pluhur,

Dhe të parët tanë s’ishin vetëm baballarë popujsh,
Porse ishin baballarë dhe të vetë perëndive.
Motit, gjuha jon’ e dlirë, gjuha jonë e pavdekshme,
E kulluara, e kthjellta, mahniti dhe perënditë.

E veçanta e pjesës ku poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri dialogon me grekët imagjinarë, qëndron se nëse aktualitetit i përgjigjet mjaftueshëm mirë, pra hedh një platformë ideologjike pyetjesh-përgjigjesh, e cila mund të përmblidhet në formë pedante: ne duhet të jemi miq, kemi qëllime e armiq të përbashkët, jetojnë grekë në Shqipëri e po ashtu shqiptarë të shumtë në Greqi, kemi një lloj druajtje përvetësimi apo mosbesimi prej jush, i bëjmë apel krishtërimit “mos bëj atë që nuk do doje të ta bënin”, shikoni sllavët etj; interesant mua më duket fakti i përvetësimit mitologjik të figurave që Naimi apelon. Pra vërtet pohon një ndërthurrje marrëdhëniesh greko-shqiptare, e megjithatë ka pretendim absolutist mbi disa figura herë historike e herë mitike dhe mitologjike, mbi të cilat gjithashtu pretendim kanë grekët! A nuk duket dhe bëhet akoma e qartë se pretendimi ideologjik absolutist, siguronte se do të kishte konflikt?

Kur shkruajta për “Fustanellën dhe frakun“, ideja ishte të jepja një perceptim të absolutizmit dhe ndikimit të tij në strukturën sociale të një vendi. Edhe interesante ishte, se pikërisht koncepti i absolutizmit, më kafshoi për bythe (nëse huazoj shprehjen e njohur prej anglishtes), kur ajo temë u perceptua dhe keqkuptua si “kusur vetëm i grekëve”, apo akoma më keq, i ortodoksëve.

Për të dhënë shembuj absolutizmi ideologjik të dyanshëm, të shfaqura kësaj here si formë përgjithësimi mbi etninë, mjaft të hedhim një sy nga mediat. Shikoni për shembull, këto tituj mediash online:

Grekët me sponsor agjencitë funerale dhe bordellot.

Alban Skënderaj ka vjedhur këngën prej grekëve. 

Ku është e keqja në këto lajmet më sipër? Në perceptimin llogjik të tyre. Kështu për shembull, lajmi i parë nga gazeta “Tema” flet me një përgjithësim për “grekët”, kur realisht, ajo skuadër që ka sponsor agjencinë e funeraleve, nuk janë “grekët”, është një skuadër futbolli e kategorisë së pestë në Greqi! 

Alban Skënderaj, nuk supozohet se e ka vjedhur këngën “prej grekëve”, supozohet, apo dyshohet se ka  kopjuar një këngë greke! 

Perceptimi monolitik, përveçse është baza e stereotipizimeve kombëtare, është gjithashtu jo racional, shumë herë ngushëllues e justifikues, por akoma më, është jo-real. E kam fjalën, fare thjesht dhe llogjikisht, nuk mund të kesh marrëdhënie të përditshme me grekët nëse dikush jeton në Greqi, apo flet me ta përditë, i has në supermarket, në autobus, i ka fqinjë etj. dhe të mundet të ketë një qëndrim të tillë ndaj “grekëve”.

Akoma më tej, këto stereotipizime, pengojnë perceptimin llogjik të realitetit, sidomos nëse në atë realitet përfshihet “armiku”, dhe kjo i jep përballjes doza të forta emocionaliteti. Nuk do e harroj kurrë ndodhinë në fillim të viteve 00′, ndërsa konflikti në Kosovë ishte akoma i zjarrtë, e unë ndodhesha në Selanik, një maskara gjeorgjian shakaxhi, mu prezantua si serb. Rrënqethje të tillë si ajo, nuk kam për ta harruar lehtë. E kam fjalën që, nëse shihet si tipar i një shteti të korruptuar ndodhia për shembull, si në ishullin Zakynthos ku gjysma e banorëve ishin deklaruar si të verbër, në mënyrë që të përfitonin asistencë prej shtetit, po njësoj në formë kritike duhet të perceptohet realiteti shqiptar se, për shembull, çdo polic që të ndalon rrugës kur dikush është me automjet, është e sigurt që do të të kërkojë gjobën e rradhës. Korrupsioni masiv, si ai grek, ashtu ai shqiptar, po njësoj falimentojnë shtetet respektive.

Në Ballkanin akoma mitik, ideja e lumturisë, përftohet shumë herë si ngushëllim i fatkeqësisë, sidomos nëse kjo e fundit është e Tjetrit.

Pa Komente

    1. Nuk. E veçanta dhe mbase pjesa më e bukur e të qenit agnostik, apo ateist, është se tek e fundit, fillon dhe i beson padijes. Asaj që nuk di. E kështu çdo koment si ky tëndi i mësipërmi, që nuk të ofrojnë aq informacion dhe aq dije sa të mbash një qëndrim të caktuar, nuk ka kush mundësi t’i përgjigjet pa spekulluar. Mund të qëllojë në shenjë ndonjëherë madje dhe shpesh, por tek e fundit do përgjigjet përmes një paragjykimi qoftë dhe për “shqiptarët”.

      E meqë komentit tënd nuk i përgjigjem dot, sepse gjithsesi nuk di cilës pjesë të prurjes i ke dhënë rëndësi, kësaj këtu:

      “Mirëpo kategorizimin nuk ka nevojë ta bëjmë ne, e ka bërë më kohë propaganda e shtetit dhe kishës greke, dhe me shumë frytshmëri, në fillim duke ua shplarë trutë të mësipërmve me mitet e së kaluarës heroike e të “etërve” të kulturës evropiane, e pastaj duke ua shpifur paranojën e viktimës dhe të rrezikut islamiko-aziatik.”

      apo kësaj këtu:

      “Gjithsesi ne shqiptarët, veçanërisht, duhet të jemi në gjendje t’ua kuptojmë sfilitjet e brendshme e në këtë proces të sqarohemi një çikë më mirë për kusuret tona, se edhe ne kërcyem nga iluzionet perandorake të kohës së sulltanëve në mjerimin total të kohës së komunizmit, pa përmendur marrinat e tanishme post-komuniste.”

      Po komentoj vetë shkrimin e para 12 vitesh të Xha Xhait.

      Për kohën kur u shkruajt (viti 2000), ky shkrim qëndron në këmbë dhe pa i lëvizur asnjë presje, për “grekët”. Po, e vërtetë, “grekët”, nuk të jepnin mundësi që t’i shihje ndryshe veç përmes propagandës që u kishte bërë lavazh truri, kishte prodhuar tipare shabllone njerëzish dhe mendje të vobekta e të sheshta (a bën vaki të ketë ndodhur njësoj për shqiptarët?). Duket se epoka e industrializmit, me triptikun e mass (education, production, weapons of mass destruction), prodhoi dhe seriale mendjesh të njëjta e të ngjashme me njera tjetrën. Sidomos prej edukimit. Mbetje e kësaj bote inekzistente tashmë, mua më duket akoma për shqiptarët, se ka ngelur prodhimi në masë i kalamajve dhe kësisoj, pushtimi eventualisht i botës përmes fertilitetit, po gjithsesi. E vërtetë pra, ashtu ishin “grekët”. News flash: nuk janë më ashtu. “Grekët”, apo më mirë një pjesë e tyre, po sfidojnë historinë që u kanë mësuar, po sfidojnë dogmën, po sfidojnë mënyrën e të menduarit që u kanë lënë trashëgimi. Kësisoj, qëllon të jem dëshmitar, i “grekut” që po ndryshon (a po ndodh njësoj me shqiptarët?).

      Tani mediat shqiptare janë (përgjithësisht) të angazhuara në lojën “shifja bythën grekut”, për t’a nxjerrë këtë kollobec dhe për të transmetuar me zell të tepërt vetëm shëmtinë e vet. Punë e tyre, po mua gjithsesi nuk më duket punë e mirë, as me bereqet. Më mirë më duket të shoh veçantinë e këtij grekut të ri, që ofron shumë gjëra për tu marrë në konsideratë. Jam domethënë i angazhuar të përcjell “grekë” të cilësisë së parë. Jo nga ata që gjenden rëndom në pazar të Monastiraqit.

      Xha Xhai më sipër shkruan:

      “Përndryshe, psikologjia e grekut të sotëm është e dominuar nga kompleksi i katastrofës”.

      Më e vërtetë se kaq, prishet. Këtë e kam vënë re dhe vetë, mjaft e mprehtë vërejtja. Vetëm në Greqi mund të diskutohej ma do mendja, seriozisht dhe në nivel akademikësh, mundësia e fundit të botës, Kataklizmoja, Apokalipsi e të tjera. Po shiheni këtë klip nga një show satirik shumë popullor sot në Greqi, sesi përsëri “grekët” e luftojnë kompleksin që kanë.

      Tani, bëhet të shohim të njëjtën gjë tek shqiptarët, apo do vazhdojmë me lojën “shifja bythën grekut”?

      1. Meqë mu kujtua, ka gjithashtu një show satirik në televizionin grek, me emërtimin “Synteleia” (fundi i botës). Prezantuesi i saj madje, çdo herë e hap emisionin me frazën: Mirë se erdhët në “Synteleia”, emisioni që do ju rehabilitojë me idenë e fundit të botës.

  1. Hidhi nje sy historise boterore e shih se adhurohen njerezit qe kane vrare njerez, apo kane urdheruar vrasje, s’ka rendesi nese per motive fisnike apo jo..

    Kjo eshte historia e njeriut, se ashtu eshte qenia njeri. Historia e vrasjeve eshte histori fqinjesh per faktin e thjeshte se jane me te arritshmit, çeshtje distance.

    Ka paqe posi, shumica e kohes madje, aq shume saqe krijon iluzione dhe iluzionet krijojne argumente.per te vertetuar se s’jane iluzione.

    Po historia nuk e ndal hapin, sepse eshte njeriu qe nuk ndalet.

    Mitet dhe heronjte ekzistojne per te na kujtuar se Tjetri eshte afer aq afer sa me te mund te prodhojme histori, ate te perhershmen qe shperndan mjegullen e zakonshme te iluzioneve.

    Ka paqe e harmoni fale ekuilibrit te forcave, ashtu sikunder fale atij ekuilibri rron edhe sistemi diellor, galaktika apo harmonia e Universit.

    Fakti qe Greqia po ben poshte, gezon paqedashesit, sepse dobesimi i Greqise, forcon ekuilibrin e forcave, e ben me pak te varur nga fuqite jashteballkanike e me te varur nga forcat nderballkanike, qe eshte garancia me e mire.
    Hovi i Greqise ne vitet 1990-2005, shoqeruar me shkaterrimin e Jugosllavise, ushtrise shqiptare e katasftrofa demografike dhe ushtarake e Bullgarise, e lekundi keqazi ekuilibrin e forcave ne Ballkan.
    Tashme gjithe Ballkani merr fryme me lirshem nga pamundesia e Greqise per te qene shtet hegjemon, ndihet ne ajer.

    Te nderuar jane ata paqedashes qe gezojne pse Greqia ben poshte.
    Fqinj te dobet dhe miqesi te forta larg, ky eshte leksioni i vjeter per te rruar ne paqe e ne rast lufte te mos jesh viktima e Tjetrit.

    Pastaj muhabetet e tjera, sidomos keto te tuat, kane vlere kur perdoren per t’u hedhur hi syve te tjereve, po kush i beson me te vertete, vallaj po shperdoron sasine e besimit qe na ka dhene Zoti.

    Pastaj ti s’je as i besueshem persa kohe qe Greqia politike te pergenjeshtron perdite. Ja si thua ti, ne lidhje me Greqine, te besojme llogjet e tua apo Greqine politike ?
    Ka njeri me dy pare mend qe ve ç’thua ti para atyre qe thone e bejne perfaqesuesit e grekeve te zgjedhur me vote demokratike ?
    Ah po Ramfosi a Rafmosi.

  2. Ka pasur një shprehje-slogan Mustafa Qemal Ataturku: Paqe në botë, paqe në shtëpi. Shumë herë kjo është interpretuar si një klishe e rëndomtë, e çfarë do të thotë kjo “paqe në botë, paqe në shtëpi”? Oh tani e kuptoj më së miri. Për të bërë të ditur rëndësinë e mesazhit, për mos-denigrimin dhe mos-përgjithësimin e një etnie, apo komuniteti, mjaft të sjell pasojat e një “lufte verbale” mes shqiptarësh vetë, mu në shtëpitë e tyre mediatike.

    1 – komentet nga gazeta Tema për censusin dhe rezultatet e sapo dala. Hidhini një sy.

    2 – komentet përsëri për censusin tek blogu kolektiv PPU.

    3 – edhe faqja mediatike ndër të tjera liberale e Respublica-s, kapet në panik dhe boton këtë artikull. Krahasim i një etnie me afilacionin fetar. Shumë faull. Gjithashtu, nuk mund të bëhet me faj komuniteti i minoritarëve, për marrëveshjen e ujrave midis shtetit grek dhe atij shqiptar.

    Është interesante të shihet si fenomen sesi mjaftueshmëria e urrejtjes është kthyer në PUSHTET TË INJORANCËS.

    1. Sa e pranueshme eshte analogjia mes zgjedhjes qe bene arvanitasit qemoti me ate qe bejne sot shume shqiptare qe kane zgjedhur te aderojne ne Agimin e Arte? Dhe nje shtese pyetjeje: a eshte ne kete mes afilacioni fetar i shqiptarise, qofte si perceptim i ricikluar historik i binomit turko-alvane, percaktor ne zgjedhjet e mesiperme?

      1. Për arvanitët atëherë, besoj ka qënë ndryshe me sot. Me aq sa di. Të ishe arvanit në More për shembull pothuajse barazohej me kleft apo kryengritës, pjesëmarrës në revolucionin grek. Ishte proces natyral afilacioni, edhe klasor, edhe fetar.

        Këta të Agimit të Artë, nuk shfajësohen lehtë. Si arketipa, janë antipodët e Hyllinit. Hyllinër në krah të kundërt, pasqyrë ku të shohin veten. Agimi i Artë, janë fashistët e Greqisë. Dakord, deri diku mbase i përgjigjet antagonizmit fetar, po deri diku ama… të jesh me AiA, është të shkosh shumë larg. Unë më shumë e shpjegoj me mungesën e edukimit të emigrantëve në Greqi, dhe një lloj përshtatje akoma me këto teoritë racore të hyllinëve. I kanë bërë gati këtej, dhe e kanë gjetur veten “andej”.

        Që ka një lloj antagonizmi fetar në përftimin e identiteteve, madje edhe atyre brendashqiptare, kjo nuk mohohet. Mjaft të njohin historikun e disa krahinave si Himara, Lunxhëria, Dardha e Korçës etj.

        1. Sot presioni nacionalist eshte i dyanshem: nga Greqia dhe nga Tirana zyrtare. Nacionalizmi grek eshte i besueshem ne virulencen e tij dhe ne ndermarrjet praktike. Historia na e thote kete. Por nacionalizmi grek, madje edhe shovinizmi grek nuk mund te kuptohet pa kontribute te spikatura individesh me origjine shqiptare. Zerva ishte nje nga keta dhe ndonese ky nuk eshte ndonje argument me shume vlere, do mbajtur gjithesesi shenim. Presioni i siperm, ai nga Tirana zyrtare deshmon se nacionalizmi shqiptar, ai qe perflitet nga Hylliner e kulloshtra te ngjashme te edukimit te Komunizmit ne Shqiperi eshte teresisht anemik. Madje shume i paqarte. Kane mjaftuar dy deklarata qe kete nacionalizem ta patronizoje Sali Berisha, madje me shume sukses. Aq sa po ve ne levizje-ndoshta te koordinuar me te- fqinjet. Cfare dua te them eshte se nacionalizmi ne Shqiperi, sikurse te gjitha rrymat e mendimit nuk mund te lulezojne jashte cerdhes se pushtetit. I akuzuari per tradheti sot po premton shtetesi dhe bashkim te shqiptareve dhe ka mjaftuar ky moment per ta amnistuar nga te gjitha akuzat. Pse i paqarte? Sepse edhe nje njeri si Pellumb Xhufi po flet tashme per percarje te shqiptareve, per faktin se nisma e Berishes hedh ne ere kohezionin e brendshem etj. Si t’ia vesh emrin kesaj sorrollatjeje intelektuale pervecse kthim ne identitet, aty ku edhe te dhemb me shume, aty ku ndjen se koshadhet informale rrezikojne te themelojne nje Ere te Re? Kjo ndodh pse presioni i dyanshem nacionalist, i aktualizuar gradualisht si opsion zgjedhjeje, perplaset ne Jugun e Shqiperise, i cili sot sheh me syte e tij, me votat e tij, marrezine e madhe qe beri ne keto 20 vjet. Dhe do ta paguaje mire ate. Por gjithesesi e mira e ketij procesi eshte konstituimi i nje ceshtjeje te re, qe hap sirtare te rinj, vendos ne tryeze te pathena, herezi qe po bien si te tilla. Te shkosh me AiA-ne eshte te shkosh shume larg. Intelektualisht po, por kam lexuar diku se edhe Papet e pare, kur popujt barbare ishin shumice e po beheshin problem, ishin injorante e nuk administroheshin nga Fjala zgjodhen moton: Te budallallepsemi qe te fitojme.
          Une e shoh si moment kur e verteta e fshehur ne 1912, do te thuhet, do dale ne shesh, e secili mandej do te zgjedhe. Te vihet re edhe se ndaj Agimit te Arte ka kundershtim, reagim,perbuzje, solidaritet etj, pra te gjitha format e veprimit politik. Ndaj ai edhe e ka te veshtire te katalizoje indetitetin e ri grek. Ndaj nacionalizmit shqiptar, AK-se, mrrokullave te vicidolianit ka vetem solidaritet ne mase. I bazuar ku eshte ky solidaritet? Te gjaku dhe tribalizmi natyrisht.
          “Lum kush te rroje, qe ta shohe zonje!”
          PS: Gomarin e Sancos e lane pa emer. Ai gomar ishte fundja.

          1. Nuk do ketë ndonjë ringjallje nacionalizmi në Greqi. Ai që perceptohet si “rrezik”, vjen vetëm përmes ikjes… në Greqi. Duhet kuptuar se çfarë është AiA në Greqi dhe çfarë nacionalizmi në Shqipëri. I pari është një grumbullim forcash konservatore reaksionare, anti-moderniste. Kryesisht ata që ndjejnë se u cënohen ndjenjat fetare, ato kombëtare, apo ata që të vetmin mjet politik konsiderojnë hakmarrjen. Nacionalizmi në Shqipëri, është mjet i vetëm solidarizimi apo shprehje e pakënaqësisë kolektive, qoftë fare parak e blegtoral.  Çështje niveli shoqëror dhe solidarizimi në të dy shtetet. Realiteti në Shqipëri, është banal.

            Unë prisja reagim më të fortë përmes shtypit shqiptar, përveç Xhufit. Pirro Misha shkruajti më hapur se të tjerët, dhe sot Aleksandër Çipa. Ua ka kapur hallatet konformizmi.

            Solidariteti ndaj Berishës, t’i thuash kompromentues, është pak.

            1. Koloreto Cukali ishte skandal me brire tek Respublica tek article “Census-Per 100 shqiptar ka 0.87 greke”…

              Gazetar i biri i botes, qe me ka shokuar, shastisur e turbulluar me racizmin e tejskajshem ne nje dite te te drejtave te njeriut…

              Si kaposh pa lafshe ka shkruar; po Mustafa Nano liberali si i ka dhene leje hyrje?

            2. K.Cukali ,si gazetar, dha nje lajm per nje proces shume te debatuar ne te gjitha fazat e tij dhe tej mase te vonuar ne daljen e rezultateve dhe per pasoje me interes publik.
              Ku qendron racizmi ketu, pa le pastaj i tejskajshem

            3. fatma, mos bëj sikur nuk kupton. Nuk krahasohet besimi fetar i dikujt me etninë. Nuk krahasohen dot minoritarët me ateistët, apo katolikët. Janë dy entitete të ndryshme. Gjithashtu, nuk po duan minoritarët “të na marrin” detin.

            4. Eshte si te pyes une ta zeme: si e ka mbiemrin ky, Cukali? Po lere ce lexon kot!

  3. interesant mua më duket fakti i përvetësimit mitologjik të figurave që Naimi apelon. Pra vërtet pohon një ndërthurrje marrëdhëniesh greko-shqiptare, e megjithatë ka pretendim absolutist mbi disa figura herë historike e herë mitike dhe mitologjike, mbi të cilat gjithashtu pretendim kanë grekët! A nuk duket dhe bëhet akoma e qartë se pretendimi ideologjik absolutist, siguronte se do të kishte konflikt?

    Naimi duket qe ka arsim te forte ‘klasik’. Dmth i njeh mire klasiket greke ashtu edhe zenkat ‘identitare’ mes tyre. Duke qene keshtu ai ben dallim mes ‘maqedonasit’ dhe ‘grekut klasik’, dhe madje edhe nje paralelizem mes ‘shqiptarit’ dhe ‘grekut’ kontemporan. Ashtu si Aleksandri u be mbartesi i ‘helenzmit’ packa se nuk ishte i tille vete, ashtu edhe Shqiptaret moderne cojne perpara kauza me te medha sesa u lejon pesha e Shqiptareve ne rang boteror. Thjesht thote: “boll me globalizem, rregulloni veten tani”

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin